2013-03-04

Metafora dhe roli i saj në krijimtarinë artistike

Studiuesit dhe estetë e arteve pamore, por edhe piktorë të ndryshëm, kanë theksuar se disa krijues në veprat e tyre japin jo atë që shohin, por atë që e njohin. Pra, mu këtu qëndron ajo “mosmarrëveshja”e njohjes së veprave të tyre në krijimtarinë artistike. Kështu që në vijimësi është një pjesë e krijuesve, që vazhdimisht krijojnë forma [ide] të reja, s’do mend, të shumtën e herëve, të panjohura për shikuesin. Dhe, në këtë kuptim krijuesit krijojnë tablo me figura të shndërruara, njerëz me pamje të qenit ose të një figure tjetër që nuk kanë ngjasim në njeri. E, mu këtu, fillojnë të paraqiten imazhe dhe përfytyrime me kuptime metaforike.
Shndërrimet metaforike

description

Gjithsesi, këto shndërrime dhe kuptime metaforike e nxisin shikuesin që të mendojë dhe të analizojë veprën e krijuar. Shumëkujt këto vepra të krijuara mund t’i jenë dukur të pakuptueshme në shikim të parë. Ato gjithsesi kërkojnë angazhim dhe përqasje “pak më ndryshe” për t’i kuptuar. Dhe, në këtë drejtim, mund ta përmendim veprën omonime “Guernika” të Pikasos, që gjithsesi paraqet shndërrime dhe përzierje të ndryshme figurash dhe detajesh. Këtë metaforë përzierjeje e ka paraqitur edhe piktori Mark Shagall në veprën “Violinçelisti”. Zaten, kështu edhe vijimisht kështu janë krijuar edhe shumë vepra të tjera me imazhe pangjashme me figurën reale. Kuptohet, këto përfytyrime dhe imazhe të tjera lidhen ngushtë me përfytyrimet e botës shpirtërore të krijuesit. Dhe, doemos do të lindin pyetjet; Si duhet kuptuar ato shëmbëllime dhe tepër të shndërruara dhe, si duhet t’i qasemi mënyrës për t’i kuptuar ato përngjasime dhe shndërrime? Autorët e librit “Teoria e letërsisë”, Uorren dhe Uellek, theksojnë: “Poezia është figuracion, ose tropologji, pra është një mënyrë “figurative” e shprehjes, një lloj ligjërimi i tërthortë, që funksionon me metonimi e me metaforë, që pjesërisht krahason botë të ndryshme, që saktëson objektin e vet duke e hedhur atë në gjuhë sistemesh të tjera” [f. 175].
Po kështu edhe shkrimtari ynë i madh, I. Kadare, në “kitaristi”, figurën e njeriut e paraqet me një kokë si shpellë, “Gjashtë telat si udhë zgjatën në mugëtirë”, [koka-shpellë, telat-rrugë].
Shikuesi dhe simboli i krijuar në veprën artistike
Fusha e artit figurativ shfrytëzon mjete të veçanta të shprehjes, simbole dhe lidhje të imazheve që japin kuptime të tjera dhe ndonjëherë edhe me karakter polivalent. Kjo ndodh shpeshherë në artet figurative. Në këtë drejtim mund ta përmendim shikuesin tonë që ende nuk është i mësuar nga praktika e disa krijuesve të artit pamor që me të madhe i përdorin këto shndërrime dhe metafora të shumta. Dhe, në këtë drejtim medoemos krijohet ai “hendeku” midis shikuesit dhe krijuesit. Këtë hendek, sado-kudo, e ka për detyrë ta plotësojë kritika jonë artistike që sot për sot, realisht, ende është e paktë. Gjithsesi karakterin metaforik të këtij arti e shpreh qartë studiuesi dhe kritiku i artit Hivzi Muharremi, në monografinë për piktorin Muslim Mulliqi. Ai thotë: “Në hapësirën e shkriftë figurat dhe format ekzistojnë simbolikisht, si shprehje të një gjendjeje shpirtërore të përjetimit poetik dhe dramatik të një fati njerëzor. Për këtë arsye nuk e zotërojnë konkretizimin e vet material, por vlerën joreale të metaforës”. Zakonisht nëpër disa ekspozita kolektive, por edhe individuale të disa autorëve tanë, por edhe të disa autorëve të jashtëm që po ekspozojnë në galeritë tona artistike, po vërehet me të madhe kjo metaforë e imazheve dhe e përfytyrimeve të paraqitura në tablotë e ekspozuara. Dhe, në disa vepra të krijuara kjo metaforë aq shumë po dhunohet dhe aq keq po keqpërdoret, saqë po e humbin vlerën e artit dhe po kalohet në antiart, që vetvetiu po shfaqet si sindrom i keq artistik. Këto vepra janë antihumane, antinjerëzore dhe fundi i fundit antiartistike. Mendoj, kjo mund të quhet, pse jo, edhe anticivilizim, që asgjë nuk ka të përbashkët dhe fare nuk ka të bëjë me veprën artistike.
Metafora dhe rëndësia e saj në krijimtari
Gjithsesi, metafora dhe shpërfaqja e saj në krijimtari është e madhe. Dhe, në këtë kontekst disa kritikë të arteve pamore, duke e analizuar veprimtarinë e pikturimit të piktorit E. Hila, kanë konstatuar se funksionimi i shenjave dhe shndërrimi i tyre në tablotë e tij kanë krijuar tablo me kuptime të larta metaforike, që gjithsesi zgjojnë kërshërinë shpirtërore të shikuesit. Arti modern më tepër se drejtimet e tjera artistike e shfrytëzoi dhe po e shfrytëzon këtë simbolikë dhe këtë metaforë artistike. Dhe, në këtë drejtim mund t’i përmendim veprat e disa krijuesve që u dalluan me shfrytëzimin e kësaj metafore të ravijëzuar. Si p.sh., Mark Shagall, Pikaso, Paul Klle, Eduad Mung, De Kiriko e ndonjë tjetër. Dhe, “Ndërgjegjja estetike e artistike dhe bota, u shkrinë, duke marrë epërsi dhe theksim të veçantë “uni” si në poezinë lirike. Kështu arti pamor nisi t’i shfrytëzojë pamjet e shumta të gërshetuara në rolin e shenjave, të cilat në struktura komplekse të reja, nxisin kuptime dhe emocione të tjera” [J. Mato]. Andaj, estetë dhe studiuesit e ndryshëm të arteve pamore kanë potencuar rolin e lartë dhe të mirëfilltë që kanë simbolet dhe matadora. Dhe, vijimisht duke menduar të shprehin jo atë që shohin, por atë që e njohin. Këto shndërrime të imazheve në metaforë do ta kenë vlerën e duhur nëse janë paraqitur me shtrirjen më të lartë kreative. Andaj, kjo vlerë do të shndrisë bukur në veprën artistike nëse shndërrimet janë realizuar me ndijimin e ndjesive të larta shpirtërore dhe sensin e lartë kreativ dhe rrezativ në veprën artistike. Andaj, metafora e do kreativitetin logjik dhe shpërfaqjen tejet ndiesore të imazheve dhe të ideve të shumta që vazhdimisht kërkojnë shpërfaqjen e mirëfilltë në veprën artistike. Dhe, se sa do të jetë e kuptueshme për krijuesin, që ta shpërfaq atë në kreativitetin logjik, aq do të jetë e kuptueshme për vizitorin tonë për ta kuptuar atë.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...