Përveç
gjinive të pastra letrare (poezisë lirike, epike dhe dramatike) dhe llojeve të
tyre kalimtare (poemës, baladës, romansës) ekziston edhe një varg veprash të
cilat mund t’i emërtojmë si lloje të përziera letrare. Në të vërtetë, në këto
vepra objekti i paraqitjes merret nga jeta e vërtetë ose nga ndonë fushë
shkencore (historisë, filozofisë, sociologjisë, drejtësisë), kurse përpunimi i
materies në këto vepra bëhet në mënyrë artistike-letare. Ajo që këto vepra i
bën letrare janë ato veçori të cilat në përgjithësi janë karakteristike për
letërsinë: paraqitja e personazheve dhe e dukurive përmes tablove konkrete,
emocionaliteti, topika dhe figuracioni i gjuhës, ritmi i fjalive, kuptimi i
gjerë ideor, kurse ajo që i afron me shkencën është objekti i paraqitjes:
historke, filozofike, sociologjike, gjeografike, etnografike etj. Në këto lloje
letrare është shumë e kufizuar imagjinata e shkrimtarit. Shkrimtari këtu nuk i
trillon dukuritë dhe ngjarjet, por paraqet objektivisht dhe benikërisht atë që
ka parë dhe përjetuar vërtet. Ai nuk paraqet tablon e trilluar të jetës, por e
përshkruan jetën e vërtetë, të atillë çfare është paraqitur ajo objektivisht
para tij. Dallimi midis veprave të këtilla dhe tregimeve e romaneve qëndron në
atë se tregimtari dhe romancieri me imagjinatën e tyre krijojnë personazhe dhe ngjarje të
trilluara, të cilat janë karakteristike për mjedisin dhe jetën që përshkruhen
në tregimet dhe romanet e tyre, kurse shkrimtari i ditarit ose i udhëpërshkrimit,
ose i biografisë etj. në vetë realitetin zbulon njerëz dhe ngjarje
karakteristike, që e detyrojnë që imagjinatën e vet sa më shumë ta kufizojë dhe
që vetëm objektivisht, saktë dhe me besnikëri të shënojë atë që ka parë.
Reportazhi
artistik (fr. reportage) (ose përshkrimi letrar) – është lloj
i veprava të tilla, të cilat qëndrojnë më afër letërsisë, të cilat disa e
quajnë tablo nga jeta. Ky në të vërtetë është tregim, më rrallë roman, në të
cilin përshkruhen personazhe dhe ngjarje të vërteta, dhe çdo gjë tjetër:
kompozicioni, personazhet, emocionaliteti, gjuha poetike etj. – janë njësoj si
edhe në tregimet e vërteta. Në të vërtetë, reportazhi artistik është formë
letrare epike, por për të vetmin element
të tijin, për lëndën nga jeta e vërtetë e cila nuk është trilluar, e kemi
përfshirë në këto lloje të përziera letrare, si kalim nga regjistrimi
repertorsk drejt letërsisë së pastër. Reportazhi
atistik nuk duhet ngatërruar me
tregimin historik, romanin ose dramën. Për këto të fundit lënda merret nga e
kaluara, kurse për reportazhin lënda merret nga e tashmja; shkrimtari i merr personazhet që i ka parë
vetë dhe ngjarjet të cilat i ka përjetuar vetëose në të cilat ka qenë
pjesëmarrës vetë. Në tregimet, romanet dhe dramat historike shkrimtari duhet
t’ia qëllojë vetëm ngjyrës së epokës dhe
deri diku karakterin e personazheve historike dhe, çdo gjë tjetër mund t’ia
lëshojë imagjinatës së tij; mund ta ndërrojë rrjedhën e ngjarjeve, t’i mendojë
situatat dhe personazhet dytësore, të shtojë episode të ndryshme etj. Në
reportazh autori është i detyruar t’i qëndrojë besnik të vërtetës jetësore, pa
trilluar asgjë, ngjarjet t’i japë sa më gjallërisht, sa më artistikisht dhe
emocionalisht. Shkrimtari i reportazhit shfrytëzon mjetet letrare për
paraqitjen e ndonjë ngjarjeje ose personi: përhkrimin, dialogun. Reportazhi i
mirë shquhet për aktualitetin e temës që trajton, për ngjeshurinë, për
interesin dhe frymën e shkrimit. Me kualitetet e tij artistike ai qëndron shumë
afër letërsisë së vërtetë, me ç’rast merr veçori zhanrore të skicës, tregimit
dhe romanit. Dhe si formë e tillë ai quhet reportazh artistik
Reportazhi artstik është
lëvruar në të gjitha letërsitë e botës
(që në kohën kur u shfaq, në shekullin XVI). Me të janë marrë jo vetëm
gazetarët, por edhe shumë shkrimtarë duke lëvruan tema nga jeta e përditshme.
Udhëpërshkrimi
është një lloj letrar përmes të cilit përshkruhen njerëzit, visoret dhe vendet
nëpër të cilat krijuesi letrar kalon dhe i paraqet përshtypjet dhe meditimet e
tij mbi atë që ka parë dhe dëgjuar gjatë rrugëtimit të tij. Udhëpërshkrimi
është njëri nga llojet më të vjetra letrare. Kujtime dhe përshkrime të
udhëtimeve gjejmë që në epet që janë ruajtur deri më sot, kurse poeti gjerman
Hajne konsideron se udhëpërshkrimi është forma më e natyrrshme dhe më burimore
e romanit. Udhëpërshkrimi është i rëndësishëm si nga aspekti letrar ashtu edhe aspekti
kulturo-historik. I pari që ka shkruar udhëpërshkrime është shkrimtari i vjetër
grek, Pauzan. Udhëpëshkrime kanë shkruar: Volteri, Shatobriani, Lamartini,
Gëte, Hajne Ramiz Kelmendi etj.
Biografia
(gr.bios – jetë dhe gráphós – shkruaj, jetëshkrim) është krijim ku krijuesi
përshkruan jetën e personaliteteve të njohura dhe të rëndësishme për një epokë.
Biografia është e afërt me reportazhin
artistik, po më tepër është e kushtëzuar nga materiali faktik. Në të
përshkruhet jeta e ndonjë njeriu të madh,
personaliteti i të cilit është i rëndësishëm për një epokë ose është tipik për
punën e njerëzve të veçantë (politikanëve, shkencëtarëve, artistëve, letrarërve
etj.) Në letërsinë botërore janë të njohura biografitë e Stefan Cvajgut (Romen Rolani, Betoveni), biografia e Stendalit në romanin –biografik Tri ngjyra të epokës të I. Vinogradovit,
kurse te ne biografia ka filluar të lëvrohet që në kohën e Rilindjes. Biografi
ka shkruar K. Kristoforidhi “Jetëshkronja
e njrëzve ndriçim – Jan Gutenbergu”,
Mithat Frashëri “Naim Be- Frashëri,
Aleksandër Xhuvani Jeta e Mehmet Aliut,
pashës së Misirit, Simon Shuteriqi, Jetëshkrimi i Konstantin Kristoforidhit
etj.
Nga biografia duhet dalluar
biografinë shkencore, studimin, i cili karakterizohet me paraqitjen e ngjarjeve
kryesore nga jeta e individit dhe të cilën me shumë e inereson puna publike (artistike, shkencore, politike)
e individit, kurse shumë pak jeta private, përjetimet shpirtërore, gëzimet dhe
shqetësimet, ëndrrat dhe përmallimet dialogët e brendshëm dhe ndjenjat intime,
e gjithë kjo është objekt i interesimeve të biografit artistik.
Autobiografia (gr. autós vetë dhe
biós – jetë, gráphōs – shkruaj) është një lloj shkrimi kur njerëzit e shquar shkruajnë
për jetën e tyre. Autobiografi kanë shkruar: Leon Tolstoi “Fëmijëria, djalëria dhe rinia”, Maksim Gorki “Universitetet e mia”, pastaj autobiografia e Çarls Darvinit,
Vitorio Alfierit etj.
Ditari
(lat. diarium)) është lloj letrar në të cilin shënohen ngjarjet e ditës me
ditët dhe datat e shënuara, qoftë kjo të bëhet për vete – mbajtja e ditarit –
përjetimet personale ose për ndonj personalitet të njohur. Dmth. në të në
mënyrë kronologjike përshkruhen ngjarjet në të cilat ka marrë pjesë në periudha
të caktura vetë autori. Ai fillon të kultivohet në kohën e humanizmit dhe
renesansës. Popullaritetin e tij e arrin në shekullin e 18-të në formën e
udhëpërshkrimit, me një formë të kohës së kufizuar të udhëtimit, me një vlerë
të madhe letrare dhe historiko-letrare. Gjatë romantizmit në fillim të
shekullittë 19-të, është i zakonshëm ditari në formën e letrave dërguar një
personi. Forma e ditarit (data dhe shënimi i vendit) e obligojnë autorin në
saktësi dhe besueshmëri. Të dhënat që jepen në ditar, meqë shënohen
drejpërdrejt ngjarjet që kanë ndodhur, mund të shërbejnë si material i
besueshëm më vonë me rastin e shkrimt të autobiografisë, memoareve dhe veprave
të natyrës së ngjashme. Shumë ditarë janë intimë të cilët përmbajnë të
dhëna nga jeta personale e autorit
kryesisht të natyrës sentimentale. Këta ditarë paraqesin historinë e autorit dhe nuk destinohen për publikim.
Llojet e tjerë të ditarëve autorët kryesisht i botojnë në të gjallë të tyre. Ditare
kanë shkruar: Alfred de Vinji “Ditari i
një poeti”, Fadil Hoxha “Ditari”etj.
Memoaret
(fr.mémoire - kujtim) janë shkrime në
të cilat shkrimtari shkruan për mjedisin dhe kohën në të cilën ka jetuar dhe ka
punuar. Memoaret shkruhen sipas kujtesës, zakonisht në fund të jetës së
shkrimtarit. Memoaret si lloje letrare kultivon që nga kohët më të hershme, që
nga koha antike (Ksenofoni, Qesari), deri në kohën më të re (në veçanti janë
kultivuar në Francë - Ruso, më vonë në Gjermani – Gëte, pastaj në Rusi –
Herceni). Në shekullin e 19-të dhe të 20-të, literatura memoriale është shumë e
pasur, kurse pas Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore disa vepra të këtij lloji
kanë përjetuar publicitet të madh. Memoare kanë shkuar: Jul Qesari, Sen Simoni,
Vinston Çerçili, Ajzenhaueri, kurse në letërsinë shqipe është i njohur Mihal
Grameno me veprën “Kryengritja shqiptare”.
Eseja
(fr.essai – shqyrtim, përpjekje) qëndron më afër krijimeve artistiko-letrare,
në të cilin flitet për ndonjë problem shkencor ose letrar, për ndonjë çështje
kulture ose të jetës shpirtërore, në formë mjaft inventive, emocionale dhe
mendjehollësi, me theksimin e përjetimit personal, por me synim që objekti të
ndiçohet në të gjitha anët dhe të depërtohet në thelbin e çështjes. Në aspektin
e strukturës kompozicionale ai i afrohet arkitektonikës së lirë të veprës
letrare artistike duke treguar fuqinë krijuese origjinale të shkrimtarit të
saj. Në letërsinë evropiane esenë i pari e ka lëvruar Montenji në Francë (Ese, (Essais) 1580), duke ecur me sukses
pas disa shembujve romakë (Plutarkut dhe Senekës), kurse pas tij edhe filozofi,shkrimtari
dhe shtetari anglez, Frensis Bekon, në Agli (Ese, 1597) si eseistët e njohur
anglezë të shekullit XVII (Adison, Stil, Drajden, Semjuel Xhonson). Në shekulli
XIX eseja zhvillohet hovshëm në të gjitha letërsitë (në Angli: Karajl, Makoli,
Raskin; në Francë: Sent-Bev, Ten, Brinetier, në Amerikë: R.V.Emerson; në Rusi:
V.G.Belinski), ashtu që në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX
arriti përsosshmërinë në përpunimin e shkëlqyer të shumë letrarëve të shquar:
A. Haksli, T.S.Eliot, V.Vulf, A.Frans, M.Bares, Pol Valeri, A. Zhid, Gj. Lukaç,
Hajnrih dhe T. Man. St. Cvajg etj. Në letërsinë shqipe eseja ka filluar të
lëvrohet më vonë.