2012-07-08

KOMPOZICIONI I VEPRËS LETRARE




Çdo vepër letrare  ka kompozicionin e vet. Fjala kompozicion vjen nga fjala latine compositio që do të thotë reditje, bashkim, harmonizim, lidhje. Nga kjo kompozicioni i veprës letrare paraqet mënyrën se si lidhen elementet e ndryshme të veprës letrare (ngjarjet, personazhet, situatat, temat, motivet) në një tërësi të vetme artistike. Në thurjen e kompozicionit të veprës letrare vjen në shprehje dhuntia krijuese e shkrimtarit, sepse nga kjo varet se ç’do të futë në vepër ai, në ç’mënyrë do ta përpunojë materialin dhe ç’ide do të realizojë shkrimtari. Kompozicioni i veprës letrare vërehet në tërësin e saj, por edhe në çdo hollësi (detaj), si është ndërtuar ai, ç’rol luan, është çështje vendimtare për vlerën e veprës. Prandaj, analiza e kompozicionit të veprës letrare është me rëndësi për çdo vepër letrare, nganjëherë edhe vendimtare për ta kuptuar strukturën e ndërlikuar të veprës letrare. Në kuptimin më të gjerë të fjalës, kompozicioni nënkupton mënyrën se si është sajuar vepra letrare nga pjesët më të vogla të saj.
            Ekzistojnë ligjshmëri të caktuara sipas të cilave hartohet vepra letrare, të cilat duhet t’i respektojë secili që harton një vepër letrare. Për veprën letrare është me rëndësi rendi i ligjërimit, pra mënyra se si bashkohen dhe lidhen ndërsjellshmërisht pjesët e veçanta të saj dhe në ç’raport qëndrojnë ato me njëra-tjetrën. Kompozicionin e një vepre letrare mund ta vërejmë edhe në bazë të disa faktorëve të jashtëm të tij. Kështu, p.sh. në gjuhën e folur ato janë zakonisht ndërprerjet (ndalja), intonacioni etj., në veprat letrare të shkruara është forma grafike, mënyra e shtypit dhe mjetet e tjera të ngjashme. Vargjet, p.sh. mbarështrohen sipas një rendi të caktuar, zakonisht në mes të faqes, të ndara në strofa, kurse romani shtypet në vëllime (blene) dhe ndahet në pjesë të veçanta (kapituj, fragmente të veçanta etj.). Këto përbëjnë anën e jashtme të kompozicionit të veprës letrare dhe nuk janë të parëndësishme në analizën e veprës letrare. Kompozicioni i veprës letrare dallon edhe sipas gjinive dhe zhanreve letrare. Kështu, p.sh. kompozicioni i një vjershe dallon nga kompozicioni i një romani, drame etj.
            Në lidhje me kompozicionin e veprës letrare janë shfaqur mendime të ndryshme që nga antikiteti e deri në ditët e sotme. Mendimet e disa teoricienëve antikë në lidhje me kompozicionin janë të vlefshme edhe sot. Aristoteli, p.sh. në veprën e tij “Poetika”, tragjedinë e konsideron si një tërësi të përbërë prej gjashtë elementeve: fabula, karakteret, skena, mendimi (ideja), të folurit dhe melopeja. Këto elemente duhet të jenë të lidhura mesveti dhe se po të hiqet njëri prej tyre, prishet tërësia. Ai për këtë merr si shembull poemat e Homerit “Iliadën” dhe “Odisenë”, për unitetin e tyre të përsosur. Horaci, teoricien latin, në veprën e tij, “Arti poetik”, kompozicionin e veprës letrare e konsideron si çështje të renditjes dhe dinamizimit të veprimit, duke theksuar se kompozicioni më i mirë është ai i cili e fut menjëherë lexuesin në qendër të ngjarjes – in media res. Në poetikat e renesansës çështja e kompozicionit shtrohet para së gjithash në lidhje me parimet e unitetit të vendit, të veprimit dhe të kohës, që bëhet bazë teorike e vlerës kompozicionale në dramë.
            Etapat e zhvillimit të kompozicionit të veprës letrare janë: hyrja (ekspozicioni), thurja (pika e lidhjes), zhvillimi i veprimit (aksionit), nacioni) dhe  shthurja (zgjidhja e vekulmi (kulmiprimit).
           
Hyrja (ekspozicioni, lat. expositio – parashtrim, sqarim) – është ajo pjesë e kompoticionit të veprës letrare përmes së cilës njihemi me ngjarjet të cilat i paraprijnë fabulës së veprës, pastaj me personazhet që marrin pjesë në të dhe me situatën fillestare. Në hyrje njihemi me mjedisin ku do të zhvillohet veprimi (aksioni) si dhe me kushtet (rrethanat) të cilat e kanë nxitur atë. Hyrja (ekspozicioni) jepet zakonisht në fillim të veprës letrare, por mund të jepet edhe në mes ose edhe në fund të veprës letrare. (në veprën e Gogolit, “Shpirtra të vdekur”, shpjegimi i rrethanave historike dhe jetësore është dhënë pas pikës së lidhjes (thurjes), ndërsa për Çiçikovin, personazhin kryesor, janë dhënë në fund të veprës. Në fillim shkrimtari e ka paraqitur Çiçikovin dhe më vonë ka shpjeguar se në cilat kushte u formua një karakter i tillë. Ky lloj kompozicioni quhet kompozicion i vonuar).
           
Thurja (pika e lidhjes ose lidhja) – krijohet në momentin kur fillon (nis) veprimi (aksioni) i veprës dhe në saj të së cilës lindin ngjarjet e mëvonshme në veprën letrare. Këtu përshkruhet konflikti dhe kontradiktat që ndodhin në vepër të cilat karakterizohen përmes personazheve që veprojnë në vepër. Përmes pikës së lidhjes lexuesi e kupton më mirë temën e veprës në tërë zhvillimin e saj.
           
Zhvillimi i veprimi (aksionit, lat. actio – veprim) – paraqet ecurinë e ngjarjeve në një vepër letrare. Zhvillimi i veprimit (aksionit) kryhet përmes karaktereve, ngjarjeve të lidhura mesveti, sipas raportit të shkakut dhe pasojës, në mënyrë që të krijohet një intrigë (fr. intrigue – ngatërresë), e cila të ketë një pikë lidhjeje, një zhvillim dhe një zgjidhje.
           
Kulmi (kulminacioni, lat. culmen – kulm) – ose pika kulminante, quhet momenti më i tensionuar i konfliktit, kur zhvillimi i veprimit arrin ashpërsinë mes forcave lufuese, kur janë të mundshme dy a më shumë zgjidhje (në tragjedinë “Makbethi” të Shekspirit kulmi ndosh në aktin III, në skenën e darkës, kurse në tragjedinë “Hamleti”, në skenën e shfaqjes teatrore para mbretit etj.). Pra, kulmi paraqet pikën më të lartë të veprimit (aksionit) arrin tensionin më të madh dhe ecën drejt zgjidhjes, shthurje së problemit.
           
Shthurja (zgjidhja e veprimit) – shënon pjesën përfundimtare në të gjitha llojet letrare në të cilat koha përbën bazën e kompozicionit dhe të strukturës së veprës letrare: në dramë, në roman, në ep dhe në tregim (për dallim nga format e tilla siç janë – eseja ose vjersha lirike, të cilat nuk i shtrohen rendit kohor të ngjarjeve, nuk kanë veprim, andaj as thurje e as shthurje në kuptimin narrativ). Sipas Aristotelit, thurja në tragjedi  është ajo pjesë e veprimit e cila vjen pas “kufirit nga i cili kryhet kalimi nga fatkeqësia në lumturi” dmth. “e gjithë ajo që ndodh nga fillimi i këtij kalimi deri në fund” (Poetika, f. 70). Funksioni themelor i shthurje është zgjidhja definitive e kundërthënieve themelore dhe e konflikteve të krijuara në thurje, por poashtu edhe vënia e raporteve përfundimtare të ngjarjeve të shumta dhe të motiveve të cilat në thurje kanë krijuar tension dhe kërkojnë zgjidhje. Krijimi i këtij tensioni, sipas Vratoviqit dhe Zoriqit, ndryshon në formën dramatike dhe epike: derisa në dramë zakonisht “tensioni rritet drejt dhe pandërprerë dhe arrihet me motivet të cilat e vënë në lëvizje veprimin dhe e shpiejnë përpara”, ndërkaq në ep më shpesh “motivet epike retarduese ndryshojnë me paralajmërimet të cilave që më parë u është njoftuar qëllimi i fundit, dmth. zgjidhja e tensionit” (“Uvod u književnost, redaktuar nga Zdenko Škreb dhe Ante Stamać, Grafički zavod Hrvatske, 1983)). Por, në çdo rast parandjenja dhe drejtimet e shthurjes kushtëzohen nga thurja, dhe shpesh përfshihen në kuadrin formal të thurjes. Ndonjëherë këto janë parandjenja të cilat e shpiejnë lexuesin në supozime të gabueshme mbi shthurjen, duke i propozuar shthurjeve të rrejshme shpesh shthurje të rrejshme; me teknikën e janë shkruar trilerët – romanet kriminalistikë dhe dramat. Por shembuj të shthurjes së rrejshme mund të gjenden edhe në veprat e mëdha letrare (“Makbethi”), por atëherë ato kanë edhe njëfarë rëndësie të dyfishtë artistike, zakonisht disa implikime ironike, psikologjike, shoqërore ose etike. Në dramat e mëdha, epet dhe romanet, shthurja s’është vetëm rrumbullakësim përfundimtar i fabulës dhe i veprimit, si simbole kryesore të botës artistike, e cila konstituohet në artin dramatik ose në artin narrativ, por shpesh edhe në vendosjen e raporteve të reja ideore, morale dhe ndiesore midis elementeve të veçanta të veprës letrare, sepse pikërisht shthurja krijon perspektivën në të cilën është e mundshme që vepra të vështrohet në tërësi dhe të zbulohen retrospektivisht domethënie të reja në të, begati dhe pasiguri.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...