Ndarja
e poezisë lirike në lloje të ndryshme është një nga çështjet më të vështira.
Ndarja e poezisë lirike në lloje është bërë në mënyrë të ndryshme, duke filluar
nga zhvillimi historik i saj dhe stabilizimit të formave lirike, përmes
grupimit të saj sipas temave dhe llojeve të emocionit deri te përpjekjet më të
reja të klasifikimit sipas strukturës së vjershave lirike. Në teoritë e ndyshme
letrare poezia lirike është klasifikuar në disa grupe. Para se flasim për
llojet e ndryshme të poezisë lirike të shohim se si është zhvilluar
historikisht ajo.
Dihet
se poezia lirike evropiane është zhvilluar nga poezia antike greke dhe romake. Te
grekët e vjetër ajo shënonte këngët të cilat përcilleshin me instrumente
muzikore (citrën ose lirën, prej këndej edhe emri lirikë) dhe ndahej në këngë
eolase, të cilat i ekzekutonte një këngëtar (Terpander, Alkeu, Safo, Anakreon)
dhe këngë korale (Alkman. Stezikor, Ibikos, Pindar). Llojet më të preferuara
ishin : odja, himni, skolioni dhe elegjia. Në kohën e lojërave
dionizike këndohej dhe ekzekutohej kënga pasionante, patetike, ditirambi,
të cilën e ekzekutonte kori i ekzekutuesve të kremtes dionizike. Poezia lirike
romake i përvetësoi format ekzistuese të lirikës greke. Poetët romakë të
ndikuar nga ata grekë i përvetësuan këto forma dhe shkruan sipas modeleve greke.
Kështu, Horaci shkroi oden eolase dhe këngën jambike; Katuli, Tibuli, Propreci
dhe Ovidi – elegjinë; Marciali – epigramin. Në mesjetë u krijuan këngët
religjioze dhe laike: marianase (mbi Shën Mërinë), kryqësore (për propagandimin
e luftërave të kryqëzatave), këngët mbi mëkatin (“Dies irae”), këngët laike
oborrtare, sidomos këngët erotike të trubadurëve (minnesang), të cilat më
parë u krijuan në Provansë, kurse pastaj u përhapën në të gjitha vendet
evroperëndimore. Në të njëjtën kohë lindin edhe lloje të ndryshme të këngëve
sentenciale-didaktike, të cilat i recitojnë poetët para publikut dhe, këngët
politike-satirike ose këngët lavdëruese-dinastike, të cilat këndoheshin ose
recitoheshin. Nga fundi i mesjetës, lirika kultivohet në shkollat e vçanta
shoqërore kishtare, të krijuara nga radhët e zanatçinjve, të cilët këndonin
këngë kishtare me rastin e procesioneve, lutjeve, varrimeve, kurse më vonë edhe
në shoqëritë e pavarura të zanatçinjve dhe shoqërive këngëtare, në të cilat
hartohen edhe këngë laike mbi dukuritë e ndryshme të jetës së përditshme (të
ashtuquajturat meistergesang). Kjo lirikë lulëzon sidomos rreth viti 1500 në Nirnberg,
në Austri (Tirol, Shtajerskë), Çeki, Sllovaki dhe zgjat në disa vise deri në
fund të shekulli XIX.
Në
kohësn e renesansës rol prijës në zhvillimin e poezisë lirke e ka Italia. Në
poezinë lirike të renesansës shfaqen edhe forma të reja poetike: soneti,
kancona, stramboto, sestina,
stanca, trioleti, madrigali (Dante, Petrarka,
Mikelanxhelo). Zhvillimi i mëvonshëm i lirikës në të gjitha vendet evropiane
nuk solli nonjë formë të re të qëndureshme vetëm se zgjerohet tematika dhe
përmbajtja ideore e lirikës, duke krijuar forma të shumta të shprehjes lirike.
Më vonë, poetët evropianë, duke u njohur me poezine e Lindjes së Afërt dhe të
Largët, marrin disa forma të poezisë arabe (gazelin, rubainë), ebrejase (psalmet), të lirikës indase dhe
kineze, duke e pasuruar kështu fondin e tyre krijues.
Megjithatë,
edhe më e ndërlikar dhe më e ngatërruar është ndarja e lirikës sipa temave,
llojeve të ndjenjave, sipas publikut të cilit i dedikohet, ose sipas qarqeve të
cilat i këndon, sipas shtresave shoqërore në të cilat krijohet dhe sipas
mënyrave të këngëtimit dhe përcjelljes etj.. Kështu, p.sh. është bërë ndarja në
poezinë fetare (religjioze)
dhe laike; në poezinë popullore
dhe artistike; në klasore (oborrtare, kalorsiake,
borgjeze), sociale, kishtare, fëmijërore, rinore etj. Sipas temave dhe sipas llojeve të ndjenjave, lirka është ndarë në: erotike,
patriotike, e përshpirtshme, satirike, elegjiake, deskriptive, idilike, humoristike, didaktike, së cilës i janë shtuar pastaj edhe llojet nga poezia
popullore: këngët e punës, ninananat,
ceremoniale, vajet, dhe nga tradita historike: himni, odja, ditirambi, ose
format e qëndrueshme poetike: soneti, madrigali, stanca. E
tërë kjo ka sjellë deri te një larmi e madhe formash të dala nga parimet e
ndryshme të ndarjes. Nga ana tjetër është parë se kjo ndarje është mjaft
formale dhe nuk bën ndarjen qenësore të lirikës sipas disa veçorive të
brendshme lirike dhe strukturore. Disa teoricienë bashkëkohorë, japin një
ndarje të re, të mbështetur në veçoritë më të rëndësishme të poezisë lirike,
siç është struktura e brendshme e vjershës ose disa skema tradicionale të
formave poetike të qëndrueshme. Ndonëse edhe këtu kemi një larmi duke shkuar
nga autori në autor, megjithatë përpjekjet për një ndarje të tillë të re pak a
shumë janë të përbashkëta për të gjithë: ato për nga esenca janë të pandashme
nga poezia lirike si genus i letërsisë artistike.
Nga
ndarjet e moçme është ruajtur edhe më tej ndarja në lirikën popullore
(gojore) dhe artistike (të shkruar).
Kuptohet, koncepti i poezisë popullore në letërsitë evroperëndimore, dhe në
letërsinë tonë, është diçka më ndryshe: atje me nocionin lirikë “popullore”
kuptohen të gjitha këngët të cilave nuk u dihet autori dhe të cilat me gojë ose
me shkrim janë përhapur në grupacionet e ngushta profesionale: studentore, të
zanatçinjve, ushtarake – luftarake etj. Por ajo që është e përbashkët për të
gjitha këto këngë, si dhe për këngët tona lirike gojore, që i ndan nga të
shkruarat, është thjeshtësia e tyre dhe stabiliteti i formave shprehëse. Poezia
e shkruar është më e ndërlikuar, më artificiale, dedikuar një rrethi më të
ngustë lexuesish, një rrethi të njerëzve më të arsimuar; ajo ndryshon format e
formësimit dhe të shprehjes varësisht nga atmosfera kulturore-letrare, duke i
takuar një formacione të caktuar stilistik letrar (romantizmit, simbolizmit,
ekspresionizmit, surrealizmit, lirikës moderne). Kënga lirike gojore, përkundër
kësaj, ka format e caktuara të përhershme të figurave dhe të shprehjeve
poetike, “format stabile”, të cilat i mundësojnë të jetë e pranueshme dhe e
ruajtur në traditën e përcjelljes gojore, çka përsëri nga ana tjetër sjell deri
te variantet e shumta të së njëjtës këngë, deri te ndryshimi i variantit të
përhershëm i këngës. Këngët e letërsisë gojore, pra, u nënshtrohen ndikimeve të
kohës dhe rrethit, duke ndryshuar disa hollësi në variante, por duke mbetur
stabile në strukturat e veta thmelore.
Stabiliteti, qëndrueshmëria tradicionale, konsolidimi sitemor i formës
dhe i shprehjes – janë veçoritë të lirikës gojore (popullore), të cilat e
veçojnë fluktualiteti kërkimor i përhershëm i poezisë lirike (artistike) të
shkruar (Maja Boškoviċ Štuli).