2012-07-08

PROCESI KRIJUES I VEPRAVE LETRARE



            Me procesin krijues kuptojmë rrjedhën e krijimit të një vepre letrare, pra, procesi krijues është i lidhur ngushtë me punën që bën shkrimtari në procesin e krijimit të veprës letrare. Ky proces është i ndryshëm në llojet e ndryshme të artit dhe te çdo artist ai ndryshon. Deri te realizimi i një vepre letrare artistike është një rrugë shumë e gjatë dhe e mundimshme dhe zgjat një kohë shumë të gjatë. Procesi krijues i veprës letrare varet nga shumë faktorë: së pari nga vetë personaliteti i shkrimtarit, nga pikëpamjet e tij mbi botën, nga prirjet dhe aftësitë e tij, nga qëllimi që i ka parashtruar ai vetes dmth. nga momentet subjektive të krijuesit; nga ana tjetër, krijimi i një vepre letrare kushtëzohet edhe nga momentet objektive, si, p.sh. me momentin historik në të cilin krijohet vepra, nga rrethanat në të cilat jeton dhe krijon shkrimtari, nga ndikimet e jashtme dhe të brendshme, nga arritjet në atë fushë dhe lloj letrar në të cilin krijon ai, nga metoda letrare që e zgjedh akëcili autor etj. E gjithë kjo në esencë është një punë mjaft e ndërlikuar dhe mjaft e ndijshme.
            Në kohët e lashta procesi krijues lidhej me religjionin, por, edhe sot ka krijues që aktin e tyre kreativ (krijues) e konsiderojnë si proces me karakter fetar (hyjnor), kurse frymëzimin e konsiderojnë si dhunti të hyjnisë (Zotit). Përpjekja që krijimtaria letrare të hyjnizohet ose t’i jepet karakter sakral, shkencëtari Belvijan e shpjegon kështu: fjalëve dikur u është dhënë fuqi magjike e kjo ka mundur të dalë vetëm nga qeniet e mbinatyrshme (mbinjerëzore) dhe hyjnive. Prej këndej, si poetë dhe artistë të parë, sipas legjendës, shfaqen hyjnitë dhe muzat (sipas mitologjisë greke ishin vajzat e Zeusit e Mnemozinës (Kujtesës). Ato ishin nëntë dhe mbronin format e ndryshme të artit: historinë, poezinë lirike, muzikën, tragjedinë, etj. [1]Në kuptimin e figurshëm, fjala muzë do të thotë frymëzim (FM, f. 171). Vetë akti poetik konsiderohej si“frymëzim i shenjtë”(sacer furor), gjatë të cilit “të frymëzuarit” pranonin porositë e hyjnive. Edhe grekët e lashtë poezisë i mëvishnin prejardhje hyjnore. Prej këndej procesi krijues konsiderohej si entuziazëm i cili vjen nga ndikimi dhe vullneti i hyjnive. Krijuesit indas kanë qenë krijues më të lirë në raport me hyjnitë e legjendave të vjetra helene mbi varshmërinë fetare të poetëve nga fuqitë e mbinatyrshme. Poeti u është mirënjohës hyjnive, por që moti te indasit është bërë i vetëdijshëm duke konsideruar se Shpirti i njeriut është bravë përmes së cilës shihet e gjithë gjithësia (nga Upanishada). Ata madje flasin edhe për himnet si komponime ose vepra të vetat. Krijimet e tyre i krahasojnë me veprat e drugdhendësve, vegjëtarëve dhe grabujëndreqësve dhe i shpjegojnë natyrshëm (Radakrishna). Edhe helenët poezisë i mëvishnin prejardhje hyjnore. Nga këndej edhe procesi krijues konsiderohej si lloj entuziazmi që vjen nën ndikimin dhe vullnetin e hyjnive. Me të drejtë është thënë se “shfaqja e hyjnive e cila e inspiron poetin, askund s’është theksuar aq shumë sa te helenët” (Anica Saviq-Rebac). Por, përkundër kësaj, ka pasur edhe të atillë, të cilët poezinë e konsideronin si krijim të pastër njerëzor (Lasi nga Parioni, Soloni ose poeti Arqilok). Platoni, ndërkaq, mbron idenë e entuziazmit hyjnor të krijimit të poezisë. “Muza, thotë ai, së pari vetë i frymëzon poetët me entuziazmin hyjnor”, “drita e arsyes” nuk ndihmon asgjë aty, veçoritë personale të poetit, talenti nuk luajnë kurfarë roli. Për arsyetimin e tezës së tij ai përmend rastin e poetit Tinih nga Halkida, i cili s’ka shkruar asgjë të denjë për t’u kujtuar, veç një peoni (himni, himn kishtar, fig. lëvdatë, lavdithurje, shënim imi)), për të cilin, sipas pohimit të tij, e kanë frymëzuar muzat. Nga kjo Platoni nxjerr këtë përfundim: “këngët nuk janë njerëzore, as vepra njerëzore, por hyjnore dhe vepra hyjnore ... poetët s’janë gjë tjetër veçse interpret të hyjnive dhe atë secili në pushtetin e atij hyu, të cilin e ka zgjedhur si armë të tijën”[2]. Platoni shumë herë i kthehet entuziazmit poetik duke futur nuanca të reja, por duke mos u shmangur nga qëndrimi themelor, i cili përmblidhet në fjalët vijuese: ...”ai i cili pa frymëzimin e muzave u afrohet altarëve të krijimtarisë poetike, duke menduar se me shkathtësinë e tij do të bëhet poet i vlefshëm, mbetet i pashkathët dhe poezinë e tij si gjë racionale, e errëson poezia e atij i cili këndon në entuziazëm” (“Gostia”). Poeti Pindar nuk e hedh poshtë, sikurse Platoni, rolin e arsyes në krijimtari, ai mendon se s’ka poezi pa entuziazëm, por as pa vetëdije. Aristoteli e rehabiliton talentin individual të poetit dhe me theksimin e rëndësisë së “tehne-s”, tërthorazi e heq nga poeti aoreolin hyjnor. Në procesin krijues Aristoteli rëndësi të veçantë i kushton “gjallërisë” së ngjarjes, e kjo varet nga imagjinata e poetit: “sepse vetëm kështu, nëse poeti i sheh shumë qartë ngjarjet para vetes, sikur të ketë marrë pjesë vetë në to, mund të gjejë atë që i ka hije dhe më lehtë t’i shmanget asaj që nuk mund të pajtohet me të” (Rečnik književnih termina, Nolit, Beograd, 1986, f.775).  Sipas Aristotelit poeti nuk posedon vetëm aftësinë e vëzhgimit të gjallë, por edhe depërtimin në natyrën e personazhit që e paraqet, “sepse”, thekson Aristoteli, “nga natyra më shumë u besoj vetëm atyre poetëve të cilët me forcën e kënaqësisë së tyre vetjake mund të përcjellin në ndjenjat të cilat i paraqesin, dhe më me vërtetësi do ta paraqetë marrëzinë ai i cili vetë marrëzon, kurse hidhërimin – ai i cili vetë hidhëron. Prandaj poezia është për atë i cili është shumë i talentuar ose për atë i cili është jashtëzakonisht temperament: të parët lehtë mund të kalojnë në të gjitha gjendjet dhe raportet, kurse të dytët lehtë kalojnë në ekstazë” (po aty, f. 775). Horaci, në aspektin e procesit krijues vazhdon dhe e zhvillon idenë e Pindarit se “as të mësuarit nuk mund pa talentin e pasur, as talenti i pagdhendur. Në gjë kërkon ndihmën e mbështetjen miqësore të tjetrës”. Dhuntia dhe puna duhet të ecin bashkë. Poeti i Horacit s’pret asgjë nga muzat. Vetëm të mësuarit s’është i mjaftueshëm. Këtë mendim e mbështet edhe indasi Bhamaha duke e shprehur me anë të vargjeve: “Ç’është pasuria pa njohjen e mirësjelljes/ Dhe ç’paraqet nata pa hënë/ Dhe ç’vlen arti i të folurit të bukur/ nëse në të s‘ka kurfarë talenti./ Të marrët poashtu i mësojnë rregullat e poezisë/ kurse mësuesi i mëson me shkathësi;/ por një poemë do të lindë vetë/ nëse shpirti i poeti është i frymëzuar”( po aty, 775). Por paraqiten edhe të atillë të cilët procesin krijues e  reduktojnë në shkathësi, në shkathtësinë e përdorimit të fjalëve, në formë. Në Kinë, p.sh. në kohën e dinastisë “Tre mbretëritë”, disa poetë proklamojnë parimet e “artit për art”, duke konsideruar se vlera e vërtetë e poezisë qëndon në artizmin e lartë të saj. Lu Ki në mënyrë të veçantë është i njohur me poemën e tij mbi literaturën me titull “Wen Fu”. Ai në hollësi flet mbi rolin e varirimit të tonit, mbi shkathtësinë poetike, por edhe mbi fshehtësinë e frymëzimit për të cilin nuk dihet as kur vjen, as kur ikën. Gjatë frymëzimit “të gjitha aftësitë shpirtërore funksionojnë në mënyrë të përkryer dhe shpejt ... fjalët shpërthejnë nga buzët si burimi ...”dhe kur euforia krijuese pushon, poeti “mbetet i thatë si shtrati i lumit të vdekur ...”(po aty, 775)
            Në mesjetë dhe gjatë renesansës poashtu është folur shumë mbi origjinën dhe shkaqet e entuziazmit poetik. Estetizantët kishtarë hyun e krishterë e vendosnin në piedestalin e së Mirës më të lartë ose Idesë, poetin e drejtonin që tek ai të kërkojë burimin e të gjitha inspirimeve dhe bukurisë. Tash “entuziazmi i shenjtë” merr tipare kristiane. Në shekullin XVI “mezi ka qenë e mundur të veçohet dikush i cili të mos ketë folur për gjeniun dhe për entuziazmin poetik, për inspirimin dhe invencionin dhe ka folur për to si  parakushte të domosdoshme për krijimin e veprës poetike” (M. Pantić) (po aty, f. 775). Vetëm disa  edhe më tej në aktin krijues shihnin shprehjen e “shpirtit qiellor” (Minturno), kurse të tjerët, si Frakastori, konsideronin se furor poeticus (entuziazëm poetik, zjarr i krijimit poetik – shënim imi) s’ka lidhje me hyjninë,  por është rrjedhojë e aftësisë së poetit të lidhë bukurinë e përmbajtjes dhe bukurinë e formës. S’janë të rrallë ata të cilët ndajnë mendimin e Vidit: procesi krijues është një koncentrim i jashtëzakonshëm i tërë qenies së poetit. Ai nuk guxon të lejojë që me të “të udhëheqë rasti i papritur dhe joekzistues ... dhe çdo gjë le të zhvillohet në pajtim me arsyen”(po aty, 775) Pra, poeti krijon sipas një plani të caktuar më parë, ai mendon për çdo hollësi, krijimi s’është spontanitet i pastër, as entuziazëm iracional, por dije (aftësi) e vetëdijshme, para së gjithash njohja e shkëlqyer e instrumentit gjuhësor. Ata të cilët kanë hapur rrugë të reja të poezisë ishin rreptësisht kundër “rregulldhënësve”, por për autencitetin poetik i cili është shprehje e talentit individual. Kontestin midis atyre që janë për talentin e natyrshëm dhe entuziazëm dhe atyre që janë për vetëdije dhe rregulla, me mendjehollësi e ka zgjidhur Aretino: “Dijeni, pra, se dhuntia e natyrshme pa ushtrime është farë e mbyllur në fyshek, kurse shkathtësia pa dhunti të natyrshme nuk paraqet kurgjë”. Poetistët dhe krijuesit e renesansës kanë dhënë shpjegime të rëndësishme mbi funksionin e fantazisë, mbi rolin e rastit, karakterin e së çuditshmes. Përfaqësuesit më të rëndësishëm të mendimit poetik të shekujve XVII dhe XVIII dhe pse theksonin rolin vendimtar “të arsyes supreme” (raizon suprême), nuk e mohonin rolin e talentit dhe të invencionit. Madje edhe Boalo, legjislator i doktrinës klasiçiste, është dashur ta pranojë domosdonë e talentit poetik, rolin e imagjinatës dhe të invencionit. Të njëjtën gjë e kanë pohuar edhe “racionalistët” më të mëdhenj të shekullt XVIII, Volteri dhe Didëro.
            Me romantizmin fillon një epokë e re e lirisë poetike, shprehja e besimit se poetit i lejohet të përshkruajë çdo gjë; vetë akti poetik është shpjeguar shumëfish, si shprehje e gjeniut të gafrruar i cili nuk njeh kurrfarë ligjesh, veç imperativit të imagjinatës së tij, dhe “lëvizjes së shpirtit të tij”si profetizëm (përzierje e entuziazmit mistik dhe vokacionit universal) të llojit të veçantë. Për të arritur dei te gjendja e euforisë poetike duhet “bredhur në ëndrra në regjionet eterike, të harrohet zhurma e tokës duke e dëgjuar harmoninë qiellore dhe të vëzhgohet universi i tërë si simbol i emocioneve të shpirtit”(po aty, f.776). Vordsforti konsideron se poeti romantik ka një cilësi të veçantë krijuese: “gjërat e papranishme ndikojnë tek ai sikur të ishin të pranishme ... aftësia që në vete t’i parafytyrojë pasionet të cilat vërtetë qëndrojnë larg asaj të jenë të njëjta sikurse ato që burojnë nga ngjarjet e vërteta ...” Forca e “mendimit”, thirrja e sendeve nga largësia përmes imagjinatës edhe më tepër përfytyrimi i gjendjeve dhe i visoreve të panjohura, janë poashtu veçori të procesit krijues romantik. Kolrixhi është përpjekur që ta reduktojë në disa pika esencën e fuqisë krijuese: “Ai i cili s’ka muzikë në vete” kurrë s’mund të bëhet poet i vërtetë, aftësia për të prodhuar kënaqësi muzikore është dhunti e imagjinatës, ajo nuk mund të mbërrihet me asnjë shkathtësi të mësuar, por me talentin e natyrshëm: ‘Poeta naccitur, non fit’”; gjeniu është është objektivitet i shfaqjes dhe aftësi e kënaqësisë në ato situata, ndjenja, objekte që gjenden jashtë poetit; gjeniu s’është imitator i natyrës, figurat poetike të tij kanë “ndikim që të shumtën ta reduktojnë në unitet ose suksesionin në pabeftësi”; shenja e fundit e gjeniut: thellësia dhe fuqia e mendimeve: “Askush s’ka qenë ende poet i madh dhe, në të njëjtën kohë të mos ketë qenë edhe filozof i thellë”( po aty, 776). Kolrixhi tregon në shembullin e gjenisë së Shekspirit se në aktin krijues shkrihen fuqia poetike dhe energjia intelektuale vetëm pse Shekspiri është “Prote i zjarrit dhe i rrëkesë i aftë për t’u shndërruar në të gjitha format e jetës, ndërsa Miltoni, gjeni tjetër i krijimtarisë, i cili, në procesin e kreativitetit, të gjitha format dhe materiet ua nënshtron idealit personal. Me shpjegimin e këtillë të thelbit të krijimtarisë Kolrixhi ka dalë nga kuadri i pikëpamjeve romantike sikundër që edhe me shpjegimin e imagjinatës u është afruar simbolistëve. Natyrën e vërtetë të inspirimit romantik ngjeshur e ka ndriçuar Ygo që në vitin 1824: “Jo në burimet e Ipokrenës, as në fontanën e Kastiljes, madje as në përroin e Permesit, poeti nuk e inspiron shpirtin e tij, por krejt thjesht në shpirtin dhe zemrën e tij”. Por Igo i ka kaluar kufijtë e kohës, sepse poetit ia ka dhënë gjithë botën si fushë të inspirimit; gjatë shkrimit “Të mjerët” ka shënuar: “vepra është dramë, presonazh kryesore i së cilës është – pafundësia”. Dhe poeti qoftë të zbresë në “kraterin e shpirtit”, ose të ngjitet në sferat e “hyjnores”duhet ta paraqetë “njerëzoren”. Bashkëkohore janë edhe pikëpamjet e Ygosë mbi “refleksivitetin e dyfishtë” dhe “refraktivitetin e dyfishtë”, dmth. mbi aftësinë e poetit të shikimit dydimensional dhe të përthyerjes së dyfishtë të vrojtimeve të jashtme dhe të brendshme. Së fundi, teoritë e asociacioneve të Ygosë, të idesë Procès verbaux des tables, të shkruarit iracional sipas diktatit të “Qenies”, e paraqet Ygonë si paraardhës të disa sprovave dhe botëkuptimeve surrealiste.
            Realistët dhe natyralistët e hoqën plotësisht nga krijuesi nimbin (aureolën) e mbitokësores, imgjinatën e reduktuan në masën e duhur, madje duke u përpjekur edhe ta mohojnë, në aktin krijues i dhanë përparësi opservimit dhe krijuesin e shpallën për “skretar të epokës”, procaverbalist (shkronjës) të kujdesshëm, “botanist” i cili në mënyrë impersonale dhe të qetë shënon botën rreth vetes. Shumë klasikë të realizmit thoshin se imagjinata nuk i lë të qetë, personazhet e tyre imagjinative i “përcjellin”, autori me ta “zhvillon biseda”, ata janë më të vërtetë se vetë realiteti, shkrimtari së fundi i “fut” në veprën e tij dhe me aktin e krijimit çlirohet prej tyre. Artistët e veçantë në ditarët e tyre, në letrat dërguar miqve etj., hollësisht kanë shkruar për procesin e kreativitetit (Balzaku, Floberi, Tolstoi, Poe, Tomas Mani etj.). Në mbështetje të këtyre dëshmive del se: artisti nuk krijon thjeshtë sipas ligjeve të “species së tij, sepse s’është as merimangë, as shpend, as bletë, edhe pse që nga Platoni e deri te Bekoni e kanë quajtur ashtu ... Krijuesi pandërprerë është vigjilent edhe kur është në gjumë.. Tek ai ekziston gjithmonë një kandile e vetëdijes e cila vigjëlon ... Sartri e merr si aksiomë se në fëmijërinë e shkrimtarit duhet kërkuar çelësi për të gjitha krijimet e ardhshme. Konsiderohet, poashtu, me të drejtë, se sëmundja e artistit në shumë raste ndikon mjaft në krijimtari. Demokriti shkruante se nuk mund të flitet mbi gjeniun pa menduar në ndonjë çmendinë hyjnore  që gjendet tek ai. Platoni, Horaci, Seneka e të tjerë, konsideronin, poashtu, se idetë e mëdha te gjenitë e veçantë janë shprehje e një gjendjeje demencioni (çmendie). Didëro shkruante se: gjeniu dhe çmendia puqen. Gëte, Shileri, Niçe e ndanin të njëjtin mendim. Bodleri theksonte për veten: “kam kultivuar histerinë time me gëzim dhe me frikë”. Psikiatrët japin listën e gjatë të shkrimtarëve dhe të krijuesve të sëmurë. Në mesin e tyre ndeshim në emrat e këtyre shkrimtarëve: Bajronit, Blejkut, Dostojevskit, Floberit, Nervalit, Shelit, Strindbergut, Mopasanit, Xhojsit dhe shumë të tjerëve. Sipas tyre, do të dilte se, s’ka gjeni të shëndoshë; se i tillë s’ka qenë madje as Gëte, i cili ka shënuar se në fëmijëri dhe rini ka qenë shumë i sëmurë. Por në këtë rast duhet pasur në mendje se: fuqia e gjeniut të sëmurë, përkundër të sëmurit të rëndomtë nga e njëjta sëmundje, qëndron në atë se i pari tragjedinë vetjake dhe të huajën e shndërron në akt kreativ, se nga fatkeqësia tërheq harenë poetike eskiliane për të gjithë njerëzit, se është në gjendje t’i mposhtë të gjithë demonët e shkatërrimit t’i zgjidhë, t’i kanalizojë eksplozionet e brendshme shpirtërore, të zgjidhë konflikte, t’i mendojë ato dhe t’i ngrejë në shkallën e artistike. Jaspersi në lidhje me këtë shkruante: “Analiza patografike e personaliteteve eminente tregon se sëmundja s’është si rrjedhojë për ndërprerjen  dhe zhdukjen e krijuesit; mund të jesh kreativ jo vetëm me gjithë sëmundjen, por kjo mund të jetë kusht i domosdoshëm i mjaft produktiviteteve”. “Të jesh normal, do të thotë të jesh pak i varfër në shpirt”, shton Jaspers. Andre Zhid, poashtu i sëmurë i madh, ka qenë jashtëzakonisht i butë ndaj krijuesve duke i quajtu bimë të buta të cilat i japin lulet me të bukura. “... Në kristalizimin e tensionit krijues mund të ndikojnë edhe shumë faktorë të jashtëm: rasti, ndikimi i arteve të tjera (piktura, muzika etj.), mjetetet ngacmuese (eksituese) (kafja, alkooli, droga etj.). Mbi rolin e rastit flet mjaft sugjestivisht R. Kajo në studimin Natura pixtris. Fjala është mbi “gjysmëfabrikatet” të cilat i krijon natyra vetë dhe artisti vetëm i përpunon dhe frymëzohet prej tyre. Rasti mund të ndikojë edhe në formën e “shokut të jashtëm” (Spinoza), takimi me ndonjë individ, me dukurinë e cila ndikon befas, hareshëm, si elan fillestar për krijim. (Floberi kur e ka parë figurën e Shën Antonit të Brojgelit, është frymëzuar për veprën e tij “Tundimi i shën Antonit”; Bretoni e ka takuar Nagjën në bulevardet parisiene dhe shkruan romanin me të njëjtin emër; Strindbergu e ka kërkuar melodinë për pjesën e quajtur “Simun” dhe e ka gjetur rastësisht duke e akorduar kitarën). Është e qartë se loja e rastit me bojëra, fjalë ose me çfarëdo qoftë materie tjetër mund të prodhojë vepër artistike, ajo krijohet nën ndikimin magjik të personalitetit të krijuesit. Artistët e mëdhenj gjithmonë janë polifonikë dhe prandaj kanë të zhvilluar jo vetëm fuqinë e opservimit, por edhe cilësitë vizuale (olfatike), muzikore dhe pikturale. Bodleri tregon qartë se si tek ai kanë ndikuar aromat, ngjyrërat, muzika. Arti i Tomas Manit dhe i Romen Rolanit nuk mund të shpjegohet mjaftueshëm pa analizën e kualiteteve të tyre pikturale dhe muzikore. Romani vagnerian dhe muzikor e mbështesin strukturën e tyre në parimet muzikore. Poezia e Azisë nuk mund të veçohet nga muzika. Rabindranat Tagore është shembul i veçantë impresiv se në bazë të muzikës mund të ndërtohen vargjet më të bukura...
            Nga sa folëm më lart vërehet se procesi krijues është një proces mjaft i ndërlikuar i cili mund të zgjatë një kohë të gjatë deri te realizimi i veprës letrare dhe shikuar përgjithësisht ai zhvillohet në disa etapa, si: çdo artist së pari e vëzhgon jetën dhe botën rreth vetes, i vëren ato elemente dhe hollësi të cilat i përgjigjen natyrës së tij artistike, të cilat më së shumti i shkojnë për shtati, i shënon, i dokumenton, i mban mend, i regjistron, i seleksionon; pastaj mediton për gjithçka çka ka parë e vërejtur dhe vjen deri tek ideja e përgjithshme, përfundime dhe gjykime mbi jetën dhe dukuritë e saj; midis tyre e veçon një ide si të veçantë dhe kjo fillon ta interesojë si gjykim ose përfundim mbi jetën dhe i përqëndron rreth saj të gjitha ato dukuri të cilat munnd ta pohojnë ose mohojnë; nga jeta, nga përvoja, artisti bën zgjedhjet dhe përgjithësimet e nevojshme; në fillim tek ai ndoshta çdo gjë është e paqartë, pastaj gjithnjë e më qartë shfaqet nevoja e pakundërshtueshme që atë që e ka vërejtur dhe zgjedhur nga jeta dhe për të cilën ka ide të caktuar ose përjetim të fuqishëm, ta kumtojë; madje në këtë çast mund të shfaqet pak a shumë forma e qartë në të cilën do të formësohet koncepti i tij  artistik; në fund pasi ta ketë formuar qartë idenë e tij artistike i hy punës në hartimin e veprës letrare artistike.


[1] Fjalor i mitologjisë, Rilindja, Prishtinë, 1988, f.170-171
[2] cit. sipas Rečnik književnih termina, Nolit, Beograd, 1986, f. 774

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...