2012-07-08

FUNKSIONI SHOQËROR I LETËRSISË




            Meqë vepra letrare realizohet përmes gjuhës, kurse gjuha para së gjithash shërben si mjet marrëveshjeje midis njerëzve, është e qartë se edhe letërsia duhet trajtuar si krijim shoqëror, si diçka që ka kuptim vetëm brenda jetës shoqërore. Veprat letrare përfshijnë në vete përvoja dhe njohuri mbi dukuritë e ndryshme të natyrës dhe të shoqërisë, ato flasin poashtu tërthorazi dhe drejtpërdrejt mbi jetën shoqërore. Veç kësaj edhe shkrimtari i përket një shtrese të caktuar ose klase shoqërore. Nga kjo, ai, si përfaqësues i ndonjë bashkësie, në veprën e tij shpreh jo vetëm kundërthëniet në shoqëri, por edhe synimet dhe aspiratat e asaj shoqërie. Në vepër, qoftë ajo poezi, roman ose dramë etj. ai paraqet idealet e caktuara shoqërore dhe njerëzore. Duke qenë se shkrimtari i takon një shtrese a klase të caktuar shoqërore, edhe vepra letrare i takon një kohe dhe një vendi të caktuar. Kështu, p.sh. shkrimtarët antikë në veprat e tyre, përmes miteve dhe legjendave paraqesin shoqërinë e kohës, ndërkaq romantikët, përmes imagjinatës dhe ëndrrave të tyre e projektojnë shoqërinë e kohës, realistët prekin në natyrën klasore të shoqërisë duke u përpjekur ta ndryshojnë atë. Por kjo nuk do të ndodhë në të gjitha formacionet apo shkollat letrare, siç ndodh p.sh. me simbolistët që i shmangen (largohen) shoqërisë. Një dukuri të tillë e ndeshim p.sh. në Francë në teorinë e arti për art etj. Letërsia si art i fjalës, është dëshmi e jetës që kushtëzohet nga koha dhe jeta shoqërore në të cilën zhvillohet ajo. Letësia si art i fjalës, nuk flet vetëm për atë që ka ndodhur, por edhe për atë që do të ndodhë. Letësia luan rol të madh shoqëror, të cilin nuk e ka asnjë fushë njerëzore. Ajo, e lidhur me realitetin njerëzor, është dëshmi e atij realiteti. Porositë, mesazhet, që jepen përmes saj, jepen në formë të veçantë dhe ndryshojnë nga veprimtaritë e tjera. Kjo ka ndodhur me të gjithë krijuesit duke filluar nga antikiteti e deri në ditët e sotme. Kështu ka ndodhur me veprat e Homerit apo me tragjeditë e Eskilit, të Sofokliut, të Euripidit e të tjerëve. Në to janë shprehur mendime dhe ndjenja që i përkasin jo vetëm asaj kohe, por edhe sot ato lexohen me admirim. Pas kësaj, nga fundi i mesjetës, shkrimtari i madh italian Dante Aligieri, në veprën e tij me titull “Komedia hyjnore”, ka paraqitur alegorikisht shoqërinë italiane të kohës; Shekspiri, njëri nga dramaturgët më të mëdhenj anglezë e botërorë, në veprat e tij ka paraqitur kontradiktat e thella të shoqërirsë së kohës; Balzaku në “Komedinë njerëzore” në mënyrë të thellë dhe realiste ka paraqitur raportet shoqërore të shekulit XIX në Francë. Madhështia dhe gjithanshmëria e veprës së Balzakut është pohuar edhe nga Engelsi kur thoshte se e ka njohur shoqërinë frënge më mirë nga veprat e Balzakut sesa nga të gjithë historianët, ekonomistët apo sociologët e kohës. Se ç’rëndësi kanë veprat e letërsisë aristike e dëshmojnë edhe veprat e shkrimtarëve të mëdhenj shqiptarë siç janë veprat  Naimit, “Vargjet e lira” të Migjenit, të Ismail Kadaresë etj., që janë një dëshmi për shoqërinë shqiptare dhe që në vete ngërthejnë vlera të mirëfillta letrare artistike.
       Nga sa u tha më lart del se letërsia është arti më i popullarizuar dhe luan rol të rëndësishëm në aspektin edukativ dhe kulturor të popullit. Edhe kultura e një populli vlerësohet nga letërsia, kurse kultura e një njeriu sipas asaj se sa ai i njeh dhe i kupton veprat letrare. Nga këndej letërsia gjatë zhvillimit të saj historik pandërprerë ka luajtur rolin ndërmjetësues midis njerëzve dhe ideve të shkrimtarit; ajo ka luajtur rolin e edukatorit dhe të interpretit të natyrës nga e cila është rrethuar njeriu, sepse vepra letrare s’është gjë tjetër veç idesë së shkrimtarit mbi jetën dhe mbi dukuritë e ndryshme shoqërore. Letërsia luan rol të rëndësishëm  në jetën e njeriut, sepse kënaq një nevojë të veçantë të njeriut, karakteristike për të gjithë njerëzit: nevojën e përjetimit dhe të njohjes së botës me anë të shqisës së të vërejturit dhe të kuptimit të veprës letrare artistike. Përjetimi i tillë nxit një kënaqësi të veçantë , të cilën e quajmë kënaqësi estetike ose artistike, të cilën e studion shkenca filozofike e cila quhet estetikë.  Në vepër autori shpreh anët më të bukura dhe më fisnike të njeriut, ajo zhvillon ndjenjat humane dhe ndikon në kuptimin më të mirë midis njerëzve, duke u përpjekur për një jetë më të mirë e më të lumtur të tyre. Shkrimtari në veprat e tij shtron problemet e kohës së tij, të bashkëvendësve të tij, duke u bërë kështu interpret më i mirë i nevojave të shoqërisë dhe gjykatës i rreptë i mashtrimeve dhe i veseve të shoqërisë. Çështjet e lidhura me këtë problematikë i shqyrton sociologjia e artit, e cila studion bazën ekonomike të punës artistike dhe të jetës, origjinën dhe pozitën shoqërore të artistit, qëndrimet ideore të cilat shprehen në veprat e tij dhe në veprimtarinë dhe deklaratat e tij jashtëletrare. Por kur është fjala për pranimin e veprave letrare artistike nga publiku, mbi ndikimin shoqëror të artit si dhe për pranimin ose mohimin e veprave të veçanta artistike në kohët e mëvonshme, atëherë në vlerësimin e këtyre çështjeve, veç sociologjisë së artit merr pjesë edhe historia e estetikës, kurse për veprat letrare edhe historia e letërsisë.



LETËRSIA DHE GJUHA




Letërsia, si art i fjalës shërbehet me fjalët (gjuhën) me çka diferencohet nga artet e tjera. Për dallim nga artet e tjera vepra letrare realizohet përmes gjuhës dhe mund të ekzistojë vetëm në gjuhë. Çdo gjë që ekziston në veprën letrare jo vetëm që është realizuar me anë të gjuhës, por edhe njihet me anë të gjuhës. Fjalët, fjalitë dhe lidhjet midis tyre (fjalive) ndërtojnë strukturën gjuhësore, por edhe realitetin e veprës, dmth. botën e brendshme të saj (personazhet, peizazhet, enterierët, ngjarjet, ndjenjat dhe idetë). Botën e brendshme të veprës e përjetojmë si një lloj të botës reale vetëm përmes përbërjes gjuhësore të veprës. Personazhet e një romani, p.sh. ndërtohen me anë të gjuhës me të cilën përshkruhen, nga një varg fjalësh dhe fjalish me të cilat shkrimtari flet për to ose me të cilat ai flet vetë për veten. Dhe vetëm përmes fjalëve dhe fjalive ata nga vepra depërtojnë në vetëdijen tonë dhe marrin karakterin e qenieve të cilat ekzitojnë personalisht. Bota e një vjershe, edhe më shumë sesa personazhet e një romani, ekziston vetëm në gjuhën e vjershës, në fjalët e saj. Vjershën mund ta përjetojmë vetëm nëse i lexojmë fjalët e saj, edhe atë nëse i lexojmë vetëm si i ndeshim në vjershë. Nëse i ndryshojmë, nëse e ndryshojmë rendin e tyre, nëse i lexojmë duke ndryshuar ritmin e tyre, do të ndryshojë edhe kuptimi i tyre, por edhe i gjithë kuptimi i saj i brendshëm do të zbehet menjëherë, dhe ndoshta edhe do të zhduket plotësisht. Nga kjo, vjersha, vepra letrare në përgjithësi, jo vetëm që është e shtruar plotësisht në gjuhë, por edhe plotësisht varet nga organizimi i saj.
Sikundër që mermeri, bronxi, druri ose argjili janë matriale me të cilat ndërtohet dhe ekziston vepra skulpturore, ashtu edhe gjuha është material me të cilin materializohet arti poetik dhe realizohet vepra poetike. Andaj raporti midis gjuhës dhe veprës letrare janë shumë më të ndërlikuara dhe të komplikuara sesa raportet midis gurit dhe skulpturës, p.sh. Sartri njëherë i ka quajtur poetët “njerëz të cilët mohojnë ta përdorin gjuhën”. Dhe poetët vërtet shpesh nuk pranojnë ta përdorin gjuhën në të njëjtën formë në të cilën e përdorim në për çdo ditë. Ata nganjëherë dëshirojnë të krijojnë njëfarë gjuhe të veten, të veçantë, gjuhë pa shablone dhe trivialitet, gjuhë maksimalisht të pastër, gjuhë të lirë dhe të përkryer. Ky nuk është synim që nuk i karakterizon vetëm poetët modernë, por më shumë se katër mijë vjet poeti i vjetër egjiptian, Hahepere-Sub, nga koha e dinastisë XII, e filloi “Vajtimin” e tij duke shprehur të njëjtin synim: “Do të dëshiroja të flas me fjalë të panjohur, të shprehem me gjuhën e re, e cila ende s’ka lulëzuar, dhe të mos e përsëris të njëjtën gjë, të mos e shpreh atë që tashmë është vjetëruar, atë që tashmë të parët tanë e kanë thënë”.[1] Kjo në esencë është i njëjti synim të cilin mijëra vjet më vonë poetët dadaistë u përpoqën ta realizojnë në mënyrën më konsekuente. Meqë gjuha ka një fjalor dhe sintaksë të qëndrueshme, ajo bëhet instrument i të menduarit dhe të shprehurit. Ajo, pra, gjuha, na ndihmon të kontaktojmë me njerëzit e tjerë, t’ua komunikojmë mendimet tona dhe si përgjigje e tyre t’i njohim mendimet dhe preokupimet e tyre. Nga këndej gjuha zë vend të rëndësishëm në studimin e letërsisë. Vepra letrare, si realizim gjuhësor, paraqet një kompleks të tërë të dukurive lerare. Me një fjalë, letërsia është një grumbull veprash, prandaj është e pamundur që me rastin e shqyrtimit të letërsisë të mos përfshihet gjuha. Nuk mund të ndërtohet teoria e letërsisë e të mos zhgjidhet çështja e vendit dhe e rolit të gjuhës në shfaqjen letrare, sepse shkrimtari qëndimin e tij dhe disa vlera ua transmeton të tjerëve në realizimin gjuhësor. Bota që paraqitet në letërsi është një botë ireale, e cila ekziston në shpirtin e autorit dhe e cila në shpirtin tonë përjetohet si botë reale, por pa reagimin real praktik tonin në të. Fjalët e gjuhës letrare janë fjalë të bukura, të zgjedhura me kujdes. Andaj edhe gjuha e veprës letrare është e ndryshme nga gjuha e të folurit të zakonshëm. Ajo, pra, gjuha e veprës letrare ka karakter të figurshëm. Ajo shërbehet me figura (fjalë) që shpjegojnë ndonjë dukuri nga jeta dhe cila ka kuptim më të gjërë. Gjuha letrare shpesh merr edhe ngjyrim emocional dhe shpesh kushtëzohet edhe nga karakteri (natyra) i gjinive dhe i llojeve (zhanreve) letrare. Nga këndej del se ndryshe krijohet një vjershë e shkurtër lirike, ndryshe tregimi, novela, romani, drama etj. Prandaj, pa e kuptuar mirë karakterin (natyrën) e gjuhës, nuk mund ta kuptojmë as karakterin (natyrën) e letërsisë. Vepra letrare para së gjithash është krijim gjuhësor si çdo vepër e tjetër gjuhësore. Mendimet, idetë dhe porositë e autorit përcillen në mënyrë artistike përmes tekstit (lat. textus – thurje, gëshetim, lidhje fjalësh), i cili paraqet tërësinë e veprës letrare. Që ta kuptojmë më mirë një vepër letrare varet nga konteksti i saj (lat.contextus nga contexere – bashkëthurje, gërshetim), i cili paraqet fragmentin e kryer të tekstit të shkruar, i cili saktësisht përcakton kuptimin e fjalëve ose frazave të veçanta të përfshira në të, rrethanat në të cilat është krijuar ai. Gjuha e tekstit është një lëmi e veçantë e tekstit. Vepra letrare në kuptimin e ngushtë të fjalës i quajmë ato realizime që kanë rëndësi të madhe për kulturën e tërësishme dmth. ato janë realizime të tilla që përfshijnë përvojën e popujve, bile edhe të njerëzimit. Vlera letrare e teksit mbështetet në mundësitë krijuese të vetë gjuhës, e cila nuk është thjeshtë mjet marrëveshjeje, por në vete bart mundësinë e realizimit (krijimit) të një kuptimi krejt tjetër, të ri, gjegjësisht, formësimin e një bote krejt të re, të menduar. Se sa do të jetë e realizuar një vepër letrare në aspektin artistik, ç’vlera do të ngërthejë në vete, e gjithë kjo varet nga aftësitë kreative të përdorimit të gjuhës artistike gjatë procesit krijues të secilit autor që merret me krijimtari shpirtërore. Vetë vepra letrare e shkruar (modeluar) paraqet një botë më vete, një realitet të ri. Nga kjo edhe gjuha e letërsisë artistike është një lloj i veçantë i ligjërimit. Gjuha e veprës artistike shquhet për funksionin e saj estetik, pra, te lexuesi ajo duhet të ndikojë estetikisht dhe të ngjallë ndjenjën e së bukurës, si synim kryesor i gjuhës. Pasuria gjuhësore, si tipar kryesor i veprës letrare, përfshin në vete fjalët dhe kuptimet e tyre, shprehjet dhe figurat e ndërtimit sintaksor, tipat e ligjërimit, stilet dhe gjithë trashëgiminë e krijimtarisë folklorike të taditës letrare. Gjuha e veprës letrare duhet të jetë gjuhë shprehëse (ekspresive) dhe emocionale. Ajo duhet të jetë gjuhë e figurshme. Ajo duhet të ketë karakter fytyrëzues, duke paraqitur pamje dhe dukuri, veprime etj., të cilat në përfytyrimin tonë duhet të dalin si pamje të gjalla. Pra, shkrimtarët e përdorin gjuhën në të gjitha aspektet duke filluar nga tingujt e deri te organizimi i saj kryesor, tipat e ligjërimit dhe stileve. Nga kjo vepra artistike nuk është vetëm si krijim artistik, por edhe si krijim gjuhësor.
Jo të gjitha veprat i përkasin letërsisë. Shumë vepra të tjera i përkasin shkencës, filozofisë, historisë apo fushave të tjera të aktivitetit njerëzor. Letërsia si fushë e krijimtarisë njerëzore dallon nga shkencat e tjera në shumë pikëpamje. Do të thotë se ekzistojnë dallime midis procesit krijues në letërsi dhe atij hulumtues. Letërsia dhe shkenca dallojnë midis tyre edhe për nga mënyra e përpunimit të objektit që kanë në shqyrtim. Shkenca e përpunon lëndën e vet me anë të koncepteve (nocioneve), jep të dhëna dhe i konstaton faktet, duke ndikuar kështu në njohjen dhe arsyen e njeriut. Në shkencë kemi hulumtimin, metodat hulumtuese dhe zbulimin, qëllim kryesor dhe i fundit i shkencës. Vetë nocioni letërsi artistike tregon dallimin midis veprave shkencore dhe atyre letrare në kuptimin e ngushtë të fjalës. Shkenca si dije mbi metodat dhe hulumtimet e argumentuara, kurse letërsia mbështetet mbi imagjinatën, invencionin, kreacionin. Ajo që i dallon veprat letrare dhe ato shkencore është gjuha specifike e njërës dhe e tjetrës. Vepra letrare, për dallim nga ajo shkencore, lëndën e saj e paraqet me figura, në lëvizje të vazhdueshme që shkakton iluzionin mbi jetën e cila zhvillohet para lexuesve dhe ata me tërë qenien e tyre marrin pjesë në të, me shpirtin dhe ndjenjat, ajo shkakton emocione, shqetësime dhe përcaktim aktiv ndaj ngjarjeve dhe synimeve të personazheve në vepër. Këtu qëndon epërsia e letërsisë mbi shkencën, në ndikimin e saj të dyfishtë mbi njeriun – në atë njohës dhe emcional, sepse letërsia paraqet jetën, përpjekjet, vuajtjet dhe luftën e pandërprerë të popullit për të drejtat e tij, ajo e njeh lexuesin me të kaluarën, zakonet e mënyrën e jetës, me njerëzit dhe karakteret, me format e luftës dhe fazat nëpër të cilat ka kaluar populli. Lexuesi nuk mund të qëndrojë indiferent ndaj asaj që ndodh në vepër sikuse ndaj konstatimeve shkencore, por reagon aktivisht ndaj ngjarjeve dhe njerëzve të cilët i paraqet shkrimtari. Derisa qëllimi i letërsisë është krijimi i veprës letrare që është në funksion të së vërtetës, vepra shkencore synon të vërtetën shkencore. Veprat letrare artistike, për dallim nga shkenca apo filozofia që synojnë të krijojnë një pamje të sistemuar të njëmendësisë, nuk përmbajnë vetëm njohuri specifike të njëmendësisë, por e modelojnë dhe e formësojnë këtë njëmendësi.
Veprat letrare shprehin edhe qëndrimin e tyre specifik kreativ ndaj së ardhmes, andaj ato jetojnë gjatë dhe nuk vjetërohen ashtu siç vjetërohen veprat e mëdha shkencore. Këtë e dëshmojnë edhe veprat e letërsisë antike siç janë “Iliada” dhe “Odisea”.
Veprat shkencore shquhen për racionalitetin e tyre, ato i drejtohen intelektit, arsyes, kurse veprat letrare u drejtohen ndjenjave njerëzore. Ato dallojnë edhe për nga ligjërimi. Në letërsi kemi ligjërimin artistik, kurse në shkencë kemi shkrimin joartistik. Kënaqësinë që ndjejmë kur lexojmë një vepër letrare, nuk e ndjejmë në veprat shkencore. Veprat letrare i shquan emocionaliteti, të cilin nuk e ndeshim në veprat e fushave të tjera shkencore. Gjuha e artit është gjuhë simbolike, gjuhë emocionuese; gjuha e shkencës është gjuhë precize dhe joemocionuese; gjuha e letërsisë është gjuhë e figurshme, kurse gjuha shkencore është gjuhë e argumentuar dhe precize; gjuha e shkencës shpreh një mendim objektiv, kurse gjuha e letërsisë ka kuptim figurativ dhe fjalët marrin ngjyrime kuptimore, ajo është e gjallë, e pasur dhe e larmishme etj.           


[1] Leonard Woolley, “Počeci civilizacije”, “Historija čovječanstva”, svezak prvi, II, “Naprijed”, Zagreb, 1966, str. 567

LETËRSIA DHE ARTET E TJERA




            Raportet midis degëve të ndryshme të artit gjatë zhvillimit të tyre historik gjithnjë kanë ndryshuar. Letërsia, si veprimtari krijuese, me anë të së cilës krijohet (formësohet) vepra letrare si burim kënaqësie dhe e njohjes së veçantë, që në kohët e lashta është lidhur me disa arte si, me muzikën, pikturën etj. Midis këtyre arteve ekzistojnë raporte marrëse dhe dhënëse. Ajo që e dallon letërsinë nga këto arte është gjuha të cilën artet e tjera s’e kanë. Ajo që e dallon letërsinë nga këto arte është përjetimi estetik dhe përshtypja artistike, veprimtari përmes të cilave njeriu realizon aftësitë krijuese. Ndikimet e ndërsjella midis arteve i shohim që në lashtësi. Kështu, p.sh. në lashtësi muzika e shoqëronte lirikën, kurse me rastin e recitimit, përcillej me muzikë edhe kënga epike; edhe disa vepra muzikore nuk janë krejt të pavarura nga teksti gjuhësor letrar (opera etj.). Po kështu raportet e letërsisë me artet e tjera shihen edhe në aspektin e trajtimit të një objekti. Kjo ndodh kur një vepër pikturale ose muzikore mund të jetë objekt frymëzimi i një vepre letrare. Ky raport midis letërsisë dhe muzikës ose pikturës shihet edhe në disa periudha të zhvillimit të letërsisë në përgjithësi e të poezisë në veçanti. Kjo vërehet më së miri në poezinë e simbolistëve, të cilët kujdes të veçantë i kanë kushtuar elementit muzikor në poezinë e tyre. Insistimi i simbolostëve në elementet dhe efektet muzikore në poezi qenësisht e ka ndryshuar vetë natyrën e poezisë, e cila, duke u shërbyer me fjalët, muzikën dhe ngjyrat, dëshiron të jetë e afërt me të gjith shqisat. Ndenja e unitetit dhe lidhjet e ngushta midis arteve i kanë ndriçuar shumë poetikat dhe teoritë e shumë epokave në zhvillimin e arteve. Megjithatë, fjala, gjuha, mbeten fusha kryesore e letërsië.

LETËRSIA, ART I FJALËS


Kur flasim për letërsinë si art, para nesh shtrohen disa pyetje që kërkojnë përgjigje, si, ç’është letërsia, cilit lloj të artit i përket ajo, ç’vend zë ajo në mesin e arteve të tjera dhe ç’raport ka ajo me shkencën etj. Të gjitha artet në përgjithësi, kanë për objekt njeriun, jetën e tij. Për t’i shprehur pikëpamjet e ndryshme mbi jetën dhe botën artet përdorin mjete dhe forma të ndryshme, të veçanta. Edhe letërsia, si krijimtari shpirtërore, është një nga veprimtaritë e lashta njerëzore përmes së cilës njeriu ka shprehur përvojën e tij gjatë kohës duke ndikuar me këtë rast mbi ndjenjat e njerëzve të tjerë. Nga kjo, letërsia si art i fjalës, dmth. si art që shërbehet me fjalën (gjuhën), dallon nga artet e tjera.
            Termi “letërsi” në gjuhën shqipe përdoret në kuptime të ndryshme. Në teorinë e letërsisë me këtë term kuptojmë një lloj të veçantë të artit – letërsinë artistike dhe veprat e shkruara në këtë lloj të artit dmth. letërsinë si art i fjalës.
            Termi letërsi vjen nga fjala latine “litteratura”, “littera”, term me të cilin shërbehemi edhe ne, e përdorin thuajse të gjitha gjuhët evropiane për emërtimin “letërsi”, që do të thotë shkronjë, shkrim, pra, me të është kuptuar çdo gjë që është shkruar në libra. Por, çdo gjë që është shkruar në libra dhe shkruhet, nuk mund të quhet letërsi. Krahas letërsisë së shkruar ekziston edhe letërsia popullore, e cila është krijuar nga populli dhe është përhapur gojë pas goje në kohën kur nuk ekzistonte shkrimi. Kjo e fundit ndryshon nga ajo e shkruara dhe është më e vjetër se ajo e shkruara. Letërsinë gojore e kanë krijuar këngëtarët e talentuar popullorë, ndërsa atë të shkruarën e krijuan njerëzit e shkolluar. Pra, ajo është krijuar nga krijues anonimë, kurse letërsia e shkruar nga shkrimtarë të njohur. Letësia popullore përfshin në vete krijimet dhe prodhimet materiale dhe shpirtërore të popullit. Në krijimet popullore gjejmë fuqinë krijuese të gjeniut popullor, i cili ka kënduar për atë që ka ditur, për atë që ka parë, për atë që ka ndier dhe për atë që është e njohur nga masat e gjëra popullore. Mësuesi i këngëtarit popullor ka qenë vetë jeta dhe problemet jetësore me të cilat është ballafaquar vetë populli. Në krijimet popullore, poezi, tregime etj., sepse kjo nuk ka romane dhe drama siç i ka letërsia e shkruar, e cila përkundrazi nuk ka ninulla, këngë rituale, mitologjike etj., është shfaqur dashuria e popullit për një jetë më të mirë e më të lumtur dhe dëshira për të ngadhnjyer mbi forcat e natyrës dhe të shoqërisë. Meqë letërsia gojore është kultura shpirtërore më e vjetër e popullit, ajo bëhet bazë dhe pikënisje e letërsisë artistike. Shumë shkrimtarë, duke filluar që nga antikiteti e këndej, krijimet e tyre i kanë mbështetur në folklor, do të thotë se letërsia gojore ka ushtruar një ndikim të madh në letërsinë artistike. Ndikim të tillë kanë pësuar edhe shkrimtarët më të mëdhenj botërorë, si: Dikensi, Shekspiri, Gogoli, Pushkini, Balzaku , Bokaço, Servantesi, Rable, Gëte, Tolstoj etj. Edhe shkrimtarët shqiptarë, sidomos romantikët, krijimtarinë e tyre e kanë mbështetur në folklor. Kështu ka vepruar De Rada, Gavril Dara i Riu, Çajupi, Mjeda dhe krijuesit e mëvonshëm, si, Ismail Kadare, Rexhep Qosja, Mark Krasniqi, Anton Çeta, Rexhep Hoxha, Rifat Kukaj e tj. Kjo dëshmon për pasurinë e madhe të motiveve dhe të temave që ka krijuar populli.
            Jo të gjitha veprat i përkasin letërsisë , por ato u takojnë edhe fushave të tjera të dijes siç janë filozofia, historia, sociologjia etj. Kështu me fjalën literaturë sot shënojmë më shpesh atë që është shkruar mbi ndonjë objekt dmth. grumbull veprash që kanë të bëjnë me ndonjë fushë të dijes. Emërtimi letërsi artistike shënon dallimin midis veprave shkencore dhe veprave letrare në kuptimin e ngushtë të fjalës. Ndërkaq emërtimi letërsi e bukur është më pak i përshtatshëm për ta mbuluar tërë letërsinë, por vetëm një anë të saj. Kështu termi belertristikë (fr. belles lettres), shënon vetëm një pjesë të letërsisë (novelat dhe romanet) dhe jo letërsinë artistike në tërësi.   












RAPORTET MIDIS ARTEVE


RAPORTET MIDIS ARTEVE

Është vështirë të jepet një definicion (përkufizim) mbi artin, si dhe kur ka lindur akëcili art. Megjithatë, fillimi apo lindja e akëcilit art mund të kërkohet në kohën kur njeriu filloi t’i vështrojë gjërat dhe dukuritë që ndodhnin rreth tij dhe kur filloi ta shprehte atë që kishte dëgjuar, atë që kishte parë dhe atë që kishte ndjerë. Kështu, p.sh. njeriu parahistorik, njeriu i shpellës, vizatonte në pllakat dhe muret e shpellës gjërat (sendet) dhe kafshët të cilat e kanë tërhequr vëmendjen dhe kureshtjen e tij; ai vizatonte peshqit dhe egërsirat, sepse me të parët ushqehej, kurse nga të dytët frikësohej; ecte dhe kërcente ritmikisht, sepse i ndjenjte lëvizjet në natyrë dhe i dëgjonte zërat (tingujt) e shpendëve dhe kafshëve. Objekt i meditimeve dhe i ndiesive të tij ishte e gjithë natyra me dukuritë e saj: bubullima dhe vërshimet, tërmetet dhe zjarret, të ngrohtit dhe të ftohtit etj. Në lidhje me këto dukuri njeriu e shprehte botën e tij të brendshme dhe ndjenjat e tij i shprehte përmes formave të ndryshme, si, ritmit, vizatimit dhe më vonë edhe të fjalëve. Supozohet se nga reagimet e tilla të njeriut janë zhvilluar degët e ndryshme të artit, të cilat janë bërë objekt i kulturës shpirtërore të njeriut.
Fjala art vjen nga fjala latine ars, artis, që ka kuptimin e mjeshtërisë, aftësisë, shkathtësisë për të krijuar diçka. Ky është kuptimi më i ngushtë i fjalës art. Por arti përfshin një fushë më të gjërë të krijimtarisë njerëzore. Në lashtësi ai kishte karakter sinkretik (gr. synkrētimōs – bashkim) dhe në vete përfshinte: këngët, lojrat, ritet e ndryshme religjioze (fetare). Pra, në kuadër të tij përfshiheshin: poezia, muzika, vallja. Përmes lojës, valles dhe vizatimit njeriu i parë paraqiste fenomenet e ndryshme që i përjetonte shpirtërisht. Po përmes këtyre formave (lojës, valles, vizatimit), në procesin e punës, lindi edhe arti si një formë e botës shpirtërore të njeriut. Por, njeriu i parë, i paraqiste dukuritë e ndryshme pa e kuptuar atë që shihte dhe dëgjonte. Në aktivitetin e tij praktik dhe shpirtëror lindën dhe u krijuan llojet e ndryshme të artit.
Në lidhje me llojet e arteve janë shprehur mendime të ndryshme. Kështu, p.sh. që në antikitet shkrimtari i njohur grek Plutarku (Plutarchos) në lidhje me poezinë dhe pikturën shpreh mendimin se poezia është pikturë e cila flet, kurse piktura poezi pa fjalw; Përpjekje për klasifikimin e arteve janë bërë që në lashtësi. Kështu, sipas sofistëve, artet mund të ndahen në ato që krijohen për shkak të kënaqësisë së pastër dhe në ato të cilat krijohen për shkak të ndonjë dobie. Platoni është pëpjekur t’i klasifikojë artet në disa mënyrë. Sipas tij ekzistojnë arte të cilat lidhen me realitetin (gjuetia), të cilat krijojnë realitet (arkitektura) dhe arte të cilat e imitojnë realitetin (piktura dhe poezia). Piktura imiton me anë të ngjyrërave, loja me anë të lëvizjeve ritmike, muzika dhe poezia me anë të toneve dhe të fjalëve. Duke iu përmbajtur këtij parimi, Aristoteli përpunon tipologjinë e gjinive letrare; ato midis tyre dallojnë për nga mjetet të cilat i imitojnë, për nga objektet të cilat i imitojnë dhe për nga mënyra në të cilën imitojnë. P.sh. tragjedia, komedia dhe poezia epike kanë për objekt imitimin e veprimit njerëzor, por në dy të parat ndodh vetëm veprimi, ndërsa në ep, ai, kryesisht përshkruhet. Me ndarjen e arteve, ripunimin dhe sistemimin e tyre janë marrë edhe shumë autorë të tjerë, si, Ciceroni (Markus Tulius Cicero), gojëtar romak, filozofi grek Plotini (Plotinus), kurse gojëtari kartagjenas, Marcianus Kapela (Capella) në fillim të shekullit V, thekson shtatë shkathtësi të lira, të cilat do të vlejnë gjatë tërë mesjetës. Në mesin e këtyre shkathtësive ai përmend: gramatikën, retorikën, dialektikën, gjeometrinë, arithmetikën, muzikën dhe astronominë. Katër shkathtësitë e para janë përfshirë me emrin e njëjtë quadrivium, kurse tri të tjerat janë quajtur trivium, duke krijuar kështu ciklin e parë të studimeve letrare. Atë që sot e quajmë teori e letërsisë , në mesjetë është quajtur shkathësi e gojëtarisë. Deri në fillim të renesansës mbretëronte mendimi, i trashëguar nga mesjeta, se muzika dhe poezia janë arte të lira dhe se qëndrojnë me “lart” se piktura, e cila konsiderohej si lloj “më i ulët” i aktivitetit njerëzor. Kundër këtij vlerësimi çohet Leonardo da Vinçi duke i dhënë përparësi pikturës dhe thekson se ajo qëndron më lart se poezia në paraqitjen e formës, se ajo i shërben syrit, e cila është shqisa më e rëndësishme nga shqisa e të dëgjuarit, se i nxit ndjenjat më shpejt se poezia dhe se ajo, veç tjerash, kërkon përpjekjen dhe shkathtësinë e artistit. Merita e madhe e renesansës qëndron në atë se artet plastike i ndau nga mjeshtëritë, i bëri shkathësi të lira, të cilat lindin ide dhe i ngriti në shkallën e shkencës. Por, Leonardo da Vinçi e ngriti piktorin mbi shkencëtarin dhe poetin vetëm nëse vepra e tij është unike dhe e veçantë. Sipas tij, piktura është poezi e nemitur, kurse poezia është pikturë e verbër. Poezia është shkencë e cila në shkallën më të lartë ndikon te të verbërit, kurse piktura te të shurdhërit ( po aty, f. 50). Piktura ia kalon muzikës, ajo është mbi të, sepse nuk vdes menjëherë pas lindjes, siç ndodh rasti me muzikën e mjerë (po aty, f.52)... sepse poeti, duke përshkruar bukurinë dhe shëmtinë e ndonjë trupi, ta tregon atë pjesë-pjesë dhe në kohë të ndryshme, kurse piktori ta tregon të tërë dhe përnjëherë (po aty, f. 52). Në mesin e studiuesve të artit është edhe Lesingu (Gothold Lessinga), i cili në veprën e tij Laokoon (Kultura, Beograd, 1954)) i përcakton kufijtë e qartë dhe të fortë midis arteve, duke pohuar se artet e ndryshme dallojnë midis tyre nga mjetet e ndryshme të shprehjes. Lesingu konkludon se poezia është art më i gjërë dhe gjithëpërfshirës, arti piktural është më sipëror në paraqitjen e natyrës dhe të bukurisë trupore, por poeti është i vetmi në gjendje t’i përshkruajë ndikimet e asaj bukurie te njerëzit dhe në gjendjet e ndryshme emocionale të tyre. Thelbi i vështrimeve të Lesingut nuk qëndron vetëm në atë se piktura dhe poezia imitojnë natyrën në mënyra të ndryshme (piktura me trupat, kurse poezia me veprime) dhe se shërbehen me materiale të ndryshme, por para së gjithash, në pohimin e tij se mjetet e imitimit gjenden në lidhje të ngushtë me atë që shprehin, që shenja duhet të jetë në harmoni me atë që shënon. Në këtë mënyrë, artet ndahen në dy grupe krejt të veçanta, në arte hapësinore dhe në arte kohore. Në artet hapësinore do të mund të pëfshiheshin: piktura, skulptura dhe arkitektura, kurse në artet kohore: muzika, poezia, aktrimi. Të gjitha këto arte dallojnë midis tyre për nga mënyra dhe mjetet shprehëse. Kështu, muzika si mjet artistik përdor tingujt, piktura – pëlhurën, letrën, brushën, ngjyrat; skulptura – drurin, baltën, gurin, metalin, mermerin etj.; arkitektura – materialin ndërtimor; loja ose vallja – lëvizjet ritmike; letërsia – fjalën dhe të folurit. Si art i veçantë (art i shtatë) përmendet edhe filmi, i cili si mjet artistik përdor – figurat e gjalla lëvizëse. Filmi është një art ku sintetizohen të gjitha artet e tjera. Përveç filmit, kemi edhe artin teatror me të cilin ka ngjashmëri, sepse edhe filmi edhe teatri i paraqesin dukuritë jetësore në formë të shfaqjeve dramatike. Por edhe filmi edhe teatri dallojnë midis tyre. Kështu, p.sh. personazhet (aktorët) në teatër gjithnjë flasin, kurse personazhet në film flasin vetëm atëherë kur këtë e kërkon figura filmike që të thuan diçka (Andre Marlo). Nga këto dallime kryesore dalin edhe veçori të tjera të filmit dhe të teatrit. Këto dallime janë: në teatër fjala është kryesore; ajo që shihet në skenë është më pak e rëndësishme nga ajo që dëgjohet; në film ndodh e kundërta: më e rëndësishme është figura, kurse fjala dhe zëri kanë rol dytësor. Nga kjo vepra teatrore mund të shfaqet në skenë dhe radio, kurse vepra filmike në kinema dhe në televizor dmth. aty ku mund të shihet edhe figura etj.

Në mbështetje të këtyre elementeve vërejmë se objekt i të gjitha arteve është jeta njerëzore, vetë njeriu dhe se ato dallojnë mes tyre, në mënyrën e trajtimit të këtij objekti, nga mjetet shprehëse përmes të cilave realizohet ideja e një vepre letrare. Me anë të artit njeriu krijon vepra artistike në të cilat paraqitet përvoja jetësore e tij dhe e botës që e rrethon, duke krijuar kështu një realitet të ri, duke u dhënë dukurive jetësore kuptim njerëzor, duke hapur horizonte të reja të kuptimit të jetës dhe të botës, pa të cilin s’do të kishte kuptim jeta njerëzore. Andaj thuhet se jeta (e individit) është e shkurtër, kurse dija dhe arti janë jetëgjatë – ars longa, vita brevis.

Ndikimi i artit tek të sëmurët



Bukuria e artit dhe muzikës kënaq jo vetëm syrin dhe shpirtin, por ndikon pozitivisht edhe për shëndetin. Sipas një studimi bukuria “shëron”. Nëse në spitale ndodhen ambiente të këndshme dhe i kushtohet vëmendje pacientit, atëherë shërimi i tij do të jetë më i shpejtë dhe pacienti do të ndjehet më mirë.

Arti bën mirë për mendjen por edhe për fizikun. Studimi është realizuar me 192 pacientë të cilët janë pyetur nëse kanë qenë adhurues të pikturës, muzikës, apo teatrit.
Këto pyetje janë realizuar për të parë jetën e tyre, para dhe pas incidentit.

Rezultatet kanë qartësuar se adhuruesit e artit gëzonin shëndet më të mirë, ishin më shumë energjik dhe hasnin më pak vështirësi për të shërim sa më të shpejtë.

Për më tepër, ata ndjeheshin më të qetë, më pak depresiv, dhe kishin një kujtesë më të pasur dhe komunikonin më mirë në krahasim me personat që nuk ishin të interesuar për artin.

Gjithashtu, edhe dekorimi i ambienteve spitalore, vendosja e televizioneve, DVD për pacientët janë të gjithë elementë, që sipas studimit mund të kontribuojnë për përmirësimin e shëndetit të pacientëve të shtruar.

2012-07-06

Halil Haxhosaj: Liria në poezinë e sotme shqipe

Fjala poetike e shkrimtarit të mirënjohur Halil Haxhosaj shihet si një ‘identitet’ në radhë të parë i vlerave më të spikatura të zonës nga buron tingulli magjepës ... Poezia e tij e fuqizuar nga diskursi i përshkrimit natyrshëm luan një rol të madh në lëmin e pasur e të bukur të krijimtarisë poetike shqiptare. Duke parë këto vlera që mbart poezia e tij në një fushë të gjerë të këtij diskursi, natyrshëm meriton të thuhet se poezia e Haxhosajt duhet konsideruar si një normë e duhur e përfshirjes në pasurinë krijuese Kombëtare shqiptare. Poezia e Haxhosajt na dëshmon aspektin jetik që mbetet i tillë për gjithë jetën. Jetëgjatësia e saj e piketuar me formatin e njohur dhe me njhourinë e autorit na bën të përllogarisim atë si një poezi me vlera të arritura bashkëkohore.






NGA FLORI BRUQI




Halil Haxhosaj ka lindur me 16 .11.1946 ne nje familje te madhe ne Preklukaj te Vokshit.


Eshte autori dhjeta librave  me proze dhe poezi.Libri i tij i pare është "Damare te Ringjallur"1994 i cili është botuar nga Klubi Letrar "Gjon Nikolle Kazazi" te Gjakoves.


Ne "Kafaze me Pantera" do te titullohet libri i tij i dyte i botuar nga Rilindja e asaj kohe.Ne librine tij te trete qe është shkruar ne forme sonete e qe titullohet "Zera te Grisur" Haxhosaj iu shkruan figurave te ndritshme te kombit dhe te berave te tyre.Gjate viteve 2004 autori arrin qe te botohet për here te pare edhe ne gjuhen rumune.





Krijuesi  prof.Halil Haxhosaj gjate ketyre viteve arrin kulminacionin duke na befasuar edhe njehere me librin e tij te rradhes "Pastaj behu Relikt" botimin e se ciles e bene SHB "Rozafa" e Prishtines.


Libri "Pakohesia"  është botuar ne forme proze nga SHB "Gjon Buzuku" Prishtine 2005.

Krahas shkrimeve Halil Haxhosaj punon edhe si profesor i gjuhes shqipe ne shkollen e mesme te mjekesise "Hysni Zajmi" ne Gjakove gjersa ne opinion njihet si njeri nder te paret qe ringjalli klubin letrar "Gjon Nikolle Kazazi" te Gjakoves.


Eshte fitues i disa çmimeve Nacionale për leteresi.



Me shkrime letrare ka filluar të merret që kur ishte nxënës i shkollës fillore. Me shkrimet e veta është fitues i disa shpërblimeve letrare. 

Në vitin 2006 ka fituar çmimin e tretë për kritikë letrare në konkursin e shpallur nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë dhe gazeta “Drita” në 75 vjetorin e lindjes së Dritëro Agollit, ndërsa sivjet, më 02-05 prill 2009, në Takimet “Muza poetike Pegasi” mbajtur në Gjirokastër ka fituar shpërblimin e dytë për poezi, shpërblim special për kritikë letrare dhe mirënjohje speciale nga Shoqata e shkrimtarëve të Greqisë.


 Po ashtu poezia e tij është e përkthyer në rumanisht, gjermanisht, anglisht, italisht, polonisht, serbisht si dhe në disa gjuhë të tjera.



Poezia e Halil Haxhosaj është e përfshirë në disa antologji të njohura, qoftë në gjuhën shqipe, por edhe polonishte, rumanishte, etj.


Halil Haxhosaj shkruan poezi për të rritur dhe për fëmijë, prozë, kritikë letrare, shkrime për teatër, romane, drama, skenar për film e televizion dhe shkrime publicistike. Deri tash ka botuar këto vepra:
1. “Damarë të ringjallur”, poezi, botoi Klubi letrar “Gjon N. Kazazi”, Gjakovë, 1992,
2. “Në kafaz me pantera”, poezi, Shtëpia Botuese “Rilindja”, Prishtinë, 1993.
3. “Këngë të ngrira”, poezi, botoi revista letrare “Jeta e re”, Prishtinë, 1996.
4. “Zëra të grisur”, poezi, Shtëpia Botuese “Rilindja”, Prishtinë, 1998.
5. “Hija e orëligës”, poezi, Shtëpia Botuese “Rilindja”, Prishtinë, 2000,
6. “Pastaj bëhu relikt”, poezi, Shtëpia Botuese “Rozafa”, Prishtinë, 2003,
7. “Umbra viselor – Hija e ëndrrave”, Bukuresht, 2004
8. “Pakohësi”, tregime, Shtëpia Botuese “Buzuku”, Prishtinë, 2005.
9. “Përimtime letrare”, kritika, botoi Klubi letrar “Gjon N. Kazazi”, Gjakovë, 2006
10. “Fjalë e plagë”, poezi, botoi Klubi letrar “Gjon N. Kazazi”, Gjakovë, 2007.
11. “Histori në natën e vranët”, roman, botoi “Ombra GVG”, Tiranë, 2008.
12. “ Puhizë zemre”, haiku, botoi “ Egnatia”, Elbasan, 2009,
13. “Përkushtime”, poezi për Din Mehmetin, botoi KL “Gjon N. Kazazi”, Gjakovë, 2009
14. “Proza romanore e Petrit Palushit, kritika, botoi OMBRA GVG, Tiranë, 2010,
15. “Puhizë shpirti”, haiku, botoi Ndërmarrja shërbyese “Jeta e re”, Prishtinë, 2010.
Etj.




Në fakt kur flasim për poezinë e Haxhosajt, nuk duhet të lëmë mënjanë formën e saj përshkruese që krijohet në mënyrë perfekte. Një formë që krijohet nga vetë diskursi poetik dhe poezia si art i fjalës. Në thelb këtu është një lidhje por edhe një element i diskursit përshkrues mes aspekteve jetike. Diskursi dhe poezia që lidhet me aspektet jetike, duket se i përkasin dy botëve autonome, por në fakt mesazhet respektive të tyre janë në "substancë" një iluzion i krijuar me anë të tyre (Hale, 2001:480). Kështu studimi i Chatman duke ardhur në ndihmë në këtë rast na jep mundësinë të kuptojmë se kemi të bëjmë me një element të ‘diskursit përshkrues’. (Chatman, 1978:59). Sipas Seymour Chatman (Callen) ky diskurs në një poezi të tillë është një strukturë që përfaqëson "atë" si një poezi më vete, tipike e të veçantë që vjen me anë të gjuhës ‘karakteristike’, pra që është e strukturuar nga fjala e përzgjedhur dhe nga efekti i konvertimit të gjuhës në diskurs, dhe kur të tjerët elementë poetikë shërbejnë ekskluzivisht për "paraqitjen e fenomeneve që kanë ndodhur”. 


Më 10 maj 2012, në mesditë, në sallën e bibliotekës së qytetit në Gjakovë, në praninë e një numri të madh të dashamirëve të fjalës së shkruar, në mesin e të cilëve kishte edhe mysafirë nga klubet letrare të Pejës, Gjilanit, Therandës e nga vende të tjera, u bë përurimi i Monografisë së klubit letrar “Gj.N. Kazazi” nga Gjakova.
“Është ky klubi që e themeloi manifestimin më të rëndësishëm poetik kombëtar, Mitingun e Poezisë, por edhe që e jetësoi dhe e afirmoi atë tash e 48 vjet, duke e bërë kështu, në një mënyrë, edhe si ëmblemë të qytetit të poezisë, Gjakovës” u tha, mes tjerash, në këtë përurim.



“Autori është munduar që në këtë monografi, në një vend, të pasqyrojë veprimtarinë e pasur 50 vjeçare të klubit, gjë që nuk ka qenë aspak e lehtë, prandaj Haxhosaj meriton përgëzime”, ka thënë Muharrem Kurti, kryetar aktual i Klubit Letrar “GJ. N. Kazazi” në Gjakovë.
Autorin, prof. Halili Haxhosaj, e përgëzoi edhe Anton Shala, drejtor komunal i kulturës, duke thënë se kjo monografi paraqet një histori jo vetëm të këtij klubi por edhe të kulturës së kësaj treve e më gjerë, ndërsa vetë klubi mund të shërbej si shembull i mirë se si kolektivisht mund të punohet në mënyrë të suksesshme.
Poeti i njohur Agim Gjakova tha se me këtë monografi është bërë një punë shumë e mirë, pasi nuk është lejuar që shumë nga aktivitetet e këtij klubi të kalojnë në harresë.
“Kjo monografi dëshmon për një begati të aktivitetit të këtij klubi, por edhe të popullatës së kësaj treve. Në këtë libër, në mënyrë shumë besnike prezantohet jo vetëm aktiviteti i këtij klubi i cili ka dhënë shumë emra të njohur të poezisë shqipe, por i përshkruan edhe peripecitë dhe vështirësitë me të cilat është ballafaquar ky klub dhe anëtarët e tij”, ka thënë poeti Agim Gjakova.



Agim Gjakova, ka thënë ndër të tjera se “kjo vepër përbën një material të rëndësishëm historik për zhvillimin e kulturës në Gjakovë e më gjerë, veçanërisht asaj letrare”. “Tregon për frymën kombëtare, përmbajtjesore e demokratike. Ngacmon ndërgjegjen e lexuesit jo thjesht si njohje, por si trysni për vetëdije qytetare”.
Kurse, poeti, shkrimtari, prof. Muharrem Kurti, i cili prej disa vjetësh udhëheq klubin e letrarëve të Gjakovës,tha se kjo monografi e përmbledhur nga Haxhosaj “u bën nder edhe të gjithë atyre që për 50 vjet me radhë kanë defiluar dhe bashkëjetuar me klubin dhe mitingun e poezisë”.
Autorin e monografisë, Halil Haxhosaj, e përgëzuan, ndërsa vlerësime shumë pozitive për këtë monografi dhanë edhe Tahir Bezhani, Skënder Hoxha, Muhamet Rogova, Sabit Rrustemi, Gani Muhaxhiri, Kamber Kamberi, Sulejman Lokaj etj.



“Mitingu i Poezisë në Gjakovë, të cilin e ka themeluar ky klub, lirisht mund të thuhet se është ndër manifestimet e para ku filloi të jetësohet konkretisht ideja e bashkimit kombëtar, pasi aty merrnin pjesë poet nga të gjitha trojet kombëtare. Prandaj këtij libri vetëm sa i shtohet vlera kulturore”, është shprehur Mr. Muhamet Rogova.
Më në fund, Halil Haxhosaj, autor i kësaj monografie, tha se për këtë libër ka punuar gati një gjysmë shekulli.
“Me plotë sinqeritet e them se për këtë monografi kam punuan thuaja 50 vjet, prej kohës kur në Normalen e Gjakovës, kam qenë nxënës i poetit tonë të madh, Din Mehmetit”, ka thënë Haxhosaj.
Vetë autori, Haxhosaj, ka thënë se për të përmbledhur këtë monografi i është dashur mund e sakrificë. “Jam shumë i lumtur që kam pasur mundësi të jem pjesë e këtij klubi, pjesë e të gjitha mitingjeve të poezisë dhe tash që kam mundësi të shkruaj për të gjitha ecejaket gjatë këtyre viteve”, ka thënë ndër të tjera Halil Haxhosaj.
no preview

Halil Haxhosaj: Liria në poezinë e sotme shqipe

Nuk ka poet që nuk ka shkruar ndonjë varg për lirinë. Disa prej tyre kanë shkruar poezi, himne, ditirambe, poema, madje edhe vepra të tëra kushtuar lirisë.

Liria në poezi tonë, sidomos në atë të sotmen kalon nëpër disa rrathë, depërton nëpër disa sfera, apo, pse jo, edhe kapërcen nëpër disa kapërcalle kohore të gjysmës së fundit të shekullit të kaluar dhe deri sot.

Andaj vetvetiu lindin pyetjet:
A ka pasur liri nga poetët për ta shkruar poezinë?

A ka pasur dhe a ka gjithashtu liri në poezinë e sotme shqipe, gjegjësisht në vargjet e saj dhe sa ka liri në poezitë përkushtuese për betejat, luftën, dëshmorët e heronjtë e rënë në luftën për liri?

Për t’i shkoqitur sadopak këto situata, këta rrathë dhe këtë ekzistencë duhet hulumtuar nëpër poret e zhvillimit të poezisë sonë pas të ashtuquajturës Luftë e Dytë Botërore. Dhe këtu dalin dy rrugë, apo më mirë të shprehemi, dalin dy kahe të rrugëtimit të lirisë në poezinë e sotme shqipe:

1. Rruga e lirisë në poezinë e poetëve të Shqipërisë.
2. Rruga e lirisë në poezinë shqipe tek poetët e Kosovës.

Fati historik e deshi që shqiptarët e të dy anëve të kufirit, në Shqipëri dhe në Kosovë, të mbesin nën të njëjtin sistem shoqëror pas Luftës së Dytë Botërore, nën sistemin socialist. Dhe raportet e artit në përgjithësi dhe të poezisë në veçanti natyrisht që kërkojnë qasje të reja. Poetët duhej patjetër të ndërrojnë metodën letrare dhe të shkruajnë për luftën, betejat e saj, për partizanët e partizanet, për heronjtë e dëshmorët, për komunizmin e komunistët, pastaj për reformën agrare, kooperativizmin në Shqipëri, e deri për vëllazërim-bashkimin, të drejtën e femrës, shkollimin, luftën kundër analfabetizmit e të tjera në Kosovë.

Andaj, në vargjet e poezive përkushtuese për lirinë më shumë ndihet fryma e tillë se sa frymon liria në to. Liria ishte gjëja më e arrirë, ajo ishte grada më e lartë e arritur ndonjëherë dhe kurorëzohej me fitoren e komunizmit dhe socializmit. Vetëm poezitë kushtuar partisë, socializmit, kooperativizmit, tharjes së kënetave, aksioneve të rinisë në Shqipëri, luftës partizane, betejave të Sutjeskës, Neretvës, Dervarit, por edhe asaj të Carralevës, vëllazërim bashkimit, Boros e Ramizit, Landovicës, e pse jo edhe Titos, në Kosovë, konsideroheshin poezi me vargjet më të mira në të cilat frymonte liria. Dhe në pyetjen e parashtruar del vetvetiu përgjigjja. E tillë është liria në vargjet e poezive me tematikë, semantikë, motive dhe frymëzime të këtilla.

Në poezinë e krijuar në Shqipëri liria sa vjen e shtresohet nëpër të gjitha poret e jetës socialiste, kooperativizmit e deri te reformat në arte, kulturë, letërsi dhe në jetë. Andaj lindja e metodës së socrealizmit në letërsi shndërrohet në dogmë letrare. Ata që duan të bëhen poetë patjetër duhet të japin provimin pranues me tematikën ideologjike të kësaj metode letrare.

Kështu lindin poetë e shkrimtarë socrealistë të cilët janë kreatorë të poetikës socialiste në Shqipëri. Liria e poezisë së tyre frymon nëpër poret e luftës së klasave, ndërtimit të fshatit socialist, njeriut të ri të zhveshur nga besimet fetare, pronës shoqërore e shumë e shumë temave të tjera. Kurse, liria e shprehur ndryshe në vargjet e atyre pak poetëve të guximshëm nuk zgjat shumë, sepse ata burgosen bashkë me vargjet e veprat e tyre dhe dënohen me shumë vjet heqje lirie. Dhe lind e ashtuquajtura poezi disidente me poetë të tillë si Kasëm Trebeshina, Bilal Xhaferri, Frederik Rreshpja, Visar Zhiti, Havzi Nela, etj.

 Klasa e këtyre poetëve dënohet dhe persekutohet edhe në mënyra të tjera. Liria e shprehur në vargjet poetike të tyre, demaskohet edhe nga kolegët e tyre. Andaj nuk është e rastësishme thënia e Mitrush Kutelit në testamentin e vet se krijuesit të cilët shpreheshin të lirë në vargjet e tyre, jo vetëm që dënoheshin nga partia e shteti, por edhe nga vetë shkrimtarët. “Profesionalizmi në letërsi, në vendin tonë është, hë për hë, një rrugë vuajtjesh, buka e tij është e hidhur. E hidhur, them, për atë që s’di marifete e hipokrizira.

 Terreni i letërsisë është një tokë tek gëlojnë gjarpërinjtë. Të vrasin shokët, se u bën hije. Dhe kur nuk u bën hije do të thotë se nuk je i zoti për letërsi”. Krijuesit e këtij terreni të letërsisë e gjenin rrugën më të mirë për të mënjanuar të tillët që i pengonin në realizimin e famës së tyre prej shkrimtarëve socrealistë në sistemin totalitar komunist..

Ndërkaq, në Kosovë, gjetja e lirisë në poezinë e viteve të 70 të shekullit të kaluar bëhej në një formë tjetër. Kjo formë pak nga pak kaloi në metodë e cila kishte një shtrirje bukur të madhe në këtë kohë. Mbase ajo ishte metoda e përdorimit të një figuracioni të dendur metaforik në poezi.

Prandaj është krejt e natyrshme që nisi të kultivohej kjo mënyrë e shprehjes poetike në poezinë shqipe të Kosovës sa që gradualisht nisi të shndërrohej në poetizim hermetik. Ky hermetizëm siç është vërejtë me kohë qe sa i mirë aq edhe i rrezikshëm.

Por, pas ngjarjeve të vitit 1981, pra pas demonstratave të studentëve, ndërroi shumëçka edhe në poezinë e poetëve të Kosovës. Ajo pak liri që frymonte në vargjet e saj tash nisi edhe më shumë jo vetëm të stërkeqet, por edhe të zhduket. Në faqet e disa gazetave dhe revistave letrare filloi një kontrollim që i kanosej lirisë së poezisë. Kështu, prapë nisi censurimi i vargjeve që shprehnin heroizmin dhe pranonin kërkesat historike të demonstruesve studentë dhe të demonstratave.

 Dhe shumë nga organizatorët u burgosën dhe u dënuan me burg. Ata nga qelitë e burgjeve serbosllave kërkonin liri. Lirinë më të shenjtë e gjenin në vargjet e tyre që i shkruanin më shumë në mendje se sa në letër. Dhe kështu lindi poezia e burgjeve në vargjet e të cilës shkruhej për lirinë. Këta poetë e krijues pas daljes nga burgjet i botuan veprat e tyre. Mbase kështu nuk ndodhi në burgjet e Shqipërisë së Enver Hoxhës sepse nga ato dolën me tonelata letër të letërsisë së shkruar nëpër burgjet enveriane.

Dhe liria në poezinë e sotme shqipe nisi të frymojë pas viteve të 90 të shekullit të kaluar edhe në Kosovë, edhe në Shqipëri. Poetët u çliruan nga prangat e partishmërisë në art, u çliruan nga ideologjia, nga figuracioni bardh e zi. Tash nuk ekzistojnë shabllone që krijonin vlerën ideologjike dhe partiake të poezisë. Liria nisi të vërshojë në vargjet e poetëve. Ata nuk jepnin më llogari ideologjike për figuracionin e përdorur dhe për tematikën e shprehur në poezitë e tyre.

Por, për Kosovën kjo nuk zgjati shumë. UÇK-ja ia filloi luftës. Andaj poetët duhej t’i mobilizonin figurat e tyre në mbështetje të kësaj lufte. Ushtarët e kësaj ushtrie ishin kreatorët e një lirie të re, të cilën e sollën në Kosovë. Tash liria e vargjeve poetike frymon bashkë me këta luftëtarë, dëshmorë, martirë dhe heronj. Duke shkruar vargje për Adem Jasharin, Jusuf Gërvallën Xhevë e Fehmi Lladrovcin, Komandant Kumanovën, Luan e Shkëlzen Haradinajn, Agim Ramadanin e Sali Çekun, Prekazin, Gllogjanin, Izbicën, Reçakun, Kosharën, Pashtrikun, Shalën e Llapin, etj, bëhet një farë portretizimi a biografi e këtyre martirëve.

Dhe duhet theksuar se poezitë kushtuar këtyre ngjarjeve dhe personaliteteve, fatkeqësisht, nuk janë gjithherë në nivelin e duhur artistik, ngase janë shkruar pa u ndier shpirtërisht siç e kërkon frymëzimi i vërtetë për hartimin e krijimtarisë së mirëfilltë poetike. Sepse për të shkruar poezi për ngjarje të ashtuquajtura të mëdha dhe njerëz të dalluar nuk do të thotë se ke krijuar poezi të realizuara artistikisht. Kjo ndodh se poezia nuk është vetëm shprehje e mendimit, por mbi të gjitha është shpalosje e ndjenjave me mjete të zgjedhura artistike, me metafora dhe figura të tjera stilistike.

Si do që të jetë megjithatë ky ishte dhe është një këngëtim për një liri në poezinë tonë bashkëkohore, pavarësisht nga mungesat që mund të ketë ajo. Edhe poezia si edhe vetë liria frymon ndryshe, rrjedh ndryshe dhe kumbon ëmbël. Edhe kjo është liria e poezisë bashkëkohore shqipe.

Andaj, edhe njëherë në fund ia vlen të konstatohet se nuk ka poet që nuk ka shkruar ndonjë varg për lirinë. Disa prej tyre kanë shkruar, por edhe shkruajnë poezi, himne, ditirambe, poema, madje edhe vepra të tëra kushtuar lirisë.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...