2012-12-06

SHQIPERIA ETNIKE





 
Vullnet Mato
 
SHQIPËRIA ETNIKE
 
Dëgjojmë të lakohet fjala “Shqipëri e Madhe”,
epiteti keqdashës kundër dëshirës për bashkim,
që na kanë ngjitur gojët e liga të grabitqarëve,
nga koha kur ata shqyen trojet tona me tërbim. 
 
Dhe u ranë daulleve me gjëmime të frikshme, 
duke shpërthyer nga armët flakë dhe tym të zi, 
për t’i mbyllur gojën klithmës sonë të ligjshme, 
sa herë padrejtësive të mëdha u kërkuam liri.
 
Nuk ka dhe nuk ekziston “Shqipëria e madhe”,
por në hapësirën e lashtë të shtrirjes ballkanike,
mbijeton në mijëravjeçarë atdheu i shqiptarëve,
kombi me rrënjë natyrale, Shqipëria jonë etnike.   
 
Ashtu siç nuk ka në Evropë, Gjermani të madhe,
Vietnam të madh, e Kore që kërkon rritje në Azi,
nuk ka e s’mund të ketë pretendime territoriale, 
aty ku kombi me gjuhë dhe troje quhet Shqipëri.
 
Jo më kot në ndarjen kufitare, i mençuri Telini,
hidhte mbi turma fëmijësh monedhat e argjendit,
të vërtetonte te britmat e tyre gjuhën që flisnin,
deri sa e vranë pabesisht, trojet të na rrëmbenin. 
 
Kudo ku flitet shqip dhe buka s’ka emra të tjerë,  
nuk quhet “hleb” as “leba” as “psomi” nuk i thonë, 
ku nusen e prin flamuri që ka shqipen me dy krerë,
gjendet përjetësisht e patjetërsuara Shqipëria jonë. 
 
Pavarësisht nga piramidat dhe tabelat orientuese,
që vunë zhvatësit në trojet e të parëve të këtij vëndi, 
nuk mund t’i mohohet shqiptarit gjeneza ekzistuese,    
aty ku bën hije mbi shkëmb, qëkur u krijua shkëmbi.     

UNE I KAM SHUME BORXH SHQIPERISE


Mirdash Shehu
      Mirdash Sehu

Kohët e fundit u njoha me Mirdash Shehun, të birin e shumë të njohurit Mirdash Shehu, studjues dibran i zellshëm, autor i dhjetra vëllimeve që pritet të botohen, i dënuar me 10 vite burg, autor i Këngës së Burgut, që shumë të burgosur shqiptarë në diktaturë e patën himn lirie.

Përveç të tjerave, mësova se Mirdash Shehu, njohës shumë i mirë i frengjishtes, të cilën ia ka mësuar i ati në fëmijëri, ka përkthyer një libër të veçantë, “Shqipëria në 1921”, të francezit të shquar, mik i paqes dhe lirisë, adhurues i shqiptarëve, Justin Godart.

Mësova gjithashtu se parathënien këtij libri ia ka shkruar senatori i shquar francez, nobelisti i paqes i vitit 1909, D’estournelles De Constant. Dhe sa lexova fjalinë e parë të kësaj parathënie, u mrekullova. Sepse ai në fjalinë e parë përcjell gjithë dashurinë, mirënjohjen dhe drejtësinë për ne shqiptarët dhe atdheun tonë, gjithë detyrimin që Europa dhe më gjërë i kanë Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Bashkë me përkthyesin e librit “Shqipëria në 1921”, Mirdash Shehun dhe mikun tim Izet Duraku vendosëm që këtë libër ta fusim në proces botimi, që lexuesi shqiptar të mësojë për ndarjen e coptimin e Shqipërisë, për caktimin e kufinjve të saj para 100 vitesh, për kurthet dhe ligësitë e fqinjëve, për punën e dashurinë e miqve dhe adhuruesve të saj francezë. (Rexhep Shahu)


D’ESTOURNELLES DE CONSTANT
(Nobelist i paqes me 1909, senator)

UNË I KAM SHUMË BORXH SHQIPËRISË

(Parathënie e librit “Shqipëria në 1921” të Justin Godart, që është në proces botimi, përkthyer nga Mirdash SHEHU)

Unë i kam borxh shumë Shqipërisë; unë do t’a paguaj këtë borxh të rinisë.
Në çastin kur isha në fillimet e mia diplomatike, kur zelli më ishte ndaluar, Shqipëria e mjerë më ka mallëngjyer. Ajo kontribuoi në ndriçimin e ndërgjegjes time të turbulluar nga skeptiçizmi profesional; ajo zgjoi prirjen time. Kam besuar gjithmonë në detyrën për t`i shërbyer drejtësisë dhe për të luftuar shtypjen. Por këtë detyrë, si e përmbushim? Nuk gjendet kurrë rasti? Mirëpo rastet nuk mungojnë; jemi ne që na mungojnë dëshirat. Na pëlqen të besojmë që është tashmë shumë bukur të jesh besnik në jetën private, për miqtë, të afërmit, bashkëqytetarët, vendin tënd. Kjo nuk mjafton. Të jesh besnik, apo të mos jesh. Egoizmi individual, familjar, lokal, nacional, është gjithmonë egoizmi, që çon në sakrifikimin e më të dobëtit prej më të fortit. Në Shqipëri, për herë të parë, kam ndjerë se aty kishte, jo vetëm njerëz, por popullsi që nuk mund të braktisej pa nder, në mjerimin e vet.
Pata fatin e madh të emërohem, në pranverë të 1879, sekretar i komisionit të ndarjes së kufijve të Shqipërisë dhe Malit të Zi. Erdha në Shkodër, pastaj u njoha atje, me kolegët, vendet, krenar për postin tim të parë, duke mos e marrë me mend, ç`është e vërteta, punën për të cilën ishte ngarkuar komisioni. Së fundmi, ne po e sakatonim, po e qethnim territorin e Shqipërisë në dobi të Malit të Zi. Dhe Shqipëria ishte pa mbrojtje. Vetëm kjo mjaftoi për të shfaqur gjithë magjinë e saj në sytë e më të rinjve mes nesh. Dhe banorët, për më tepër, ishin të qetë, çfarëdo që t’u thonë, duke dashur, vetëm të punojmë me krenari e dinjitet. Dhe duronin të gjithë, pa u ankuar, pa patur një avokat. Sepse Shqipëria nuk ekzistonte, dhe nuk duhej të ekzistonte për diplomacinë. Vetëm Turqia ishte në kontakt me Evropën. Dhe, kur Shqipëria shkaktonte vështirësi, ishte Turqia, e dobët, të cilën Europa e kërcënonte ose shtirej sikur e kërcënonte. Më kujtohet demostrimi detar, qesharak, i Ulqinit, të paprekshëm, mbi Adriatik, dhe ku skuadriljet tona të luftanijeve bënin, sa për sy e faqe, shfaqje bombardimi. M`u deshën disa vjet për t`i kuptuar këto komedi.
Nga larg, kuptoj sot, atë që nuk mund, veçse mezi ta dalloja, në 1879 dhe në 1880.
Ishte problemi, atëherë i ri për mua dhe i pazbërthyeshëm, komplikacionet e të cilit duhet të shpërthenin më vonë, luftërat ballkanike, pastaj luftën botërore, problemi i pa mbaruar i ndarjes së Turqisë. Ja si qëndronte ai atëherë, në Shqipëri dhe në Malin e Zi.
Rusia, e padurueshme për t`u zgjeruar në perëndim, e - tashmë - për të pushtuar Konstandinopolin, ose për të vendosur aty Bullgarinë për t`i përgatitur vendin, shpërtheu marrëzisht luftën e 1876, për pavarësinë e Hercegovinës dhe Bosnjës që mbaroi përveç kësaj edhe me dorëzimin e Austrisë. Ajo kishte rrezikuar shumë pranë shkatërrimit. Është Rumania që do t’a shpëtonte dhe shoqëronte në Shën Stefan, në portat e Konstandinopolit. Atje, qeveria ruse nënshkroi me sulltanin një traktat që lejonte si përhapjen ashtu edhe publikimin e përpiktë të ambicieve pansllaviste, ashtu siç ekzistonin në shpirtërat dhe qarqet zyrtare, të kohës. Traktati i Shën Stefanit, ishte akti i parafundit i ndarjes së Turqisë, në dobi të sllavëve. Mungon vetëm caktimi i rolit të Kostandinopolit, të rrethuar, të ruajtur, si dardha për etje. Rumania, natyrisht, kishte pjesën e saj, Dobrushën, në detin e Zi, por mjaft e ngushtë. Principata e Bullgarisë, nga ana tjetër - atëherë vegël e Rusisë - shtrihej deri në Selanik, e shumë përtej Vardarit, në perëndim të Ohrit, Korçës, jo larg Elbasanit e për rrjedhojë Durrësit mbi Adriatik. Serbia zbriste në jug deri në Mitrovicë, stacioni i fundit i përkohshëm i hekurudhës, fillimi në të ardhmen i linjës së madhe nga Athina, në Selanik, Sarajevë e në Europën qëndrore; Mali i Zi i zgjaste asaj dorën, në mënyrë të tillë që këto dy degë të familjes sllave të bashkoheshin së shpejti. Dhe nuk thuhej, nuk dihej, me çfarë kam kuptuar më vonë, cili ishte roli i Malit të Zi në intrigë; rol paralajmëruesi dhe zjarrvënësi, çdo herë, duke u përshtatur mirë dhe me shtatin e vogël dhe me punën me të cilën ngarkohej. Nuk dihet; sepse janë disa gjëra që nuk mund të dihen, veç me kalimin e kohës.
Fakti brutal, më kujtohet, është se paqja e Shën Stefanit ngriti një shqetësim të përgjithshëm në Angli, në Austri, në Gjermani dhe në Itali; dhe kjo është arsyeja që Kongresi i ri i Berlinit u mbodh disa muaj më vonë, me 1878 për të rishqyrtuar këtë traktat. Histori e njohur, do të më thonë. Nuk mjafton. Ajo duhet menduar thellë.
Traktati i Berlinit ishte vepër veçanërisht diplomatike, dhe i përgjigjej një rreziku shumë të qartë.
Fuqitë e Mëdha europiane dhe, aq më tepër, Turqia, kishin interes të madh të ndalonin marshimin e befasishëm të sllavëve drejt perëndimit. Në këtë kohë nuk kishte dallime ndërmjet sllavëve. Të gjithë sllavët hidheshin së bashku kundër turkut, të sëmurit, për t’a spastruar nga Europa. Për këtë arsye përpjekja dukej në të njëjtën kohë edhe në natyrën edhe kundër natyrës diplomatike. Shkohej me shpresë, prej një kohe të gjatë, për të kundërvënë me shumicë, masën e papërmbajtshme të një mase në lëvizje e plot besim, prej pergamenëve të ngatërruar. Besonin se mund të bllokonin si një liqen, me një Portë, që quhej e Lartë, detin e Zi, dhe të mbyllnin me të gjithë rusët Bosforin dhe Dardanelet. Dhe ja që, si një ushtri milingonash, masa sllave, duke hequr dorë nga shkallmimi i portës, i sillej rrotull dhe prekte, tinëzisht, detin Egje dhe Adriatik. Mbetej që diplomacia austro-gjermane të vriste mendjen për t`i mbyllur rrugën invazionit, dhe që në mungesë të forcës, të padobishme, donte të mbante për vete atë për të cilën foli, Sanxhakun ose koridorin e Novi Pazarit. Koridor me dy funde, kufiri përfundimtar, në hartë ?...dhe vendkalimi, lidhja e jugut të Austro-Hungarisë me Selanikun. Diplomacia europiane, në fakt nuk dinte ç`të bënte përpara të pamundurës; ajo neglizhoi forcën e gjërave për të provuar të pajtojë kërkesa të kundërta. Ajo nuk guxoi të vendosej përballë realitetit që vetëm mund t`a sqaronte.
Dy raca, të dyja pjellore, dhe njëra shumë e madhe, duke u mbështetur në Azi, shumë më e madhe akoma, dy raca që donin, duan, do të duan me gjithë zemër, gjithnjë e më tepër, me gjithë pengesat, luftrat, revolucionet, dhe gjakderdhjet për të cilat Orienti ka qenë teatri i të gjitha kohrave, - hyrje të lirë në Mesdhe - ; Mesdheu gjithashtu, vendkalimi, kryqëzim, që hap rrugët për në Afrikë, Azi, Lindje, Lindjen e Largët. Dy raca, gjermanike dhe sllave. Ndoshta mund të ishin marrë vesh paqësisht. Cilës luftë, në fakt, i kanë shërbyer? Për t’u hedhur me shkatërrime, gjakderdhje, brenga, pas gjëmave të tyre, në krah të njëri-tjetrit, kundër Francës, gjithashtu me shkatërrime e gjakderdhje kundër gjithë botës. Të dyja viktima të bllokadës, të dyja të uritura dhe përkohësisht të një mendjeje për të thënë, urrejtjen e zemrës: Jemi ne të humburit e luftës! Po për çfarë na ka shërbyer kjo luftë fitimtare? Dhe jemi vetëm në fillimet e zhgënjimeve financiare, sociale, ekonomike…Por vazhdojmë. Përpara kësaj lufte, Austria dhe Gjermania, nga kolonizimi dhe traktatet ndërmjet tyre mundën të zotëronin Triesten, Fiumen, Polën mbi Adriatik, dhe Selanikun mbi detin Egje. Por oreksi i tyre, ai i Gjermanisë sidomos, kërkonte me ngulm më shumë; kur sllavët, nga ana e tyre, mund të ishin ndarë shumë më keq akoma. Sllavët kishin vetëm dete të mbyllur për të eksportuar prodhimet e tyre tepër të shumta në perëndim. Gjermania, që ankohej se i mungonin portet mbi oqeanin Atlantik, e gjente të natyrshme që kontinenti i pamatë sllav të zvogëlohej nga Balltiku ose Pacifiku…Nuk është aq diplomatike që të ankohesh për historinë dhe natyrën. Europa u zhvillua në fillim në juglindje, me Antikitetin, Greqinë dhe Romën, pastaj në perëndim. Të vendosurit e parë ndër popujt modernë, Italianët, Spanjollët, Portugezët, Francezët, Hollandezët, Anglezët, Skandinavët, përvetësuan natyrisht të gjitha territoret në brigjet e Mesdheut dhe oqeanit. Gjermanët, erdhën më vonë, nuk mbeti më, me Balltikun, vetëm shtresa e llumit të detit të Veriut. Ata s’kanë për të rreshtur së kërkuari; dhe çuditen që rusët, me popullsitë, pasuritë dhe nevojat shumë më të rëndësishme, ndodhen të mbyllur në kështjellën e tyre! Të ardhurit e fundit duan të kenë vendin e tyre në breg të detit, me dashje ose padashje, të një mendimi ose jo me pushtuesit e parë. Ka qenë dhe do të jetë gjithmonë kështu për të ardhurit e rinj, në përgjithësi më aktivë, me stomakun bosh, me uri të madhe. Nuk është aq diplomacia sa aktiviteti i popujve që vendos, më në fund, të ardhmen e vet. Është ky aktivitet që qeveritë duhet të kenë parasysh, dhe jo vetëm ambiciet e tyre rivale për të bërë vepra të dobishme e afatgjata. D. Ka seicili vendin e vet në diell. Ky është ligji i popujve, ai i të gjitha qënieve të gjalla.
Sidoqoftë, ja Austria dhe Gjermania, të paisura nga traktati i Berlinit me një dalje të dyfishtë në Mesdhe, duke ushtruar këndej veprimtarinë e tyre, deri në Egjypt dhe në Mesopotami. Por çfarë do t’u duhet atyre korridori i Novi Pazarit? Ja çështja. Do t’i ndalojë sllavët? Aspak. Kësaj here milingonat nuk kalojnë anash, por përmes për të kapur Malin e Zi.
Mali i Zi, ai, prek Adriatikun; i varfër, shumë i keq, por ai i paraprin ushtrisë së madhe. Ja përse emisarëve të tij shumë të vegjël u jepen gjithmonë pritje të mëdha në Shën-Petërsburg ku ata pranohen deri në familjen mbretërore. Mali i Zi, ishte pika e avancuar e marshimit sllav. Dhe është kjo arsyeja që traktati i Shën Stefanit i dha atij pjesën më të madhe; është kjo arsyeja që nuk ra shumë në sy. Ai kishte dyfishuar, trefishuar sipërfaqen e tij, kishte kaluar, me një të rënë të lapsit nga 4.405 në 15.355 km, në dëm të Hercegovinës, e dorëzuar nga Austria për një kohë të shkurtër dhe Shqipërisë, duke mos lënë më në korridorin e Novi Pazarit vetëm një kalim të ngushtë, sa për të thënë, sa për t’u dukur. Traktati i Berlinit e rishikoi këtë privilegj vërtet të dyshimtë dhe rivendosi hapësirën e nevojshme në korridor. Ai i lëshoi megjithatë Podgoricën malazezëve me vetëm gjysmën e liqenit dhe Shkodrën shqiptarëve. Territori malazez i reduktuar kështu me një të tretën, me sipërfaqen prej 8.665 km, qe akoma dyfishi i asaj që ishte para traktatit të Shën Stefanit. Ai shtrihej, me qytetin më verior shqiptar, Tivarin, deri në det. Ka një port! Të mjerin Tivar, të bombarduar, të zbrazur nga artileria që e nënshtroi, unë e kam njohur vetëm të shkatërruar. Spektakli, atëherë i ri për mua, sot bëhet banal! Mora një akuarel të këtyre gërmadhave të ftohta,1) me një shtëpi të vetme të rikonstruktuar në plan të parë. Princi i Malit të Zi ishte shumë krenar për këtë blerje. I lodhur nga modestia e tepërt, nga vetëquajtja “i madhi” i Cetinjës aspironte në zgjerimin ose shpërnguljen gjetkë, dhe e gjitha për t’u kompletuar të paktën me një port! Ai i shumëfishoi zotimet, intrigat, vargjet vetëm për këtë qëllim; ai i thuri lavde me këngë e poema marshimit të tij drejt detit, marshimit me galopin e madh të kalit të tij…Shpesh më ka ardhur keq që ky kalë i bukur beteje i nxitur në mënyrë të pamjaftueshme kishte ndaluar galopin e tij vetëm në breg të detit…
Në fakt, kur komisioni ynë u mblodh, marshimi sllav e arriti qëllimin e tij drejt perëndimit, dhe princi i Malit të Zi shpresonte, me plot të drejtë, çmimin e përpjekjeve të para të tij. Kështu shpjegohet padurimi i delegatëve të tij fatkeqë, kur komisioni u rezistoi pretendimeve të tyre; dhe kështu shpjegohet gjithashtu izolimi i Shqipërisë.
Fat i çuditshëm dhe tragjik; shqiptarët, viktima shekullore dhe megjithatë të pazvogëluar nga Perandoria osmane, u trajtuan si subjekte turke nga fuqitë e Mëdha. Ata që i qëndruan fort sundimit, për të ruajtur zakonet, fenë, gjuhën, racën, së fundi personalitetin e tyre, të ndryshëm nga gjithë të tjerët, Fuqitë e Mëdha e gjenin komode t’i injoronin, qoftë për t’i braktisur, qoftë për t’i rrjepur, qoftë për t’ua shitur atyre që kërkojnë më fort, ose atyre që paguajnë më shtrenjt në pazarin ndërkombëtar.
Askush nuk u qante hallin shqiptarëve. Ata ishin vetëm. Voe soli! Ata nuk ekzistonin. - Më kot qëndruan me një burrëri të pamposhtur, në robërinë turke; aq sa Kostandinopoli nuk guxonte as t’u kërkonte taksa; më kot qeverisën veten, qëndruan të bashkuar, pa dallime fetare, katolikë, ortodoksë, muslimanë dhe formuan një bllok kombëtar kundër turkut. Nuk duhej t’u mbeteshin as turqve, për të mund t’u ndarë më vonë, me pjesën tjetër të perandorisë. Kjo është A.B.C. e diplomacisë që praktikohet dhe imponohet dhe do të imponohet akoma sot, ndofta, në qoftë se do të lejohet t’a bëjë…
Kështu shpjegohet padurimi dhe paturpësia e malazezëve, duke pritur që t’u dorëzohet pjesa e tyre e Shqipërisë, pjesa kryesore, që nuk duhet t’u humbte nga sytë. Sepse Mali i Zi, gurishtor, fole zogjsh të egër gjahu, ishte i varfër, por ai kishte për udhëheqës një mbret që nuk pranonte t’i falte shërbimet e tij. Ai priste mjaft çmime nga të gjitha anët, dhe nga Petërsburgu e nga Roma, dhe nga Vjena e Parisi, sipas rastit. Shtinte në dorë fushat më të pasura, malet dhe liqenet, rivierën e Shqipërisë, që kanë kuptim tjetër nga dekoratat; kanë kuptim dhënie konçesionesh, konçesione pyjesh, peshkimi, minierash, shërbimesh publike…
Traktati i Berlinit, duke rishikuar atë të Shën Stefanit, i kishte hequr pra Malit te Zi një pjesë nga përfitimet e tij të luftës. Komisioni i ngarkuar me ekzekutimin e traktatit të Berlinit do t’a lehtësonte apo rëndonte, në fakt, këtë dëm?
Të mjerët delegatë të Malit të Zi dridheshin. Paanësia jonë ishte për ta shëmti, konfiskim i pasurive të pakta, i lirisë, i jetës së tyre të rrezikuar…Delegatët e mjerë, kurrë nuk i kemi bërë përgjegjës, - as popullin malazez të shfrytëzuar në mënyrë të pamëshirshme, - nga lakmia e panginjur e sovranit të tyre.
E nga ana tjetër, turqit e mirë, që dorëzonin gjithmonë (edhe vetë atë që nuk mund të dorëzohej) kishin, edhe ata, për çfarë të trëmben. Ndërsa ne diskutonim mbi hartën, në Shkodër, apo midis shkatërrimeve të Podgoricës së djegur dhe të pushtuar nga trupat e princ Nikollës, kufijtë e territoreve të dhëna Malit të Zi, ja që shqiptarët refuzonin me këmbëngulje dhe sa fuqi që kishin të na binden. Dhe ne nuk kishim asnjë mënyrë, dhe askush nuk kishte asnjë mënyrë për t’i detyruar të shkojnë në strofën e vet. Lidhja shqiptare, lidhje kombëtare ndër të tjera, ishte formuar dhe ngritur. Ajo ishte e paarritshme, e paepur dhe e paprekshme, duke përfshirë edhe Prizrenin. Njëri prej ambasadorëve otomanë në kongresin e Berlinit, Mehmet Ali, pranoi misionin e pahijshëm për të shkuar në bisedime në krahinat e humbura të Gucisë dhe Plavës, në Ipek ose Gjakovë. E pësoi më vonë. Shtëpia e tij u rrethua, u mbyll gjatë 24 orëve, pastaj u dogj përfundimisht dhe ai me të.
Kurrë shqiptarët nuk kanë dashur të kalojnë nën sundimin e serbëve ose malazezëve, po aq sa të turqve ose grekëve. Nuk u prishte punë ndryshimi i sundimit; ata e duruan atë të turqve, sepse veproi me hope, - ata u masakruan dhe do të vazhdojnë të masakrohen, për aq kohë sa atyre do t’u mbetet edhe një luftëtar, burrë, plak ose fëmijë, apo grua për të rezistuar kundër serbëve dhe malazezëve në veri, kundër italianëve në perëndim, kundër grekëve në jug.
Çështja, ka dyzet vjet, prekëse për një ndërgjegje akoma të pavarur; sot bëhet mizore kur mendon se kundër këtij populli krimi i vetëm i të cilit është se kërkon të jetë i lirë, fqinjët e tij përdorën kuadrot e çmobilizuar e të papunë, “gjysmë - ushtarët” e tyre komandantë bandash të uritura, të pajisura me një armatim modern nga lufta dhe aq më tepër: nga stoku i armëve dhe municioneve që u lanë atyre Fuqitë e Mëdha dhe që u mbetën nga Lufta Botërore. Shtypja e një populli të vetmuar më të vogël në numër dhe epërsia e armëve të sulmuesve të tij, përbënte tashmë një spektakël të trishtuar - dhe ne e dimë që ato qenë mizoritë ballkanike; - por, kur këta sulmues mundën të pajisen me mitralozë, topa me qitje të largët, obuzë, automobilë-topash, tanke, avionë bombardimi me drejtues e ballona vëzhgimi, kjo bëhet e papërshkrueshme dhe, me një fjalë, e turpshme, e padurueshme.
Kur dëgjon të përkrahet për më tepër, nga njerëz “praktikë”, siç kam dëgjuar me qindra herë, se shqiptarët duhet të jetojnë në robëri, pikësëpari për të mësuar të duan të jenë të pavarur, dhe se do të duhet që ky të qe fati i gjithë këtyre njerëzve; pastaj sepse me mënyrat e sotme të shkatërrimit, asgjë nuk është më e lehtë se t’i heqësh qafe ata, duke i zhdukur, në rast nevoje, dhe pa asnjë rrezik; së fundi, sepse asgjë nuk mund të jetë më frytdhënëse se nënshtrimi i tyre; në të gjitha pikpamjet. Pikësëpari vendi i tyre është shumë i pasur dhe me shumë të ardhme; popullsia e tyre që merret me bujqësi dhe punëtorët industrialë, të zgjuar, të matur, të ndershëm, do të dhurojnë një krah pune të shkëlqyer. Por ja argumenti më modern: pikërisht sepse janë të shëndetshëm dhe të fortë, popullsitë shqiptare do t’u japin rekrute të shkëlqyer ushtrive të kundërshtarëve të tyre; ata do të përforcojnë, në rast nevoje kundër Shqipërisë, këto ushtri të dërrmuara nga lodhja për afro 10 vjet lufte… Kur dihet që ky arsyetim është ai i përdorimit të forcës, që është zbatuar rëndom në vendet e mëdha, ushtri të zeza apo të verdha, - dhe me çfarë përpjestimesh, me çfarë plëngprishje të tmerrshme të gjakut vendas! - kur do të thuash fort se këto vjedhje njerëzore asgjë më pak sesa hipokrizia më e madhe e vendosur, jo vetëm se i robëron, por i tregëton, dhe siç bëhet fjalë tani, për t’i pakësuar dhe rekrutuar me forcë, për luftë, gjithë popullsinë e bardhë vetë, vetë katolikët, që ngulin këmbë duke kërkuar drejtësi dhe paqe… kupton që unë i jam mirënjohës Shqipërisë që më hapi sytë për këtë operacion, sido që t’ia zbukurosh emrin.
Por, akoma edhe njëherë, më vonë, me kalimin e kohës, e gjithë e vërteta m’u shfaq plotësisht. Në 1879, fajtori më i madh në gadishullin e Ballkanit ishte turku, ose, e thënë më mirë, regjimi turk, sulltani. Serbët, Bullgarët, Grekët, Shqiptarët, Boshnjakët, Malazezët llogariteshin në anën e të shtypurve - me Armenët në Azinë e Vogël. Të gjithë përfitonin nga hovi i protestave që shpërthyen në Europë dhe në botën liberale, deri në Amerikë, nga mizoritë e regjimit të sulltanit të kuq, Abdul Aziz. Dhe këto mizori, kur kujtimi i vetë komisionit të 1879 dhe 1880 filloi të zbehej në kujtesën time, eklipsonin gjithë pjesën tjetër. Kur lashë ambasadën e Francës në Londër, në 1894, dhe po merrja pushimet, në Havard, zoti Gladstone fjalën e fundit më tha: “Mos harro Bullgarët!” Bullgarët dhe armenët simbolizonin atëherë gjithë urrejtjen ndaj despotizmit turk viktima të të cilit ishin me gjithë të tjerët. Për ta unë kryesova mitingun e famshëm të Chateau D’Eau, ku oratorë nga të gjitha anët: Jaures dhe Pressense, Denys Coshin, Victor Berard,
Lerolle dhe unë bëmë apel, për pasojat e çështjes Dreyfus, për drejtësinë e indinjuar nga
opinioni dhe ato mund të publikohen.
Problemi bëhet vërtet turbullues për ndërgjegjen time vetëm pas dy luftrave ballkanike, kur Bullgarët, Serbët dhe Grekët qenë fitues, Bullgarët do të vërsulen mbi të dy aleatët e tyre dhe do të vihen, në kështjellën e tyre, akuza që deri atëherë rëndonin vetëm mbi Turqit. Me këto akuza, Bullgarët do të padisnin të tjerët, në mënyrë të tillë që të hapet, jo proçesi i njërit apo tjetrit prej këtyre tre popujve, por ai i të gjithë ndërlufuesve ose, i thënë më mirë, ai i luftës vetë. Kjo është arsyeja që miqtë e mi të Dotation Carnegie në Nju Jork do të vendosin të sigurohen mirë, dhe, të dërgojnë një mision të paanshëm në Ballkan. Mua më ngarkuan me organizimin, duke zgjedhur njerëzit më të kualifikuar që më duheshin për ta kryer deri në fund atë, veçanërisht një njeri të mirë që qe Dutton, për Sh.B.A. dhe Justin Godart për Francën.
Ky komision do të hartojë raportin e madh që njihet, paanësia e të cilit bëri bujë. Ai nxirrte në pah që, pa dyshim, Bullgarët kishin kryer, si Turqit, krime të urryera, por që, nga ana e tyre, Grekët dhe Serbët kishin lejuar të njëjtat lëvizje të neveritshme, të njëjtat zakone. E atëherë këto krime, u cilësuan ballkanike; padrejtësisht, sepse dy vjet më vonë ushtria gjermane i tejkaloi ato, dhe në Belgjikën e pushtuar me turp, dhe në Francë, dhe kudo ku shkelën. Qenë thjesht, - me rafinimet e dhunës barbare dhe urdhrat pabesueshëm
për torturat e bëra nga vetë komanda gjermane, qenë krimet e luftës. Gjithashtu, kur burri i shquar i shtetit siç qe zoti Venizelos më kërkoi, në fund ose menjëherë pas Luftës Botërore, të ndryshojnë vlerësimet e raportit tonë, unë refuzova. Bashkëpunëtorët tanë qenë në vend, në kërkim vetëm të së vërtetës; kurrën e kurrës nuk mund të më detyrojnë t’i flak ata, siç kërkojnë aleatët tanë, grekët dhe serbët.
Do të më duket sidoqoftë, Lufta Botërore e mbaruar, se vendosi të plotësonte raportin tonë të 1913; ai nuk e kishte çështjen e Shqipërisë, për arsyen e fortë se, gjatë dy luftrave ballkanike, ajo ishte lënë mënjanë nga kujdesi për të mos forcuar armikun turk. Rezervimi im ishte i dukshëm. Por kur Lufta Botërore, në 1914, do të shpërthejë, kur Turqia u bë armikja e shpallur e Francës, Italisë e Anglisë a do të qëndronte ajo indiferente? Jo; sjellja e saj qe e bukur dhe e mirë në përshtatje me të kaluarën e vet. Në revoltë kundër Turqisë, pronarit të saj, do t’i refuzojë të gjithë ndihmën, “as njerëz as para”; përveç kësaj; ç’bëri ajo për ne? Vullnetarët e saj vinin duke u shtuar në ushtrinë tonë të Selanikut, dhe kur i mbijetuam shkatërrimit nga tërheqja e Beogradit, në mes të dimrit, çdokush e di që, pa ndihmën dashamirëse të popullsisë së saj trupat tona, ato serbe e refugjatët tanë, gra e fëmijë, nuk do të kishin mbërritur në Shkodër. Dotation Carnegie vendosi të rindërtojë, me shpenzimet e tij, bibliotekën e Beogradit, si atë Reims-it e të Louvain-it, për të protestuar kundër vandalizmit shkatërrues të ushtrisë gjermane. Pas shërbimeve që iu bënë Serbëve dhe Aleatëve nga Shqiptarët, kur të vijnë të nesërmen e luftës, zhgënjimet nga fitorja dhe traktatet a mund të lejojë ajo copëtimin e Shqipërisë? Unë e di mirë që nuk ndalen siç duam trupat, e sidomos bandat e popullsitë plaçkitëse, duke u munguar gjithçka, të lëshuara në ndjekje, jo më të armikut, por të plaçkës. Por në është kështu, detyra jonë ishte shumë e qartë.
Filohelen, gjithë jetën time, që prej qëndrimit tim të gjatë në Greqi,1) shumë më parë
se misioni im në Shqipëri, mësova atë që Europa liberale i detyrohet Greqisë. Në mes të
reaksionit, në mes të terrorit të bardhë të Europës, Greqia dha shembullin e paharrueshëm
të kryengritjes heroike të saj të 1821 kundër turqve. Ky qe një shpërthim i admirimit për Greqinë; ajo ndezi entusiazmin e gjithë zemrave fisnike kudo në botë; ajo nuk shpërtheu vetëm romantizmin e poetëve tanë, ajo restauroi, përballë Lidhjes së Shenjtë dhe restaurimit tonë monarkik, lirinë! Asgjë nuk do t’a fshijë kurrë një shërbim të tillë. Admiruesit e Greqisë nuk do të lejojnë të zbehet ai. Është në këtë frymë të respektit, të simpatisë për Greqinë, dhe brenda një ndjenje gjithashtu të madhe njohjeje për Serbët, që në rrezik të mospëlqimit, nuk desha të mbyll sytë mbi ata agjentë ose nacionalistë të tyre që, duke mos njohur apo tejkaluar sigurisht instruksionet, besuan se duhet të vazhdojnë luftën njëra në veri, tjetra në jug, kundër Shqipërisë së mjerë, të zënë tradhëtisht, pa armë, mes dy zjarresh.
Me një fjalë, kisha bërë, brenda intervalit të udhëtimeve dhe ndërhyrjeve të mia në Ballkan, eksperimente vendimtare. Unë kërkova me të gjitha forcat e mia, triumfin e Venizellosit mbi mbretin e tij të pabesë; nuk më vjen keq veç për një gjë, për përkujdesjet që do të përdorë tek ai për të ruajtur kurorën e tij. Kisha takuar, njohur, thellësisht, serbë të admirueshëm, Milovanovich, kolegu im në La Haye, Milovanovich, njeri i mirë që, vetëm ai, do t’a kishte shmangur luftën nëqoftëse do të ishte ndjekur përpjekja e tij e madhe nga këshilli serbo-bullgar, - Vesnitch, gjithashtu, miku i drejtësisë dhe paqes; por unë kisha parë në veprën e sovranit, ish-princin të bëhet mbret i Malit të Zi.
Dhe pak nga pak, nga një fenomen krejt i papritur, gjithë mizoria e intrigave dhe e zanatit të tij të matrapazit të luftës m’u shfaqën, kur unë vetëm kisha dyshuar për të, në rininë time. Mizoria ishte e tillë që ditën kur, i qëndrueshëm, i shtyrë nga ndikimet që u zhvilluan, qysh atëherë, shumë të tejdukshme, palë ushtarake me Shën -Petërsburgun, ditën kur ai guxoi të marrë mbi vete shpalljen, krejt i vetëm, të luftës Ballkanike, unë nuk mund t’a mbaja letrën time publike të njollosej.
Nuk jam veç një qytetar i thjeshtë, por më kujtohet, papritur, që ky qëndrim i ndyrë i kishte bërë keq vendit, fqinjëve, mbrojtësve, familjes së tij, duke ia shtuar më shumë hallet, nga forca e paturpësisë dhe guximit të tepruar. Dhe duke mos pasur ç’të bëjmë, do të më jepej, për të qetësuar ndërgjegjen time dhe të shumë të tjerëve që mendojnë si unë, kjo kënaqësi e shkruar për të që në substancë është kjo:
“Zotëri, industria juaj është lufta; ju i vini zjarrin botës për të pjekur vezën tuaj; dhe ju nuk rrezikoni asgjë në këtë lojë…vetëm popullin tuaj…”.
Madhëria e tij mbi këtë pikë qe gati të më ftonte në duel, ose, siç ka më shumë gjasë, të më ngrinte një kurth. Unë jetoj akoma, por kuptohet nuk desha të lejoj zakonet e tij të marrin rrugë të lirë dhe që, brenda vetë interesit të grekëve dhe të serbëve, dhe sidomos te malazezëve, kam marrë përsipër të kompletoj, me një mision në Shqipëri, anketën tonë Ballkanike. I jam mirënjohës Dotation Carnegie që pati kaq besim tek unë për të më lejuar të marr këtë iniciativë të cilën, përveç kësaj, e mbajta për të marrë mbi vete i vetëm gjithë përgjëgjesinë.
Do të kisha dashur, me një fjalë, të mund t’a bëja vetë këtë anketë; në Shqipëri më ftonin; kisha bërë në Paris konferenca, kisha shkruar artikuj1), kisha publikuar protesta që
kishin ngjallur dashurinë që ruante shumica e shqiptarëve për mua dhe më kishin bërë me miq të rinj. Më kërkonin, më prisnin, insistonin. Përfundimisht, nuk shkova. Kisha frikën
e të qenit tepër i njëanshëm. Dhe kërkova atë që mund shkonte atje, ndershmërisht, krejt
vetëm, me shikim shumë të çiltër, për të më zëvendësuar mua. Gjeta mikun tim Justin Godart.
Godart është pikërisht e kundërta e një arrivisti dhe e një matrapazi lufte; përpiqet të jetë i drejtë dhe i mirë me të gjitha mundësitë. Ai filloi, në një mendje me mua,me miqtë tanë italianë. Nuk e kam fshehur admirimin tim për iniciativën që mori, në Vlorë e Rapallo, konti Sforca, për njohjen e Shqipërisë, kur Europa e lëkundur, përfshi Francën, hezitonte për t’a njohur. Për asgjë në botë nuk do të kisha dashur që misioni im ose ai i mikut tim Godart të ketë një karakter dashakeq ndaj Italisë, po aq sa ndaj Greqisë, Serbisë, apo kujtdo prej aleatëve tanë. Natyrisht, Godart duke qenë vetë francez, u dërgua të thotë gjëra të pakëndëshme për disa; por ai do t’u shërbejë të gjithëve duke provuar që nuk shkonte për t’i shërbyer Shqipërisë, por të vërtetës.
Vetëm, ndodhi që, në gadishullin e Ballkanit, Shqipëria është i vetmi popull që, me të vërtetë, kishte gjithçka për të fituar paqen, gjithçka për të humbur luftën, si Franca; ndodhi pikërisht që Shqipëria është i vetmi nga të gjithë popujt që nuk kishte menduar kurrë të lakmonte Kostandinopolin…Kjo meriton vërtet një vlerësim që të shërbejë për të inkurajuar të tjerët.
Më në fund Godart u nis; bëri një udhëtim të plotë, mjaft të vështirë, në një kohë të papërshtatshme. Ai u shërbeu shqiptarëve, duke u dhënë, në mjerimin e tyre, një shenjë simpatie e respekti që nuk mund të kalojë pa u vënë re. Ai u shërbeu qeverive serbe, greke, italiane, duke çuar atje gjithë thjeshtësi, një vetëdije; atë të një burri politik absolutisht të pavarur. Besoj se e meriton mirënjohjen tonë. Libri i tij, që jam i lumtur t’ia rekomandoj publikut me mirëbesim, është vepra e sinqertë, serioze, pa interes, që pritej prej tij. Kjo është dëshmi. Është, pa dyshim, një rekomandim, një mbështetje.
Shqipëria është e re, megjithë plagët dhe kujtimet heroike të luftrave; ajo ka nevojë të madhe të mos e lenë në tërbimin ose dredhitë e shfrytëzuesve nga të gjitha vendet që po sulen mbi të. Ajo ka nevoje për miq besnikë. Ata nuk i mungojnë. Lordi Robert Cecil mori energjikisht anën e saj, me Italinë. Kombet e tjera i ndoqën; marrëveshja përfundimtare qe unanime.
Ajo arriti, këtë vit, një sukses shumë të madh; Lidhja e Kombeve e pranoi mes anëtarëve të saj. Duhet tani që ta përligjë këtë pagëzim zyrtar, këtë përfshirje në rregjistrin e gjendjes civile të popujve. Populli i saj i vrarë me shumicë qëndroi shumë fort kur u izolua, gjithë këmbëngulje për të jetuar i lirë dhe për të mbijetuar në sprovat e shekullit. Kurrë nuk pushoi së punuari. Përfiton nga pushimi më i vogël për të mësuar. Ka shkollat e saj, ku mblidhet, në një të vetëm dhe unik vullneti kombëtar, të gjitha fetë, të gjitha moshat, sepse burrat e pjekur që nuk kanë mundur t’i frekuentojnë ato në rininë e tyre vijnë aty në mbrëmje, për të provuar të arrijnë fëmijët e tyre. Ka kulturën, kopetë, industrinë, tokën e saj pjellore, lartësite e larmishme, me klimë të shëndetshme. Asgjë nuk i mungon përveç paqes dhe rendit.
Paqja varet nga fqinjët dhe Europa, por rregulli varet prej saj. Fqinjët, megjithë
vitet e tmerrshme që po kalojnë dhe për të cilën është e pamundur të kërkosh që t’i ndjekë një qetësi e plotë, brenda pak kohe, do të kuptojnë që ata kanë nevojë, si ajo, të jetojnë që sot e tutje, një jetë normale, dhe që lufta, duke vazhduar, do të mbarojë, për ata si për të gjithë botën dhe të gjitha kohët, me revolucion dhe anarshi.
Rregulli varet nga urtësia e shqiptarëve. Veçse nuk mund të zgjasë gjithë jetën
aktiviteti im për të shkuar tek ata për të vënë në shërbim të tyre një pjesë të vullnetit të mirë dhe të eksperiencës që më mbetet. Në rregullin e bashkimin, e ardhmja e Shqipërisë do të ketë kompesimin, shpërblimin për të gjitha vuajtjet e së kaluarës. Do të dijë të dallojë ndërmjet këshillave të mira e të këqia të të huajve. Ajo e ka kaluar vështirësinë më të madhe; i ka rezistuar dominimit turk; nuk do të lejojë të shfrytëzohet nga aventurierët europianë. Shumë prej banorëve të saj janë mësuar me të keqen, kanë udhëtuar; shumë janë detyruar të mërgojnë për të mësuar, në Francë, në Itali, Angli, Amerikë, përparimin bashkëkohor; ata do të inspirojnë për të futur në vendin e tyre në administratë të ndershme dhe të përtërirë, pa cënuar virtytet e saj tradicionale; ajo do të tërheqë udhëtarët, turistët, artistët e botës mbarë; miqtë e lirisë do të vinë tek ajo në pelegrinazh; vendi i trishtuar nga padrejtësia dhe dhimbja shekullore do të bëhet toka e premtuar e optimizmit, si Franca; vendi ekzemplar ku fati i keq nuk do të mund të fitojë dhe që nuk do të ketë kurrë dëshirë të humbë shpresën. Me fetë e saj të ndryshme, shumë zemërgjera, me fqinjët e saj për një kohë të gjatë shqetësues, më në fund të qetësuar, ajo do të jetë vendi model i pajtimit dhe i jetës së përbashkët, harmonike, idealiste e praktike, e shëndetshme, e kërcënuar për një kohë të gjatë, e lumtur më në fund, Zvicra e Ballkanit.

D’ESTOURNELLES DE CONSTANT



Falenderojmë z.Rexhep Shahu për dërgimin e materialit

2012-12-05

TRABOINI VJEN ME DY LIBRA POETIKE







TRABOINI VJEN ME DY LIBRA POETIKE

“Lule pellazgjike” dhe “U dashka të dal natën vonë” si dy degë lumi që rrjedhin e bashkohen në të njëjtin shtrat. E gjithnjë e më shumë bindemi se Traboini është një lumë poetik që nuk shter as në sasi e as në ndjesinë e thellë poetike.
Dy vëllimet me poezi të Kolec Traboinit që kanë dalë nga shtypi në nëntor u promovuan në Panairin e 15-të të Librit “Tirana 2012”. "Lule pellazgjike" dhe "U dashka të dal natën vonë" - janë vazhdim e thellim i frymës lirike të vëllimit "Itaka grua", libër i suksesshëm që autori e ka botuar në vitin 2008.
Në promovimin në sallën e Pallatit të Kongreseve diskutuan autorë të ndryshëm, të cilët vunë në dukje tiparet kryesore të poezisë së Traboinit, ecurisë së saj, ndikimit të poezisë së tij prej autorëve amerikanë sepse është terreni ku ka krijuar pjesën më të madhe të krijimtarisë së tij poetike si emigrant, si dhe vendi që zë krijimtaria e tij në poezinë bashkkohore shqiptare.
U theksua se libri “Lule pellazgjike” mbizotërohet nga një lirizëm i thellë dhe emocional në të cilin poezia erotike fryn që përtej oqeanit drejt brigjeve të Adriatikut ku janë rrënjët e lulet që përbëjnë themelin e lirikave të tij.
Përndryshe vëllimi “U dashka të dal natën vonë” dominohet nga lirika qytetare, shqetësimet e tundimet e poetit si qytetar i këtij vendi ku nuk mund të rrijë indiferent për çka konstaton në jetën shoqërore. Edhe kur ndodhej larg ai kurrë nuk e ndau veten prej asaj çfarë ndodhte në mënyrë të përditshme në atdhe, e këtë e shpreh jo vetëm poezia, por edhe librat e tij me esé që trajtojnë problematikat e kohës.
Një prej kapitujve të vëllimit “U dashka të dal natën vonë”, me titull “Ode për Shkodrën” poezitë i kushtohen qytetit të lindjes, ato bulëzojnë në vargjet emocionuese të fëmijërisë së nxehtë përvëluese e në poezitë e mallit shkruar përtej oqeanit në mërgim.
Librat shoqërohen me esé meditative “Pellazg i mbetur pa Atdhe” dhe “Poetika e femijërisë në rrugën Badra” shkruar nga vetë autori mbi jetën si një rrugëtim i gjatë i përhershëm, i pandalshëm e herë-herë i stërmundimshëm, si dhe rrethanat në të cilat lind arti poetik.


Nga vëllimi: “Lule pellazgjike”


TASHME KISHTE ARDHUR

Nuk ka më asnjë kuptim pritja
as vështrimi i hedhur në fundin e rrugës
as heshtja jonë nuk kish më asnjë kuptim.

Në këtë ardhje ne diç kishim folur
tek pinim ujin e një shisheje
ndërsa gjerbnim kafenë në heshtje.

Kafeja ish e zezë, mendimet po ashtu
mbrëmë kryeqyteti mbytej në savana me shi
ndërsa sot mrekullisht dielli buzëqeshte.

Vështroja siluetën e saj
sytë që kërkonin zogj vjeshte
pa kahje, në nxitim e në ikje...

O zot, sa e frikshme është ikja.
Por unë nuk mendoja se e kisha humbur njeriun
...sepse tashmë ajo kishte ardhur.

Vjeshtë 2011


LASGUSHIANE

Kur shpallet një shi i pjerrët, i trishtë, i butë
në qiellin lirik të Poradecit
e shtergët kanë heshtur e më s’këndojnë
ndodh ajo që ndodh në shirat biblikë.

Mbi liqenin e trazuar derdhet një pikë lot
prej syve melankolikë të mjelmave njerëzore
që nga e para Evë tek më e fundit e Botës.


KISHA DASHT ME DEK PER S’DYTI

...Edhe për së treti kisha dasht me dek
se dora jota ma solli dekën e bardhë
por edhe në vdeksha njëmijë herë
qoftë e njëmijta si vdekja e parë
- kush dreqin po pyet!

Vdekja në dorën tande ish aromë prilli
tan lulet ma sollën polenin te kryet
isha vet që të thashë: tash ma xen frymën
isha vet që të thashë më puth e më mbyt
- kush dreqin po pyet!

Tash, që u tejkrye pjalmimi i jetës
jam krejt i dekun derisa t’ringjallem
për t’ma marr shpirtin, për dek të dytë
i gatshëm jam për rimishërimin
- kush dreqin po pyet!

9 qershor 2012


MUGETIRAT E MBREMJES

Si më harrove kështu në ndajnatë
po dal udhëve të Tiranës
të shkoj nga sytë këmbët
se ndoshta diku-diku shoh
imazhin tënd e rrekem pas tij
si fëmijët pas balonave të ëndrrës
feksur si zemra në qiell....

Po tani është natë, natë që nxin
e unë hapësirave shoh
vetëm mugëtirat e mbrëmjes
e aty-këtu ndonjë yll
që më bëhet shok vetmitar
vegimesh sylagështa
në angushtinë e dhembjes.

Sa kohë që veten time e kam humbur,
nuk e di nëse ty do të gjej ndonjëherë.


OH Ç’ME GJETI MUA
ME VJESHTEN TENDE

Oh, ç’më gjeti mua me vjeshtën tënde
si fustan prej gjethesh më mbuloi
farfuritës flladi gjoksin trandi
zogu i këngës qiellit fluturoi.

Zot, o Zot, ç’më solli vjeshta jote
ëndrrën si një nimfë ta përqafoj
ika, mora pyjet si i marrosur
gjiri i zjarrtë i Diellit më përvëloi...


DO TE ZHVESH

Do të zhvesh, zemra ime, do të zhvesh
tërë rrobat e trupit do t`i heq
si një Evë dalë prej bible do të jesh.

Dhe pastaj, zemra ime, dhe pastaj
si një engjëll lakuriq në krahë do të mbaj
do të ikim në ca qiej ku s’na arrijnë
tërë akujt e dy poleve do t`i shkrijmë.

Kam një afsh që më përvëlon në dhè të huaj
kur të vij, buzët m`i zgjat, zjarrin ma shuaj
Do të zhvesh zemra ime, do të zhvesh
tërë rrobat e trupit do t`i heq.

E pastaj, zemra ime, dhe pastaj
qiejve do t`i biem skaj më skaj.


VAJZE NGA FISI I SHQIPONJAVE

Ti je vajzë nga fisi i shqiponjave
më ngre lart në qiell
e më tregon hapësirat.
E pafundme mrekullia e dritës.
Në qiell të bukura janë dhe ëndrrat
atje njeriu ndjehet i madhërishëm, si Zot.

Por trillet e tua janë të pafund...
Pas kësaj, atje lart nisin stuhitë kozmike
pa mëshirë më kthen në pluhur
e më përplas për tokë.

Të paktën më bëj
pluhur drite...


LIQENI NUK B’ZANTE

Liqeni i Ohrit nuk b’zante
qe tulatur liqeni për ty
dhe priste si të ishe një mjelmë
të t`përkëdhelte në faqe
të t`puthte në sy.
Liqeni nuk b’zante
heshtte e mendonte për ty!


Nga vëllimi “U dashka të dal natën vonë”:

SHQIPERIA

Jo miqtë e mi, ikja nuk është tragjedia
e hedhjes së trastës në kurriz pesë shekuj
me një shkop për të zbuar qentë, kurrsesi.
Tragjedi është mosdija e ikjes
moskuptimi e harrimi i piknisjes
miklimi që jeta na afron nëpër troje
të largëta e me bukuri të mahnitshme.

Jo miqtë e mi, joshja s’është e fajshme
kemi të drejtë ta jetojmë epshin tonë
për gra e vajza aziatike, për qejfe e pasuri
por lëshimi i vetvetes në pasione të liga
duke harruar vendin tim e vendin tënd
duke harruar se e bukura magjike
është edhe tek lulja mbi shkëmb.

Jo miqtë e mi, fajin nuk e ka Amerika
anipse më farfuritës Las Vegasi është
Bostoni, Detroiti, New Yorku,
San Françisko a Florida
se sa fshati yt a fshati im në Jug a Veri
sepse edhe këtu gjithçka është ngjizur
me mundime, me lotë, me dashuri.

Fajin kurrsesi nuk ta ka ikja
trokitja nëpër dyert e botës
ku mësove shijen e bukës me djersë
por vetmashtrimi, harrimi se
Shqipëria e varfër nuk mundi të jepte
më shumë se qumështin e gjirit e dhimbjen
më shumë a më tepër se në sepete kish.

Prandaj ti u bëre më i pasur e më i ditur
shumë më shumë se ata që s’dinin të iknin
- siç mençurisht ta thotë dhe Kavafis-
pikërisht se të mungonte Shqipëria
dhe dëshira për ta bërë të pasur atë,
pikërisht.

I humbur do të jesh vetëm atëherë
kur të ikësh - e më të kthehesh prapë,
s’do të dish.


NE RRUGEN E KALASE...

Idromeno

Me bastun, borsalino e pallton e gjatë
nëpër errsinën që përpinte qytetin
dëgjoheshin veç bulkthet e natës
e valët bregut të liqenit.
Në rrugë ndonjë qen i braktisun
turfullima e ndonjë kali në grazhd
errësinës klithma e ndonjë shpendi
e yjet që shuheshin diku larg.
Nata e lodhte për vdekje piktorin
prej Diellit merrte frymë e ringjallej
ndaj gjumi s’e zinte deri vonë
nga ankthi i dritës në ardhje!
Sapo vinte agimi e bota zgjohej
ai flinte me rrezet e Diellit në Maranaj.
Kol Idromeno, daja i Dadës sime Katrinë
siç më thoshte në kujtimet e saj...

Shkodër 2012


SHIRA LIRIKE

Ju mbase nuk i ndjeni
ato përditë bien në shpirtin tim
e kur bien, në qiellin tim kuturisen zogj
që çukisin lëvozhgat e reve e u thërrasin
të gjithë atyre që janë në udhë të pambaruar:
- Ikni! Shirat po vijnë!

I vetmi që nuk ikën jam unë - sepse ato shira
bien më shumë brenda se jashtë meje
më sjellin fëmijërinë, ma zhveshin lakuriq
e unë endem liqenit si një ëndërr e zgaqun
në djepin tim prej uji.

Një ninullë zbret nga malet me lumin Kir
- lum me emër të lashtë sa bota:
Nuk ka perandori më të madhe ujnash, se Shkodra!


MORA VETEN ME VETE

Mora veten me vete e shkova në Shkodër
retë e marsit rëndonin mbi çati
qielli i zymtë e zbraste pikëllimin në shi.

Kisha ardh për një mort
për një përcjellje-pjekje
t’u thosha njerëzve “Kryeshnosh!”
Jeta me jetë e vdekja me vdekje!

Si e mbuluam Ramiz Hekurin në dheun e zi
përtej Stom Golemit, në Shtoj të vjetër
u ktheva tek Nana në shtëpi.
Shtëpi o shtëpi, o dashuri e vjetër!

Nëntëdhjetat i ka mbushur Nana
rri në shtrat e nuk b’zan.
Isha i murrëtyer, i lodhur, krejt i ngrirë
-Gëzuar 8 Marsin!- i thashë me zë të mekur.
- Kukeja unë!- tha Nana. - Ky 8 mars
më gjeti edhe pa një njeri.
Pse po jetoj kaq gjatë veç për të përcjellun?
-Po jo moj Nanë, ka dhe gëzime për njerinë...

Po Nana si nana, nuk dëgjon. Veç flet
herë me të gjallë e herë me të vdekur...

Mora veten me vete e u ktheva në Tiranë
më vunë në mendime fjalët e Nanës.
Mos vallë i ngjas dhe unë asaj
me dënimin të vuaj pikëllimin e përcjelljes?!

Shkodër, Mars 2012


KARVANAJ

Karvan me drita- karvan me yje
atje në rrugën Karvanaj
jetonte dikur si nimfë në pyje.

Kujtim i mbushun lotë e vaj
ani pse fshehun në shkurre vitesh
me magji ujnash në sytë e saj.

Flladi i liqenit- Bregu i Ranës
hije të randë lëshon Mali i Hotit
përskaj dy shtetesh, diku anës.


KUJTESA E BRIGJEVE TE DETIT

Më parë bregdeti kishte pak shtëpi
e një lokal të vogël “Breshka”.
Fare pranë detit, brigjeve të qeta
një rrugë të gjatë me plepa.

Ato janë shumë larg në kohë
veç valëzat ndër kujtime m`i sjellin
Pallatet me ballkone ajrore
nuk është e mundur të smbrapsen
tashmë...

Gjithçka që më fanitet si koha ime e blertë
është nostalgjia e brigjeve të detit.

2012

http://traboinipoezi.blogspot.com/2012/12/traboini-vjen-me-dy-libra-poetike_5.html


Kolec Traboini është kineast, gazetar dhe autor shqiptar i 14 librave me poezi, prozë dhe esè si dhe bashkautor i një përmbledhje më poezi për dashurinë nga autorë shqiptar dhe të huaj.


Kolec Traboini u lind në Shkodër. Eshtë i biri i patriotit Palok Traboini[1], mësues, publiçist dhe sekretar i Ded Gjo Lulit, Flamurtar i Deçiqit 6 prill 1911 . Traboini i mbetur jetim në moshë të vogël, jetoi për disa vite në Shtëpinë e Fëmijës në Shkodër.


Traboini ka ndjekur për dy vjet shkollën Pedagogjike "Ndrec Ndue Gjoka" në Tiranë. Pas kryerjes së shërbimit ushtarak në Tropojë, ka punuar rreth 4 vjet në Kombinatin e Drurit në Shkodër. Më pas ka vazhduar studimet në Universitetin e Tiranës, dega Gazetari. Gjatë kohës që ishte student botoi librin me tregime "Petalet e bajames së hidhur" 1973, që u vlerësua me çmim inkurajues në konkursin Kombëtar të Letërsisë dhe Arteve. Pas mbarimit të studimeve është emëruar redaktor-skenarist në Kinostudio, Tiranë, ku punoi 16 vjet ndërsa për një dekadë drejtoi redaksinë e filmit dokumentar. Është fitues i kupave për filmat dokumentarë në dy festivale kombëtare të filmit shqiptar: "Asdreni" 1976, "Kështjella e këngëve" 1990. Filmi "Dëshmi nga Barleti" me skenar e regji të K. Traboinit u vlerësua si filmi më i mirë i Kinostudios për 1990. Eshtë autor i mjaft filmave të vlerësuar si "Kol Idromeno", "Hasan Prishtina", etj. K.T. është skenarist edhe i disa filmave vizatimorë ndër të cilët "Portreti".


Situaten e krijuar në 1990 e priti me entuziazëm dhe mori pjesë gjallërisht në veprimtarinë demokratike. Në 16 janar 1991 boton në Gazetën "RD" shkrimin "Vlera e simboleve kombëtare", ku kërkonte hapur heqjen e yllit komunist nga flamuri kombëtar, po në këtë kohë nis dhe organizon tubimin e krijuesve dhe intelektualëve të Tiranës në përkrahje të zhvillimeve demokratike që u kthye në një demostratë të fuqishme antikomuniste.



Traboini u largua nga Shqipëria në shkurt të vitit 1991 dhe u vendos si emigrant jo legal në Athinë. Kjo gjendje pasigurie nuk e pengoi atë që me 10 Prill 1993, të krijonte e të shpërndante ndër emigrantë, të parën gazetë në gjuhën shqipe në Greqi “Egnatia“ Në Greqi bashkëpunoi me presidentin e arvanitasve të Greqisë, studiuesin e publiçistin Aristidh Kola(1944-2000). Në gusht 1995,Kolec Traboini . me status legal emigroi në SHBA dhe u vendos në qytetin e Bostonit. Gjatë viteve të jetës si emigrant në Athinë botoi tre libra: “Balada e largësive“,“Rapsodi ushtore“, “Gjurmë në histori“. Ndërsa kur ishte në Amerikë shkroi e botoi “Katërkëndëshi i mundimeve“ (prozë 2000), “Mos vdis dashuri“(poezi, Tiranë 2002), “Nokturn“(lirika 2004), “E vërteta përvëluese e Aristidh Kolias“(esè 2005), “ Requiem për një gjethe“(poezi 2005), “Lufta e Maleve-Palok Traboini“(esè historike 2006), "Trinia ime“(lirika 2006), “Bukuri shkodrane“(esè 2007)[5], “Koha e prostitutave“(lirika&etyde 2007) si dhe "Itaka grua"(lirika 2008). Për veprimtarinë poetike dhe esèistike është vlerësuar me çmimin e përvitshëm letrar “Pena e Artë-Kadmus 2008”[6] nga Klubi i Shkrimtarëve “Drita“ Athinë. Në vitin 1994 Kolec Traboini është pranuar anëtar i Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve, me qendër në Bruksel, ndërsa në nëntor 2001 nga Kongresi i Lidhjes Shqiptare në Botë mbajtur në Prizren, është zgjedhur anëtar i këshillit drejtues të LSHB.

Tituj të veprave



“Lule pellazgjike” 2012
“U dashka të dal natën vonë”2012
Zhgënjimi i Ambasadorit Amerikan - esè 2012
100 poete për dashurinë -Album poetik me bashkautor 2012.
Kujto Poetin - Album poetik me bashkautor, 2011
Itaka grua -lirika, 2008
Bukuri Shkodrane- ese 2007
Koha e prostitutave lirika & etyde 2007
Trinia ime - poezi 2006
Lufta e Maleve - Palok Traboini, 1911 ese 2006
E vërteta përvëluese e Aristidh Kolias ese 2005
Requiem për një gjethe poezi 2005
Nokturn poezi 2004
Mos vdis dashuri poezi 2002
Katërkëndëshi i mundimeve prozë 2000
Rapsodi ushtore ironi 1995
Gjurmë në histori prozë 1995
Balada e largësive prozë 1995
Petalet e bajames së hidhur tregime 1973

‘100 VJET VATËR’


Naum Prifti

-Vështrim i shkurtër historik-

Federata Panshqiptare Vatra mbush 100 vjet këtë vit, çka na bën të ndihemi krenarë jo vetëm për jetëgjatësinë e saj, por sidomos për veprimtarinë patriotike në shërbim të Atdheut, ndaj përulemi me nderim përpara krijuesve të saj dhe gjithë veprimtarëve dhe aktivistëve njëherësh ju shprehim mirënjohje gjithë Vatranëve të sotëm që vazhdojnë t’ia kushtojnë energjitë e tyre kësaj embleme të çmuar të mëmëdheut tonë.

Ne kete moshe te respektuar VATRA gëzon respektin dhe dashurinë e shqiptarëve në të dyja anët e Atlantikut dhe në mbarë botën ku ka shqiptarë, për shërbimet e mëdha ndaj kombit në çastet më kritike. Dy ishin faktorët kryesorë për ngjizjen e saj, atdhedashuria e shqiptarëve dhe ndikimi i demokracisë Amerikane. 

Paraqitja ime sjell shkurtimisht historine e trupëzimit te kesaj ideje duke e ilustruar me kujtimet e patriotit Kristo Floqit, një nga personazhet kryesorë të themelimit të saj dhe i vetmi që ka shkruar kujtimet e tij rreth këtij evenimenti. Kujtimet e tij u botuan më 1937 në revistën LEKA me rastin e 25 vjetorit të pavarësisë.

Sipas tij, shoqëria BESA-BESË e Bostonit pas mosmarrëveshjeve që pati me Faik Konicën, redaktorin e gazetës së tyre DIELLI, vendosi t’ia besonin drejtimin e saj Avokatit Kristo Floqit. Ai e nisi punën duke mbajtur një sërë takimesh me kolonitë shqiptare, ku nisi të propagandonte  bashkimin e shoqërive me një program patriotik. Delegatët e shoqërive u mblodhën në Boston më 11 dhjetor 1911. 

Midis tyre ishte edhe Fan Noli, i cili sapo kishte ardhur, kurse Faik Konica nuk pranoi të vinte, por u mjaftua t’i dërgonte nismëtarit një letër, ku i shkruante “se nuk kishte dijeni për mbledhjen dhe asaj së djele qe i oukupuar me një punë tjetër.

” Dhe letra vazhdonte: “Ato që thoni për bashkimin janë të pëlqyera dhe pa dyshim duhet të bëhet në gjetshim një formullë të drejtë që ta mbarojmë pa prishur punët që kemi trajtuar deri tani me shumë mundime. 

Kemi komitetin tonë këtu (Flamurin e Krujës) dhe nuk shohim ndonjë arsye që ta prishim. Është e udhës të prishen punëra pa rregull e pa program, por jo punëra të ndërtuara me kujdes. Besoj këto t’i peshoni dhe të më jepni të drejtë. Mbetem juaji me besë, Faik Komitza d.v.” Autori i kujtimeve shpreh qëndrimin e vet kritik ndaj Faik Konicës.

Nga mbledhja doli propozimi të ngrihej një komision i përbërë nga Faik Konitza, Kristo Floqi, At Fan Noli dhe Paskal Aleksi. Komisioni nismëtar u dërgoi letra të gjitha shoqatave duke i pyetur si e dëshirojnë bashkimin, në formë të centralizuar apo si Federatë. 

Propozimi për Federatë ishte shpëtimtar mbasi shoqatat shqiptare pa përjashtim donin të ruanin pavarësinë e tyre dhe kryetarët përkatës parësinë e tyre, ndaj dhe u miratua prej të gjithëve. Në mbledhjen e radhës komisioni mori vendim të hartohej kanunorja dhe të gjendej një emër për federatën. 

 Dikush propozoi emërtimin PLUGU, dikush KASTRIOTI, PËRLINDJA, PARMENDA, dhe së fundi Fan Noli shqiptoi VATRA, që u prit me rrudhje buzësh nga të pranishmit. Vetëm pasi Noli shpjegoi kuptimin metaforik të saj, propozimi i tij u miratua. Ishte data 28 Prill i vitit 1912, dita historike e krijimit të Vatrës. [1]

Veprimtaria e Vatrës shkëlqeu gjatë dhjetë viteve të parë të krijimit të saj. Pas dorëheqjes së detyruar të Ismail Qemalit nga posti i kryeministrit më 1913, atdheu mbeti pa qeveri. Një vit më vonë shpërtheu Lufta e Parë Botërore dhe vendi u pushtua nga forcat ndërluftuese. Funksionet e një qeverie shqiptare në mërgim i mori Vatra. 

Ajo kreu aktivitet diplomatik me përfaqësues të shteteve të Europës dhe në Amerikë, ku veçojmë takimin me Presidentin e ShBA Wilson dhe deklaratën e tij se do ta mbronte shtetin e ri shqiptar me votën e tij. Dhe e mbajti fjalën. 

Wilsoni e shpëtoi Shqipërinë nga copëtimi, ndërsa komunistët shqiptarë ia vishnin meritat Leninit, një profesori liceu që në atë kohë ishte emigrant në Zvicër të cilin nuk e njihte askush.

 Vatra nisi delegacione pas delegacionesh në Shqipëri, luftëtarë për çlirimin e Vlorës më 1920 dhe më pas një kontigjent mësuesish për shkollat shqipe. Mbresa të forta la banda muzikore e Vatrës, e drejtuar nga Thoma Nashi, e cila në çdo qytet që shkeli, ngjalli shpirtin e krenarisë kombëtare me marshet patriotike.

Pas kryengritjes së Qershorit 1924, kryeministër u zgjodh Fan Noli, një nga krerët e Vatrës. Në sferën diplomatike fitorja më e madhe e qeverisë së Nolit ishte hyrja e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë. Kjo është e vetmja meritë që Fan Noli ia njeh vetes si kryeministër. 

Noli idealist donte një shtet demokratik sipas modelit amerikan në një vend të prapambetur gjysmëfeudal, ndaj dhe nuk pati sukses. Gjithsesi Shqipëria ishte i pari shtet i sistemit republikan midis monarkive të Ballkanit.  

Pas qeverise jeteshkurter te Nolit, fitorja e Zogut me ndihmën e bandave të huajtura nga kryeministri serb Pashiç, solli tronditje të thella te Federatën Vatra. Fan Noli dhe Faik Konica u ndanë në dy kampe kundërshtare.

 Dashuria për atdheun i bashkoi, politika i ndau. Fan Noli u shfronëzua nga Zogu, ndërsa Konica u emërua prej Zogut ambasador në Amerikë. Polemika midis tyre shpesh ka tone të ashpra, po ndërkohë ata vazhdonin ta ruanin respektin reciprok.

 Kur Noli u sëmur në mesin e viteve ’30 dhe mbeti ngushtë ekonomikisht, iu drejtua Konicës ta ndihmonte nëpërmjet qeverisë shqiptare.  Zogu i dërgoi menjëherë 3000 franga ar, me të cilat ai pagoi mjekun dhe ilaçet. 

Pranimin e të hollave nga Zogu komunistët e cilësuan mëkat të pafalshëm, kapitullim, tradhëti, por Noli mbrohet duke pohuar me sinqeritet: “Po të kisha marrë ndihmë nga ndonjë i huaj, fjala vjen nga Petrua i Sërbisë ose Jorgua i Greqisë, kishit të drejtë të më thoshit që ’na tradhëtove’ – po unë mora ndihmë nga Zogu i Shqipërisë, ay dhe unë të dy shqiptarë, mbase sot politikisht nuk jemi të bashkuar, por të dy mendojmë dhe punojmë për Shqipërinë.” (Dielli, 28/2/1974).

Në testamentin e Konicës, ai shkruan: “I nderuari zoti Noli, (po) ndërroj jetë me mejtimin se ti je njeriu që më ke kuptuar më qartë në këtë dhé. Nuk do të më tretë dheu nëse ti dhe gjithë ata që e quajnë veten shqiptarë nuk do ta çojnë kufomën time të tretet në tokën mëmë.

 Kam lënë mënjanë dhe harxhet e rrugës për trupin tim pa jetë dhe shumën për 2 metra vend në Shqipëri. Mbyll sytë se ju i nderuari Noli dhe të nderuar shqiptarë, do të kryeni këtë amanet.” Konica vdiq më 1942 në spitalin e Bostonit dhe trupi i tij u mbajt në morg për katër vjet. 

U varros më 1946, pas dy letrave që Noli i shkroi Enver Hoxhës ku e vinte në dijeni për amanetin e Faikut. 

Kur erdhi përgjigja nga zoti Hoxha, se në Shqipëri nuk ka as dy metra vend për Faik Konicën, Noli do të  deklaronte : “ka qenë përgjigja që më ka djegur dorën tërë jetën, një përgjigje që i mbylli dyert tërë diasporës dhe na ndau nga dheu mëmë.

 Është përgjigja që më bëri të heq dorë nga një vendim që kisha marrë dhe për veten time, që kur të vdisja, 2 metra vend t’i kisha në Shqipëri.

” Ja pse eshtrat e Nolit nuk kanë shkuar në atdhe.   Përçarja e madhe e Vatrës ndodhi në vitet 1930, ku ndikoi edhe periudha e depresionit në Amerikë. Dolën në sipërfaqe mosmarrëveshjet e vjetra. Vatra bie ngushtë nga ana financiare. “Dielli” del mesatarisht 2-3 herë në muaj. 

Mbyllet zyra e Vatrës, mbyllet shtypshkronja dhe konfiskohet arkivi i saj, se nuk u pagua morgiçi. Acarohen marrëdhëniet midis pronarit, konsullit shqiptar George Prifti dhe Refat Gurazezit, redaktorit të Diellit. 

George kërkon paratë që i ka huajtur Vatrës. Në këtë atmosferë thirret Kuvendi XXI i Vatrës. Shumica e delegatëve vijnë nga Middle West dhe kërkojnë transferimin e Vatrës në Detroit. Ata të Bostonit e kundërshtojnë me arsyetimin se atje mungojnë intelektualët. 

Pasi një vatran ortodoks e fyejti Gurazezin në sedrën fetare, Fazlli Panariti largohet nga Kuvendi me shumicën e delegatëve. Kuvendi u prish. Pak më vonë, më 13 tetor 1936 del numri i parë i gazetës “Dielli” në Detroit nën drejtimin e Refat Gurazezit. Tashmë ndarja u bë fakt. 

Dy gazeta, të dyja me emrin “Dielli”, një në Boston, një në Detroit vazhdojnë polemikat për disa vite me radhë. Tirana e shqetësuar dërgon më 1938 një delegacion për t’i pajtuar dy Vatrat, por bashkimi i dëshiruar nuk u arrit. 

Debatet vazhdojnë deri në prillin e vitit 1939, kur erdhi lajmi i pushtimit të Shqipërisë nga Italia. Në këto rrethana, lufta brenda gjirit të Vatrës ishte e pakuptimtë prandaj  delegatët e të dy palëvet u mblodhën më 8 maj 1939 në Detroit dhe hartuan deklaratën për bashkimin e tyre.
Ndërkohë vihet re ftohja midis qeverrisë së Tiranës dhe Konicës.

 Flitej se Zogu do ta transferonte në Londër, por kjo ide nuk i pëlqen aspak Konicës. Do të ishte gabim të mendohej se Konica ishte shërbëtor besnik i Zogut. E vërteta është se ai donte më shumë pavarësinë e mendimeve të tij sesa mbretin August. Ja disa konsiderata të shfaqura në letrën dërguar Abdurrahman Matit më 14 korrik 1938. 

 “Mbreti ka shumë zotësira të larta, por si çdo njeri ka dhe disa mungesa. Një nga mungesat e tij është se ato që thotë sot, i harron nesër.” [2] 

Ja dhe pasazhi i vitit 1939, ku ai portretizon Zogun: “E përbuz mbretin për këto arsye, e kam parë qëkur ishte 18 vjeç, por që nga ajo kohë nuk e kam dëgjuar asnjëherë të thotë të vërtetën. Nuk e ka mbajtur fjalën e dhënë. Nuk ka kurrfarë ndjenje përgjegjësie. Është i pangopur, egoist, zemërgur i pandershëm. Ai urren të gjithë ata që kanë diçka-qoftë kulturore, origjinë familjare, pasuri, ndonjë aftësi në çfarëdo fushe ose vetëm pse janë patriotë e të ndershëm.”[3] 

Vjen pyetja, po atëherë si është e mundur që Zogu e dërgoi Faik Konicën ambasador? Për të njëjtat arsye që emëroi edhe Vrionin ambasador në Francë, për t’i hequr qafe dhe për të mos i patur nëpër këmbë.

Periudhën më kritike të jetës së saj Vatra e pati menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, kur qeveria komuniste e ndërpreu në mënyrë kategorike emigrimin e shqiptarëve. Kësisoj osmoza jetike e diasporës shqiptare me atdheun u ndërpre. Shqiptaro-amerikanët që ktheheshin pranë familjeve të tyre në Shqipëri u konfiskohej pasaporta amerikane dhe ishin  detyruar t’i ngrysnin ditët atje. Kjo ndërprerje solli dëmtime të dyanshme. 

Diaspora u rrëgjua, nga mungesa e gjakut të ri. Ndërkohë një faktor tjetër doli në skenë. Në Amerikë filluan të vinin shumë nga të arratisurit politikë që ndodheshin kryesisht në Itali, si dhe ata që me rrezik jete kalonin kufirin grek ose jugosllav. 

Këta e përtërinë mërgatën e paraluftës në Amerikë. Faktori tjetër po aq vendimtar ishte fluksi i emigrantëve nga trojet etnike: Kosovë, Mali i Zi, Maqedoni. Shqiptarët ishin të detyruar t’i përvidheshin repsresionit serbo-sllav, të evitonin arrestimet, burgjet dhe internimet. 

Në fillim Vatra u tregua shumë e rezervuar t’i pranonte në gjirin e saj të mërguarit politikë të etiketuar “bashkëpunëtorë të fashizmit dhe nazizmit”. Paradoksi  ishte se shumë prej emigrantëve besonin se pengesa vinte  mga Qerim Panariti, editor i Diellit, i akuzuar pa të drejtë si komunist. Kjo gjendje vazhdoi pothuaj deri në fund të viteve ’50. 

Së fundi Fan Noli e gjeti të arsyeshme t’i pranonte të arratisurit politikë në gjirin e Vatrës, duke pohuar se edhe ata ishin shqiptarë, ndaj nuk mund t’u mohohej kjo e drejtë. Radhët e rralluara të Vatrës u mbushën dhe ajo u forcua nga përbërja numerike dhe intelektuale. Ia vlen të shënojmë se emigrantët që vinin nga Jugosllavia nuk kishin njohuri për Vatrën dhe iu desh kohë të njiheshin me aktivitetin e saj dhe të anëtarësoheshin në të.

Në fillim të viteve ’90 selia e Vatrës u shpërngul nga Bostoni në Nju Jork. Thashethemet se kjo u bë qëllim që t’i zihej vendi kryetarit të saj legjitim janë pavend. Praktikisht dega e Bostonit nuk funksiononte, për shkak se kryetari ishte i ngathët dhe inaktiv. Kështu ajo shteroi si një përrua kur i mehet ujët.

  Ndërkohë Nju Jorku ishte qyteti ku kishte më shumë shqiptarë ndaj dhe transferimi ishte me vend. Ia vlen të vërejmë se nuk pati kurrfarë reagimi nga ish kryetari i saj dhe nga vatranët e paktë të Bostonit. Në Nju Jork Vatra ishte pa shtëpi, pa zyrë, dhe në fillim e pati vështirë. Për shumë vite me radhë Vatra përdorte për adresë postare godinën e anëtarit të kryesisë së saj, Marjan Cubit, në Manhattan ku ai shërbente si superindendent.

Më 1993, me përkujdesjen e Zydi Karagjozit u ble Shtëpia e Vatrës në Bronx, aty ku ndodhet sot. Më 1995 Vatra mori në dorëzim edhe arkivin që deri atë kohë ruhej në papafingon e biznesmenit të mirënjohur Anthony Athanas, të cilin e përkujtojmë me nderim të thellë për ndihmën e pakursyer që i dha Vatrës gjatë shumë e shumë viteve. 

Me ndihmën e tij u krijua dhe u ruajt fondi i paprekshëm prej 100.000 dollarësh për blerjen e shtëpisë së Vatrës dhe po ashtu fondi për bursat e studentëve po me këtë shumë, nga e cila mund të përdoren vetëm interesat vjetore për të ndihmuar shkollimin e 6-8 studentëve shqiptarë. Kryetari i Vatrës, zoti Agim Karagjozi iu përkushtua drejtimit të Vatrës, me punë të vyer dhe mirëdashje pergjatë dy dhjetëvjecarëve.   

Nuk do flas ketu per historine e dhjetëvjeçarëve te fundit të Vatrës sepse njihen nga komuniteti shqiptar. Tipari dallues i kesaj periudhe ështe rigjallërimi i Vatrës me ngritjen e degëve në Uashington D.C., në Detroit, në Florida dhe në upstate Nju Jork, me ndihmat materiale dërguar në Kosovë dhe në Shqipëri, me botimin e rregullt te gazetes Dielli dhe aktivitetin patriotik e kulturor në shërbim të komunitetit shqiptar në Amerikë.

Ne te vertete, tipari qenesor i historise se Vatres eshte se aty reflektohet dhe perjetohet historia e atdheut gjate njeqind vjeteve te fundit.

-Nju Jork, Nëntor 2012 –

Referati u mbajt në Simpoziumin e 100 Vjetorit te Pavarësise në Detroit, MI.




[1] Të dhënat janë vjelë nga artikulli “Kujtime Historike – Formimi i Federatës Panshqiptare “Vatra” prej Dr. Kristo Floqit. Revista LEKA, viti 1937. 
[2] Janë vjelë të dhëna nga kumtesa e z. Idriz Lamaj mbajtur në Fordham University. në 90 vjetorin e Vatrës, 12 tetor, 2002.
[3] Kristo Frashëri, -Nëntori Nr. 1, 1991.

Nga Redaksia Floripress-Prishtinë


Skeda:Naum Prifti.jpg



Naum Prifti 

Është i lindur në Rehovë, Kolonjë, më 7 mars 1932, ku ka kryer shkollën fillore. Më pas, në Ersekë, atë 8-të vjeçare. Në 1953, mbaron Politeknikumin Mjeksor në Tiranë. Punon një vit si ndihmës mjek në Sanatoriumin e Korçës. I apasionuar pas letërsisë, vazhdon studimet për Gjuhë e Letërsi Shqipe në Universitetin Shtetëror të Tiranës. Gjatë viteve 1954-1960 ka shërbyer si redaktor në revistën Hosteni. Ndërsa nga 1960-67 si redaktor në revistën “Ylli”. Më pas ka punuar si arsimtar nga 1967-70 në Divjakë të Lushnjes.

Në 1970-72 ka patur përgjegjësinë si redaktor përgjegjës për buletinin “Skena e fëmijëve”, pranë Shtëpisë Qendrore të Krijimtarisë Popullore, Tiranë dhe si insepktor teatri në Ministrinë e Arsimit dhe të Kulturës gjatë 1974-76. Në këto vite ka shërbyer edhe si petagog i jashtëm për Letërsinë Shqipe në Universitetin e Tiranës. Në vitin 1991, emigron në Amerikë (New York), ku vazhdon të japë ndihmesën e tij për komunitetin shqiptar këtu dhe për Letërsinë Shqipe. Në vitin 1995, zgjidhet sekretar i Federatës Panshqiptare Vatra, detyrë që e ka edhe sot. Me krijimin e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë e zgjedhin kryetar të saj. Ka fituar shumë çmime për veprat letrare si vëllime me tregime, novela, letërsi për fëmijë, humor dhe skenarë filmash.

Në vitin 2001 nderohet nga Ministria e Kulturës dhe Lidhja e Shkrimtarëve me çmimin: “Penda e Argjendë”, për vëllimin me legjenda “Nëna e Diellit”. Çmimin “Penda e Artë” për vëllimin me tregime dhe skica humoristike “As Miço, As Muço” nga Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptare-Amerikane, New York, 2003. Për punën e tij të gjatë, të vazhdueshme letrare dhe me nivel artistik, është Dekoruar nga Kuvendi Popullor me Medaljen e Punës dhe “Urdhërin “Naim Frashëri” klasi ll-të.

Krijimtaria e tij letrare është e larmishme dhe shtrihet në disa gjini: tregime, drama, komedi, novela, skenarë filmash, pjesë për teatrin e kukullave, skenarë për filma vizatimorë, biografi, artikuj kritikë, publicistikë, etj. Janë thuajse 100 vepra letrare, më shumë se vite jete dhe dyfishi i një gjysmëshekulli krijimtarie. Mijëjra e mijra faqe të shkruara me dorë , të shtypura me makinë të thjeshtë shkrimi, dhe të hedhura në kopjuterin e ditëve tona , qindra e qindra analiza, diskutime, letërkëmbime, biseda, që mund t’i quash pa frikë-publicistikë, për nga idea dhe mesazhi që mbartin dhe përcjellin.

Tregimi: “Dimri i Urisë” ka fituar çmim Nderi (Honour Prize), në Konkursin Letrar Ndërkombëtar të Maison Naaman pour la Culture, 2004-2005. Autori pranohet antar Nderi i Shoqatës Kulturore Naji Naaman.

Përgatiti Zef Pergega dhe Flori Bruqi

Jean François Fitou : EULEX-i përgjoi sipas ligjit, Haradinaj në rol të ri





Ambasadori francez në Kosovë, Jean François Fitou, ka thënë se përgjimi i kryeministrit dhe zyrtarëve të tjerë të PDK-së ka qenë ligjor, dhe se çështja e aferës “Pronto” duhet të trajtohet në bazë të ligjeve në fuqi.Një javë pas publikimit në media dhe rrjete sociale, ambasadori francez bëhet diplomati më i lartë në Kosovë që komenton mbi aferën ku kryeministri Hashim Thaçi së bashku me shefin e Grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, e kryetarin e Skënderajt, Sami Lushtaku, dëgjohen duke sharë, duke përzgjedhur anëtarët e Komisionit të Pavarur të Mediave, duke e bërë punësimin e disa të afërmve të Grabovcit, dhe duke e ofenduar rëndë kryetarin e Parlamentit, Jakup Krasniqi.

Në një prononcim për media, ambasadori francez nuk ka dashur që të flasë për përmbajtjen e bisedave të përgjuara, por ka komentuar mbi ligjshmërinë e tyre.

“Është e rëndësishme që Qeveria, qytetarët, mediet të kuptojnë nëse EULEX-i ka vepruar sipas ligjit. EULEX-i po thotë se ka vepruar sipas ligjit dhe kjo është ajo që e dimë”, ka thënë Fitou.

Ambasadori francez ka thënë se janë normale edhe përpjekjet për ndryshim të ligjit, nëse ai bëhet më i mirë.

“Unë e kuptoj se kjo mund të ketë interferim në lirinë e individëve. Në çdo vend kemi një balancë delikate mes përgjimit dhe privatësisë. Nuk më takon mua ta komentoj ligjin që ka Kosova, por nëse ligji duhet të ndryshohet për t`u bërë më i mirë për mbrojtjen e individëve, atëherë le të bëhet”, ka thënë Fitou.

Sipas tij, nëse dikush është përgjegjës për publikimin e përgjimeve, duhet të japë përgjegjësi.

“Nëse dikush është përgjegjës për rrjedhjen e këtyre informacioneve, atëherë natyrisht se ai duhet të sillet para drejtësisë dhe të jap sqarime për këtë”, ka thënë Fitou.

Kryediplomati francez në Kosovë ka komentuar edhe për lirimin e kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj, dhe për kthimin e tij eventual në qeverisje.

“Haradinaj është pjesë e rëndësishme e politikës në Kosovë qe shumë vjet. Atij iu kërkua që të shkojë në Hagë, ndërsa tani ai është kthyer në Kosovë 100 % dhe unë e kuptoj se ai është i përgatitur për të luajtur rol, por nuk më takon mua që të formoj koalicion apo të shpërndaj postet e ministrave, por natyrisht Haradinaj është aset për Kosovën dhe ai do të luajë rolin e vet në politikën kosovare”, ka thënë ambasadori francez.

“Koha Ditore” ka raportuar muaj më parë se partia më e madhe e pushtetit, PDK-ja, po mendon që ta marrë në koalicion qeverisës edhe AAK-në me qëllim të përforcimit të koalicionit në kohën e dialogut me Serbinë.

Disa skenarë janë përmendur për krijimin e koalicionit të ri. Sipas burimeve të gazetës, krerët e të dyja partive tashmë e kanë përfunduar një plan që do të mundësojë koalicioni


n, që nga diplomatët ndërkombëtarë përshkruhet si koalicion i “të fortëve”.











Ambasadori francez në Kosovë, Jean Francois Fitou e ka realizuar edhe një ‘show’ të ri medial.

Ai pasi ka prezantuar një vëllim shkencor në Bibliotekën kombëtare të Kosovës, ka folur para gazetarëve edhe për çështje politike aktuale.

Deri ka folur në frëngjishten e tij të ‘ëmbël’ Fitou ka pasur ankesa në përkthim. Nja dy-tri herë ka ndërhyrë me nervozë ndaj përkthyesit, i cili nuk i pelqente se si përkthente dhe përfundimisht ta kap ‘për krahu’ dhe ta largojë para krejt mediave.

Në vend të tij ka afruar një përkthyese ‘rezervë’.

Shikojeni sjelljen arrogante të ambasadorit të shtetit lider të demokracisë në Evropës dhe ofendimin që i bënë përkthyesit shqiptar!

nga Hyqmet Hasko :Afresku poetik i feminilitetit

Nga Hyqmet Hasko


Rreth dy përmbledhjeve poetike “Protobernzat e shpirtit” dhe “Dashuri engjëllore” të poetes Deshira Haxhi
Afresku poetik i feminilitetit







Deshira Haxhi, autore e dy përmbledhjeve me poezi, “Protobernzat e shpirtit” dhe “Dashuri engjëllore” të mirëpritura nga lexesi dhe kritika, është një zë poetik i veçantë, me një tematikë të përveçme, ku spikat një lirizëm spontan dhe figuracion i pasur, me një teknikë të zhdërvjellët të përcjelljes së imazhit dhe të mesazheve të saj estetike.Ajo e përvijon individualitetin e saj poetik në vijim të traditës më të mirë të asaj lirike, të ëmbël e të ngrohtë, fine e të magjishme, që vjen që nga Lasgushi ynë i madh, mbreti pa krorë i lirikës shqipe, e vijon deri në kohën tonë, në të gjitha hapësirat mbarëshqiptare të shkrimit poetik. Në vëllimin poetik “Protobernzat e shpirtit” ka një dehje të poetes me fjalën e ëmbël dhe kumbuese poezi, një raport midis reales dhe transhendentes, midis unit dhe jashtësisë, midis të ndodhurave të autores dhe përditshmërisë sonë, të ngarkuar me mall, trishtim, idil, vetmi dhe kërkime të pareshtura në shpirtin e së bukurës. Këto vizatime pasurohen në spektrin e ngjyrave dhe linjave, toneve dhe imazheve në librin e dytë të poetes “Dashuri engjëllore”, ku ka një prirje të autores drejt filozofimit dhe abstragimit poetik. Afresku i gjendjeve, imazheve, mbresave, përjetimeve, kujtesave të ridimensionuara në artin e shkrimit poetik, ideve dhe mesazheve, që na sjell kjo poete, përfshin prirjet dhe tendencat më serioze të poetikës bashkëkohore mbarëshqiptare, sharmin dhe elegancën e vargut, freskinë dhe modernitetin e figurës, spontanitetin dhe natyrshmërinë e gjetjeve. Poetja “luan” me gjërat, në dukje, të imëta e të vogla, por që në fakt, përbëjnë përditshmërinë dhe raportet e saj me veteveten, me unin dhe jashtëunin, me ata që e rrethojnë, duke na sjellë kështu hapësira të ndjesive dhe përjetimeve, ku ajo gjen trajtat dhe modelet e procedimit modern të aktit të shkrimit të poezisë. Fryma e poezisë së Haxhit është një frymë fenminile, një natyrë e pastër, kurajoze për t’i vështruar gjërat në sy dhe në thelbin e tyre filozofik, plot lëng dhe ngjyra të gjalla jete, ku përvijohet përvoja më e mirë e traditës poetike shqiptare, por dhe thyerjet e saj, moderniteti si një cilësi në rritje, sidomos në kohën tonë, kur nuk ka më pengesa jashtëletrare për shkrimin e poezisë së vërtetë. Haxhi shpalos në aktin e saj poetik një jetë në kërkim të vlerave dhe dimensioneve më të pastëra e më të qashtëra të qenies njerëzore, duke krijuar rrathë koncentrikë që priten në një pikë, në dashurinë e saj për të bukurën, për shpirtin e lirë dhe të dashuruar me dimesionet e gjithçkaje për të cilën ia vlen të jetohet e të sakrifikohet. Autorja shkruan një poezi ku gërshetohet tradicionalizmi poetik me risitë e modernitetit, përdor vargun me rimë, asonanca dhe ritme të matura, por herë herë dhe të lirë, (të lirë në kuptimin më tekonologjik të kësaj fjale, por jo të çliruar nga përkujdesja ritmike dhe prozodike, siç ndodh me një duzinë të vetëshpallurish poetë, që çdo renditje fjalësh, në cfarëdolloj forme e strukture, e quajnë me gojën plot poezi, kur në fakt nuk janë as thjeshtë vargëzime të rëndomta). Deshira Haxhi, siç dhe thamë diku shkarazi, ka në themel të aktit të saj poetik unin si protagoniste lirike, marrëdhëniet e këtij uni me botën e jashtme që e rrethon, me kohën dhe bashkëkohësin, me problematikat sociale, etike dhe ekzistenciale, me të cilat ballafaqohet në rrugëtimin e saj poetiko-filozofiko-metafizik. Ajo lot si me tekstin e drejtëprëdrejtë, si komunikim direkt, ashtu dhe me fjalët dhe stilemat simbolike e parabolike, që përdor për të hyrë në raporte “të fshehta” me lexuesin, duke shprehur në mënyrë nëntekstuaale, pra me anë të të nënkuptuarës kodet e shpirtit të lirë. Poezia e Haxhit është një poezi mozaik, ku enumeracioni, zhvendosjet e gjendjeve në kohë dhe hapësirë, kërkimet spontane e të vetvetishme në dukuritë që ajo i njeh mjaft mirë, janë pjesë e kameras së saj vëzhguese e interpretative poetike. Ndoshta e veçanta e artit poetik të Haxhit ka të bëjë me përjetimin e thellë që ajo i bën gjendjes poetike, me llavën që i zien nga brenda dhe nuk mund ta lerë pa e nxjerrë jashtë, në sipërfaqe, në strofa dhe vargje të ndjerë, që bëhen mesazhierë të kredos së saj. Në këtë shtrirje zë vend sa, bie fjala, Gjirokstra, vendlindja e trazimeve të saj, aq miti i Doruntinës, malli dhe idili i kohëve të ikura, që tani e ia trazojnë shpirtin si kujtesë, himni i heshturi dëshirës, bota e fjetur dhe përndjeksja dhe vrasësja e stuhive, etj. Jetojmë në pritje!Dritën kërkojmë hijeshsi të ish' jeta një drejtëz,pa ditur ku do arrijmë...Poetja e shkrin në një ndjeshmërinë e saj feminile, me ngjyrat dhe dehjet e natyrës, me gjendjet dhe peizazhet lëvizëse, gëzimin fërfëllitës të barit në pranverë dhe dhjetëra gjëra të vogla, që e rrethojnë, duke ia bërë jetën më të bukur dhe më të plotë. Dëshira Haxhi nuk i njeh pozat dhe shtirjet, por thjeshtë e me një ndjeshmëri spontane, me shqetësimin e natyrshëm, që ia mban ndezur llambushkat e shpirtit, na shetit nëpër një gjeografi të thyer stinësh dhe kohësh, gjendjesh emocionale dhe përjetimesh, kujtesash dhe historishë. Ajo të befason me çdo varg e strofë, të mrekullon me çdo poezi, me fuqinë dhe magjinë e figurës, me lirshmërinë e paraqitjes së situatave poetike, me saktësinë dhe origjinalitetin e gjetjeve, me rrezonancën e fortë që përçojnë mesazhet dhe filozofia e artit të saj poetik. Leximi i poezisë femërore, kur ka brenda sharmin dhe feminileitin, siç ndodh me peoznë e Deshira Haxhit, të zgjon kënaqësinë e një zbulimi të bukur, ku parakalojnë ndjesitë dhe përjetimet më fine, të përcjella me një sharm të veçantë estetik. Poezia e Haxhit bën pjesë në poezinë e re shqipe që shkruhet nga femrat më të talentuara të brezit të saj, një brez vërtet i veçantë, që shkruan jo me me fjalë, vargje e strofa, por me pejëza shpirti, duke pasur si kryefjalë të aktit poetik dashurinë, dashurinë me shkronja të mëdha, në kuptimin më të gjërë të kësaj fjale, që nga gjërat e imëta e të vogëla që na falin dhe iu falim përkujdesje e dashuri çdo ditë, gjer tek më të mëdhatë e më sublimet, që fisnikërojnë e shenjtërojnë jetën e secilit prej nesh.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...