Kush po iu vë pranga fëmijëve?!


Shkruan: Nuhi Ismajli
Ka kohë që arsimin fillor e mundon një problem mjaft i theksuar – problemi i formimit të klasave të para, sipas dëshirës së disa mësuesve të pandërgjegjshëm. Mësues shumë të pandërgjegjshëm, duke qenë të papenguar nga askush, kanë formuar vetë paralelet, sipas dëshirës së tyre dhe në mënyrën më të pandërgjegjshme. Ata kanë marrë vetë fëmijët, duke i zgjedhur ata të familjeve më të pasura, të familjeve më të shkolluara dhe fëmijët me aftësi më të mëdha mendore. Ka ndodhur që mësuesi, fillimisht, në klasë ka pranuar një numër të madh fëmijësh, të cilët i ka mbajtur për disa kohë, gjersa i ka dalluar nxënësit më të aftë, ata të familjeve të pasura dhe ata të familjeve të arsimuara, të cilët i mban në klasë, kurse fëmijët e të varfërve, ata të familjeve më pak të arsimuara dhe ata me më pak aftësi, i ka larguar nga klasa, pa ndjerë kurrfarë keqardhjeje dhe pa dhënë kurrfarë përgjegjësie.
Për absurd, mësuesi i tillë, është shpallur mësuesi më i mirë, është lavdëruar dhe ka marrë mirënjohje, pa marrë parasysh mënyrën e pandërgjegjshme si e ka formuar paralelen, pa marrë parasysh se me mënyrën sesi ka vepruar ka krijuar klasa kastash shoqërore, ka vështirësuar punën e arsimtarit tjetër, të cilit i ka mbetur të punojë me nxënësit me më pak aftësi, me kushte me të rënda jetësore dhe mundësi më të pakta për të përparuar. Mësuesit e pandërgjegjshëm të klasave me nxënësit e përzgjedhur, asnjëherë nuk kanë pasur sadopak njerëzi, forcë e aftësi ta tregojnë zotësinë e tyre në paralelet me nxënësit e pazgjedhur dhe të kuptojnë punën e vlerën e arsimtarëve të tjerë, që kanë punuar me klasa të tilla.
A duhet t’i kundërvihemi dëshirës së nxënësit
Dukurinë e formimit të paraleleve të kastave të ndryshme shoqërore dhe sipas dëshirës e leverdive të mësuesve të pandërgjegjshëm, duhet penguar dhe nuk duhet lejuar në asnjë mënyrë.
Por, a duhet t’i kundërvihemi dëshirës së nxënësit, që regjistrohet për herë të parë në shkollë (si edhe më vonë), që të zgjedhë mësuesin?
Jo. Në asnjë mënyrë. Duke shmangur një të keqe nuk guxojmë të bëjmë një të keq tjetër: të pengojmë dëshirën dhe të drejtën e pamohueshme të nxënësit, të bëhet nxënës i këtij apo i atij mësuesi. Dëshira dhe kërkesa e ndonjë nxënësi, për t’u bërë nxënës i këtij apo i atij mësuesi, nuk guxon të pengohet assesi dhe nga askush. Asnjë institucion me vlerë nuk do t’i jepte të drejtë vetes dhe veprimit të tij nuk do t’i thoshte veprim i drejtë, sikundër që asnjë person - zyrtar i arsimit me nivel, nuk do ta konsideronte veten të ditur e të mençur, po të pengonte nxënësin të zgjidhte mësuesin e tij.
Dëshirën dhe kërkesën e fëmijës, për t’u bërë nxënës i këtij apo i atij mësuesi, nuk duhet penguar në asnjë mënyrë, përderisa nuk është fjala për formimin e paraleleve të padenja, johumane, për të cilat u bë fjalë më lart.
Të gjithë e dimë dëshirën, po edhe vështirësitë me të cilat ndeshet fëmija me rastin e nisjes për në shkollë. (Një parantezë: Noli, figura e shquar e kulturës kombëtare dhe botërore, në autobiografinë e tij rrëfen se si vështirë e kishte pasur të shkonte në klasë të parë, për ç’arsye, gjyshja e tij, Suma, ishte detyruar të rrinte bashkë me të në bankë, për gjashtë muaj me radhë). Të gjitha vështirësitë nxënësi do t’i kalojë me mbështetjen që do të gjejë tek të tjerët e, veçmas, me mbështetjen që do të gjejë tek mësuesi. Me mbështetjen tek mësuesi fëmija do të ndjehet më i fortë dhe i pamposhtur para vështirësive të ndryshme. Por, edhe më i fortë nxënësi do të ndjehet dhe vështirësitë do t’i kalojë edhe më lehtë pikërisht me mësuesin që e njeh, me mësuesin me të cilin ndjehet i afërt dhe në të cilin mbështetet përplot besim.
Shikuar pikërisht nga ky aspekt, nga aspekti psikologjik dhe pedagogjik, askush nuk ka të drejtë të përcaktojë kritere (“kriter”!!! – sa fjalë e tmerrshme kjo në kontekstin e problemit tonë), për të penguar regjistrimin e nxënësit në paralelen e mësuesit që ai do.
Shteti me institucionet e tij kanë për detyrë që fëmijëve t’ua sigurojë lirinë
Kur vërehen parregullsi me rastin e përfshirjes së fëmijëve në klasat e para të shkollës fillore, parregullsi të cilat reflektohen negativisht në shoqëri dhe në arritjet arsimore të dëshirueshme, është e nevojshme caktimi dhe zbatimi i rregullave, por, në këtë pikë, është tejet absurde të përmenden, të flitet dhe të zbatohen kritere, madje kritere të tilla, që sipas informatave publike, njëjtësohen me kriteret e punësimit të punëtorëve të arsimit (Shih informatën për Mbledhjen e K. Komunal të Gjilanit, të datës 29 qershor 2012, ku thuhet: “Kuvendi u njoftua përmes informatave me shkrim edhe për kriteret e pranimit të nxënësve në klasën e parë të shkollës fillore dhe për kriteret e pranimit të punëtorëve në arsim…”, Kuvendi Komunal miratoi një pako tjetër vendimesh, www.rajonipress.com, 29 qershor 2012; www.2lonline.com , 30 qershor 2012).
Rasti i mësipërm shtron një varg pyetjesh, të cilat, njëherazi, paraqesin edhe nivelin jo të dëshirueshëm të institucioneve tona të arsimit:
Pse u dashka komplikuar e bërë problem aq shumë puna e regjistrimit të nxënësve në klasat e para të shkollës fillore dhe nga një ekstrem, siç është ai i formimit të paraleles, sipas dëshirës së mësuesve të pandërgjegjshëm, të kalohet në ekstremin tjetër, në regjistrimin e nxënësve nëpër paralele, pa përfillur fare dëshirën dhe nevojën e nxënësit, dhe që, siç kërkon dikush, regjistri i nxënësve të regjistruar mësuesit t’i jepet në zarf?!
Pse ende në kohën tonë, në shek. XXI, institucionet tona të arsimit paskan defekte të tilla dhe qenkan në atë nivel, sa të vendosin kritere për pranimin e nxënësve në klasën e parë të shkollës fillore, kur dihet se nxënësit që duhet të fillojnë vijimin në shkollën fillore nuk obligohen t’i nënshtrohen kurrfarë detyrimi?!
Pse vetëm nxënësit tanë, që duhet të fillojnë vijimin në shkollën fillore, nuk paskan të drejtë ta vijojnë atë pa kurrfarë kushtesh, siç e kanë këtë të drejtë pothuajse gjithë nxënësit e botës dhe pse vetëm institucionet tona kërkojnë e vendosin kritere të tilla, që nuk i njeh bota dhe të cilat bëhen shkak i shkeljes së të drejtave elementare të njeriut ?!
Dihet se shoqëria moderne, siç duhet të jetë edhe kjo jona, dhe shteti me institucionet e tij kanë për detyrë që fëmijëve t’u sigurojnë lirinë dhe të drejtën që të vendosin vetë se ku dhe si do t’i vijojnë mësimet, dhe t’u sigurojë kushte të tilla që, fëmijët, në mënyrë sa më të përshtatshme, të mirë e të lehtë, t’i vijojnë dhe t’i marrin mësimet.
Por, nëse në rrethanat tona fëmijëve ende nuk mund t’u sigurohen kushte bashkëkohore të arsimit, për të cilat shqiptarët nuk kanë punuar, atëherë, së paku, të mos u vihen prangat e kohës skllavopronare!
Ata që vënë kushte e nxjerrin pengesa të tilla, të cilat pengojnë vijimin e lirë të mësimit të nxënësve të klasave të para (dhe jo vetëm të tyre), jo vetëm janë injorantë të mëdhenj, që nuk kanë asgjë të përbashkët me arritjet e tashme humane dhe arsimore, por janë edhe armiqtë më të mëdhenj të njerëzimit.

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)