2012-07-08

FORMAT E POEZISË LIRIKE ANTIKE




            Nga llojet më të vjetra të poezisë lirike që vijnë nga antikiteti janë: oda, himni, ditirambi, epigrami, epitafi, idila  etj.

            Himni (gr.hýmnos – këngëtim, vjershë) – vjershë me një ton solemn, të sinqertë kushtuar popullit, shtetit, më herët edhe sundimtarit. Në fillim himni ishte vjershë e kultit, në të cilën në Greqinë antike hyjnizoheshin ose lavdëroheshin hyjnitë ose heronjtë legjendar (Dionisi, Apoloni, Demetra, Hermesi), e cila këndohej me përcjellje muzikore. Në kulturën kristiane, në mesjetë, himn quhej çdo këngë religjioze e tipit të odes. Në kohën e iluminizmit himnet kishin madje edhe karakter didaktik. Prej sntimentalizmit dhe romantizmit himni e vërteton rëndësinë e këngës në të cilën këndohet raporti i poetit ndaj hyut, temave transcendente dhe atdheut, kurse shumë poetë i kthehen formës ekstatike të himnit nga koha antike, duke zëvendësuar ndjenjën kolektive të kultit me ndjenjën individuale të madhështisë dhe të entuziazmit (Platon, Hegel, Hajne etj.). Shumë më i lirë për nga struktura formale nga odja, himni shpesh është përzier me të, sikundër që edhe  në disa raste lehtë është njëjtësuar me këngën antike greke të kultit për nder të hyut Dionis – ditirambin.
            Himnin e kanë njohur të gjithë popujt e vjetër, e kanë njohur kinezët, japonezët, indasit, egjiptasit etj. ku lidhej me ceremonitë fetare dhe lavdëronte hyjnitë e ndryshëm, (për shembull në Egjiptin e vjetër këndohej për lavdinë e diellit). Kristianizmi i kultivonte sidomos himnet kishtare për nder të hyut dhe shejtnorëve të rëndësishëm dhe të njohur, të shkruara latinisht në kishën perëndimore, kurse në greqisht në atë lindore. Edhe protestanizmi i kushton kujdes të madh kësaj forme. Himne do të këndojnë edhe poetët e mëvonshëm. Janë të njohur poetët gjermanë, Friedrich Novalis (1772-1801) me përmbledhjen “Himnet e natës” dhe Friedrich Hölderlin (1770-1843) me himnin Idealet e njerëzimi. Himne kanë shkruar: Alkeu, Safo, Pindari – te grekët; Horaci – te romakët; Derzhavini, Pushkini dhe Lermontovi – te rusët etj. Në letërsinë tonë himne kanë shkruar: Asdreni, Noli, A. Çaçi, Kristo Floqi, Z. Serembe etj.

Flamûr! Ti që me shkabën po valon,
E ndehesh palë-palë i lavdruar,
O trashëgim i prindve pa harruar,
Vallë ç’po ëndëron?

Sot po flakron i mburun në Shqypni,
Dhe ëndra pa pritur po n’a çfaqet,
Gëzohen gjithë fiset e bajraqet,
Që ndrit me një madhni!

Të shoh flamûr i kuq i Skënderbeut,
Ti meriton dafinë e kurorë,
Burra sa e sa për ty ranë dëshmorë
Për nderin e Atdheut!

Tmer i armikut, të njoh cili jé,
Kreshnik, krenar, si kundër të tregojnë,
Që hon’e gërxhe edhé sot dëshmojnë
Kush ishe ti për né!

Flamûr i shêjtë për né ti mos msho,
Se sa të mundim ty do t’ të nderojmë,
Qollë s’të lëmë, jo, s’të turpërojmë,
As pak mos dysho.

Shko njatë Leshit, ndehu e qëndro,
Xgjoje nga gjum’i rënd’ e i paprerë,
Atën e Kombit Skënderben’ e ndjerë,
Me shpres’ e qetëso.

Atjé, te varr’i shêjtë ku do vesh,
I thuaj se Shqiptarët nuk harrojnë,
Gjyshët e prindët nuku mohojnë,
O! Lark kjo qoftë nesh!

Qofsh i bekuar edhé lâ e mê lâ,
Flamûr, për né ti mos kurseh bekimet,
Për të mbaruar ca mê shpejt qëllimet
E ëndrat e mbëdha!
(Kristo Floqi, Flamûri jonë)

            Oda (gr.ode ose aoide – këngëtim, këngë) – vjershë entuziaste kushtuar ndonjë personi ose ngjarjeje të rëndësishme. Forma e saj nuk ka qenë aq e përcaktur. Poeti sinqerisht shquan me fjalorin e zgjedhur dhe ngjyra të forta prirjen e  fuqishme ndaj temës mbi të cilën këndon. Në Greqinë antike ode quhej çdo vjershë që këndohej nga kori, çfarë tregon edhe origjinën e saj nga këngët korale. Është një formë e shpeshtë në të gjitha kohërat, sepse përherë gjen tema mirënjohjeje. Liriku grek Pindari (518 ose 522-442 p.e.s) në odat e tij madhëronte fitimtarët në lojërat olimpike., kursa poeti romak Horaci (65-8 p.e.s) këndonte mbi dashurinë dhe sentencat e zgjedhura filozofike. Poeti anglez John Keats (Xhon Kic, 1795- 1821) këndoi Oden mbi bilbilin, pastaj Oden mbi urnën, duke lartësuar bukurinë si vlerë të amshueshme, kurse Percy B. Shelly (1792-1822) Oda e erës perëndimore dhe Laureshës. Shumë ode u janë kushtuar poetëve, piktorëve, muzikantëve, revolucionarëve. Në vargun e lirë në kohën  e re e kanë kultivuar surealistët. Oden e kanë kultivuar poetët francezë Ronsar, Malherbe, Lamartin etj., poetët italianë Petrarka, Manxoni etj., rusët Lomosonov, Derzhavin etj., gjermanët Klopshtok, Shiler etj., kurse në letërsinë shqipe ndër të parët e ka shkruar Zef Serembe.

            Elegjia (gr. élegos – vajtim, gjëmë) – vjershë në të cilën këndohet pikëllimi, malli, dhembja, hubja. Poeti shpreh keqardhje për të kaluarën ose pashpresën pas së paaritshmes. Kalueshmëria e rinisë dhe e jetës, pikëllimi për dashurinë, gjallërimi i kujtimeve, malli në dhe të huaj për atdheun – janë motivet më të shpeshta në elegji. Në kohën antike shënonte secilën këngë të kënduar në të ashtuquajturin “distik elegjiak”: një heksametër dhe një pentametër përbënin tërësinë unike të saj. Por gjatë kohës, qysh te poetët romakë, elegjia mori kuptimin e këngës e cila shpreh pikëllim. Zhvillimin e saj më të plotë elegjia e arrin në kohën e pararomantizmit; temat kryesore të saj janë: ndarja, malli, kujtimet dhe pikëllimi për vdekjen e të afërmëve ose për të dashurën (Milton, Goldsmit, Jang, Grej, A. Shenije, Klopshtok). Shileri e ka definuar elegjinë si përmallim për idealin e paarritur, përkundër idilës si ideal të realizuar dhe satirës si përqeshje në mangësitë e gjendjes ekzistuese. Dispunimi themelor elegjiak është pikëllimi i qetë, hidhërimi; ky s’është një pikëllim i pasionuar, patetik ose himnizues, por melankoli e thjeshtë dhe e thellë, e cila i përshkon të gjitha qeniet dhe shpie drejt ndjenjës pesimiste të jetës.
            Poetët romakë, Tibuli (54-19, p.e.s.) dhe Propreci (49-15 p.e.s) në distikun elegjiak, kanë kënduar për fatkeqësitë personale, kurse vulën më të fortë elegjisë ia dha Ovidi (43-18 p.e.s.) Ovidi në librin Epistule Ex Ponto (Letra nga Deti i Zi). I ndjekur nga Roma në brigjet e Detit të Zi, me mallëngjim ka kënduar për pikëllimin e të ndjekurit dhe mallin e dhembshëm për atdheun. Elegjia si fomë poetike është lëvruar edhe në shekujt e mëvonshëm. Janë të njohura Elegjitë romake të J. W. Goethes (1749-1832). Në letërsinë shqipe kanë shkruar Çajupi (Vaje, Naim-be Frashërit, Vaj), Naim Frashëri (, a një Një lul’e fishkur a një  vashëz’ e vdekurë, Koh’e shkuar), Fan Noli (Syrgjyn-vdekur, Shpell’e Dragobisë, Thomsoni dhe kuçedra), Hilë Mosi (Shegës së kopshtit), Vaso Pasha (O moj Shqypni) etj.                                                                                                                                
Vdiq Naimi, vdiq Naimi                   Vdiq Naimi, gjithë thonë,
moj e mjera Shqipëri!                       qani turq, qani kaurë!
Mëndjelarti, zëmërtrimi,                   Bilbil’i gjuhës tonë
vjershëtori si ai!                                S’do të dëgjonte më kurrë!
Vdiq Naimi, po vajtoni                      Vdiq Naimi, që këndoi
Shqipëtarka, Shqipëtarë!                  trimërinë, Skënderbenë,
Naimnë kur ta kujtoni,                      vdiq Naimi, që lëvdoi
mos pushoni duke qarë!                  Dhe nderoi mëmëdhenë!

Vdiq Naimi, Naim beu,                      Vdiq Naimi, po ç’të gjeti,
vete të Zoti vertetë!                          o moj Shqipëri e mjerë!
Qysh u nda nga mëmëdheu             Vdiq Naimi, po kush mbeti?
dhe iku e na la për jetë?                      Si Naimi s’ka të tjerë.

Vdiq Naimi, vdekj’ e shkretë,
pse more të tillë burrë?
I ndritë shpyrti për jetë
mos i vdektë nami kurrë!
(Çajupi, Naim Be Frashëri)

            Ditirambi (gr. dithýrambos – këngë) – këngë për lavdinë e Dionisit, hyut të verës, këngë e cila e lartëson entuziazmin dhe amirimin për gëzimet dhe kënaqësitë jetësore, për vetë jetën, për natyrën e gjthfuqishme dhe manifestimet e saj. Në Greqinë antike ditirambi ishte këngë burimore popullore që këndohej në cremonitë kushtuar Dionisit, hyut të verës dhe gëzimeve jetësore. Ishte një këngë e gjatë me karakter narrativ dhe kishte formë dialogjike (disa këngëtarë u përgjigjeshin këngëtarëve të tjerë). Më vonë poetët i janë kthyer kësaj forme poetike duke futur tema dhe motive të ndryshme, por duke e rujtur përherë ngjarjen kryesore, karakterin e dehjes. Sot në ditiramb trajtohen tema të ndryshme, por është i theksuar  toni i admirimit dhe i entuziazmit, i lartësimit të gëzimit jetësor, gjithfuqia e natyrës dhe e lumturisë. Sipas tematikës i përket grupit të vjershave anakreontike, ku lavdërohen gëzimet e jetës, posaçërisht vera dhe gjendja që shkakton kjo pije. Këtë formë poetike e kanë lëvruar edhe shkrimtarët shqiptarë, si: Naimi (Jeta, Dit’e re), Kristo Floqi (Pylli i gjelbëruar), Migjeni (Ekstaza pranverore, Sonet pranveruer), Çajupi (Kopshti i dashurisë) etj.

Në pýll’e gjelbruar
M’a k’ënda të ri,
Atje i gëzuar
Harronj ç’do mërzi.
O djema vraponi,
Se koha kalon,
Dëfreni, këndoni
Njeri s’ju ndalon.

Harrivi pranvera
Me lul’ e blerim,
Me ngjyrra, me erra,
Me këng’e gëzim.
Dëgjoni sa bukur
Bilbili ligjron,
Dhe qyqja e çdukur
Po qesh e këndon.

Ngjeroni mirsitë,
Natyrën e ré,
Dhe qielli me dritë
Dhe bimën mbi dhé.
Këputni burbuqe
E lule ç’fardo,
Dhe ca lulukuqe,
Stolisi me to.

Vraponi e prêhi,
Mos kini përtim,
Zbaviti, dëfrehi
Dhe lark ç’do mendim,
Pranverën gëzoni,
Si nuse të ré
Dhe jetën shijoni
Që ikën ju lé!
(KristoFloqi, Pýlli i gjelbëruar)

            Epigrami (gr. epigramma, nga epi – mbi dhe gramma – shkruaj) – është një nga llojet e poezisë satirike, vjershë e shkurtër që vë në lojë ndonjë person. Dmth. epigrami është këngë e ngjeshur, e thukët, lakonike, prej disa vargjeve, kushtuar ndonjë personi, por edhe në lidhje me ndonjë ngjarje. Mund të jetë edhe lavdëruese për atë të cilit i është dedikuar, por në epigram në të shumtën kultivohet toni ironik dhe satirik. Poetët në mënyrë të rreptë dhe ironike u tregojnë bashkëkohasve të tyre për të metat e tyre, mangësitë, josinqeritetin dhe zvetnimin e tyre. Epigarmi i mirë ndikon përherë drejtpërdrejt dhe gjallërisht dhe, godit rreptë dhe dhembshëm. Është njëra nga ato forma poetike të cilat më drejtpërdrejt janë të lidhura me jetën dhe ngjarjet aktuale. Prandaj qëndron me sukses në të gjitha kohërat dhe në të gjitha situatat shoqërore, që nga kohërat më të vjetra e deri më sot. Te grekët e vjetër epigrami ka qenë mbishkrim i gdhendur në gur. Më vonë kalon në një formë të veçantë poetike. Poeti romak, Marciali, (rreth 40 104 p.e.s.) ka shkruar mbi njëqind epigrame të shkëlqyeshme mbi bashkëkohasit e tij dhe dukurive rreth tyre, me një rreptësi të theksuar satirike. Më vonë shkruajnë epigrame gjithë poetët e njohur. Janë të njohura epigramet e La Fontenit, Lesingut, Bërnsit, Bajronit, Pushkinit, kurse në letërsinë shqipe epigrame të suksesshme ka shkruar Filip Shiroka (Te vorri i kajmekamit dhe Sipri vorrit të nji grekomanit).   
Sipri vorrit
Të nji grekomanit
Shqyptari kishte shkrue:
N’kët vòrr po kalben eshtnat t’nji qyqarit
Qi turpnisht jetën e vėt e ká shkue;
Shqyptar, për fàt t’zij edhe biŕ Shqyptari,
Punoi për Grekët, Shqypninë me trathtue:
TRADHTUER emnohej, sa ish gjallë ky i shkretë,
E tradhtuer emnin ká m’e pasë për jetë:

Greku kishte shkrue:

Këtu po kalben kocat t’nji Shqyptarit,
Qi me mish e me shirtë punoi për Greqinë;
Nevojë kem pasun për shërbim t’qyqarit,
Me t’holla e ndera j’a paguem dhelpninë
Por ... bésë s’ka Greku n’at nierí qi shėt
Atdhenë, kombin dhe vllaznit e vėt...!
(Filip Shiroka)

            Epitafi (gr. eptáphion – mbishkrim në varr) – në fillim kishte kuptimin e vetëm të mbishkrimit mbi varr. Në të tregohet ndonjë karakteristikë për të vdekurin. Ndonjëherë epitafi mund të ketë edhe karakter humoristik e satirik. Epitafet e para i hasim në Egjiptin e vjetër prej nga u përhapën edhe në vendet e tjera.
Epitafi si gjini lirike është zhvilluar edhe në folklorin tonë. Kjo dëshmohet nga ajo se në shumë varre hasim në epitafe të bukura të krijuara nga njerëz të thjeshtë a poetë të panjohur. Në letërsinë shqipe dy-tri epitafe ka shkruar F.Shiroka.

Idila (gr.eìdýllìon – pamje, këngëz, skicë poetike)- vjershë mbi jetën e rregulluar intime dhe familjare, shpesh nga jeta fshatare, por edhe nga jeta qytetare. Në të theksohet bukuria dhe natyra e paprishur dhe jeta e natyrshme, në të cilën shpesh paraqitet ambienti baritor. Më vonë termi idilë bartet në të gjitha format letrare, si dhe në ato muzikore dhe figurative, në të cilat paraqiten momente idilike. Heronjtë e idilës janë barinj, peshkatarë, fshatarë, esnafë etj. Poeti grek, Teokriti (rreth 300 – rreth 250 p.e.s.) ka shkruar idile shumë të bukura në formën e kompozicioneve të vogla poetike. Në disa prej tyre ka trajtuar motive baritore ose bukolike (g. bukoloslopar), në të tjerat nga jeta e lartë qytetare. Idila u popullarizua sërish në shekujt XVII-XIX dhe merita më e madhe është ajo e poetit francez André Chénier (1762-1794), i cili u ndikua drejtpërdrejt nga Teokriti dhe pasardhësve të tij. Veçanërisht e kultivuan romantikët për të cilët ishte e afërt jeta baritore. Gjatë shekujve u shkruan të ashtuquajturat epe idilike në të cilët i gjithë veprimi është përpunuar nga ngjarje idilike. Idile kanë shkruar Virgjili, Ovidi, Tibuli etj. Virgjili (17-19 p.e.s.) shkroi veprën e tij “Bukoliket”, ku këndohet për jetën e barinjve. Bukuliket e Virgjilit më vonë u quajtën në dorëshkrim ekloge (lat. eclogaevjersha të zgjedhura). Edhe në ekloge trajtohen tema nga jeta e barinjve etj. Gjatë shekujve XVI e XVIII, idila mori formën e lirikës, epikës dhe dramës pastorale (blegtorale). Në letërsinë shqipe idilin e kanë lëvruar Naim Frashëri, Kristo Floqi, Lasgush Poradeci etj.

Lindi Dielli,                                        Po levrijnë
Ndit Qielli                                       Po shëndijnë,
Dhe natyra po ndryshohet,        Thneglla, flytura e bleta
Agoj dita,                                       Dhe bretkosa
Çeli drita,                                        Ndër kullosa,
Gjithësija po gazmohet.              Në luadhe, në këneta.

Lulëzojnë                                           Shih dhe dhëntë
Kundrëmojnë                                            Tok me  qëntë
Lule, gjethe e burbuqe,                   Dhe atë barin’e gjorë,
Gjelbërojnë                                    Kullotë dhitë,
Kuqëzojnë                                    Bagëtitë
Bimë e barr’e lulukuqe.                            E ogiçin me këmborë.

Shih rrëketë                                       Sa ka hije
Që përpjetë                                        Sa ka shije
Si gjarpinj derdhen, vikasin,              Kjo natyr’e lulëzuar,
Dhe lumënjtë                                     Kur lint Dielli
E përrënjtë                                         Kur ndrit Qielli
Shih rrjedhin e buçasin!                   Sa njeriu ësht’i gëzuar!


S’mungon âlë,
S’gjenden fjalë
Të tregohen bukuritë,
Pun’e motit,
Pun’e Zotit,
Veprat, gjithë mrekullit!
(Kristo Floqi, Lindja  diellit, Shkëndija, Vlorë, 1923, f.35-36)
           
Llojet  e  poezisë  lirike  sipas  tematikës – Poezia lirike ndahet në lloje të veçanta si për nga përmbajtja, ashtu edhe për nga forma formale. Këto lloje janë të ndryshme te popujt e ndryshëm dhe në epoka të ndryshme.. Të theksojmë se çdo ndarje e poezisë në lloje të veçanta del më tepër nga nevoja për sistematizimin teorik sesa për kufizimin e një lloji të vjershës nga një lloj tjetër të vjershës. Zakonisht ndarja bëhet sipas llojit të ndjenjave për të cilat këndohet në vjershën lirike. Kështu, kemi poezinë erotike, patriotike, satirike, meditative, elegjinë etj. Por asnjëra nga këto lloje nuk mund t’i përfshijë të gjitha veçoritë e ndonjë poezie konkrete, ashtu që poezitë e veçanta i kalojnë suazat e llojit të caktuar. Një nga ndarjet më reale do të ishte ndarja e lirikës në dy grupe të gjëra: në vjershën lirike të ngjyrosur emocionalisht (gjer. Das Lied) dhe në atë meditative (refleksive, shënim imi). E para është lloji i përgjithshëm i poezisë lirike, shprehje e drejtpërdrejtë e emocionit të pastër të poetit, e përshkuar nga rima dhe melodia dhe prej këndej në lidhje të afërt me muzikën, shpesh e komponuar muzikisht, ndërsa ndarja tjetër është poashtu shprehje e drejtpërdrejtë e emocioneve, por e meocioneve të inspiruara nga ndonjë mendim mbi jetën dhe botën. Në të vërtetë, elementi ideor e përshkon tërë lirikën, sepse poeti nuk mund të këndojë e të mos mendojë mbi gjërat dhe dukuritë rreth vetes dhe të mos tregojë ndonjë të vërtetë për to, por në vjershën meditative theksohet qartë pikërisht karakteri meditativ i raportit të poetit ndaj botës. Këto janë vjersha në të cilat poetin e nxitin disa çështje të përgjithshme mbi jetën dhe vdekjen, ekzistimin e njeriut në botë dhe qëllimet e këtij ekzistimi, shtegtimet e fundit të tij për njohjen e botës etj. Sidomos lirika e sotme është e inspiruar me këto çështje dhe prej këndej në të dominon elementi meditativ.
            Kuptohet, edhe kjo ndarje është vetëm teorike dhe e kushtëzuar, sepse jo vetëm që një poet e shkruan edhe njërën edhe tjetrën vjershë, por edhe në vjershat e veçanta gjenden edhe njëri edhe tjetri element. Prandaj secila ndarje e lirikës në lloje bëhet pikësëpari nga nevoja që me sistematizimin e temave kryesore të saj të tregohet në motivet themelore tematike të poetëve lirikë, të cilat secili poet i formëson në mënyrën e vet në pajtim me individualitetin poetik, por në harmoni me kërkesat teorike të cilat zotërojnë në kohën e tij për llojin e veçantë të lirikës.

            Lirika  përshkruese (lat. describere – përshkruaj) – është poezi lirike përmes së cilës poeti përshkruan bukuritë e natyrës dhe dukuritë e saj. Ai shumë shpesh e lidh dispunimin e vet personal me ndonjë dukuri në natyrë e cila i përgjigjet dispunimit të tij. Përshkrimi i natyrës është vetëm kornizë për mendimet dhe ndjenjat e poetit. Poeti gëzohet me rastin e lindjes së diellit ose ardhjes së pranverës, ose pikëllohet me rastin e perëndimit të diellit ose vdekjes së natyrës në vjeshtë etj. Nganjëherë në poezinë përshkruese ka vlera të mëvetësishme dhe poeti jep vetëm tablo të natyrës, duke u kënaqur me bukurinë e saj. Ajo shpesh merr kuptim simbolik, duke e orientuar mendimin dhe ndjenjën tonë në drejtim të disa konkludimeve të përgjithshme etj. Në letërsinë shqipe vjersha përshkruese kanë shkruar shumë poetë, si: Naim Frashëri, Ndre Mjeda, Kristo Floqi, Filip Shiroka, Asdreni, Lasgush Poradeci e shumë të tjerë.

Hëna plot pesëmbëdhjetë                Veriu fryn pak ngadale,
N’anët të qiellit po ndrin,                 Njerës, kafshë, shpes e fletë,
Bota është gjith’e qetë,                     Pyje, shkëmbenj, fusha, male
Gjësendi nukë pipërrin.                    Të gjithë janë qetë.

Qielli ësht’i qëruar,                            Maji ka sjellë nga Zoti,
I kulluar posi ari,                               Shumë bekime e urata,
I fjetur e i qetuar,                              Është xbukurua moti
Syri s’i nginjetë së pari.                    Dhe n’ar’është veshur nata.

Ka rrjedhur si uj’erëgjendi              ulet kanë lulëzuar,
Më të gjithë anët një dritë                Vjen një erë fort e mirë,
Dhe prej soje gjithë vëndi                Drurët janë ngarkuar
Është bërë posi ditë.                         Dhe bar-ratë kanë mbirë.

Buruar një uj’i artë                           Dhitë, kecërit e dhëntë
E dhen’e ka xbukuruar,                    E shqerat janë tulitur,
Majat e malit të lartë                         Rrinë zgjuar vetëm qëntë,
Dhe gërxhet i ka bardhuar.              Nëpër ledhe janë shtritur.

Mi brigj’e mi shesh’e drurë              Se nga dëgjonte thëllëza
Dhe përmi det drita bije,                  Që thotë tri katër fjalë
E mi shkëmbenj e mi gurë,               Nëpër brin’e nëpër rrëza
Dhe vise, që jan’në hije.                    Dhe deti ka pakë valë.

Nata është fort e qetë,                      Një zë tjatër tanë dëgjonj,
Dhe gjith’i ka zënë gjumi,                 Që zëmrën ma përvëlon,
Vetëm përrënjt’e rrëketë                 U doqçë më s’munt ta duronj,
Ligjërojnë, edhe lumi.                       Bilbili ka zënë e këndon!

Që oshëtin duke shkuar,                   iej, yj e dhé, pushoni!
Nxjer një zë plot ëmbëlsirë,             Tani juve kush u dëgjon?
Dhe ikën duke kënduar,                   Vini veshin’edhe dëgjoni.
Sa vete bukur e mirë!                       Bilbili, bilbili këndon.



O bilbil, e di se ç’thua,
Andaj zër’i bukur i yt
Ma dogji shpirtin mua
Edhe gjum s’më hyn në syt.
(Naim Frashëri, Bilbili, Vepra, Beograd, 1963, f.62,3,4)

            Lirika  erotike (gr. éros – dashuri) – është vjershë lirike ku ndjenja themelore është ndjenja e dashurisë ndaj personit të gjinisë tjetër. Kjo është një nga ndjenjat më të shpeshta që është kënduar në poezinë lirike, e cila mund të varirojë nga ndjenja shqisore, platonike e dashurisë deri te raporti më spiritual ndaj gruas ideale. Është një nga llojet më të lëvruara të poezisë lirike. Ajo është lëvruar që nga kohërat më të vjetra dhe lëvrohet edhe sot. Në këto poezi zakonisht poeti përshkruan bukurinë fizike të mashkullit a të femrës, gëzimet dhe hidhërimet, vuajtjet që shkakton ndarja e të dashuruarve etj.
            Poetët më të njohur që kanë shkruar poezi erotike janë: Alkeu, Safoja, Anakreonti – te grekët; Tibuli, Propreci, Katuli – te romakët; Bajroni, Sheli, Kitsi – te anglezët; Gëte, Shiler, Hajne – te gjermanët; Ronsar, A. Dë Myse, Lamartini, Bodleri – te francezët; Petrarka, Leopardi, Karduçi – te italianët; Pushkini, Lermaontovi, Jesenini – te rusët; kurse në letërsinë shqipe këtë lloj poezie e kanë shkruar: Zef Serembe, Naim Frashëri, Andon Zako – Çajupi, Lasgush Poradeci, Millosh Gjergj Nikolla – Migjeni e shumë të tjerë.

E mba mënt, moj Marë,                     Në lule me erë
dashurin’e parë?                               putheshim ngaherë,
Njeri nuk e gjegji,                              dhe si burr’e grua
se jeshmë të vegji.                             Losnim nënë ftua.

Unë pa ty s’rrojë,                               Një ditë, të dyza
vij’e të kërkojë;                                  losnim mbyla-syza:
ti pa mua s’rroje,                               u fshyem pa dukur
vij’e më kërkoje.                                Në ferra, në gurë,
u fshem kaqë bukur,
sa s’u gjëntm’do kurrë...
(Çajupi, Dashuria F., Vepra, 1970, f. 73-74).

            Lirika  atdhetare (patriotike) – është një nga vjershat më të lëvruara në poezinë lirike. Kjo vjershë krijohet (lind) kur poeti inspirohet (frymëzohet) nga ndjenjat kolektive të kombit të tij ose të një shtrese shoqërore. Edhe këtu poeti duhet që ndjenjën kolektive ta përjetojë si ndjenjë të vete, personale, me çka vjersha e tij do të jetë e sinqertë, e ngrohtë dhe shqetësuese në të njëjtën kohë. Kjo lloj vjershe shkruhet veçanërisht në kohën e luftërave nacionale kundër ivadimeve të huaja ose në kohërat e zgjimit nacional dhe të zhvillimit të fuqishëm të vetëdijes nacionale (te ne gjatë tërë shekullit XIX, në fillim të shekullit XX, në kohën e luftërave ballkanike dhe në kohën e Luftës së Parë Botërore, sidomos në kohën e LANÇ-së e deri më sot). Këtë lloj poezie e kanë lëvruar: N.Frashëri, Ndre Mjeda, A.Z.Çajupi, F.Shiroka, M.Grameno, A. Asllani, L.Poradeci, F.Noli etj.

E dashura mëmëdhe,                                    Qiameti, shkretëtira!
të dua dhe kshtu si je!                      Zogu vete ze folenë,
Po kur të të sho të lirë,                     njeriu le mëmëdhenë
do të të dua më mirë.                                    se mbretëron egërcira!
Për Shqipëri dëshërojmë
Qajni pyje, fusha, gurë,                     se në vënt të huaj rojmë.
qajni male me tëborë!
Shqipëria mbet e gjorë                     Robërinë si duron,
dhe nukë she dritë kurrë:                o moj Shqipëri e mjerë?
një mjergul e keq’e shkretë             Shpëtove vënde të tjerë,
e ka mbuluar përjetë!                       Shqipëtarë, bëni benë
Një gazep, një errëcirë!                    të lëftoni për atdhenë.
Vetëtit edhe gjëmon!
Rojmë me zemër të ngrirë,              E dashura mëmëdhe,
nga frika kurkush s’gëzon!              të dua dhe kshtu si je!
Njerzitë kurrë s’këndojnë                po kur të të sho të lirë,
dhe bilbilëtë vajtojnë!                       do të të dua më mirë.
(Çajupi, Robëria, Vepra, 1970, f. 59-60)

            Lirika  sociale - shoqërore – trajton tema dhe motive nga jeta e shtresave të varfëra të shoqërisë. Në të shprehet revolta dhe protesta e poetit ndaj padrejtësive që u bëhen shtresave të varfëra dhe të shtypura të shoqërisë, duke akuzuar shkaktarët kryesorë të një gjendjeje të tillë mjeruese. Në këtë lloj të poezisë lirike poeti shpreh idealet e tij për një barazi shoqërore dhe të lumtur të të gjithë pëfaqësuesve të shoqërisë. Nga kjo, kjo poezi përshkohet nga gjendja e fuqishme humanitare dhe shquhet për efektet e saj artistike. Janë të shumtë shkrimtarët që e kanë lëvruar këtë lloj poezie si në letërsinë e përgjithshme, ashtu edhe në letërsinë shqipe. Në mesin e tyre po përmendim: Viktor Ygonë, Hajnen, Pushkinin, Lermantovin, nga letërsia e huaj, kurse në letërsinë shqipe poezi sociale kanë shkruar: Naim     Frashëri  (Të varfërit), Ndre Mjeda ( I mbetuni, Shtegtari, Andrra e jetës), Çajupi (Fshati im, Kurbeti, Misiri, Korriku), Migjeni (Poema e mjerimt, Lagja e varfun, Baladë qytetse, Recital i malsorit, Kanga e dhimbës krenare, Fragment etj.)                                            


Nga mshira e pamshirve                         por sot diçka tjetër –
lypsi i vogël gjallonte.                               si ahmarrës i vjetër,
Jetën e rrokullote                                      një fjalë të randë menonte
nepër udha të ndyta                                 botës t’ia dikonte...
nepër skâjë t’errta                                     Fytin egërdhishte
nepër pragje të ngurta                              fjalën për me nxjerrun
ndër besime të rrejta.                                që mnija e ksh shterun
Por një ditë, kur mshira e diellit shteri,    dhe që në gjuë vdiste...
Në gjoks ndjeu si e theri                           Por i hutuem, mbet ndejun
një dhimbë e re – qi mnija                        në kryqzimin e udhve,
e përfton ndër flija                                    Rrotat e utove
të skamit.                                                      shpejt mbi te kaluen
Dhe – dje lyps i vogël,                                dhe e ... qetsuen
(Migjeni, Poezi e prozë, Fagment, Beograd, 1963, f.46)


Lirika  meditative (mendimtare) - është vjershë lirike në të cilën poeti shpreh raportin e tij të thellë emocional me rastin e mendimit që e mundon. Në vjershat e tilla poetët këndojnë për ndonjë të vërtetë filozofike mbi botën, jetën dhe njeriun në përgjithësi. Me idetë e veta rreth ndonjë problemi këta poetë bëhen edhe paraprijës të së vërtetës. Në letërsinë tonë poezinë meditative e kanë lëvruar Pjetër Budi, Zef Serembe, Pjetër Zarishi, Leonardo de Martino, Naimi, Migjeni etj.

Përditë perëndojnë zotat
dhe rrëshqasin trajtat e tyne
mbi vjet dhe shekuj
dhe tash s’po dihet ma kush asht zot e kush njeri..
Ndër tru të njerzimit zoti galuc ka ndenjun.
Vetvetes me gisht tamthat i ka biruemun
në shenj të pendimit
dhe bërtet në kulm të hidhnimit:
çka, çka krijova?

E njeriu nuk e di
a asht zoti pjella e tij
apo ai vetë pjella e zotit,
por e shef se asht kot i kotit
me mendue mbi idhull
që nuk përgjegj.

Dhe tash s’po dihet ma kush asht zot e kush njeri.
Ka ardhë një kohë
në të cilën njerzit po kuptohen fare mirë
për me ndërtue kullën e Babilonit,
dhe në majë të kullës, në majë të majës së fronit
ka me hyp njeriu
dhe ka me thirrë:
Perëndi, ku je?
(Migjeni, Parathanja e parathanjeve, Poezia shqipe, 1972, f.7-8).

            Lirika e përshpirtshme (relegjioze) – ka karakter religjioz në të cilën poeti shpreh pikëpamjet e tij religjioze, të mirave që njeriut ia ka dhuruar perëndia etj.

            Lirika  moderne – është një zhanër letrar që i përket shekullit XX.  Tematikën dhe motivet i merr nga të gjitha fushat e dijes njerëzore, nga fusha e atomistikës dhe astrofizika e deri te elektronika dhe nga të gjitha drejtimet e filozofisë moderne. Ajo pjekurinë e saj do ta arrijë në vitet e 20-ta dhe të 30-ta, kurse suksesin më të madh dhe ndikimin e saj do ta arrijë pas Luftës së II Botërore.
            Themelues të lirikës moderne konsiderohen poetët francezë Sharl Bodler, Artur Rembo dhe Stefan Malarme, të cilët pasohen nga një varg poetësh të popujve të tjerë, Sipas Sharl Bodlerit poeti modern është bir i qytetit të madh; ai me sensibilitetin e tij neurastik zbret deri në fund të rënies fizike dhe morale të njeriut, por në të njëjtën kohë dhe në atë dhe- mbje dhe vuajtje gjen inspirimet për ta krijuar poezinë e vet, ”Lulet e së keqes” së tij. Dhembja është e vetmja gjendje fisnike nga e cila poeti ngjitet në sferën e idealit, ku zbulon lidhjet e fshehta midis materies dhe shpirtit, midis senzacioneve shqisore dhe kuptimit të thellë i cili fshihet prapa gjërave të shfaqura. Shprehja individuale dhe origjinale në veçanti ka rëndësi themelore për lirkën moderne si dhe për çdo lirikë tjetër. Duke theksuar se ekziston një thyerje e caktuar me poezinë paraprake, kjo nuk do të thotë se kjo është e shkëputur plotësisht nga tradita. Poezia moderne ndryshon nga poezia tradicionale, nga ajo romantike, ku ndjenja e dhembjes në poezinë moderne zëvendësohet me me një ndjenjë të pazakonshme. Edhe poezia moderne kultivon disa lloje të poezisë tradicionale. Karakteristikë e poezisë moderne është vargu i lirë, por kjo s’do të thotë se poetët modernë nuk shkruajnë në vargun e matur. Edhe poetët modernë përdorin disa forma të poezisë tradicionale, siç është p.sh. soneti. Edhe poezia moderne zanafillën e saj e ka në letërsinë e vjetër greke e romake, në Bibël, në psalmet (lloj i veçantë i vjershës ku këndohet për kotësinë e jetës dhe të lidhjes me perëndinë) ose në Këngët mbi këngët etj.
            Personaliteti i njeriut, krizat e tij, ëndrrat dhe agonia janë temat më të shpeshta në krijimet letrare. Andaj edhe shkrimtarët e kësaj kohe të shqetësuar dhe çorientuar tërhiqen në botën e tyre personale dhe intime. Këta krijues të hutuar përpiqen që me anë të introspeksionit dhe iracionalitetit të shpjegojnë fatin e pasigurt dhe jetën e shqetësuar të njeriut bashkëkohor. E veçuar nga realiteti shoqëror, kjo letërsi shpesh e lë anash përmbajtjen dhe të vërtetën artistike, dhe me këtë rast rëndësi të veçantë u kushton elementeve formale – gjuhës, stilit, shprehjes dhe formës në përgjithësi. Rëndësi të veçantë i kushtojnë gjuhës. Njëri nga poetët më të shquar të poezisë moderne evropiane, poeti francez, Bodleri, atëbotë këndonte: ”Bukuri, eja, nga parajsi ose nga ferri - krejt njësoj”, kurse poeti dhe esteti i njohur Pol Valeri shkruante se “dyshimi është ai që shpie kah forma”. Në kultin e formës kishte edhe skajshmëri të papranueshme, ndryshime dhe konstrukte nga më të çuditshmet, por e gjithë kjo, fundi i fundit, edhe e ruante krizën ideore dhe morale të krijuesve të saj. Me gjithë këtë letërsia e asaj kohe në shumëçka e çoi përpara shprehjen dhe format e më hershme të krijimtarisë artistike, prandaj ajo paraqet një hap përpara sidomos në pasurimin dhe nuancimin stilistik të figurave dhe të fjalëve poetike.
                                   
Natyra është tempull ku nga shtyllat e gjalla
Dëgjohen nganjëherë fjalë të paqarta;
Njeriu kalon në të nëpër pyllin e simboleve
Të cilët e shikojnë me shikim të sinqertë.

Si oshëtima të gjata që në largësi shkrihen
Në unitetin e errët dhe të thellë,
Të mëdh si nata dhe si drita,
Aromat, ngjyrat dhe tingujt i përgjigjen njëri-tjetrit.

Ka aroma të freskëta si trupi i fëmijës,
Të ëmbla si oboa, të gjelbër si livadhet
-Të tjerat, të prishura, të pasura dhe fitimtare.

Të cilat përhapen si gjëra të pafund,
Si qehlibar, myshk, mirrë dhe temjan,
Të cilët këndojnë entuziazmin e shpirtit dhe shqisave.

            Kjo vjershë e Sharl Bodlerit (Charles Baudelaire, 1821-1667), poetit francez francez, krijuesit të përmbledhjes së njohur “Lulet e së keqes” (Les fleurs dy mal, 1857, 1861), në gjuhën franceze mban titullin Correspondaces. Ky titull përkthesht në mënyrë të ndryshme, si: lidhjet, ndërsjellshmëritë, pajtueshmëritë. Titulli korresponencat është më i afërt me atë se ç’përmban në vete vjersha: të gjitha gjërat dhe dukuritë, qofshin ato materiale apo shpirtërore, korrespondojnë me njëra-tjetrën, i përgjigjen njëri-tjetrit, pajtohen etj. Natyra është një tempull i tërë, ku dëgjohen nganjëherë disa zëra si oshëtima dhe  në të cilën aromat, ngjyrat dhe zërat i përgjigjen njëri-tjetrit (përzihen dhe shkrihen). Të gjitha këto aroma të ndryshme, zëra dhe ngjyra flasin mbi lidhjet midis shqisave dhe shpirtit tonë. Kjo vjershë konsiderohet program poetik i shkollës së re, e cila në vitet e tetëdhjeta të shekullit të kaluar është quajtur shkolla e simbolizmit. Simbolistët shpallën autonominë e plotë të artit, i cili bëhet qëllim më vete dhe “fushë e ligjshme” e të cilit është “e bukura” (Edgar Alan Poe). Kjo solli deri te forma e rafinuar, deri te rafinimi i figurave poetike, i vesifikacionit dhe i shprehjes gjuhësore,  Simbolika tingëllore dhe muzikaliteti i vargut janë rezultat i përpjekjeve simboliste në poezi. Sinestezioni, si figurë gjuhësore në të cilën përzihen perceptimet e shqisave të ndryshm edhe e cila duhet ta shprehë lidhjen e tingujve, ngjyrërave, aromave dhe të idesë, bëhet njëra nga mjetet më të shpeshta stilistike për realizimin e begatisë së lidhjeve të reja të fjalëve, figurave dhe kuptimeve të tyre. Tingujt fitojnë vlerën e tyre pikturale dhe muzikore, së bashku me simbolikën e tyre ideore. Dmth. nga fjalët, nga gjuha, poeti krijon muzikën e vjershës para së gjithash. Kështu “a-ja është e zezë, b-ja e bardhë, i-ja e kuqe, o-ja e kaltër, u-ja e gjelbër” këndonte Rembo në vjershën e tij “Zanoret” duke gjetur te këta tinguj lidhje të çuditshme kuptimore të sendeve konkrete dhe të ngjyrërave dhe tingujve të tyre. Ndoshta më së miri natyrën fluide dhe spirituoze të poezisë simboliste e ka shprehur poeti Pol Verlen (Paul Verlaine, 1844-1896), në vjershën e tij të njohur Arti poetik (L’art poetique, 1874).

Muzikë, muzikë para së gjithash,
Andaj më shumë e dua vargun tek –
Të pacaktuar dhe i derdhur në ajër,
Pa asgjë në të që synon dhe dëshpëron.
..............................................................
Sepse ne e duam vetë Nuancën,
Oh! Nuanca e vetmja lidh
ëndrrën me gjumin dhe flautën me bririn.

Ik sa më larg nga Poenta vrastare,
Nga Shpirti mizor dhe Qeshja e papastër,
Të cilët mund t’i lotojnë sytë e Azurit,-
Ik nga ajo hudhra e kuzhinës maloke.

Elokuencës theja qafën!
Do të bësh mirë nëse në punë
Ta mësosh pak Rimën.
Po s’pate kujdes për të, ajo do të tretet kush e di se ku?
.......................................................................................
Muzikë, muzikë para së gjithash!
Le  të jetë me flatra vargu yt
Le të ndjehet se shpejton nga një shpirt
Kah qiejt e tjerë dhe dashuritë e tjera.

Vargu yt le të jetë avanturë e bukur
E bartur mbi krahët e erës së mëngjesit,
Që kundërmon në nanen dhe shpirtin e nanes,
Çdo gjë tjetër është vetëm – “literaturë”.

            Smbolistët trajtojnë tema të cilat më parë ishin krejt të panjohura. Motivi i vetmisë, ndodhitë e natës, qetësia, viset e vetmuara, peizazhet e natës, të përshkuara me mallin e pashpjeguar, ishin motive më të shpeshta të simbolistëve. Njeriu i vetmuar i cili në botën e sendeve dhe të natyrës ecën zakonisht i vetëm. Përfaqësuesit kryesor të poezisë moderne (Pol Verlen, Artur Rembo, Stefan Malarme) me poezitë dhe me artikujt e tyre programorë krijuan teorinë e simbolizmit, të cilën e mbështetën në qëndrimet teorike dhe praktikën poetike të Sharl Bodlerit i cili bashkë me Verlenin paraqesin veçoritë kryesore të poezisë lirike, për të cilat folëm më lart.





                                                 



Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...