2012-07-08

HISTORIK I DRAMËS




            Drama në kuptimin e ngushtë për nga origjina (zanafilla) është lloj i ri i gjinisë dramatike. Shfaqet në shoqërinë e zhvilluar qytetare të cilën e preokupojnë probleme të shumta sociale. Tematika e saj është e larmishme, sepse depërton në të gjitha raportet shoqërore dhe klasore. Në të shtrohen për t’u zgjidhur probleme të shumta të ekzistencës së njeriut në shoqëri, shqetësimin e tij për shkak të kundërthënieve dhe absurditeteve jetësore, bëhen objekt i shpeshtë i dramës. Në dramë nuk ka patetikë tragjike të heronjve të idealizuar, por ka vuajtje të mëdha dhe luftë të vetëdijshme të personazheve reale për zgjidhjen e çështjeve qenësore të jetës. Edhe në aspektin tematik drama i afrohet tematikës shoqërore dhe psikologjike të romaneve dhe të tregimeve, duke e paraqitur luftën morale të njeriut (e mira dhe e keqja, vetëdija dhe poshtërsia, nderi dhe respekti, ambicia fisnike dhe karrierizmi etj.). Zgjidhjet e saj shpesh kanë karakter tragjik, nga kjo drama më tepër i afrohet tragjedisë sesa komedisë. Por, për dallim nga tragjedia, drama nuk e lë njeriun në besimin se e keqja është e pashmangshme dhe e pandashme nga natyra e njeriut, por ka karakter aktiv se të keqes duhet kundërvënë dhe se është e mundur të mposhtet. Në dramat moderne tensioni dhe dinamizmi dramatik arrin jo aq me paraqitjen e kundërthënieve në shoqëri, sa me paraqitjen dhe ndarjen e brendshme të personazhit. Veprimi dramatik në to është statik: jashtë nuk ndodh asgjë, por kolizionet e brendshme të personazheve janë mjaft të thella dhe të fuqishme. Prej këndej duket se veprimi nuk lëviz (antidrama), por psikologjikisht përgatiten goditje të tmerrshme dhe zgjidhje tragjike (dramat e Semjuel Beketit).
            Arti dramatik kulmin e tij e arriti në kohën e renesansës me shfaqjen e dramaturgut të madh anglez, William Shakespear-it (1564-1616), dramat e të cilit u shkruan në vargje dhe në prozë, në të cilat numri i personazheve parimisht është i pakufizuar, ndërsa në situatat dramatike shpesh, krahas elementeve tragjike, futen edhe elemente komike, kurse shquhen për kompozicionin e tyre të lirë me çka edhe dallojnë nga dramat antike greke. Përveç Shekspirit kontribut në zhvillimin e dramës evropiane dhanë edhe dramaturgët spanjollë: Lope de Vega (1592-1635), Tirso de Molina (1571-1648) dhe Calderon de la Barca (1600-1681), të cilët me një lehtësi të veçantë i thurnin dramat e tyre, të cilat shquheshin për dialogët dhe monologët e tyre. Një tip i veçantë i dramës u zhvillua në kohën e klasicizmit francez, sipas të cilit imitoheshin dramat antike gjë që solli deri te lindja e një teorie të re sipas së cilës dramat duhet të shkruhen sipas rregullave të caktuara, para së gjithash këto rregulla vlenin për hartimin e tragjedisë, e cila çmohet më së shumti si lloj letrar. Ajo, pra, tragjedia duhet të shkruhet në vargje, stili i saj duhet të jetë i lartë, krakteret fisnike, kurse kompozicioni të zhvillohet në pesë akte. Veç kësaj kërkohej respektimi i tri njësive dramaturgjike i unitetit të veprimit, i vendit dhe i kohës. Dramaturgët (tragjedianët) më të mëdhenj francezë të kësaj kohe janë Pierre Corneille (16006-1684) dhe Jean Racine (1639-1699), kurse komediografi më i madh i kësaj kohe ishte Moliėre (1622-1673), veprat e të cilit edhe sot janë modele të disa tipeve të komedisë zakonore dhe të karakterit. Drama klasiçite franceze në përgjithësi është dramë racionale, sepse kërkon qartësinë e ideve të ekspozuara dhe të motiveve rreptësisht të arsyeshme. Ajo është edhe didaktike, sepse dëshiron ta mësojë shikuesin repektivisht dëgjuesin dhe në njëfarë mase është edhe moralizuese, sepse dënon të keqen dhe veset dhe lavdëron virtytin dhe fitoren e detyrës ndaj pasionit.
                  Në kohën e romantizmit krijuesit i kundërvihen ashpër racionalizmit dhe normave të ngurosura të dramës klasiçite dhe prioritet i japin ndjeshmërisë, kërkesës për natyrshmëri dhe nevojës që në skenë të tregohet “jeta e vërtetë”. Mirëpo ideja e tyre “realiste” në skenë, në veprat e tyre nuk gjeti shprehjen e vërtetë, duke u shndërruar në sentimentalizëm dhe në retorikën e theksuar në paraqitjen e pasioneve. Parulla e tyre e natyrshmërisë dhe e së vëtetës, vetëm në shekullin e nëntëmbështjetë përjeton realizimin e saj në dramën natyraliste, para së gjithash në veprat e Henrik Ibsenit (1828-1906) dhe të Gerhart Hauptmannit (1862-1946). Nga fundi i shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe në fillim të shekullit njëzet, krahas natyralizmit shfaqet dëshira për ripërtëritjen e dramës romantike, (p.sh. Edmond Rostand, 1868-1918), teatri psikologjik, respektivisht, teatri lirik i Antaon Pavloviç Çehovit (1860-1904), teatri simbolist (Maurice Maeterlinck, 1682-1949), teatri ekspresionist (Bertold Breht,1898-1956) dhe drejtime të tjera stilistike. Dramaturgu italian Luigi Pirandello (1867-1936, realizon një varg veprimesh të reja dramturgjike. Konfliktet dramatike në dramat e tij mbështeten në relativiten e së vërtetës, mbë pamundësinë e dallimit të realitetit dhe iluzionit, andaj personazhet janë në moskuptimin e përhershëm dhe në konflikt me jetën e drejtpërdrejtë shoqërore. Kjo është me rëndësi sepse në teatrin e kohës sonë ekzistojnë tendenca të theksuara për rrënimin e strukturës së qëndrueshme dramatike dhe përpjekja për krijimin e dramave të tilla të cilat radikalisht i kundërvihen  linjës kryesore të traditës së dramës evropiane e cila vjen nga tragjedia dhe komedia antike. Kështu p.sh. Eugėne Ionesco (Jonesko) dhe Smuel Beckett (Beket) në kuadër të të ashtuquajturit antiteatër, përpiqen t’i thejnë të gjitha konvencat e letërsisë dramatike, duke shprehur tretjen, vetminë, ankthin dhe frikën e njeriut modern të formësuar me mjete të cilat përndryshe drama evropiane rrallë i përdor (p.sh. zhillimin jologjik të veprimit, jolidhshmërinë e fjalëve dhe veprimeve të personazheve, mungesën e aksionit, jokonzistencën e karaktereve.). Jonesko plotësisht e then gjuhën dramatike tradicionale në dialogun dramatik dhe në situatat dramatike, kurse në skenë sjell lojën inkoherente me fjalë dhe zhvillon raporte të palidhura dhe jologjike dramatike. Perosnazhet e tij në shmëçka janë marioneta, veprimet janë të automatizuara dhe në kuadrin jetësor groteske. Dramat e Beckettit përpunojnë vetminë dhe humbjen e njeriut modern në civilizimin bashkëkohor dhe janë të njomura nga pikëpamjet e parrugëdalje dhe pesimiste në kuptimin e jetës. Në dramat e këtyre dy dramaturgëve shumë pak ka mbetur nga faktura e dramës së hershme. Prandaj shpesh flitet – për shkak të dundërvënies së dramës së mëhershme – mbi antidramën dmth. mbi një formë letrare e cila s’është më dramë; natyrisht në kuptimin e moçëm tradicional. Një variantë të dramës ka shkruar dramaturgu gjerman Bertolt Brecht (1898-1956) në dramat e tij p.sh. “Nëna kurajë dhe fëmijët e saj”, etj. Fabulën dramatike Brehti e zhvillon në një varg pamjesh dhe skenash, në veprimin dramatik fut pika dhe këngë si komentare dhe plotësime, dhe shërbehet me projektimin e përmbajtjes së veprimit para shfaqjes dramatike. Aktorët e Brehtit nuk njëjtësohen me personazhet e veprës, por ndahen nga roli si interpretë, sepse ata nuk familjarizohen, por objektivisht, kritikisht shpjegojnë. Prandaj dramaturgjia e tij quhet epike, kurse veprimet skenike epike, dmth. teatër epik, sepse në kuadrin strukturor të dramës futin veprime epike, narrative.
            Letërsia dramatike dhe i gjithë arti teatror kanë pasur një zhvillim të ndërlikuar dhe të bujshëm. E lidhur drejtpërdrejt me jetën, rolin dhe funksionin në shoqëri, ajo, me tekst dhe aktrim, shpjegonte rrugën e fatit njerëzor dhe kërkonte pastaj në konfliktet dhe problemet sociale. Që nga shfaqja e dramës romantike, kur bëhen përpjekje për shmangien e parimeve klasiçite në dramë, pastaj përmes natyralizmit, simbolizmit dhe ekspresionizmit deri në kohën e re, janë shfaqur një numër i madh shkollash dhe drejtimesh, me qëllim të gjenden teknika dhe forma gjegjëse, me të cilat do të paraqitet jeta e komplikuar në botën bashkëkohore.    

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...