2012-07-16

Jasha Zlobec, luftëtari i paepur për Kosovën dhe shqiptarët




Jasha Zlobec duke folur per shqiptaret ne Cankarijev Dom  me temen: ”Hapësira e përbashkët kulturore shqiptare,”  mbajtur më 23 qershor 1990.
Jasha Zllobec e Salih Kabashi gjatë vizitës së tyre në SHBA.


Jasha Zllobeci (1951-2011) ka qenë për rreth njëzetë vjet miku im më i mirë. Sa herë ia kemi ndjerë lezetin kafes së përbashkët të mëngjezit, sa gota kemi ngritur bashkë, sa byfe kemi frekuentuar, sa biseda kemi zhvilluar, sa mospajtime i kemi diskutuar, sa libra kemi këmbyer, sa herë kam qenë te ai e sa herë ai e Shtefka kanë qenë për vizitë në banesën time në Lubjanë… Edhe si slloven ai për shqiptarët ka qenë ndër shqiptarët më të mirë… E quanim dhe atij i pëlqente ta thërrisnim Irredent Jashari…
Nga Salih KABASHI
Gjithçka e dobishme për shqiptarët në Slloveni ka pasur krahun e Jasha Zllobecit : Këshilli për Mbrojten e të Drejave të Njeriut në Kosovë (Lubjanë, mars 1989), Shoqata Kulturore Shqiptare « Migjeni » me revistën « Alternativa » (qershor 1989), revista shqiptare « Republika » (1990), tubimi i pozitës dhe opozitës sllovene në Cankarjev Dom në mbrojtje dhe përkrahje të minatorëve në Stantërg, protestat e shumta shqiptare-sllovene në Sheshin Preshern, peticionet, kumtesat ku kërkohej tërheqje e kontigjenteve sllovene të milicisë sllovene nga Kosova, largim i ushtarëve sllovenë nga APJ për shkak të implikimeve të kësaj të fundit në shtypjen e revoltave të shqiptarëve… Dhe shumë nisma, shumë ndërhyrje te autoritetet sllovene në republikë dhe në federatë, në median sllovene. Të gjitha këto e kishin kreun e tyre të dukshëm e nën hije, që gjithmonë ishte një dhe i pari, Jasha Zllobeci, i cili bashkë me të jatin Ciril Zllobecin kanë merita të jashtëzakonshme edhe për praninë e kulturës e të letërsisë shqiptare, sidomos të asaj të Kosovës në gjuhën sllovene. Jasha Zllobeci ishte ai që nxiti dhe arriti që në fillim të viteve ’90 të shekullit të kaluar të hapte Lektoratin e Gjuhës Shqipe pranë Faklultetit Filologjik të Lubjanës.
Jasha Zllobeci për mendimin  tim, edhepse slloven dhe i huaj është një pjesë e shkëlqyeshme e historisë së zgjimit demokratik të shqiptarëve nën ish-Jugosllavinë. Angazhimi i tij nëpër tribuna, promovime, debate ishte i përhershëm, shumë intensiv dhe nga pozita të njohësit të thellë të problematikës shqiptare në shtetin e dikurshëm të përbashkët.
Si një poliglot i pa shoq, ai kishte krijuar lidhje dhe miqësi të shumta me lëvizje antitotalitare nëpër Evropën Lindore dhe në Perendim. Mund të them se ai dhe unë me të nga 1988 deri më 1991 kemi dhënë me dhjetëra intervista e dëshmi mbi terrorin serb e jugosllav mbi shqiptarët në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi. Se sa të tilla ka dhënë vetëm ai, kjo është vështirë edhe të imagjinohet. Mund të them se përmes angazhimit të Jasha Zllobecit opinionit publik evropian po i dilte gjumi dhe po shihnin se vetëm dy-tre orë nga Parisi, një regjim jodemokratik dhe fashist po shtypte një popull. Duke falënderuar  Jashën, Lubjana në njëfarë dore u bë kryeqendër për informimin e opinionit botëror për përshkallëzimin e rrezikshëm të shkatërrimeve e të dhunës shtetërore mbi Kosovën e mbipushtuar nga Serbia.
Me Jashën, mu në fillim të 1990-ës kemi pas vizituar SHBA. Jasha duke qenë slloven, si i tillë edhe më i bindshëm, ka pasur një shkëlqim të paparë gjatë elaborimeve (në Kongres e në Senat) të pozitës së shqiptarëve që po shtypeshin nga soldateska, milicia dhe stalinizmi serb fillimisht i fshehur nën ombrelën e ndërhyrjes federative. Intervistat e shumta në radiot e shumta në SHBA, përfshirë edhe « Zërin e Amerikës » në shqip dhe në sllovenisht, mund të dëshmojnë shkëlqyeshëm kapacitetin argumentues dhe oratorinë brilante të Jasha Zllobecit.
Miqësia ime me Jasha Zllobecin ka qenë e gjatë gati një çerek shekulli. Ato vite i konsideroj edhe vitet më të suksesshme edhe të aktivizmit tim për Kosovën dhe shqiptarët dhe çlirimin e tyre nga Serbia e diktaturat.
Jasha Zllobeci jipte vullnetarisht gjak çdo vit. Si 17 vjeçar i kishte ofruar pjesë të lëkurës së trupit të vet një njeriut për të cilin kishte dëgjuar në radio se i djegur qëndronte shtrirë e në rrezik jete në spital të Lubjanës. Me gjithë insistimin e tij ai nuk mund ta bënte atë sakrificë e dhuratë të pazakontë në humanizmin e saj, sepse ishte i moshës jomadhore, ndërkohë që prindërit e tij që mund të nënshkruanin, ato ditë rastësisht nuk gjendeshin në Slloveni.
Para dy muajsh ai vdiq. I shkova në varrimin e tij në Zhale të Lubjanës. Funerali përbëhej kryekëput nga familjarë, miq e kolegë nga jeta të cilën ai e kishte pasur aq të vrullshme e aq të bujshme. Vitet e fundit të jetës iu bënë skajshmërisht e tmerrësisht të mundimshme. Për familjen dhe miqtë e tij tepër të trishtueshme. Atë para syve të tyre njëherë ngadalë, befas e tinëzisht, më vonë edhe përfundimisht e shtroi sëmundja e Alzheimerit. Ai burrë i fuqishëm pak nga pak mbeti vetëm në eshtrat e në lëkurën e tij. E kisha parë se si përpiqej të gjente fijet e mendimeve e të thoshte një fjalë, kot, nuk arrinte dot, pastaj i trishtuar i lageshin faqet me lotë. Dhe fillonte të nxirrte thirrma të paartikuluara e të frikshme.
Funeral i 9 dhjetorit i përbërë nga shkrimtarë, gazetarë, njerëz të kulturës, familjarë, në një ceremoni joreligjioze ishin grumbulluar për t’i dhënë lamtumirën atij njeriu të mirë. U mbajtën fjalime rasti nga kryetari i shkrimtarëve sllovenë Milan Jesih, nga publicisti e diplomati Franco Juri, nga filozofi Darko Shtrajn e nga disa të tjerë. Aty ishte e shoqja Shtefka me djalin e vajzat e saj e të Jashës. Ishin edhe prindërit, i ati, akademiku 90 vjeçar Ciril Zlobeci me të shoqen Veronika, nënën e Jashës. I pashë të krruspur, shumë të lodhur, të mplakur e të pikëlluar. Brenda një vitit ata po humbnin dy pasardhësit e vetëm të tyre, vajzën dhe djalin.
Familja e zllobecëve është nga Bregdeti i Istrës. Cirili pothuajse fëmijë i ishte bashkangjitur LNÇ. Kur më 1982 u instalova në Slloveni, në të vetmin vend ku mund të shkoja pa pasaportë, në njërin nga antikvariatet pata gjetur të përkthyera poezitë e Jusuf Gërvallës. E pata kërkuar dhe e pata gjetë përkthyesin. Ishte Cirili. Një burrë impozant dhe shumë e i hijshëm me një mjekër të zezë e të gjatë, gjithnjë i qeshur, jashtëzakonisht i ditur. Njihte problemin e Kosovës dhe më kujtohet porosia e tij që të mos ndalim përpjekejet për mvehtësi, por ato përpjekje të jenë të pandërprera, legale dhe sa më të gjera. E kam mbajtë mend porosinë e tij që kërkesat tona të mos i shfaqnim në mënyrë klandestine, sepse në atë mënyrë policia e Serbisë del me argumente të shpifur që kriminalizojnë luftën e lëvizjen tuaj të drejtë…  Më vonë e kam takuar shpesh dhe gjithmonë më fascinonte me mendjedritësinë e tij. Më pat thënë që ta takoja birin e tij që punonte në Cankarjeva Zalozhba (shtëpi botuese).
Me të birin e tij Jashën që më vonë u bë miku im më i mirë, jam njohur më vonë, fillimisht indirekt përmes serisë së shkrimeve në Mladina, të cilat i botonte nën pseudonimin Xhuli Shviga, një anagram me emrin e diktatorit sovjetik, ku ai i ridikulizonte deri në groteskë veprimet absurde të komunistëve jugosllavë që po i bënin varrin krijesës së tyre. Në ato shkrime të famshme që lexoheshin me shumë interesim, Jasha Zllobeci haptas tallej me veprimet serbe e jugosllave në Kosovë në emër të shuarjes së « vatrës së kundërrevolucionit irredentist shqiptar ».
Direkt e pata takuar në një debat ku unë shkova pa ftuar dhe jo vetëm hyra, por shfrytëzova rastin që edhe të merrja fjalën e të thosha disa gjëra që shqiptarët së paku ende nuk mund t’i thonin haptas. Të gjithë të pranishmit, ndër ta edhe intelektualë nga Lubjana e Zagrebi i pritën me shumë simpati fjalët e mia. Pos korrespondentit të RTV të Shkupit dhe dy vëllezërve shqiptarë me origjinë nga Mali i Zi. Këta të fundit më sulmuan ashpër duke thënë se unë po flisja me fjalor irredente dhe se nuk kisha të drejtë të përgjithësoja e të flisja njësoj edhe për pozitën e shqiptarëve në Mal të Zi e Maqedoni si për ata në « krahinën e Kosovës »… Aty për herë të parë pashë se ka njerëz që e njohin problemin shqiptar, që e kuptojnë dhe që nuk druajnë që të denoncojnë dhunën e represionin serb e jugosllav. Jasha Zllobeci që e mori fjalën dy herë dhe që ndërhyri nja dhjetë herë, tha gjërat duhet të shihen e të emërtohen drejt…, është fakt se Kosova po mbahet nën okupim policor-ushtarak. Është koha e fundit që, së paku sllovenët, të tërhiqen nga këto ndërmarrje të turpshme shtypjeje e terrori mbi shqiptarët në Kosovë… Në atë tribunë ishte edhe Vladimir Sheksi, i cili pak vite më parë kishte qenë i burgosur i ndërgjegjes. Me të dalë nga burgu ai kishte shkruar një libër i cili, pos tjerash, dëshmonte pozitën e rëndë të të dënuarve për delikte politike, veçmas të shqiptarëve të rinj…
Takimet e mia me Jasha Zllobecin kanë qenë pothuajse të përditshme. Me të për dhjetë vjet me radhë kam bashkëpunuar intensivisht. Të gjitha veprimet e rëndësishme për shqiptarët i kam koordinuar me të, duke nisur nga tribuna të ndryshme të mëvonshme, organizimin e Cankarjev Domit, protestat në Lubjanë, themelimin e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Kosovë, themelimin e Shoqatës Kulturore Migjeni të Lubjanës, të revistave Alternativa dhe Republika, të simpoziumit për Hapësirën e përbashkët kulturore shqiptare që më 1990 u mbajt në Lubjanë, në njëvjetorin e aktivizimit të Migjenit, ku referatin kryesor, i cili ishte në fakt një material i vërtetë programatik për mbrojtjen nga copëzimi i tërësisë sonë kulturore që rrezikohej nga elitat politike e policore të Maqedonisë, Serbisë, Malit të Zi dhe të APJ-së, e pat mbajtur akademik Rexhep Qosja.
E thashë se me Jasha Zllobecin kemi pritur dhjetra gazetarë dhe kemi dhënë intervista të panumërta për shtypin botëror, kemi pritur dhe kemi dhënë intervista për ekipe të shumta televizive evropiane. Me Jasha Zllobecin në fund kam qenë edhe në SHBA ku jemi pranuar edhe në Kongres edhe në Senat ku Jasha Zllobeci në mënyrën më brilante alarmonte për agresionin e Serbisë të mbi shqiptarët.
Në karierën time kam takuar shumë dashamirës të kauzës shqiptare. Asnjë si Jasha Zllobecin. Asnjë me aq njohuri e me aq pasion për t’i mbrojtur shqiptarët. Ai ka shkruar me dekada për Mladinën. Shkrimet e tij, edhe kur kanë qenë me tematika krejtësisht tjera, kurrë nuk kanë qenë pa ndonjë pasus për Kosovën, shqiptarët e pozitën e pazgjidhur të tyre. Ai në ilustrimet e karikaturat në mediat sllovene gjithmonë paraqitej me kësulën e bardhë, me tirq dhe me një mitraloz në istikam lufte…Jashën njëherë unë e pastaj edhe rrethi ynë i miqve filluam ta quanim Jashar. Irredent Jashari. Ai qeshej. Në një ndejë njëherë disa prishtinas të pranishëm erdhën e shkuan me bindjen se me ta kishte qenë një Jashar, shqiptar i hershëm që e ka harruar shqipen po jo dashurinë për popullin e tij…
E kam përjetuar shumë rëndë vdekjen e tij. E dija se ai ishte i sëmurë rëndë. Atë njeri plot shëndet e plot elan e fuqi, atë burrë të pashëm, korpulent e elokuent, dalëngadalë e pabesisht nga viti 2006 e deri në fillim dhjetorit të tashëm e mposhti sëmundja e rëndë dhe e pashërueshme e Alzheimerit. Ai para tri vitesh humbi të gjitha mundësitë për të lidhur fijet e shregulluara në trurin e të tij. Sa herë kam biseduar me Shtefken dhe sa here kemi dashur të besojmë në një mrekulli. Nuk doja të besoja se ai po shkatërrohej ashtu përnjëheri. Më parë e mendoja, apo doja të besoja se ai po tallej me të gjithë ne dhe se një ditë do të këndellej dhe do të na thoshte me të qeshurën e tij aq të shëndetshme: Shihni, o të marrë se si u talla me ju… Jo, nuk ishte punë talljeje. Nuk kishte mundësi për asfarë mrekullie. Ai humbi fare derisa edhe vdiq.
Pas pavarësisë së Sllovenisë Jasha iu fut politikës, siç mund të futej në politikë një poet, një kolumnist, një shkrimtar hiperinteligjent me iluzionin se politikën do ta humanizonte e bënte të ndershme. Pastaj filloi karrierën diplomatike. Për dy mandate qëndroi ambasador i Republikës së Sllovenisë në Mbretërinë e Belgjikës. Kam qenë mysafir në rezidencën e tij në Bruksel.
Herën e fundit, ende të shëndoshë e të vetëdijshëm, e pata takuar në korrik 2006. Më kishte sjell një thes të madh plastik me libra, krejt beletristikë. Merri, më tha. Nuk kishte harruar se në shtëpinë time në Kosovë kishte rënë zjarri serb që mi kishte djegë të gjithë librat, fotografitë dhe gjërat e shkruara. “Po t’i jap, do të të jap edhe të tjera, sepse ti do ta ringrisësh sa më parë bibliotekën e re në shtëpinë tënde të re e në Kosovën tënde poashtu të re”.
“Shqipëria iu bashkua Kosovës!”
 Jasha Zllobeci ishte i njohur për skandalet e tij kundër regjimit. 
Më 1971 zgjidhet redaktor përgjegjës i gazetës studentore të Lubjanës “Tribuna”. Puna e parë e tij, në mbledhje të redaksisë, kritika të ashpra shahut të Iranit Reza Pahlavi dhe servilëve të tij jugosllavë. E përjashtojnë nga partia duke i thënë se nëse pendohet do ta kthejnë. Shkruan një tekst 70 faqesh ku tregon se kishte të drejtë ai e jo partia.
Më 1972 e karikaturon Leninin në faqe të pare të gazetës. E fusin në survejim policor.
Po atë vit kritikohet për komentet e tij mbi lëvizjen e Maspokut në Kroaci.
Në fund të 1972 ia marrin pasaportën, ngaqë kishte vënë kontakt me trockistë francezë dhe kishte shkruar se Hanry Kissingerin duhet rregulluar me një plumb kokës, ndërkohë që kishte kërkuar që të gjithë udhëheqësit partiakë jugosllavë duke përfshirë edhe Titon, duhet të japin dorëheqje.
Mbijeton nga puna në Radio Shtudent, por as aty nuk mund të rrijë rehat. Në prill 1974 hedhe në eter lajmin se Shqipëria iu ka bashkua Kosovës…
Jep edhe lajmin tjetër të rremë mbi gjoja dorëheqjen e KQ të Lidhjes së Komunistëve të Serbisë për shka të përjashtimit të shtatë profesorëve nga Universiteti. Gjyqi pas procesit që zgjati pesë vjet e shpall fajtor duke e dënuar me xhobën e 3/5-tave të rrogës mujore.
Tri veset e “këqija” të Jasha Zllobecit
Ne miqtë e tij që Jashën tonë Jashar e çmonim pa hesap, atij megjithatë ia njihnim tri vese të “këqija”, të cilat ai i pranonte dhe për të cilat aspak nuk pendohej.
E para, Jasha ka qenë një vjedhës i papërmirësueshëm i luleve. I vidhte ato në dyqane lulesh, në parqe qytetesh dhe në oborre e kopshte të shtëpive të huaja, ditën e natën. Shpesh i frikësuar e kam pa edhe vetë se si kapërcente rrethoja telash xhemborë dhe si një hajdut sypatrembur, pasi kryente operacionin dilte në trotuar i ngarkuar me një dëng lulesh nga m¨¨e të ndryshmet. Arsyetimi i Jashës ka qenë shumë i thjeshtë: Shtefka ( e shoqja e tij) i don lulet dhe unë dua që asaj t’ia bëj qejfin… Ne e dinim se pos kësaj ai me ato lule të vjedhura nganjëherë arsyetonte vonesat e mëdha në kthimin me kohë në shtëpi…
E dyta, Jasha ynë Jashar ka qenë një kleptoman, por vetëm në një tip dyqanesh dhe në një lloj malli – në librari e libra! E pranonte edhe vetë se rrallë ka ndodhë të dalë nga andej pa së paku një a dy libra të fshehura. Sidomos donte t’i “dëmtonte” libraritë jashtë shtetit, si ato të mëdhatë në Romë e Paris. Edhe në New York gjatë vizitës sonë nuk qe përmbajtur pa mbushë xhepat e palltos me të gjithë romane e Paul Austerit që i zuri syri…
E treta, e, kjo ishte shumë zbavitëse, Jasha shkruante shumë apele, peticione, të cilat pastaj i ofronim të tjerëve për nënshkrime. Nëse mblidhnim gjithsej 70 a 80 nënshkrime, në gazetat e median tjetër dilte se kishim mbledhur 10 mijë deri 15 mijë. Jasha ynë Jashar, si revolucionar i papërmirësueshëm, thoshte se asodore trembim regjimin, e alarmojmë deri në shkallën sa ai të humbasë sigurinë në fuqinë e tij…
Mosmirënjohja shqiptare
Kur ka vdekë Jasha Zllobeci, në varrimin e tij nuk ka marrë pjesë asnjë shqiptar i Kosovës me banim e punë në Slloveni, poashtu asnjë shqiptar dhe as edhe një institucion i vetëm kulturor nuk ka dërguar një telegram ngushllimi. Nuk kanë ngushlluar as dy ambasadat e dy shteteve shqiptare në Lubjanë. Kam shkuar vetë në të dyjat që t’u them se do të ishte e hijshme të bëhej një gjest ngushllimi. Ambasada e Kosovës dhe ata që takova atje me zhgënjyen tej mase. Ata as që i jepnin rëndësi atij gjesti të cilin ua sugjeroja. Ajo ambasadë që binte në sy me flamurin e shqyer e të përlyer, më shumë se gjithçkaje i ngjante një vendi mafiozësh që si të tillë janë komplet jashtë misionit të tyre diplomatik.
Shqiptarët e Lubjanës kanë ra në provimin e memorjes së tyre. Ambasada e Kosovës ishte karikatura e përfaqësimit të një shteti në një shtet tjetër. Edhe më keq, për Jasha Zllobecin sikur nuk kishin dëgjuar as Adem Demaçi dhe Lidhja e Shkrimtarëve, të cilës i prin ai. Mos të flas për ata biçimë poetë, shkrimtarë, publicistë që me vite të tëra, kur kanë shkuar në Lubjanë, nuk kanë njohur konak tjetër pos konakun e Jasha Zllobecit…
Sa here do ta kujtoj Jasha Zllobecin gjithmonë do të kujtoj njeriun e mikun tim më të mirë e sidomos mikun e madh të shqiptarëve. Kur do ta kujtoj vdekjen e tij do të kujtohem dhe pokështu do të turpërohem për mosmirënjohen monumentale shqiptare.
Jasha Zlobec, foto e viteve ’60

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...