2012-07-19

Ju që e prutë dikur vetë, tash e gëzofshi me shëndet!


Shkruan: ADNAN ABRASHI
“Jo, s’e ha!...E hëngre, be dajë”, thotë një metaforë e shprehur në zhargonin popullor. Por, mendoj se me këtë punë, nuk e hëngri veç Isa, Hashimi dhe Bexha, por i tërë një Kuvend i Kosovës, i cili me 2/3-tat e votave të besuara e votoi këtë “presidente nga zarfi”.
Pranoj se, me bindje më ndryshe, fuqishëm i takoj atij grupi të paktë qytetarësh, të cilët thellësisht janë të bindur se kjo Gjykatë e jona Kushtetuese, si nga aspekti profesional kadrovik, ashtu edhe nga ai i vendimmarrjes së drejtë deri më sot gjykuese (aktgjykuese), mund të konsiderohet plotësisht neutrale dhe e paanshme nga ndikimet e qendrave të caktuara politike vendore dhe ndërkombëtare. Por, së fundi, tek rasti i vlerësimit në lidhje me shkurtimin e mandatit të presidentes aktuale, jam më se i bindur se, kjo Gjykatë, ka vepruar profesionalisht dhe shumë drejt.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese
Derisa pas këtij vendimi të pakontestueshëm të GJKK, tash e tutje, subjektet tona politike, zëshëm do të merren me anën e drejtë, apo të padrejtë të këtij vendimi, mendoj se, në vend se ata të shpenzojnë kohën dhe energjinë në këtë drejtim, do të ishte shumë më racionale dhe shumë më produktive për ta që vëmendjen e tyre ta përqendrojnë në analizën e atij momenti qesharak, të naivitetit vetjak, të pranimit si kandidat për president, të një anonime të imponuar nga dikush tjetër autoritar me zarf. Kuptohet, fundi i kësaj përsiatje të tyre kreative, uroj nga zemra që të del si zotim se kurrë më në të ardhmen nuk do t’i përsërisin këto gabime aq naive. “Jo, s’e ha!... E hëngre, be dajë”, thotë një metaforë e shprehur në zhargonin popullor. Por, mendoj se me këtë punë, nuk e hëngri veç: Isa, Hashimi dhe Bexha (treshja palaço në duart e Dellit), por i tërë një Kuvend i Kosovës, i cili me 2/3- tat e votave të besuara, e votoi këtë “presidente nga zarfi”. Mu ky Kuvend, mbështetur në pikat e asaj fantom marrëveshje të 6 prillit 2011, e që kanë të bëjnë me shkurtimin e mandatit të saj kushtetues tani të fuqizuar edhe ligjërisht nga çdo paqartësi, atëbotë, aprovoj edhe një rezolutë jo/kushtetuese. Kështu që, e mbështetur edhe nga propaganda e fuqishme mediatike e aktualitetit të momentit, ma dashje, apo, pa dashje, këtë kulaç të gatuar si mashtrim, e “hëngrëm” edhe ne si opinion.
Tek tash nisin telashet për presidenten?!
Pas prurjes së këtij vendimi juridikisht të pa/atakueshëm dhe detyrimisht të zbatueshëm të GJKK, tash e tutje, jam më se i bindur se në jetën dhe punën e saj, presidentja Jahjaga, sigurisht do të përballohet me shumë situata të palakueshme të prapavijës së errët të këtij zanati. Këto sfida do të jenë të ndryshme: disa si presione në formë të trysnisë për dhënie të vullnetshme të dorëheqjes që praktikisht do të zhvillohen prapa kulisave dhe jashtë syve të opinionit; dhe disa të tjera të natyrës publicistike: artikuj, editoriale, analiza, opinione...me fakte dhe jo/fakte, principiele dhe jo/principiele, të shënjestruara në drejtim: drejt diskreditimit dhe zbehjes së personalitetit të saj në opinion. Nga e gjithë kjo lakoni reagimesh të bëra ndaj këtij Vendimi të GJKK si zyrtare në opinion, ajo që më së shumti më bëri të befasohem ishte deklarata e menjëhershme e përfaqësueses së LDK-së - deputetes Vjosa Osmani, e cila, sigurisht nga ndjesia e mllefit të përfshirjes kyç të partisë së saj në këtë lojë të fëlliqur politike, qëllimshëm sipas direktivës, apo në lajthitje totale, me këmbëngulje pretendonte se ky akt i kësaj Gjykate, kinse nuk na qenka si VENDIM obligues ekzekutiv, por vetëm si një “MENDIM i pa/obligueshëm sugjerues”. Ajme, ajme, ajme..! “Gajret i thatë, përplot ethe” - e ka populli ynë një fjalë të urtë, për këto situata, e nderuara profesoreshë Osmani. Edhe, sikur ta zëmë, ky vlerësim i GJKK të ishte mendim, e jo vendim, sikur thoni ju, ku keni has zonjushë, që qëndrimet profesionale vendimmarrëse, ose edhe interpretuese të gjykatave kushtetuese, ligjërisht të reflektojnë si më pak të vlefshme dhe më pak të fuqishme se sa synimet e caktuara formalestrategjike të çfarëdo partie politike, pa marrë parasysh fare se a e kanë ato emirin: marrëveshje apo çfarëdo tjetër terminologjikisht më mbresëlënëse?!
Inicimi i shkarkimit të parakohshëm
Po ashtu, lexova këto ditë diku se si një analist i yni politik parashikonte mundësinë kushtetuese të inicimit të shkarkimit të parakohshëm të presidentes Jahjaga. Për këtë punë, sipas tij, do të mjaftonin 2/3 e votave, e këto vota, PDK, LDK dhe AKR së bashku, praktikisht i kanë si numra në Parlament. Vërtet! Kushtetutën e Republikës së Kosovës e parasheh edhe këtë mundësi, por jo kur dikujt i teket. Neni 91, pika 1, e Kushtetutës decidivisht konstaton: “Presidenti i Republikës së Kosovës mund të shkarkohet nga Kuvendi nëse ai/ajo është dënuar për kryerjen e krimit të rëndë ose nëse ajo/ai nuk është i/e aftë për të ushtruar përgjegjësitë e këtij posti për shkak të sëmundjes së rëndë ose nëse Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se ajo/ai ka bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës”. Aspak nuk besoj se, në të ardhmen, presidentja Jahjaga mund t’ia lejojë vetes që me ndonjë veprim apo mosveprim, të krijojë për veten këso rrethana të padëshirueshme të përcaktuara si në nenin 91, pika 1 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, e që do ta mundësonin inicimin e shkarkimit të saj. Më tej, në pikën 2 të po këtij neni të Kushtetutës së Kosovës, thuhet: “Procedura për shkarkimin e Presidentit të Republikës së Kosovës mund të iniciohet nga një e treta (1/3) e deputetëve të Kuvendit, të cilët nënshkruajnë një peticion, i cili shpjegon arsyet për shkarkim. Në rast se peticioni supozon sëmundjen e rëndë, Kuvendi do të kërkojë mendimin e konsiliumit mjekësor për gjendjen shëndetësore të Presidentit. Në rast se peticioni supozon ndonjë shkelje të rëndë të Kushtetutës, peticioni duhet t’i dorëzohet menjëherë Gjykatës Kushtetuese, e cila vendos për këtë çështje brenda shtatë (7) ditësh nga marrja e peticionit”. Krejt në fund, këtë artikull desha të përmbylli mu ashtu sikur e titullova në fillim. Me porosi: “Ju që e prutë dikur vetë, tashti e gëzofshi këtë presidente, me shëndet!”.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...