Shkruan Flori Bruqi
Një revoltë studentësh të Universitetit të Prishtinës e fillimit të marsit të vitit 1981, për pak ditë u shndërrua në një lëvizje në shkallë të gjerë dhe pranvera e atij viti ishte periudhë demonstratash të mëdha në të cilat u kërkua që Kosova të kishte statusin e Republikës.Këto demonstrata shënuan fillimin e shkëputjes së Kosovës nga ish Jugosllavia dhe përbënin një kthesë të rëndësishme në historinë e re të Kosovës, pasi që ishin vazhdimësi e drejtpërdrejtë e përpjekjeve të mëhershme.
Pas shtypjes me dhunë të demonstratave të pranverës së vitit 1981, autoritetet jugosllave filluan një periudhë të gatë ndjekjeje të organizatorëve dhe udhëheqësve të grupeve të fshehta. Sipas ish drejtuesve komunist të Kosovës, vetëm deri në vitin 1987, mbi 570 mijë shqiptarë kishin kaluar nëpër duart e sigurimit jugosllav, ndërsa deri nga fillimi i viteve të 90-ta mijëra shqiptarë ishin dënuar me 25 shekuj burg.
Duhet pranuar faktin se jeta e përbashkët e shqiptarëve me serbë dhe kombet e tjera të Jugosllavisë deri në vitin 1981, kishte dhënë shumë rezultate në afrimin e popujve, por jo në afrimin mbi principe të barazisë, por mbi shembullin e skllavit të nënshtruar ndaj padronit.
Në Jugosllavinë e atëhershme shqiptarë të ndershëm, poshteni shiptari konsideroheshin vetëm ata që e donin pa lajka Jugosllavinë, si atdheun e tyre, ata që martoheshin me serbe, ata që rezervoheshin të flisnin shqip sapo futej në mesin e tyre një serb, dhe ata shqiptarë trutharë që nuk kishin as edhe ndjenjën më elementare të dashurisë për kombin e atdheun.
Dhe, mjerisht, duhet pranuar faktin se të tillë në mesin e turmave të paarsimuara shqiptare pati me shumicë, ashtu sikurse pati me bollëk edhe nga ata që u shkolluan në Beograd, dhe prej andej sollën në Kosovë shumë nipa dhe mbesa të Serbisë.
Mbi këtë shtresë të turmave shqiptare ngrihej klasa politike jugosllave, e cila kishte pranuar rezignatën tragjike të asimilimit të ngadalshëm, meqë arrinte të mbijetonte ekonomikisht dhe arrinte të vilte favore të shumta dobiprurëse duke u bërë pjesë e politikës jugosllave antishqiptare.
Krijimi me sukses i një hibridi të tillë të çoroditur, çonte pa kthyeshëm në idenë e jugosllavizimit të shqiptarëve dhe të popujve të tjerë të federatës, e cila ishte përhapur sidomos në vitet 70 dhe 80 të shekullit të kaluar.
Është e natyrshme se periudha e tillë e rrojtjes bashkë, periudha mushke e bashkim vëllazërimit të shqiptarëve me serbë, periudha e fillimit të një ngjizjeje të panatyrshme, mes dy popujve që kishin të përbashkët vetëm armiqësinë 13 shekullore, jepte rezultate të caktuara, ashtu sikurse kishte dhënë edhe në kohën e Romës, kur qenë romanizuar shumë popuj të Ballkanit, por edhe në kohën e Perandorisë Otomane kur u turqizuan po ashtu një pjesë e madhe e popujve të Ballkanit.
Mirëpo, në kushte dhe rrethana të zhvillimit shoqëror, arsimor, politik dhe ekonomik në Evropën e asaj kohe, në kohën e ndarjes së botës në dy blloqe të mëdha politike kundërshtare, proceset historike do të zhvilloheshin në akord me kohën, dhe nuk mund të ndodhte ndonjë asimilim i dhunshëm, apo ndonjë shfarosje kolektive e shqiptarëve, sikur më vonë pretendoi ta zbatonte regjimi i Sllobodan Milosheviqit.
Viti 1981, grushtin më të fortë ia dha idesë së jugosllavizimit të shqiptarëve dhe kjo është merita më e madhe historike që ndodhi në atë kohë, sepse filloi rruga e vetëdijesimit për liri, barazi dhe vetëvendosje të shqiptarëve. të cilët padrejtësisht dhe me bekimin e qarqeve politike evropiane kishin mbetur të okupuara nga Jugosllavia.
Këtë ide e përforconte edhe procesi i diferencimit ideopolitik, proces të cilin e zbatonte me përpikëri klasa titiste-rankoviqiste shqipfolëse e Kosovës. Ishin këta partiakët e të gjitha niveleve nga LKJ, LSPPJ, LRJ, LANÇ, pastaj prokurorët, gjykatësit, porotët, milicët, sigurimi i shtetit i identifikuar si UDB si dhe një klasë e tërë denoncuesish, të cilët për shërbimet e tyre kundër nacionalistëve dhe irredentistëve shqiptarë shpërbleheshin në shumë aspekte.
Të rralla kanë qenë shtëpitë e shqiptarëve të trojeve të robëruara të atdheut asokohe ku nuk kishte të paktën një denoncues shqipfolës. Ky është një fakt i palavdishëm por mjerisht është një fakt historik, sepse të gjitha grupet ilegale, e tërë veprimtaria antijugosllave është zbuluar nga shqipfolësit, nga ata që ishin shumicë, sepse popullata serbe gjithnjë ka qenë pakicë në Kosovë dhe nuk ka arritur të shënojë ndonjë rezultat në këtë drejtim.
Nuk kishte fshat në Kosovë, apo bashki në qytete, ku nuk njiheshin ata që bashkëpunonin me UDB-në, sepse ky bashkëpunim bëhej madje krejt hapur. Në çdo aksion për të shpartalluar shqiptarët liridashës kanë marrë pjesë milicët shqiptarë, ndërsa aksionet janë drejtuar nga policët serbë të UDB-së.
Edhe në aksionin gjakatar kundër familjes së Tahir dhe Nebih Mehës në Prekaz, më 13 maj të vitit 1981, në ballë të forcave të rrethimit kanë qenë milicët shqiptarë. Të tillët, në mars dhe prill të vitit 1981, kanë vrarë dhjetëra demonstrues në Prishtinë, Ferizaj, Gjakovë, Vushtri, Mitrovicë, Drenas e gjetkë.
Të cilësuara nga autoritetet e kohës si veprime kundërrevolucionare, demonstrata e vitit 1981, ishin kulmimi i përpjekjeve të pa dhunshme politike në Kosovën e pasluftës së dytë botërore dhe janë kthyer pastaj rrjedhimisht edhe në një bazament të fortë edhe të përpjekjeve të mëvonshme, që kulmuan me epopenë fitimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ndërkohë, në 32 vjetorin e këtyre demonstratave, deri më tash nuk është organizuar asnjë manifestim që kujton këto veprime që kërkonin Republikën e Kosovës.