Romani – si lloj i prozës
ekziston që nga koha antike. Në atë kohë nuk është quajtur me këtë emër, por ai
kishte disa tipare që e dallonin nga epi; në të vërtetë, ai ishte një prozë
letrare zbavitëse. Në të përshkruheshin tema të aventurave dashurore ose tema
idilike, pra tema të një rëndësie më të vogël dhe më të ngushtë se temat e
epopesë, në të cilën trajtoheshin ngjarje historike të rëndësishme për mbarë
popullin. Te grekët e vjetër ky lloj shkrimi u zhvillua sidomos në peiudhën helene (shek.IV –I p.e.s.), kur lindi i ashtuquajturi romani i vonshëm grek, në të cilin
flitej për dy dashnorë të ndarë, të cilët pas shumë udhëtimesh, maskimesh,
burgosjesh, anijembytjesh etj. sërish takohen të lumtur dhe bashkohen (“Teogeni dhe Heraklea” të Heliodorit). Po
kështu është i njohur edhe romani idilik
“Dafnisi dhe Hloja” nga Longu. Ky tip
i romanit grek qe model për romancierët e mëvonshëm deri në shekullin XVIII,
kur romani ende definohej si “histori dashurore”. Në letërsinë romake romani më
i njohur është “Satirikoni”i Petronies
dhe “Metamorfozat”e Apuleut si dhe
“Gomari i artë” i tij, në të cilin gjendet novela e bukur “Amori dhe Psika”.
Romani u quajt me këtë emër në
shekullin XII në Francë, sipas emërtimit “lingua
romana” (“gjuha romane”), gjuhë
me të cilën shkruheshin vepra në gjuhën popullore, për dallim nga “lingua latina”(“gjuha latine”), me të cilën shkruheshin vepra erudite. Me emërtimin
“le roman breton” (“romani bretonas”), shenoheshin veprat me
origjinë kelte dhe bretone, në të cilat përshkruheshin aventura dashurore dhe
luftarake të kalorësve kristianë. Në Francë këto vepra lexoheshin me dëshirë të
madhe dhe shkrimtarët francezë i plotësonin me ngjarje të cilat i trillonin
vetë, ashtu që shkallëshkallë u zhvillua tipi
i romanit kalosiak, jo vetëm në Francë, por edhe në vendet e tjera
perëndimore. Romani më i njohur i këtij tipi është romani “Parsifali”i shkrimtarit bavaras, Volfram von Eshenbah, nga fillimi
i shekullit XIII, në të cilin është lidhur motivi mbi Shën Gralin me motivin mbi
mbretin Artur, udhëheqësit kalorsiakë të popullit ketlt. Romanet e mëvonshëm
kalorsiakë, siç është “Amadis Galski”,
u janë kushtuar ndërmarrjeve erotike të heronjve të tyre, që kryesisht ka qenë
objekt objekt i satirës dhe i parodisë së romanit të njohur të Servantesit “Don Kishoti” (në fillim të shekullit
XVII). Karikatura e Don Kishotit satirikisht i përqesh ndërmarrjet e heronjve
të romaneve kalorsiake, kurse personazhet nga populli paraqitnin fillimet e
pikturimit të jetës realiste të renesansës. Kështu “Don Kishoti” konsiderohet si roman i parë i cili i ka plotësuar
veçoritë e romanit të ri evropian të shekujve XVIII dhe XIX.
Romani, në kuptimin bashkëkohor, është
një vepër tregimtare e cila me gjërësinë epike paraqet jetën njerëzore në të
gjitha format e saj. Në të pëfshihen një varg ngjarjesh nga jeta dhe një numër
personazhesh, në të pikturohet mjedisi, epoka, idetë, me një fjalë, e tërë e
tërë ajo ajo që paraqet jetën njerëzore. Në roman nuk paraqitet një ngjarje,
ose jeta e një personazhi, por përfshihen më shumë ngjarje të cilat janë të
lidhura me njëra-tjetrën, e shkaktojnë njëra-tjetrën, dalin njëra nga tjetra,
poashtu edhe personazhet janë në kontakt të pandërprerë dhe në bashkveprim, dhe
veprimi i përfshirë në roman, ndikon si një tërësi organike. Megjegjithatë, në
roman kemi ngjarjet kryesore dhe personazhet kryesore rreth të cilave
përqëndrohet i gjithë veprimi dhe ngjarja, sepse personzhet dhe ngjarjet
dytësore jepen vetëm në atë masë sa është e nevojshme për t’u shpjeguar
ngjarjet dhe personazhet kryesore ose vetëm si ilustrim i dukurive dhe i
mendimeve të tjera, të kundërta me rrugën jetësore dhe ideore të heroit,
gjegjësisht të personazhit kryesor.
Për dallim nga veprat e tjera letrare,
në roman nuk paraqitet vetëm një pjesë e jetës së njeriut, por, sipas
rregullit, e tërë jeta e heroit kryesor. Shkrimtari në roman e paraqet njeriun
në rritje e sipër, përjetimet dhe ngjarjet të cilat ndikojnë në zhvillimin dhe
formimin e karakterit të tij dhe në nxitjen e shprehive, mendimeve dhe përcaktimeve të tij ideore. Prandaj, veç
veprimit kryesor dhe personazheve kryesore, në roman pashmangshëm shfaqen
episode, dmth. ngjarje episodike dhe personazhe episodike, që do të thotë shfaqen
ngjarje dytësore ose anësore, në të cilat trajtohet ndonjë çështje sekundare
përmes së cilës më mirë ndriçohet ideja kryesore në vepër.
Romani është forma më e popullarizuar
letrare, sepse ai më së miri lexohet dhe në të jepet tabloja më e plotë e
jetës, të cilën lexuesi e përjeton më thjeshtë sesa në llojet e tjera të
veprave letrare. Por, për t’u sqaruar (qartësuar) tabloja e jetës e cila
përfshihet në roman, shkrimtari i romanit duhet t’i ruajë proporcionet midis
personazheve dhe çdo ngjarje dhe veprim të çdo personazhi ta motivojë, ta
arsyetojë ose justifikojë deri në masë të duhur, deri te kuptimi i ngjarjeve
dhe i veprimeve të tilla. Përveç kësaj autori i romanit të gjitha situatat
dytësore, episodike, duhet t’i vendosë në raport me veprimin kryesor dhe
personazhit kryesor si motivim dhe shpjegim të idesë kryesore dhe të veprimeve
të herot të veprës. Çdo kapërcim i kësaj mase ose shpjegimi i pamjaftueshëm i
ngjarjeve sporadike e turbullon
(errëson) tablon si paraqitje të jetës, e dëmton kompozicionin e romanit, për ç’arsye
ai s’mund të ndikojë bindshëm si e vërtetë jetësore në atë materie e cila
paraqitet në të, sepse me këtë dëmtohet uniteti i veprimit, i cili është i
domosdoshëm në çdo vepër letrare.
Për çdo vepër letrare artistike në
përgjithësi, e veçanërisht për romanin,
s’është me rëndësi se a ka zgjedhur shkrimtari ngjarje dhe personazhe kryesore,
të cilët vërtetë kanë ekzistuar në shoqëri, sepse e vërteta tekstuale vetvetiu
nuk ndikon si paraqitje artistike e jetës. Shkrimtari mund t’i shndërrojë ose
modifikojë jetët e personazheve të veta, t’i mendojë (trillojë) heronjtë, të
krijojë dhe të gjejë situata të ndryshme dhe t’i prfshijë në visoret jashtë
mjedisit, si personazhe të huaja. Por, personazhet, edhe pse krijohen nga
imagjinata e shkrimtarit, duhet të arsyetohen me jetën dhe realitetin e
mjedisit dhe të kohës, ata duhet të jenë shprehje e mentalitetit dhe e mënyrës
së jetës së atij rendi të njerëzve të cilët i prezantojnë. Prandaj,
personazhet, për të qenë në kuptimin artistik të vërteta dhe të mundshme, duhet
të veprojnë, të mendojnë, të flasin, ashtu siç u mundëson mjedisi në të cilin
jetojnë dhe veprojnë, ashtu siç i përgjigjet karakterit të tyre dhe
mentalitetit të njerëzve të cilëve u përkasin. Kështu, p.sh. jeta dhe puna e
një fshatari dallon nga jeta dhe puna e një qytetari, andaj, sipas kësaj,
dallon edhe psikologjia, të menduarit, fjalori, mënyra e të menduarit dhe çdo
gjë që e bën jetën e tyre të veçantë. Nga kjo edhe diferencimi i personazheve,
e cila përveç mjeteve të tjera, arrihet edhe me diferencimin e gjuhës së vetë
personazheve.
Gjatë zhvillimit të tij historik
romani ka pësuar mjaft ndryshime. Në krijimtarinë letrare realiste, ku tipizimi
i personazheve dhe i situatave e karakterizon krijimtarinë artistike, romani
bëhet epope e shoqërisë qytetare ose siç thotë Bjelinski “epope e ditëve tona”.
Në romn synohet të paraqitet jeta e një shoqërie ku zotërojnë ligje të veçanta.
Në këtë mënyrë romani bëhet histori e zakoneve dhe e karakterit të një mjedisi
shoqëror. Romancieri dëshiron ta paraqetë jetën në plotënin e saj, pulsimin e
të gjithë damarëve të saj, ashtu që tablon e saj e përjetojmë si organizëm të
gjallë, në të cilin të gjitha pjesët janë të lidhura dhe në të cilin tërësia
fitohet nga lidhja dialektike e pjesëve edhe më të rëndësishme edhe më të
vogla. Fundi i fundit, për romancierin fillojnë të humbin dallimet midis
hollësive të mëdha dhe të vogla, midis personazheve kryesore dhe dytësore;
kështu, një personazh dytësor bëhet kryesor në atë çast kur objektivi i
shkrimtarit drejtohet tek ai, dhe të gjitha personazhet e tjera, madje edhe
personazhet kryesore, të cilët në atë çast ndodhen në skajet e dukshme të
romancierit, bëhen të zbeta dhe dytësore.
Përpjekja shkrimtarit për ta paraqitur
jetën në plotëninë e saj shpuri deri te ajo që romani i shekullit XX filloi të
përjetojë ndryshime gjithnjë e më të mëdha, si në aspektin tematik, ashtu edhe
në aspektin kompozicional dhe të shprehjes. Romancierin modern gjithnjë e më
pak e intereson historia e jetës së
jashtme e individit, por psikologjia e brendshme e njeriut të sotëm, ku
gërshetohen neurastikisht vetëdija dhe nënvetëdija. Njeriu nuk frikohet më nga
fuqitë objektive të natyrës, të cilat në të shumtën ka arritur t’i mposhtë, por
frikohet para vetes, para vizioneve të veta të tmerrshme dhe të llahtarshme, të
cilat paraqiten tek ai në shekullin e automatizimit dhe teknokracisë. Tipizimi
i njeriut të tillë zgjërohet jashtëzakonisht: ky më s’është përfaqësues i këtij
apo atij rendi shoqëror, i këtij apo atij grupi shoqëror, por ky është njeri
filozofikisht i kuptuar si njësi shpirtërore në botën e ideve dhe të universit.
Prej këndej romani i shekullit XX gjithnjë e më tepër përpunon, trajton tema të
absurdit, të ndërdijes, të iracionales, të psikopatologjikes dhe të zvetnimit,
çka shpreh gjendjen neurastike të njeriut në kotën e sotme.
Tematika e këtillë patjetër solli edhe
ndryshime në aspektin kompozicional dhe
procedimeve teknike në ndërtimin e romanit. Derisa romani realist njihte
dy-tri lloje teknikash kompozicionele, më shpesh të ashtuquajturin kompozicioni
i veprimeve paralele, në të cilin koha ecte sipas rrjedhës kronologjike të
ngjarjes, ndërsa në romanin modern ndeshim eksperimente të ndryshme të
kompozicionit, për të cilët karakteristike është mosrespektimi i rrjedhës së
ngjarjeve në rrjedhë të kohës. Për të zgjedhur problemin e kohës, problemin
tragjik të kohës, romancierët përpiqen që me teknikën e paraqitjes së ngjarjeve
ta ndalin kohën, të kaluarën ta vënë në vend të ardhmes, dhe e kundërta, ta përshpejtojnë
të tashmen. Kështu p.sh. në romanin e tij “Të
verbërit në Gazë” Haksli paraqet kaotizmin e kohës ashtu që disa çaste të
kohës së çdo kapitulli kapërcejnë prej një ngjarjeje në tjetrën, midis vitit
1902 dhe 1934, herë prapa, herë përpara, pa kurrfarë rendi kronologjik etj.,
ose Sartri, p.sh. në të njëjtën fjali fillon të rrëfejë për një personazh,
kurse përfundon me një personazh tjetër, ose në të njëtën pjesë flet për disa
ngjarje... e gjithë kjo ka bërë që romani të bëhet një lloj letrar i cili
gjithnjë e më shumë synon të ndahet si gjini e veçantë letrare, të bëhet një
gjini letrare uuniversale, e cila në vete do t’i lidhte elementet e të tri
gjinive letrare. Veç kësaj romani modern tregon edhe një synim: të bëhet një
lloj letrar-shkencor sintetik, duke futur tekstin e tij shqyrtime filozofike,
psikologjike, sociologjike, esejistike etj.
Llojet e
romanit – ndarja e romaneve bëhet kryesisht sipas temës dhe lëndës,
sipas mënyrës së qasjes së problemit dhe drejtimve letrare. Sipas temës dhe
lëndës që trajtojnë ata mund të jenë: aventuristik,
kriminalistik, historik, social, psikologjik; sipas mënyrës së qasje së
problemit romanet mund të jenë: humoristik,
satirik, publicistik, kurse sipas mënyrës së ndërtimit ata mund të jenë: shkallëzor, unazor dhe paralel. Por
të gjitha ndarjet (klasifikimet) e derisotme të romanit janë vetëm pjesërisht
të arsyeshme, sidomos kur është fjala për realizimet e mira dhe më të mira. Çdo
roman është botë më vete, sepse nuk mund plotësisht të përfshihet në asnjë grup
dhe vetëm disa veçori të tij mund të përputhen me klasifikimin e përmendur. Nga
kjo më e arsyeshme është që në shqyrtimin historik të tregohen ndryshimet dhe
risitë në strukturën dhe ndërtimin e romanit.
Romani i ngjarjeve
– është forma e parë historike e romanit. Fabula ndërtohet mbi një varg
ngjarjesh të cilat lidhen me jetën dhe fatin e personazhit kryesor dhe të cilat
paraqiten si pengesa të cialat personazhi kryesor duhet t’i zotërojë (mposhtë)
derisa të realizojë qëllimin e caktuar. Romani i ngjarjeve (dmth. romani me
bazë fabulare) është shumë elastik dhe formë e gjerë letrare e zbatueshme, sepse
në të gjitha kohët kanë ekzistuar fabula interesante dhe tronditëse.
Romani
kalorsiak – ndërtohet poashtu mbi bazën fabulare, ndodhitë rreth dashurisë,
endjeve dhe garave dashurore.
Romani historik – ngjarjet i merr nga historia
dhe në bazë të dokumenteve të përafërta historike përshkruan ngjarjet nga e
kaluara. Romane historike kanë shkruar: Valter Skot (“Ajvanho”) në të cilin paraqitet jeta kalorsiake dhe ngjarjet
historike në Angli në shekullin XII, Viktor Ygo (“Nëntëdhjetë e treshi”, “Kisha
e Shën Mërisë në Paris”), Henrik Sjenkjeviç (“Me zjarr e me shpatë”, “Quo vadis?”), Leon Tolstoi (“Lufta dhe paqja”, “Pjetri i Madh”etj.). Në letërsinë shqipe romani filloi të lëvrohet
në kohën e Rilindjes. Në këtë kohë romane kanë shkruar: Pashko Vasa (“Bardha e Temalit”), Ndoc Nikaj (“Bukurusha”,
“Lulet në thes”, “Bërbuqja”). Më vonë romane do të
shkruajnë: Foqion Postoli (“Lulja e
kujtimit”), Haki Stërmilli (“Sikur të
isha djalë”), Sterjo Spasse (“Ata nuk
ishin vetëm”), Dhimitër Shuteriqi (“Çlirimtarët”),
Fatmir Gjata (“Këneta”), Ali
Abdihoxha (“Një vjeshtë me stuhi”),
Ismail Kadare (“Gjenerali i ushtrisë së
vdekur”, ”Kështjella”), Dritëro
Agolli (“Komisari Memo”, “Njeriu me top”), Shefqet Musaraj (“Para agimit”), Jakov Xoxa (“Lumi i vdekur”), Dhimitër Xhuvani (“Përsëri në këmbë”), Sabri Godo (“Ali Pashë Tepelena”, “Skënderbeu”), Hivzi Sulejmani (“Njerëzit”, “Fëmijët e lumit tim”) etj.
Romani kriminalistik – u zhvillua mbi bazën
fabulare duke vënë që në fillim enigmën e romanit dhe zhvillim e saj gradual
gjatë gjithë romanit (Zhorzh Simenon, Peter Çini etj.).
Romani
i personazhit – shkrimtari spanjoll Miguel Savedra de Servantes (1547-1616)
në veprën e tij “Don Kishoti”
shqyrton jetën kalorsiake mesjetare, në formë të parodisë. Në qendër të
vëmendjes janë Don Kishoti dhe Sanço Panço. Në shekulli XVIII (veçanërisht në
Angli dhe në Gjermani) zhvillohet forma e re e romanit të personazhit. Lihet
anash fabula interesante, kurse personazhi kryesor i romanit, që s’është më
kalorës mesjetar, as njeri oborri, por qytetar me jetën e tij private,
personale, gjendet në prapavijë. Në plan të parë të romanit është personazhi i
rrëfimtarit dhe raporti i tij ndaj heroit. Bota e jashtme, përshkrimet e
natyrës dhe të mjedisit shërbejnë për portretizimin e përjetimeve personale,
kurse jeta personale dhe ngjarjet personale janë objekti i interesimit të
rrëfimtarit. Shembuj të romanit të tillë janë “Udhëtimet sentimentale” të tregimtarit anglez Lorens Stern
(1713-1768) dhe “Wilhelm Meister” i
Johan W. Gëtes (1749-1832).
Gjatë shekullit XIX romani i
personazhit zhvillohet në vende të ndryshme. Në veprimet e personazheve të
veçanta futet edhe motivi i gjerë social;
veç kësaj hollësisht përshkruhet mjedisi dhe ambienti në të cilin
jetojnë dhe veprojnë personazhet. Disa autorë në mënyrë të veçantë do ta
theksojnë prapavinë sociale dhe shoqërinë, por personazhet do të mbeten edhe më
tej bartësit kryesorë të idesë së caktuar të një grupi ose klase sociale.
Përfaqësues i shquar i këtij romani është shkrimtari rus Ivan S. Turgeniev
(1818- 1883) me romanet e tij “Etër dhe
bij”, “Rugjini” dhe “Tymi”.
Romani
shoqëror
– autorë të tjerë do t’i kushtojnë rëndësi më të madhe botës së jashtme,
milieut shoqëror dhe familjar sesa figurës së heroit kryesor. Kështu romani i
personazhit kalon në romanin shoqëror (ose hapësinor), sepse hapësira me kohën
dhe shoqërinë janë forca fomësuese në komponimin e romanit. Shembulli më i mirë
i këtij lloji të romanit është cikli i romaneve me titullin e përbashkët “Komedia njerëzore” (“La comédie humaine”) i romancierit francez, Honoré de Balzac (1794-1850), i
cili konsiderohet themelues i romanit shoqëror. Romane të këtij lloji kanë
shkruar: Floberi, Zola, Mopasan (në Francë), Riçardson, Filding, Dikens,
Golsford, Drajzer, Tuen (në Angli dhe në Amerikë), Gëte, Klajst, Frajtag,
Suderman, Tomas Man (në Gjermani), Gogol, Tolstoj, Turgeniev, Dostojevski,
Gorki (në Rusi), Ndoc Nikaj “Marcja”,”Bukurusha”,”Lulet në thes”, “Bërbuqja”, Foqion Postoli “Lulja e kujtimit”, “Për mbrojtjen e atdheut”,
Haki Stërmilli, Sterjo Spasse, Azem Shkreli, Rexhai Surroi etj.
Romani
familjar – tipare të caktuara të romanit familjar kanë ato vepra në të
cilat shqyrtohen disa gjenerata të së njëjtës familje, duke zhvilluar dhe
analizuar shkaqet biologjike, psikologjike dhe shoqërore të ekzistimit dhe të
shkatërrimit të tyre. Realizimi më i rëndësishëm i kësaj forme të romanit është
cikli i romaneve mbi Rougon-Macquart-ët “Historia
e natyrshme dhe shoqërore e një familjeje nën Mbretërinë e Dytë” i Emil
Zolasë. Në të njëjtin ton janë shkruar edhe romanet “Budenbrokët” të Tomas Manit, “Saga
e Forsajtëve” të Xhon Golsfordit etj.
Romani psikologjik – theks plotësisht
të ri në strukturën e romanit modern sjell shkrimtari rus, Fjodor M.
Dostojevski, në veprat e tij”Krimi dhe
ndëshkimi”, “Idioti”, “Vëllezërit Karamazov”. Në analizën,
paraqitjen dhe vlerësimin e personazheve të veta, Dostojevski vëmendjen më të madhe
ia kushton depërtimit të gjithanshëm në motivet e fshehta të psikës së njeriut
dhe të problemeve të shoqërisë.
Romani modern – si edhe novela moderne,
përqëndrohet në vetërrëfimin e personazheve, në gjetjen e ndërdijshme të jetës
njerëzore, duke iu shmngur fabulës dhe rrjedhës kohore.
Romani i rrjedhës së vetëdijes - synon në zbulimin e teknikës plotësisht të
re dhe të qasjes së re stilistike në zhvillimi e personazheve. Kështu
shkrimtarja Virxhinia Vulf, në veprën e saj “Zonja Dalovaj” ndalet vetëm në një ditë të vetme nga jeta e një
gruaje. Tema e romanit është bota ideore e personazhit kryesor me të gjitha
asociacionet e mundshme dhe rrjedhën (rrymën) e vetëdijes. Mungon radhitja
kohore dhe evolutive, sepse situata e drejtpërdrejtë dhe e kaluara dhe raportet
me karakteret e tjera sillen në atë formë siç shfaqen (manifestohen) në
gjendjen e drejtpërdrejtë të vetëdijes. Kurse Xh. Xhojs në romani “Uliksi”, shqyrton vetëm një ditë
qershori të viti 1904 nga jeta e dy qytetarëve dablinas, duke i kushtuar kujdes
të plotë dhe të gjithanshëm rrjedhës së vetëdijes së tyre. Në të s’kemi më as
fabul tradicionale, as profilin e karaktereve të theksuara, as distancën kohore
në paraqitjen e lëndës. Synohet në zbulimin sa më të plotë të brendisë së
njeriut, njohjen e botës ideore dhe ndijesore të personazheve kryesore.
Shkrimtari francez, Marsel Prust, në ciklin e romaneve (prej tetë pjesësh) “Në kërkim të kohës së humbur” në qendër
të vëmendjes së vet e vë vetveten me kujtimet e tij të pasura, analizon
ndjenjat e tij të drejtpërdrejta dhe ndjenjat e rivalëve të tij, duke i
plotësuar ato me bollëk me asociacionet e tij.
Romani lumë (roman fleuve)- Në letërsinë franceze midis Dy Luftërave vërehet
risi në zgjerimin e veprimeve stilistike dhe komponimin e lëndës së veprave
letrare. Në këtë kohë krijohen cikle romanesh (roman fleuve - romani lumë) në të cilët synohet që
personazhet të paraqiten në planin më të gjerë dhe në një hapësirë më të madhe
seç vepronin romancierët e shekullit XIX. Kështu, p.sh. Romen Rolan në veprën “Zhan Kristof (e përbërë prej nëntë
pjesësh) paraqet figurën dhe rrugën jetësore të një muzikanti, kurse përmes tij
atmosferën shpirtërore dhe lëvizjet shoqërore para Luftës së Parë Botërore.
Xhorxh Diamel, në serinë e romaneve “Jeta
dhe aventurat e Salavinit”, paraqet galerinë interesante të ekzistencës së
të humburve dhe të të dështuarëve, të cilët nuk mund të gjenden assesi në jetë.
Zhyl Romen, në veprën “Njerëzit e
vullnetit të mirë” midis të parëve në mënyrë më të plotë zbaton teknikën e
renditjes simultane të temave të ndryshme: karakteret e ndryshme dhe fabulat e
ndryshme ndriçohen në anë të ndyshme, duke u plotësuar me monologët e
brendshëm. Andre Zhid, në veprën “Falsifikuesit e parave (1925) sjell disa
versione të ngjarjes kryesore: së pari e paraqet rrëfimtari, pastaj njëri nga
heronjtë, pastaj vetë autori me komentet e veta.
(Në
këtë paraqitje nuk flitet për romanet e ndryshme detektive dhe literaturën e veçantë të ashtuquajturën literaturë shundi. Këta nuk hyjnë në
konceptin e artit, sepse veprat e tilla janë të menduara si efekte të lira dhe
zbavitjen e dëmshme të lexuesve. Megjithatë, ekziston edhe një lloj shumë i
zhvilluar i romanit pikar, në të
cilin flitet mbi jetën e aventurierëve dhe të vagabondëve. Po kështu duhet të
përmendim se sot përdoret emërtimi antiroman
për shumë krijime të reja në fushën e romanit. Të theksojmë se këtu nuk bëhet
fjalë për ndërprerjen e formës së romanit, por flitet për një formë të re të
romanit bashkëkohor në kushtet e reja të jetës letrare i cili ka përparësitë e
veta etj.).
Tregimi – për dallim nga romani, është
vepër e shkurtër prozaike në të cilën përshkruhet një pjesë e jetës së njeriut,
gjegjësisht, një periodë nga jeta e personazhit. Nga këndej tregimi është më i
vogël për nga vëllimi, në aspektin e zgjedhjes së lëndës, përpunimit dhe
kompozicionit, për të vlejnë të gjitha kërkesat si edhe për romanin. Kështu,
ndarja e tij bëhet sipa lëndës dhe metodës, sikundër që bëhet edhe ndarja e
romanit. Tregimi është më popullor se romani, sepse veprimi paraqitet në mënyrë
më të ngjeshur, zgjidhet vetëm ajo që është më interesante dhe që lidhet
drejtpërdrejt me personazhin kryesor, temën dhe me kompozicionin e tij të
lidhur, ndikon më sugjestivisht te lexuesi. Edhe në tregim personazhet duhet të
përpunohen psikologjikisht dhe veprimi të arsyetohet në mënyrë të mjaftueshme,
rrëfimi të jetë i natyrshëm dhe në pajtim me lëndën dhe personazhet. Duke folur
për Çehovin, Tomas Man, në lidhje me tregimin thotë: “Çehovi (si edhe Mopasani)
ka kënaqur dimensionet modeste të tregimit. Dhe puna e tillë nuk kërkonte nga
shkrimatri atë qëndrimin heroik të shkrirjes mbi vepër me vite, ndonjëhere edhe
me decenie. Ndaj llojit të tillë letrar sikur të kem ndjerë njëfarë urrejtje,
duke mos kuptuar që atëherë se fuqia e gjeniut mund të përmblidhet edhe në
lëvoren e arrës. Ende s’e kam pasur të qartë se tregimi me qartësinë dhe me
koncizitetin e tij mund të përfshijë thelbin dhe esencën e jetës dhe të nxitë
te ne admirimin më të madh. Dhe kështu në dukje vepra e vogël për nga fuqia e
vet mund t’i kalojë edhe romanet më të mëdha, të ngritur deri në re, romane të
mëdha të cilët gjatë kohës pashmangshëm zbehen, pa hetuar, kalojnë në bezdi të
ëmbël dhe harrohen”. Në tregim
përshkruhet zakonisht vetëm një pjesë e shkurtër e jetës së personazhit.
Subjekti në të është i thjeshtë dhe shtrihet në një kohë të shkurtër zakonisht
me një ose pak personazhe.
Tregimi
zanafillën e tij e ka në prozën tregimtare të folklorit dhe formën e tij të
mirëfilltëë si lloj letrar e arriti në kohën e Rilindjes evropiane. Këtë lloj
letrar e kanë lëvruar shkrimtarë të shquar të shekujve XIX dhe XX, si: Mopasani,
Çehovi, M. Tueni, XH. Londoni, Lu Sin, M. Gorki etj. Edhe në letërsinë tonë ky
lloj letrar filloi të lëvrohet në kohën e Rilindjes Kombëtare dhe si tregim i
parë në letërsinë tonë konsiderohet “Gjahu
i malësorëve” i K.
Kristoforidhit. Më vonë numri i shkrimtarëve që do të shkruajnë tegime do të
rritet. Këtu do të përmendim disa prej tyre: Migjeni, Dh. Shuteriqi, Sh.
Musaraj, F. Gjata, Z. Sako, N. Prifti, I. Kadare, D. Agolli, T. Laço, A. Kondo,
D. Shaplo, Dh. Xhuvani, H. Sulejmani, R. Kelmendi etj.
Tregimi i shkurtër (ang. Short story, gjer. Kurzgeschichte)
– është një nga format më të përpunuara të tregimit bashkëkohor. U krijua në
Amerikë në shekullin XIX (krijues i tij konsiderohet Edgard Alan Poe), më vonë
u përvetësua edhe në letërsinë angleze, gjermane, ruse dhe në letërsitë e tjera
evropiane, kurse përfaqësuesit e tij më të mirë konsiderohen: Mark Tuen, Henri
Xhejms, O. Henri, Ernest Heminguej, V. Fokner, Gogoli, Çehovi, Flober, Mopasan,
Kafka dhe G. Ben. Në letërsinë bashkëkohore këtë e lëvrojnë të gjithë shkrimatarët,
duke gjetur në tematikën dhe faturën e tij shprehjen më të mirë për shqetësimet
dhe tendosjet nervore të njeriut modern.
Tregimi
i shkurtër dallon nga novela, jo vetëm nga “shkurtësia” e tij sesa nga
orientimi i tij i drejtpërdrejtë dhe intensiv në një çast fatal (të kobshëm) në
jetën e njeriut. Derisa novela gradualisht ecën drejt kulmit të veprimit, i
cili zgjidhet me poentën, tregimi i shkurtër që nga fillimi koncentrohet në
çastin fatal në jetën e personazhit. Ky çast vjen befas dhe pashmangshëm. Njeriu
është përplasur në një botë kaotike dhe të ashpër, në të cilën ndeshet në çdo
çast me fakte të cilat brutalisht dhe depërtueshëm zbulojnë se sa është i
pandihmë, i gjorë dhe i rrezikuar. “Frika”dhe “dëshpërimi” janë më së shpeshti
pasojë e këtyre zbulimeve.
Faturën
e tregimit të shkurtër e karakterizon orientimi në fund të tregimit nga fillimi
i tij. Në atë “roman pesë minutësh”,
siç e quajnë disa teoricienë tregimin e shkurtër, shkrimtari duhet ta
koncentrojë shikimin e tij në tërë jetën e një njeriu dhe në të të gjejë atë
ngjarje në të cilën si në vatër thyhet e tërë jeta e atij njeriu. Në këtë
aspekt, tregimi i shkurtër, edhe më shumë se novela, synon në koncizitetin dhe
tendosjen e veprimit dramatik.
Skica – është një tregim i shkurtër i
një ngjarjeje, i një episodi ose personi që ndodh me të vërtetë, pa trillime të
imagjinatës. Dallimi midis tregimit, tregimit të shkurtër, janë të vogla,
thuajse dallime të të tilla s’ka në kuptimin teorik. Në pyetje është pak a
shumë zhvillimi i tyre në aspektin kompozicional.
Në esencë të gjitha këto janë kategori të ngjeshura dhe të komponuara vijëdrejt
dhe megjithatë si të tilla mund të kenë efekt të drejtpërdrejtë artistik.
Novela (lat. novus, frëngj. nouveau, nouvel, it. nuovo – risi) – dallon nga tregimi nga ajo se
për tematikë merr ndonjë ngjarje jo të rëndomtë, interesante, të mundshme ose
të vërtetë dhe e zhvillon një konflikt të vetëm, gjegjësisht të orientuar drejt
zgjidhjes së tij. Prej këndej ajo është e afërt me dramën, me veprimin e
ngjeshur, me kolizionin dramatik, me dinamizmin dhe tensionin, prandaj është
shumë më e përshtatshme për dramatizim sesa tregimi. Ndonëse forma novelistike
ka ekzistuar që në antikitet në formën e historive aventuriere dhe dashurore me
shumë peripeci, krijues i novelës konsiderohet shkrimtari italian Gjovani
Bokaço, me përmbledhjen e tij të novelave me titull “Dekameroni”(shekulli XIV), kurse përfaqësues kryesorë të saj kanë
qenë: Viland, Klajst, Grilparcer, Keler (te gjermanët), Merime, Stendal, Dode,
Mopasan, P. Loti (te francezët), Pushkini, Gogoli, Turgenievi, Tolstoi dhe
Çehov (te rusët) etj. Kjo formë letrare u lëvrua edhe në letërsinë shqipe.
Novela kanë shkruar M. Grameno (“Varri i
pagëzimit”, “Oxhaku”, “E puthura”), Z. Sako (“Bereqeti”, “Ditë të gëzuar”), F. Gjata (“Tana”), S. Spasse, H. Sulejmani, S. Imami, R. Kelmendi, T.Hatipi,
A. Pashku etj.
Llojet tjera
të poezisë epike- ( miti, legjenda, përralla, përrallëza, fjalët e urta).
Që
nga kohërat e lashta njeriu në rrëfime dhe në të rrëfyer ka gjetur përgjigjen
për shumë enigma të jetës dhe të botës. Forma më e vjetër e këtyre rrëfimeve ka
qenë miti,
të cilin e gjejmë në fillim te të gjitha kulturat njerëzore dhe i cili paraqet
formën sinkretike të religjionit, filozofisë, poezisë dhe të njohjes shkencore.
Në mit flitet mbi fuqitë kryesore të botës shpirtërore dhe shqisore, qiellin
dhe tokën, të cilat personifikohen dhe antropomorfizohen si qenie hyjnore, mbi
origjinën dhe veprat e së cilës japin shpjegime në formë të rrëfimit. Në mit
shpjegohen dukuri të ndryshme natyrore (ndërrimi i ditës dhe i natës, i stinëve
të vitit), ashtu sikudër që jepen edhe përgjigje në pyetjet kryesore të jetës
së njeriut në tokë: mbi krijimin e botës dhe të njeriut, mbi raportet midis
njerëzve, mbi pushtetin dhe fuqinë e hyjnive, heronjve dhe mbretërve etj.
Sistemi i këtyre rrëfimeve e sajojnë mitologjinë e një populli ose e një rrethi
të tërë kulturor (mitologjia greke dhe romake, e krishterë, nacionale), kurse
motivet, veprimet dhe personazhet e këtyre miteve paraqesin një thesar të pashtershëm
për krijimet artistike të të gjithë popujve dhe të të gjitha kohërave.
Të
afërta me mitin janë legjendat (lat.
ajo që duhet lexuar), në të cilat
flitet mbi hyjnitë dhe shejtnorët, mbi heronjtë, zanat, djajtë, mbi çudirat dhe
luftërat e besimtarëve kundër fuqive të pandershme, mbi krijimin e vendeve të
ndryshme etj. Legjendat i ndeshim në folklorin e të gjith popujve. Nga heronjtë
tanë legjenda të bukura janë krijuar mbi heroin tonë kombëtar, Skënderbeun, të
cilat janë ruajtur sidomos tek arbëreshët e Italisë etj. Po kështu janë krijuar
legjenda mbi krijimin e ndonjë qyteti,
fshati, etj. Saga (skand. e vj. saga
– tregim) ka një prapavijë historike
dhe është vështirë ta përkufizosh nga kronikat mesjetare p.sh. rrefimet mbi
heroin kombëtar zvicëran, Vilhelm Telin etj.
Nga llojet e letërsisë popullore është edhe përralla,
e cila dallon nga legjenda dhe saga për karakterin e saj fantastik
dhe heronjtë e saj të cilët kryejnë heroizma po ashtu në një botë fantastike.
Ata kanë strukturën e tyre të njëjtë. Përrallat zakonisht fillojnë me fjalët: na ishte se ç’na ishte dhe përfundojnë
me: as përrallë ju rrëfeva, po desha ju
gënjeva etj. Rolin kryesor në përralla e luan heroi dhe ndihmësit e tij. Në
to dallojmë elementin fantastik dhe real. Veprimi në to zhvillohet vijëdrejtë,
pa kthesa të shumta dhe fillon menjëherë (in
media res). Përfundimi i tyre zakonisht është i gëzueshëm. Përrallat mund
të jenë: përralla mbi kafshët, përralla
fantastike, përralla shoqërore, moralizuese, humoristike etj.
Përrallë za (lat. fabula – përrallë)- është një lloj letrar që u krijuar që në
kohët e lashta. Ajo krijohet edhe në vargje edhe në prozë. I përket llojit
didaktik-moralizues të poezisë epike, në të cilën kafshët ose sendet
alegorikisht paraqesin tipat e veçantë të njerëzve si, p.sh.: dhelpra- njeriun
dinak, ujku – gjakpirësin, gomarri – të marrin etj. Kanë karakter figurativ dhe
shpesh përfundojnë me një porosi morale, të cilat shpesh kanë formën e fjalëve
të urta (proverbave). Fabulisti francez, La Fonteni, e ka përkufizuar si “një komedi në njëqind akte të ndryshme,
skena e të cilave është gjithësia”. Fabula kanë shkruar: Ezopi, Fedri, La Fonteni, Krillovi, Lesingu, ndërsa te shqiptarët Santori,
Negovani, Naimi, Çajupi etj.
Fjalët e urta (lat. proverbium apo fjalë e urtë) – janë krijimi të shkutra
me karakter didaktik, përmes së cilave shprehet mendjemprehtësia dhe urtia e
krijuesit. Ato janë të shkurtra me një formë të mbyllur shpesh ritmikisht të
stilizuara me rimë të brendshme. Përmes tyre shprehen mendime dhe gjykime për
çështjet e ndryshme jetësore. Ato në popull shpesh quhen fjalë të moçme ose
fjalë ari:” Po s’punove në të ri, do të
vuash në pleqëri”, “Puna të jep shëndet” etj. Të ngjashme me
fjalët e urta janë edhe gjëegjëzat të cilat në popull ndryshe
quhen kashelashë etj. Këto shquhen për koncizitetin e tyre. Në to parashtrohet
ndonjë pyetje e cila kërkon përgjigje: “Këmbët
në baltë, kokën në arë” – (kalliri i grurit), “ Mulliri bluan, dëllinja luan (goja dhe mustaqet), “Asht
nji kullë e bardhe, pa dritare e pa
shkallë” (veza), “Një patë qafëgjatë,
duke ikur bën shamatë “(aeroplani). Në fund të theksojmë se disa studiues
këto lloje të shkurtra epike për të cilat folëm i vendosin në lirikë.