Dheu që shihet tek policët, ka rënë pasi ekipi i deminimit, kryejti shpërthimin e kontrolluar të bombës në dritaren e avokaturës Bici.
Tri vjet përsiatje me një familje problematike, e mësuar si duket të mbijetojë më shumë se sa nga djersa nga forca e kërcënimit, duket të jetë kthyer në rrezik për ekzistencën e avokatit Xhevat Bici.
Ai sot e kishte filluar punën si çdo ditë tjetër në zyrën e tij, rreth orës 10.00, pa vërejtur asnjë rrezik apo kërcënim, derisa i vie një palë në zyre. Ndërsa po bisedonin pala i thotë avokatit, çfarë është ajo në dritare? Mos është bombë? Dhe përnjëherë dalin jashtë avokati Bici dhe pala e tij. “Sapo dola jashtë e pash edhe nga afër se ishte një bombë, e ngjitur në dritare. Nuk kisha edhe aq frikë meqë, e dija se ashtu tani për tani nuk mund të shpërthente. Por, unë mendoj se ajo është vënë gjatë natës. Dhe është aq poshtë, sa mund ta kishin lëvizur fëmijët, e madje edhe një erë paksa e fortë. Sa viktima do të mund të ishin”, thotë Bici për “Bota sot”.
Ndërkohë, kalon një orë thuaj dhe më në fund arrin ekipi i deminimit.
Pas pak dëgjohet një krismë, derisa polici i veshur me veshje speciale, provoi me gjasë një shpërthim të pasuksesshëm apo vetëm shpërthimin e kapsulës së bombës. Krisma jehoi, dhe dhjetëra qytetarë të mbledhur për të shikuar, sikur u lehtësuan, po ashtu edhe banorët në pallat që shikonin pas dritareve. Por, jo shpërthimi kishte dështuar. Edhe njëherë nga fillimi, rinis procedura, që do të zgjaste edhe rreth gjysmë ore. Pas pak, disa minuta para orës 12.00 ia arrijnë edhe zjarrfikësit dhe një ambulancë emergjente, në rast lëndimi të ekspertëve të deminimit apo edhe të ndonjë kalimtari rasti apo banori të pakujdesshëm nga katet më lart.
Pas pak minutave, më në fund gjithçka është gati dhe të gjithë urdhërohen të largohen 70 metra nga rrezja e bombës. Megjithëse një pjesë nuk u largua më shumë se 30 metra, shpërthimi i fuqishëm jehoi, doli bloza e tymit, dhe u përhap dheu. Pas pak policia verifikoi se askush nuk ishte lënduar.
Avokati Bici, edhe pse u kishte deklaruar hetuesve për rastin, shkon në polici edhe njëherë të rrëfejë për dyshimet dhe kërcënimet ndaj tij.
Avokati Bici ka dyshime të bazuara se kush mund të jenë kërcënuesit e tij. “E di kush ka mund ta bëjë, mendoj se edhe policia ka informacione të mjaftueshme, sepse më kanë kërcuar dhe për këtë e kam informuar edhe policinë, mirëpo pas marrjes në pyetje është liruar personi”, tha avokati Bici.
Policia e Kosovës e konfirmon se në ora 10.00 e kanë pranuar një informatë se ekziston një mjet shpërthyes në rrugën “Ali Pashë Tepelena”.
Avokatura e z.Bicaj gjendet në fund të lagjes Aktash, rreth 100 metra më poshtë restorantit “Rugova”, dhe ndodhet në katin përdhes në pjesën e pasme të rrokaqiellit buzë rrugës “Agim Ramadani”, që ndodhet në fund të rrugës “Gazmend Zajmi”.
Sipas një rasti kërcënimi të deponuar në policinë e Kosovës, i dyshuar duket të jetë i njohur për policinë, (po ashtu për redaksinë) N.N., një person që duke pretenduar të kërcënonte edhe komunën e Prishtinës, kishte vendosur dy bomba dore, në një pako në objektin e komunës së Prishtinës.
Avokati Bici njihet si një nga avokatët më me eksperiencë në çështje civile dhe viteve të fundit ka pasur raste kontestesh, prej më të mëdhave dhe më të rrezikshmeve në vend.
Menjëherë, pas informimit të policisë, disa dhjetëra policë e kanë rrethuar vendin e ngjarjes, me shirit dhe kanë larguar të gjitha veturat në afërsi të vendngjarjes, për të pastruar vendin para ardhjes së ekipit special të policisë për deminim apo për neutralizim të vendit.