2012-07-19

Nuk ka arsye të harrohen apo të anashkalohen ngjarjet me rëndësi politike e historike


Shkruan: Dr. sci. Ramadan KELMENDI
Në historinë e popullit shqiptar në Kosovë ka shumë ngjarje e data me rëndësi historike. Shumë nga këto data, me vetëdije apo pa të, ne i bëjmë të njohura apo të panjohura. Në këtë mënyrë ndërpresim lidhshmërinë e ngjarjeve në proceset politike të shtetbërjes së Republikës së Kosovës, e me këtë e zbehim rrugëtimin dhe kontributin tonë të përbashkët për liri, pavarësi dhe shtetbërjen e Republikës së Kosovës.
Këtë liri që ne sot po e gëzojmë dhe faktin se pavarësisë së kushtëzuar po i afrohet fundi nuk është rezultat vetëm i një gjenerate dhe as i vetëm i ne të gjithëve, por është kontribut, sakrificë, angazhim, flijim dhe meritë e shumë breznive para nesh. Shkurt, liria e sotme dhe pavarësimi i Kosovës është kontribut i sublimuar i gjeneratave ndër shekuj, i kristalizuar në kërkesën të mbrojtur me dije e gjak për lirinë dhe shtetësinë e Kosovës në hapësirat e saja etnike dhe demografike.
Duke çmuar, nderuar, respektuar si dhe përulur para çdo date të rëndësishme historike të luftës së popullit tonë historik dhe liridashës, para çdo personaliteti shqiptar të njohur e të panjohur që dhanë kontribut për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, shtroi kërkesën para institucioneve tona që në mënyrë të organizuar, dinjitoze, institucionale, t’i shënojnë dhe ndriçon shkencërisht dhe historikisht vlerat, e datat historike dhe personalitetet tona, të të gjitha gjeneratave mbi të cilat u ngrit shtetësia dhe pavarësia e Kosovës.
Nënvlerësimi i ngjarjeve të rëndësishme historike

Mirënjohjen dhe pranimin e vlerave të së kaluarës jo vetëm se duhet ta bëjmë në mënyrë institucionale tanimë kur i kemi institucionet tona, por këtë duhet ta bëjë për begatinë tonë të lavdishme në këtë rrugëtim të gjatë të pavarësisë edhe për gjeneratat që do të na trashëgojnë.
Dhe, pikërisht në këtë kontekst, sikur ne me vetëdije apo pa vetëdije i harrojmë, apo i nënvlerësojmë datat e rëndësisë së veçantë historike, personalitetet dhe aktorët e ngjarjeve e vlerave, etj. Me keqardhje më duhet të rikujtoj se popujt e tjerë nuk veprojnë kështu, ata nga asgjëja bëjnë diç, krijojnë data dhe personalitete false, në të mirë të tyre, e NE, përkundrazi fakteve dhe argumenteve të pamohuara, shkelim mbi to.
Dhe, pikërisht po ndodh kjo tani si në shumë raste e personalitete të tjera edhe me Deklaratën e pavarësisë së Kosovës, të 2 korrikut 1990, kur deputetët legjitimë të Kosovës, duke shprehur vullnetin e popullit shumicë të Kosovës, pra të shqiptarëve, para dyerve të mbyllura të Kuvendit të Kosovës, nën prangat e hekurta të tankeve të policisë serbe - shpallën aktin Kushtetues të pavarësisë së Kosovës, vullnet të cilin e sublimuan me miratimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, më 7 shtator 1990, në Kaçanikun legjendar.
Dhe, pikërisht kjo datë historike pa kaluar as 22 vjet të plota harrohet nga institucionet e Kosovës. Shkaqet dihen, por është më se e vërtetë se me këtë akt u vunë themelet burimore kushtetuese të shtetësisë së Kosovës.
Në kontinuitetin historik e politik, 2 korriku 1990 mbeti vendimi themelor përfundimtar i shqiptarëve të Kosovës për shkëputjen definitive të çdo lidhje me Serbinë dhe ish-RFSJ-në dhe pikërisht ajo që u vendos atëherë po ndodh sot. Me këtë akt burimor kushtetues, Kosova para 22 vjetësh doli nga kthetrat artificiale sllave, para Sllovenisë, Kroacisë, BH, Malit të Zi, për ta vazhduar jetën e vet paralele - institucionale politike, ekonomike, juridike, kulturore si shtet i vërtetë. Dhe, që nga kjo date historike de-facto Serbia nuk arriti kurrë më të ketë jurisdiksion mbi Kosovën dhe as që do ta ketë ndonjëherë më. Andaj ky akt burimor kushtetues meriton të shënohet siç po bëjmë sot dhe kurrsesi nuk duhet harruar.
Nga se Deklarata e pare Kushtetuese për pavarësinë e Kosovës u miratua më 2 korrik 1990, krijoi parakushtet juridiko-politike mbi të cilat filluan të funksionojnë institucionet e mëvetësishme të Kosovës, edhe pse Kosova ishte e okupuar nga Serbia. Këto institucione paralele ndaj atyre serbe ushtronin detyra shtetërore dhe kombëtare në një nivel të admirueshëm dhe të paparë ndonjëherë më parë në historinë e formimit të shteteve të reja. Nuk është mburrje e as lavdërim, por 2 korriku 1990 ka hyrë në historinë më të re të Kosovës si ditë kur u vunë themelet e shtetësisë së Kosovës. Kjo datë ishte një mesazh i fuqishëm për faktorin ndërkombëtar dhe vendor se Kosova dhe populli i saj shumicë ka vendosur të ecë rrugëtimit të saj final për ta bërë Kosovën shtet të pavarur dhe sovran.
Ky akt burimor kushtetues i vullnetit të shqiptarëve është AKTUAL për të sotmen dhe të ardhmen e Kosovës, ngase:
Kjo deklaratë në thelb është një akt politik i vetëvendosjes së popullit shqiptar në Kosovë, por në vete përmban edhe qëndrime juridike. Vlera kryesore e Deklaratës qëndron në faktin se anuloi vendimet e delegatëve të përbërjes së mëparshme, të cilët dhanë pëlqimin në amendamentet kushtetuese të Serbisë për ndryshimin e pozitës kushtetuese të Kosovës.
Me Deklaratën Kushtetuese u përcaktua se rregullimi i ardhshëm kushtetues i Kosovës do të mbështetet në kërkesat gjithë popullore dhe në interesat e popullit shqiptar për t’u pavarësuar duke u bazuar në parimin e shprehjes së vullnetit të lirë e demokratik për vetëvendosje.
Nga teksti i Deklaratës Kushtetuese rezultojnë këto përcaktime të qarta:
1. Deklarata Kushtetuese është një akt i vetëvendosjes politike i popullit shumicë të Kosovës, si orientim burimor i rregullimit të ardhshëm kushtetues.
2. Kosova duke u shpallur njësi e barabartë me njësitë e tjera avancohet në republikë, duke hapur rrugët për pavarësi të plotë.
3. Shpallen shqiptarët si popull shumicë në Kosovë e me këtë nënkupton si shumicë politike e jo pakicë kombëtare, siç e dëshironte dhe e përcaktonte me kushtetutën e vet diskriminuese ish-RSFJ.
4. Me Deklaratën Kushtetuese bëhet përcaktimi i qartë se Kosova dhe organet e saj marrëdhëniet e veta në rregullimin e ardhshëm i mbështesin ekskluzivisht në vullnetin e popullit shumicë të Kosovës, pra të shqiptarëve.
5. Bëhet emërtim kushtetues i Kosovës dhe atë deri në përcaktimin kushtetues si Kosovë, e kurrsesi Kosovë e Metohi, siç dëshiron e proklamon Serbia.
6. Deklarata Kushtetuese me një aspekt është me vlerë historike, juridike dhe politike, sepse në fakt përveç tjerash, me të u bë anulimi i Rezolutës së Kuvendit të Prizrenit të datës 10 korrik 1945, sipas të cilës gjoja se shqiptarët me vetëdëshirë dhe vullnet të pa imponuar iu bashkuan RPFJ-së. PO ashtu u bë anulimi i pëlqimit të dhënë në Kushtetutën serbe të tankeve, të 23 marsit 1990.
7. Në anën tjetër, me Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut 1990 aprovohet e drejta e popullit shqiptar për vetëvendosje, e drejtë kjo të cilën populli shqiptar e ka shprehur dhe miratuar në Konferencën e Bujanit (31 dhjetor 43 e 1, 2 janar 44). Është me rëndësi kjo se kjo rezolutë paraqet dokument themelor të vetëvendosjes së popullit shqiptar në Kosovë, ngase edhe është akt me garanci ndërkombëtare.
Po ashtu, me Deklaratën Kushtetuese u sendërtuan kërkesat gjithë popullore për vendosje politike të popullit shqiptar, duke ua bërë me dije së pari shqiptarëve, së dyti Serbisë dhe së treti bashkësisë ndërkombëtare se populli shumicë i Kosovës, pra shqiptarët, tash e tutje shkëpusin çdo lidhje me Serbinë dhe nuk do të pranojnë të jetojnë nën juridiksionin e saj dhe atë e konsiderojnë okupatore, ndërsa në të ardhmen fqinjë verior.
Andaj mbështetur në këto vlera është obligim individual dhe kolektiv i të gjithëve të punojmë në realizimin e tyre. Faktet flasin se 2 Korriku duhet ta zërë vendin e vetë të merituar jo vetëm në Ligjin mbi festat shtetërore, por duhet të shënohet me manifestime të organizuara institucionale.
Ndërsa, deputetët e kësaj legjislature tani skajshmërisht të lënë pa kujdesin shtetëror së paku të bëhen pjesë e përkujdesjes institucionale.
(Autori ishte pjesëmarrës në shpalljen e Deklaratës së Pavarësisë, ish-nënkryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës në egzil, ish- deputet i disa legjislaturave, ligjërues i Drejtës Kushtetuese)

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...