2012-07-16

SHQIPONJA E KULLËS SË ADEMAJVE NË SHEREMET




Prof. Dr. Agron Fico, Nju Jork



 (Në nderim të dëshmorit të kombit, Vezir Hysen Ademaj)
Kulla është Atdheu. Kulla është vatra familjare. Kulla nuk është thjesht ndërtesa-mburojë. Kullat shqiptare kanë qenë dhe janë njëherazi Panteoni i nderimit të trimërive të brezave dhe i amanetit për të rinjtë.
Kullat shqiptare kanë qenë shkollat dhe universitetet gojore të edukimit atdhetar dhe virtyteve të racës shqiptare: burrëria, besa, bujaria, mikëpritja, ndershmëria dhe kodi fisnik shqiptar. Në ato kulla ashtu si aulat universitare, dhoma e miqve, ishte tribuna e mendimit të urtë dhe e fjalës së drejtë.
E tillë është edhe Kulla e Ademajve në Sheremet. Kulla e bujarisë dhe mikpritjes, derë-hapur për miqtë dhe luftëtarët e Lirisë. Në këtë vatër atdhetare shumë brezash Hysen Ademaj u mësoi dhe u kaliti djemve të vet virtytet e larta të atdhe-dashurisë dhe besës, të sakrificës dhe të qëndresës, të të jetuarit me nder dhe dinjitet.
“Organizime janë bërë nga kjo Kullë – kujton vëllai i dëshmorit, doktor Hasan Ademaj, dhe vazhdon – ku janë ndihmuar ushtarët e UÇK-së, në transportimin e armatimit dhe mbartjen e tij  nga Shqipëria për t’i futur në zonat ushtarake të Dukagjinit”.
Nënat shqiptare, siç kam shkruar në një Ese, nderohen si hyjni nga iliro-shqiptarët për rolin e tyre të pamasë në formimin atdhetar dhe të virtyteve të breza e brezash të rinj në historinë shqiptare.
Aty, në kullën e Ademajve në Sheremet, Vezir Ademaj, ashtu si vëllezërit e tij, u nanuris me ninullat e nënë Merjemit, që i këndonte:
Fli, o biri im, fli,
Të rritesh të bëhesh burrë,
Si Kastrioti e Azem Bejta…

Epos i kreshnikëve
Një nga thesaret më të lashta dhe më të pasura të kulturës iliro-arbresho-shqiptare është eposi   heroik shqiptar, i njohur edhe si eposi i kreshnikëve.
Universi i eposit heroik shqiptar ngërthen gjithë botën shqiptare të malësisë, rendin shoqëror dhe familjar, virtytet e larta të shqiptarit si: trimëria dhe nderi, besa dhe mikëpritja; dashuria e pamasë për lirinë, zakone dhe kanune tradicionale, besime të lashta, jeta blegtorale, natyra dhe bjeshkët e bukura, etj. Shkurt, një enciklopedi e jetës, kulturës dhe përjetimit artistik.
Kryetema, motivi themelor i këtij eposi madhështor është qëndresa e furishme, luftërat dhe ndeshjet kundër vërshimit të egër sllav, ose siç thuhet në epos lufta “kundër krajlave të krajlisë”. Muji dhe Halili dhe bashkëluftëtarët me ta jo vetëm përshkruhen me fuqi të pamasë, por mbi të gjitha janë “trim mbi trima”.
Kjo poemë madhëshore shqiptare është tepër e përhapur edhe e gjallë ende në zonën e Dukagjinit dhe këngët e saj jehonin shpesh në kullën legjendare të Ademajve. Çdo këngë është frymëzuese, por djaloshin syshkëndijë Vezir Ademin, e tërhiqnin më fort vargjet nga kënga e Gjergj Elez Alisë e këtij eposi:
Baloz, jam dredhë n’ket log për me t’kallxue,
Se ne t’parët nji kanun na kanë lanë:
“Armët me dhanë përpara e mandej gjanë,
Kurr bajlozit motrën mos m’ia dhanë,
Për pa u pre n’at fushën e mejdanit!
Por shtrëngoju bajloz se t’ka ardhë dita,
Se ktu i thonë-o Gjergj Elez Alia!
(Folklori shqiptar, II. Epika legjendare, 1966 f. 90)
Dhe stërnipërit e Gjergj Elez Alisë, në atë 25 korrik 1998 kishin dalë në log të mejdanit për të ndalur dhe shkatërruar bajlozat e zinj serbë. Ata ranë fizikisht, por hynë në legjendën e re shqiptare, fituan pavdekësinë.
Historia e gjallë
Kasapi i Ballkanit, Milosheviçi, në planin sekret “patkoi i kalit” kishte planifikuar zhdukjen e shqiptarëve të Kosovës me një oporacion të tipit nazist, që synonte dëbimin masiv të shqiptarëve dhe popullimin e Kosovës kryesisht me kolonë serbë. Zjarri i luftës ishte ndezur dhe krijimi dhe zgjerimi i UÇK-së u bë trumpeta e luftës popullore. Shqiptarët të ndihmuar nga NATO, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në krye, e ndalën dhe e shkatërrun makinën ushtarake serbe.
Bijë e Kosovës u ngritën në këmbë, rrëmbyen armët dhe i vunë gjoksin burrëror pushtuesit serb.
Vezir Ademaj la studimet në Zvicër, erdhi dhe u bashkua me luftëtarët e lirisë në zonën e Dukagjinit. Ai shpejt u dallua për guxim, për trimëri dhe vetëdije të lartë dhe prandaj u caktua përgjegjës i “Komandos”. Luftimet ishin të ashpëra në gjithë Kosovën. Trupa të shumta dhe të armatosura gjer në dhëmbë serbe vritnin pleq e fëmijë, gra dhe burra, digjnin dhe shkatërronin shtëpi dhe  zhduknin bagëtitinë e  pasurinë e shqiptarëve të Kosovës. Ata ndiqnin politikën koklonialiste të tokës së djegur. Përballë kësaj forca armike shkatërruese u bënë barrikadë e flaktë populli kosovar, bijtë dhe bijat e tij trime. Në një nga këto përleshje të ashpëra, më 25 korrik 1998 ra heroikisht në betejën e Kallavait, në zonën e Junikut, Vezir Ademaj, kjo legjendë e dalë nga kulla e njohur e Ademjave në Sheremet.
Image
Vezir Ademaj duke i stervitur ushtarët e rinj
Vitet  tutje dhe Ti tëhuKoha rrjedh vrullshëm nëpërmjet ngjarjeve të mëdha dhe të përditëshme. Po ndodh edhe një dukuri tjetër madhore. Dëshmorët e kombit, Vezir Ademi vijnë gjithnjë e më afër nesh, vepra e tyre e shenjtë, vdekja për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, bëhet gjithnjë e më e çmuar dhe më e dashur. Kjo shfaqet në shkrimet e shumta, në fjalët e zemrës që shkruajnë njerëz të ndryshëm për studentin trim, për Vezir Ademin. Ata shkruajnë thjesht, por me sinqeritet ose më saktë transkriptojnë në letër ato që u thotë zemra dhe mendja, fjalë nderimi.
Gazetari dhe autor librash, Muhamet Mjeku, shkruan:
Shtati yt si shtizë flamuri
U skalit në monument përjetësie.
Në gjakun tënd Vezir Ademaj,
Mbinë lulëkuqet me erë lirie.
Ndërsa gazetari Sinan Kamberi në “Kangë për Vezir Ademajn” portretizon dëshmorin në betejën e fundi, ku bie edhe trimërisht, duke evokuar pavdekësinë:

Të lumtë pushka, o Vezir trimi,
T’knon martina si zog bylbyli!
Prej Glloganit e dej n’Koshare,
Jehojnë pushkët , o çlirimtare…
Dhe poemthi mbyllet me vargjet e pavdekësisë:
Për sa t’jenë Bjeshkët e Shkëlzenit
S’do t’harrohet -o, Vezir Ademi!

Plot emocione janë edhe vjershat e këngët e krijuara nga Shaqir Krasniqi, Hamit Kastrati, Tom Gjergji, etj. Në këto krijime do të veçoja baladën “yll lirie” në 180 vargje, shkruar nga Halil Buçpapaj në stilin e traditës dhe në monokolonë, në të cilën përsëritjet dhe epitetet i japin muzikalitet baladës. Ja një shembull:

“Jam shqiptar e bir shqiptari”
Qysh kur në jetë m’erdh i pari.
Shqip flet toka, shqip flet druri.
Shqip qyteti e shqip katuni.
Jam shqiptar prej njëqind shekuj.
Me të gjallë e me të vdekur.

Kem flamurin kuq e zi,
Atë flamur që vlon n’Shqipëri…
Image
Kulla e Ademajve ne Sheremetaj
Për dëshmorin e kombit Veiz Ademaj është shkruar dhe shkruhet jo vetëm në vargje, por edhe në artikuj, intervista, etj. pra siç thuhet edhe në prozë. Po permendim vetëm një prej tyre, artikullin e studiuesit Besim Muhadri, shkruar me rastin e 12-vjetorit të rënies së Vezir Ademit, me titull “Vezir Ademi – luftëtar i paepur i lirisë së atdheut. Në artikull trajtohen këto çështje: Kush ishte Vezir Ademi; dëshmor i kombit; Vezir Ademaj; kampion svicerian në kik-boks kërkon që të mbrojë ngjyrat e Flamurit shqiptar; fillimi i luftës në Kosovë – Veziri kthehet në luftëtar lirie; rënia për liri.
Ndërsa Ali Geci në një apostrof poetik gdhend bjeshkët e natyrës shqiptare:
Mbi ato kodra, brigje e shpatije,
Mbi ata lisa të gjatë, me shkëmbinj thepisun,
Mbi sogje pllaja e ujvare,
Mbi frangji  të kullave me pigmente të rralla,
mbi çati e pullaze të ndezur nga flaka…
Aty lartësohet monument i pavdekësisë së Vezir Ademaj.
Trimat, dëshmorët e lirisë së Atdhuet , i takojnë tërë kombit, pavarësisht se nga ç’fshat, qytet ose krahinë janë. Ata bëhen pjesë e ndërgjegjes kombëtare dhe kënga i përhap si valët e erës nëpër tokën arbërore.
Kështu ndodh edhe me dëshmorin Vezir Ademaj. Në ballkonin e kalasë së Gjirokastrës, aty ku mbahet çdo pesë vjet festivali kombëtar folklorik, një grup polifonik këndonte në një melodi epike:

O Vezir Ademi asllan,
e dhe Jetën për vatan,
Për vatan e për liri,
Për Kosovën bukuri!
Mbete gjallë në histori.
Jehona e e isos së kësaj kënge kapërceu malin e Gjerë, arriti në Tomor dhe u ngrit e u ngrit dhe arriti në Shkëlzen dhe në Bjeshkët e Alpeve. Andej kjo iso-jehonë hyri nga frëngjitë e Kullës së Ademjave në Sheremet, në odën e zjarrit. Aty e dëgjuan edhe Bacë Hyseni dhe nënë Merjemi. Ajo iu bashkua jehohës me dëshirë-urimin:
Hallall buka, hallall sisa,
Hallal t’u bëfshin të gjitha..!
E kjo iso-refren tashmë është dëgjuar në të gjithë Rrafshin e Dukagjini:
Për Kosovën bukuri,
Mbete gjallë në histori
!

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...