I
gjithë veprimi në dramë zhvillohet përmes dialogëve dhe monologëve. Dialogët (gr.
diálogos – bisedë), janë forma më e
përshtatshme për t’u realizuar situatat e tilla dramatike, përmes të cilave
personazhet shprehin qëndrimet e tyre. Dialogët duhet të jenë të gjallë, të
tendosur ashtu që kundërthëniet në qëndrimet e personazheve të thellohen deri
në zgjidhjen e problemeve të parashtruara në dramë. Ekziston dallimi midis dialogut
dramatik dhe dialogut tregimtar. Dialogu tregimtar
rrjedh qetë dhe vijëdrejt dhe shërben për ndërprerjen e monotonisë në
paraqitjen e përmbajtjes dhe në formë të rrëfimit ta orientojë vëmendjen e
lexuesit edhe në hollësi të dorës së dytë. Dialogu dramatik gjithsesi është
zhvilluar nga dialogu tregimtar, duke u liruar nga përcjellëst tregimtarë: tha,
erdhi, i ndërhyri në fjalë etj. Dialogu dramatik është më i gjallë dhe më i
drejpërdrejtë, sepse nga skena dëgjohet të folurit e vërtetë e personazheve. Së
fundi, dialogu dramatik është mënyra më e përshtatshme për vënien në lëvizje të
veprimit dramatik dhe për mbajtjen e tempit të aksionit ndë dramë i cili gjithherë
duhet të jetë i tendosur dhe dinamik. Të folurit e shkurtër të bashkëbiseduesve,
nga i cili është sajuar dialogu, quhet replikë.
Veç
dialogut, në dramë përdoret edhe monologu (gr. mónos – vetë, një, dhe lógos – fjalë),
përmes të cilit personazhi i dramës shpreh qëndrimet, dispunimet, qëllimet e
veta. Monologët shërbejnë për rrëfime personale, për meditime të brendshme dhe
për komunikimin e ndonjë ngjarjeje e cila është zhvilluar jashtë “hapësirës
dramatike”. Për dramaturgët monologët janë mjete shumë të përshtatshme përmes
të cilëve personazhet shprehin ndjenjat e veta duke mos u kuptuar nga të
tjerët, dmth. që “të tjerët mos ta dëgjojnë”.
Monologu
i brendshëm në letërsinë tregimtare – në roman dhe tregim – është një
procedim stilistik mjaft i përhapur me të cilin “përcillet rrjedha e vetëdijes”
së personazheve më të rëndësishme në vepër. Lexuesi shpesh s’është në gjendje
që t’i sqarojë vetes se disa pjesë, fragmente dhe digresione në roman i
shqipton në vetvete heroi i veprës ose shkrimtari, sepse këto janë çaste të
përjetimve dhe të meditimeve të nënvetëdijshme...
Drama
antike, e shfaqur në hapësirë të hapur, nuk ka mundur të ndahet në tërësi
kohore ose në disa pjesë të tjera në tërësi më të vogla. Para fillimit të
shfaqjes, udhëheqësi i korit, korifeu, u komunikonte shikuesve se ç’do të
paraqitet në dramë dhe ku është zhvilluar “në të vërtetë” ngjarja. Kjo pjesë e
dramës është quajtur prolog (gr. prologos , pro – përpara dhe logos – fjalë). Fundi i dramës, ku prapë janë dhënë shpjegime se ç’ka
ndodhur në dramë, është quajtur epilog (gr.epilogos, nga epi - mbas dhe logos – fjalë). Në fillim të çdo vepre dramatike gjendet një pjesë e
tekstit të cilin nuk e shqiptojnë as aktorët, dhe i cili nuk i dedikohet vetëm
regjisorit dhe aktorëve, por edhe publikut. Kjo pjesë e tekstit dramatik quhet lista
teatrore ose afishe, në të cilën shënohen emrat e
aktorëve që inteprtojnë personazhet e dramës, emri i regjisorit dhe i
skenografit, shpesh edhe emrat e pjesëmarrësve të tjerë në përgatitjen e
shfaqjes teatrore (kostumografit etj.).
Të
folurit në skenë e pëcjell mimika, dmth. loja e caktuar me
muskujt në fytyrë, e cila është në harmoni me përmbajtjen emocionale e asaj që
flitet. Mimikën e përcjellin gjestet, dmth. lëvizjet e duarve,
kokës, të trupit të tërë.
Me
përdorimin e perdes dhe me heqjen e njësisë së vendit dhe kohës, vepra dramatike
filloi të ndahet në disa tërësi më të mëdha, të cilat u quajtën akte.
Ekzistojnë drama me një e dy akte, kurse dramë e plotë konsiderohet pjesa
prej tri e deri në pesë dhe gjashtë akte. Akti është pjesë e veprimit i cili
zgjat nga ngritja e deri te mbyllja e perdes. Meqë aktet janë tërësi të
veçanta, ato sërish duhet të jenë të lidhura fortësisht midis tyre, sepse
veprimi i aktit pasues organikisht është vazhdim i aktit paraprak. Midis akteve
ekziston pushimi i domosdoshëm ose
pauza, jo vetëm për çlodhjen e shikuesve, por edhe për shkak të mashtrimit për
të krijuar përshtypjen mbi largësinë kohore midis ngjarjeve. Akti mund të
ndahet në skena, dukje ose pamje
– këto janë sinonime të të njëjtit
nocion: çdo ndryshim i personazhit në skenë – ikja e njërit ose dalja
(shfaqja) e tjetrit – quhet pamje ose skenë. Këtu duhet dalluar tablon si pjesë
më e madhe aktit. Disa skena ose pamje mund të përbëjnë një episod më të madh
në një akt dhe episodi i tillë quhet tablo. Ekzistojnë drama të cilat, në
vend të akteve, janë tablo të përthyera.