AKADEMIA E SHKENCAVE TË VIDOVDANIT


Shkruan: Ramadan MUSLIU
Pas një heshtjeje të gjatë ASHAK-u, që nuk foli as në momentet kyçe për vendin, kur kishte nevoje që ky institucion të bëhet i gjallë dhe ta thotë fjalën e vet të nderit për momentet delikate të historisë sonë, kryetari i ri i saj u bë gjallë: foli me sa zë që pati, jo rreth problemeve të ndieshme të vendit e as për librat që po promovonte si “shkencë të rëndë”, por u prononcua për një botim tjetër që nuk pati lidhje me aktivitetin e organizuar, rreth të parës histori autoriale të Kosovës, botimit trevëllimësh, “Kosova” , të Jusuf Buxhovit. Ky reagim, i cili çuditërisht vjen në një moment që fare nuk lidhet me librin, ngase gjithë ajo tiradë e kryeakademikut dr. Hivzi Islami erdhi në aktivitetin “vetëpromovues” të botimeve stereotipe që bën ky institucion, është një përkrahje tinëzare e reagimit të akademisë simotër nga Beogradi, SANU, të shoqëruar, më parë edhe nga disa krrokama të çorbaxhinjëve të do instituteve anonime me drejtorëve të shumtë, qofshin “teologë”, “historianë” apo edhe intelektualë kinse të pavarur dhe qarqeve të identifikueshme qeveritare.
Reagime për libër që nuk e kanë lexuar
Një pajtim i koordinuar i faktorit serb, atij të “jashtëm” dhe faktorit vendor! E keqja më e madhe e këtyre reagime është se asnjëri prej tyre nuk merret me librin, me përmbajtjen e tij, as i bënë analizë të mirëfilltë për t’i gjetur vlerat dhe jovlerat, shkarjet dhe gabimet eventuale, por janë konstatime kuturu, madje reagime për një libër që nuk e kanë lexuar fare. I vetmi “argument” i këtyre reagimeve është se kinse prapa librit autorialë po i fshehkan njerëzit jokompetentë, duke e nënkuptuar përgjegjësinë shkencore që, sipas mendimit të tyre duhet të vijë nga titujt dhe gradat e munguara shkencore, që zakonisht ambientin tonë akademik nuk dëshmojnë asgjë më shumë pos faktit se janë rezultat një vetëdije korruptive, kur dihet si janë marrë e si merren titujt e caktuar e që kurrënjëherë nuk janë pasqyrë e dijes dhe formimit intelektual e shkencor, aq më parë kur është krijuar bindja se me marrjen e titullit kapet litari dijes përfundimtare për të cilin duhet të rrijë varur gjithë jetën. Të njëjtin as që e dinë se ç’shkolla kanë mbaruar të apostrofuarit, sepse nuk janë verbuar nga pasha e gradave dhe harrojnë se titujt shkencorë nuk funksionojnë apriori, pa një punë komplementare të vazhdueshme në sferat e preferuara të dijes, po aq sa harrojnë kontributin e vet në fabrikimin e padijes akademike në institucionet ku punojnë. Pak ka njerëz me grada shkencore që kanë dhënë ndonjë kontribut të shquar në shkencën tonë e aq më keq që rrethanat e reja i kanë fshirë fare shumë libra dhe kontribute “shkencore” të skribomanisë së tyre. Në jetën tonë të përditshme këta tituj të dyshimtë madje kane shkuar deri aty sa ata i kanë shërbyer si mjete represive ndaj dijes sepse përmes tyre, si në rastin konkret, shërbenin për uzurpimet e pozicioneve institucionale për një dije dhe shkencë të kontrolluar.
Ky reagim i kryeakademikut, aq më parë që është fyes dhe, aq më keq për të, që është kongruent me qëndrimet e akademisë serbe, veçanërisht që behët para njerëzve që statusin akademik e kanë marrë në rrethana jo fort të moralshme, të detyron të mendosh se kush janë këta tipa akademikë, cila është fytyra e vërtetë e këtij institucioni, tradita dhe historia që bëhet pikërisht nga anëtarët e saj.
Të gjitha institucionet e Kosovës janë rezultat i zhvillimit dhe avancimit politiko-juridik të Kosovës dhe kosovarëve që nga “banovina” e hershme, “obllasti”, “srezi” e deri te “krahina autonome”, duke pasur për bazë aktet e caktuara normative, ligjet gjegjëse, statutet e deri te kushtetuta. Edhe akademia jone e nderuar është pjesë e këtij procesi. Po ky proces i zhvillimit politiko juridik ka ndodhur brenda një sistemi ultra totalitar, domethënë ku çdo gjë u bë për shtetin dhe nevojat e tij dhe ku inteligjencia ishte në aktivitetin e vazhdueshëm të verifikimit “shkencor”, e më shumë moralo-politik. Vetëm një pakicë të nderuar në këtë institucion arritën të ruajnë nderin e fytyrën, kurse pjesa më e madhe e anëtarëve ishin në pajtim të plotë me rrjedhat politike, në pajtim të plotë më statusin e një institucioni të shtetit totalitar.
Pranimi i kritereve moralo-politike
Nga ASHAK-u as ka kërkuar kush e as kërkon që të jetë hartuese e projekteve të mëdha nacionale, aq më pak të projekteve analoge me SANU (Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Serbisë), por së paku të ishte një zëdhënëse e vockël e një përpjekjeje për emancipim politik, kulturor, shkencor dhe artistik të popullatës që e përfaqësonte, të sillte një mendim ndryshe ne jetën shkencore dhe artistike.
Akademikët tanë, pjesa më e madhe e tyre e pranuar me kriteret moralo-politike dhe pa ndonjë kontribut të dalluar shkencor, u akomoduan në këtë institucion dhe si struci, me kokën në rërë, shikonin se nga po shkon kërkesa legjitime e shqiptarëve për një avancim të statusit të tyre kushtetues.
Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës as gjatë viteve 80 nuk arriti të jetë partnere dhe rivale e simotrave të saj në ish-Jugosllavi e aq më pak të jetë një mburojë e popullit të saj të rrezikuar. Pikërisht shkrimtarët ishin ata që hapën frontin me ata të “Francuska 7” dhe jo vetëm që e hapën frontin, por edhe e fituan dyluftimin intelektual aq sa pala kundërshtare hoqi dorë nga ballafaqimi në Prishtinë. Ky ishte legjitimimi i parë ndërkombëtar i shqiptarëve si entitet serioz me të cilin duhet marrë politika ndërkombëtare.
Intelektualët suprem, çfarë i presupozon opinioni kosovar anëtarët e këtij institucioni, asnjëherë dhe në asnjë rast nuk patën të shkruar e as të thënë një fjali kundër regjimit dhe po e thanë atë fjalë ajo ishte pikërisht nën pikëpamjen e “internacionalizmit proletar”. ASHAK si institucion ishte pjellë e një shteti totalitar dhe atë filozofi e mbrojti deri në fund, duke mos pasur as ide e dije e as fuqi morale për ta thënë një fjali se shqiptarët jetojnë të okupuar dhe në komunizëm, se pjesa tjetër janë viktimë e një sistemi totalitar stalinist dhe se që të dy pjesët e kombit janë në shërbimin serbo-rus. Nuk e thane se ishin të zënë me shkencën e rëndë dhe me gradabërjet shkencore! Pra, ASHAK ishte një institucion pa identitet shkencor, artistik e intelektual, por me një profilizim të qartë politik. Për akademikun tonë ishte e mjaftueshme që para emrit të vet t’i fshinte si me gomë gradat “shkencore” dhe ta vendoste epitetin e gjithëfuqishëm “akademik” dhe me të fitonte të drejtën që ta shihte popullin nga “kali i bardhë”… Nuk e di se ndonjëri prej tyre ka çarë kokën se djemtë e vajzat e reja futeshin burgjeve serbe me idetë staliniste dhe nga andej dilnin ose te rirekrutuar ose të shkatërruar fizikisht e psikikisht. Është vërtet e rëndë dhe e dhimbshme të kujtohet ajo periudhë e aq më e dhimbshme që sot të kërkohet llogari për një gjendje të tillë. Mirëpo, ripërsërtija e historisë, rishfaqja e klisheve mendor konkurrent nga periudha e përparshme në një kohë kur ajo periudhë duhet t’i takojë historisë, të detyron të prekësh plagën e pashëruar.
Historia sipas skemave të historiografisë serbe
Po kjo akademi, duke harruar se akomodimi ideologjik socialist më nuk është i vlefshëm, nuk e kujton se tani duhet bërë riverifikimi i statusit, ridimensionimi i shkencave të saj, por pa dyshim edhe i moralit akademik. Këta akademik që në përurimin e objektit të ri ( po të qëndronin në të vjetrin do të krijonin idenë se janë relikt i një kohe të harruar dhe pjese e trashëgimisë kulturore analog me objektin!) presin shiritin e inaugurimit para një pllake me një citat nga mendimet e kryeministrit Thaçi. Mirëpo akademikët tanë nuk e lanë kryeministrin në hallet e veta politike, ngase deshën ta nxjerrin edhe si mendimtar, duke e bërë e bërë të skuqet fare nga ideja e marrë akademike. Me këtë akademikët tanë dëshmuan se mbetën ata “çantaxhitë” dhe sahanlëpirësit e vjetër, përherë të gatshëm për shërbesa politike.
Akademikët tanë edhe në planin shkencor dhe artistik për më shumë se një dekadë të aktivitetit nuk lanë shenjë kund. Edhe kur shkruan e botuan gjë, flas për projekte kolektive, ato kinse të karakterit kapital, çfarë ishte monografia për Kosovën, bënë punë për faqe të zezë: shkruan historinë sipas skemave të historiografisë shoviniste serbe. Aty, përkundër pikëpamjeve të Buxhovit, na e nxjerrin si nga kapela e prestixhatorit “shtetin mesjetar serb”, “kishën ortodokse serbe”, etj. Ky, pos një gabimi material, është edhe një gabim metodologjik. Le të na thonë se sipas cilit dokument të kohës dëshmohet “shteti mesjetar serb” dhe “kisha ortodokse serbe”! Çdo studiues serioz i kësaj problematike e di se historiografia serbe ka bërë një falsifikuat të madh historik, duke krijuar për nevoja politike “shtetin mesjetar serb” nga “Rasit” (Rashka) dhe rasianët tribalë, që nuk kishin asnjë lidhje me serbët. Këtë e di edhe një pjesë e historiografise serbe. Nuk ka nevojë për të qene ndonjë studiues i thellë i historisë serbe dhe për ta hetuar se e gjithë ai falsifikuat mbështetet në dy tre libra si “Letopis popa Duklanina”, “Istoria slavena” e Mauro Orbinit, “Istoria slavena ilira, donje e gornje Mezije”, të Gjuragj Brankoviqit dhe katër versione false të “krisovulave” kishtare, e që të gjitha të shkruara në gjuhë të huaja. Libri i Orbinit madje përkthehet pa 200 faqet e para, të cilat gjykuar sipas një citati nga libri i Jovan Rajiqit (“Краткаја Сербљи, Раси, Босни и Рами кралевств историја”, i shkruar në “staroslovenski”), ku flitet për Dardaninë dhe dardanët…
Asnjë fjalë kundër simpoziumit të SANU-së
Akademikët tanë të nderuar nuk e panë të arsyeshme ta thonë asnjë fjalë kundër simpoziumit shkencor të SANU-s, të e mbajtur më 2007 në Beograd, për ta “dëshmuar” se shqiptarët janë të ardhur nga Albania e Kavkazit ( këto materiale janë botuar në një liber, “Kavkazki albanci lazni iliri”, me këtë sqarim: Ова књига садржи проширене текстове реферата изложених 21. јуна 2007. године
на мултидисциплинарном округлом столу у САНУ “Методолошки проблем истраживања порекла Албанаца.). Jo vetëm se nuk e thonë një fjalë të nderit kundër, por teza e tillë në formë rudimentare shfaqet edhe në librin e një anëtari të këtij institucioni, që domethënë se vetë ky institucion kontribuon në mjegullimin e të kaluarës sonë. Por historia dhe historiografia është proces i hapur dhe çdo hulumtim, kurse hulumtimi i terrenit është në pikën zero, do të ndryshojë përfytyrimin sllav dhe të akademisë sonë për shqiptarët dhe etnogjenezën e tyre. Ky përfytyrim sllav është shndërruar në klishe mendor me të vetmin qëllim, që popullatën vendore ta privojnë nga historia dhe e drejta historike e tyre ndaj këtij vendi dhe që ky klishe është pranuar vetëm nga shkenca dhe inteligjencia kosovare, por jo edhe nga popullate shqiptare!
Akademia e shkencave heshti trimërisht, duke mos ia prishur politikës, për Pakon e Ahtisarit, me të cilën Kosova jo vetëm se u bë Kosovë e Metohi, si e quajnë serbët, por “metohi” fare se një pjesë e madhe e saj u shndërrua në pronë kishtare e me këtë edhe iu fal dhunshëm e drejta historike ndaj këtij vendi. Është e habitshme dhe e pafalshme se si një institucion i tillë të mos çajë kokën për historinë nacionale, që të mos shfaqë as më të paktin dyshim mbi versionin serb të historisë sonë nacionale! Kryetari i akademisë nuk dyshon në asnjë moment në leksionet e shkollës fillore dhe të mesme, se dije më të madhe për historinë edhe nuk ka, sipas të cilave serbët identifikohen nga emrat me etimologji të adaptuar sllave, kurse shqiptarët vihen në dyshim për shkak të emrave të tyre jo-etnikë. Historiografia serbe, një pjesë e saj, e di se Nemanja (te Rajiqi Nemani), Dushani, etj. janë hasianë, tribalë, sipas versionit bizantin e ilir, sipas atij raguzan...
Nuk e di sa e kuptojnë akademikët se institucioni i tyre gjendet në një moment delikat: ç’të bëhet me këtë institucion të ardhur nga sistemi totalitar?! As mund të reformohet e as të vazhdohet më të. Kishte të drejtë një qytetar që thoshte duke kaluar nga godina e këtij institucioni: “Tash që janë në këtë ndërtesë njerëzit pyesin: a thua se ç’punojnë këta njerëz brenda? Përpara, te godina e vjetër i patëm harruar se ekzistojnë fare”.
Derisa Jusuf Buxhovi e shkruan librin trevëllimësh me rreth 2500 faqe, pa harxhuar as një cent të taksapaguesve kosovarë, pa dëmtuar askënd dhe duke hapur një dritare të re të vështrimit të historisë nacionale, kurse këta akademikët harxhojnë gjithë atë buxhet për të na mësuar të mendojmë sllavisht.
Kryeakademiku harron gjënë elementare: historia e Buxhovit është projekt autorial dhe se për bazë ka një pikëvështrim personal i historisë dhe shfaqje e një botëkuptimi ndaj një procesi historik, çfarë janë të gjitha historitë analoge. Mendja e kryeakademiku tonë është e obesionuar nga klishetë mendorë të shkencës socialiste sa nuk di se ç’është projekti i një historie autoriale. ASHAK-u as ka pasur e as ka ndonjë mision të caktuar. Pse ky institucion nuk bën një projekt, së paku arsimor (fjala vjen, për shkollimin e kuadri të ri për gjuhët që po i munguakan kryeakademikut, si osmanishtja dhe sllavishtja e vjetër, por edhe “greqishtja e vjetër”, latinishtja, edhe gjuhë të tjera të vdekura, që do të mund ta bënte përmes një kërkese drejtuar institucioneve që përkujdesën për ngritjen shkencore të kuadrot universitar), që nesër ta kemi atë kuadër të specializuar që do të na e artikulojë tamam si duhet problemin e identiteti historik të shqiptarëve!?
Nuk ka se si të mos na kujtohen kontributi i madh i ASHA-së në jetën publike, krijimi i dy partiçkat akademike, fshatares jetëshkurtër dhe LBD-së edhe më jetëshkurtër, që ikën pa lënë gjurmë mësa idetë e këtyre bajlozëve të shkencës dhe artit kosovar!
Në fund fare, akademikët duan ta kenë mirë më pushtetin se ai ua ndanë buxhetin dhe zëshëm pajtohen me degradimin e jetës së njeriut tonë, ku intelektuali është shndërruar në tepricë teknologjike që duhet hedhur në plehra e injoranti faktor politik që vendimmarrës, që duhet të vendosë për mënyrë e jetesës sonë.

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)