2012-12-04

Blagojevich vs Grabovci



Arbana Xharra

Skandali i përgjimeve nuk ka zhveshur vetëm fytyrat e të përgjuarve, duke na servuar me zërat e tyre karakteret reale që kanë, por ka nxjerrë në shesh një hierarki tjetër të pushtetit. Hirarki kjo e cila zyrtarisht paraqitet ndryshe, por që realisht tregon kush dirigjon në fakt punët e shtetit. Shumë thjesht në pak minuta bisedë, mësohet saktë se kush është ”më i forti”, duke na dhënë një pasqyrë reale të strukturës së PDK-së.

Është vërtetuar se kush kujt i raporton, si planifikohen agjendat, punët si kryhen nëpër ministri, si kërkohen ‘eliminimet politike’ dhe në fund niveli degradues i këtyre personave përmes fjalorit që përdorin mes vete. Tash është zyrtarizuar “nëntoka” që menaxhon këtë pushtet. Por, nëse ndalemi dhe mendojmë se kush janë këta njerëz, kush është e kaluara e tyre, si kanë ardhur në pushtet, dorën në zemër nuk është edhe shumë për t’u shokuar me fjalorin e tyre. Të gjithë jemi dëshmitarë të nivelit “për tokë” të shumicës së këtyre zyrtarëve. Kanë mjaftuar vitet në pushtet për të na treguar kapacitetin degradues që posedojnë.

Më skandaloz është fakti se Qeveria na tregoi se sa lehtë tenton ta mashtrojë opinioni duke gënjyer shpejt e shpejt me të publikuar përgjimet. Pa fije turpi doli me komunikatë duke thënë se “bisedat janë të montuara”. Kjo makineri mashtrimesh, na dëshmoi për aftësitë e saj në formë të institucionalizuar të gënjejë.

Por, pse heshtet dhe nuk kërkohet llogari nga kjo Qeveri për rrenën që ia bëri popullit të Kosovës, se bisedat janë të ‘falsifikuara’? A ka kush që duhet dhënë llogari që u zu në rrenë Qeveria, kësaj here fatmirësisht nga EULEX-it e cila tha se ato përgjime i ka bërë vetë ky mision? E kushedi sa e sa komunikata zyrtare të Qeverisë së Kosovës janë rrena të kulluara.

Duke tentuar që të largojnë vëmendjen nga përpjekja e Qeverisë që të manipulojë me opinionin publik dhe nga përmbajtja e bisedave të përgjimeve, militantët e tyre thirren në të drejtën e privatësisë së politikanëve. Kësaj here të udhëheqësit të grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, i cili doli të jetë i përgjuar. A thua për çka dyshohet të jetë i përfshirë ky zyrtar i lartë i PDK-së, cili brenda një vitit u shndërrua në milioner, ai i cili pati fuqinë që të mos lejojë të futet policia në Kuvend kur u rrahën deputetët e VV-së me deputetët e PDK-së në Parlamentin e Kosovës.

Kreu i Skenderajt, Sami Lushtaku, i cili po u gjend partia e tij (PDK) në situata të vështira, ai është i pari që thirret për të rregulluar punët. Në shumë zhvillime politike na është dëshmuar se është mesazh se kush nuk ul bishtin, e pret një trajtim nga Lushtaku. E këtë fuqi u jep vetë kryeministri Hashim Thaçi që doli të ketë “talent” së paku për gjuhën italiane, sepse me gjuhën angleze është marria e zotit.

Në anën tjetër sejmenët e tyre, në mënyrën qesharake tentojnë të mbrojnë marrëzitë e krerëve të PDK-së. Shaip Muja zyrtarizon komunikimin, ku nënat shahen mes vete...duke thënë se: ”Kjo është bisedë mes shokësh”. Derisa deputeti i PDK-së, Berat Buzhala, të gjithë të shokuarit e ditëve të fundit nga përgjimet i quan ”racistët gjeografikë”, duke thënë se janë ata që po provojnë të tmerrojnë me “gjoja nivelin e bisedës që po zhvilluakan udhëheqësit e vendit”. Ai në rrjetin social “Facebook” nxjerr linkun e një transkripti të bisedës së përgjuar, mes të ish-guvernatorit, Chicago Rod Blagojevich, dhe ish-shefit të stafit të presidentit, Barack Obama, Ram Emmanuel, duke thënë se është normale një bisedë e tillë.

Por Buzhala nuk tregon se në dhjetor të vitit 2008, Blagojevich u arrestua nën akuzat për korrupsion federal, joshje e ryshfet, për përpjekjen e tij për të shitur vendin e senatit. Në janar të vitit 2009, Blagojevich u fajësua për korrupsion dhe keqpërdorime në detyrë. Senati njëzëri e gjeti atë fajtor dhe në një votim të veçantë Blagojevichit iu ndalua për jetë të mbajë poste publike, kurse në vitit 2011 u shpall fajtor se ka gënjyer edhe FBI duke u dënuar me 14 vjet burg. Pallavrat që tentojnë të na hedhin hi syve nuk pinë ujë, populli nuk është aq injorant sa e mendojnë këta “racistë gjeografikë”.

Peter Weiss (CDU): Ramush Haradinaj mos të kthehet menjëherë në politikë


Pas lirimit të Ramush Haradinajt, kryetari i grupit parlamentar për EJL në Bundestagun gjerman, Peter Weiss (CDU) në një intervistë për Deutsche Welle-n, shprehet se nuk komentohet politikisht një vendim gjyqësor – por ai këshillon Ramush Haradinajn mos të kthehet menjëherë në politikë...

DW: Në procesin gjyqësor kundër ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, gjykata e OKB-së për krimet e luftës në ish-Jugosllavi ka liruar të enjten të akuzuarin si të pafajshëm. Carla del Ponte ka shprehur indinjatën e saj edhe pas lirimit të parë të Haradinajt. Si e shpjegoni ju këtë humbje tjetër të prokurorisë?

Weiss: Juridiksioni i një gjykate të lartë duhet të respektohet dhe sigurisht që është e vështirë për të komentuar politikisht një vendim gjyqësor. Një gjykatë duhet të ketë dëshmi të qarta për të vendosur për një dënim. Me sa duket, gjykata i ka vlerësuar me sy kritikë këto dëshmi prandaj edhe është shpallur pafajësia. Politikisht, kjo padyshim nuk është një situatë e mirë, sepse në Ballkanin Perëndimor në kuadër të shpërbërjes së Jugosllavisë ne kemi pasur konflikte ushtarake me një brutalitet të madh dhe nëse tani për shkak të mungesës së provave, të cilat sigurohen me shumë vështirësi nuk ka dënime. Është e natyrshme që tek popullsia, popullsia e prekur mbetet një imazh shumë i keq. Ky në të vërtetë është shqetësimi im. Bëhet një luftë dhe askush nuk është përgjegjës.”

DW: Çfarë do të thotë shpallja e vendimit të pafajësisë për Haradinajt dhe rolin e tij të ardhshëm në Kosovë?

Weiss: Këtë e kam të vështirë ta vlerësoj. Haradinaj ka luajtur një rol të rëndësishëm në skenën politike të Kosovës. Ai ishte për një kohë të shkurtër kryeministër i Kosovës, post nga i cili u desh të japë dorëheqjen për shkak të presionit nga akuzat e ngritura në Hagë. Unë mendoj se për përfaqësimin ndërkombëtar të Kosovës, do të ishte e mençur nëse zoti Haradinaj tani nuk do të kthehej menjëherë në politikë në Kosovë. Ndoshta do të ishte më mirë të qëndronte pak mënjanë.

DW: Gjykata e OKB-së në Hagë është për shumë të mbijetuar serbë të luftërave në Jugosllavi një institucion anti-serb. Dy javë më parë, u shpall i pafajshëm edhe ish-gjenerali kroat Ante Gotovina. Shumica e 64 të dënuarve deri më tani janë pjesëtarë të nacionalitetit serb. A e kuptoni këtë pikëpamje të përfaqësuar në Serbi?

Weiss: Jo. Gjykata në Hagë nuk është as pro-serbe, as pro-kosovare e as pro-kroate, por Gjykata ka një përbërje ndërkombëtare dhe ajo vepron në përputhje me standardet ligjore ndërkombëtare. Dhe unë mendoj se do të ishte mirë në qoftë se vendet e Ballkanit Perëndimor, shtetet që dolën nga shpërbërja e Jugosllavisë, por edhe qytetaret dhe qytetarët e këtyre vendeve ta kuptojnë këtë dhe ta pranojnë se një gjykatë e tillë merr vendimet e saj pa u ndikuar nga çdo ndërhyrje politike. Dikush mund t'i konsiderojë këto gjykime si problematike politikisht, por kjo do të thotë pikërisht pavarësi e gjyqësorit dhe ne si politikanë nuk kemi asnjë ndikim në këto procese.

DW: Beogradi shpreson të arrijë përparim në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën deri në mes të Dhjetorit për të marrë para përfundimit të këtij viti një datë për fillimin e negociatave për pranim në Bashkimin Evropian. Të Martën (4.12.2012), pritet në Bruksel një tjetër takim mes Thaçit dhe Daçiqit. Por Serbia e përjashton ende, ashtu si më parë, mundësinë e njohjes së Kosovës. A do të mund të anëtarësohet Serbia pa e njohur Kosovën?

Weiss: Ne gjermanët dhe evropianët u kemi bërë gjithmonë të qartë si serbëve ashtu dhe kosovarëve, qeverive në Beograd dhe Prishtinë, se mundësia për fillimin e negociatave dhe pastaj pranimi në BE mund të pasojë vetëm kur të ketë një Modus-Vivendi të qartë, domethënë një rregullim kontraktual të marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës. Ne nuk duam një Qipro të dytë në BE. Fakti që ne e kemi pranuar Qipron pa i zgjidhur çështjet e diskutueshme mes Qipros Veriore dhe Jugore ishte një gabim i madh”.

DW: Ndërkohë edhe nga Moska mund të dëgjohet se ajo nuk sheh ndonjë pengesë që Serbia të bëhet anëtare e BE-së dhe njëkohësisht të mbetet partnere strategjike e Rusisë. Çfarë mendoni ju, a është kjo e mundur?

Weiss: Ne evropianët gjithashtu duam të kemi marrëdhënie të privilegjuara me Rusinë, sepse kjo është e rëndësishme. Por ajo që mendoj se nuk është e mundur, është instalimi i një politike luhatëse midis Evropës dhe Rusisë, të cilën e kanë ndër mend disa politikanë. Duhet vendosur në mënyrë të qartë: jemi pjesë e Bashkimit Evropian - Po ose Jo, dhe sigurisht që nuk përjashtohet kultivimi i marrëdhënieve speciale me Rusinë. /DW/

Jakup Krasniqi kërkon përgjigje, Hashim Thaçi hesht!

Vetëm pak ditë pas shpërthimit të skandalit të përgjimeve telefonike të zyrtarëve të lartë qeverisës dhe atyre të PDK-së, Qeveria e ka miratuar Projektligjin për përgjimin e telekomunikimeve.

Përderisa kryeministri Hashim Thaçi edhe të hënën ka parapëlqyer të heshtë përballë skandalit të përgjimeve telefonike ku është i përfshirë ai personalisht me shefin e grupit parlamentar të partisë që drejton, Adem Grabobvci, kreu i Kuvendit Jakup Krasniqi, i cili ka qenë më i atakuari në këtë rast, ka kërkuar edhe njëherë përgjigje nga protagonistët e këtyre bisedimeve telefonike.

Iniciativa e Qeverisë së Kosovës për aprovimin e Projektligjit për përgjimin e telekomunikimeve vjen pas publikimit në internet të bisedave telefonike, në të cilat është i përfshirë i pari i qeverisë, Hashim Thaçi, ministrja e Integrime, Vlora Çitaku, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci , kryetari i komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku ,dhe ish-shefi i SHIK-ut, Kadri Vesli, tash anëtar “i ri” i PDK-së.

Numri dy i qeverisë, Hajredin Kuçi, ka pranuar se zhvillimet e fundit të përgjimit të bisedave telefonike të zyrtarëve të lartë shtetërorë me ata të PDK-së ka ndikuar që ekzekutivi të përshpejtojë dërgimin e Projektligjit për përgjimin e telekomunikimeve në Kuvendin e Kosovës.

I dyti i qeverisë nuk ka dashur shumë që të komentojë skandalin e fundit të përgjimeve, por ka thënë se për këtë nevojitet hetim serioz i EULEX-it së bashku me institucionet e drejtësisë. Sipas tij, me projektligjin e aprovuar nga qeveria do të mbrohet privatësia e secilit, ndonëse ka sqaruar se ky ligj nuk ua kufizon të drejtën për përgjime organeve të ndjekjes, por i sistemon më mirë dhe i rregullon në raport me atë që është nën urdhrin dhe atë që është në privatësinë e secilit.

“Mendoj se në rastin e fundit organet kompetente duhet ta thonë fjalën e tyre dhe jo politika. Natyrisht se këtu duhet të ketë hetime të pavarura, të shihet ku ka shkarje dhe nga ata që kanë përgjuar dhe nga ata që kanë publikuar dhe të tjerët”, ka deklaruar Kuçi. I pyetur nga gazetarët për nivelin e komunikimit të zyrtarëve të lartë politikë, ai sugjeroi që këto gjëra të shikohen pa emocione, pasi që siç pohoi ai, bisedat private mes miqve dallojnë nga ato publike.

“Nuk dua shumë të komentoj për përgjimet e fundit, por ajo çka dua të theksoj është se dallojnë bisedat publike me ato që i bëjmë me miqtë që i ke që 20 vjet. Besoj se secili prej nesh ka momente kur shpreh në telefon emocionet qofshin ato pozitive apo negative”, ka deklaruar numri dy i qeverisë pas mbledhjes së kabinetit ministror.

I pyetur nëse skandali i fundit i përgjimeve të bisedave telefonike ka ndikuar në acarimin e raporteve në mes bashkëpartiakëve të PDK-së, pasi që më i atakuari ka qenë kryeparlamentari Jakup Krasniqi, Kuçi u arsyetua se nuk dëshiron të hyjë në vlerësime personale. Deri më tani pesë biseda telefonike të Adem Grabovci, janë publikuar në kanalin YouTube.

Jakup Krasniqi është sharë dhe fyer në mënyrën më të ulët nga kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, Grabovci, por edhe nga kryeministri Hashim Thaçi, i cili Krasniqin gjatë muhabetit e quan “Jakupovski”.

Se cili është morali i protagonistëve të këtyre bisedave telefonike, kryeparlamentari Jakup Krasniqi parapëlqeu të hënën që për këtë të pyetën aktorët.

“Morali ynë është ky që është’, tha shkurt ai pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Ndërkaq, protagonisti kryesor i skandalit të përgjimeve telefonike, Adem Grabovci, i është shmangur përballjes me gazetarët. Me të përfunduar mbledhja e kryesisë, ai ka ikur shpejt e shpejt duke mos dashur që të flasë asnjë fjalë, përkundër insistimit të medieve.

Është raportuar se përgjimet e plasuara në internet kanë të bëjnë me hetimet që po i zhvillon EULEX-i rreth përvetësimit të mbi 2 milionë eurove në Ministrinë e Transportit dhe të Telekomunikacionit ndërmjet viteve 2008-2012.

Ndërkaq, Kryesia e Kuvendit ka marrë vendim që seanca e radhës së Legjislativit të mbahet më 6 dhjetor, derisa Ismet Beqiri nga LDK-ja tha se subjekti i tij politik kundërshton propozimin e Qeverisë për anëtarët e bordit të Agjencisë Kosovare e Privatizimit, pjesë e së cilës janë edhe eksponentë të PDK-së, sikurse është rasti i emërimit të Blerim Rexhës në krye të këtij bordi.

Lëvizja për Bashkim mbështet qëndrimin e Berishës për shtetësinë shqiptare




Lëvizja për Bashkim, duke e konsideruar njohjen e shtetësisë shqiptare për të gjithë shqiptarët si një të drejtë dhe nevojë të madhe, e mbështetë fuqishëm këtë qëndrim të kryeministrit shqiptar.

“Gjithashtu, konsiderojmë që pas shprehjes së vullnetit politik për të bërë këtë hap, shteti shqiptar duhet të mos mjaftohet me të por të vazhdojë me procedimin sa më të shpejt të projektligjit për shtetësi në parlament”, thuhet në komunikatën e LB-së.

Lëvizja për Bashkim thekson se vazhdimisht është angazhuar që kjo e drejtë të realizohet sa më parë.

“Madje, në këtë drejtim, është angazhuar edhe praktikisht përmes aksionit politik për pajisjen e qytetarëve të Kosovës me pasaporta nën moton ‘Një komb, një pasaportë’ me rastin e 100 vjetorit të shtetit shqiptar, qëllimi i të cilit ishte sensibilizimi i shtetit shqiptar për njohjen e të drejtës për nënshtetësi për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen”, theksohet në komunikatën e LB-së.

Ndryshe, në mbledhjen e 4 dhjetorit të Këshillit të Ministrave të Shqipërisë, Kryeministri Sali Berisha kërkoi dorëzimin me përparësi në parlament të ligjit i cili përcakton njohjen pa kushte të shtetësisë shqiptare për çdo shqiptar jashtë kufijve të Shqipërisë.

Sali Berisha: Shtetësi shqiptare për çdo shqiptar



Këshilli i Ministrave zhvilloi mbledhjen e sotme në katin e dytë të Muzeut të Vlorës, ku 100 vite më parë u mblodh qeveria e parë shqiptare me në krye Ismail Qemalin. Gjithnjë në kuadër të 100 vjetorit Berisha tha se përparësi do të jetë hartimi i një ligji për shtetësinë shqiptare për çdo shqiptar që aplikon përtej Shqipërisë kudo që të ndodhet.

“Ai që do të marrë shtetësinë shqiptare do ta marrë, ky ligj do të jetë nisma e 100 vjetorit të kësaj qeverie. Dorëzimi me përparësi në parlament i ligjit që përcakton njohjen pa kushte të shtetësisë shqiptare për çdo shqiptar që aplikon përtej Shqipërisë kudo që ndodhet”, tha Berisha duke i kërkuar ministrit të brendshëm të hartojë sa më parë ligjin.



Foto: Qeveria shqiptare zhvilloi mbledhjen e radhës sot në qytetin e Vlorës. Kjo për të nderuar qeverinë shqiptare të krijuar në vitin 1912.
Në këtë mbledhje solemne në sallën ku Ismail Qemali mblodhi kabinetin e tij të parë, Kryeministri Berisha shprehu mirënjohje të thellë për të gjithë shqiptarët dhe miqtë e Shqipërisë për atmosferën që i dhanë në 100 vjetorin e Pavarësisë.
Në këtë këndvështrim, kreu i mazhorancës qeverisëse anonçoi dhe nismën më të fundit të qeverisë së tij atë të hartimit të një ligji për të bërë të mundur marrjen e shtetësisë shqiptare për çdo shqiptar kudo që ata jetojnë.

“Qeveria do të hartojë ligjin për shtetësinë shqiptare për të gjithë shqiptarët kudo që janë. Kjo do jetë nisma në 100 vjetorin e Pavarësisë.
Ftoj opozitën që e frymëzuar nga ky përvjetor të miratojë ligjin. Edhe pse jemi në një vit të rëndësishëm elektoral, ky ligj vjen në këtë moment për t’i dhënë mundësinë të gjithë shqiptarëve që duan këtë shtetësi të mund ta marrin atë. Njohja pa kushte të shtetësisë shqiptare për çdo shqiptar kudo që ndodhet. Ky është mesazhi për këtë 100 vjetor. Duke kthyer një të drejtë për të cilën ka 100 vjet që luftojnë”, vuri në dukje Berisha.

“Ministria e Brendshme të marrë masa nëpërmjet konsullatave e zyrave të krijojë mundësinë e aplikimit për shtetësi. Ministri të sjellë ligjin në qeveri dhe ftojë opozitën që ta votojë”, tha Berisha, raportojnë mediet e Tiranës.
Berisha: Shtetësi shqiptare pa kushte për çdo shqiptar kudo ndodhet. Bashkim kombëtar
Kryeministri Berisha, 100 vite pasi patriotët shqiptarë hodhën të parën ide të bashkimit kombëtar, hodhi sërish këtë tezë, duke e cilësuar si platformë të kabinetit të tij.

“Ndaj dalin një seri detyrash në mënyrë që të bashkohemi me njëri- tjetrin dhe Evropën. Unë jam i bindur se kjo platformë iu jep përgjigjen më të shkëlqyer dhe përfundimtare çështjes shqiptare në Ballkan. Askush nuk mund të mohojë që shqiptarë në padrejtësitë më të mëdha të kohës u copëtuan në 5 shtete. Ata të cilët kishin krijuar shtet dekada para nesh dhe u vërsulën mbi këtë komb me projektet nga më ogurzeza. Mjaftojmë të kujtojmë se Qeveria e Ismail Qemalit dhe vetë themeluesi i pavarësisë, baba i pavarësisë u detyrua të largohej”, deklaroi Berisha duke shtuar se në 100 vite shqiptarët shkruan faqet më të ndritura të historisë së tyre, madje duke normalizuar marrëdhëniet me fqinjët.

Numri 1 i qeverisë shqiptare, duke iu rikthyer historisë, deklaroi se shqiptarët pavarësisht se janë të lirë, ato jetojnë të ndarë në 5 shtete.

“Sot shqiptarët janë të lirë, por sërish jetojnë në 5 shtete dhe kudo ato ndodhen në tokat dhe trojet e tyre, kudo ato janë të përkushtuar në projektin e integrimit Evropian, si e ardhmja e tyre më e shkëlqyer. Projekt i cili historikisht ka realizuar për Evropën një mrekulli të vërtetë, së pari në rrafshin moral. Ka qenë dhe mbetet projekti më i shkëlqyer i bashkëpunimit të kombeve të këtij kontinenti”, theksoi Berisha.

“Më lejoni të theksoj se të ndarë disa shtete, shqiptarët nuk munden të konsiderohen ndryshe veten përveçse vëllezër në gjene, kulturë, identitet dhe kjo është dhe kjo është realitet i padiskutueshëm”, shtoi Berisha
Forcat e Armatosura kremtojnë 100-vjetorin e krijimit
Kryeministri Berisha tha se festa e 100-vjetorit të Pavarësisë ishte një ngjarje e paprecedentë në historinë e kombit shqiptar.

Ndërkaq, Aleanca Kuq e Zi e ka pritur me protesta në Vlorë kryeministrin Sali Berisha, i cili vendosi të mbante mbledhjen e radhës së qeverisë në shtëpinë shekullore të pavarësisë.

“Qindra protestues qëndruan të ulur për më shumë se një orë në rrugën kryesore përballë shtëpisë së pavarësisë, ndërkohë që shtetasi Sali Berisha po niste mbledhjen e qeverisë së turpit në godinën ku 100 vjet më parë Ismail Qemali mblodhi për herë të parë kabinetin e qeverisë, që i dha Shqipërisë pavarësinë. Nën thirrjet patriotike dhe ato kundër qeverisë më të korruptuar në historinë 100 vjeçare të Shqipërisë aktivistët e Aleancës Kuq e Zi, të vendosur për të denoncuar turpin e qeverisë se shtetasit Sali Berisha, i cili ndryshe nga Ismail Qemali që firmosi aktin e pavarësisë, firmosi para tre viteve aktin e tradhtisë, duke i shitur shtetit grek 350 kilometra katrorë ujëra territorialë”, thuhet në deklaratën e AK.

“Me gjithë presionin e vazhdueshëm të policisë dhe forcave RENEA për të larguar aktivistët e Aleancës Kuq e Zi, këta të fundit qëndruan të palëkundur kundër aktit më të shëmtuar në këtë 100 vjetor të pavarësisë. Policia nisi të largonte aktivistët e Aleancës Kuq e Zi duke i tërhequr ata zvarrë nga rruga për t’i hapur rrugën shtetasit dhe tradhtarit Sali Berisha për tu ulur aty ku 100 vjet më parë Ismail Qemali hodhi gurin e themelit të shtetit shqiptar, policia arriti deri në kërcënimin e drejtpërdrejtë të aktivisteve të Aleancës Kuq e Zi dhe për rrjedhojë të rezistencës së kuqezinjve, policia hodhi gaz lotsjellës për të larguar protestuesit e Aleancës Kuq e Zi. Me gjithë metodat e mundshme që Policia e Rendit, RENEA dhe Garda e Republikës larguan në zbatim të urdhrave të servilëve të strukturave të shtetasit Sali Berisha aktivistët e AK. Aktivistet e AK përgjatë gjithë protestës kanë lëshuar thirrje patriotike kundër tradhtarëve në kabinetin e shtetasit Sali Berisha”, vijon deklarata.

Aktivistët e Aleancës Kuq e Zi kanë vepruar të vetëm gjatë gjithë protestës.

2012-12-03

Domosdoshmëria historike e ribashkimit kombëtar




Prof.Dr.sci.Eshref Ymeri


“Kushdo mund ta fitojë lirinë, në qoftë se ai është i aftë të gjejë vetveten”-Gëte

“Shqiptarët janë mendjelehtë”-Admirali Gregori Xhonson, Ish-Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s 



Kaloi edhe festa e 100-vjetorit të pavarësisë. Ishte me të vërtetë një festë me rëndësi të jashtëzakonshme për mbarë kombin shqiptar. Kjo për faktin se pavarësia u shpall për mbarë trojet tona etnike, të përbëra prej katër vilajetesh në kuadrin e Perandorisë Otomane. Por, fatkeqësisht, për mungesën e vetorganizmit të kombit shqiptar për mbrojtjen e territoreve të veta dhe për shkak të urrejtjes tradicionale të faktorit grekosllav, në gadishullin tonë shpërthyen luftërat ballkanike, të cilat nuk kishin si qëllim kryesor dëbimin e perandorisë në fjalë nga ky gadishull, meqenëse kjo perandori kishte kohë që kishte filluar të merrte tatëpjetën dhe në qarqet e politikës evropiane i ishte vënë nofka “i sëmuri i Bosforit”.

 Qëllimi kryesor ishte vetëm copëtimi i trojeve etnike shqiptare dhe fshirja e Shqipërisë nga harta e Evropës. Vendimin për copëtimin e trojeve tona e mori Evropa, nën diktatin e shovinizmit rusomadh, kurse zbatimi i këtij vendimi iu la përsipër faktorit grekosllav, përmes luftërave ballkanike. 

Dhe Evropa asnjëherë nuk u bë pishman për krimin e rëndë që kreu kundër kombit shqiptar. Me këtë copëtim ajo i mohoi lirinë kombit shqiptar, i mohoi të drejtën për të jetuar i bashkuar në trojet e veta stërgjyshore. 

Dhe sot, në mbarë kontinentin evropian, për çudi, vetëm kombi shqiptar vazhdon të mos jetë i lirë në krejt trojet e veta etnike. Ky fakt përbën një fatkeqësi shumë të rëndë kombëtare për të gjithë ne shqiptarët. 

Evropa kurrë nuk e ka dashur, madje ajo e ka urryer, kombin shqiptar, prandaj edhe kreu kundër tij një krim shumë të rëndë, pa iu dridhur qërpiku.

Këtë urrejtje e argumenton edhe historiani i nderuar gjerman Aleksandër Lambert në një intervistë të ribotuar më 30 prill 2012, në gazetën “Tribuna Shqiptare”. Në atë intervistë ai deklaron: 

“Evropa sabotoi historinë tuaj në shek. XIX kur Ilirinë e quajti Ballkan”.

Gjatë këtyre viteve të pluralizmit, përfaqësuesit e klasës politike që kanë hipur dhe zbritur nga pushteti në trekëndëshin Tiranë-Prishtinë-Shkup, nuk e kanë prekur as edhe një herë të vetme çështjen e ribashkimit kombëtar.

 Heshtja e tyre për këtë çështje kaq madhore, dëshmon fare qartë se kjo klasë politike vazhdon të ecë në hullinë e Enver Hoxhës dhe të Partisë Komuniste të Shqipërisë në qëndrimin ndaj çështjes kombëtare. Kohët e fundit kanë dalë në skenë dy formacione të reja politike, në Prishtinë pak më herët dhe në Tiranë gjatë vitit në vazhdim: është fjala për Vetëvendosjen dhe për Aleancën Kuq e Zi, të cilat e kanë shtruar haptas çështjen e ribashkimit kombëtar.

Në kushtet e krijuara pas shembjes së komunizmit në Evropën Lindore dhe ndryshimit të kufijve për krijimin e shteteve të reja, çështja e ribashkimit tonë kombëtar duhej të qe vendosur në rendin e ditës në trekëndëshin Tiranë-Prishtinë-Shkup. Por, për fat të keq, një gjë e tillë nuk ndodhi.

Festimi i 100-vjetorit të pavarësisë, ishte rasti më ideal që klasa politike mbarëshqiptare, në opozitë dhe në pushtet, të dilte e bashkuar para kombit shqiptar dhe të parashtronte botërisht platformën e ribashkimit të afërt të trojeve tona etnike në një shtet të vetëm kombëtar, duke denoncuar si akt armiqësor Traktatin famëkeq të Londrës të vitit 1913. 

Sepse ribashkimi i trojeve tona etnike është vetëm në duart e shqiptarëve. Por kjo klasë politike, frikacake dhe servile para faktorit grekosllav dhe para Evropës, nuk e bëri një gjë të tillë, prandaj edhe do të mbajë në ballë vulën e turpit në sytë e mbarë kombit shqiptar.

 Përgjegjësinë kryesore për mosparashtrimin e një platforme të tillë, e mban, para së gjithash, Shqipëria, si shteti amë për mbarë trojet tona etnike. 

Por, siç thotë Profesori i Universitetit të Oksfordit Xhejms Petifer, “Shqipëria ka qënë e paaftë të ribashkojë pjesët e copëtuara të territorit të saj” (Gazeta “Telegraf”. 08 maj 2012).

 Dhe paaftësia e Shqipërisë, e konkretizuar me doza të theksuara burracakërie dhe servilizmi, u manifestua fare qartë në përgjigjet që Tirana zyrtare i dha ministrit shovinist grek Avramopulos, i cili, me përçmimin karakteristik grek ndaj kombit shqiptar, na rekomandon që të shikojmë 100 vjet përpara, duke kërkuar që trojet tona etnike deri në Prevezë dhe krimet e kryera ndaj popullsisë çame, ne t’i hedhim pas krahëve.

 Tiranës zyrtare s’i mjaftoi burrëria për t’ia përplasur në fytyrë Avramopulosit shovinist se kufijtë tanë deri në Prevezë janë jo vetëm në kontektin historik, por edhe në kontekstin e ditëve tona. Në frëngjishte ka një shprehje: il grêl sur le persil (ai me të dobëtit është trim me fletë). 

Pra, Avramopulosi bëhet trim me fletë me politikanët burracakë dhe servilë të Tiranës. Por sikur Tirana zyrtare të kishte të tillë politikanë, që t’i jepnin një përgjigje burrërore, Avramopulosit do t’i shkonin tetë në qase. Se mbarë kombi shqiptar e di mirë se sa “trima” janë grekët. “Trimëria” e tyre është vetëm pabesia.

Në situatën e tanishme, copëzimi i faktorit shqiptar nëpër disa shtete, i diktuar me dhunë prej shovinizmit evropian në vitin 1913, të kujton principatat ilire që nuk u bashkuan kurrë me njëra-tjetrën për të përballuar fillimisht dyndjet e romakëve nga perëndimi dhe më pas të sllavëve nga veriu. 

Në këto kushte, faktori shqiptar në Evropën Juglindore, brenda vetes, ka rënë pre e provincializmit dhe e bajraktarizmit politik. 

Prandaj është e pamundur që një hallakatje e tillë e trojeve tona etnike nëpër disa shtete, të krijojë kushte të përshtatshme për krijimin e një shteti ligjor dhe të një klase politike me vetëdije të lartë kombëtare. Sepse shqiptarët e copëzuar dhe të përçarë do të vazhdojnë të mbeten peng i mendësive provincialiste dhe bajraktariste të deritanishme. 

Një komb shqiptar i përçarë, si deri tani, do të vazhdojë të fyhet, të poshtërohet, të shkelet me këmbë prej grekosllavizmit, siç ka ndodhur faktikisht që prej vitit 1913 e deri më sot.

Përçarja, nëse do të vazhdojë gjatë, do të ketë pasoja të rënda për mbijetesën tonë si komb. Prandaj ribashkimi i trojeve tona etnike është një domosdoshmëri historike. 

Gjatë vizitës së tij në Prishtinë më 25 tetor, Sekretari i Jashtëm anglez deklaroi se kufijtë në Evropën Juglindore janë të përfunduar. Kjo deklaratë të kujton një kryeartikull të revistës sovjetike “Novoje vremja” (Koha e Re), të botuar në maj të vitit 1985, me rastin e 40-vjetorit të fitores mbi nazifashizmin, dhe që titullohej: “Jalta nuk mund të rishikohet”. Por u desh që të kalonin vetëm gjashtë vjet që vendimet e Jaltës të përfundonin në rojtinat e historisë. Prandaj kufijtë në Evropën Juglindore nuk mund të vlerësohen të përfunduar, përderisa nuk janë ribashkuar trojet etnike shqiptare.

Shqiptarët, këta “nxënës të mbetur në klasë”në lëndën “Çështja e pazgjidhur kombëtare” 

Derisa ne shqiptarët nuk qemë të zotë të bashkoheshim për mbrojtjen e trojeve tona etnike, ne nuk e kemi dhënë “provimin” e lëndës më kryesore të shekullit që lamë pas. 

Prandaj ne jemi “mbetës në klasë”. Kjo për faktin se ne, siç thotë Gëte, nuk kemi mundur të gjejmë dot vetveten për të siguruar lirinë për çdo bashkatdhetar në krejt këto troje. Dhe kuptohet vetvetiu, për “mbetësin në klasë” nuk kanë fare respekt ata që ai ka rreth e rrotull.

 Prandaj kjo mungesë respekti ndaj kombit tonë është manifestuar me tërë egërsinë e vet jo vetëm mes fqinjve tanë, por edhe në mbarë Evropën Perëndimore. 

Pikërisht për shkak të asaj “mbetjes në klasë”, Evropa Perëndimore na quan “shqiptarë mendjelehtë”. Për ta argumentuar këtë që po them, po sjell një fakt konkret.

Drejtori i Radios "Kosova e Lirë", zoti Ahmet Qeriqi, shkruan lidhur me të ashtuquajturën “Marrëveshje e Ohrit”:
"Luftëtarët e lirisë nuk e mirëpritën marrëveshjen, meqë ishin qind për qind të bindur se autoritetet sllavomaqedonase njohin vetëm një gjuhë, atë të forcës, e cila i detyroi ta nënshkruajnë armëpushimin, në të cilin kreu i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare nuk diktoi kushte, edhe pse kishte forcë të diktonte dhe të mos i lëshonte armët nga dora, për shkak se në mënyrë direkte nuk ishte palë në bisedime… 

Dihet, po ashtu se asokohe, në Shkup, kishte shkuar Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, admirali Gregori Xhonson dhe i kishte bindur autoritetet e Qeverisë së Shkupit se nuk mund ta fitonin luftën kundër shqiptarëve, por mund ta ruanin shtetin e tyre, nëse do të nënshkruanin një marrëveshje, e cila do t’ i joshte shqiptarët mendjelehtë dhe do të ruhej status quoja edhe për një kohë të gjatë në këtë shtet të krijuar si Republikë Jugosllave në vitin 1945” (Citohet sipas faqes së internetit: “I robëruari s’ka ç’humb në luftë, përveç këmishës së zezë të robërisë”. 16 dhjetor 2009). 

Pra, admirali Xhonson, si Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, kishte shkuar në Shkup për të përcjellë mendimin e kristalizuar të Evropës se politikanët shqiptarët janë mendjelehtë dhe ata mund t'i joshësh fare kollaj me çdolloj marrëveshjesh në dëm të interesave të kombit shqiptar. 

Dhe, domosdo, për njerëzit mendjelehtë nuk ka kush respekt. Madje ata bëhen objekt talljesh dhe poshtërimi prej kujtdo. Prandaj edhe fqinjët tanë grekosllavë vazhdimisht janë tallur me ne. Shikoni tani se ç’qëndrim mban Serbia ndaj Kosovës. 

Serbia, si një shtet fashist, kreu masakra të përbindshme në Kosovë, vrau dhe shpërguli qindar mijëra njerëz, grabiti dhe shkatërroi pasurinë e Kosovës dhe dogji rreth 200 mijë shtëpi, minoritetin serb në Kosovë e shndërroi në një bazë dhe mbështetje të fuqishme të bandave fashiste të Millosheviçit dhe të Arkanit, duke armatosur me kallashnikovë edhe fëmijët e shkollave serbe të moshës 14-vjeçare (siç pati rrëfyer zoti Kadri Canaj, zëvendëskryeplaku i fshatit Grejkoc të komunës së Prizrenit në nëntor të vitit 1999, kur u ndodha atje si përkthyes i një grupi gazetarësh rusë).

Tani, kjo Serbia pasmillosheviçiane, në vend që të reflektojë për ato krime të rënda që kreu, ajo ka vite që po mban ndaj Kosovës një qëndrim hakërrues, deri në shpërfillje, në tallje, në poshtërim, duke e ngulur fort “gozhdën e Nastradinit” në Mitrovicën e Veriut. 

Ky qëndrin arrogant i Serbisë e ka burimin në vendimin e padrejtë që u mor në Marrëveshjen e Kumanovës. Kjo për faktin se Marrëveshja e Kumanovës ishte në favor të Serbisë dhe jo të Kosovës. 

Gjithmonë për shkak të shpërfilljes së politikanëve shqiptarë mendjelehtë, të cilët para politikanëve të huaj kanë aftësinë të gjunjëzohen vetëm me art. Sepse në Kumanovë duhej të ishte marrë një vendim i prerë për ndëshkimin e rëndë të Serbisë, si një shtet fashist dhe agresor, pikërisht si ai që u mor pas përfundimit të Luftës II Botërore kundër Gjermanisë naziste, e cila u nda në katër zona pushtimi. Kjo nuk u bë, sepse Evropa Perëndimore që asokohe e kishte parashikuar se pas përfundimit të luftës, ajo, me ndonjë përjashtim të rrallë, do të merrte tërësisht anën e Serbisë, siç edhe ndodhi në të vërtetë.

Tani, faktikisht, minoriteti serb Mitrovicën e Veriut e konsideron si pjesë të Serbisë. Dhe klasa politike që është në pushtet në Prishtinë, vazhdon të bëjë sehir.

Po bëhen 22 vjet që shteti grek vazhdon të tallet me “ngastrën londineze” që quhet Shqipëri. Athina, me ndihmën e tradhtarëve të brendshëm, hodhi në dorë drejtimin e kishës ortodokse ish-shqiptare, sot filial i kishës shoviniste ortodokse greke, dhe solli në krye të saj Anastas Janullatosin, armikun e betuar të kombit shqiptar. Në dhjetor të vitit 1990 ajo i shqeu kat e kat kufijtë me Shqipërinë për dyndjen në masë të emigrantëve shqiptarë drejt Greqisë. Dhe ka 22 vjet rresht që këta emigrantë i ka parë me syrin e agait dhe vazhdon t’i mbajë peng për realizimin e qëllimit kryesor të saj - aneksimin e Epirit të Veriut. Dhe klasa politike e Tiranës, gjatë gjithë këtyre viteve, ka vazhduar të zvarritet barkas para Athinës zyrtare, duke i bërë asaj lëshime pas lëshimesh që nuk mund të vlerësohen ndryshe, veçse si tradhti kombëtare.

Në disa analiza të mëparshme në internet, e kam theksuar disa herë se prapa varrezave të ushtarëve agresorë grekë, manastireve dhe memorialeve të ngritura pranë tyre, fshihen pelegrinët grekë që do të fillojnë të vijnë karvanë-karvanë gjoja për të nderuar ushtarët e tyre fashistë që lanë kockat gërxheve shqiptare në përleshje me trupat italiane. Dhe s’dola i gabuar.

 Më 28 tetor, karvani i pelegrinëve grekë zbriti në Këlcyrë, me pretekstin se do të përkujtonte, demek, festën kombëtare të Greqisë, 28 tetorin. Pra, pelegrinët dhe mjetet e informimit masiv në Greqi, i dhanë të kuptonte opinionit publik grek se ata po e përkujtojnë festën kombëtare të fitores mbi fashizmin Italian, në Këlcyrë, që është pjesë e territorit të Vorio-Epirit, pra e territorit grek.

 Po ku ishte populli i Përmetit? Pse nuk u ngrit më këmbë dhe t’u vinte drunë pelegrinëve shovinistë grekë që kishin ardhur për të na poshtëruar ditën për drekë? Bëri shumë mirë Aleanca Kuq e Zi dhe Vetëvendosja që protestoi në Këlcyrë, por do të kishte qenë më mirë që të ishte pajisur edhe me vare për copëtimin e varrezës greke në Këlcyrë dhe kryqet janullatiste t’i flakte në lumin e Vjosës.

Lëshimet që klasa politike e Tiranës i ka bërë shtetit grek për kishën ortokse ish-fanoliane, për Himarën, për Korçën, për varrezat, memorialet dhe manastiret e ngritura për ushtarët fashistë grekë, për shkollat greke ku nuk ka minoritarë, për kufirin detar etj., pa llogaritur këtu pozitat kyçe që i ka lënë në dorë atij shteti në sferën e ekonomisë, janë me të vërtetë skandaloze.

Klasa politike shqiptare e trekëndëshit Tiranë-Prishtinë-Shkup i ka bërë lëshime të pafalshme shtetit maqedonas në qëndrimin ndaj popullit shqiptar të Maqedonisë. 

Atje Marrëveshja e Ohrit nuk u zbatua, shqiptarët keqtrajtohen, kërcënohen, burgosen, masakrohen, vriten nga autoritetet e shovininizmit maqedonas, kurse klasa politike e trekëndshëshit në fjalë vazhdimisht ka heshtur.

 Duke ndjekur skenat e keqtrajtimit të popullit shqiptar të Maqedonisë nga ana e qeverisë së Grujevskit, Kryeministri i Republikës së Turqisë, zoti Erdogan, u detyrua të deklaronte:

“…trupat kombëtare turke janë në gatishmëri dhe do ndihmojnë shqiptarët për çlirimin e trojeve shqiptare” (Citohet sipas faqes së internetit: “Kryeministri turk Erdogan: Kërcënon me shpërbërje të Maqedonisë dhe Ballkanit nëse te drejtat e shqiptarëve nuk merren parasysh”. 18 maj 2012).

Kjo deklaratë e Kryeministrit Erdogan është një dackë e fortë për tradhtinë e klasës politike mbarëshqiptare.
Siç shihet nga sa u parashtrua më sipër, shqiptarët, të vetmit në Evropë, në mbarë trojet e tyre etnike, për shkak të tradhtisë së klasës së tyre politike, vazhdojnë të mos jenë të lirë.

Filozofi dhe sociologu britanik Spenser (Herbert Spencer - 1820-1903) thotë:

“Askush nuk mund të jetë krejtësisht i lirë, derisa liria nuk është arriur për të gjithë”. 

Ura e Ibrit vazhdon të mbetet e bllokuar dhe banorët shqiptarë të jugut të Mitrovicës nuk lejohen të kalojnë drejt veriut. Pra, atyre u mohohet liria e lëvizjes. Pra, liria e tyre, liria e shumicës absolute, vazhdon të mbetet e cënuar për qejfin e pakicës serbe në veriun e Mitrovicës, një pakicë kriminale kjo, që bashkëpunoi ngushtë me trupat fashiste serbe që masakruan popullin shqiptar të Kosovës në fundin e viteve ’90 të shekullit të kaluar. 

Populli shqiptar i Maqedonisë e ka të cënuar lirinë në kushtet e bashkëjetesës së detyruar me shovinizmin maqedonas. Faktet e muajve të fundit janë dëshmia më e qartë e shtypjes së lirisë së tij. 

Popullsisë shqiptare të Preshevës dhe të Malit të Zi i mohohet e drejta për mbajtjen e simboleve kombëtare, studentëve të tyre nuk u njihen diplomat që kanë marrë në universitetet e Shqipërisë Londineze.

Popullsisë çame nuk i lejohet të shkojë dhe të vizitojë vatrat stërgjyshore në Çamëri, nuk i lejohet të ngushëllojë shpirtrat e lënduar pranë varreve të të parëve të vet, të kujtojë në trojet amtare viktimat e fashizmit grek të qershorit të vitit 1944. Pasaportat e çamëve policia kufitare greke i gris si pa gjë të keqe dhe Tirana zyrtare luan rolin e shurdhmemecit para një skandali të tillë.

Ndërkohë, autoritetet e Shqipërisë Londineze e lejuan shovinizmin grekomadh të ngrejë varreza, memoriale dhe manastire për ushtarët fashistë grekë, të cilët, në vitin 1940, fill pas hyrjes në territorin shqiptar, kryen masakra dhe na shkatërruan dhjetra objekte kulti. 

Deputetë dhe politikanë grekë hyjnë e dalin në Shqipëri kur u do qejfi, duke u sjellë sikur janë në shtëpinë e vet. Dhe kjo ndodh se klasa politike e Tiranës, në raport me Greqinë, e ka kthyer Shqipërinë në një “shtëpi publike” që s’ka as portë e as derë. Deputeti neonazist grek vjen serbes-serbes në Bularat si në çifligun e vet dhe lëshon thirrje shoviniste, kurse shqiptarët s’ndihen, rrinë urtë si delet e Krishtit. Ja si e poshtërojnë grekët popullin shqiptar, për shkak të burracakërisë dhe të servilizmit të klasës politike shqiptare.


Ky poshtërim që na bëjnë serbët dhe grekët është pasojë e “mbetjes sonë në klasë”, është pasojë e mendjelehtësisë së klasës politike mbarëshqiptare, e cila gëzon përkrahjen dhe simpatinë e Evropës. 

Sepse me këtë klasë politike Evropa e ka fare të lehtë ta mbajë më këmbë veprën kriminale që kreu kundër kombit tonë në vitin 1913. Se dashuria e saj ka qenë dhe vazhdon të jetë përvëluese për të krishterët sllavogrekë të Evropës Juglindore, të cilët i majmi mirë me trojet tona etnike.

 Prandaj ka një marrëveshje të heshtur mes Evropës dhe përfaqësuesve kryesorë të klasës politike mbarëshqiptare: mos e hapni gojën për Shqipërinë etnike dhe do të keni përkrahjen time për të qëndruar në pushtet.

Presidenti i gjashtëmbëdhjetë i SHBA, Abraham Linkoln (1809-1865), thotë:

“Delja dhe ujku e kuptojnë në mënyra të ndryshme fjalën “liri”, pikërisht këtu qëndron thelbi i mosmarrëveshjeve që mbizotërojnë në shoqërinë njerëzore”. 

Prandaj klasa politike mbarëshqiptare e percepton lirinë e kombit shqiptar me instinktin e deles, kurse sllavogrekët arrogantë lirinë e tij e perceptojnë me instinktin e ujkut. Kjo është edhe arsyeja që klasa politike mbarëshqiptare parapëlqen të luajë rolin e deles, vetëm e vetën që të qëndrojë sa më gjatë në pushtet.

Në gjendjen ku klasa politike mbarëshqiptare e ka katandisur nderin dhe dinjitetin e kombit shqiptar, të nëpërkëmbur prej Evropës dhe prej faktorit agresiv sllavogrek, ribashkimi i trojeve tona etnike është e vetmja zgjidhje për të dalë nga bataku i shpërfilljes dhe i përbuzjes ku kemi përfunduar.

Vetëm ribashkimi i trojeve etnike shqiptare do të bëjë të mundur daljen në skenë të një tjetër klase politike me nder dhe me dinjitet kombëtar. Ai do të krijojë kushte të përshtatshme për emancipimin e mbarë kombit shqiptar, për zbulimin e vlerave të fisnikërisë së tij shekullore, do të zgjojë energji krijuese të jashtëzakonshme, do të vërë në vend dinjitetin e individit dhe do të bëhet mburojë e fuqishme për mbrojtjen e lirisë së tij. Vetëm ribashkimi kombëtar do ta çlirojë individin nga mendësitë provincialiste patriarkale, nga skllavëria e shpirtit, nga pesha e servilizmit para bajraktarizmit partiak. 

Filozofi dhe poeti i lashtësisë romake, Seneka (4 p.e.r - 65 e.r.), thotë:

“Nuk ka skllavëri më të turpshme sesa skllavëria e shpirtit”.

Prandaj vetëm ribashkimi i krejt trojeve tona etnike do të krijojë kushte për çprangosjen e shqiptarit nga skllavëria e shpirtit para bajraktarit partiak dhe për ngritjen e dinjtetit të tij në lartësitë e një qytetari me vetëdije të përkryer kombëtare. 

Ky ribashkim do të krijojë kushte shumë të përshtatshme për shmangien përfundimtare të përçarjes katastrofike që mbizotron mes shqiptarëve për shkak të morisë së partive të panumërta që janë krijuar, të cilat në programet e tyre, me përjashtim të Aleancës Kuq e Zi, as që e përmendin fare zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare. 

Ribashkimi i trojeve tona etnike do të vendosë në panteonin e kombit shqiptar të gjitha figurat e shquara që sakrifikuan gjithçka për mbijetesën e tij në shekuj. Vlerësimi i këtyre figurave do të bëhet me objektivitet shkencor dhe jo sipas shijeve partiake, siç u vu re edhe me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë.

Ribashkimi i trojeve tona etnike do të krijojë kushte të shkëlqyera që klasa politike mbarëshqiptare, në pushtet apo në opozitë, të jetë e çliruar përfundimisht nga kompleksi i inferioritetit para të huajve, i cili klasën e tanishme politike e ka karfosur keq në çdo pore të saj.

Ky kompleks i mallkuar inferioriteti, është burim i mosrespektimit të theksuar që sllavogrekët vazhdojnë të ushqejnë ndaj nesh. Prandaj edhe në gjirin e tyre ata kanë vazhduar të mbajnë më këmbë struktura fashiste për qëllime diversioni kundër etnisë shqiptare në gadishullin tonë. 

Në Greqi vazhdon të funksionojë organizata fashiste terroriste “Mavi”, e cila, me përkrahjen e fuqishme të kishës shoviniste greke dhe të shtetit grek, ka ushtruar një aktivitet të dendur brenda Greqisë kundër Shqipërisë së Jugut, të shoqëruar edhe me akte terroriste, siç ishte inkursioni fashist i saj në Peshkëpi të Gjirokastrës në vitin 1994.

Nuk është rastësi që pikërisht në Greqi u krijua një parti fashiste me emrin “Agimi i Artë” dhe deputetët e saj fashistë kanë 21 vende në parlamentin grek. Kjo parti është trashëgimtare e organizatës fashiste “17 nëntori”, e cila ka funksionuar gjatë shumë dhjetëvjeçarëve pikërisht me bekimin e shtetit shovinist grek, prandaj edhe asnjëherë nuk u bë objekt hetimi nga ana e organeve të drejtësisë.

 Një fakt i tillë dëshmon fare shkoqur se prirjet fashiste gjejnë një terren ushques në radhët e popullit grek. Dhe Evropa hesht për këto struktura fashiste që krijohen në Greqi.

 Dyshoj se Evropa, falë dashurisë përvëluese që ushqen për Greqinë, mund t’i falë asaj edhe borxhet shumëmiliardëshe, që ajo ta marrë veten para frymës nacionaliste në rritje që po vihet re në radhët e kombit shqiptar pas festimit të 100-vjetorit të pavarësisë.

Ndërkohë, Serbia, brenda shtetit, kishte të organizuara dhe të mirëtrajtuara bandat e Arkanit që kishin si qëllim kryerjen e masakrave në Kosovë dhe mbajtjen e popullit shqiptar të Kosovës nën psikologjinë e terrorit.
Në kushtet e një shteti të bashkuar kombëtar, sllavogrekët nuk do të kenë më mundësi të tallen me etninë shqiptare siç vazhdojnë të tallen deri tani. Madje ata do t’i bëjnë hesapet mirë se si duhen ndërtuar marrëdhëniet me një shtet të bashkuar shqiptar me 10 milionë banorë.

Misionin e shenjtëruar për ribashkimin e trojeve tona etnike mundet dhe duhet ta marrë përsipër vetëm rinia shqiptare, që është “shpuza” e kombit shqiptar, dhe ato parti politike, të cilat, në programet e tyre, kanë si objektiv kryesor pikërisht krijimin e një shteti të bashkuar mbarëkombëtar. 

Prandaj duhet përkrahur fuqimisht nisma e Aleancës Kuq e Zi dhe e Frontit për Bashkim Kombëtar që u ndërmor në Morinë më 28 nëntor për mbledhjen e firmave në të dyja Shqipëritë për zhvillimin e referendumit për shkrirjen e tyre në një shtet të vetëm. 

Për arritjen e këtij objektivi një rol të pazëvendësueshëm do të luajë Fronti për Bashkimin Kombëtar. Mbështetje e fuqishme e tyre duhet të bëhen intelektualët me vetëdije të lartë kombëtare. Midis intelektualëve shqiptarë, për fat të keq, ka edhe një dorë syresh frikacakë, disfatistë apo edhe argatë të grekosllavizmit, të cilët nuk e duan bashkimin e trojeve tona etnike. Madje ka edhe nga ata që duan ta përçajnë kombin shqiptar, duke shpikur brenda tij “kombin” kosovar. 

Prandaj ka shumë të drejtë zoti Ajet Nuro, i cili, në një artikull të paradokohshëm, të botuar në “Tribunën Shqiptare”, kushtuar 100-vjetorit të pavarësisë, thotë se këta tipa janë edhe më të rrezikshëm sesa politika serbe e përçarjes së kombit shqiptar. Kurse disa pseudointelektualë të tjerë deklarojnë se na qenka absurde të flitet tani për ribashkimin e trojeve tona etnike. 

Qytetarët e Gjermanisë Lindore nuk pritën sa të “piqeshin” kushtet për ribashkimin me Gjermaninë Perëndimore apo derisa t’i mbushej mendja Moskës për tërheqjen e armatës pushtuese prej 370 mijë trupash që mbante atje. Përkundrazi, ata rrëmbyen qysqitë dhe varetë dhe iu turrën murit të Berlinit për ta hedhur në tokë, duke e bërë fakt të kryer ribashkimin e dy Gjermanive.

Gazetari grek Panajoti Savidi, në numrin e gazetës “Proto Thema” të datës 4 nëntor 2012, pati botuar një artikull me titull “Ekstremisti i djathtë shqiptar që trondit Athinën”, duke sulmuar ashpër kreun e Aleancës Kuq e Zi, zotin Kreshnik Spahiu, i cili ka deklaruar se kufijtë tanë shkojnë deri në Kostur dhe në Prevezë.

Grekët, bashkë me Athinën, nuk kanë pse tronditen se zoti Spahiu nuk ka shprehur pretendime shoviniste ndaj ndonjë territori autokton grek. Ai ka thënë një të vërtetë që dihet botërisht. 

Poeti mitik i këngës labe, zoti Lefter Çipa, në një poezi atdhedashurie thotë se shqiptarët nuk kërkojnë më shumë “sesa ka krahët shqiponja, katër vilajetet tona”. Prandaj grekët dhe larot e tyre kudo që janë, le ta marrin vesh mirë se Arta, Preveza, Kosturi, Janina, Filati, Konica etj., për ne janë simbole kombëtare, ashtu siç janë simbole edhe qytete të tjera shqiptare që vazhdojnë me Manastirin, Shkupin, Preshevën e deri në Mitrovicë, Tivar dhe Ulqin.

Presidenti i Serbisë Nikoliç u ngrit e shkoi në Athinë, ku u takua me homologun e tij grek Papulias. Në atë takim të datës 9 nëntor 2012, ata i premtuan njëri-tjetrit se nuk do ta njohin pavarësinë e Kosovës. 

Ky fakt dëshmon se kombi shqiptar në veri dhe në jug ka dy shtete armiq. Kjo armiqësi, e egër në realitet, por e maskuar me gjethen e fikut të fqinjësisë “së mirë”, zë fill që prej vitit 1844, me dekretimin e platformave të “Naçertanies” dhe të “Megaliidesë”, që kishin si qëllim zhvatjen e territoreve shqiptare. Ky unitet armiqësor grekosllav kërkon të ruajë me ço kusht territoret shqiptare që na u rrëmbyen me bekimin e Evropës që në vitin 1913. 

Mirë do të ishte që klasa politike mbarëshqiptare të hiqte dorë nga politika e servilizmit ndaj Evropës. Kjo për faktin se servilizmi është i pështirë për këdo. Servilizmi i kësaj klase politike na ka ulur autoritetin në sytë e Evropës, e cila shqiptarët i quan mendjelehtë. Mendjelehtë, në të vërtetë, nuk është populli shqiptar, i cili dallohet për krenari, atdhetarizëm dhe zgjuarsi të admirueshme. Mendjelehtësia është tipar karakteristik i klasës së tij politike që manifestohet në mënyrën më të shëmtuar në marrdhëniet me Evropën. Servilizmin e klasës politike shqiptare Evropa e përcjell me një buzëqeshje të shtirur, prapa së cilës fshihet shpërfillja dhe përbuzja.

 Evropa do të na respektojë vetëm atëherë kur ne të gjejmë vetveten, të ribashkojmë trojet tona etnike dhe të krijojmë një shtet të konsiliduar mbarëshqiptar.

 Pa arritjen e këtij objektivi, nuk ka dhe nuk do të ketë qetësi në gadishullin tonë. Këtë e pranon madje edhe një ushtarak i një supershteti, siç është Federata Ruse, trashëgimtarja e politikës cariste ndaj kombit shqiptar, armike e betuar e kombit shqiptar, siç del fare qartë në një libër me titull “Antologjia e kryqëzimit. Rusia dhe çështja shqiptare. 1878-2012”, të përgatitur prej dr. Islam Lauka, ambasador i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, dhe prej meje dhe të botuar në Prishtinë në kuadrin e 100-vjetorit të pavarësisë.

Një një intervistë që i ka dhënë para do kohësh Raditelevizionit të Serbisë, gjenerali rus Leonid Ivashov ka deklaruar:

“Tash për tash nuk shoh perspektivë stabiliteti në rajon dhe kjo vlen edhe për Serbinë. Ndonëse në disa analiza të mia, kur mendoj edhe problemin e Kosovës, shpesh si garant stabiliteti dhe ardhmërie shoh projektet shtetërore të Serbisë së Madhe, Shqipërisë së Madhe dhe të Kroacisë së Madhe. Kjo do të ishte bazë e stabilitetit dhe të paqes në Ballkan” (Citohet sipas faqes së internetit të zotit Paul Tedeskini me titull: “Gjenerali rus Ivashov: "Serbia e Madhe, Shqipëria e Madhe dhe Kroacia e Madhe, garanci stabiliteti në Ballkan”. 09 nëntor 2012).

Së fundi, ribashkimi i trojeve tona etnike dhe krijimi i shtetit të konsoliduar shqiptar, do të krijojë kushte të padiskutueshme për vënien para përgjegjësisë juridike të dy shteteve fashiste që kanë kryer gjenocid dhe shkatërrime të pallogaritshme në dëm të kombit shqiptar. 

Së pari, do të kërkohet ndëshkimi i Greqisë, e cila në qëndrimin ndaj popullsisë shqiptare të Çamërisë u rreshtua përkrah nazifashizmit, duke ushtruar ndaj saj një gjenocid të pashembullt në historinë e njerëzimit. 

Shtetit shovinist grek do t’i kërkohet kompensim për gjenocidin e ushtruar dhe për shkatërrimin e pronës së popullsisë në fjalë. Veç kësaj, varrezat, manastiret dhe memorialet që shteti shovinist grek, me pararojën e vet Janullatos, ngriti në nderim të ushtarëve agresorë grekë, do të zhduken nga territori i Shqipërisë së Jugut.

Së dyti, do të kërkohet ndëshkimi juridik i Serbisë për gjenocidin e ushtruar në Kosovë dhe kompensimi i të gjitha shkatërrimeve që kreu atje në fundin e viteve ’90 të shekullit të kaluar. Në historinë e së drejtës ndërkombëtare, krimet kundër njerëzimit nuk parashkruhen.

Santa Barbara, Kaliforni
03 dhjetor 2012.

“The Guardian”: Haradinaj synon “ta udhëheq sërish vendin”





Ramush Haradinaj i kaloi tetë vjet si akuzuar për krime lufte, para se të shpallej i pafajshëm. Por, tani në Ballkan pritet që të ketë një krizë të re lidhur me disa dyshime për një marrëveshje të Beogradit për ndjekjen penale të tij.

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj – i cili u shpall i pafajshëm nga Gjykata për Krime të Luftës në Hagë, të enjten, më 29 nëntor, pasi kishte qenë i akuzuar për tetë vite dhe pasi që ishte gjykuar – tha të shtunën se synon “ta udhëheq sërish vendin tim”. Kryeministri aktual tani është tërhequr, për të lënë hapësirë që Haradinaj të kthehet në detyrë në fillim të janarit.

Për akuzën shumë të rëndë, Haradinaj tha se besonte se akuzimi i tij kishte qenë “rezultat i marrëveshjes në mes të Hagës dhe qeverisë së Serbisë, në të cilën unë isha monedhë për kusuritje”. Akuza e paralajmëruar kundër ish-kryeprokurores Carla Del Ponte – e cila për momentin është hetuese e OKB-së për të drejtat e njeriut për Sirinë – pritet të shkaktojë një tronditje të madhe.

Haradinaj është pritur në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, nga një turmë prej mbi 100.000 vetash. Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë vitit të shpalljes së pavarësisë i kishte thënë gazetës “Observer” në një intervistë ekskluzive, se “kjo ishte edhe një fazë tjetër në përvojën time të gjatë dhe të vendit dhe popullit tim". “Po tani kjo ka marrë fund. Populli ynë ka kaluar nëpër vuajtje të mëdha dhe plani im tani është që të bëhem kryeministër i Kosovës dhe të ndërtoj shoqërinë dhe ekonominë tonë për të gjithë kosovarët – shqiptarët, serbët, romët, për të gjithë."

Haradinaj ka qenë udhëheqës i luftës së armatosur në fund të viteve të ‘90-ta, por shpejt kaloi në politikë. Ai ishte akuzuar pas 100 ditësh si kryeministër, duke dhënë dorëheqje, për t’iu dorëzuar gjykatës. “Gjatë tërë kohës e kam ndjerë se kjo ishte padrejtësi,” thotë ai. “Gjithë këto vite jam ndjerë se kam qenë monedhë për kusuritje në marrëveshjen e bërë në Beograd." Ai thotë se ishte akuzuar si rezultat i “kompromisit që disa kishin bërë me qeverinë serbe në Beograd, për të siguruar që ata të ekstradonin të dyshuarit e rangut të lartë serbë për krime lufte".

Shpallja e pafajësisë, po ashtu, shënon një moment potencial shpërthyes në tërë Ballkanin. Duke iu drejtuar masës, Haradinaj e vuri shpalljen e tij si të pafajshëm në kontekst politik, duke deklaruar se ajo nënkuptonte se “lufta jonë ishte e drejtë dhe e pastër”.

Megjithatë, drejtori i zyrës së Serbisë për Kosovën në Beograd, Aleksandër Vulin, tha se lirimi do të mund të fundoste negociatat për Kosovën. "Si mund të diskutojmë për personat e zhdukur, për viktimat dhe për pronën e uzurpuar nëse përballë nesh do të jetë i ulur dikush i cili me të drejtë ishte akuzuar për kidnapime dhe vrasje?", pyeti ai.

Por, kryeministri serb, Ivica Daçiq, këshilloi: "Përkundër të gjithave, është në interes të Serbisë që të vazhdojnë bisedimet me Prishtinën, për shkak të integrimit në BE."

Haradinaj insistoi në “Observer”: "Dialogu është pa dyshim e vetmja rrugë drejt stabilitetit dhe demokracisë në rajon dhe në vendin tonë. Absolutisht, bisedimet duhet të vazhdojnë."

Lirimi i Haradinajt vjen pas lirimit të Naser Oriçit të Bosnjës – komandant i Srebrenicës së shkatërruar – dhe pas lirimit të kohëve të fundit të gjeneralit kroat, Ante Gotovina, duke i dhënë kështu fund strategjisë së tribunalit për ndjekjen e ‘balancuar’ të të gjitha palëve në konflikte.

Haradinaj ishte akuzuar në mars të vitit 2005, për shkak të gjoja lidhjes me trupat e hedhur afër një liqeni dhe për shkak të rolit që supozohej se kishte pasur në tortura dhe vrasje në kampin e UÇK-së në Jabllanicë. Ai ishte pas gjykimit të parë, ku rasti i prokurorisë ishte hedhur poshtë për një varg arsyesh, përfshirë edhe për shkak të dëshmisë se tetë nga të vdekurit për herë të fundit ishin parë se kishin qenë të burgosur nga forcat serbe. Megjithatë, gjykata urdhëroi që të bëhet rigjykimi, duke pranuar ankesën se dëshmitarët mund të kenë qenë të frikësuar dhe për të paraqitur dëshmitarë të tjerë. “Dëshmitë” e reja më vonë u dëshmuan si të fabrikuara dhe të pabazuara.

Tani pyetja e rëndësishme se pse u akuzua Haradinaj është shumë kundërthënëse. Një prej ish-prokurorëve të lartë të Del Pontes, Sir Geoffrey Nice – prokuror kryesor në Gjykimin e ish-kryetarit të Serbisë Sllobodan Milosheviq – pajtohet me shprehjen e Haradinajt për “monedhën për kusuritje. Ishte e qartë se prokurorja ishte e vendosur ta ndiqte penalisht Haradinajn,” tha ai. "Mund të ndodhë që ajo po u përgjigjej ankesave për numrin jo të mjaftueshëm të kosovarëve që po ndiqeshin penalisht.

"Ishte shumë e qartë se ajo do të bënte çmos për të kapur Karaxhiqin dhe Mlladiqin," shtoi ai. "Dhe kur ndaleni tani dhe i shikon të gjitha këto, duhet të pyesësh: “A janë këto gjëra të ndërlidhura në mënyrë të rafinuar?” Një gjë është të thuhet se dikush do të ndjek penalisht persona nga të gjitha palët në konflikt; por testimi i dëshmive të mjaftueshme për të arsyetuar ndjekjen penale të dikujt duhet gjithmonë të mbetet i njëjtë. Prokurorët nuk munden që thjesht të ndjekin dikë penalisht vetëm pse me duan çdo kusht ta shohin atë të akuzuar – ose sepse ketë e dëshiron dikush tjetër."

Në autobiografinë e saj, Del Ponte përkujton se si Beogradi e ndërlidhte dorëzimin e Mlladiqit me qëndrimin e Serbisë për Kosovën – “duke mos e arrestuar Mlladiqin," shkruan Del Ponte, "sepse Beogradi do të bënte dorëzimin e tij në këmbim të garancive nga bashkësia ndërkombëtare se Kosova do të mbetej pjesë e Serbisë". Del Ponte tregonte se si i ishte përgjigjur ajo presionit të kryeministrit të Serbisë Vojisllav Kostunica duke i premtuar atij "një akuzë deri në fund të vitit (2004) kundër një komandanti të lartë".

Komandanti që do të mund ta bënte Kosovën e pavarur ishte Haradinaj, i mbështetur nga bashkësia ndërkombëtare si person për të udhëhequr shtetin e ri.

Kur Haradinaj dha dorëheqje, burrat e shteteve u rreshtuan për të lavdëruar atë që nënkryetari i SHBA-së Joseph Biden e përshkroi si “largim të tij të dinjitetshëm”. Biden kishte thënë: "Udhëheqësit serbë në Beograd privatisht ia kishin pranuar se nga të gjithë udhëheqësit politikë kosovarë, ishte Haradinaj ai me të cilin ata do të mund të negocionin me nivelin më të lartë të besimit."

Sekretari i jashtëm britanik, Robin Cook, shprehu keqardhjen për humbjen e një “avokuesi të tolerancës”, siç bëri edhe ish-përfaqësuesi special i OKB-së në Kosovë, Soren Jessen-Petersen, në kohën kur "Kosova është më afër se kurrë ndonjëherë më parë që të realizojë aspiratat e saj".

Megjithatë, "janë pikërisht këto kualifikime që e bënë Haradinajn njeriun që serbët donin ta hiqnin qafe në përpjekjet e tyre për ta penguar funksionimin e pavarësisë së Kosovës," thotë avokati i tij, Ben Emmerson.

Rasti i ishte caktuar njërit prej avokatëve më të shquar të Hagës, Andreë T Cayley. "Ishte një rast shumë shumë i vështirë për t’u hetuar në terren," i kishte thënë Cayley gazetës Observer, "më vështirë se në çdo vend tjetër të ish Jugosllavisë." Por, në vitin 2004, Cayley theksoi se ndihej "nën një presion gjithnjë e më të madh për të dalë me diçka... pothuaj sikur të isha duke e vënë në dyshim një rezultat të paracaktuar.”

"Pas shqyrtimit të hollësishëm të dëshmive që ishin në dispozicion, unë e shkrova një raport të gjerë për prokurorin, duke theksuar se në atë fazë ne nuk mund të ngrinim padi në bazë të dëshmive që kishim."

Megjithatë, raporti "u ndryshua menjëherë në zyrë. Pati një hidhërim të madh për qëndrimin tim dhe unë u qortova. Por, unë thashë: ‘Kam përgjegjësi etike, ligjore dhe morale këtu." Cayley shton: "Po të kishte qenë kjo ndjekje penale në ndonjë shtet, do të duhet të zhvilloheshin hetime publike për të."

Në të vërtetë, ish-drejtori i Prokurorisë Publike, Lord Madonald of River Glaven, tha dje se: "Kjo ndjekje penale ishte një përpjekje e marrë për të barazuar rezistencën me agresionin. Ky ishte turp për bashkësinë ndërkombëtare."

Ndrydhja e raportit të Cayley shkaktoi rebelim. Dy prokurorë të lartë në zyrën e Del Pontes, Sir Geoffrey dhe Mark Harmon – amerikan i cili kishte siguruar dënime të rëndësishme kundër kryesve të masakrës së Srebrenicës – i shkroi Del Pontes, duke kërkuar që akuza është dashur të shqyrtohej nga ekspertët.

Këta dy persona theksuan se ishin të vetëdijshëm për dënimet që iu kanoseshin “atyre që kishin konstatuar se nuk kishte rast"; ata konsideronin se padia do të kishte “pasoja të rënda në rajon” dhe do t’i përkeqësonte atë që ata e quanin “atmosferë vazhdimisht të pakëndshme" në zyrën e prokurores.

Ekzistonte edhe shqetësimi ndërkombëtar për dëshmitë. Sipas një biografie tjetër nga zëdhënësja e Del Pontes, Florence Hartmann, e ngarkuara e departamentit të shtetit të SHBA-së për Evropën, Kathleen Stevens, kishte pyetur: "A ua ka dhënë Beogradi dëshmitë tuaja?" Burimet e tjera e kishin vënë në pah dyshim se dëshmitë ishin "fabrikuar nga shërbimet informative serbe".

Ben Emmerson pyet: "Si ka mundur prokuroria të bazohet aq shumë në dosjen me dëshmi të mbledhura nga shërbimi famëkeq informativ serb... dhe pastaj të vazhdohet në bazë të këtyre akuzave përkundër këshillave nga prokurorët e vet të lartë se kundër z. Haradinaj nuk kishte rast për ta gjykuar?".

Për gjykimin e dytë ishin dy dëshmitarë: Dëshmitari '80' dhe '81'. Dëshmitari ‘80’ e përshkroi një incident të tmerrshëm, por e ndryshoi rrëfimin e tij duke thënë se Haradinaj nuk kishte qenë aty. Por, Cayley thotë se e kishte “këshilluar prokurorin, në vitin 2004, që dëshmitari ‘80’ nuk ishte aspak i besueshëm".

Dëshmitë që dëshmitari ‘80’ ia kishte dhënë pjesëtarit të shërbimit informativ serb, po ashtu ishin hedhur poshtë. "Dosja i ishte dorëzuar Hagës nga serbët," thotë Emmerson. "Pyetja është se: kush e ka vënë atë aty dhe pse?".

Del Ponte nuk i është përgjigjur gazetës “Observer” lidhur me pretendimin se ka pasur marrëveshje, por i ka thënë agjencisë Tanjug në Beograd se nuk e kishte “befasuar” vendimi i së enjtes.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...