Arkeologët kosovarë janë vënë në 'gjah' për të gjetur gjurmë jete në kohën paleolite në Kosovë. E, kërkimi i gjetjeve të gjurmëve nga kjo periudhë e lashtë parahistorike do t'i dërgojë ata në një mision specifik, hulumtimi nëpër shpellat e vendit. Territori i Kosovës është mjaft i pasur me shpella nga më të ndryshmet. Disa nga to radhiten ndër bukuritë e rralla botërore. Një numër mjaft i madh i këtyre shpellave dhe kushtet e mira natyrore, kanë krijuar kushte ideale për jetë në të gjitha periudhat historike. Deri më sot, shumë nga to tashmë janë dokumentuar. Por, periudha paleolite në Kosovë ka mbetur e errët. Kjo e ka shtyrë Institutin Arkeologjik të Kosovës për ta nisur projektin për këtë periudhë. E, vendet më ideale për të arritur deri te gjurmët që dëshmojnë këtë, janë shpellat.
Studimi i periudhës paleolite
Në një prononcim për "Kosova Sot", arkeologu Luan Gashi, që është edhe bartësi i këtij projekti, në një prononcim për "Kosova Sot", është shprehur se projekti i sivjetmë i Institutit Arkeologjik është studimi dhe gjetja e gjurmëve të jetës në kohën paleolitit në Kosovë. Studimi i periudhës paleolite, e cila përfshin një periudhe të gjatë kohore me miliona vite para epokës sonë, kërkon përgatitje dhe kohë të gjatë. E, vendi më adekuat për t'i gjetur këto gjurmë, sipas arkeologut Gashi, janë shpellat. Historikisht dihet se njeriu i kohës së lashtë apo ai i kohës së gurit është strehuar nëpër shpella dhe aty ai i ka lënë edhe gjurmët e tij. Sipas tij, në Kosovë ka mbi 1.200 shpella, të cilat mund të dëshmojnë se në Kosovës ka pasur jetë edhe në kohën paleolite. "Shpellat janë vendet më të sigurta, të cilat dërgojnë deri te gjurmët e jetës paleolite", ka thënë ai. Gashi ka thënë se është optimist për të gjetur gjurmë jete të kohës paleolite në Kosovë. Sipas tij, ka mjaft indikacione që e dëshmojnë këtë. Aktualisht arkeologët e IA-s janë duke i hulumtuar të gjitha shpellat që janë të evidentuara, por edhe zbulimet më të rejave. "Në fazën e dytë, gjatë këtij viti, do të nisë eksplorimi në gjitha shpellat për të parë se cila nga to ka ofruar kushte për jetë", ka thënë ai.
Shpellat e Radavcit
Arkeologu Gashi ka thënë se në bazë të pozitës dhe kushteve klimatike, Kosova ka qenë një vend ideal për jetë edhe në kohën e paleolitit, andaj ai është i sigurt se kërkimet do t'i japin rezultatet e pritura. "Në gjithë Ballkanin kjo është dëshmuar, por në Kosovë, për arsye që dihen, nuk janë bërë hulumtimet. Kjo dëshmon se këtu ka pasur jetë në këtë periudhe, bile ekziston mundësia të gjenden gjurmë edhe të periudhës së neandertalit", ka pohuar ai, duke shtuar se një nga shpellat që është hulumtuar deri diku dhe që mund të shpjerë deri te këto gjurmë, është ajo e Radavcit të Pejës. "Gjatë hulumtimit në shpellën e Radavcit, kemi hasur në të gjitha periudhat, por jo në paleolit. Mirëpo, hulumtimet i kemi ndërprerë për shkak të buxhetit, presim t'i vazhdojmë dhe besoj do të arrijmë në rezultate të pritura", ka thënë ai, duke shtuar se dëshmitë për jetë paleolite vijnë nga vitet e mëhershme, ato të '60-ta të shekullit të kaluar, ku arkeologët serbë kanë gjetur diçka. "Në literaturë shkruhet se është gjetur një nofull, që i ngjason asaj të njeriut, por nuk është, ndërkaq edhe ajo dëshmi, si shumë artefakte, janë bartur në Serbi", ka pohuar ai. Po ashtu, ai ka thënë se para luftës së Kosovës, arkeologët serbë kanë bërë çka kanë dashur me pasuritë arkeologjike të Kosovës.
Shpellat, atraksione turistike
Përveç rëndësisë për dëshmimin e jetës në periudha historike, shpellat e Kosovës do të ishin edhe atraksione të rëndësishme turistike, duke mundësuar edhe thithje të të hyrave, jo vetëm për banorët lokalë. Por, ato ende nuk janë duke u parë si burim i të hyrave. Shpella e Gadimes, një nga bukuritë e rralla që natyra ia ka falur Kosovës, aktualisht është në gjendje të mjerueshme. Fare pak, për të mos thënë asgjë, gjatë këtyre viteve është bërë për këtë shpellë. E njëjta situatë është edhe me shpellat e tjera të Kosovës, ku përveç se mungojnë investimet, nuk është bërë asnjë reklamim për rëndësinë apo bukuritë e tyre. Arkeologu Gashi ka thënë se në kuadër të projektit për eksplorimin e shpellave do të ndahen edhe fonde për të botuar fletushka apo katalogë informues. Sipas tij, Shpella e Gadimes është në gjendje të vështirë dhe për ta përgatitur për turizëm, duhen investime të mëdha. "Aty mungon çdo gjë. Ka raste edhe kur është ndalur rryma elektrike dhe brenda kishte vizitorë. Kjo është e tmerrshme", ka thënë ai, duke shtuar se në kuadër të projektit do të punohen ca katalogë informues për pasuritë e kësaj shpelle, e cila ende nuk është eksploruar sa duhet.
I. Vatovci