Problemi i gjinive dhe i llojeve
letrare është një nga problemet mjaft të ndërlikuara të teorisë së letërsisë,
problem i cili është shtruar si çështje themelore e teorisë së letërsisë që nga
koha antike, ai vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes së teoricienëve të
letërsisë edhe sot. Në lidhje me këtë shtrohen një varg pyetjesh që kanë të
bëjnë me gjinitë dhe llojet letrare. P.sh. ku qëndron dallimi midis gjinive dhe
llojeve me ndarjen në gjini dhe lloje letrare letrare? Çfarë mund të arrihet
dhe se a s’do të ishte më mirë të flitet duke mos i sistemuar dhe ndarë në
grupe ose nëngrupe, në lloje e nënlloje? Të gjitha këto pyetje që kanë të bëjnë
me për veprat letrare si të tilla, ndarjen e letërsisë në gjini ose lloje
letrare e kanë vështirësuar dhe e kanë shtyrë për një kohë zgjidhjen e
problemit të ndarjes së letësrsisë në gjini dhe lloje letrare.
Por,
megjithatë, grupimi i veprave letrare sipas disa karakteristikave të jashtme
dhe të brendshme, është treguar si i domosdoshëm për krijuesit letrar, sepse
përmbajtjen e caktuar çdo krijues mund ta shprehë dhe ta realizojë më së miri
përmes ndonjë forme të caktuar letrare. Kështu, rrëfimi lirik kërkon formën e
vjershës lirike; epika kryesisht përdor rrëfimin dhe përshkrimin, kurse
tensioni i brendshëm midis ideve dhe ndjenjave shprehjen më të mirë e gjen në
tragjedi. Shumë teoricienë të letërsisë shumë herët e kanë vërejtur lidhjen që
ekziston midis strukturave të caktuara të veprave letrare dhe idesë së tyre
estetike dhe veprimit. Ndër të parët Aristoteli i ka formuluar veçoritë
themelore të epopesë dhe të dramës (tragjedisë dhe komedisë). Ndërkaq, koncepti
i poezisë si gjini e tretë letrare do të konstituohet shumë vonë, aty nga fundi
i shekullit XVI dhe gjatë shekujve XVII dhe XVIII në Itali, në Gjermani dhe në
Francë. Nismëtar i përpunimit teorik të gjinive dhe llojeve letrare ka qenë
Aristoteli dhe kjo problematikë do të vazhdojë të trajtohet edhe më vonë.
Kështu, në kohën e renesansës dhe të
klasicizmi (shekujt XVI-XVIII) u shkruan poetika normative, sipas të cilave
pastërtia e zhanrit letrar paraqiste ligjin sipëror të krijimtarisë letrare,
kurse përzierja e veçorive dhe e kategorive të veçanta zhanrore ishte mëkati më
i rëndë kundër “shijes së mirë” të asaj kohe. Në këtë aspekt shquhen poetika e
Skaligerit, Boalosë, Gotshedit, Elerit dhe shumë teoricienëve të tjerë të
Italisë, Francës, Gjermanisë dhe Anglisë. Romantikët u çuan kundër monotonisë
dhe pagjallërisë së rregullave e skemave klsiçista. Kështu Benedeto Kroçe
pohonte se letërsia është një dhe e pandarë dhe si e tillë ajo paraqet një
zhanër intuitiv-ekspresiv, i cili realizohet në një varg veprash të veçanta.
Sipas tij, s’është e nevojshme, as shkencërisht e aryetuar ndarja e letërsisë
në gjini dhe lloje, kurse grupimi i veprave të veçanta në lloje të veçanta
paraqet një konstruksion të kulluar.
Asnjë
vepër letrare, cilësdo gjini t’i përketë, është e pamundur që në vete të mos
përmbajë edhe elemente të gjinive dhe të llojeve të tjera letrare. Romantikët
në këtë aspekt kishin të drejtë: ashtu sikundër që jeta është e ndërlikuar,
ashtu edhe vepra letrare është shprehje e gjendjeve të ndërlikuara dhe e
raporteve të ndryshme ndaj botës dhe jetës. Andaj secila vepër përmban në vete
pak a shumë veçori lirike, dramatike dhe epike, por nga ana tjetër, secila
vepër letrare në esencën e saj strukurore, teorikisht mund të fomulohet si
lirikë, epikë ose dramë. Kuptohet, në kohë të ndryshme dhe te teoricienë të
ndryshëm baza për ndarjen e letërsisë në gjini dhe lloje është përcaktuar nga
faktorë të ndryshëm. Aristoteli,
duke e mbështetur konceptin e tij të artit në fenomenin e mimesisit (imitimit), ka bërë ndarjen e
poezisë, muzikës dhe lojës, si dhe llojeve të tyre, sipas mjeteve, objekteve dhe mënyrave të imitimit (poezia
imiton sipas ritmit, të folurit dhe harmonisë, tragjedia imiton njerëzit
e mirë, kurse komedia të këqijtë; epopeja imiton me të rrëfyer, kurse drama
me anë të veprimit etj.); renesansa, duke ruajtur ndarjen e
Aristotelit dhe duke e pasuruar edhe me poezinë lirike si gjini të tretë
letrare (Gj. B. Gvarini), e ka arsyetuar (T. Hobs), këtë ndarje treshe e lidhte
me mjedisin social nga i cili burojnë lloje të veçanta të cilat pikturojnë: oborrin
(epopeja
dhe tragjedia),
qytetin
(satira
dhe komedia), fshatin ( poezia pastorale dhe idilike).
Romantikët
futën konceptin e kohës dhe të kategorive gjuhësore në klasifikimin e gjinive
letrare: vjersha lirike – veta e
parë njëjës (unë), koha e ardhshme;
drama
– veta e dytë (ti), koha e tashme; epi
– veta e tretë (ai), koha e shkuar (Vëllezërit Shlegel, Kolrixh), ndërsa sipas të tjerëve, “epi i paraqet ngjarjet të
cilat zhvillohen në të shkuarën, drama veprimin i cili shtrihet në të
ardhshmen, lirika – ndjenjat të cilat përfshijnë të tashmen” (Zhan Paul
Rihter); teoritë psikologjike kanë futur në këtë ndarje: ndjenjën
(lirika),
të
menduarit (epika), vullnetin (drama, gjegjësisht: subjektiven
(lirika),
objektiven
(epika),
subjektiveo-objektiven
(drama)
(Hegel, Fisher); së fundi sipas Grilparcerit, parimi hapësinor i
“këndvështrimit” të shpie po ashtu, në ndarjen treshe: këtu –atje –
andej
(lirika
– drama
– epika).
Teoritë
e sotme, duke përvetësuar pikëpamjet e mëparshme dhe duke u pajtuar, në esencë,
me mendimin e Gëtes se tri gjinitë letrare janë “tri forma të ndryshme të poezisë”,
e thellojnë këtë ndarje sidomos me rezultatet deri te të cilat ka arritur
linguistika moderne, e cila zbulon disa funksione të gjuhës në varshmëri me qëllimin
drejt të cilit është drejtuar porosia gjuhësore. Duke i paraqitur skematikisht
të gjitha elementet e informimit gjuhësor, të cilin e konsideron si porosi
të cilën dërguesi ia dërgon marrësit, Roman Jakobson konfirmon
edhe tri elemente në çdo përdorim gjuhësor: kontekstin (objektin me
të cilin ka të bëjë porosia), kodin (termi u krijua në teorinë moderne të informacionit, i cili shënon
një grup sinjalesh për marrëveshje të nevojshme për transmetimin e ndonjë
informacioni), kontaktin (kanalin fizik ose lidhjen psikologjike midis
dërguesit dhe marrësit). Funksioni
poetik (artistik) i gjuhës tregon orientimin në porosinë si të tillë, në
vetë shenjën
gjuhësore, duke i bërë shenjat gjuhësore më të qarta dhe më të
mëvetësishme, dhe me këtë, kuptimisht më shprehëse dhe më të pasura. I
ashtuquajturi “ekspresivitet” i gjuhës poetike mbështetet pikërisht në këtë
synim të gjuhës artistike që sa më tepër të përputhen shenjat gjuhësore dhe
domethënia gjuhësore; përsëritjet e ndryshme tingëllore, rimat, paralelizmat
morfologjike dhe sintaksore, organizimi metrik i vargut dhe harmonizimi
intonacinol i fjalisë prozaike etj., të gjitha këto kanë për qëllim të shquajnë
vlerën e pavarur të shenjës gjuhësore si bartëse e kuptimit komunikativ, por
edhe simbolik, i cili shprehimisht realizohet pikërisht në vlerat ekspresive të
gjuhës poetike. Nëse ekspresiviteti është veçori e përgjithshme e gjuhës
poetike (artistike), atëherë poezia lirike shquhet për funksionin e saj emotiv
dhe simbolik të gjuhës, duke u lidhur për atë element në informimin gjuhësor,
të cilin e kemi quajtur dërgues (subjekt); poezia dramatike ka qëllim
intonacional, qëllimor, duke u lidhur me marrësin (veta e dytë në të folur),
kurse poezia epike ka të ashtuquajturin funksion referencial (denotativ,
funksion shenjues), i cili lidhet me kontekstin, dmth. me objektin e vetë
informacionit. Edhe linguistët edhe teoricienët e tjerë shfrytëzojnë funksione
të ndryshme të gjuhës si arsyetim për ndarjen treshe të letërsisë në gjini,
duke i reduktuar të gjitha këto në tri funksione themelore: në funksion të deklaratës,
në funksion të kërkimit (kërkesës) dhe në funksionin e të treguarit (informimit). Në
funksionin e parë (deklaratë) mbështet mundësia dhe natyra e shprehjes
gjuhësore: ky është ekspresioni i un-it
poetik në tonin emocional; në funksionin e dytë (të kërkimit) – dramat: ky
është veprimi impresiv i gjuhës drejtuar bashkëbiseduesit (ti), me qëllim që të shprehet dëshira, urdhëri, dyshimi ose pyetja;
dhe, së fundi, në funksionin e tretë (të
treguarit mbështetet epika; ky është funksioni demonstrativ (tregues) i
gjuhës, i shprehur në veten e tretë (ai),
i cili shfaq dhe prezanton (K. Biler, E. Kasirer, E. Shtajger, B. Kajzer). Duke
ecur kësaj linje u arrit deri te tri “platformat” teorike të formësimit letrar:
deri te vjersha (lirika), dialogu (drama) dhe rrëfimi (epika).
Ndërkaq,
ndarja në lloje dhe zhanre, fut në këtë ndarje edhe specifikimin e mëtejmë të
ndarjes sipas disa veçorive të jashtme dhe të brendshme të veprave letrare.
“Zhanri duhet kuptuar – thotë Ostin Voren – si grupim i veprave letrare
teorikisht të mbështetur si në formën e jashtme (metri, struktura e
kompozicionit), ashtu edhe në formën e brendshme (qëndrimi, toni, qëllimi
esteik)” Prej këndej në ndarjen bashkëkohore në lloje letrare merren parasysh
të gjitha elementet konstitutive të krijimeve letrare: tema, motivet, format
metrike, mënyra e kompozicionit, madhësia, qëllimi estetik i shkrimtarit dhe
ndikimi estetik i veprës te lexuesi si dhe kushtëzimi historik i krijimit të
një zhanri dhe modifikimit të tij gjatë kohës.
Poezia
lirike – Sipas
studimeve të A. N. Veselovskit fillimet e poezisë duhet kërkuar në krijimet
kolektive të njeriut të parë, primitiv. Gjatë zhvillimit të saj historik lirika
u nda në gjini të veçantë letrare gjatë shekujve XVII dhe XVIII, ashtu në
shekullin XIX, në kohën e romantizmit dhe të simbolizmit, si dhe në shekullin
XX, në drejtimet e ndyshme letrare moderne, mori kuptimin e gjinisë letrare e
cila paraqet bazën e gjithmbarshme të poezisë. Zhvillimin e saj më të plotë
lirika e arrin nga fundi i shkullit të kaluar dhe gjatë këtij shekulli (poezia
moderne).
Poezia
lirke formën e saj të plotë dhe format e saj të ndryshme i mori që në Greqinë
antike. Një nga format e saj më të vjetra ka qenë padyshim elegjia, në fillim këngë
mortore pikëlluese, e cila ka mundur të krijohet nga vajtimet e caktuara dhe
himni. Nga këngët e shfrenuara të komosit (turmës), gjatë kohës së kremtimit të
hyut Dionis, u zhvillua kënga nën dritaren e bukuroshes te poetët grekë, Alkeu
dhe Anakreonti. E një origjine të njëjtë është edhe ditirambi dhe kënga e
verës. Më vonë, me zhvillimin e monarkisë së shtresës aristokratike dhe
republikës, paraqitet satira e Arkilokut.
Zhvillim
të fuqishëm lirika, pas kohës antike, mori në shekullin XI në lidhje me
kalorësinë. Trubadurët (Provansë) dhe minezengerët (Gjermani) zhvilluan kultin
e gruas bukuroshe së cilës poeti i shërben deri në varr. Në fillim poezia
trubadurase përngjasonte me poezinë lirike popullore; gruaja në të është paraqitur si e shëndoshë,
grua reale dhe ndjenja të natyrshme. Më vonë nën ndikimin e mistikës së
krishterë, koncepti i dashurisë ndryshon: dashuria bëheti deale, abstrakte,
platonike. Nga kjo lirikë doli edhe Petrarka, lirik italian i shekullit XIV.
Zhvillimin e saj më të plotë lirika e arriti në kohën e romantizmi si për nga
forma ashtu edhe për nga përmbajtja.
Formën
e saj më të pastër lirika e merr në këngën lirike, të kënduar më shpesh në
vargje, por edhe në prozën ritmike, nga e cila sot për nga struktura nuk dallon
shumë as vargu i lirë. Këngën lirike e karakterizojnë intensiteti i fuqishëm i
ndjenjave dhe thellësia e përjetimeve. “Të jesh lirikë, do të thotë të
projektosh ndjeshmërinë tënde mbi të gjitha gjërat dhe të përfshish, në një
vjelje të çuditshme, njdeshmërinë e universit” (F. Zhermen).
Poezinë
lirike e karakterizon subjektiviteti dhe drejtpërdrejtshmëria. Subjektiviteti
merret si përcaktues qenësor i poezisë lirike sipas të cilit ajo kufizohet nga
gjinitë e tjera letrare (epikës dhe dramës). Poeti lirik drejtpërdrejt i
shndërron në gjuhë përjetimet e veta subjektive të botës, pa ndërmjetësimin e
ndonjë ngjarjeje si në epikë dhe në dramë. Bota e brendshme e subjektit lirik
zbulohet në format e veçanta lirike, së pari në monolog, përmes të cilit
organizohet indi emocional dhe ideor i vizionit të poeti mbi botën. Përmes
poezisë lirike zbulohet vizioni i poetit mbi botën. Poeti lirik drejtpërdrejt
thotë: unë jam i gëzuar, i pikëlluar, i shqetësuar, i thyer shpirtësisht; për
mua bota është e shkëlqyer, ose e errët, ose e përhimë etj.
Temat
dhe motivet lirike mund të jen të panumërt, ashtu sikundër që janë të panumërta
edhe ndjenjat dhe dispunimet të cilat shprehen me anë të lirikës. Këto ndenja
ecin drejt ndenjave të mrekullisë dhe entuziazmit (odja, himni, vjesha atdhetare
dhe sociale), deri te ndjenjat e hidhërimit, zemërimit dhe revoltës (vjershat
satirike), por vjershave lirike më së shumti i janë përgjigjur ose ndjenjat
pasive të durimit ose ndjenjat triumfale të entuziazmit. Ndjenjat e vrullshme
të frikës dhe të urrejtjes i kanë inspiruar zakonisht veprat dramatike
(tragjedinë), indinjata dhe tërbimi, satirën, mizoria dhe hakmarrja, poezinë
epike (epopenë). Për këtë arye në vjershat lirke kanë qenë të shpeshta temat të
cilat kanë hidhërimin e dhembshëm, melankolinë, mallin, shqetësimin e
pacaktuar, ëndërrimin dhe meditimin, ose temat të cilat kanë shprehur
entuziazmin e lartë, egzaltimin dhe mrekullinë sesa ato të cilat janë inspiruar
nga ndjenja e revoltit, e rebelimit, e urrejtjes, e hakmarrjes, e luftës, e frikës
dhe e tmerrit.
Emocioni
lirik shprehjen e tij më të plotë dhe më adekuate e gjen në organizimin ritmik
të gjuhës, në ritëm, si dhe në vlerën tingëllore (eksprsivitetin) të tingujve,
në harmoninë e tyre me mendimin dhe emocionin e poetit. Forma e vargëzuar
ritmike e shndërron materien gjuhësore dhe e krijon gjuhën e cila me ritmin ,
tingëllimin dhe harmoninë e saj, fiton vlerën e pavarur, veç vlerës kuptimore,
të cilën gjuha e ka në përgjithësi. Forma ritmike e gjuhës së vargëzuar ka rëndësi të madhe për emocionin lirik,
sepse te lexuesit krijon predispozicionin për përjetim të plotë emocional-ideor
të vjershës, kurse te poeti do të thotë kondensim të inspirimit dhe formësim
adekuat të përmbajtjes lirke. Emocioni i poetit do të derdhej në shprehjet e të
së folmes së përditshme që nevoja për ritmin të mos e ndjekë në shprehjen
gjuhësore të ngjeshur, shumëkuptimore dhe harmonike. Organizimi tingëllor i
gjuhës poetike në poezinë lirike po ashtu ka rëndësi të veçantë estetike.
Tingujt dhe rrokjet e veçanta mund të bëhen bartës të një kuptimi të
përgjithshëm dhe të përcaktuar, të cilin e marrin në pajtim me tonalitetin
themelor ideo-emocional në vjershë dhe me përsëritjen e tyre mund ta forcojnë
dhe ta lidhin këtë tonalitet në një tingëllim unik.
Në
poezinë lirike, përveç emocionit, rol të rëndësishëm luan edhe imagjinata e
poetit, e cila duke krijuar figurat poetike në pajtim me emocionin, shërben si
element tjetër stukturore për formësimin e përmbajtjeve lirike. Kuptohet,
tabloja dhe përshkrimi në poezinë lirike dallon nga tabloja dhe përshkrimi në
poezinë epike. Poeti epik krijon tablo të hollësishme dhe plastike të cilat
duhet të na shpjegojnë plotësinë dhe tërësinë e objektit i cili përshkruhet. Në
poezinë lirike, ndërkaq, përshkrimi është global. Tabloja është e cipëzuar,
zgjidhen vetëm ato detaje të cilat i përgjigjen emocionit themelor në vjershë.
Sikur poeti lirik të na jepte tablo besnike në hollësi (detaje) do t’i shtrohej
rrezikut të jetë i ftohtë dhe i zbrazët në aspektin emocional. Sepse në poezinë
lirike nuk na shqetësojnë objektet dhe dukuritë, ashtu siç janë dhe siç i
përjetojnë të gjithë njerëzit, por transformimi i këtyre objekteve në
imagjinatën dhe emocionin e artistit, e cila bën që objektet e njëjta te poetët
e ndryshëm të bëhen herë të dashur dhe të butë, herë gjigantë dhe kaotikë, herë
tragjikë dhe shqetësues etj. Duke i transormuar objektet e ndryshme poeti u jep
këtyre një simbolikë të gjërë dhe të thellë të cilën e zbulon ai në to. Mjetet
me të cilat e arrin këtë më shpesh janë metafora, simboli dhe të gjitha ato
figura stilistike (personifikimi, metonimia, sinestezioni, alegorie etj.) me të
cilat zhvendoset kuptimi themelor i fjalëve dhe u jepet kuptim figurativ dhe të
ndryshëm. Me ta arsyetohen (shpjegohen) lidhjet e zakonshme midis gjuhës dhe
mendimit dhe zbulohet lloji i ri i gjërave. Kështu i magjinata krijon mundësi
të pakufishme për figura të shumta, kurse gjuha poetike lirike përtërit përherë
fondin e kuptimit të fjalëve dhe e pengon gjuhën të mbetet në gjendjen e
ngurtë.
Struktura
kompozicionale e vjershës
lirike - Meqë poezia lirike mbështetet në elementin
emocional dhe ideor, struktura e saj dallon nga struktura e veprës epike dhe
dramatike. Në strukturën e vjershës lirike s’ka ngjarje si promotorë dhe
elemente krijues, s’ka fabul, s’ka personazhe të cilat do ta vinin në lëvizje
veprimin. Duke qenë se s’ka rrëfim, s’ka fabul, s’ka zhvillim të ngjarjeve, as
përshkrime të hollësishme dhe të plota, ajo ndërtohet si tablo e intonuar
emocionalisht, si muzikë e të folurit muzikor, të cilën e shpreh bota e
brenshme e poetit. Muzika dhe tabloja janë dy elemente të strukturës së poezisë
lirike. Poezia lirike është e shkurtër. Në të çdo gjë është e përqëndruar në
ato momente të cilat e përforcojnë ndjenjën themelore. Në të ekziston motivi
kryesore, i cili në mënyrë të ndryshme variron dhe zgjerohet me futjen e
motiveve të reja , të ngjashëm ose kontrastivë, por këta nuk e çojnë temën përpara
në kuptimin e zhvillimit shkak-pasojë të ngjarjeve. Në rastin më të mirë, në poezinë
lirike mund të lajmërohet ndonjë ngjarje vetëm në dy-tri momente të renditura
kronologjikisht të kësaj ngjarjeje, por pa lidhjen e tyre shkak-pasojë. Prandaj
thuhet se vjersha lirike përbëhet prej një varg motivesh statike, të cilët të
gjithë flasin në variante të ndryshme mbi temën e njëjtë, duke forcuar
përshtypjen e saj. Grupimi i këtyre motiveve rreth motivit kryesor bëhet
asociativisht, dmth. këtu lidhja, shoqërimi i përfytyrimeve bëhet në bazë të
dispunimit themelor të poetit. Nëse dispunimi themelor i poetit është p.sh.
pikëllues, atëherë përfytyrimet asociohen sipas kujtesës së poetit në momentet
pikëlluese të jetës së tij ose nga jeta në përgjithësi. Sidomos janë të
shpeshta asociacionet sipas kontrastit, dmth. poeti disa momente të pikëlluese
nga jeta e tij e tashme, ua kundërvë disa momenteve nga jeta e tij e mëhershme
ose jetës rreth tij.
Në
aspektin e strukturës kompozicionale në shumicën e vjershave lirike mund të
venerohet skena tipike e kësaj strukture: motivi i parë, njëkohësisht është
edhe motiv kryesor përmes të cilit paraqitet tema e vjershës; në
motivin e dytë zhvillohet tema me futjen e detajeve të reja, qoftë
sipas ngjashmërisë, qoftë sipas kontrastit dhe së fundi me motivin e tretë jepet një lloj i përfundimit (poentës),
i cili në mënyrë inventive zbulon kuptimin dhe shpreh qëndrimin themelor ndaj
temës. Secili prej këtyre motiveve mund të zhvillohet edhe më tej me shtimin e
hollësive të reja, ashtu që vjersha me lidhjen asociative të pëfytyrimeve, zgjerohet
figurativisht dhe emocionalisht forcohet. Vjersha lirike është e shkurtër, jo
vetëm pse edhe gjendja emocionale të cilën e shpreh ajo është e shkurtër (zgjat
pak dhe lehtë ndryshon), por edhe pse me shprehjet e shkurtra arrihet
intensiteti më i fuqishëm i ndjenjave dhe efekti më i madh i ndikimit. Gjendja
lirike është e luhatshme, e mjegulluar dhe plot nxitje sugjestive; formulimi i
shkurtër, por intensiv i gjendjes emocionale ndikon si “shok elektrik”, si
goditje shtytëse ose si tronditje, e cila nxit lëvizje dhe valë të fuqisë dhe
gjatësisë së ndryshme emocionale-ideore. Kuptohet, nocioni i “shkurtësisë” së
vjershës lirike është relativ; vjersha lirike mund të përbëhet nga një distik
(epigrami, epitafi, senteca) deri në disa dhjetra vargje. Duke menduar për
krijimin e vjershës së gjatë lirike të tijën, “Korbi”, Edgar Alan Poe
ka ardhur në përfundim se midis efektit, i cili arrihet me vjershën dhe zgjatjes
së tij (efektit), ekziston një raport i drejtë: për emocionin e fuqishëm dhe
efektin e fuqishëm është e nevojshme vjersha e gjatë. Por, në të njëjtën kohë,
Poe fut në atë përfundim një përkufizim të rëndësishëm: vjersha s’guxon të jetë
e gjatë aq sa të mos mund të lexohet me një frymë, pa ndërprerje, sepse në të
kundërtën impresioni i vjershës do të dobësohej nga ngjarjet jashtëpoetike
(“ngjarjet botërore” siç thotë ai). “Për shkak të gjatësisë së tillë – thotë ai
– gjysma e “Parajsës së humbur” e
Miltonit është në esencë prozë, një varg shqetësimesh poetike domosdo të
ndërprera me depresionet gjegjëse, ashtu që për shkak të gjatësisë së tepruar
tërësia është privuar nga elementi i rëndësishëm artistik - tërësisë, respektivisht të unitetit të
efektit.” Për vjershën e tij “Korbi” ai vendos që gjatësia prej disa qindra
vargjesh të paraqetë atë masë me të cilën do të arrihej efekti i dëshiruar, për
të mos u ndërprerë impresioni unik dhe i tërësishëm. Duhet të theksojmë se
krijimi lirik, si edhe çdo krijim tjetër artistik, është prodhim i një
përpunimi të gjatë shpirtëror, i pjekurisë, i sedimentimit dhe i harmonizimit. E
ashtuquajtura “distancë” i nevojitet edhe poetit lirik, por edhe poetit epik
dhe dramatik; dallimi midis tyre qëndron në mënyrën e prezantimit të atij
materiali. Kjo distancë nga inspirimi i parë i mundëson poetit ta përpunojë
shprehjen lirike (variante) ta përsosë dhe ta gdhendë vjeshën deri te forma e
saj më ekspresive dhe më efektive.