Shkruan: Fahri Xharra
Ishim në gjumë të gjatë shekullor. Flinim e flinim. E edhe nëse e donim zgjimin, fillonte terapia e re me “sedativë ” edhe më të fortë se herëve të kaluara që ta na e kthenin përsëri gjumin, që kurrë të mos zgjohemi. Na e kishin frikën?!
Nga ai gjumë shekullor, kurrsesi të zgjohemi, ngase interferencat magnetike të antenave të huaja po i pengojnë valët tona, ato të ndritjes së mendjes sonë. E dinin mirë që... “Rreziku më i madh i Turqisë, nga të gjitha kombet që jetojnë në perandorinë tonë janë shqiptarët; është frikë e madhe nga ky të mos zgjohet nga gjumi i rëndë, të mos mëkëmbët, të mos marrë diturinë në gjuhën e vet sepse atëherë e mori lumi Turqinë. (Jusuf Buxhovi, Nga Shqipëria Osmane te Shqipëria Evropiane).
Sytë “e poshtër” të së kaluarës
E kishin frikën nga zgjimi ynë. Ende na e kanë frikën nga të gjitha këndet (alfa, beta, gama) të trekëndëshit kundër-shqiptar brinjëndryshëm. Pra? Por, në emër të ” lirisë “së shprehjes dhe të folurit po shfaqim atë që nuk është pjellë e mendjes sonë. Po e themi edhe atë që sikur t`i lexonim në shtypin e huaj për ne, do të ofendoheshim shumë, do të mendonim që ende bota po na shihka me ata sy “të poshtër” të së kaluarës.
Është trishtim i madh të lexosh nga një pjesë e madhe e “ jazëgjive” (tur. jazëgji-shkrues, shënues), kur e harrojnë krejtësisht se çfarë iu besoi historia: nxjerrja nga mjerimi intelektual dhe nga tronditja psikike e një populli, që kishte vuajtur aq shumë dhe që ka nevojë më në fund për jetë, për shëndet dhe shëndoshje shpirtërore, me fjalë të tjera një përjetim të lirisë shpirtërore dhe mendore e automatikisht përgatitja e një ardhmërie shqiptare evropiane.
Një pjesë e madhe e “jazëgjive” (tur.yazici ) shqiptarë, si: në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e gjetiu kanë nevojë të ngutshme të “qytetërohen”. Ata janë shumë të “varfër” dhe të “rreckosur” kur e shkapërderdhin në mënyrë tragjike mendjen e popullit. Ngrehalucët e pandershëm, krejtësisht të pandjeshëm ndaj “përgatitjeve” nga kuzhinat antishqiptare vazhdojnë të jenë si të “dehur “ apo të “droguar” në “jazitë” e tyre (tur. jazmak- të shkruash). Duhet ditur se trëndafilat, zambakët, karafilat, të gjitha thahen, edhe çeliku e hekuri thyhet, por kombi i ynë as thahet e as thyhet.
Ali Asllani kishte për të thënë në këtë rast se koha është e maskarenjve, por atdheu është i shqiptarëve. Çudi e madhe, përsëritje e panevojshme kohësh!
Derisa Ajnshtajni thoshte se e “ardhmja e një kombi është e lidhur ngushtë nga edukimi që e merr rinia”, ne po e fat-keqësojmë ardhmërinë tonë duke nxjerrë në dritë fëmijë të parapërcaktuar për të qenë skllevër të kafazit të tyre mendor.
Ja, një nga “jazitë” (tur. yazi: të shkruash): “Është çmenduri... Me krijimin e shtetit të Ismail Qemalit, Qeveria e Vlorës me në krye Luigj Gurakuqin nisi krimet e para kundër multi-kulturalizmit në vend, duke mbyllur e djegur shkollat e Komunitetit Ortodoks dhe Mysliman. Dhuna që nisi Qeveria e Vlorës u vazhdua nga Qeveria e princ Vidit, e cila provokoi revoltën e myslimanëve të Shqipërisë së Mesme dhe ortodoksëve në jug. ...
Respektimi i feve dhe etnive
Arsyeja pse myslimanët dhe ortodoksët e Shqipërisë së Mesme mbështetën lëvizjen e Haxhi Qamilit dhe më pas Esat Pashën, është se këto dy parti nuk u mbyllën mejtepet dhe skolitë myslimanëve dhe ortodoksëve, por respektuan njerëzit me fetë dhe etnitë që kishin.” ....E çuditshme, çfarë lakmie antikombëtare!
Edhe koha e Zogut, mbretit të parë të shqiptarëve, që nga koha e Ilirëve, me “jazitë “gjykohet se: “... Familja e Nasirudin Albanit dhe hoxhallarëve të tjerë shqiptarë që bënë emër në botën arabe, u larguan nga Shqipëria në kohën e Zogut, kur nacional-rilindësit tanë implementuan një proces terrori kombëtarist, duke u ndaluar sheriatin myslimanëve, mbyllur zyrat e kadilerëve, hequr feset dhe ferexhetë, mbyllur medresetë në vend.”
“.... Edhe njeriu me i madh i shqiptarisë, i kohës së re Fan S. Noli, ofendohet në këtë mënyrë e me këtë edhe i gjithë populli shqiptar: ...” Pjesë e nacional-laicizimit të Shqipërisë ishte edhe krijimi i Kishës Autoqefale Ortodokse. Kush lexon bisedimet e Parlamentit shqiptar në vitet 1920 – do të kuptojë sesi populli ortodoks, as që donte të njihte Kishën Autoqefale, që aventurieri Fan Noli kishte ndërtuar.” ... Ky është kulmimi i papërgjegjësisë kombëtare.
Rrjedhat e dëshirave sado që të fshehura dukeshin, tani kanë filluar të dalin haptas nga “jazegjitë” shqiptarë”: “ ..... Nacionalizmi shqiptar u projektua si dinsëz ( i padinë e iman f. xh). Nëse deri në 1920, myslimanët shqiptarë besonin në Turqinë, e cila nënkuptonte ymetin e Islamit, Shqyptaria që u ndërtua pas Kongresit të Lushnjës kishte si bazë të saj devizën e Vaso Pashës “feja e shqyptarit asht shqyptaria”.... Do koment kjo.?
Vajtimi i “shqiptarëve “ për të kaluarën e “ndritur” shihet edhe nga këta lot që “të thajnë zemrën dhe shpirtin”: ”Shqiptarizim pësuan edhe emrat e atyre qytetesh që nacionalistët mundën t’i ndërrojnë – fjala bie Shkodrës iu hoq emri zyrtar që kishte deri më 1912 - Iskanderije. E njëjta gjë u bë me Lezhën, e cila më parë quhej Selimije. U ndërruan emrat e rrugëve e lagjeve nga osmane në shqiptarishte. U shkatërruan çarshitë e qyteteve për të ndërtuar rrugë sipas modeleve perëndimore.” . “U shqiptarizuan edhe shumë fshatra që kishin emra osmanë. “
Vaje e vaje, vaje qesharake, por që të bëjnë me të vërtetë të vajtosh. Të them të drejtën, kurrë s`e kam ditur që paska pasur Iskanderlije dhe Selimije.
“Procesi i shqiptarizimit ishte më i thellë në gjuhë dhe emra. Nacionalistë si Mihal Grameno, Kristo Floqi, Aleksandër Xhuvani, Kostandin Çekrezi e më pas Eqerem Çabeji, Aleks Buda etj., nisën që të kërkojnë të reformojnë gjuhën shqipe. Reforma nënkuptoi procesin e “heqjes së barbarizmave” nga gjuha, që do të thoshte fjalët turke dhe greke. U zëvendësuan me mijëra fjalë islame, që nga araba, çaush, hasëm, vatan, bej, penxhere, selam, hava, munafik, beledije, rais, sadrazam, vezir etj., dhe u zëvendësuan me fjalë latine dhe perëndimore, si: makinë, oficer, armik, atdhe, zotëri, dritare, paqe, qiell, hipokrit, bashki, president, kryeministër, ministër etj “.
Rilindja e një kombi
Siç shihet zotërinjtë shohin ëndrra me sy hapur në shekullin 21. Vaji nuk ka fund aq sa nuk ka fund ironia dhe thirrja donkishotiane e autorëve të tillë që shkruajnë: ......” Nacional-oksidentalistët shqiptarizuan edhe paratë, duke hequr nga qarkullimi paren dhe groshën turke dhe monedhat tjera dhe shpikën monedhën shqiptare, të cilën deshën ta quajnë Skënder (pas emrit të Skënderbeut) e më pas e lanë Lekë (pas emrit të Aleksandrit të Madh).” Jazegjitë vajtojnë , jazegjitë e shprehin pafundësinë e pezmit të tyre : “Po ashtu, nëpër shkolla nisën t’u thonë myslimanëve që emrat Hasan e Hysein janë të vjetër, e i nxitën të vënë emra Petrit dhe Astrit”.
“Dhembshuria për të kaluarën e “ndritur” nuk ka fund, vajtimi nuk përfundon me kaq duke vazhduar: ”Grupi që u godit më së rëndi nga procesi shqiptar-laicizues në Shqipëri, ishin myslimanët të cilëve iu shkatërrua sistemi i tyre jetësor, ligjet, gjuha, feja, kultura dhe u oksidentalizuan me pahir”.
Librat në osmanishte, në të cilat ata kishin shkruar historitë e tyre për 500 vjet me radhë u larguan nga sistemi dhe mësimi i osmanishtes dhe shkrimi i shqipes me germa arabe u ndaluan me ligj ... Por, përveç myslimanëve edhe ortodoksët u lënduan shumë. Ata u shkëputën me dhunë nga lidhja e tyre me Patrikanën e Kostandinopojës, se Fan Noli e bëri Kishë Autoqefale”. Dhembje e madhe për “lëndimin” e Kishës Greke që e krijuam Autoqefalin.
Por, edhe më e çuditshme është kjo: “Apo mos do të ndjekin në Shqipëri shembullin e rugovistëve kosovarë që Suharekën e kanë bërë Therandë, dhe Kosovën e quajnë Dardani, apo arbenxhaferristët që Maqedoninë e quajnë Iliridë? E çuditshme kjo habi e tyre.
Faik Konica e shkruante një letër një miku të tij: “ Robër të poshtër nga 500 vjet e më shumë, robër për jetë do të mbeten. Unë faqeza t`a them: S`kam shpresë të bëhet kurë gjëkafshë, dhe jam sigurt se të gjithë ata që mendohen pakë , në mendje t`ime janë….500 vjet robëri nuk i tundi pakë. Të pasurit s`ndihën, të papasurit s`punojnë. Ç`presim ahere?....” Me të vërtetë për t`u dëshpëruar! Pse të na përsëritet koha e Faik Konicës ?
Tekefundit një gjë ta kemi të qartë: “Nëse një komb nuk ka rilindur dhe nuk ka bërë transformime rrënjësore brenda tij pasi ka parë se janë krijuar kushtet për një gjë të tillë, duke injoruar një vendim të tillë historik për të dhe qenien e tij, ai pastaj vetë është zhytur në padrejtësi dhe në humbje të qëllimit të tij të plotë. Gj. Keka”. Ruana zot!...