Sapo doli nga shtypi dhe është hedhur në treg libri më i ri i shkrimtarit satirik Luan Laze, me titull interesant dhe intrigues “Mendova se ishit njerëz”, nga shtëpia botuese “Erik”. Me parathënie të Armir Shkurtit, ky libër me 223 faqe, sjell për lexuesit përvojën jetësore të shkrimtarit në gjininë e aforizmave, paradokseve, tregimeve dhe eseve. Për lexuesit e gazetës po sjellim sot një këndvështrim të shkrimtarit mbi satirën dhe paradokset e tij, të shkëputura nga ky libër i sapo botuar. Shpresojmë që ky botim i ri do të pasuroje bibliotekën e ç’do lexuesi qe kërkon më shumë se sa një humor i rëndomtë. Satira e Luanit është përtej asaj që konsumohet në ç’do spektakël, duke u konsideruar nga kritika letërsi e mirëfilltë satiro-humoristike. Prandaj edhe ky libër i njëmbëdhjetë i tij me siguri që do të mirëpritet nga lexuesi i kësaj gjinie të bukur dhe të mençur. Vështroni karikaturën dhe titullin në kopertinë dhe do të bindeni për përmbajtjen e saj.
Aforizma-Paradokse
*Në kryqëzim pyeta lustraxhiun ku ndodhej lagja e të pasurve. Ai më tha: cilët, ata që kanë para, apo ata që kanë humor?
*Ai shkruante gjera të mençura, por vetëm të mençurit nuk i lexonin.
*Kuleta: lëkurë kafshe që na tregon sa vlen lëkura e njeriut.
* Të kërkosh të drejtën është shumë e drejtë. Të mos e fitosh kurrë atë, është akoma më e drejtë.
* Ka njerëz që pasuria nuk ua ngre dinjitetin. Disa të tjerëve varfëria nuk ua ul personalitetin.
* Idiotët: njerëz të aftë që drejtojnë mençurinë e budallenjve.
* Falenderoj bixhozin për fatin e mirë që kam patur. Sepse nuk kam luajtur asnjëherë.
* Seicili nga ne ka arrogancën e sasisë së parave të veta.
* Ata që thonë se ka dritë në fund të tunelit, asnjëherë nuk tregojnë se tuneli është i pafund.
* Para seksit lexonte kodin penal, para buke lexonte biblën, para gjumit lexonte ëndrra, para se të vidhte lexonte gazetat.
* Liria është një vlerë e paçmuar prandaj është mëkat t’ua dhurosh atyre që e përdhosin.
* Me të drejtën është shumica e njerëzimit. Prandaj sot varfëria ka mazhorancën.
* Gruas time i është mbushur mendja të martohet me mua. E tmerrshme!
* Prejardhja e njeriut nga majmuni nuk po ndalet edhe sot e kësaj dite.
* Dhjetë këshilla për një martesë të lumtur. E para: mos u martoni asnjëherë.
* Edhe burri shtrëngohet por jo për të pjellë fëmijë.
* Ajo ishte aq e zgjuar sa të mos e tregonte sekretin e injorancës së vet.
* Një biznesmen është shumë filantrop, sepse edhe pas vdekjes ka menduar për pasurinë. Ia ka lënë trashëgim vetes.
* Kur më rreh burri më bën shumë për të qeshur, sepse më gudulis.
* Nuk jam kundra shëndoshjes dhe kileve të tepërta. Por e keqja është se ato je i detyruar t’i mbash gjithnjë me vete.
* Gjysëm budalla dukesh kur nuk flet. Gjysma tjetër të duket sapo hap gojën. * Të jesh sot njeri është kafshëri e vërtetë.
* Një deputet mund ta largosh nga fshati, por fshatin nuk e largon dot nga deputeti.
* Më pëlqen më shumë të ëndërroj se sa t’i kem pranë. Përveç parave.
* Nëse do të kisha 2 milion euro do të ndihmoja të varfërit dhe jetimët. Por janë të pafat, sepse aktualisht kam 3 milion.
* Kur ishte i vogël dhe i varfër e nuk kishte me çfarë të luante babai i thoshte, merru me bibilushin tënd! Ky ves i ka mbetur edhe sot.
* Këngëtarja ankohej shpesh për dhimbje koke. Sipas saj kishte kafkë të vogël për gjithë ato tru.
* Kush paguan për të fituar të drejtën e tij ka ushqyer padrejtësi për të tjerët.
* Unë u tregova budalla që të gjeta ty. Ti ishe e mençur që më gjete mua.
* Të gjitha të vërtetat që janë thënë për të vërtetat, janë gënjeshtra.
* Kam mendim të keq për të gjithë ata që mendojnë mirë për mua.
* Të nxjerrësh një gënjeshtër të re nga gënjeshtrat e vjetra është balsami më i mirë për budallenjtë.
* Më i zgjuari i pasardhësve të majmunëve ende nuk beson se dikur këtu kanë jetuar alienët. Prandaj edhe më budallai i alienëve nuk pranon të lidhet me racën e majmunëve.
* Kur ishim të rinj kemi qenë të papjekur, e kur u poqëm nuk kemi më rini.
* Çdo absurd ka fillimin dhe fundin. Por fundi është më i gjatë se fillimi.
* Dikur burrat ishin në të vërtetë shërbëtorë të kombit. Tani kombet mbijetojnë për ti shërbyer burrave që i drejtojnë.
* I pari vlerësim emocionues dhe serioz që merr sapo të është rritur fëmija vjen me konsideratën: prind idiot!
* Një pikë gëzim është më i shëndetshëm se një maune ëndërrim.
* Mos shqetësoni veten duke menduar se ju paragjykojnë. Prapagjykimi do t’iu ndjekë tërë jetën.
* Opozitë do të thotë të mos realizosh nesër gënjeshtrat e sotme.
* Shpesh herë dashuria me shikim të parë përfundon me një shikim për herë të fundit.
* Kush e kupton budallallëkun e vet është në hapat e para të mençurisë.
* Pluralizmi i martesave është një nga vlerat më të mira të demokracisë. Sepse e di që në fillim se nusja e dytë do të jetë më e keqe se e para.
* Optimizmi është një lloj besim se vuajtjet e së kaluarës do të ndjekin edhe në të ardhmen.
* Njeriu ka dy faqe, një për tu skuqur dhe një për tu rrahur. Të kishte edhe një tjetër për nderin, do ta përdorte.
* Gazetaria është i vetmi profesion që gënjen të tjerët për të mirën e vetes.
* Zgjedhje pa gënjeshtra nuk ka, ndërsa gënjeshtra të zgjedhura plot.
* Akademia më e lartë e artit të hipnozës është politika.
* Sa më shumë vizitojnë Shqipërinë aq më shumë vlerësojnë vendin e tyre.
* Nëse i thoni vetes budalla përpara pasqyrës i tillë është vetëm ai përballë, jo ju.
* Një qen rruge dukej sikur e kishin ngrënë qentë. Më tutje një njeri që dukej sikur e kishin ngrënë njerëzit.
* Fati i të mençurve varet nga sasia dhe cilësia e budallenjve.
* Injoranca është sukses, dituria bela e madhe. Prandaj ndiqni suksesin.
* Nuk do të ishim këta që jemi, nëse nuk do të ishim ata që kemi qenë.
* Nga gjinekologu deri tek arkeologu, kjo quhet jetë.
* Bashkëjetesat e palegalizuara janë të vetmet ndërtesa që kanë fatin të mos shkatërrohen nga buldozerët e përbuzjes.
* Sa mirë që je keq dhe sa keq që je mirë! Lumturia që na kënaq më shumë.
* Për tu bërë lezbik një mashkulli i duhet të kapërcejë dy ylberë. Ndërsa femrës që ta meritojë homoseksualizmin i duhet të përshkojë rrugën e kundërt.
* Nuk është e plotë lumturia nëse rreth e përqark ka edhe të tjerë që jetojnë si ju.
* Edhe me njerëzit duhet mbajtur periz. Disa nuk duhet t’i përdorësh se të bëjnë dëm.
* Vetëm idiotët nuk e kuptojnë se farmacia nuk zgjat jetë por shkurton buxhete.
* Gjuha e njeriut gënjen për llogari të të zotit dhe kafshohet nga inati i tij kur i shpëton e vërteta.
* Gjithë gënjeshtrat që kam shkruar nuk kanë dalë prej mendjes sime por prej stilolapsit.
* Femra kini kujdes, mos i thoni burrit tuaj të vërtetën se ai është budalla.
****
Të shkruash satirë
Luan Laze
Gjithnjë kam besuar se, çdo fjalë apo mendim kundra së keqes nuk është kurrë më e keqe se e keqja vetë. Këtë gjë mund ta realizojë artistikisht vetën satira. Viktor Hygoi më jep kurajo kur kujtoj thënien e tij se: “në letërsi jam e madhja kundra të voglës, në politikë jam e vogla kundra të madhes”. Të merresh me satirë është njësoj si t’i deklarosh shoqërisë: unë do të kritikoj, ndërsa ju mos më doni, më pengoni, më urreni, më luftoni, më lini pa punë, pa respekt e vlerësime. Sepse kështu është e vërteta e këtij zanati të uruar, të bekuar dhe të dashuruar nga ustallarët që ia njohin të fshehtat, magjinë dhe dobinë që sjell. Gjithsesi, ngushëllimi të vjen sapo kujton se kjo specie e shkrimtarit të satirës, në çdo cep të botës, të qytetëruar ose jo, të bardhë apo të zinj, të verdhë apo mulatë, janë trajtuar kudo njësoj. Ngjan se satirikët i ka lindur një nënë, prandaj dhe kanë patur të njëjtin fat. Duke qenë të tillë, si fëmijët e një familje, ata duhen urryer njësoj, sepse të gjithë ashtu mendojnë. Çdo shkrimtar i satirës, qoftë amerikan, francez, grek, turk, gjerman, italian, anglez, hollandez, suedez, spanjoll, iranian, saudit apo shqiptar qoftë, të gjithë vuajnë nga një sindromë: dashuri për vendin dhe përbuzje ndaj atyre që e katandisin. Ata mund të dallojnë nga njëri- tjetri, vetëm nga stili i të shkruarit, i të thënit mendimeve apo lloji i plagës shoqërore që i ka shqetësuar e detyruar për të satirizuar. Ndërsa në thelb janë padyshim të ngjashëm, prandaj dhe përbuzjen zyrtare e kanë merituar të njejtë. Zanati i satirikut shkrimtar është si i atij mjekut të përkushtuar, i cili pasi ka zbuluar sëmundjen në trupin e pacientit, e fton që ta luftojnë sëbashku. Kur ai është me vullnet dhe e do jetën pranon dhe, në të shumtën e rasteve sëmundja largohet. Por ndryshe nga mjeku, qeveritë nuk kanë nevojë tu tregosh me gisht plagët e shoqërisë të cilat ata vetë i kanë hapur. Për pacientin popull, të cilin e kanë dërguar në reanimacion, nuk kërkojnë nga askush, aq më pak nga një shkrimtar i satirës, t’i ndihmojë për ta kaluar këtë gjendje. Aq më tepër të pranojë sarkazmën e tij e të durojë që njerëzit t’i bëjë të ndërgjegjshëm mbi atë që po i punohet jetës së tyre. Sepse antidoti i satirikut nuk është njësoj i efektshëm, si në rastin e shkaktarit, ashtu edhe në atë të viktimës. I pari e sheh antidotin e shkrimtarit si përpjekje të kundërt për të cilin u sajuan plagët e shoqërisë. Pra, satiriku dhe metodat e tij artistike shikohen si balsam dhe ndërgjegjësim. Ndërsa për viktimat është një ngushëllim se mendjet e hapura të satirës janë me ta dhe kundra çdo padrejtësie apo barbarie njerëzore. Mirëpo kjo kontradiktë sjell edhe përbuzje për shkrimtarin. Ai nuk i shpëton dot misionit për të cilin ka ardhur padashjen e tij në këtë jetë, dhe po padashjen e tij i kanë injektuar këtë talent që është sa i vështirë për tu mbajtur e ushtruar, aq edhe i bukur e i veçantë. Perversitetet, shthurja, mutacionet seksuale, etja e shfrenuar për fitim, vrasjet, luftrat, varfëria ekstreme, pasuria marramendëse, dhunimi i natyrës e qindra plagë të tjera, të mbrojtura me ligjin e të fortit, janë njëkohësisht dhimbje dhe lëndë e parë për fokusin shpirtëror dhe intelektual të satirikut. Që në këtë moment, ai kthehet ose vetdeklarohet si opozitari kronik dhe profesionist i çdo qeverie, opozitë me të, madje dhe opozitë e opozitës. Sepse ai e di mirë se, kur opozita zyrtare nuk e ngre zërin, do të thotë se meraku i saj është që tulet e veta të ulen sa më parë në karriket e kundërshtarit, dhe jo meraku për urinë e stomakut të atyre që i votuan. Kështu fillon të bëhet i urryeshëm profesioni i satirikut për shkaktarët e plagëve shoqërore dhe kandidatët shkaktarë që do të vijnë nesër në pushtet. Duke qenë armik i padrejtësisë, satiriku bëhet njëherësh dhe armik i shtetit dhe opozitës. Ai mbetet në mes të turmave që i gënjejnë dhe gënjeshtarëve që dinë vetëm të mashtrojnë. Njëra palë e simpatizon, tjetra e përbuz. Por ata që e simpatizojmë janë të varfër, ata që e përbuzin janë të pasur. Dhe të pasurit thonë në heshtje: ti që kërkon të mbrosh shumicën, duhet të bësh edhe jetën e tyre! Fati i satirikëve të vërtetë ka qenë kudo njësoj. Me sa duket, prandaj në këtë botë ka aq pak shkrimtarë të kësaj gjinie, sa nëse je lexues i tyre, mund edhe t’i njohësh me emër e mbiemër të gjithë. Të pasurit janë pak në numër por me shumë llogari monetare. Të varfërit janë shumë në numër por me aspak llogari monetare. Kujtojmë fatin e disa prej krijesave satirike që u kthyen në të urryeshëm për qeveritë e vendeve të tyre. Sepse satira nuk është vetëm zili, por më shumë se kaq, është urrejtje nga ata që drejtojnë vendet e tyre. Nuk janë vetëm satirikët të ngjashëm si vëllezër të një nëne. Edhe ata që ushtrojnë profesionin e urryesit, qeveritë, janë si të lindur prej një nëne, madje duken si binjakë edhe kur janë tridhjetënjakë apo pesëdhjetënjakë. Satiriku ka në formimin e tij njerëzor dashurinë, përbuzjen, guximin dhe sfidën. Nëse duhet të mbajë edhe inatin e shtetit të vet, kjo nuk i prish punë, veçse i shton akoma më shumë nur dhe sharm personalitetit të vet njerëzor dhe artistik. Fabulisti i lashtë grek, Ezopi, mbeti skllav i pronarit të tij gjithë jetën. Xhonatan Suiftin e dërguan në çmendinë dhe e vranë me sopatë duke e shpallur si të vetëvrarë. Vetvrasje me sopatë!! Satirë të zezë bëjnë edhe ata që kanë urryer gjithmonë satirikët. Për Zhan Batist Pokëlen, Molieri, pëshpërisnin se ishte homoseksual, vetëm e vetëm se ky djalë i tapicierit të oborrit mbretëror, u bë gjeni i komedisë dhe për këtë arsye, fama çdo natë i fuste në shtrat gratë dhe vajzat e princërve të oborrit që e urrenin. Ndoshta këtu kishin pak të drejtë. Të tallesh me pushtetin e të pasurve në komedi, dhe të shkosh me gratë e tyre në jetë, duket jo fort e moralshme. Por ky ishte fati i fatbardhit Molier. Çarli Çaplinit i hoqën shtetësinë amerikane dhe e dëbuan nga ai vend pa i kërkuar edhe sot e kësaj dite ndjesë. Dhe cilit? Figurës artistike më brilante të satirës dhe humorit që ka nxjerrë ky planet. Por Çaplinit nuk mund t’i kërkohet ndjesë për sa kohë filmat e tij janë aktual, ashtu siç janë aktual mëkatet e pasardhësit e atyre që i hoqën shtetësinë këtij gjeniu. Kriza e dikurshme ekonomike e filmave të Çaplinit, sot është më e dhimbshme se atëherë edhe pse është me ngjyra. Personazhi i Çaplinit për të shuar urinë hante shollën e këpucës, ndërsa sot, po ajo shtresë shoqërore është e detyruar të hajë jashtëqitjen e të pasurve si çokollatë. Turku Aziz Nesin, disa herë u burgos në vendin e tij, jo se vodhi apo përdhunoi, por se shkroi libra me satirë dhe humor kundra marrëzisë shtetërore. A ka patur të drejtë shkrimtari? Nëse zyrat e shtetit thërrasin ushtar një gjyshe 85 vjeçare, me pretendimin se i ka bërë bisht detyrimit ligjor, a duhet ironizuar nga satiriku? Të luftosh guximin letrar dhe artistik, siç u veprua me këta kolosë të humorit e satirës, padyshim që fara e këtij zhanri do të mbijë vetëm në disa mendje të rralla dhe të guximshme. Shkrimtari i satirës mbetet krijesa për të cilin mbretërit, presidentët, diktatorët dhe shërbëtorët, luten që në tokën e tyre të mos lindë asnjë krijues i kësaj gjinie therësë, të mençur dhe argëtuese. Por edhe kur ndodh kjo fatkeqësi, pa pyetur dhe padashur, do të kujdesen që satiriku lirinë ta ketë të kufizuar, banesën dhe ushqimin të racionuar, burgun të afruar, sëmundjen të pashëruar, përbuzjen të paharruar, pengesat të pakufizuara, inatin të palimituar, emrin e mohuar dhe punën e pushuar. Pra, të gjitha ato që mbarojnë me “uar”, t’i gëzojë satiriku që mbërriti pa lejen e shtetit në këtë tokë! Prapashtesën e kësaj fjale mos e ngatërroni me atë të fjalës dekoruar. Sepse asnjë vend nuk i ka komplimentuar zyrtarisht, asnjë shtetar, mbret apo president, nuk i ka dekoruar satirikët. Në disa raste vetëm i ka pushkatuar, pushuar dhe mohuar. Mesazhi është i qartë: satirikë, nuk iu durojmë dot! Kaq thellë është rrënjosur në psikologjinë e njerëzve kjo ndjenjë antisatirë, sa dikush thoshte se: shumë nëna të mençura dhe shpirtdhembshura luten që asnjë nga fëmijët të mos i lindë satirik. Po të bënin punë lutjet, shteti me siguri këto nëna do t’i dekoronte si nëna antisatirik dhe pro pushtet. Nëse një vend nuk ka fatin të lindë satirikë, ose një prej tyre, së paku të ketë fatin të lindë shumë lexues të kësaj gjinie. Të jesh satirik në këtë botë të çmendur, më shumë të shëmtuar se të bukur, më shumë të padrejtë se të drejtë, më shumë të varfër se të pasur, më shumë imorale se të ndershme, më shumë hakmarrëse se tolerante, më shumë të frikshme se të sigurtë, më shumë të nënshtruar se rebele, e kupton menjëherë se zyrtarisht je një qenie bezdisëse. Nëse ndodh e kundërta, pra, që vlerësohesh nga shteti dhe presidenti, me siguri ka dy arsye të forta: ose krijimtaria është një paçavure proqeveritare, ose qeveritarët nuk janë mirë nga trutë e i ka përfshirë skleroza dhe kanë harruar të të urrejnë. Në rastin e parë mund të jesh një lloj hibridi satiro- shtetare, ose llapashkrimtar që shkruan pro të pasurve për tu pasuruar vetë dhe, kundra të varfërve për t’i varfëruar më shumë. A ka satirik që mbron padrejtësitë ose humorist i të pasurve, përveç kllounëve mbretëror të oborrit? Një ish mik i këtij zanati më tha dikur: më mirë u shërbej atyre që më japin para, sa të ndihmoj ata që nuk kanë para. Satira kthehet kundra meje, ndërsa lëvdatat më shërbejnë. Dhe ashtu bëri. Për shkrimtarin e vërtetë satirik, por edhe për llapashkrimtarin, në fund Zoti ka menduar për shpërblimin. Të parit mund t’ia gëzojnë fëmijët lavdinë dhe honoraret, të dytit po fëmijët do t’i paguajnë gjynahet. Sepse një furçë me lëvdata pro padrejtësive, nuk ka lidhje me satirën por me mirëqenien personale. Satira është i vetmi institucion opozitar i vërtetë që nuk i dhimbsen as shëmtirat brenda vetes, as ato në majë të piramidës. Ajo nuk ka sallë, administratë, fonde, studio, deputetë, anëtar dhe lajkatar. Satira ka vetëm talentin e shkrimtarit, dashurinë për njerëzit, urrejtjen për padrejtësitë dhe respektin për lexuesit. Satira nuk ka për detyrë të fusë njerëzit në mendime por t’ua zgjojë ato. Çdo shkrimtar i zhanreve të tjera ka mundësi të jetë edhe pak satirik. Ndërsa një satirik e ka për detyrë të jetë shkrimtar i plotë satirik. Zhanret që ai lëvron kanë brenda personazhin letrar, dashuritë, dramat, urrejtjet, mençurinë, filozofinë, humorin, ironinë, fantazinë. Satiriku nuk mund të shesë gallata rruge, klubi, shtëpie apo kazinoje si krijime letrare. Kjo letërsi është një gjë tjetër, ndërsa ajo është një tjetër gjë. Jo çdo torrollak që na bën për të qeshur është satirik. Aq më pak po të jetë edhe shpirtzi, i lig e i dekoruar. Që këtu do ta kuptojmë se ai është i shtetit, për shtetin dhe i dalë prej shtetit. Në një shoqëri ku injorohen satirikët e vërtetë, dekorimi i një llapashkrimtari është gishti tregues se kujt i ka shërbyer. Një lexues i satirës ka fatin të lexojë shkurt për mençuritë e gjata, ndërsa mund të bezdiset nga romanet e gjata pa asnjë zgjuarsi të shkurtër. Prania e satirës në letërsinë e një vendi, është dhuratë e çmuar. Por e keqja për injorancën dhe ligësinë është se ajo vjen bashkë me satirikun. Si t’ia bëjmë që të mos i kemi të dy pranë? Është e thjeshtë zgjidhja. Le të bëhet ajo që është bërë që nga koha e Ezopit. Qeveritë ta përbuzin, lexuesit ta mbajnë në biblioteka. Ndonjëherë, edhe në mendje për të kuptuar sa të jetë e mundur shkaktarët e mjerimit të jetës së tyre. Sepse të parët e çdo vendi prandaj nuk i duan librat e satirikut, ngaqë satirë do të thotë: çdo fjalë apo mendim kundra së keqes nuk është kurrë më e keqe se e keqja vetë. Në fund edhe një arsyetim: do të thuhen shumë gjëra për satirën, por asnjëherë sa e nevojshme është ajo. Edhe autori nuk i tha të gjithë në këto radhë. Ndoshta e keni gjetur pjesërisht në librin që sapo lexuat.