U shfaq kryesisht si lëvizje letrare, por ai
pati ndikim edhe në artet e tjera si në pikturë, arkitekturë, teatër,
skenografi, balet dhe muzikë. Parim themelor i futurizmit ishte mohimi i
traditës (të kaluarës) dhe kthim nga e ardhmja. Nga këndej edhe fjala latine
futurum nga e ka prejadhjen fjala futurizëm, do të thotë ardhmëri, nga kjo
futurizmi ka qenë lëvizje letrare e cila i është kthyer ardhmërisë dhe beson në
afirmimin e tij në ardhmëri. Futuristët besonin se tematikisht dhe shprehimisht
kanë zbuluar artin e së nesërmes, nga këndej edhe mohimi kategorik i tyre i
çfarëdolloj tradicionalizmi. Një nga “rregullat” e tij ishte “Ta flakim fjalinë
si përbindësh antipatik”. Nga ana sintaksore, përfaqësuesit e kësaj rryme
letrare mohonin madje edhe rolin e mbiemrave, mënyrët dhe kohët e foljes dhe
mendonin se poezisë së ardhmërisë nuk i duhet as metrika, as ritmi, as strofa.
Themelues dhe teoricien i futurizmit konsiderohet poeti italian Filipo Tomazo
Marineti (1876-1944), i cili më 20 shkurt të vitit 1909, në emër të grupit të
vet, publikoi Manifestin futurist
në gazetën parisiene Figaro, në
të cilën proklamoi programin e futurizmit, ku në mes tjerash thuhej:
1. Ne dëshirojmë ta këndojmë
dashurinë ndaj rrezikut, energjinë nga shprehia dhe guximin e marrë.
2. Bërësit kryesorë të poezisë sonë do të jenë
kryelartësia, guximi dhe rebelimi.
4. Ne deklarojmë se shkëlqimi i botës është pasuruar me një bukuri të re:
me bukurinë e shpejtësisë. Automobili i shpejtë karreria e të cilit e ngarkuar
me gypa të mëdhenj të cilët ngjajnë me gjaprin me frymë ekspolozive, automobili
i cili ushton, i cili duket se shpejton në shrapnel, është më i bukur se
“fitorja në Akropol”
5. Dëshirojmë ta lëvdojmë njeriun i cili qëndron
pranë timonit, boshti i menduar i të cilit çan tokën e hedhur në orbitën e
pistës së saj planetare
6. Poeti veten e vet duhet ta shkrijë në
ngrohtësi, në plangprishje të shkëlqyer, që të mund ta rritë zjarrin entuziast
të atyre që janë të ndijshëm në uranium.
7. Vetëm në luftë gjendet bukuria. S’ka kryevepra
pa momentin agresiv. Poezia duhet të jetë sulm mbi forcat e panjohura që t’i
ftojë këto të nënshtrohen para njeriut.
8. Gjendemi në platformën e skajshme të
shekujve!…Pse të kthehemi prapa asaj që gjendet pas nesh, tash kur pikërisht i
shembim dyert e fshehta të së pamundurës! Koha dhe hapësira janë ngitur dje në
lartësi. Ne tashmë jetojmë në absoluten, sepse tashmë kemi krijuar shpejtësinë
e amshueshme të pranishme kudo.
9. Ne
duam ta lavdërojmë luftën – të vetmen higjienë të botës – militarizmin,
patriotizmin, gjestin, rrënues të anarkistëve, mendimet e bukura të cilat
vrasin dhe përbuzjen e gruas.
10. Duam t’i rrënojmë muzetë, bibliotekat, të
luftojmë kundër moralizmit, feminizmit dhe të gjitha poshtërsive të cilat janë
oportuniste dhe kanë për qëllim dobinë.
11. Do të këndojmë për njerëzit që punojnë, për
kënaqësinë dhe e kundërta, për shumicën e nuancuar të deteve të hapur të
revolucioneve në metropolet moderne, për vibracionet e arsenalitë e natës dhe
kontejnierët nën shkëlqimin e fuqishëm të hënave elektrike; për stacionet
hekurudhore që gëlltitin plot gjarpinj tymi; për fabrikat të cilat me penjtë e
tyre janë ngjitur në re; për urat të cilat si gjimnaste kërcejnë nëpër
farkataren e thikave të lumenjve të ndriçuar nga dielli, për anijet aventurore
të cilat me flegrat e tyre nuhasin horizontin; për lokomotivat kahëgjera të
cilat godasin në shina si kuajt gjigantë të çeliktë të penguar me gypa të gjatë
dhe për fluturimin rrëshqitës të aeroplanit elipsi i të cilit valvitet si
flamuri në erë dhe duartroket si turma (masa) e rënë në delirium.
Në aspektin estetik lëvizja
futuriste u shfaq si reaksion i sentimentalizmit, pesimizmit, pasivitetit të
letërsisë së atëhershme, pastaj kundër traditës; shquhet për frymën e saj
militante, për kultin e shpejtësisë, për himnizimin e teknikës etj., dhe
lavdëron agresivitetin, terrorizmin, rebelizmin, goditjen, luftën, ëndrrën,
aventurën, kënaqësinë etj.
Në
aspektin gjuhësor futuristët kërkonin thjeshtësimin e gjuhës poetike, flakjen e
sintaksës, interpunksionit, mbiemrave, ndajfoljeve dhe lidhëzave, përdorimin e
foljeve vetëm në paskajore (infinitiv), interpunksionin e zëvendësojnë me
shenja matematikore, me formula kimke dhe me renditjen e veçantë të fjalëve dhe
të shkronjave. Në lirikë kultivojnë vargun e lirë. Përveç poezisë futuristët u
intersuan edhe për artet e tjera dhe kështu pasuan edhe manifeste të tjera, në
të cilat futuristët përpunuan programin e tyre duke propaguar idetë e
tyre…Kështu ata publikuan Manisfestin e teatrit futurist sintetik,
Manifestin e pikturës futuriste, Kinemaja futuriste etj. Si edhe
përfaqësuesit e rrymave të tjera letrare edhe futuristët patën qëndrim kritik
ndaj traditës letrare dhe kulturore të së kalurës dhe në këtë aspekt ata u
treguan aq radikalë sa që kërkonin rrënimin e muzeve, të cilët i quanin
“varreza të artit”, djegien e bibliotekave dhe të akademive, që i konsideronin
konservatore që e pengonin zhvillimin e lirë të artit dhe kulturës (Agim Vinca,
Kursi i teorive letrare, Shtëpia
botuese, Libri shkollor, Prishtinë, 2002, f. 216).
Konfuzioni
i këtillë sociologjik dhe ideor i futurizmit italian shpjegohet me faktin se
shkollën futuriste e krijuan poetët të cilët i përkisnin borgjezizë së re
italiane të pakënaqur me pozitën në të cilën gjendej Italia, e cila kishte
aspirata imperialiste dhe se një pjesë e saj gjendej nën pushtetin austriak çka
deri diku e shpjegon militarizmin dhe përqafimin e luftës nga ta, të cilët më
vonë iu bashkangjitën fashizmit; dhe se tradicionalizmi në Itali qe më i
theksuar sesa në vendet e tjera kapitaliste si në Francë dhe në Angli, nga
këndej edhe reaksioni i vrullshëm dhe eksploziv kundër traditës, andaj
futuristët italianë i këndojnë luftës, terrorizmit, rebelimit, aventurave dhe
kënaqësive. Nga kjo programi i parë futurist më tepër pati karakter social sesa
estetik.