Të dala nga një ndër fatkeqësitë më të mëdha të luftës, me familjarët
meshkuj të vrarë e të zhdukur, grave të Krushës së Madhe e të Vogël iu
desh kohë e gjatë që të rimerrnin veten.
meshkuj të vrarë e të zhdukur, grave të Krushës së Madhe e të Vogël iu
desh kohë e gjatë që të rimerrnin veten.
Masakra e 26 marsit të vitit 1999, kur forcat paramilitare serbe vranë më shumë se 200 persona, kryesisht burra e të rinj nga mosha 12 deri në 90 vjeçare, bëri që Krusha e Madhe dhe e Vogël të njihen si fshatrat pa burra.
Zonjat, që papritmas u bënë kryefamiljare dhe morën barrën e mbajtjes së familjes, kujtojnë se si një numër i meshkujve të vrarë ishte mbyllur në një shtëpi në Krushë të Vogël. Aty paramilitarët i kishin ekzekutuar nga dritarja, e më pas ishin djegur nga zjarri.
Ato tregojnë se para se të ndodhte një veprim i tillë, forcat serbe i kishin urdhëruar ato që së bashku me fëmijët e vegjël të iknin për në Shqipëri.
Katërmbëdhjetë vjet pas, pasojat e luftës vërehen në Krushën e Madhe, megjithëse përgjatë këtyre viteve u ngritën shtëpi të reja, të cilat në 99-n ishin rrafsh me tokë.
Ajo çka ka ndodhur në Krushën e Madhe me rrethinë gjatë luftës ishte një fatkeqësi e madhe, thotë Fahrie Hoti, e cila as sot nuk di asgjë për fatin e bashkëshortit të saj, Bashkimit.
Ajo ka treguar për Radion Evropa e Lirë për rifillimin e jetës pas luftës.
“Fillimisht themeluam një shoqatë 'Gratë e veja', për hulumtimin e personave të pagjetur. Ka qenë një rrugë shumë e gjatë dhe e vështirë, e pamë që ishte një rrugë e gjatë, vrapuam shumë dhe nuk kishte asgjë. Askujt nuk iu bë vonë pse nuk është kthyer Bashkimi. Vendosem që t’i kthehemi jetës, të punojmë”, tregon Hoti.
Gratë e veja të Krushës më pas filluan të mbillnin tokën dhe të ringjallnin jetën.
Hoti thotë se pas organizatës “Gratë e veja”, që u themelua në vitin 2005, filluan të merreshin edhe me konservimin e ushqimeve dimërore.
Pas suksesit dhe kërkesave nga qytetarët, kjo organizatë ka rritur kapacitetet e saj prodhuese dhe njëkohësisht ka rritur numrin e të punësuarave, kurse në vitin 2010 organizata u shndërrua në kooperativën bujqësore “Krusha”.
“Sot jemi në një biznes shumë të mirë. 25 punëtore jemi që punojmë rregullisht. Këto janë kryefamiljare, ndërsa atje ku punohet, ajo anëtare punon komplet me familjen, atëherë trefishohet numri i punëtoreve”.
“Unë mund të prezantoj numrin si 25, por mund ta prezantoj edhe 100, se vazhdimisht janë të angazhuara familjet, konservojnë dhe i sjellin konservimet në kooperativë, nga ku produktet nisen për në treg”, sqaron Hoti.
Kooperativa “Krusha” tashmë është e njohur në Kosovë. Produktet e saj bëhen mbi bazën e recetave tradicionale. Me produktet e veta kjo kooperative furnizon rreth 28 markete të mëdha në qytetet e Kosovës.
Prodhimet e tyre më të kërkuara janë ajvari dhe specat me kos.
“Është një punë me të vërtetë e befasishme edhe për mua, që në një moshë të shtyrë edhe vështirësitë që kemi përjetuar, tmerrin, të mbajmë tregun paralel me djemtë e ri. Kjo është për t'u çuditur”, shprehet zonja Hoti, për të shtuar se kooperativa “Krusha”, me prodhimet dhe produktet e saj, arrin të mbulojë 70 për qind të kërkesave në treg.
Suksesi i punës dhe kërkesat e shumta të qytetarëve për prodhimet e tyre ushqimore kanë forcuar në masë të madhe gratë, thotë Hoti, për të shuar se me të ardhurat e fituara kryefamiljaret mbajnë familjen dhe shkollojnë fëmijët.
Megjithatë, vuajtjet dhe lufta, thotë ajo, nuk harrohen asnjëherë.
“Normal që nisin dhe përfundojnë punën, sigurisht me obligimet për punë dhe kujdesin a është ajvari i mirë, a ka krip më pak apo më shumë, por mendoj që ato çdo gjysmë ore e kanë edhe bisedën për luftë, do të thotë si ndodhi, ku janë, si u bë, pse na lanë. Por, kanë edhe kohë kur ato argëtohen”, thekson Hoti.
Njëra nga punëtoret e kooperativës, Sadbere Hoti, shprehet e kënaqur me punën që bën, pasi që sipas saj, prodhimet e tyre janë shumë të kërkuara.
“Në radhë të parë jemi të kënaqura që puna po na lavdërohet shumë, dhe punën po e bëjmë mirë, por edhe prodhimet me kualitet”, thekson ajo.
Fshati Krushë e Madhe, banohet kryesisht nga fëmijë që kanë humbur babanë, dhe me gra të veja të cilat duhet të mbajnë familjet e tyre dhe të rrisin fëmijët pa bashkëshort, duke kultivuar perime; speca, domate e të tjera, nga të cilat shpeshherë edhe nuk mund t’ia dalin, pa ndihmat mujore sociale, sado të vogla që janë.
Sido që të jetë, gratë nga Krusha e Madhe thonë se pavarësisht nga përjetimet shumë të rënda që kanë që nga paslufta, ato janë të përkushtuara për të mbajtur familjen dhe për t'u kujdesur për të ardhmen e fëmijëve të tyre.