THANI NAQO

Sa herë më bije në dorë libër me poezi nga poetë të Kosovës përgatis ndjesinë time sepse do të përballem sa me tragjiken aq dhe me heroizmin, sa me dhimbjen intimo-vetiake, aq dhe me dhimbjen dardane, por më ndjell kërshëria se do të gjej edhe shpërrthimin e çastit gazmor, për të cilin kemi aq shumë nevojë sot në shekullin XXI.
Jam njohur dikur me poezinë e Azem Shkrelit dhe Ali Podrimes, me interesin individual si rymëtarë të modernitetit në poezinë shqiptare; më vonë, nëpërmjet internetit, u njoha me poetë të tjerë nga trojet shqiptare. 
Një këta është edhe poeti Tahir Bezhani. 
Mbaj mend, në komentin që kam bërë disa vite të shkuara në Zemra Shqiptare kam thënë se Kosova është shtet i sanksionuar, Kosova është e lirë dhe ka ardhur çasti që duhet t’i këndohet trupërisht dhe shpirtërishtçliruar, asaj, mahnisë: Bukuri Shqiptare, atyre bukurive që me shekuj kanë qenë të shtrydhur dhe të përçudnuar nga pushtuesi sërb. 
E bëra këtë parantezë, ashtu siç  e ndjej unë, se çfarë më ndodhi psikologjikisht dhe çfarë ndjeva personalisht kur lexova poezitë e poetit Tahir Bezhani. Kuptova se Tahir Bezhani është vazhdues i modernitetit poetik dardan dhe këtë ndjesi e formova kur më ra në dorë libri i tij të fundit me poezi,  “Leximi i Shkrumbit.” 
Redaktuar nga Qazim Shehu dhe recensionuar nga Lulëzim Logu.
Sa hapa librin shoh poetin Tahir Bezhani në “Dhomën e heshtjes” dhe, që në varget e para ai deklaron:

Në dhomën time, errësirë,
Heshtje e thepisur.

Me gjithëse kjo dhomë ishte e zhytur në errësirë, unë dalloj dritë-hijet, dëgjoj kumbimin e heroikes, pëshpërimat e tragjikes dhe, siç e kisha parandjenjën, përballem sa me hidhërimin aq dhe me shpresën për të nesërmen. Stepem për një çast. Si do të ndjehet subkoshienca ime kur të shpalos vargjet e këtij poeti? Me çfarë do të pëballohem kësaj herë? Stepja nuk vazhdon gjatë. Kërshëria bën punën e saj. Ja njoh shijet letrare vetes time dhe kjo nuk besoj të keqkuptohet kur unë do të eci pas  gjurmët poetike të Tahir Bezhanit, por do të qëmtoj dhe përzgjedh detajet letrare, ato të pathënat, sepse detajet letrare bëjnë art. Pa to nuk qëndiset sfondi dhe ndjenja e gërshetuar me të. 
Leximi i Shkrumbit nuk më zhgënjeu për sa stepa më lart. 
Sa u njoha me sfondin e Dhomës të Heshtjes, vargjet e mëpashsme hedhin dritë për moshën e poetit, gjëndjen e tij shpirtërore dhe atë shëndetsore. Këto, ndryshe nga të tjerët, nuk shprehen me prozaizëm, por me detaje poetike që rrallëherë i has në lëmin e poezisë. Detaje të tilla gjallërojnë poezinë. I japin jetë e vërtetësi dhe e bëjnë të rehatshme, edhe të besueshme dhe të përfytyrueshme. Ja si konkretizohen:
Një shpuzore me duça duhani/
nicotinë, alkol e pilula,- 
dhe unë, pas këtyre vargjeve dëgjoj rënkimin e heshtjes.

Ky është prologu, sa intim aq e poetik i Leximit të Shkrumbit. 
Nga dritarja e kësaj dhome shpalosen ndjesitë dhe sfondi dardan.
Kur u ndamë ishte kohë e ligë- thotë Tahir Bezhani në poezinë “Akull e zjarr” dhe unë pashë qiellin që pikon akull dhe, në vargjet e mëasshme specifikë dalluese bëhet natyra. Në poezinë e tij natyra është e pandashme, na ndjek hapa pas hapi; këshillë hemingujane, që shton vlerat jo vetëm në prozë, por edhe në poetikë. Ndërthurja e ndjenjës me motin përligjin vargjet e mëposhtme: 
Tani jam në pritje/
gjymtyrët e thyera t’i bashkoj/ 
Rrugëtuam gjatë…
...dhe, pas këtij pohimi gati pleqëror, shpalosen poezitë e tjera në një strukture unike,që mua më duken të qëllimshme, për të gërshetuar botën e ndijimeve të tij. Tani Tahir bezhani më ndjell që unë të eci pas tij, ta ndjek hijen e tij nëpër shkrepat e Bjeshkës, të hyj në kulla dhimbjesh e gëzimesh, përkulem e  prek fije bari, përkëdhel trungjet e drurëve dhe pastaj dëgjoj thënien sa filozofike aq dhe domethënëse gojore: 
Me këmishën e arnuar/ 
plagët nuk mëshirohen. 
Atëherë dalloj se është vjeshtë dhe vjeshta shpalos bukurinë e saj shumëngjyrëshe, por ai, Tahir Bezhani, në fund të poezisë shton me dhimbje poeti:
 Bukuria vjeshtore mërdhin! 
Unë e besoj këtë dhe ndjej të njëjtën dhimbje si Tahir Bezhani, sepse Bukuria Vjeshtore mërdhin.Shikoj dhe qiellin vjeshtor veshur me re dhe e parandjej se poeti kësaj here do të thotë me gëzim:
Sa mirë që ra shi sot!
Mjaftoi ky varg dhe përfytyrimi im shëtit se çndodh në token e bekuar kur bie shiu i parë dhe e pashë këtë shi nga dritarja e kullës së rënuar: 
U platit zjarri/ 
shi e lot përzier/ 
lëpijnë mallin.
Jashtë bije shi dhe unë hyj sërish në dhomën e errët, të kullës së rënuar: 
Ndjej dhimbjen e rënimit/
Lëmyshkun e gurëve të saj.
Pra, ja ku u ndodhem tani, aty, nga u nisa për rrugëtim, dhe u ktheva sërish në dhomën e errët, me duça duhani, alkol e pilula. Projeksionet e hijeve lodrojnë mbi mure nën tingujt ngjethës te lahutës. Ato lodrojnë here si shtojzovalle Bjeshke dhe herë si hije enigmash poetike.
Tahir Bezhanin e përshëndeta, i urova shëndet e krijimtari, i shtrëngova dorën fort dhe dola nga dhoma e tij.
Në rrugën e kthimit më ndjekin pas katër vargjet bezhaniane:
Hija e kullës nën shi,
Ëndërr e zhgjënder.
Qentë endacakë lehin,
Pas gjurmëve të mia…
Ngrita kokën dhe pashë Qiellin Shqiptar që po pastrohenj nga retë e zymta të së kaluarës. Dielli shëtit përmes reve, i shkërmoq ato dhe përfytyroj ndriçimin e tij e te ngrohë në trevat tona të akulluara.