Gjatë
zhvillimit të saj historik letërsinë e kanë përcjellë shkrime (studime) të
shumta e të llojllojshme dhe të larmishme. Në këto shkrime autorët e ndryshëm
janë përpjekur ta definojnë dhe ta caktojnë karakterin (natyrën) e letërsisë,
ta shpjegojnë rolin e saj, ta analizojnë veprën letrare si të tillë. Shkenca që
merret me studimin sistematik të letërsisë quhet shkenca e letërsisë. Meqë vepra letrare është një krijim specifik,
ajo studiohet në forma dhe metoda të ndryshme. Objekt i shkencës së letërsisë,
si një shkencë e veçantë, është vepra letrare, historia dhe ligjsoritë e
krijimit të saj dhe vlerat artistike të saj.
Shkenca
(dija) e letërsisë përbëhet nga tri pjesë përbërëse të saj: historinë e letërsisë, teorinë e letërsisë dhe kritikën e letërsisë. Secila nga këto
degë të shkencës së letërsisë, ndonëse merren me probleme të ndryshme të veprës
letrare, ato janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën dhe qëllimi i vetëm i
tyre është të analizojnë dhe shqyrtojnë pasurinë shpirtërore në veprat letrare
të krijuara në kohë të ndryshme.
Historia e letërsisë – është degë e
shkencës së letërsisë e cila merret me studimin e letërsisë në rrjedhën e saj
historike. Ajo studion letërsinë artistike në zhvillimin e saj të vazhdueshëm,
duke filluar nga krijimtaria popullore (para shpikjes së shkrimit) deri te
veprat letrare të ditëve tona. Ajo studion zhvillimin historik të letërsisë së
një populli ose të një epoke. Në kuadër të saj studiohen shkrimtarët e veçantë
dhe veprat e tyre, drejtimet letrare, orientimi i përgjithshëm shpirtëror në
periudha të ndryshme. Gjatë shpjegimit dhe vlerësimit të një vepre letrare ajo
mbështetet në disa faktorë, siç janë: faktori historik, ekonomik, kulturor,
ideologjik etj. Kjo dëshmon se vepra letrare është rezultat i rrethanave
historiko-shoqërore. Historia e letërsisë mund të kuptohet dhe të interpretohet
vetëm në kontekst dhe në lidhje me degët e tjera të dijes mbi letërsinë. Ajo
mbështet edhe në kritikën letrare për ta karakterizuar dhe vlerësuar më mirë
një vepër letrare dhe për t’i shquar vlerat e saj artistike. Duke e shpjeguar
dhe vlerësuar në mbështetje të kritereve teorike vlerën artistike të veprës dhe
të shkrimtarit, ajo interesohet edhe për momentin historik në të cilën është
krijuar vepra si dhe pranimin e saj nga ana e lexuesit në kohët e mëvonshme,
duke caktuar kështu rëndësinë e saj në zhvillimin letrar dhe kulturor të një
populli. Kështu, ajo paraqet një kontuinitet historik në këtë zhvillim të cilin
e lidh me jetën shoqërore, kulturore dhe shpirtërore të një populli. Ajo e
vështron veprën letrare edhe në aspektin e bashkëkohësisë edhe në aspektin e së
kaluarës historike dhe të vijimësisë historike të secilës vepër, duke realizuar
kështu gjykimin më të plotë mbi rolin dhe vlerën e veprave të veçanta dhe të
autorëve të tyre, sepse krijimtaria letrare nuk mund të veçohet nga krijuesi,
autori, andaj historia e letërsisë është në radhë të parë histori e shkrimtarëve
dhe e veprave të tyre. Ndërkaq historia e letërsisë ka edhe detyra të tjera më
të gjëra: ajo tregon për krijimin dhe zhvillimin e letërsisë gojore popullore
dhe të krijimtarisë shpirtërore të shkruar, jep të dhëna për kohën kur janë
krijuar veprat letrare dhe tregon edhe për ndikimin e epokave letrare dhe të
mjedisit në të cilin është zhvilluar puna letrare.
Detyra
e historisë së letërsisë është shumë e madhe, sepse ajo e njeh popullin me
kulturën dhe zhvillimin e saj, shpjegon rrethanat historike, shoqërore,
politike dhe ekonomike në të cilat është krijuar letërsia, i shpjegon
historikisht dukuritë dhe ndërrimet e lëvizjeve letrare, drejtimeve dhe të
shkollave letrare, duke lujatur rolin e saj edukativ. Historiani i letërsisë,
duke zbuluar veprat letrare dhe shkrimtarët në të kaluarën, paraqet dukuritë në
letërsitë e popujve të tjerë, lidhjet letrare dhe kulturore me vendet e tjera
dhe ndikimet e ndërsjella mdis shkrimtarëve vendës dhe të huaj. Pa interesimin
e tyre (historianëve të letërsisë) shumë vepra letrare do të mbeteshin të
pastudiuara dhe të pavlerësuara e të panjohura për publikun. Për ta bërë
detyrën e tij si duhet nga kërkimtari i së kaluarës historike kërkohet edhe
njohja solide e letërsisë dhe shkallë e lartë e kulturës. Në punën e tij ai
duhet të mbështetet në një varg disiplinash të ngjashme, të cilat studiojnë
jetën e popullit, siç janë: historia, sociologjia, filozofia, psikologjia,
gjeografia, gjuhësia etj. do të thotë, të ketë njohuri të përgjithshme mbi
zhvillimin e shoqërisë. Mbi të gjitha duhet të ketë njohuri të mira nga teoria
e letërsisë, të ketë shije letare dhe kritere të artit të bukur, kjo nga shkaku
se çdo historian i letërsisë merret edhe me analizën e veprave letrare, pastaj
ta njohë mirë kritikën letrare, sepse
“historiani i letërsisë duhet të jetë edhe kritik, madje për të qenë edhe
historian”[1].
Historia
e letërsisë, duke u mbështetur në fushat të cilat përfshihen në të, mund të
ndahet në: histori e letërsisë kombëtare
(nacionale), histori e ( letërsisë
krahasimtare (komparative) dhe histori
e letërsisë së përgjithshme
(botërore).
Historia e letërsisë nacionale –
përcjell zhvillimin në kohë të letërsisë së një populli. Kështu, p.sh. historia
e letërsisë shqiptare përcjell letërsinë tonë që nga vepra e parë e deri në
ditët e sotme. Ajo synon të vërtetojë fillimin e letërsisë sonë, vendin dhe
rëndësinë e veprave të ndryshme, studion periudhat e veçanta letrare, pastaj
paraqitjen e zhanreve të ndryshme në nivelin shkrimor të kohës.
Historia e letërsisë krahasimtare (komparative)
– studion lidhjet dhe raportet midis dy e më shumë letërsive, ngjashmëritë dhe
dallimet midis letërsive të ndryshme (p.sh. letërsia shqiptare ndaj letërsive
evropiane etj.).
Historia e letërsisë së përgjithshme
(botërore) – përfshin në vete të gjitha letërsitë kombëtare. Në të
përfshihen veprat më të mira klasike të letërsive të tjera si e mirë e
përbashkët artistike dhe kultura e gjithë njerëzimit. Historia e letërsisë së
përgjithshme hartohet nga shumë autorë.
Teoria e letërsisë – ose siç quhet
ndryshe poetikë (gr. poietike tekhne shkathtësi poetike, art poetik), është
shkencë e degës së letërsisë e cila studion ligjet, rregullat, normat, parimet
dhe kriteret formuese dhe vlerësuese të letërsisë. Ajo është disiplinë
shkencore teorike që studion tiparet e përgjithshme të veprës letrare si vepër
artistike gjuhësore. Ajo trajton natyrën e veprës letrare artistike, format dhe
mënyrën e shprehjes letrare, gjuhën si mjet me të cilin krijohet vepra letrare
artistike, pastaj strukturën e veprës letrare, formën artistike të saj,
unitetin midis formës dhe përmbajtjes së veprës letrare, dmth. harmoninë që
ekziston midis materies gjuhësore (format e saj, tingëllimën dhe kuptimet e
përgjithshme gjuhësore) dhe kuptimin që ngërthen në vete një vepër letrare. Ajo
studion natyrën e letërsisë, format dhe mënyrat e shprehjes letrare dhe tiparet
e përgjithshme dhe të veçanta të veprave letrare si realizime artistike. Ajo
interesohet për ligjsoritë e përgjithshme të krijimtarisë letrare dhe parimet e
përgjithshme të formësimit të llojeve të veçanta letrare dhe ligjsoritë e
kuptimit dhe vlerësimit të veprës letrare. Ajo duhet të marrë parasysh edhe
aspektin historik të letërsisë, pataj zhvillimin historik të gjinive të veçanta
letrare, të llojeve apo të veprave të veçanta, por pa u interesuar për
zhvillimin kronologjik të veprave dhe të historisë së letërsive të veçanta. Nga
këndej dalin disa çështje me të cilat merret teoria e letërsisë. Ndër to po
përmendim si më kryesore: çështja e procesit të krijimtarisë artistike dhe
vendi i njohjes artistike të jetës në krijimin shpirtëror të njeriut (çështje
estetike).
Dija mbi teorinë e letërsisë është shumë e
vjetër. Ajo daton nga antika. Themelet e poetikës antike i kanë vënë filozofi
grek Aristoteli dhe poeti romak Horaci. I pari, Aristoteli, njihet me veprën e
tij të njohur me emrin Peri poietikes –
Arti poetik, e cila në kohën e tij nuk pati një rëndësi të veçantë dhe
shumë shpejt u harrua. Por më vonë për të u shtua interesimi. Rreth vitit 1600
e zbulojnë humanistët, ajo arrin sukses të madh duke u përcjellë me komente të
shumta dhe u konsiderua si një bibël e poetikës. Poeti dhe kritiku letrar
gjerman, Lesingu, mendonte se teoria e dramës dhe e tragjedisë do të
ripërtëritej nëse i kushtohet kujdes i veçantë interpretimit të Poetikës së Aristotelit, duke menduar
se pohimet e Aristotelit janë të drejta dhe prandaj të domosdoshme për
dramaturgun mesjetar – ndonëse midis tij dhe Aristotelit kishin kaluar shumë
vite. Në veprën e tij, që është edhe sot një vepër e rëndësishme
teoriko-letrare, flitet për poezinë, për llojet poetike ose gjinitë, për
kompozicionin e veprës poetike. Poezia për të, si dhe artet figurative, është mimesis (gr. mimesis – imitim, që do të
thotë jo vetëm imitim, por krijimtari artistike). Ai ndër të parët hap çështjen
e llojeve ose gjinive letrare (poezinë epike, tragjedinë, komedinë, ditirambin,
himnin parodinë etj.), duke folur për përbërësit kryesorë të tyre, vë kufijtë
midis poezisë dhe jopoezisë, pastaj përcakton konceptet themelore në strukturën
e veprës letrare (fabula, peripecia, episodi,
thurja, shthurja, personazhi, ideja) dhe veprën e konsideron si një tërësi
të rrumbullakësuar, unike. Pjesa më e madhe i është kushtuar analizës kritike
të tragjedisë, ku dallon konceptet themelore me të cilat shërbehemi edhe sot
dhe të cilat mund t’i zbatojmë në analizën e poezisë epike: fabula – mythos (dmth. përmbajtja), ethos (dmth. personazhet), të folurit (gjuha poetike) dhe ideja. Në analizën e fabulës Aristoteli
shërbehet edhe me terma të tjerë të cilët të pandryshuar kanë arritur deri te
ne. Këto terma janë: peripecia
(kthesa e plotë e veprimit në kahje tjetër, dhe sërish sipas gjasës dhe
domosdosë); episodi: kjo shprehje në
tragjedinë greke shënonte një pjesë të veprimit midis këngëve korale,
përafërsisht akti, dhe për nga
natyra është e shkurtër, ndërsa në poezinë epike episodi i përgjigjet
përafërsisht kapitullit dhe shënon veprimin e shkurtër sporadik (dytësor) në
kapitull; më e gjatë se në tragjedi ndeshet më shumë në veprën epike se në atë
dramatike; thurja dhe shthurja e veprimit. Aristoteli i kushton kujdes të
veçantë gjuhës poetike, sidomos dy bërësve të saj kryesor: fjalorit të zgjedhur
të gjuhës poetike dhe figurshmërisë, metaforikës së saj. Sipas tij, gjuha poetike duhet të jetë e qartë, e thjeshtë dhe e rëndomtë.
Me çështjen e poetikës në antikitet është
marrë edhe poeti romak, bashkëkohës i Augustit, Kuint Haracie Flak, i cili ka
shkruar mesazhin poetik në vargje kushtuar familjes së pizonëve, Epistula ad Pisones, e cila më vonë
është emërtuar me emrin e veprës së Aristotelit dhe njihet me emrin De arte poetica ose Ars poetika (Mbi artin poetik). Kjo
është një vepër gjeniale. Horaci në këtë vepër përpiqet që me të gjith mjetet e
mundshme stilistike të arrijë unitetin e veprës artistike dhe unitetin e
kompozicionit të fabulës, unitetin në tipizimin e personazheve, unitetin në
gjuhën poetike. Uniteti dhe tërësia duhet të jenë veçoritë thelbësore të veprës
poetike. Poetit i lejohet që nga fillimi lirisht ta zgjedhë fabulën, sepse që
nga fillimi ai ka për detyrë ta interesojë publikun ta futë në qendër të
veprimit, in media res, term që
përdoret edhe sot. Kujdes të veçantë – sepse edhe vetë ishte poet – Horaci i ka
kushtuar gjuhës poetike duke kërkuar që çdo shkrimtar ta krijojë gjuhën e vet
personale dhe ta ripërtëritë dhe ta përsosë atë përherë. Për llojet dhe format
poetike Horaci vë rregulla, parime, norma, të cilave duhet të përmbahet çdo
poet, nëse dëshiron që t’i vlejë vepra; kështu ai veprës së tij i jep karakter
të poetikës normative. Sipas tij,
vepra letrare duhet të nxitë kënaqësi dhe gëzim. Horaci ka pasur ndikim të madh
në shekujt e mëvonshëm me pikëpamjet e tij teorike, sidomos me konceptin e tij
të harmonisë dhe të unitetit të veprës dhe rolin utilitar dhe moralizuas të
poezisë.
Një
nga autorët e njohur të klasicizmit francez, që është marrë me çështje të
poetikës, është Nikolla Boalo
(1636-1711). Veç poezisë dhe kritikës, është autor i veprës “Arti poetik” (L’art poetique, 1634), poemë didaktike në katër libra. Libri i parë
dhe i katërt u kushtohen pikëpamjeve të përgjithshme, i dyti dhe i treti
llojeve letrare. I pari fillon me deklaratën vendimtare se pa dhuntinë e
natyrshme s’ka poet dhe vazhdon duke thënë se qenësore në veprën poetike është
përmbajtja ideore: “Para se të filloni
të shkruani mendoni drejt”. Edhe
Boalo kujdesin më të madh ia kushton gjuhës poetike: “Pa të, (gjuhën. shënim
imi) edhe poeti më i madh, me gjithë përpjekjet e tij, mbetet shkrimtar i keq”.
Nga llojet poetike në librin e dytë Boalo përmend idilën, elegjinë, oden,
sonetin, epigramin, rondonë, baladën, madrigalin, satirën, vodëvilin (me këtë
emër nuk emërton shakanë tallëse, por këngën tallëse). Në librin e katërt Boalo
flet për teatrin dhe për këngën epike në vargje. Në fushën e dramës me
këmbëngulje mbron parimin e unitetit të vendit, të kohës dhe të veprimit.
Në
shekullin XVIII dhe në fillim të shekullit XIX vjen deri te ndryshimet e reja
shoqërore, kulturore, deri te reagimi kundër parimeve të poetikave të
mëparshme, sidomos kundër ideve themelore të harmonisë, rendit, rregullave dhe
arsyes. Sipas poetikës së kësaj kohe, kryesisht romantike, poetikën e mëhershme
e zëvendëson një poetikë e kundërt me të parën, sipas së cilës vepra poetike
është prodhim i një gjeniu, i cili krijon vetë dhe të cilit nuk mund t’i
parashtrohen kurrfarë rregullash. Në këtë aspekt teorinë e letërsisë e
ndihmojnë njohuritë deri te të cilat vijnë kritika letrare dhe historia e
letërsisë. Për studimin e letërsisë në kuadër të shkencës së letërsisë mund të
flitet nga gjysmea e shekullit XIX. Manifesti i parë historik shkencor në
studimin e letërsisë ka qenë hyrja e gjërë e historianit dhe e mendimtarit
francez, Ipoli Ten (1828-1893), në Historia e letërsisë angleze (Histoire de la lettérature anglaise, 1893). Sipas Ipolit Tenit edhe
në studimin e letërsisë duhet të aplikohen pikëpamjet dhe ligjet e shkencave të
natyrës. Po sipas tij, në studimin e letërsisë duhet të merren parasysh: raca, mjedisi dhe koha (La race, le milieu, le moment). Ndërkaq,
në shkencën gjermane, filozofi gjerman Vilhelm Diltaj, mendon se shkenca e
letërsisë duhet të jetë e pavarur. Sipas tij letërsia nuk mund “të shpjegohet”
me ligjet e shkencës së natyrës, por me anë të intuitës, me të cilën shërbehen
specialistët e shkencave të natyrës dhe e cila luan rol shumë më të madh sesa
në shkencat e natyrës. Në shekullin XX shfaqen orientime të reja në zhvillimin
e teorisë së letërsisë si: formalizmi rus, shkolla morfologjike gjermane,
kritika e re në Angli dhe në Amerikë, analiza strukturale franceze etj. Në këtë
kohë edhe emërtimi poetikë u zëvendësua me emërtimin Teoria e letërsisë sipas
veprës Teoria e letërsisë e Rene Velekut dhe Ostin Vorenit, të botua më 1949.
Edhe
në letërsinë shqipe janë bërë përpjekje për hartimin e veprave poetike. Me
çështje të metrikës shqiptare janë marrë edhe të huajt. Kështu, për ritmin e rimën në poezinë arbëreshe Benlou
(Benloew L.) në vitin 1898 do të shkruajë një broshurë të vogël me titull “Dy
rhythme e de la rime dans la poèsie epique des Albanais”, botuar në Bukuresht
(1898) në të cilën mes tjerash ai shkruan:”Këngët epike të shqiptarëve
paraqesin interes real duke na bërë që të asistojmë në lindjen e rimës, e cila
u bë elementi rregullues i krejt poezisë moderne”(cituar sipas Gjergj Zhejit në librin “Vëzhgime metrike, Tiranë, 1980, f. 9). Veç Benloew-ut me studimin e metrikës
shqipe do të merren edhe Lambertz, Dietterih dhe shumë të tjerë (sipas E.Çabej, Për gjenezën e literaturës
shqipe, Prishtinë, Rilindja, 1970). Me çështje teorike janë marrë disa
autorë shqiptarë që me veprat e tyre e kanë pasuruar edhe këtë fushë të
letërsisë. E para vepër e këtij lloji në letërsinë shqipe është vepra e Luigj Gurakuqit (Lekë Grudës) me titull
Vargënimi n’gjuhën shqype, botuar në
Napol në vitin 1906. Ai e shkruan këtë
libër për t’u ardhur në ndihmë poetëve të kohës në hartimin e vargjeve. Në mes
tjerash ai shprehet kështu: “T’tana këto
punë provojnë që edhe ndër na nuk asht i panjoftun vjershënimi e se edhe na nuk
kemi n’mëni zanat; por megjithëkëtë vjershat tona nuk i kanë të gjitha virtytet
e mjeshtrisë: mund t’jetë se një herë i patën, e se i buernë pastaj tue ecë
gojë nëpër gojë prej babet n’djalë.
Mbasi qi pra vjershat tona mbetne
t’pashkrueme e mbas qi u njohne gjithmonë si kangë popullore t’përcjelluna me
muzikë, nuk i vueme, për këte, fort oroe vargjet. Mund t’thona se na nuk i
këndueme gati kurr’ kangët me za t’ultë për me i shijue mirë harmonin e vargut;
e përcuellme gjithherë me muzikë, e kjo na i mëshehi e na i mbloi lajthimet e
tija, herë tue zgjatë rrokjet kur ishte ndonji mangut, herë tue i hangër kur
ishte ndonji tepër, herë tue largue theksen prej vendit t’saj e tuej e ba me ra
ku s’duhej etj. etj.
Kjo m’duket se asht arsyeja për t’cilën
s’patëm deri sot vargje t’matun mirë; e edhe sot asht kjo qi na ban mos mos me
ia vue fort menden, sikur t’ish shartue n’gjak t’ynë vesi i moçëm. Por tash ma
ka ardhë koha t’marrin udhen e drejtë e t’përpiqena...”
Në
bazë të asaj që shkruan ai del se është njohës i mirës i teknikës së thurjes së
vargjeve popullore, të lidhjes së tyre me muzikën etj.
Përveç
Luigj Gurakuqit që merret me vargënimin në gjuhën shqipe më vonë në vazhdën e
tij do të shkruajnë Aleksandër Xhuvani dhe Kristaq Cipo veprën “Fillimet e stilistikës e të letërsisë së përgjithshme” të botuar
në Tiranë më 1930, Justin Rrota do ta shkruajë veprën “Letrartura shqype, botua
në Shodër më 1934, kurse Dhimitër S. Shuteriqi në vitin 1947 do ta botojë
librin e tij me titull “Metrika shqipe”.
Më vonë do të shkruhen edhe tekste të tjera të teorisë së letërsisë. Në këtë
mes po përmendim librin “Teoria e
letërsisë” të Gani Lubotenit, të botuar në vitin 1964, Zejnullah Rrahmani “Nga teoria e letërsisë shqipe” (1986)
etj.
Kritika letrare – (gr. kριτική, kpίυω –
gjykoj, vlerësoj) – është një degë e shkencës së letërsisë e cila merret me
vlerësimin dhe gjykimin e vlerave letrare të veprës artistike. Ajo shpesh
definohet si ndërmjetësuese midis veprës letrare dhe lexuesit. Ajo ka për
qëllim që sa më thellësisht ta zbulojë kuptimin dhe bukuritë që fshihen në
veprat konkrete letrare të së tashmes e të së kaluarës, për t’u lehtësuar
lexuesve kuptimin sa më të plotë dhe kënaqësinë që ndjejnë kur i lexojnë ato.
Kritika letrare ndërtohet dhe zhvillohet eksluzivisht mbi bazat e përshtypjeve
individuale të veprës së lexuar dhe mbresave të cilat i lë vepra letrare, pa
pasur nevojë që ato të përfshihen në ndonjë sistem shkencor të të menduarit dhe
të studiuarit të letërsisë.
Kritika
letrare, si degë e veçantë e shkencës së letërsisë, ka për detyrë ta vlerësojë
vlerën e veprës letrare dhe të tregojë se ç’rëndësi ka ndonjë vepër në çastin
kur ajo botohet (publikohet). Për ta kryer ashtu si duhet punën e tij, kritiku
letrar duhet të ketë njohuri të gjithanshme shkencore dhe përvojë të madhe
jetësore. Detyra e tij është të shpjegojë atë që është më e fshehtë dhe më e
ndërlikuar në veprën letrare e këto janë mendimet dhe idetë e shkrimtarit. Ai
duhet të flasë për rrethanat dhe kushtet shoqërore nga të cilat kanë dalë idetë
e shkrimatrit, t’i shpjegojë karakteret si bartës të pikëpamjeve të caktuara
dhe si përfaqësues të mjedisit të caktuar, të klasës dhe shtresës shoqërore dhe
të tregojë për ndikimet e shkrimtarit. Kritiku duhet të tregojë se ç’risi
paraqet publikimi i një vepre në letërsi, në kohën kur ajo është shfaqur dhe
ç’ndikim ka pasur ajo në zhvillimin e mëtejshëm të letërsisë. Kritiku letrar e
vlerëson veprën me masat që zotërojnë në letërsinë bashkëkohore, por duhet të
futë në të dhe shijen e kohës kur ka lindur vepra, ta kuptojë nivelin e
zhvillimit letrar, ai, jo vetëm që ndërmjetëson midis veprës dhe lexuesit, por
shpjegon edhe kuptimin e veprës dhe nxjerr në pah ato përfundime mbi jetën nga
e cila ka dalë shkrimtari me veprën e tij letrare. Nga e gjithë kjo kërkohet që
kritiku letrar duhet të ketë dije dhe kulturë të gjërë madje edhe më shumë se
shkrimtari. Në radhë të parë të posedojë një kulturë të gjërë dhe të
gjithanshme letrare, të njohë letërsitë dhe historitë letrare të më shumë
popujve dhe vendeve, dije nga historia, ekonomia, gjeografia dhe shkencat e
tjera, sidomos të ketë njohuri nga filozofia dhe historia e saj.
Vepra
letrare, si botë më vete, mund të interpretohet në mënyrë të ndryshme. Nga kjo
edhe forma të ndryshme të kritikës letrae.
Kritika stilistike – si lloj i kritikës
është e lidhur ngushtë me stilin dhe stilistikën. Kritika stilistike mbështetet
në elementet stilistike të veprës letrare. Si bazë e kësaj kritike merret
“Estetika”e Benedeto Kroçes, ndërsa përfaqësues të kësaj kritike merren Leo
Spicer, Emil Shtajger etj.
Kritika
estetike – e studion veprën letrare vetëm në aspektin estetik dhe zbaton
kriteret estetike në vlerësimin e veprës letrare duke lënë anash vlerat e tjera
të veprës. Nga aspekti historik, gjurmët e kritikës estetike i gjejmë në
vështrimet e para të shprehjes gjuhësore dhe të tipareve të saj. Vlera e veprës
artistike matej sipas begatisë së mjeteve shprehëse gjuhësore, stilistike.
Vrojtohen dhe shënohen tropet, figurat dhe inversionet, sistemohen dhe normohen.
Më së shumti në këtë aspekt ka kontribouar retorika klasike greke e cila e
përpunon gjërësisht dhe në mënyrë shteruese terminologjinë për mjetet themelore
stilistike, të pranuara në pjesën më të madhe edhe në shkencën bashkëkohore të
letërsisë. Kriteret e kritikës estetike kanë ndryshuar gjatë historisë.
Renesansa evropiane në pjesën më të mirë i ka gjetur modelet e veta në veprat e
shkrimtarëve antikë grekë e romakë. Ata përpiqen t’i gjallërojnë idealet
antike, klasicistët francezë dhe teoricienët e tyre në shekullin XVII, por jo
për një kohë të gjatë. Paraqiten synime të tjera dhe kritika estetike do të
vërë ideale të tjera të cilat do të vijnë me shënime doktrinare: sërish për një
kohë të caktuar. Megjithatë, në shqyrtimin e mundshëm historik të kritikës
estetike vërtetohet bindja gjithnjë e më e madhe që veprën letrare duhet
vështruar, në të vërtetë, me të gjitha rrethanat e rëndësishme dhe të
domosdoshme, por para së gjithash në autonominë e saj relative. Kritika
estetike bashkëkohore thekson nevojën që vepra artistike sa më shumë të
çlirohet nga varësia e të tjerave, nga synimet jashtëartistike dhe
antiartistike.
Kritika impresioniste (fr.
impressionisme – përshtypje) – është lloj i kritikës letrare, e cila si kriter
themelor për vlerësimin e veprës letrare merr përshtypjen, impresionin të cilin
e ngjall vepra letrare. Kjo kritikë lindi në Francë nga fundi i shekullit XIX
dhe e mori emrin sipas veprës së Zhyl Lemetrit “Impresionet teatrore”
(Impresions de théatre, 1898). Termi impresionizëm së pari ndeshet në artet
figurative dhe paraqet teknikën e caktuar të punës në zgjidhjen e motiveve
pikturale. Sipas Zhyl Lemetrit, kritiku letrar duhet të mbështetet në mbresat
që ngjall vepra letrare tek ai. Detyra e kritikës është të kumtojë përjetimin e
veprës artistike dhe kritiku shpesh merret me atë që e preokupon më së shumti
në vepër dhe rreth veprës. Në vend që të gjykojë në bazë të sistemit të caktuar
kritik dhe të parimeve të caktuara, kritiku do të duhet të tregojë shenja
simpatie ndaj veprës. Në esencë të saj qëndron bindja se nuk ekziston e vërteta
mbi veprën aristike dhe kritiku nuk duhet të gjurmojë kot pas saj, por duhet që
spontanisht të lëshohet në përshtypjen estetike të cilën e shkakton vepra dhe që spontanisht t’i përshkruajë reaksionet
e shpirtit dhe të sensibilitetit të tij në atë përshtypje. Përfaqësuesit e
kësaj kritike mendojnë se nuk ekziston kritika objetive, as që është e mundshme
një kritikë e tillë, sikundër që nuk ekziston as arti objektiv, sepse secili
kritik vë në veprën e tij temperamentin e vet personal, sensibilitetin,
botëkuptimin dhe ndjenjën e tij mbi jetën. Duke marrë parasysh se kritika nuk
mund ta njohë të vërtetën mbi veprën letrare dhe domethënien e saj të vërtetë,
ambicien e tij kritiku, sipas kritikës impresioniste, duhet ta kufizojë vetëm
në atë që, me rastin e veprës, ta paraqetë impresionin e vet personal, që me
anë të gjykimit të lirë, jo të domosdoshëm në asociacionet dhe lojën e shpirtit
të tij, të paraqesë atë që ndodh në të me rastin e përjetimit të ndonjë vepre.
Kritika semiologjike – në qendër të
studimeve të saj ka shenjën (gr. semeion – shenjë). Metodën semiologjike i pari
e ka përcaktuar Ferdinand de Sosyri në gjuhësinë strukturale. Idetë linguistike
të Sosyrit kanë shërbyer si bazë dhe model për studime të përgjithshme
semiotike dhe për studimin semiotik të letërsisë. Meqë vepra letrare realizohet
përmes gjuhës dhe analiza e saj nuk mund të bëhet pa nalizën gjuhësore të
veprës e cila shpjegohet përmes shenjave.
***
Në
rastet e shumta, në praktikë, gërshetohen premisat e kritikave të ndryshme, dhe
vërtet, shumë pak kritikë i zbatojnë ekskluzivisht vetëm premisat e një metode
kritike. Kritikët e rëndësishëm ia kanë përshtatur metodën e tyre tipareve të
veprës letrare, sepse ajo vetë, me vlerat e saj letrare, i ka zgjëruar metodat
e veçanta, ka realizuar pikëpamje të reja, i ka ndryshura premisat e mëparshme
duke sjellë premisa të reja.
Roli
i kritikës në zhvillimin e letërsisë është shumë i rëndësishëm; ndikimi i saj,
përkundër gabimeve të shpeshta dhe hutive, nuk mund të kontestohet. Ka bërë
shumë në shpjegimin e veprave më të rëndësishme letrare, në ndërmjetësimin e
veprës letrare dhe të publikut, në përhapjen e kulturës së përgjithshme letrare
dhe në ruajtjen e mendimit të caktuar letrar (kushteve dhe mjedisit për
krijimtari letrare). Ka zbuluar vlerat e vërteta letrare dhe ka kontribouar
shumë në vërtetimin e një kierarkie të mundshme në realizimet letrare.
Është
krejt e padrejtë t’i kontestohet çdo rëndësi në jetën dhe zhvillimin e
letërsisë, sikundër që veprojnë shumë letrarë.
Kritika biografike – e shpjegon veprën
letrare duke u mbështetur në biografinë e shkrimtarit. Edhe pse interesimet e
para i ndeshim që në kohën antike, materiali biografik nuk është shfrytëzuar
sistematikisht si metodë kritike deri në gjysmën e dytë të shekullit XIX, kjo
nga që në kohën e romantizmit kësaj metode i kanë kushtuar rëndësi të madhe.
Poetët romantikë shkruanin shumë për veten, për ndjenjat e thella të tyre, duke
lënë pas vetes shumë rrëfime autobiografike (Bajroni, Pushkini etj.). Parimet
themelore të metodës biografike i ka formuluar shkrimtari dhe kritiku francez
Sent-Bev, i cili në lidhje me këtë thotë: Mund
të kënaqem me veprën letrare, por e
kam vështirë të jap gjykim pa pasur parasysh njeriun i cili e ka shkruar (Sait-Beuve: Chateaubriand).
Por sot kjo metodë është vjetëruar. Për këtë metodë në mënyrë kritike flet edhe
teoricieni i letërsisë Rene Velek në studimin e tij “Letërsia dhe biografia”,
duke theksuar se vepra artistike më parë mund ta materializojë “ëndrrën” e
autorit sesa jetën e tij të vërtetë. Vepra mund të jetë edhe një “maskë”,
dëshirë e autorit për t’i ikur një jete të tillë. Vepra artistike nuk është
dëshmi autobiografike. Ne e dimë ç’është homerike edhe pse nuk e njohim
biografinë e Homerit. Konsiderohet se jeta e shkrimtarit është sintezë e çdo
gjëje që gjendet edhe në veprën letrare. Vjershat, romanet e vepra të tjera
bëhen më të kuptueshme nëse njihen rrethanat e krijimit të tyre nga shkrimtari.
Detyra kryesore e kritikës biografike është rikonstruimi i jetës së
shkrimtarit, sepse në të gjenden të gjitha fshehtësitë e punës krijuese të tij.
Kështu janë krijuar – por krijohen edhe sot – biografitë e shkrimtarëve të
cilët kanë zbuluar dhe njohuri të dobishme mbi lidhjet midis letërsisë dhe jetës.
Por i tërë materiali, të cilin e kanë sjellë biografitë e letrarëve, nuk ka
qenë edhe aq i nevojshëm. Herë-herë është heshtur problemi i krijimtarisë
letrare, sepse kritika biografike ka dëshiruar ta zbulojë në jetën private dhe
shoqërore të shkrimtarit e jo në vetë veprën.
Kritika sociologjike – merret me
analizën e tekstit duke marrë parasysh rrethanat shoqërore në të cilat ka
jetuar dhe vepruar shkrimtari. Sipas kësaj kritike edhe karakteri (natyra) e
veprës letrare është shoqërore. Ndonëse vepra letrare në përgjithësi
kushtëzohet nga faktorët shoqërorë, por me rastin e analizës së tekstit letrar
lë anash vlerat e tjera të veprës, siç janë ato estetike, stilistike,
semiologjike, që e shquajnë dhe e karakterizojnë krijimin letrar. Në aspektin
metodologjik është e afërt me kritikën ideologjike.
Kritika filozofike – në analizën e
veprës letrare mbështetet në konceptet filozofike që shfaqen në veprën, siç
janë çështja e ekzistencës njerëzore, absurdi, kotësia e jetës etj. Kjo metodë
ka mbështetjen në fenomenologjinë e Edmund Huserlit, pastaj në ontologjinë si
shkencë filozofike dhe mbi të qenmen, mbi atë që ekziston. Sipas studiuesve të
ndryshëm (Rene Velek etj.), vepra letrare nuk mund të vlerësohet vetëm në bazë
të mendimeve filozofike, duke pasur parasysh si janë strukturuar mendimet e
tilla. Tomas Stern Eliot thotë: as Dante, as Shekspiri në të vërtetë nuk kanë
menduar asgjë. Dostojevski dhe Tolstoi shpesh janë shqyrtuar vetëm si filozofë
dhe mendimtarë fetarë. Në kohën e simbolizmit në Rusi paraqitet një shkollë e
tërë e kritikëve “metafizikë”, e cila e interpreton letërsinë me anë të
qëndrimeve të veta filozofike. Kjo do të thotë se mënyra e organizimit të
veprës letrare është ajo që e përcakton edhe vlerën e saj.
Kritika gazetareske - është formë
specifike e kritikës letrare artistike e cila shkruhet nëpër gazetat e
përditshme dhe në ato periodike letrare e kulturore. Ajo kryesisht merret me
veprat letrare, me letërsinë, artet e tjera, por edhe me radion dhe
televizionin. Për nga forma e jashtme kritika gazetareske është pjesë e gazetarisë, respektivisht e
gazetarisë letrare, kurse për nga esenca ajo është pjesë e letërsisë. Ajo e
përcjell krijimtarinë letrare bashkëkohore, veprat e sapobotuara. Ajo shkruhet
për publikun e gjërë lexues, andaj duhet të jetë komunikative. Meqë publikohet
në një kënd të caktuar në gazetë, në një kohë të kufizuar në radio apo
televizion, ajo duhet të jetë shumë koncize, duke i thënë vetëm ato që janë
qenësore (esenciale) për një vepër letrare, anët pozitive dhe të metat e veprës
letrare.