Shkruan:Besnik Tahiri
Tribunali i emëruar gabimisht
Në rrethana ideale Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte në hapësirat e ish- Jugosllavisë do të duhej të kishte një tjetër emërtim. Mund të tingëllojë jonatyrshëm, por ky do të duhej të ishte Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte të Republikës së Serbisë. Nuk synoj t’i injoroj krimet eventuale edhe në hapësirat tjera të vendeve të ish- Jugosllavisë, por dihet botërisht se në kuadër të një lufte, është një palë, ajo e cila kryesisht ngarkohet me përgjegjësi të drejtpërdrejtë dhe parësore. Pastaj, mund të flitet për përgjegjësinë e palëve tjera më përgjegjësi dytësore, të drejtpërdrejtë apo të tërthortë.
Për të qenë më i drejtpërdrejtë, terrori dhe dhuna e prodhuar nga luftërat në hapësirat e ish-Jugosllavisë ka pasuar dhe është rezultat i politikave të prodhuar në inkubatorët dhe gjeneratorët në Beograd. Aty gjendet gjeneza ideologjike, dhe fuqia vendimmarrëse, e cila u shërbye me monopolin e Beogradit mbi mjetet e forcës, luftës. Nuk kam hasur asnjë autor serioz të ofrojë tjera shpjegime e argumente, pos atyre që Beogradi dhe Milosheviqi me qarkun mbështetës të tij të jenë përgjegjës për terrorin luftarak në Kroaci, Bosnjë, Kosovë, dhe atë të mbetur në tentative dikur herët në Slloveni. Historia do të arrijë të gjykojë plotësisht dhe drejt rolin e Serbisë në luftërat e fundit, drejtësia do të arrijë atje me shumë defekte e mangësi. Mund të thuhet se në shekullin XXI drejtësisë ndërkombëtare i mbetet shumë për të bërë, në mënyrë që të arrijë standardin e nevojshëm, atë që shoqëritë njohin në nivel të drejtësive shtetërore dhe jo vetëm që do të dënojë liderët e Serbisë gjenocidale, por do të denoncojë dhe ideologjinë dhe pirësit e tyre politikë nacionalistë.
Tribunali Ndërkombëtar dhe Kosova
Emërtimi i gabuar i Tribunalit ka rezultuar edhe me mandat të gabuar, ndërkaq mandati i gabuar ka prodhuar trajtimin jo të qëlluar të palëve. Të shohësh një qytetar të Republikës së Kosovës të ndodhet në të njëjtën ndërtesë, dhomë, karrige me kriminelët e sofistikuar, ata që ‘gatuan’ krimet në zyrat vendimmarrëse dhe në terrenet ku luftohej për të shfarosur tjetrin vetëm për shkak të një besimi, kulture dhe gjuhe ndryshe nga ajo në çfarë thirreshin dhe proklamonin këta kriminelë, është TURP.
Andaj, publiku ndërkombëtar dhe ndërgjegjja njerëzore, ajo çfarë nxiti intervenimin e NATO-s, meriton të marrë mesazh të qartë që në kuptimin e drejtësisë ndërkombëtare, politika e Beogradit dhe eksponentëve të luftës janë përgjegjësit parësorë dhe të drejtpërdrejtë. Tribunali përpos bërjes së drejtësisë do të duhej t’i shërbente një qëllimi të tillë gjithashtu. Por, faktikisht gjykimet sikurse rasti z. Haradinaj cenojnë drejtësinë reputacionin e drejtësisë ndërkombëtare.
Sot e dje
Në përcjellje të seancës përmbyllëse të rastit të z. Ramush Haradinajt para Tribunalit, duke sjellë në mendje këto që tashmë u thanë në këtë artikull e them dhe e ritheksoj se dorëzimi dhe paraqitja vullnetare i z. Haradinaj në kohën kur ishte kryeministër, pas dorëheqjes, ishte vazhdimësia e luftës kundër padrejtësive me mjete tjera. Jo vetëm si pasues, por edhe si qytetar i këtij vendi mburrem me vendimin e tij të guximshëm, vendim i mbështetur në vizion dhe kauzën e Republikës së Kosovës për të gjetur vendin në mesin e kombeve të lira dhe të pavarura, edhe pse drejtësia ndërkombëtare mbetet shpesh e vonuar, e qe besa shpesh e relativizuar.
Tani kur z. Haradinaj dhe mbrojtja e tij bindshëm dëshmuan që ai, lufta e tij dhe Kosova nuk kanë gisht në akuzat fiktive, mendoj se ai si luftëtar, lider dhe qytetar, i bëri vendit shërbimin më të madh. Mos të harrojmë se sot dhe dje u braktis themeli i aktakuzës, nga ana e prokurorisë, pasi që siç tha Mbrojtja, ata u bazuan në dëshmi të pavërteta. Si rrjedhojë u komprometua ky proces, pasi që dëshmitë kyçe ishin të paqëndrueshme. Mbrojtja e Haradinajt, i ka kundërshtuar pozicionet e prokurorisë rresht për rresht, duke ofruar prova dhe evidencë që nga faktet e drejtpërdrejta deri te dëshmitë gjatë procesit të parë.
Vlen të theksohet se Mbrojtja e z. Haradinaj e cilësoi atë si udhëheqës politik të shkëlqyeshëm, një person, i cili mund ta bashkonte politikën e Kosovës, dhe të siguronte mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar. Z. Haradinaj, gjithmonë sipas provave të Mbrojtjes së tij, “ishte një person shumë i angazhuar për mbrojtjen e pakicës serbe, të cilët mbetën brenda kufijve të Kosovës”, dhe si i tillë, ai përfaqësonte një kërcënim të fortë politik për konjukturën politike në Serbi, që në atë kohë ishte e angazhuar që ta pengonte Kosovën që të shkëputej dhe ta shpallte pavarësinë dhe të angazhohej në mënyrë të pa-kompromis për të siguruar udhëheqjen e saj politike. Në fund të prezantimit të tij, ai lexoi edhe deklaratat e zyrtarëve të lartë ndërkombëtar, gjeneralit Klaus Rejnhard dhe të ish-shefit të UNMIK-ut, z. Soren Jesen-Petersen, se z. Haradinaj ka qenë njeri i përkushtuar në punë, një partner i vërtetë i bashkësisë ndërkombëtare, me synim ndërtimin e një shteti demokratik, të lirë dhe të sigurt për të gjithë.
Andaj, me bindje ju them se, z. Haradinaj kësaj radhe nuk e mbrojti vetëm nderin e tij personal dhe luftën e tij të drejtë, por gjithë kauzën tonë për liri. Argumentet, provat dhe evidenca e prezantuar në këtë pjesë të rigjykimit është një ngjarje historike, pasi që kjo po e vërteton kauzën tonë të drejtë për liri dhe mbi të gjitha pastërtinë dhe nderin e luftës çlirimtare, të cilën e bëri z. Haradinaj dhe ne si popull në tërësi.