Për ta kuptuar dhe për ta shijuar si duhet një vepër letrare,
ajo duhet të lexohet disa herë me kujdes dhe vëmendje të madhe. Andaj për ta
analizuar veprën në të gjitha aspektet duhet që ajo të lexohet dhe të
analizohen të gjithë përbërësit e saj kryesorë. Nga këndej del se vepra letrare
po qe se nuk komunikon me lexuesit ajo nuk mund të ekzistojë si e tillë.
Letërsia si e tillë pra, mund të realizohet në bashkëpunim midis autorit,
veprës dhe lexuesit ose publikut; ajo, pra, vepra letrare është komunikim midis
shkrimtarit dhe lexuesit, kurse ajo është realizim artistik dhe porosi e
veçantë të cilën autori ia drejton lexuesit. Kuptimi i kësaj porosie varet nga
shumë faktorë: lexuesi po qe se dëshiron ta kuptojë veprën letrare, së pari
duhet ta kuptojë mirë gjuhën në të cilën është shkruar vepra dhe ta kuptojë jo
vetëm sipërfaqësisht (që është kryesisht e mjaftueshme për t’u marrë vesh në
situatat e përditshme); ai, lexuesi, duhet t’i kuptojë disa qëllime të autorit,
të cilat dalin nga rrethanat në të cilat është krijuar vepra; më tej lexuesi,
për ta kuptuar si duhet veprën letrare, duhet të ketë njohuri për besimet,
zakonet dhe mendimet e popullit të cilit i takon vepra; përveç kësaj, ai duhet
të ketë njohuri mbi traditën e shprehjes letrare dhe llojet e veçanta letrare;
së fundi, duhet të posedojë madje kuptim të veçantë për nuancat e shprehjes
gjuhësore, për efektet ritmike dhe muzikore me të cilat shërbehet shpesh vepra
në masë më të madhe ose më të vogël. Të gjitha këto kërkesa rrallë plotësohen
në tërësi, andaj vetëm për një numër të vogël të veprave letrare kushtet për
komunikim letrar i jepen lexuesit drejtpërdrejt në bashkëpunimin e tij të
natyrshëm në ndonjë bashkësi shoqërore. Shumicën e kushteve për kuptimi e
veprave letrare, në horizontin më të gjërë, duhet arritur me një arsimim të
veçantë, kurse për një numër veprash letrare është e nevojshme analiza
paraprake në bazë të së cilës është e
mundur që porosinë e veprës letrare dikush ta kuptojë si porosi të vërtetë
letrare-artistike. Për ta kuptuar sa më
mirë veprën letrare duhet që ajo të lexohet me përkushtim dhe nga lexuesi
kërkohet të ketë dije nga fusha të ndryshme si, historia, filozofia, gjuhësia
etj.
Analiza
e veprës letrare natyrisht ka rol të veçantë brenda unitetit të autorit, veprës
dhe publikut, sepse veprën e bën si pikënisje të të gjitha shqyrtimve mbi
letërsinë, madje edhe shqyrtim mbi autorin ose edhe mbi publikun; vepra, si të
thuash, dëshmon për autorin e saj dhe sugjeron mënyrat se si e kupton publiku,
si e pranon, si e ruan ose thjeshtë s’e pranon dhe e harron. Analiza e veprës
është pikënisje e çdo teorie të letërsisë edhe pse duhet ruajtur që në analizën
e tillë të mos humben dhe të kihen parasysh raportet e vërteta të komunikimit
letrar në të cilat letërsia ekziston si letërsi.
Meqë
veprën letrare para së gjithash e bën teksti, i cili, si të thuash, qëndron
para nesh si objekt studimi, me qëllim të arritjes së kushteve për kuptimin e
veprës letrare, është e nevojshm para së gjithash vetë teksti të vendoset në asi
raportesh të cilat mundësojnë kuptimin e tij si letërsi.
Në
analizën e tekstit mund të dallohen ndërkaq disa veprime të veçanta të cilat i shërbejnë
një lloji të përgatitjes për analizën e tekstit si vepër letrare, gjegjësisht
si vepër artistike. Këto veprime janë: përcaktimi
tekstit të parë (të vërtetë), përcaktimi i autorësisë, i datës dhe i komentit. Natyrisht, në shumicën e
rasteve këto veprime nuk do të nevojiten; këto janë rastet të cilat që më parë,
pjesërisht ose në tërësi, janë plotësuar kushtet për ta kuptuar veprën. Në
rastet e tjera, megjithatë, posaçërisht kur është fjala për veprat e largëta
për ne në kuptimin hapësinor ose kohor, të gjitha ose disa nga këto veprime do
të jenë kryesisht të domosdoshme. Kjo do të thotë se për ta kuptuar një vepër
letrare artistike duhet ta njohim edhe traditën letrare të këtij apo atij lloji
të teksteve, mënyrën se si e kanë pranuar lexuesit apo dëgjuesit këtë apo atë
lloj teksti etj. Me fjalë të tjera, kjo do të thotë se përveç tekstit të cilin
e kemi përpara dhe i cili për vete tregon shumë (ne mund ta shpjegojmë një
tekst edhe nëse s’e dimë kohën e krijimit të tij dhe emrin e krijuesit të tij),
megjithatë njohja e kohës dhe e kushteve kur është shkruar ai tekst dhe
cilësitë e shkrimtarit i cili e ka shkruar, janë shumë të rëndësishme për ta
kuptuar dhe shpjeguar ndonjë vepër artistike.
Përcaktimi i tekstit të parë (të vërtetë)
– paraqet problem më vete, sepse kur për këtë ose atë shkak ekzistojnë variante
të tekstit të veprës së njëjtë, variante të cilat në një masë të madhe a të
vogël ndryshojnë, duke shkaktuar kështu
hamendje për atë se cili prej tyre është burimor dhe cili është më i miri,
repektivisht artistikisht më i miri. Edhe në tekstet e reja letrare ekzistojnë
dallime të shumta të cilat krijohen për shkak të gabimeve të shtypit ose të
ndryshimeve plotësuese të autorit në tekstin e ribotuar, kurse sa u pëket
teksteve të vjetra, shpesh nevojitet përpjekje e madhe dhe shkathtësi e madhe
të kuptohet teksti i vërtetë burimor i ndonjë vepre. Për shkak të rëndësisë së
tekstit burimor dhe varianteve të tij, të cilat prapë mund të jenë madje edhe
më të mira se teksti burimor ose nga teksti të cilin vetë autori e konsideron
më të mirë, përgatiten me më shumë mundime dhe me njohjen shpesh të metodave
mjaft të ndërlikuara të ashtuquajtura botime
kritike të veprave të veçanta, botime të tilla, në të vërtetë, në të cilat
jepet teksti themelor, ai tekst i cili konsederohet si më i miri, dhe pranë tij
edhe të gjitha variantet variantet e njohura.
Përcaktim i autorësisë dhe i datës – ka rëndësi të madhe për ta
kuptuar veprën letrare në ato raste kur gabimet në përcaktimin e kohës së
krijimit të ndonjë vepre ose fakteve që i mëvishen njërit e jo tjetrit autor,
ndikojnë për ta kuptuar atë që thuhet, atë që është thënë në vepër. Duhet thënë me këtë rast se rëndësia e
përcaktimit të autorësisë mbiçmohet, sepse për shumicën e veprave s’është me
rëndësi se a na është i njohur autori i saj, po gjithashtu duhet tërhequr
vërejtja se për t’i kuptuar veprat e veçanta s’do të jetë krejt njësoj se kujt
ia mëveshim.
Koment(i) (lat. comentarius – shënim,
ditar) – janë shënimet, vërejtjet dhe shënimet përcjellëse me të cilat ndonjë
tekst dëshirohet t’i ofrohet lexuesit. Komenti është rezultat i analizës paraprake
të tekstit; në të shpjegohen fjalët për të cilat supozohet se lexuesi nuk mund t’i kuptojë drejpërdrejt
në kuptimin në të cilin janë përdorur në tekst, paralajmërohen rrethanat në të
cilat është krijuar vepra, veçoritë e caktuara të formës së saj ose rëndësia e
temës së saj, përmenden edhe rezultatet e përcaktimit të tekstit të vërtetë, të
autorësisë, të datës, dhe mosmarrëveshjet rreth këtyre problemeve etj. Kështu, komenti jorrallë bëhet pjesë
përbërëse e analizës së veprës letrare, por qëllimi i tij kryesisht në këtë
fazë të analizës së veprës letrare e përgatit tekstin për lexim dhe kuptim dhe
eventualisht për analizë të mëtejme. Me studimin e këtyre veprimeve në
përgatitjen e tekstit, para së gjithash me qëllim botimi, sot merret shkenca e
veçantë në kuadër të shkencës së ketërsisë, tekstologjia, (nga lat. textus – thurje, dhe gr. λoγoς – fjalë, të
folur, shkencë,), e cila studion tekstin letrar ose shkencor, të shkruar, të
shtypur ose gojor, me qëllim të përcaktimit të historisë së tekstit dhe të
llojit të tij autentik. Sipas disa autorëve, tekstologjia kufizohet vetëm në
historinë e tekstit, dmth. në studimin e etapave të krijimit të tij dhe
formësimit përfundimtar të tekstit, duke filluar nga koncepti themelor, përmes
varianteve, deri te përfundimi i tekstit. Ndërkaq disa autorë të tjerë në
tekstologji fusin edhe problemin e botimit kritik të tekstit. Metoda themelore
e tekstologjisë është analiza
filologjike e tekstit, e cila plotësohet me historinë e tij jashtëletrare
(zhdukjet e rastit ose dëmtimit të pjesëve të tekstit, ndyshimeve për shkak të
cenzurës etj). Veprat letrare jetën e tyre e bëjnë vetëm në formën e tekstit të
shkruar dhe vetëm kështu mund të vijmë deri te analiza e tij. Në aspektin e
teorisë së letërsisë, analiza filologjike deri diku është punë përgatitore, por
punë e cila kërkon shumë dije, mjeshtëri dhe punë të mundimshme, që nganjëherë
me pa të drejtë nuk përfillet në raport me analizën teoriko-letrare ose me vlerësimin
kritik-letrar.
Analizën
letrare-teorike të një vepre të veçantë letrare mund ta dallojmë nga vlerësimi
kritik (ose shkurt: kritika) dhe nga intepretimi i veprës letrare, edhe pse
këto nocione shpesh zëvendësohen, veç kësaj është shumë vështirë ndoshta edhe e
pamundur, të dallohen në secilin rast të veçantë. Megjithatë, analiza shënon
kryesisht zbërthimin e veprës letrare në elementet e saj pëbërëse për shkak të
tërësisë së ndërlikuar të veprës letrare, analiza kritike zakonisht përmban një
analizë elementare, kurse interpretimi (lat.
interpretatio – shpjegim) shënon veprimin e shpjegimit të veprës letrare,
respektivisht veprimin e veçantë të shpjegimit gjatë të cilit vëtetohet kuptimi
i veprës në tërësi dhe roli i pjesëve të veçanata, i elementeve të veçanata
brenda tërësisë së veprës.