Stilistika
është disiplinë e veçantë e cila merret me studimin e stilit dhe të figurave
stilistike. Fjala stil vjen nga fjala latine stilus, që në lashtësi kishte
kuptimin e një lapsi të metaltë që shërbente për të shkruar në tabelëzat prej
dylli. Më vonë kjo fjalë mori kuptime të ndryshme. Në fushën e letërsisë stili
është mënyrë e të shkruarit ose mënyrë e të shprehurit e ndonjë individi, qoftë
të një bashkësie ose të një periudhe. Përcaktimi i stilit në periudhat e
ndryshme historike ka qenë i ndryshëm; ai është veçanti e çdo veprimtarie që
kryhet në mënyrë të perceptueshme dhe në mënyrë të ndryshme, p.sh. stili i
veprës, stili i punës, stili i notit, stili i jetës – mënyra e jetës etj.;
veçanti e veprave të ndryshme të artit, e ekzekutimit të tyre dhe e mënyrës
artistike të autorëve: stili në arkitekturë, stili i epokës, veçanti e të
shprehurit në gjuhë etj. Sipas mendimit më të përhapur, stili është veçanti e autorit
ose shmangie nga gjuha e zakonshme. Kjo shmangie shihet në çdo gjë, duke
filluar nga ndërtimi i fjalisë e deri te përdorimi i fjalëve dhe i tingujve të
veçantë në të (fjali). Shmangie nga mënyra e rëndomtë e të shprehurit është
karakteristike edhe për të folurit e rëndomtë, kur jemi të shqetësuar, kur jemi
në afekt, të pikëlluar, të gëzuar, të hidhëruar, të zemëruar etj. Kështu p.sh.
kur jemi të pikëlluar ngulfatemi, i ndërpresim fjalët me dënesje, i përsëritim
fjalët dhe pasthirmat, flasim qetë dhe të dërmuar; kur jemi të zemëruar
(hidhëruar), përkundrazi, e ngrisim zërin dhe e zmadhojmë fuqinë e shqiptimit,
gjejmë fjalë të mëdha dhe fraza të fuqishme, poashtu e ndërpresim fjalinë dhe i
përsërisim disa fjalë. Në përgjithësi, në afekt e ndërrojmë edhe intensitetin
edhe intonacionin e të folurit tonë, ngatërrojmë rendin e fjalëve, shtrëngojmë
dhëmbët ose flasim me ndërprerje ose me dënesje, fjalët i përdorim me kuptim
figurativ (Dhelpra njëherë! – i themi dikujt në zemërim e sipër, i cili hesht
dhe është dinak), ose i lidhim në lidhje jo të rëndomta, duke i renditur sipas
forcës, duke grumbulluar fjalë të një kuptimi të ngjashëm, duke zmadhuar tiparet e objekteve ose të dukurive etj. (Kjo
është e bukur, e jashtëzakonshme, e mrekullueshme; ai më ka mashtruar, gënjyer,
rrejtur; njëqind herë të kam thënë etj.). Një teoricien i letërsisë e ka
menduar p.sh. të folurit e një njeriu të thjeshtë, i cili në zemërim e sipër e
qorton gruan e tij. Në këtë të folur mund të venerohen të gjitha elementet e
shmangies nga gjuha e zakonshme të cilat i përmendëm më lart:
“Unë them po, ajo thotë jo, në mengjes e në
mbrëmje, natën e ditën llomotit (të dëftuarit në kundërthënie). Kurrë, kurrë njeriu s’ka qetësi me të (përsëritja
e fjalëve me kuptime të ngjashme). Ajo
është shtrigë, ajo është djall (zmadhim). Por, fatkeqe, trego se ç’të kam bërë? (pyetje). Ç’marrëzi që jam martuar me ty!
(pasthirrmë)... Ajo qan, ah e mjera, në
fund unë do të dal fajtore (përdorimi i fjalëve në kuptim ironik)... Fëmijët, fqinjët, miqtë, të gjithë e dinë
për mospajtimet tona (numërim). Ata
e dëgjojnë britmën tënde, ankesat, sharjet (renditja e koncepteve sipas
fuqisë). Ata do të mendojnë se jam i
keq, se jam i vrazhdë, se të rrah, se të gjymtoj (e njëjta) etj...etj.”
Përkundër
të gjitha dallimeve që ekzistojnë në përcaktimin e stilit, në shkencën
bashkëkohore të letërsisë theksohen dy kuptime themelore: a) stili si emërtim
për veçoritë e caktuara e gjuhës poetike, dmth. si shprehje gjuhësore në
shërbim të letërsisë dhe b) stili si emërtim për unitetin dhe harmoninë e të
gjithë faktorëve të cilët e formojnë botën poetike të ndonjë vepre.
Emërtimi
stilistikë është përdorur vonë, mbi dy shekuj më parë. Ky emërtim zëvendësoi
pjesën që quhet elocutio (eloquens –
i qartë, i rrjedhshëm, shkathësi retorike) në retorikën e vjetër, e cila u
krijua në Greqinë e lashtë, si teori mbi gojëtarinë, e cila përfshinte në vete,
përveç teorisë mbi gojëtarinë dhe mësimin mbi gjuhën, edhe parimet e vlerësimit
kritik të veprave letrare. Pas veprës së Sharl Bajit (Ch. Bally, 1909) për
stilistikën e përgjithshme, kjo disiplinë u përhap në Evropë si një degëzim i
ri i gjuhësisë, në vitin 1920 u zhvillua formalizmi rus, ndërsa në vitin1960
filloi të lulëzojë edhe në Angli e SHBA.
Në
retorikën e vjetër stili ndahej në: stilin e ulët, të mesëm dhe të lartë. Në stilin e ulët (të thjeshtë) shkruhej për
njerëzit e thjeshtë, tema merrej nga jeta e thjeshtë fshatare, qytetare, e
barinjve etj. Ky stil përshkohej nga një ton ironik dhe satirik. Mund të
përdoreshin edhe shprehje vulgare. Me këtë stil shkruheshin zakonisht komeditë.
Në stilin e lartë shkruheshin tema nga jeta luftarake, heronjtë ishin bartësit
e cilësive më të larta të gjithë popullit, kurse idetë e veprës duhej të kishin
rëndësi të përgjithshme. Me këtë stil shkruheshin trgjeditë. Stili i mesëm
qëndronte në mes të stilit të ulët (të thjeshtë) dhe stilit të lartë dhe ishte
më i pasur se i ulëti dhe më i ulët se i larti.
Në
lidhje me stilin, autorë të ndryshëm që janë marrë me këtë problematikë, kanë
dhënë mendime të ndryshme. Kështu, sipas Dalamberit (D’Alambert) “stil quajmë kualitetet e veçanta të të
folurit”, kurse sipas Alonsit “stili
është sistem i shprehjes së një vepre, i një autori, i një epoke”. Në këto
qëndrime vërejmë se bartës i stilit është: ose autori, nëse është fjala për
shprehje individuale të një vepre, ose epoka, nëse është fjala për shprehjen e
një periudhe në kuadër të të gjitha krijimeve shpirtërore që janë krijuar
brenda asaj epoke. Edhe Pjer Giro (Pierre Giraud) në Stilistikën e tij, stilin e përcakton si mënyrë e të shprehurit
karakteristik për ndonjë shkrimtar, për ndonjë gjini letrare, për një epokë. “Në antikë kjo mënyrë e të shkruarit ka qenë objekt i studimit
të veçantë, i retorikës, e cila është njëkohësisht art i shprehjes letrare dhe
i shkencës, instrument kritik në vlerësimin e stileve individuale, art i
shkrimtarëve të mëdhenj” (Pierre Guiraud, Stilistika, Veselin Masleša,
Sarajevo, 1964, f. 5). Giro thekson se “fjala
stil e sjellë deri te definicioni i saj themelor” është “mënyra që mendimi të shprehet me anë të
gjuhës”(ibd. f. 6). Sipas Emil Shtajgerit (Emil Staiger) “të shprehesh” në artin poetik p.sh. do të thotë të shprehësh thelbin e poezisë, kurse nga të gjitha mundësitë e
kërkimit letrar, kërkimi i stilit është autonom dhe poetikisht më besnik”(cituar
sipas Volgang Kajzerit, Jezičko umetničko delo, Srpska književna zadruga,
Beograd, 1973, f.323). Thuajse deri në shekullin XIX dhe gjatë shekullit XX dhe
veçanërisht me ndihmën e pikëpamjeve të Hegelit, zotëronte bindja mbi
ekzistimin dualist të natyrës së artit: të përmbajtjes dhe të formës, të idesë
dhe të stilit, me ç’rast mendohej se arti është krijim i ndërtuar me vetëdije,
se ai është shprehje e mendimeve, kurse vetë shprehja kuptohet si stoli e
ideve. “Mjetet janë figura të njohura
nga retorika antike. Studimi i tekstit qëndron në këtë rast në konstatimin e
figurave retorike të cilat paraqiten në të (në tekst – shënimi im)” (Volfgang
Kajzer, Jezičko umetničko delo, f. 323). Po sipas Volgang Kajzerit, duhet bërë
përpjekje të kapërcehet rreziku i cili vjen nga ndarja e “formës” edhe e
përmbajtjes, e përmbajtjes nga forma” Gjuha s’do të thotë vetëm një Si (Wie), por njëkohësisht përmban edhe
një Çfarë (Was).
Emërtimi
mjete stilistike buron nga kultura antike e grekëve dhe e romakëve. Mësuesit
dhe teoricienët e tyre të gojëtarisë dhe të gramatikës i kanë vërejtur midis të
parëve karakteristikat e shprehjes gjuhësore, i kanë shënuar, i kanë vërtetuar
dhe i kanë caktuar në atë mënyrë si nocione parësore dhe sintetike nga analiza
stilistike, ashtu që në të gjithë shekujt, si edhe në kohën tonë, kanë mbetur
të kuptueshme, në esencë të sakta dhe në kuptimin teoriko-letrar të pranueshme.
Mjetet
themelore stilistike ndahen në dy grupe: në figura dhe në trope. Ekziston
një numër i madh i përcaktimeve të figurës, të cilat, kryesisht pajtohen me atë
se “figura” është mënyrë e gjallë e
të folurit se ç’është të folurit e zakonshëm dhe qëllimi i saj është që një
mendim, ide, porosi, ta bëjë të afërt me ndihmën e një tabloje, e ndonjë
krahasimi ose që edhe më tepër ta zgjojë vëmendjen me saktësinë ose
origjinalitetin e saj. Për Kuintilianin figura është “formë e tillë e të folurit e cila largohet nga mënyra e të shprehurit
të rëndomtë dhe të drejpërdrejtë”(Kvinitljian, Obrazovanje govornika, f.
280). Figurat gjuhësore të cilat mund ta stolisin të folurit, të emërtuara si
figura retorike (figurae rhetoricales),
ndahen në dy grupe: në figura të fjalëve
(figurae verborum) dhe figura të
fjalive (figurae setentiarum) – këto
të fundit emërtohen edhe si trope.
Në
historinë e retorikës gjatë kohë është zhvilluar kontesti rreth dallimit të
figurave të fjalëve, dmth. figurave një anë, dhe tropeve, në anën tjetër. Sipas
Kuintilianit “emërtimi trop jepet
atëherë kur fjalët barten nga kuptimi i natyrshëm dhe i parë, në një kuptim
tjetër për shkak të zbukurimit stilistik. Figura, ndërkaq, është ... formë e
tillë e të folurit e cila largohet nga mënyra e rëndomtë dhe e drejtpërdrejtë e
të folurit” (Kvintilijan, Obrazovanje govornika, f. 280). Edhe Pjer Giro
niset nga ndarja në trope dhe në figura, por për dallim nga Kuintiliani, që
edhe tropet i quan figura – figura të fjalëve, kurse shprehjen “figurë” në
kuptimin e Kuintilianit e lidh me shprehjen “figurat e mendimit. Si duket
klasifikimi që bën Giro është më i ploti dhe tek ai parimi i ndarjes është
shtruar më qartë. Të gjitha figurat Giro i ndan në katër lloje. Këto janë:
Figurat e diksionit – të cilat kanë të
bëjnë me shqiptimin e tingujve (nga lat. dictio – shqiptim). Këtu përfshihen:
metateza, proteza, paragoga, afereza, sinkopa, apokopa, diareza, sinteza,
kraza.
Figurat e konstruksionit – kanë të
bëjnë me sintaksën (me rendin e fjalëve): hiperbati, elipsi, zeugna, silepsioni,
pleonazmi, lidhja, ndarja, tërheqja, përsëritja, kundërthënia.
Figurat e fjalëve ose tropet: metafora,
sinekdota, metonimia, alegoria, ironia, sarkazmi, katakreza, eufemizmi,
autonomaza, metalepsia, antifraza.
Figurat e mendimit: hiperbola, litota, antiteza,
apostrofa, pasthirrma, epifonemi, subjeksioni, komunikimi, lejimi, numërimi,
gradacioni, suspensioni, ndërprerja, lutja, perifraza, prozopeja dhe
hipotipoza.