Pavarësisht
nga mënyra e paraqitjes së proceseve jetësore në të cilat realizohet drama e
personazheve të zgjedhur, veprat epike mund të sistemohen ose të grupohen në: poezinë epike në vargje ku bëjnë pjesë kënga epike dhe epopeja (epi), dhe në poezinë epike në prozë, ku bëjnë pjesë tregimi, novela dhe romani.
Kuptohet se edhe njëra edhe tjetra kanë nënllojet e tyre; poezia epike në
vargje përfshin në vete: idilën, poemën romantike, kurse poezia epike në prozë: anekdotën, skicën, rrëfenjën, shumë
lloje që qëndrojnë midis poezisë epike, nga një anë dhe poezisë didaktike
(mësimore) (përrallëzat, parabolat), historisë, filozofisë etj, nga ana tjetër.
Këtu do të merren në shqyrtim ato lloje të poezisë epike më tipike. Të theksojm
se ka edhe epe të shkruar në prozë (“Telemaku” i Marmontelit), si dhe tregime dhe
romane në vargje (“Eugjen Onjegini”i
Pushkinit, “Enoh Arden” i Tenisonit).
Të parat mund të llogariten edhe në romane, kurse të dytat dalin nga kuadri i
epikës së pastër dhe shumë pjesë të tyre bëjnë pjesë në lirikë.
Poezia
epike në vargje është krijuar në periodat më të vjetra të zhvillimit të
letërsisë dhe atë e kanë kultivuar të gjithë popujt deri në shekullin XVIII dhe
pjesërisht deri në gjysmën e shekullit XIX. Poezia epike në prozë, sidomos
lloji më kryesor i saj – romani, edhe pse ka qenë i njohur nga koha antike, në
kuptimin modern u krijua në shekullin XVII, ashtu që në shekullin XVIII të
zhvillohet në formën e tij të plotë dhe që në shekullin XX plotësisht ta
zëvendësojë epopenë, ashtu që romani u bë “epope e ditëve tona” (Bjelinski).
Për këtë arsye disa teoricinë e ndajnë romanin dhe tregimin në gjini të veçanta
letrare (gjini latrare romansore).
Poezia
epike në vargje -
u krijua si krijim popullor, si krijim kolektiv i gjithë popullit. Epet
më të vjetra popullore kanë qenë epet greke “Iliada”
dhe “Odiseja”, të cilët i mëvishen
poeti Homer, i cili ka jetuar përafërsisht në shekullin VIII p.e.s. Pavarësisht
se këto vepra janë vërtetë krijime të një poeti të caktuar ose në emrin e
Homerit fshihet një varg poetësh nga populli, të cilët kanë i krijuar epet
greke, këto vepra konsiderohen si epe popullore, sepse në to është shprehur
mendimi kolektiv dhe besimet e një populli në shkallën më të ulët të jetës së
tij popullore dhe shtetërore (shekujt X-VIII p.e.s.). Vjetërsi të njëjtë kanë
edhe epet popullore indase “Mahabharata”
(shek. IV p.e.s. – shek. IV i e,s.) dhe “Ramajana”
(shek IV ose III p.e.s.) dhe “Gilgameshi”
babilonas. Nga epet më të reja popullore më të njohur janë: “Kënga e Rolandit”, te francezët, “Kënga mbi Nybelungët te gjermanët, “Eda”
te islandezët, “Kalevala” te
finlandezët etj.
Në
të njëjtën kohë, që nga natika e këndej, poetët e veçantë filluan të shkruajnë
epe sipas shembullit të “Iliadës” dhe “Odisesë”. Këto janë epe artistike,
krijime të poetëve të veçantë, të cilët në veçoritë e tyre kryesore ishin
imitime të epeve popullore greke. Kështu poeti romak Virgjili shkroi “Eneidën”, poetët italianë Taso dhe
Ariosto: i pari shkroi “Jerusalemi i çliruar”, kurse i dyti “Rolandi i çmendur”, poeti gjerman
Klopshtok shkroi epin me emrin “Mesiada”,
poeti rus Lomonosov “Petriada”, Naim
Frashëri “Histori e Skënderbeut”,
Gjergj Fishta “Lahuta e malcisë” etj.
Epopeja
ose epi (gr. epos – fjalë, rrëfim) është një nga llojet më të vjetra të poezisë epike, e cila
së pari u shfaq si krijim popullor dhe merret si lloj klasik dhe më i pastër i
gjinisë epike.
Epopeja
ose epi është forma më e gjerë epike e cila ka një zhvillim të pasur historik.
Epet i njohin thuajse të gjith popujt. Edhe epet, si edhe veprat e tjera
letrare, janë krijuar në situata të ndryshme historike. Ai krijohet në ato periudha kur popullit dhe shoqërisë i
kanoset ndonjë rrezik shfarosës, dhe nuk kultivohet në epokat e sigurisë, të
optimizmit dhe të fuqisë. Kështu, p.sh. poezia jonë popullore u zhvillua në
epokën e robërisë turke, kurse rreziku i përhershëm për ruajtjen e pavarësisë
nacionale gjatë shekullit XIX, bëri që të gjithë romantikët tanë intensivisht
ta kultivojnë poezinë epike. Mentaliteti i njeriut primitiv, tregon gjendjen në
të cilën është gjendur njeriu përpara së panjohurës, e cila tek ai shkaktonte
pasiguri dhe frikë në një anë dhe entuziazëm në luftën për mposhtjen e së
panjohurës nga ana tjetër. Ai e ndjente të dobët veten para forcave objektive
të natyrës, të cilave ai u jepte rol mbinatyror. Këto forca ai i mendonte në
formën e hyjnive të antropomorfizuara të cilët përzihen në fatet njerëzore. Si
rrjedhojë e kësaj bota epike e njeriut
ishte botë e së çuditshmes dhe e fantastikes, botë në të cilën
antropomorfizohen edhe bimët, edhe kafshët, edhe gjërat. Në pajtim me këtë edhe
personazhet e poezisë epike paraqiten në përmasa të mëdha, gjysmëperëndi –
gjysmënjerëz, kurse figura më e shpeshtë në përshkrimin e personazheve është
hiperbola. Kur këto forca u ndanë nga gjërat dhe u organizuan si të pavarura,
ata morën forma gjigante dhe u bënë hyjni. Të përzier në veprimet njerëzore dhe
fatet e tyre, ata u bënë akterë kryesorë në botëkuptimin primitiv mbi botën, i
cili shihet në kuptimin mitik të botës, në mit. Këta hyjni ishin të dipunuar
ose si mbrojtës ose si armiq ndaj njeriut; më shpesh ndodhte kjo e dyta, sepse
ata ishin prodhim i imagjinatës së dobët, të pafuqishme dhe prandaj të njeriut
të frikësuar. Prej këndej në mentalitetin primitiv epik fuqishëm zhvillohet
domeni i imgjinatës dhe ndjenjës (frika dhe admirimi); bota epike është botë e çuditshme dhe botë
poetike në të cilën njeriu krijon tablot dhe përfytyrimet më fantastike të
cilat i shikon me sytë naivë, admirues dhe të frikësuar.
Epopeja
këndon më shpesh për ngjarjet kolektive (luftërat, ekspeditat, fushatat), një
përpjekje kolektive në luftë kundër fuqive natyrore, hyjnore dhe njerëzore. Heroi
i epopesë lufton për interesa kolektive (krahaso në epikën tonë popullore Mujin
e Halilin dhe heronjtë e tjerë), kurse lufta është e orientuar nga ardhshmëria.
Edhe pse këndon për ngjarjet e kaluara, poeti epik sheh në to shembujt heroikë
të cilët e frymëzojnë për të ardhshmen. Prandaj edhe epika jonë popullore i ka
ngazëllyer romantikët tanë para së gjithash me heroizmin e vet, me shembujt e
lavdisë dhe madhështisë së dikurshme, me mbretërinë e Skëndebeut, çfarë
paraqiste garanci për lavdinë e sërishme dhe ardhshmërinë. Që kolektivi të
arrijë sukses në luftën e tij, i është dashur një udhëheqës, hero, trim, tek i
cili janë idealizuar veçoritë më të mira të popullit. Heroi kështu bëhet idol,
gjysmëperëndi, përfaqësues i pamposhtur i popullit, i cili është më i dashur
nga hyjnitë, sepse hyjnëtë janë të pavdekshëm dhe nuk rrezikojnë asgjë, kurse
heroi është i vedekshëm dhe me ekspozimin e tij rreziqeve shumë më tepër i
obligon njerëzit. Nga këndej dalin edhe veçoritë e epopesë në mesin e të cilave
po përmedim: ajo shquhet për rrëfimin madhështor mbi ngjarje jo të zakonshme
dhe të rëndësishme që zhvillohen në një botë të çuditshme. Në të paraqitet
heroizmi kolektiv dhe individual, por edhe vdekja heroike e heronjve. Epopeja
thuajse ekskluzivisht është kënduar në vargje.
Epet
më shpesh janë klasifikuar sipas lëndës që trajtojnë në disa lloje: epi
heroik-historik, në të cilin trajtohet ndonjë ngjarje e rëndësishme
historike, e lidhur me jetën dhe veprimin e ndonjë heroi. Në këtë lloj epi
përmenden: “Iliada” dhe “Odiseja” të poeti Homer, “Mahabharata” (ku flitet për luftën e
madhe në fisin Bharata), “Ramajana”
(fatkeqësia e Ramës), “Eneida” e
poetit romak Virgjili etj., epi romantik, “Rolandi i çmendur” i
poetit italian Ludovico Ariosto; epi religjioz , “Komedia hyjnore” e poetit italian, Dante Alighieri, “Parajsa e humbur” e poetit anglez, John Milton, “Mesiada” e poetit gjerman Friedrich
Klopstok, “Qerbelaja” e Naim Frashërit
etj.,
epi idilik flet për jetën familjare dhe fatin e njerëzve të thjeshtë, “Hermani dhe Doroteja” e poetit gjerman
Johann W. Goethe, epi heroik-komik, përpunon personazhe të parëndësishme
qesharakë dhe joheronj dhe ngjarje në stilin dhe mënyrën e epikës heroike, epi
mbi kafshët në mënyrë të sinqertë ose komike paraqet shoqërinë dhe
fatet njerëzore në figurat e kafshëve “Dhelpra Raineke” e poetit gjerman
Johann W. Goethe etj., epi didaktik “Punët dhe ditët” të shkrimtarit grek Hesiod, “Gjeorgjiket” e poetit
romak Virgjili, epi filozofik, “Mbi natyrën” e poetit filozof Tit
Kar Lukrecit etj.
Kënga
epike – është e një vëllimi shumë më të vogël se epopeja. Në të
rrëfehet vetëm për një ngjarje të një rëndësie më të vogël dhe numri i
personazheve që merr pjesë në të është më i vogël sesa në ep. Shkurtësia në
raport me epin vjen prej andej se gjatë
rrjedhës së rrëfimit në këngë nuk futen episode të ndryshme, pjesë të cilat nuk
lidhen ngushtë me veprimin kryesor. Epika jonë popullore, siç e dimë, ka vetëm këngë
epike, ku bëjnë pjesë këngët epike historike dhe johistorike.
Në mesin e tyre shquhen për bukurinë e tyre artistike këngët e cilklit të Mujit
dhe Halilit, pastaj ato të Gjegj Elez Alisë etj.