Katërrokëshi – ndeshet rrallë në poezinë
tonë, si varg i shkurtër, me mundësi të vogla shprehëse. Në shumicën e rasteve
e gjejmë të përzier me vargje të tjerë, me gjashtërrokëshin dhe me
tetërrokëshin dhe përdoret si refren i tyre. Ky varg përdoret si shtesë e
vargjeve të tjerë. Përdoret si refren në këngët popullore. Si varg më vete e
ndeshim në disa proverba popullore, pastaj në këngët dhe lodrat e fëmijëve.
Vargu katërrokësh ka një ose dy theksa ritmikë: theksi ritmik bie në rrokjen e
tretë dhe kur ka dy theksa ritmikë bie në të parin dhe në të parafundit.
Kollozhegu (3)
djegë shtegu (1-3)
flori lip (1-3)
Marsi rrip (1-3)
(Popullore)
Barku fir
s’kërcen mirë
Barku plot
s’kërcen dot
Çonj një kashtë
gjenj gjashtë
(Proverba popullore)
Flutu, flutur
zoj’e bukur,
bukën e re,
sillnaj ne.
(këngë popullore për fëmijë)
Do të shkrihem
të venitem
si kandili
kur s’k vaj
Balt’e pluhur
do të bëhem
të më shkeli
këmba e saj...
(Naim Frashëri)
Gjashtërrokëshi – është varg tipik
lirik që ka shtrirje të gjërë si në këngët rituale, të dashurisë, në vajet etj.
Gjashtërrokëshin e ndeshim edhe te poetët tanë që nga Naimi e Çajupi, pastaj te
Mjeda, Asdreni, Noli e deri tek autorët tanë të sotëm.Theksat e rregullt ritmik
i ka në rrokjen 3 dhe 5 (mund ta ketë edhe në rrokjen e parë). Pra theksat
rimik lëvizin. Si rregull mund të thuhet se te gjashtërrokëshi theksi i parë
bie në një nga rrokjet e para, kurse i dyti në rrokjen e fundit.
Malet me gurë (2-5)
fusha me bar shumë (1-3-5)
arat me grurë (1-5)
më tutje një lumë (2-5)
(Çajupi, Fshati im)
Ja thona një valle (2-5)
me dert e me halle (2-5)
me dert e me halle (2-5)
ky zinxhir i hollë (2-5)
larë me flori (1-5)
(Këngë popullore)
Tetërrokëshi – është vargu më i
përdorur në vjershërimin shqip dhe për nga përdorimi është vargu më i moçëm, të
cilin e kanë përdorur edhe shkrimtarët tanë të vjetër si Lekë Matrënga, Pjetër
Budi. Këtë varg e ndeshim edhe në krijimet poetike të bejtexhinjve në shek.
XVIII-XX. E ndeshim në të gjitha llojet e poezisë popullore: në këngët e
djepit, në vaje, në këngët e dasmës, të dashurisë, pastaj në këngët epike si te
këngët “Aga Ymeri”, “Halit Gashi” etj., në këngët lirike historike e deri te
komedia në vargje. Me këtë varg i kanë ndërtuar e tyre më të bukur poetët tanë
të Rilindjes. Kështu, p.sh. De Rada me
këtë varg i ka shkruar poemat e tij të njohur “Këngët e Milosaos”, “Këngët e
Serafina Topisë”, Gavril Dara i Riu me këtë varg e shkroi poemën e tij të bukur
“Kënga e sprasme e Balës”, kurse Naim Frashëri e shkroi poemën e tij “Histori e
Skënderbeut”. Me këtë varg shkruajnë edhe poetët tanë të sotëm si Dritëro
Agolli, Kolë Jakova etj. Tetërrokëshi paraqitet me skema të ndryshme ritmike,
por skema tipike e këtij vargu është 3-7.
Në mes tuaj kam qëndruar, (3-7)
e jam duke përvëluar (3-7)
që t’ju jap pakëz dritë (3-7)
natën t’jua bëj ditë (1-7)
(Naim Frashëri, Fjalët
e qiririt)
Ky ilaç e ky kushtrim
më bën djalë e më bën trim,
me jep forc’e më jep shpresë (3-7)
anës Elbës, anës Spresë. (3-7)
Se pas dimrit vjen një verë (3-7)
që do kthehemi njëherë (3-7)
pranë vatrës, pranë punës (3-7)
anës Vjosës, anës Bunës. (3-7)
(Fan Noli, Anës
lumenjve)
Duro vashë, të durojmë
si duron mali dëborën
(Lasgush Poradeci)
Dhjetërrokëshi – është vargu më i
përhapur në poezinë popullore, sidomos në ciklin e “Mujit e të Halilit”, të
“Gjergj Elez Alisë” etj. Me një fjalë ky është vargu i poezisë epike jo vetëm e
shqiptarëve, por edhe i popujve të tjerë të Ballkanit e më gjerë, si “Kënga e
Rolandit” te francezët etj. Skema ritmike e këtij vargu është: 3-5 dhe 3-5-9.
Trim mbi trima aj Gjergj Elez Alia (3-5-9)
Qe nand vjet, nand varra n’shtat m’i ka (3-5-7-9)
Veç nji motër nat’e dit’t kryet
ia lan varrt me ujt e gurrës nand vjeçe... (3-5-7-9)
(Gjergj Elez Alia)
Përveç këtij vargu unik, kemi
edhe një lloj tjtër të dhjetërrokëshit, të krijuar nga bashkimi i dy vargjeve pesërrokëshe
në një të vetëm. Këtë lloj vargu e ndeshim te Çajupi, Mjeda, Noli etj.
Fushë dhe fushë – dhe fushë prapë (1-4-7-9)
fush’e pasosur – dhe shumë vapë (1-4-7-9)
mal s’të sheh syri – as breg as gurë (1-4-7-9)
por gjithmonë – tym e pëlhurë (4-6-9)
(Çajupi, Misiri)
Përveç
vargjeve të sipëshënuara kemi edhe vargje një e trirrokëshe. Të parin, pra,
njërrokëshin e ndeshim shumë rrallë, kurse të dytin, trerrokëshin e ndeshim më
shpesh.
Shoh
Njoh
Uronj
Shkonj
(Naim Frashëri)
Dëgjoni
Dëgjoni,
Sa jeni
Ktu eni
Shikoni
U krye
Kanali
(Kolë Jakova)
Shkoi vera
si hije
fryn era
shi bie.
Lart qielli
si plumbi
Shkoi dielli
na humbi
(Asdreni, Pamje
vjeshte)
Përveç vargjeve njëshe dhe treshe
në poezi kemi edhe vargje të tjera teke, që janë krijuar nga poetët tanë.
Kështu, p.sh. kemi vargun pesërrokësh, një varg mjaft i gjallë me theksin ritmik
në rrokjen e katërt. Atë e ndeshim me dy skema ritmike: 1-2 dhe 2-4. Këtë varg
e ndeshim në krijimet poetike të shumë poetëve tanë që nga Naimi e këndej
(Mjeda, Çajupi, Sh.Musaraj etj.). Me këtë varg Ndre Mjeda e ka shkruar poemën e
tij “Vaji i bylblit”, kurse Shefqet
Musaraj poemën e tij satirike “Epopeja e
Ballit Kombëtar”.
Po shkrihet bora,
dimni po shkon;
bylbyl’i vorfën
pse po gjimon?
(Ndre Mjeda)
As bukë as uj (2-4)
as rreckë veshur (2-4)
këpucët shqyer (2-4)
po armët ngjeshur (2-4)
Pëllëmbë’e gjak (2-4)
andej matanë (2-4)
luftojnë e s’tunden (2-)
bijt partizanë (1-4)
(Shefqet Musaraj, Epopeja
e Ballit Kombëtar)
Shtatërrokëshi – është një varg i
rrallë të cilin e ndeshim edhe në letërsinë popullore edhe në të shkruarën. E
kanë përdorur Kristoforidhi, Mjeda e ndonjë poet tjetër nga rilindësit tanë.
Skema ritmike e tij është: 2-6. Theksi ritmik i tij ësht mjaft i lëvizshëm.
Këtë varg e ka përdorur Ndre Mjeda në poemën e tij “Andrra e jetës”:
Vuni do krande n’votër (1-4-6)
e fryni n’zjarr q’ish ndalë (2-4-6)
thej pshesh me tambël valë (2-6)
e mbushi kupat plot (2-6)
E hangri Zoga shishëm (2-6)
por Tringa s’hangri gja (2-4-6)
as Lokja q’ish vra (2-6)
mbas çikës, s’hangri dot? (2-6).
.................................................
Nuse ku kalle këmbët, (1-4-6)
Këtu të rënçin dhëmbët (2-4)
Dhëmbët dhe dhëmballat (1-6)
Eshtërat e kokallat (1-6)
(Këngë popullore)
Nëntërrokëshi
- është varg i huazuar nga gjuhët neolatine. E ndeshim në poezinë e Fan
Nolit, të Lasgush Poradecit e të poetëve të tjerë të sotëm. Skema ritmike e tij
është: 2-5-8.
Ti det, brohori fshehtësirë! (2-5-8)
Kuptim i potershëm, ti det! (2-5-8)
...Po, heshtje. Ndaj valës së nxirë (2-5-8)
Gjeniu i anijes po flet (2-5-8)
(Lasgush Poradeci, Gjeniu
i anijes)
Në qiejt e bukur e të pastër (2-4-8)
duke lëvizur krahët e heshtur (2-6-8)
shpesh enden lakuriqt’e natës (2-6-8)
si ëndrra të një muzgu tjetër (2-6-8)
(Ismail Kadare, Lakuriqët
e natës)
Njëmbëdhjetërrokëshi – është një nga
vargjet kryesore të metrikës italiane. Me këtë varg Dante Aligieri e ka shkruar
veprën e tij “Komedia hyjnore”,
kryevepër e letërsisë italiane dhe e asaj botërore. Edhe në gjuhën shqipe ky
varg është përdorur që nga kohërat më të vjetra. Me njëmbëdhjetërrokësh Fan
Noli i ka përkthyer veprat e Shekspirit dhe rubairat e Omar Kajamit. Me këtë
varg Ndre Mjeda i ka shkruar tingëllimat e tij “Lissus”, “Scodra” dhe “Liria”. Me këtë varga Dritëro Agolli i
ka shkruar disa poezi të tij, si “Poema e
udhës”, “Baballarët” etj. Ky varg
paraqitet me shumë skema ritmike, por më të njohurat janë këto: 4-8-10; 6-10
dhe 4-6-10.
Po nuk u shuejt edhe jo Shqyptaria; (4-7-10)
lodhun prej hekrash që mizori i njiti (4-8-10)
lodhun prej territ ku robnimi e qiti (4-8-10)
shpreson m’e zgjue fluturim mënia (2-4-8-10).
(Ndre Mjeda, Liria)
Trembëdhjetërrokëshi – është një varg
shumë i rrallë të cilin në poezinë shqipe e ka përdorur vetëm Fan Noli. Ky varg
përbëhet prj tri anapestash plus një rrokje në fund.
Allalla, o rezil e katil, allalla, (3-6-9-12)
shtroni udhën me hithr’e me shtok turfanda (3-6-9-12)
gumëzhi, o zinxhir e kamxhik, batërma (3-6-9-12)
lehni laro kaba, hosana, Baraba! (3-6-9-12)
( Fan Noli, Marshi i
barabait)
Ekzistojnë edhe vargje të krijuara nga
poetët tanë, duke bashkuar dy vargje me njëri-tjetrin. Kësht u krijua vargu
dymbëdhjetërrokësh nga bashkimi i dy gjashtërrokshave, pastaj vargu
gjashtëmbëdhjetërrokësh i formuar nga bashkimi i dy tetërrokshave. Me vargun
dymbëdhjetërrokësh Çajupi e ka shkruar poezinë e tij të njohur “Vaje” dhe disa fabula. Këtë varg e
ndeshim edhe në poezinë popullore dhe sipas Dhimitër Suteriqit, Çajupi ka të
ngjarë ta ketë marrë nga poezia popullore, por duke e përpunuar dhe përsosur
atë në krijimet e tij. Dymbëdhjetërrokëshi është përdorur që nga fundi i
shekullit XIX dhe është përdorur edhe më vonë në krijimet popullore. Përveç
këtij dymbëdhjetërrokëshi ekziston edhe një dymbëdhjetërrokësh tjetër, i cili
është formuar nga bashkimi i një tetërrokëshi me një katërrrokësh. Edhe këtë
lloj vargu e ndeshim si në poezinë popullore, ashtu edhe në poezinë e shkruar (Memo
Meto, Fatmir Gjata, Ismail Kadare etj.).
Që ditën që vdiqe,/ që kur s’të kam parë,
lotët që kam derdhur/ s’më janë tharë!
Shumë vjetë u bënë! / sot u mbushë dhjetë;
që kur më ke lënë / dhe s’të sho ndë jetë.
Ndë ç’kopshte me lule / ke qëndruar vallë?
S’të vjen keq për mua?/ s’të vjen mallë për djalë?
O ëngjël i bukur,/ mos mëno në botë,
ktheu të të shomë,/ të na mbeten lotë.
S’rrojmë dot pa tynë,/ ti si rron pa neve?
Motëmot që rrojtim / bashkë s’më hurreve
Atje tek rri janë / qipariz’e varre...
Ktheu të të shomë, / mos më le për fare!
(Çajupi, Vaje)
Zoti korb një ditë me djathë në gojë (3-5-8-11)
në një degë lisi vajti të qëndrojë. (3-5-7-11)
Nënë lis një dhelpr korbin e kish parë (3-5-7-11)
I ra erë djathi dhe kërkon t’ia marrë. (3-5-8-11)
(Çajupi, Korbi dhe
dhelpra)
Në mes të Kolonjës, në një Psar të shkretë
fshehur Myftar Lapi me tetëmbëdhjetë:
miknë të na xhveshin,
miknë të na vrasin, sot të mos na qeshin,
një nga ne mos mbetë!
(Këngë popullore)
Katërmbëdhjetërrokëshi – e ndeshim
shumë rrallë në poezinë shqipe. Përbëhet prej dy vargjeve shtatërrokëshe dhe
theksohet sipas shtatërrokëshave që e përbëjnë. Ka dy theksa kryesorë të
palëvizshëm: 6-12.
Vargu
katërmbëdhjetërrokësh ndryshe quhet aleksandrin , sepse këtë varg më
parë e kanë përdorur poetët e qytetit të Egjiptit, Aleksandria. Me këtë varg
është shkruar poema franceze “Romani i Aleksandrit” në shekullin XII, prej nga
vjen edhe emri i tij, që është përdorur shumë në letërsinë franceze.
Aleksandrini francez ka dymbëdhjetërrokje të ndarë në dy gjashtërrokësha, me
çezurë dhe dy theksa të detyrueshëm në vargun e gjashtë dhe në të dymbëdhjetin.
Me këtë varg në shekullin XVIII janë shkruar tragjedi.
O këngë pleqërishte! Ti vjershë e vendit tim!
Ti fjalë që më dhimsesh e që më bën ujem!
(Lasgush Poradeci)
Gjashtëmbëdhjetërrokëshi – është formuar nga bashkimi i
dy tetërrokshave. Ndryshe ky varg quhet varg naimian, sepse këtë varg i pari
e ka krijuar edhe e ka përdorur poeti ynë i madh, Naim Frashëri, në poemën “Bagëti
e bujqësi”. Këtë varg shpesh e ka përdorur edhe Lasgush Poradeci në
disa poezi të tij.
Shqipëri, ti më ep nderë, më ep emrin shqipëtar,
Zemërën ti ma gatove plot me dëshir’e me zjarr!
(Naim Frashëri)
Perëndimi i vagëlluar mbi liqenin pa kufi,
po përhapet dalngadalë një pëlhurë si një hije
(Lasgush Poradeci, Poradeci)
Vargi
i lirë – lindi si shenjë revolte e krijuesve ndaj formave
tradicionale të metrikës, por megjithatë shumë forma të lashta të vargut mund
të konsiderohen si vargje të lira dhe këto forma përdoren edhe në krijimet
poetike të poetëve bashkëkohorë. Përkundër vargjeve të matura, vargjet e lira
kanë një orgnizim krejt tjetër, më të ndërlikuar se vargjet e matura. Ato janë
të organizuar sipas mendimit dhe ndjenjës që shprehin, nga një ide e caktuar,
nga ritmi i tyre që quhet ritëm i brendshëm, që lidhet më tepër me kuptimin që
shprehin ato, pastaj me intonacionin e të folurit të emocionuar, të gjallë e
deri te kombinimi i elementeve dhe i vargjeve të tëra, të marra nga sistemi
tradicional i vjershërimit. Andaj nuk ekziston një varg plotësisht i lirë, në
të kundërtën ai do të shndërrohej në prozë. Ai është një varg që nuk ka një
numër të caktuar rrokjesh, as vendosje fikse të theksave ritmikë. Si poet i
parë i vargut të lirë përmendet shkrimtari amerikan Wolt Witman me përmbledhjen
e tij “Fije bari” të botuar në vitin
1855. Në letërsinë shqipe vargun e lirë për të parën herë e ka përdorur Asdreni
në veprën e tij “Psalme murgu” të
botuar më 1930 në Bukuresht (Drini, Pamje, Juda i ri etj.), ndërsa vendin e
vërtetë ia dha poeti ynë i “Vargjeve të
lira”, Migjeni. Këtë formë të vargut të lirë kanë vazhduar ta përdorin me
sukses shumë poetë të kohës sonë, si: Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Fatos
Arapi, Llazër Siliqi, Enver Gjerqeku, Ali Podrimja, Murat Isaku etj.
Na të birtë e shekullit të ri,
vllazën të lindun e të rritun në zi,
kur tinglloi çasti ynë i mbramë
edhe fatlum
ditëm me thanë:
s’duem me humbë
në lojë të përgjaktë të historis’njerëzore,
jo, jo! S’i duem humbjet prore-
duem ngadhnjim!
(Migjeni, Na të birtë
e shekullit të ri)
Vargu i thyer – është varg i cili
krijohet duke thyer vargun e rregullt për arsye të ndryshme, për të veçuar një
fjalë, një pjesë të vargut nga pjesa tjetër, për të shquar atë pjesë me qëllim
të krijimit të vlerave të reja emocionale.
Dhe në vargjet
mbeti ajo baltë
mbeti ai bar,
ai tërfil,
mbeti ai fyell
ai mjaltë,
mbeti ai gjemb e trëndafil.
(Dritëro Agolli, Devoll,
Devoll)
Vargjet sipërme në të vërtetë jan
vargje të rregullta, por shkrimtari bën thyerjen e tyre për të theksuar disa
fjalë.
Vargu i bardhë – është varg me madhësi të ndryshm, me një numër të caktuar
rrokjesh, theksash ritmikë që nuk kanë rimë. Këtë lloj vargu e ka përdorur Fan
Noli në përkthimin e tragjedive të Shekspirit. Vargun e bardhë e ndeshim në
ciklin e Veriut, në epikën legjendare etj., ndërsa në letërsinë e shkruar e
gjejmë te De Rada, Gavril Dara i Riu etj. Në letërsinë e huaj vargun e bardhë e
ka përdorur Shekspiri për t’i shkruar tragjeditë e veta, pastaj Pushkini në
veprat e tij dramatike.
Strofa- është njësi sintaksore më e
madhe se vargu. Formohet nga bashkimi i disa vargjeve në një njësi që lidhet
përmes ritmit dhe rimës së përbashkët. Në një strofë mund të shprehen një, dy a
më shumë mendime, por kur një mendim kalon prej një vargu në vargun kjo dukuri
quhet bartje.
Ta shkruajmë gjuhën tënë,
Kombin ta ndritojmë
gjithë ç’është e ç’ka qenë
ngadalëzë ta mësojmë.
(Naim Frashëri)
Për emërtimin e strofave merret
për bazë numri i vargjeve që e përbëjnë atë. Strofat mund të jenë dyshe,
treshe, katërshe etj., si në poezinë popullore, ashtu edhe në poezinë e
shkruar.
Dyvargëshi (gr. distik, dia – dy herë dhe stihos – varg) – është një nga strofat më të
thjeshta, që përbëhet prej dy vargjeve që lidhen mes tyre nga rima e puthur dhe
intonacioni. Dyvargëshi ka qenë i përhapur edhe në letërsinë antike dhe quhej
“distik elegjiak”. Vargjet mund të kenë gjatësi të ndryshme.
Sheg’e ambël, sheg’e butë
më shkoi vera pa t’këputë.
(Këngë popullore)
Kroi i fshatit tonë, ujë i kulluar,
Ç’na mburon nga mali duke mërmëruar.
Venë mbushin ujë vashat anembanë,
Cipëzën me hoja lidhur mënjanë.
(Lasgush Poradeci)
Dyvargëshi në letërsinë orientale
quhet bejte. Dyvargëshin e hasim shpesh në proverbat popullore.
Trevargëshi (it. terzina – trevargësh, ose terza rima – e treta rimë, tercina) – është strofë e
përbërë nga tri vargje, e shkruar zakonisht në njëmbëdhjetërrokësh. Vargjet në
trevargësh lidhen me rimë të alternuar; vargu i parë rimon me të tretin, që
është i fundit në strofë; vargu i dytë me vargun e parë të strofës së dytë etj.
Trevargëshi mbaron me një varg të veçantë, që rimon me vargun e parafundit të
trevargëshit të fundit. Trevargëshin e ka përdorur me mjeshtëri të rrallë poeti
italian Dante Aligieri në veprën e tij “Komedia
hyjnore” (“Divina Comedia”).
Katërvargëshi (katreni, fr. quatrin – katërshe) – është një nga llojet më të
përhapura tëstrofës poetike e përbërë prej katër vargjesh të lidhur me skema të
ndryshme rimash.
O Bajram, bajrak i gjallë
More nam me gjak në ballë
Te një shpellë e Dragobisë
Yll i rrall’i burrërisë.
(Fan Noli)
Në
poezinë orientale katërvargëshi quhet rubai.
Pesëvargëshi (gr. pentastik) – strofë
prej pesë vargjesh me skema të ndryshme rimash.
Kam dashur lulet, konxhen, trëndafilë,
zoqtë që këndojnë, thëllëzat bilbilë;
tani s’më pëlqejnë, më lënë të ftohtë,
se dua një çupë si hënëz e plotë,
s’ka shoqe në botë.
(Çajupi, Dashuria)
Shtatëvargëshi (lat. septima – septem- shtatë)- strofë prej shatë vargjesh. Në
poezinë franceze të shekujve XV dhe XVI zakonisht është rimuar sipas sistemit aabcncb.
Rreth e rreth ma e kandshmja erë a
Drandofilleve ju ndihej b
E n’ket vorr t’shuguruem n’prendverë a
I natyrës gazmendi shihej: b
Lott e shendi e Shqyptarit c
Njiky vorr i dijte s’parit, c
Njitu shfryte i ri e plak. ç
(Ndre Mjeda, Vori i
Skanderbegut)
Tetëvargëshi (lat. octava – tetë) – strofë tetëvargëshe gjashtë prej
të cilave janë të lidhura me rimë të kryqësuar, kurse dy të fundit me rimë të
puthur. Me këtë strofë janë shkruar baladat e poetëve francezë dhe anglezë të
shekujve XIV dhe XV. Ky varg është përdorur rrallë në gjuhën shqipe (Kristo
Floqi, Dimbri).
Gjethet zun’e bijen, shtrohen për mbi dhé,
Drurët xhvishen gjithë, ftoht’e madhe zé.
Fryn e bije dborë, akull e tufan,
Mvishen fusha, male, era të përthan!
Rrugët zihen gjithë, fryn stuhí, murlân,
Lumënj e liqena ngrijnë si gollgân
Ndryshon krejt natyra, mbushet dborë plot!
Një mjerim, një vdekje, gjê s’lëvis, as lot!
(Kristo Floqi, Dimbri)
Dhjetëvargëshi (lat.decima,decem – dhjetë) – strofë prej dhjetëvargjesh e
përdorur shumë rrallë në gjuhën shqipe (Luigj Gurakuqi, Zogëzës kryezezë).
Po pse, moj zogza ime, kështu m’harrove,
E këtu ma nuk po shihe
Tu’u-tundë mbi at gem dullije
Ku per sa dit n’e nadje aq mallshëm këndove?
Po a thue s’do t’këthehesh ma, a po nga une
Nder lule e gjeth po fshihe,
E s’do ma t’m’bajsh me ndije
Zanin t’and t’dridhun, noshta me m’ba dhunue
E fort mbas teje u-kapa?
(Luigj Gurakuqi, Zogëzës
kryezezë)
Strofa safike (lat. versus saphici ) –
u quajt kështu sipas poeteshës greke, Sapho (Safo) nga shekulli 6/7 të erës së
vjetër. Kjo strofë përbëhet prej katër vargjesh, prej të cilave tri vargjet e
para janë njëmbëdhjetërrokëshe, kurse vargu i fundit përbëhet prej pesë
rrokjesh. Në letërsinë shqipe këtë strofë e kanë kultivuar Ndre Mjeda, Fan
Noli, L.Gurakuqi, Gj.Fishta.
Bylbyl, ky shekull orë e ças ndrrohet:
Bijnë poshtë të naltit, i vogli çohet;
Edhe natyra po do m’u ndrrue:
Fillo me gëzue.
(Ndre Mjeda, Vaji i
bylbylit)
Strofa alkeiste (është quajtur kështu sipas poetit grek
Alkeut nga Lesbosi, bashkëkohës i Safos (rreth vitit 600 të erës së vjetër). Në
poezinë romake u popullarizua përmes Horacit. Kjo strofë përbëhet prej katër
vargjesh: dy vargjet e para me nga njëmbëdhjetë rrokje, i treti prej
nëntërrokjesh, kurse i katërti prej dhjetë rrokjesh. Me këtë strofë kanë
shkruar Klopshtok dhe Herderlin në Gjermani, Tenison në Angli, A.Brjusov në
Rusi.
Soneti
(it. suono – tingull, zë, fr.sonett, sp. soneto, gjr. sonett)- është një nga format më të
ndërlikuara poetike të letërsisë italiane, i shkruar sipas rregullave të
caktuara, i përbërë prej katërmbëdhjetë vargjesh kryesisht njëmbëdhjetërrokësh
dhe i ndarë qartë në dy pjesë koherente: e para që përbëhet prej dy strofave
katërvargëshe (katrena) me rimë të kryqësuar: abab, abab, kurse pjesa e dytë
përbëhet prej dy strofave me nga tri vargje (tercina) me skemën e rimës: cdc,
dcd. Soneti lindi në Itali në fillim të shekullit XIII. Më vonë u kultivua në
të gjitha kohërat. Mjeshtër të vërtetë të sonetit janë Dante Aligieri me veprën
e tij “Jeta e re” (“Vita nuova”) dhe
Françesko Petrarka me veprën “Këngëtorja”
(“Canzoniere”) me 327 sonete kushtuar
Laurës. Më vonë soneti depërtoi edhe në vendet e tjera. Kështu p.sh. në Spanjë
sonete do të shkruajnë Boskani, Gasilaso de la Vega, Mendosa dhe Lope de Vega
(në dramë), në Portugali Kamoenshi, në Francë Gotje, Bodleri, Malarme, Rembo
etj., në Angli Vajati, Spenseri, Shekspiri, Miltoni, Vordsvorti, Kitsi etj., në
Gjermani Fishart, Shed, Vekerlin, Fleming, Grifijus (në një formë shumë të
lirë). Në kohën e iluminizmit bie interesimi për sonetin, kurse në kohën e
romantizmit sërish fillon të kultivohet. Në letërsinë angleze në shekullin XVI
u lëvrua një formë e veçantë e sonetit i cili njihet me emrin soneti
elizabetian ose sheksipirian. Ky sonet dallon nga ai
italian, sepse ky sonet përbëhet prej tri strofave me nga katër vargje dhe një
strofe prej dy vargjesh. Skema e tij është: abab, cdcd,
efef,
gg.
Shpesh sonetet lidhen në cikle duke
formuar kështu të ashtuquajturën kurorë sonetesh, ku vargu i fundit i
një soneti përsëritet si vag i parë i sonetit vijues, kurse soneti i
pesëmbëdhjetë sajohet nga vargjet e para të katërmbëdhjetë soneteve dhe quhet sonet
mjeshtëror ose magjistral në të cilin nganjëherë
germat e para të çdo vargu formojnë emrin e personit të cilit i kushtohet
soneti (akrostiku). Kurorë sonetesh ka shkruar poeti italian XH.
Karduçi, slloveni Franc Preshern, kurse në letërsinë shqipe kurorë sonetsh ka
shkruar poeti Beqir Musliu (Kurorë
sonetesh, Fyelli dhe hini etj.).
Soneti
është lëvruar edhe në poezinë shqipe. Ndër të parët këtë formë poetike e shkroi
Nikollë Keta. Soneti i tij mban titullin “Për vetëhenë” shkruar më 1777. Pas
tij sonete do të shkruajnë Pjetër Zarishi, Laonardo de Martino, Ndue Bytyçi dhe
shumë poetë të tjerë. Mjeshtër i vërtetë
i sonetit në letërsinë shqipe është Ndre Mjeda (Lissus, Scodra, Liria). Sonetin do ta shkruajnë edhe
poetë të mëvonshëm të letërsisë shqipe si: Filip Shiroka, Luigj Gurakuqi,
Asdreni, kurse nga poetët bashkëkohorë atë do ta shkruajnë Enver Gjerqeku, Dh.Shuteriqi,
Llazër Siliqi, Mark Gurakuqi, Muzafer Xhaxhiu, Beqir Musliu etj. Tingëllime jo
të rregullta vihen re që në kohën e romantizmit të letërsisë sonë,
sajuar në bazë të trajtës së vërtetë të tingëllimit, siç është p.sh. soneto
caudato, ose sonetto con la coda (tingëllimë
me bisht), ose conetessa – konstaton Hysni Hoxha në
librin Struktura e vargut shqip f. 87. Sonete të tilla ka shkruar Asdreni
(Venedikut), Dh.Shuteriqi (Shkumbinit) ( po aty. f.87).
Për vetveten
Fisi të ndershëm në Kuntisë mbiu
Kolë Keta, filiz i Arbërit dhé,
Shkoi në Palermo, te Arbërit shpi,
Që e priti si zogun në fole.
E veshi, e pajisi me zakon e urtësi;
Në vapë e përtëriu nënë hije,
Si të fishkurin bisk stolis një dhri
e tani kurorë prifti kisha i ve.
Si zog në fluturimtë dy krahët i çoi
Në Palermo e Kuntisë, sa këu-atje
nderin arbëresh në çdo gjë kërkoi.
Sikrimb mëndafshi veten
harroi
E këtë visar torri, qëndisi e shkroi
Shqipërinë të ndrinte tej e tej.
(Nikollë Keta, 1742-1803
Lirija (fragment)
O shqype, o zogjët e maleve, kallxoni
A shndrit rreze lirije mb’atë majë,
Mbi bjeshkë të thepisuna e nd’ograjë,
Ku del gurra e gjimom përmallshëm kroni?
A keni ndie ndokund kah fluturoni
Neper shkrepa me ushtue kangën e saj,
A keni ndie nji kangë patravajë?
O shqype, o zogjët e maleve, kallxoni.
Lirim, lirim bërtet gjithkah Malcija;
A ka lirim ky dhe qi na shkel kamba,
A veç t’mjerin e mblon anë mb’anë robnija?
Flutro, shqype, fluturo kah çilet lama (burimi)
Siellju malevet per rreth qi ka Shqypnija,
E vështroje ku i del lirimit ama.
(Ndre Mjeda, Lirija,
fragment)
Strofa
me origjinë orientale
– shkruan poetët tanë bejtexhinj, të cilët duke e njohur mirë traditën
kulturore të Lindjes, u ndikuan nga poezia persiane, arabe e turke. Trajta më
të njohura të strofave me origjinë orientale janë: gazeli, kasideja
dhe rubaia.
Gazeli (ar.ģazal – vjershë dashurie, poezi
dashurore-elegjiake) – është
lloji më i përhapur poetik në poezinë orientale. Paraprijës formal i
gazelit është prologu (nasibi)
i kasidesë paraislamike, kurse si lloj i veçantë poetik në poezinë arabe
shfaqet pas shfaqjes së islamit. Këtë lloj poetik e përvetësuan persët dhe te
ta gazeli mori formë klasike dhe, përmes tyre, në shekullin XIII, kaloi në
letërsinë turke. Gazeli është formë e shkurtër poetike; zakonisht ka pesë deri
pesëmbëdhjetë dyvargësha (bejte) me skemën e rimës: aa
ba
ca...na.
Në dyvargëshin e parë, i cili quhet matla (ar.matla΄), rimojnë të dy
gjysmëvargjet; dyvargëshi i fundit i quajtur makta (ar.maqta’),
përmban emrin e poetit. Për nga përdorimi gazeli është formë shprehëse lirike,
para së gjithash i poezisë erotike dhe mistike, por edhe refleksive madje edhe
panergjike. Në poezinë lirike orientale e zë përafërsisht atë vend të cilin në
Perëndim e zë soneti. Gazelin e kanë popullarizuar poetët persianë Saadi dhe
Hafizi. Nga letërsia persiane u përhap edhe në letërsinë turke dhe në letërsinë
e Indisë dhe Azisë Qendrore. Nga poezia arabe depërtoi në poezinë spanjolle dhe
u bë forma e poezisë popullore dhe të shkruar spanjolle. Përmes romantikëve
gjermanë depërtoi edhe në Evropë. Gazele kanë shkruar Fridrih Shlegeli,
Frederiko Garsia Lorka, kurse në letërsinë tonë gazele ka shkruar Ibrahim
Neziri (Nezim Frakulla).
Kasideja (ar.qasida– vjershë me qëllim të caktuar) – është vjershë e lashtë arabe e një
gjatësie të caktuar (deri në njëqind vargje) me të njëjtën rimë gjatë tërë
vjershës. Përbëhet prej disa pjesësh nga të cilat secila duhet të plotësojë
disa kërkesa në aspektin stilistikor dhe përmbajtësor, duke e pasuar
njëra-tjetrën, poashtu sipas rregullave të caktuara më parë. Fillon me një lloj
prologu; poeti ndalet në mes të rrugës dhe vëren gjurmët e llogorit të
braktisur dhe i përben shokët e tij të ndalen dhe me mallëngjim kujton çastet
fatlume që i ka kaluar me të dashurën e tij. Kjo temë konvencionale lirike
hyrëse – kujtim për ndonjë dashuri të kaluar, të humbur – quhet nasib (ar.nasib). Pasi përshkruan ndarjen e fundit me
të dashurën, fisi i së cilës ka shkuar në kërkim të kullosave të reja poeti,
sipas sugjerimit të shokëve, vazhdon rrugën e vet. Duke udhëtuar nëpër
shkretëtirë, poeti ka rast të përshkruajë shtrëngatën, kafshët në ikje, ndonjë
skenë të gjuetisë ose të këndojë për kalin ose deven e vet, ose shquan guximin
e vet ose ndonjë virtyt tjetër; në kasidetë e tjera, ndërkaq, kritikon
kundërshtarët e tij ose armiqtë; kurse në disa prapë këndon për lavdinë e
mbrojtësit të vet duke dëshiruar të fitojë prirjen e tij ose ndihmën për vete
ose fisin e vet. Poetët më të çmuat të kasideve kanë qenë ata poetë të cilëve u
ka shkuar për dore ta ruajnë baraspeshën midis pjesëve të ndryshme të vjershës.
Kjo formë e poezisë është shfaqur qysh në poezinë paraislamike (mualake),
dhe e kanë pranuar persët dhe turqit te të cilët ka pasur kryesisht përmbajtje
panergjike dhe hyjnore, kurse pastaj edhe popujt e tjerë të qarkut kulturor
islam.
Rubaia (ar.rubā’ī _ 4vargësh, katren) – vjershë e përbërë prej dy vargjesh (distikësh, bejtesh), dmth.
prej katër gjysmëvargjesh (vargjesh), prej të cilëve i pari, i dyti dhe i
katërti rimojnë, kurse i treti zakonisht nuk rimon me tri të tjerët (pra, aaba).
Është shkruar me metra të ndryshëm. Vetë forma e rubaisë nuk lejon gjërësi, por
kërkon koncizitet dhe qartësi. Ka qenë e përhapur në letërsinë persiane dhe tek
ato mbi të cilat ka ndikuar ai. Mjeshtri
më i madh i kësaj forme poetike është klasiku persian Omar Kajam (vdiq më
1122), i cili si shkrimtar fitoi popullaritet në Evropë dhe në Amerikë, sidomos
në parafrazën e E.Fixheraldit (1859). Nën ndikimin e përkthimeve të
Fixheraldit, forma e rubaive u familjarizua në poezinë angleze dhe amerikane.
(Omar Khayyam quatrain dhe Rbaiyat stanza)dhe u përhap në letërsitë e tjera
evropiane. Në gjuhën shqipe Fan Noli përktheu veprën e shkrimtarit të njohur
persian, Omar Kajam.
Haiku – formë e shkurtër dhe e
stilizuar e poezisë japoneze Haikai ose Henga (vargje të lidhura zinxhirore)...
Haiku rëndom definohet si vjershë e shkurtër prej tri vargjesh me gjithsej 17
rrokje të renditura sipas ritmit metrik: 5-7-5.
Vjershat astrofike - përveç vjershave strofike për të cilat
folëm më sipër kemi edhe vjersha që nuk ndahen në strofa. Këto vjersha shkruhen
me vargje të renditura njëri pas tjetrit pa u ndarë në strofa. Vjershat e tilla
i quajmë vjersha astrofike ose njëkolonëshe (monokolonëshe). Vjershat e tilla i
ndeshim jo vetëm te poetët tanë, por edhe në poezinë popullore, sidomos në
poezinë epike, por ato ndeshen edhe në poezinë lirike dhe në atë dramatike.
Jam i varfër, po i lirë
ndaj më pëlqen varfëria;
kush do të rrojë më mirë,
i varfëri rron më mirë
s’urdhëron dot veten e tia.
“Hajde në palas me mua,
të gëzosh dhe ti në
botë”,
do t’i them:”Zot, nuk dua.
Për të ngrën’e për të pirë
nukë mund të shesë lirinë;
S’më duhet ergjëndi mua,
dua lirinë dhe nderë,
dua të bëj si të dua;
jo si duan të tjerë.
Kush mundt e bën si do vetë,
bën si thotë perëndia:
nukë ka në këtë jetë
gjë m’e vyer se liria”
(Çajupi, Varfëria dhe
liria)
Rima (gr. rhéō – rrjedh) – është
element i rëndësishëm i vjershërimit, e cila krijohet nga përputhja tingullore
në fund të vargjeve. Pra, përsëritja e të njëjtave zanore dhe bashkëtingëllore
duke filluar nga theksi i fundit ritmik në fund të dy e më shumë vargjeve
krijon rimën. Rima luan rol të rëndësishëm në poezi në krijimin e efekteve
akustike dhe muzikore në varg. Ajo ëahtë faktor i rëndësishëm i shtresës
tingëllore dhe semantike në poezi dhe në realizimin e tërësisë kuptimore të
vjershës. Ajo i lidh vargjet, duke organizuar renditjen e tyre në strofë. Ajo e
organizon edhe strofën si strofë. Rima në strofë ka organizim të ndryshëm.
Sipas renditjes së vargjeve të rimuara dallojmë këto lloje të rimave: rimën
e puthur (çifte), rimën e kryqësuar (alternuar) dhe
rimën
e përmbyllur.
Atje nisi, atje mbaroi, a
atje krisi, atje pushoi,
a
Rrufe-shkëmb e malësisë b
në një shkëmb të Dragobisë. b
(Fan Noli, Shpell’e
Dragobisë)
I përkulur në të thellshmin qetim a
fle katundi nën borën e bardhë b
hëna e vetshme me të zbehtë shkëlqim a
gjithë pullazet e shtëpive ka zbardhë
(Dushko Vetmo)
Perëndim i vagëlluar mi Liqerin pa kufir, a
Po përhapet dal-nga-dalë një pëlhurë si një hije b
Nëpër Mal e nër Lëndina shkrumb’ i natës po bije, b
Dyke sbritur që nga qjelli përmi fshat po bëhet fir... a
(Lasgush Poradeci)
Përveç rimave të përmendura
ekzistojnë edhe rima të tjera si, rima e grumbulluar, kur e njëjta rimë përsëritet në më shumë vargje (aaa,
aaa),
rima
të ndërprera, kur nuk kanë skemë të qëndrueshme (abcd, abcdacd)
(dyshe, treshe, katërshe, ose monorimë ose e ndërprerë. Sipas vendit të theksit ritmik në fund të vargut,
rimat mund të jenë: mashkullore (fundore),
femërore
(parafundore) dhe rrëshqitëse
(tejparafundore). Pjesa e vargut e
cila e mbyll vargun duke filluar nga rrokja e fundit e theksuar deri në fund,
quhet klauzolë, e cila shënon mbylljen, finalen e vargut. Andaj edhe
rima s’është gjë tjetër, por vetëm përsëritje e së njëjtës klauzolë në dy e më
shumë vargje. Përsëritja e një vargu a e një strofe pas vargut a strofës tjetër
quhet refren.
Kur në një varg takohen dy fjalë
nga të cilat e para mbaron me një zanore të patheksuar dhe e dyta fillon me një
zanore, ato formojnë(numërohen) një rrokje të vetme. Ky fenomen quhet sinalefë
(gr. synaleífō – lidhje, bashkim
i dy zanoreve të gjata në një rrokje).
Melesini maja-maja,
e rreh topi e kumbaraja.
Kur dy zanore të njëpasnjëshme (tog
zanor) në një fjalë numërohen si dy rrokje, atëherë kemi dierezën(gr. dieresis – ndarje).
Vdiq Naimi që këndoi
trimërinë, Skënderbenë,
vdiq Naimi që lëvdoi
dhe nderoi
mëmëdhenë!
(Çajupi, Vdiq Naimi)
Kur në mes të fjalës ose në fund të
fjalës së parë dhe në fillim të fjalës vijuese ndeshen dy zanore (vokale), atëherë
kemi dukurinë e hiatusit(lat. hiatus – veprim
i të hapurit.
Nusen seç e nis e ëma
Ç’na e nis, ç’na e
stolis.