Meqë
vepra letrare realizohet përmes gjuhës, kurse gjuha para së gjithash shërben si
mjet marrëveshjeje midis njerëzve, është e qartë se edhe letërsia duhet
trajtuar si krijim shoqëror, si diçka që ka kuptim vetëm brenda jetës
shoqërore. Veprat letrare përfshijnë në vete përvoja dhe njohuri mbi dukuritë e
ndryshme të natyrës dhe të shoqërisë, ato flasin poashtu tërthorazi dhe
drejtpërdrejt mbi jetën shoqërore. Veç kësaj edhe shkrimtari i përket një
shtrese të caktuar ose klase shoqërore. Nga kjo, ai, si përfaqësues i ndonjë
bashkësie, në veprën e tij shpreh jo vetëm kundërthëniet në shoqëri, por edhe
synimet dhe aspiratat e asaj shoqërie. Në vepër, qoftë ajo poezi, roman ose
dramë etj. ai paraqet idealet e caktuara shoqërore dhe njerëzore. Duke qenë se
shkrimtari i takon një shtrese a klase të caktuar shoqërore, edhe vepra letrare
i takon një kohe dhe një vendi të caktuar. Kështu, p.sh. shkrimtarët antikë në
veprat e tyre, përmes miteve dhe legjendave paraqesin shoqërinë e kohës,
ndërkaq romantikët, përmes imagjinatës dhe ëndrrave të tyre e projektojnë
shoqërinë e kohës, realistët prekin në natyrën klasore të shoqërisë duke u
përpjekur ta ndryshojnë atë. Por kjo nuk do të ndodhë në të gjitha formacionet
apo shkollat letrare, siç ndodh p.sh. me simbolistët që i shmangen (largohen)
shoqërisë. Një dukuri të tillë e ndeshim p.sh. në Francë në teorinë e arti për art etj. Letërsia si art i
fjalës, është dëshmi e jetës që kushtëzohet nga koha dhe jeta shoqërore në të
cilën zhvillohet ajo. Letësia si art i fjalës, nuk flet vetëm për atë që ka
ndodhur, por edhe për atë që do të ndodhë. Letësia luan rol të madh shoqëror,
të cilin nuk e ka asnjë fushë njerëzore. Ajo, e lidhur me realitetin njerëzor,
është dëshmi e atij realiteti. Porositë, mesazhet, që jepen përmes saj, jepen
në formë të veçantë dhe ndryshojnë nga veprimtaritë e tjera. Kjo ka ndodhur me
të gjithë krijuesit duke filluar nga antikiteti e deri në ditët e sotme. Kështu
ka ndodhur me veprat e Homerit apo me tragjeditë e Eskilit, të Sofokliut, të
Euripidit e të tjerëve. Në to janë shprehur mendime dhe ndjenja që i përkasin
jo vetëm asaj kohe, por edhe sot ato lexohen me admirim. Pas kësaj, nga fundi i
mesjetës, shkrimtari i madh italian Dante Aligieri, në veprën e tij me titull
“Komedia hyjnore”, ka paraqitur alegorikisht shoqërinë italiane të kohës;
Shekspiri, njëri nga dramaturgët më të mëdhenj anglezë e botërorë, në veprat e
tij ka paraqitur kontradiktat e thella të shoqërirsë së kohës; Balzaku në
“Komedinë njerëzore” në mënyrë të thellë dhe realiste ka paraqitur raportet
shoqërore të shekulit XIX në Francë. Madhështia dhe gjithanshmëria e veprës së
Balzakut është pohuar edhe nga Engelsi kur thoshte se e ka njohur shoqërinë
frënge më mirë nga veprat e Balzakut sesa nga të gjithë historianët,
ekonomistët apo sociologët e kohës. Se ç’rëndësi kanë veprat e letërsisë
aristike e dëshmojnë edhe veprat e shkrimtarëve të mëdhenj shqiptarë siç janë
veprat Naimit, “Vargjet e lira” të
Migjenit, të Ismail Kadaresë etj., që janë një dëshmi për shoqërinë shqiptare
dhe që në vete ngërthejnë vlera të mirëfillta letrare artistike.
Nga sa u tha më lart del se letërsia
është arti më i popullarizuar dhe luan rol të rëndësishëm në aspektin edukativ
dhe kulturor të popullit. Edhe kultura e një populli vlerësohet nga letërsia,
kurse kultura e një njeriu sipas asaj se sa ai i njeh dhe i kupton veprat
letrare. Nga këndej letërsia gjatë zhvillimit të saj historik pandërprerë ka
luajtur rolin ndërmjetësues midis njerëzve dhe ideve të shkrimtarit; ajo ka
luajtur rolin e edukatorit dhe të interpretit të natyrës nga e cila është
rrethuar njeriu, sepse vepra letrare s’është gjë tjetër veç idesë së
shkrimtarit mbi jetën dhe mbi dukuritë e ndryshme shoqërore. Letërsia luan rol
të rëndësishëm në jetën e njeriut, sepse
kënaq një nevojë të veçantë të njeriut, karakteristike për të gjithë njerëzit:
nevojën e përjetimit dhe të njohjes së botës me anë të shqisës së të vërejturit
dhe të kuptimit të veprës letrare artistike. Përjetimi i tillë nxit një
kënaqësi të veçantë , të cilën e quajmë kënaqësi estetike ose artistike, të
cilën e studion shkenca filozofike e cila quhet estetikë. Në vepër autori
shpreh anët më të bukura dhe më fisnike të njeriut, ajo zhvillon ndjenjat
humane dhe ndikon në kuptimin më të mirë midis njerëzve, duke u përpjekur për
një jetë më të mirë e më të lumtur të tyre. Shkrimtari në veprat e tij shtron
problemet e kohës së tij, të bashkëvendësve të tij, duke u bërë kështu
interpret më i mirë i nevojave të shoqërisë dhe gjykatës i rreptë i mashtrimeve
dhe i veseve të shoqërisë. Çështjet e lidhura me këtë problematikë i shqyrton sociologjia e artit, e cila studion
bazën ekonomike të punës artistike dhe të jetës, origjinën dhe pozitën
shoqërore të artistit, qëndrimet ideore të cilat shprehen në veprat e tij dhe
në veprimtarinë dhe deklaratat e tij jashtëletrare. Por kur është fjala për
pranimin e veprave letrare artistike nga publiku, mbi ndikimin shoqëror të
artit si dhe për pranimin ose mohimin e veprave të veçanta artistike në kohët e
mëvonshme, atëherë në vlerësimin e këtyre çështjeve, veç sociologjisë së artit
merr pjesë edhe historia e estetikës,
kurse për veprat letrare edhe historia e
letërsisë.