2012-07-08

POEZIA EPIKE




Ekzistojnë dallime qenësore midis poezisë lirike dhe poezisë epike.
Për dallim nga poezia lirike, në poezinë epike raporti midis poetit ose rrëfimtarit dhe botës, është krejt ndryshe nga ajo e poezisë lirike. Poeti ose rrëfimtari në poezinë epike rrëfen për  ndonjë ngjarje që ka ndodhur në të kaluarën, e cila ka përfunduar dhe është e pandryshueshme. Poeti, si rrëfimtar, qëndron jashtë ngjarjes; shkrirja dhe përshkimi në njëri tjetrin, i poetit dhe i botës, si në lirikë, këtu nuk mdodh. Nga një distancë nga ngjarja, poeti në gjendje të qetë të vëzhgimit dhe meditimit, përshkruan  jetën e cila është zhvilluar dhe ka përfunduar në nj pjesë të kohës; ai i interesohet të përshkruajë çdo detaj (hollësi) në zhvilimin e ngjarjes, andaj edhe ndalet edhe në shumë hollësi, dhe nuk nxiton ta përfundojë rrëfimin. “Qëllimi i poetit epik qëndron në çdo pikë të lëvizjes së tij; prandaj nuk nxiton me padurim drejt një qëllimi, por na zbavit me dashuri në çdo hap”(Fridrih Shlegel). Nga kjo, elementet e veçanta në epikë kanë rëndësi të pakrahasueshme sesa në lirkë, kurse veprimi epik zhvillohet ngadalë, duke qëndruar çast në disa elemente jashtë rrjedhës së veprimit kryesor. (refleksionet, ndërfutjet, episodet). Të gjitha këto detaje (hollësi) kanë rëndësi si pjesë e tërësisë së përgjithshme, por e ruajnë edhe rolin e tyre të mëvetësishëm relativ dhe kanë vlerë edhe të marra si të veçanta.
            I larguar dhe i veçuar nga ngjarjet për të cilat flet, poeti i ekpozon ato ngjarje në vetën e tretë, sikur ai i cili i vëzhgon dhe dëshmon anash, duke u përpjekur që sa më objektivisht t’i përshkruajë të gjithë pjesëmarrësit në ato ngjarje dhe t’u kushtojë vëmendje të njëjtë të gjitha çasteve në to. Prandaj për poezinë epike thuhet se është objektive, përkundër subjektivitetit të poezisë lirike. Çdo artist ka qëndrim të thellë ndaj jetës, për çka edhe në poezinë epike ndjehet se prirja dhe simpatia e poetit u kushtohet personazheve të mirë dhe fisnikë, kurse urrejtja dhe përbuzja  – të poshtërve. Personazhet të cilët e tërheqin më së shumti vëmendjen dhe prirjen tonë quhen heronj.
            Me që rrëfen mbi ngjarjet të cilat janë zhvilluar dhe të cilat i njeh mirë, poeti epik rrëfen nga pozita e autorit të gjithdijshëm. Ai qysh më parë e di se si do zhvillohen ngjarjet, sepse ato tashmë kanë ndodhur; ai u hy ” nën lëkurë” personazheve të tij, duke ditur se ç’kanë menduar dhe ç’kanë ndjerë ata, ç’kanë folur dhe si janë sjellë.
            Megjithatë, në poezinë epike në vargje (epi dhe kënga epike) si dhe në poezinë epike në prozë (romani dhe tregimi), situata themelore e poetit epik për të rrëfyer mbi ngjarjet e kaluara dhe për të folur për këtë në vetën e tretë, mund të ndryshojë. Në të vërtetë, derisa poezia epike në vargje (epi ose epopeja), flet për disa ngjarje dhe personazhe të cilët kanë rëndësi për tërë kolektivin (fisin, popullin), romani dhe tregimi rrëfejnë për jetën private të individit. Për këtë arsye edhe ndryshon edhe figura e poetit ose e rrëfimtarit; në rastin e parë ai duhet të jetë autor i gjithdijshm, i cili di për çdo hollësi të ngjarjes dhe me kompetencë zotëron me materien mbi të cilën flet; i dyti, romancieri ose rrëfimtari, nuk është e domosdoshme të jetë tregimtar besnik; ndonjëherë, në vend të tij, rrëfen ndonjë nga personazhet e romanit ose të tregimit, rrëfimi është në veten e parë, kurse vetë rrëfimi mund të jetë një lloj historie, me ç’rast merr karakter lirik.
            Përveç rrëfimit dhe rrëfimtarit, si ndërmjetësues midis ngjarjeve të kaluara dhe lexuesve (dëgjuesve), elemente përbërëse të poezisë epike janë edhe fabula dhe personazhi. Fabula zakonisht paraqet ngjarje të njohura, kryesisht nga e kaluara historike dhe mitologjike e popujve të ndryshëm, kurse pesonazhet janë kryesisht trima ose heronj, të cilët përfaqësojnë cilësitë e gjithë popullit për të cilin bëhet fjalë.
            Poezia epike dallon nga poezia lirike edhe për nga teknika e ndërtimit, që ndryshe quhet teknikë epike. Veprimi në poezinë epike duhet të zhvillohet për një kohë të gjatë. Ajo kërkon të zhvillohet në hapësirë dhe në kohë, në veprimet e personazheve, në ngjarjet e veçanta, për t’u plotësuar njohja artistike epike e botës dhe e shoqërisë. Poeti epik e ngadalëson ose e frenon veprimin dhe mjetet që i përdor për këtë qëllim janë digresioni (lat. digressiolargim nga lënda), duke futur në ngjarjen kryesore një varg detajesh ose hollësish të cilat e ngadalësojnë ngjarjen, e retardojnë fillimin e zhvillimit të veprimit. Poeti, më tutje, në rrjedhën kryesore të veprimit fut edhe tërësi të mëvetësishme, tërësi të rrumbullakësuara, të cilat i quajmë episode (gr. epeisódosi ndërfutur), të cilat nganjëherë kanë rëndësi të madhe artistike. Veç episodeve poeti epik me shumicë i shfrytëzon edhe krahasimet epike të cilat janë shumë të rëndësishme për stilin dhe gjuhën e poezisë epike. Poeti epik shpesh përdor edhe përsëritjet, ku përsëriten fjalët e dikujt, ose disa mendime, ose përshkrime; ripërtëritën disa situata, dialogë dhe motive, kështu që veprimi epik bëhet më i afërt, më i drejtpërdrejtë dhe më plastik. Të gjitha këto veprime stilistike në zhvillimin e veprimit epik (digresionet, episodet, përsëritjet), hyjnë në një koncept më të gjerë të retadacionit ose të ngadalësimit të veprimit, të cilit i paraprin një hyrje e shkurtër, ku thirren hyjnitë për ndihmë dhe parashtrohet tema e vjershës. Së fundi, epitetet e përhershme, hyrjet e njëjta në veprim, fillimet e ngjashme ose të njëjta të përshkrimit dhe përfundimi, ndikojnë në tërësinë e qëndrueshme të veprës epike.



Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...