Zyrtarët më të lartë shtetërorë të Serbisë kanë shqyrtuar tre skenarë lidhur me vazhdimin e dialogut me Kosovën dhe mundësinë e marrjes së datës për negociata me Bashkësinç Europiane.
Tre opsionet e prezantuara nga kreu shtetëror serb janë:
(1) që deri në fund të insistohet në formimin e Bashkësisë së komunave serbe me të gjitha kompetencat;
(2) në qoftë se nuk ka sukses opsioni i parë, të fillohet me përmbushjen e kushteve të përcaktuara nga BE-ja në dhjetor, ose;
(3) koalicioni qeverisës të vërtetojë se data për negociata me BE-në është çmim tepër i lartë për ato që kërkohen nga Beogradi.
Planin përfundimtar të protezave që do të ndërmerren në raundin e gjashtë të negociatave me Kosovën zyrtarët serbë do ta përcaktojnë në takimin e së dielës, transmeton Telegrafi një informatë të gazetës serbe “Blic”.
Sipas gazetës serbe, negociatat me Kosovën kanë hyrë në qorrsokak sepse Prishtina nuk pranon kompromis dhe nuk do të lejojë që Bashkësia e komunave serbe, që do të formohej në veri, të ketë kompetenca ekzekutive dhe të zgjidhet përmes zgjedhjeve.
Takimin e nesërm e ka thirrur kryeministri Ivica Daçiq, sepse situata në të cilën gjendet Serbia aktualisht kërkon qëndrim të përbashkët të koalicionit qeverisës.
Sipas gazetës serbe, problemi më i vogël është që kryeministri serb deri në momentin e fundit të insistojë në formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe, por shtrohet pyetja nëse do të arrihet diçka me këtë.
“Beogradit shumë qartë i është thënë se Prishtina nuk do të japë kompetenca për Bashkësinë e Komunave Serbe dhe nga ky qëndrim nuk do të heq dorë, sepse për një qëndrim të tillë e ka përkrahjen e Gjermanisë dhe SHBA-së”, shkruan “Blic”, duke u thirrur në burime të veta.
Autoritetet e Kosovës nuk presin që të arrihet marrëveshja për mekanizmin ombrellë të komunave me shumicë serbe, në takimin me autoritetet e Beogradit zyrtar që do të zhvillohet të hënën në Bruksel. Kjo, shkaku i dallimeve të mëdha të të dyja palëve rreth kompetencave që duhet të ketë ky mekanizëm.
Në takimin paraprak delegacioni i Kosovës ka ofruar mundësinë që komunat serbe të organizohen në një asociacion, mundësi që parashihet me ligj dhe me Pakon e presidentit Martti Ahtisaari, dhe i cili nuk do të kishte rol as ekzekutiv dhe as ligjvënës. Po kështu, nuk do të mund të ishte zëvendësim për kuvendet komunale dhe përgjegjësitë e komunave nuk do të mund të barteshin te ky mekanizëm. Pra, nuk do të përbënte një nivel të tretë të pushtetit në Kosovë, shkruan sot Koha Ditore.
Serbia, ndërkaq, ka kërkuar që mekanizmi që do të quhej bashkësi komunash, do të duhej të kishte kompetenca të rëndësishme, që praktikisht të mundësonte vetëqeverisjen e serbëve të Kosovës. Ky institucion, i zgjedhur nga komunat, do të kishte ingirenca në gjyqësi, në polici, në dogana, në arsimin sipëror, në shëndetësinë sekondare dhe në disa fusha të tjera. Këshilli do të kishte edhe kompetencën e emërimeve.
Sipas një zyrtari të lartë, i përfshirë në ekipin negociues të Kosovës, dallimet janë aq të mëdha sa tashmë dihet se marrëveshje nuk do të ketë.
Përgatiti Flori Bruqi