Ekspresionizmi është lëvizje
artistike e fillimit të shekullit të 20-të. Ky drejtim letrar u shfaq ndërmjet
vitit 1910 dhe 1920, ndërsa vetë emërtimi doli në revista ndërmjet vitit 1911
dhe 1914. Edhe pse si shfaqje dhe shkollë qe e fuqishme vetëm në Gjermani, nga
ndikimet që janë bërë mbi të dhe nga ndikimiet që ai ka bërë, nuk mund të
shpjegohet jashtë rrymimeve të përgjithshme artistike në fund të shekullit të
19-të dhe në fillim të shekullit të 20-të. Ekspresionizmi shfaqet si një lloj
reaksioni ndaj krizës shpirtërore dhe morale që kishte përfshirë vendin në prag
të Luftës së Parë Botërore. Si lëvizje revolucionare ajo shquhet si për nga
tematika, ashtu edhe për nga formimi gjuhësor. Emërtimi ekspresionizëm është marrë nga historia e artit, me të
cilin, për dallim nga impresionizmi, me të cilin shënohej drejtimi përkatës në
pikturë, përfaqësuesit kryesorë të të cilit janë Sezani, Van Gogu, Munk, kurse
në Gjermani grupet pikturale “Die Brücke”
(Ura) dhe “Kalorësi i kaltër” (Kandinski, Kle, Kokoshka, Barlah etj.). Për të
parën herë termin ekspresionizëm e ka përdorur Zh. A. Erve në vitin 1901, kurse
në Gjermani e futi në përdorim kritiku letrar Vilhelm Voringer (Wilhelm
Vorringer). Sipas ekspresionistëve nuk duhet nënshtruar rrethit që na rrethon,
pamjes së jashtme të gjërave dhe vlerave të paqëndrueshme, duhet luftuar për
një moral të ri, kundër harmonisë së rrejshme dhe kundër idealit qytetar të
bukurisë së rrejshme. Duhet shprehur (prej këndej edhe fjala ekspresionizëm që
vjen nga fjala latine exprimere do të
thotë të shprehesh) çdo gjë që shihet në realitetin jetësor, që përjetohet nga
shpirti dhe zemra e njeriut. Sipas tyre sendet duhet të përshkruhen
drejtpërdrejt duke u shërbyer natyrshëm me gjuhën, pa u zgjatur në përshkrime
të sendeve. Të gjitha mund të shprehen përmes mjeteve të reja shprehëse, përmes
satirës ose ironisë; prapa dukurive të imagjinuara duhet kërkuar thelbin e
sendeve.
Edhe
ekspresionistët, si edhe të gjithë shkrimtarët avangardë, ngrihen kundër
tashëgimisë kulturore. Ata hedhin poshtë vendosshmërisht natyralizmin,
simbolizmin dhe impresionizmin; por, megjithatë, ata do të ushqehen me idetë
dhe përvojat krijuese të poetëve të mëdhenj pararendës të tyre si, Sharl
Bodler, Artur Rembo, F. Greg, Pol Klodel, Zhyl Romen, Andre Zhid (poetë
francezë), pastaj të poetit amerikan Volt Vitman me përmbledhjen e vjershave (Fije
bari, 1855, Laves of Grass),
të romancierit rus Fjodor Mihajloviç Dostojevski, tregimtarit dhe dramaturgut
suedez August Strindberg e veçanërisht të dramaturgut gjerman, Frank Vikedind.
Përveç këtyre te ta kanë ndikuar edhe filozofët e njohur si: Soren Kjerkegor,
Fridrih Vilhelm Niçe, Henri Bergson, Eduard Huserl etj.
Ekspresionizmi,
si rrallë ndonjë lëvizje tjetër letrare, pati lidhje të ngushta me artet
figurative, sidomos me piktorët e mëdhenj francezë të gjysmës së dytë të
shekullit XIX dhe të fillimit të shekullit XX – Pol Sezan, Van Gog e deri te
Pablo Pikaso.
Edhe
pse si djep i ekspresionizmit konsiderohet Gjermania, ai u zhvillua edhe në
vende të tjera si në Austri e Zvicër, pastaj kishte disa qendra ku vepronin
shkrimtarët ekspresionistë si Berlinin, Mynihun, Vjenën dhe Cyrihun.
Ekspresionistët
kishin edhe revistat e tyre ku i botonin shkrimet e tyre. qofshin ato artistike
prozë a poezi, qofshin ese, pamflete apo programe. Revistat më të njohur rreth
të cilava u tubuan ekspresionistët ishin Die Aktion (Aksioni), Die Revolution (Revolucioni), Der Sturm (Stuhia). Veç këtyre u botuan edhe disa
antologji.
Ekspresionistët
lëvruan lirikën, dramën dhe prozën tregimtare (skicën dhe tregimin e shkurtër).
Në
lirikë ekspresionistët krijuan vlera të qëndrueshme, ndonëse shumica e poetëve
lirikë vdiqën ose u vranë shumë të rinj; një numër i tyre kaloi edhe nëpër
llogoret e përqëndrimit, disa prej tyre i lanë atje edhe eshtrat, ndërsa një
pjesë bëri vetëvrasje. Autorët më të njohur që lanë gjurmë në letërsi qenë:
Gottfrid Ben, Georg Trakl, Franc Verfel, Georg Hajm, Ernst Shtadler, Johanes R.
Beher. Disa nga temat më të adhuruara që i lëvruan ekspresionistët janë:
sëmundja, spitali, vdekja, shkatërrimi; tërmeti, lufta; vëllazëria
gjithënjerëzore, kosmosi, konflikti i gjeneratave, qyteti (ekspresionizmi është
letërsi qytetare), miniera, fabrika. Qëndrimin e poetëve ndaj këtyre temave e
karakterizon emocionaliteti i theksuar, si: tmerri, tronditja, frika, rebelimi,
entuziazmi vizionar, monologët lirkë, ritmi dinamik, leksiku dhe figuracioni,
ngjyrat e forta. Figura poetike ka për detyrë të paraqetë esencën e gjërave dhe
jo pamjen e tyre të jashtme. Ajo duhet të shprehë “vizionin” – një nga veçoritë
e poetikës ekspresioniste.
Ekspresionistët
kontribuan edhe në zhvillimin e gjinisë dramatike. Drama ekspresioniste shquhet
për renditjen e tablove simbolike të lidhura në mënyrë jo të mjaftueshme – pa
veçori individuale, duke mbetur në suazat e dramës ideore (pjesë me probleme
ideore dhe me tezë). Skenat shquhen për muzikën, recitimet korale, lojën dhe
pantomimën – pa lidhje me koncepte të caktuara kohore dhe hapësinore. Monologu
përshkohet nga elemente lirike. Mungojnë karakteret dhe psikologjia e
zakonshme, sepse me personazhet zotërojnë instinktet ose forcat e fatit, të
cilat i krahasojnë me marionetat; konfliktete dramatike nuk janë individuale,
por të përgjithshme: ndeshja e gjeneratave të reja dhe të vjetra në shoqëri dhe në kulturë. Regjia përpiqet të
arrijë shquarjen e përmbajtjes ideore, duke u shërbyer me pamjen e caktuar të
skenës (shkallët, skelet, katrorët abstraktë) si dhe me efektet e ndriçimit. Teatri
ekspresionist i ka dhënë nxitje skenës (sidomos mënyrës se si ekzekutohen
pjesët), por nuk ka ofruar vepra të një rëndësie të qëndrueshme. Dramaturgu më
i madh ekspresionist ka qenë Bertolt Breht (1898-1956), i cili shkroi shumë
vepra dramatike. Dramat më të njohura të tij janë: Nëna Kurajë dhe
fëmijët e saj, Rrethi i Kaukazit me shkumës, Njeriu i mirë nga Seçuani, Baal,
Daullet e natës etj. Përveç që është i njohur si poet, prozator e
dramaturg, Brehti është i njohur edhe si teoricien i teatrit me veprën e tij
teorike Teatri epik. Si dramaturg në kohën e ekspresionizmit
shquhen edhe Karl Shternhajm (komediograf) dhe Georg Kaizer (dramaturg). Ernst
Toler, pas Luftës së Parë Botërore ishte luftëtar aktiv kundër reaksionit, i
burgosur, më vonë antifashist (bëri vetëvrasje në emigraion) shkroi dramën
agjitative-ekstatike Njeriu i masës, 1920.
Kontribut
të veçantë ekspresionistët dhanë edhe në fushën e prozës tregimtare e cila
shquhet për groteskun, ankthin, tëhujësimin – veçori këto të stilit ekspresionist.
Vëmendje e veçantë i kushtohet përqeshjes satirike dhe parodike të qytetarëve
dhe mikroborgjezëve, ushtrisë dhe shkollës, gjykatës dhe medicinës, paraqitjes
së projekteve shkencore-utopike, vegimeve dhe gjendjeve të sëmura të shpirtit
dhe të trupit të njeriut. Madhështinë e saj ndërkombëtare proza ekspresioniste
e mbërrinë në veprën e Franc Kafkës (1883-1924), e cila paraqet diçka të re në
letërsinë botërore, por Kafka megjithatë – para së gjithash me stilin e vet të
ngjeshur si te të gjithë klasikët më të mëdhenj – mbetet jashta qendrës së
shkollës ekspresioniste. Vepra tregimtare kanë shkruar Maks Brod, Herman Hese,
Franc Verfel, Xhems Xhojs, Miroslav Kërlezha etj.
Ekspresionizmi
si lëvizje iracionaliste që u zhvillua paralelisht me dadaizmin dhe futurizmin
rus drejtpërdrejt ndikoi edhe në surrealizmin. Historianët francezë të
letërsisë nganjëherë konsiderojnë se disa ekspresionistë në të vërtetë janë
surrealistët e parë (sidomos Shebarti). Nga krijuesit ekspresionistë padyshim
shquhen: në lirikë Trakli dhe deri diku Hajmi, në prozë Kafka, në risitë e
teknikës teatrore Brehti. Ekzistojnë letrarë të cilët edhe pas shuarjes së
shkollës ekspresioniste vazhdojnë të shkruajnë në të njëjtën mënyrë dhe në të
njëjtën frymë (Brehti, Beni).
Ekspresionizmi
përveç arteve figurative dhe teatrit, ka ndikuar fuqishëm edhe në formën dhe në
përmbajtjen e filmit pa zë, sidomos të atij francez dhe gjerman.
Ekspresionizmi
edhe pse si rrymë letrare u zhvillua në letërsinë gjermane, ai u përhap edhe në
vende të tjera. Ai pati jehonë edhe në letërsinë shqipe. Këtë e konstaton edhe
studiuesi dhe poeti ynë i mirënjohur Agim Vinca. Ndër të tjerët, afëri me
ekspresionizmin dhe ekspresionistët, konstaon Agim Vinca, ka pasur Migjeni. Ai
konstaton se “temat (mjerimi, papunësia, prostitucioni, fatalizmi), personazhet
(fëmijët, gratë, murgeshat, mantenutat, studentët, intelektualët kundërshtarë
të moralit patriarkalë etj.), vizionet (vizioni i mbinjeriut dhe i botës së re,
në njërën anë, por edhe i fundit të botës, në anën tjetër), mjetet shprehëse që
përdor ky poet e prozator dhe format letrare që kultivon ai (poezia lirike dhe
proza e shkurtër) kanë tipare të shumta ekspresioniste” (Agim Vinca, Kursi i teorive letrare, Shtëpia botuese,
Libri shkollor, Prishtinë, 2002, f. 214-215). Në lidhje me këtë Herman Bar
shkruante: “Asnjëherë, asnjë kohë nuk ka qenë e tronditur me aq tmerr, me aq
frikë nga vdekja. Asnjëherë bota nuk ka qenë aq e heshtur si varri. Asnjëherë
njeriu s’ka qenë aq i vogël. Asnjëherë s’është frikësuar aq shumë. Asnjëherë
paqja s’ka qenë aq larg, kurse liria aq e vdekur. Nga ky ankth tash ngrihet
klithma: njeriu klith për shpirtin e tij, e tërë bota bëhet e vetmja klithmë e
ankthit. Edhe arti i bashkohet kësaj klithme, klith në errësirën e thellë,
klith në mesnatë, me klithmë thërret shpirtin: ky është ekspresionizmi” (Fric
Martini, Istorija nemačke književnosti,
Nolit, Beograd, 1971, f.550).