Letërsia, si art i fjalës shërbehet
me fjalët (gjuhën) me çka diferencohet nga artet e tjera. Për dallim nga artet
e tjera vepra letrare realizohet përmes gjuhës dhe mund të ekzistojë vetëm në
gjuhë. Çdo gjë që ekziston në veprën letrare jo vetëm që është realizuar me anë
të gjuhës, por edhe njihet me anë të gjuhës. Fjalët, fjalitë dhe lidhjet midis
tyre (fjalive) ndërtojnë strukturën gjuhësore, por edhe realitetin e veprës,
dmth. botën e brendshme të saj (personazhet, peizazhet, enterierët, ngjarjet,
ndjenjat dhe idetë). Botën e brendshme të veprës e përjetojmë si një lloj të
botës reale vetëm përmes përbërjes gjuhësore të veprës. Personazhet e një
romani, p.sh. ndërtohen me anë të gjuhës me të cilën përshkruhen, nga një varg
fjalësh dhe fjalish me të cilat shkrimtari flet për to ose me të cilat ai flet
vetë për veten. Dhe vetëm përmes fjalëve dhe fjalive ata nga vepra depërtojnë
në vetëdijen tonë dhe marrin karakterin e qenieve të cilat ekzitojnë
personalisht. Bota e një vjershe, edhe më shumë sesa personazhet e një romani,
ekziston vetëm në gjuhën e vjershës, në fjalët e saj. Vjershën mund ta
përjetojmë vetëm nëse i lexojmë fjalët e saj, edhe atë nëse i lexojmë vetëm si
i ndeshim në vjershë. Nëse i ndryshojmë, nëse e ndryshojmë rendin e tyre, nëse
i lexojmë duke ndryshuar ritmin e tyre, do të ndryshojë edhe kuptimi i tyre,
por edhe i gjithë kuptimi i saj i brendshëm do të zbehet menjëherë, dhe ndoshta
edhe do të zhduket plotësisht. Nga kjo, vjersha, vepra letrare në përgjithësi,
jo vetëm që është e shtruar plotësisht në gjuhë, por edhe plotësisht varet nga
organizimi i saj.
Sikundër që mermeri, bronxi,
druri ose argjili janë matriale me të cilat ndërtohet dhe ekziston vepra skulpturore,
ashtu edhe gjuha është material me të cilin materializohet arti poetik dhe
realizohet vepra poetike. Andaj raporti midis gjuhës dhe veprës letrare janë
shumë më të ndërlikuara dhe të komplikuara sesa raportet midis gurit dhe
skulpturës, p.sh. Sartri njëherë i ka quajtur poetët “njerëz të cilët mohojnë
ta përdorin gjuhën”. Dhe poetët vërtet shpesh nuk pranojnë ta përdorin gjuhën
në të njëjtën formë në të cilën e përdorim në për çdo ditë. Ata nganjëherë
dëshirojnë të krijojnë njëfarë gjuhe të veten, të veçantë, gjuhë pa shablone
dhe trivialitet, gjuhë maksimalisht të pastër, gjuhë të lirë dhe të përkryer. Ky
nuk është synim që nuk i karakterizon vetëm poetët modernë, por më shumë se
katër mijë vjet poeti i vjetër egjiptian, Hahepere-Sub, nga koha e dinastisë
XII, e filloi “Vajtimin” e tij duke shprehur të njëjtin synim: “Do të dëshiroja
të flas me fjalë të panjohur, të shprehem me gjuhën e re, e cila ende s’ka
lulëzuar, dhe të mos e përsëris të njëjtën gjë, të mos e shpreh atë që tashmë
është vjetëruar, atë që tashmë të parët tanë e kanë thënë”.[1] Kjo në esencë është i
njëjti synim të cilin mijëra vjet më vonë poetët dadaistë u përpoqën ta
realizojnë në mënyrën më konsekuente. Meqë gjuha ka një fjalor dhe sintaksë të
qëndrueshme, ajo bëhet instrument i të menduarit dhe të shprehurit. Ajo, pra,
gjuha, na ndihmon të kontaktojmë me njerëzit e tjerë, t’ua komunikojmë mendimet
tona dhe si përgjigje e tyre t’i njohim mendimet dhe preokupimet e tyre. Nga
këndej gjuha zë vend të rëndësishëm në studimin e letërsisë. Vepra letrare, si
realizim gjuhësor, paraqet një kompleks të tërë të dukurive lerare. Me një
fjalë, letërsia është një grumbull veprash, prandaj është e pamundur që me
rastin e shqyrtimit të letërsisë të mos përfshihet gjuha. Nuk mund të ndërtohet
teoria e letërsisë e të mos zhgjidhet çështja e vendit dhe e rolit të gjuhës në
shfaqjen letrare, sepse shkrimtari qëndimin e tij dhe disa vlera ua transmeton
të tjerëve në realizimin gjuhësor. Bota që paraqitet në letërsi është një botë
ireale, e cila ekziston në shpirtin e autorit dhe e cila në shpirtin tonë
përjetohet si botë reale, por pa reagimin real praktik tonin në të. Fjalët e gjuhës
letrare janë fjalë të bukura, të zgjedhura me kujdes. Andaj edhe gjuha e veprës
letrare është e ndryshme nga gjuha e të folurit të zakonshëm. Ajo, pra, gjuha e
veprës letrare ka karakter të figurshëm. Ajo shërbehet me figura (fjalë) që
shpjegojnë ndonjë dukuri nga jeta dhe cila ka kuptim më të gjërë. Gjuha letrare
shpesh merr edhe ngjyrim emocional dhe shpesh kushtëzohet edhe nga karakteri
(natyra) i gjinive dhe i llojeve (zhanreve) letrare. Nga këndej del se ndryshe
krijohet një vjershë e shkurtër lirike, ndryshe tregimi, novela, romani, drama
etj. Prandaj, pa e kuptuar mirë karakterin (natyrën) e gjuhës, nuk mund ta
kuptojmë as karakterin (natyrën) e letërsisë. Vepra letrare para së gjithash
është krijim gjuhësor si çdo vepër e tjetër gjuhësore. Mendimet, idetë dhe
porositë e autorit përcillen në mënyrë artistike përmes tekstit (lat. textus – thurje, gëshetim, lidhje fjalësh), i cili paraqet tërësinë
e veprës letrare. Që ta kuptojmë më mirë një vepër letrare varet nga konteksti
i saj (lat.contextus nga contexere –
bashkëthurje, gërshetim), i cili paraqet fragmentin e kryer të tekstit të
shkruar, i cili saktësisht përcakton kuptimin e fjalëve ose frazave të veçanta
të përfshira në të, rrethanat në të cilat është krijuar ai. Gjuha e tekstit
është një lëmi e veçantë e tekstit. Vepra letrare në kuptimin e ngushtë të
fjalës i quajmë ato realizime që kanë rëndësi të madhe për kulturën e
tërësishme dmth. ato janë realizime të tilla që përfshijnë përvojën e popujve,
bile edhe të njerëzimit. Vlera letrare e teksit mbështetet në mundësitë
krijuese të vetë gjuhës, e cila nuk është thjeshtë mjet marrëveshjeje, por në
vete bart mundësinë e realizimit (krijimit) të një kuptimi krejt tjetër, të ri,
gjegjësisht, formësimin e një bote krejt të re, të menduar. Se sa do të jetë e
realizuar një vepër letrare në aspektin artistik, ç’vlera do të ngërthejë në
vete, e gjithë kjo varet nga aftësitë kreative të përdorimit të gjuhës
artistike gjatë procesit krijues të secilit autor që merret me krijimtari
shpirtërore. Vetë vepra letrare e shkruar (modeluar) paraqet një botë më vete,
një realitet të ri. Nga kjo edhe gjuha e letërsisë artistike është një lloj i
veçantë i ligjërimit. Gjuha e veprës artistike shquhet për funksionin e saj
estetik, pra, te lexuesi ajo duhet të ndikojë estetikisht dhe të ngjallë
ndjenjën e së bukurës, si synim kryesor i gjuhës. Pasuria gjuhësore, si tipar
kryesor i veprës letrare, përfshin në vete fjalët dhe kuptimet e tyre,
shprehjet dhe figurat e ndërtimit sintaksor, tipat e ligjërimit, stilet dhe
gjithë trashëgiminë e krijimtarisë folklorike të taditës letrare. Gjuha e
veprës letrare duhet të jetë gjuhë shprehëse (ekspresive) dhe emocionale. Ajo
duhet të jetë gjuhë e figurshme. Ajo duhet të ketë karakter fytyrëzues, duke
paraqitur pamje dhe dukuri, veprime etj., të cilat në përfytyrimin tonë duhet
të dalin si pamje të gjalla. Pra, shkrimtarët e përdorin gjuhën në të gjitha
aspektet duke filluar nga tingujt e deri te organizimi i saj kryesor, tipat e
ligjërimit dhe stileve. Nga kjo vepra artistike nuk është vetëm si krijim
artistik, por edhe si krijim gjuhësor.
Jo të gjitha veprat i përkasin
letërsisë. Shumë vepra të tjera i përkasin shkencës, filozofisë, historisë apo
fushave të tjera të aktivitetit njerëzor. Letërsia si fushë e krijimtarisë
njerëzore dallon nga shkencat e tjera në shumë pikëpamje. Do të thotë se
ekzistojnë dallime midis procesit krijues në letërsi dhe atij hulumtues.
Letërsia dhe shkenca dallojnë midis tyre edhe për nga mënyra e përpunimit të
objektit që kanë në shqyrtim. Shkenca e përpunon lëndën e vet me anë të
koncepteve (nocioneve), jep të dhëna dhe i konstaton faktet, duke ndikuar kështu
në njohjen dhe arsyen e njeriut. Në shkencë kemi hulumtimin, metodat hulumtuese
dhe zbulimin, qëllim kryesor dhe i fundit i shkencës. Vetë nocioni letërsi
artistike tregon dallimin midis veprave shkencore dhe atyre letrare në kuptimin
e ngushtë të fjalës. Shkenca si dije mbi metodat dhe hulumtimet e argumentuara,
kurse letërsia mbështetet mbi imagjinatën, invencionin, kreacionin. Ajo që i
dallon veprat letrare dhe ato shkencore është gjuha specifike e njërës dhe e
tjetrës. Vepra letrare, për dallim nga ajo shkencore, lëndën e saj e paraqet me
figura, në lëvizje të vazhdueshme që shkakton iluzionin mbi jetën e cila
zhvillohet para lexuesve dhe ata me tërë qenien e tyre marrin pjesë në të, me
shpirtin dhe ndjenjat, ajo shkakton emocione, shqetësime dhe përcaktim aktiv
ndaj ngjarjeve dhe synimeve të personazheve në vepër. Këtu qëndon epërsia e
letërsisë mbi shkencën, në ndikimin e saj të dyfishtë mbi njeriun – në atë
njohës dhe emcional, sepse letërsia paraqet jetën, përpjekjet, vuajtjet dhe
luftën e pandërprerë të popullit për të drejtat e tij, ajo e njeh lexuesin me
të kaluarën, zakonet e mënyrën e jetës, me njerëzit dhe karakteret, me format e
luftës dhe fazat nëpër të cilat ka kaluar populli. Lexuesi nuk mund të qëndrojë
indiferent ndaj asaj që ndodh në vepër sikuse ndaj konstatimeve shkencore, por
reagon aktivisht ndaj ngjarjeve dhe njerëzve të cilët i paraqet shkrimtari.
Derisa qëllimi i letërsisë është krijimi i veprës letrare që është në funksion
të së vërtetës, vepra shkencore synon të vërtetën shkencore. Veprat letrare
artistike, për dallim nga shkenca apo filozofia që synojnë të krijojnë një
pamje të sistemuar të njëmendësisë, nuk përmbajnë vetëm njohuri specifike të
njëmendësisë, por e modelojnë dhe e formësojnë këtë njëmendësi.
Veprat letrare shprehin edhe
qëndrimin e tyre specifik kreativ ndaj së ardhmes, andaj ato jetojnë gjatë dhe
nuk vjetërohen ashtu siç vjetërohen veprat e mëdha shkencore. Këtë e dëshmojnë
edhe veprat e letërsisë antike siç janë “Iliada”
dhe “Odisea”.
Veprat shkencore shquhen
për racionalitetin e tyre, ato i drejtohen intelektit, arsyes, kurse veprat
letrare u drejtohen ndjenjave njerëzore. Ato dallojnë edhe për nga ligjërimi.
Në letërsi kemi ligjërimin artistik, kurse në shkencë kemi shkrimin joartistik.
Kënaqësinë që ndjejmë kur lexojmë një vepër letrare, nuk e ndjejmë në veprat
shkencore. Veprat letrare i shquan emocionaliteti, të cilin nuk e ndeshim në
veprat e fushave të tjera shkencore. Gjuha e artit është gjuhë simbolike, gjuhë
emocionuese; gjuha e shkencës është gjuhë precize dhe joemocionuese; gjuha e
letërsisë është gjuhë e figurshme, kurse gjuha shkencore është gjuhë e
argumentuar dhe precize; gjuha e shkencës shpreh një mendim objektiv, kurse
gjuha e letërsisë ka kuptim figurativ dhe fjalët marrin ngjyrime kuptimore, ajo
është e gjallë, e pasur dhe e larmishme etj.
[1] Leonard Woolley, “Počeci civilizacije”,
“Historija čovječanstva”, svezak prvi, II, “Naprijed”, Zagreb, 1966, str. 567