Libri sistemohet në tri njësi (pjesë): Pjesa e parë: Dy pavarësitë shqiptare; pjesa e dytë: Personalitete, dhe e treta: Dokumente, materiale dhe fotografi (album).
Autori me këtë libër jep ndihmesë pikërisht në vitin e madh të kremtimit të 100-vjetorit të Pavarësisë, por që gjen momentin që në përmbyllje të këtij viti festiv ta promovojë librin, pikërisht më 30 dhjetor, datë që përkon edhe me 21-vjetorin e sulmit barbar serb në Prekaz, i cili do të kulmojë në marsin 1998, tragjedi kjo që sensibilizoi gjithë opinionin botëror se duhej shkëputur njëherë e përgjithmonë nga kthetrat serbosllave një popullatë liridashëse së cilës i ishin bërë padrejtësi që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, Konferenca e Londrës, Konferenca e Paqes e Parisit, Procesi i Prizrenit e kështu me radhë.
Pjesa e dytë i kushtohet me portretet apologjetike kontribuesve të pavarësisë: Ismail Qemalit, Hasan Prishtinës, Luigj Gurakuqit, Isa Boletinit, Dedë Gjo Lulit, Themistokli Gërmenjit, Bajram Currit, Vëllezërve Bajo dhe Çerçiz Topulli, Motrave Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi, Avni Rustemit, Shotë Galicës, Fan S. Nolit dhe Ramiz Cërnicës (për qëndresën në Procesin e Prizrenit ku në mënyrë deçidive pati thënë: Me Serbinë – Jo! Me Shqipërinë – Po!) me një hyrje si parantezë, e dy portreteve për Skënderbeun dhe Adem Jasharin.
Pjesa e tretë ka një faktografi, duke evidentuar dokumente, materiale dhe fotografi që shënojnë shtetndërtimin e Shqipërisë dhe të Kosovës.
Libri, me më se 400 faqe, ka një përgatitje tejet estetike dhe është botuar nga “Buzuku”, Prishtinë, i cili ka botuar në tërësi edhe veprat e tjera të Jakup Krasniqit.
Një libër i pa ngarkuar me faktografi dhe i shkruar nga syri i një atdhetari, kështu e ka vlerësuar Ramiz Kelmendi librin “Pavarësi dhe Personalitete” të Dr. Jakup Krasniqi, i cili është përuruar sot në Drenas. Duke folur në këtë përurim, vetë autori i librit, ka thënë se klasa politike shqiptare mund të mësojë mjaftë shumë nga filozofia popullore shqiptare.
Sipas shkrimtarit e publicistit, Ramiz Kelmendit, në libër është përfshirë e gjithë historia e kombit shqiptar dhe të dy pavarësitë.
“E theksoj përkushtimin, ndërgjegjen dhe personalitetin e autorit për ta rrumbullakuar librin me të përbashkëtat dhe të veçantat e të dy pavarësive të Shqipërisë dhe të Kosovës me të cilat merret në pjesën e parë dhe me personalitet që e bënë e shpallën e jetësuan apo edhe e ndërtuan Pavarësinë e vitit 1912 me të cilat merret në pjesën e dytë”, ka thënë Kelmendi.
E vetë autori i librit Jakup Krasniqi, e ka cilësuar librin si “të ndryshëm” nga librat e natyrës historike të popullit shqiptar. Ai thotë se libri në planë të parë ka personalitetet sepse për krijimin e shteteve është folur mjaft.
“Në letërsinë tonë ka pak vepra që janë marrë kryesisht dhe më shumë me integritetin e personaliteteve të historisë tonë se ne kemi dëgjuar të flitet për integritetet e vendeve e të shteteve por më pak kemi dëgjuar të flitet për personalitetet me integritet”, ka thënë Krasniqi.
Studimet i mbaroi në Prishtinë në Fakultetin Filozofik dega Histori. Më pas i kushtohet punës si pedagog dhe krahas saj fillon veprimtarinë politike në ilegalitet. Në vitet 1981 deri më 1991 burgoset për arsye politike nga pushtuesi serb.
Ishte pjesëtar aktiv i LDK-së në Drenas e më vonë edhe anëtar i kryesisë së LDK-së. Angazhohet aktivisht në ndërtimin e strukturave të UÇK-së dhe zëdhënës i saj në kohën e luftës. Anëtar i delegacionit shqiptar në Rambuje të Francës. Ministër në qeverinë e parë të Kosovës. Pas zgjedhjeve të para në Kosovën e çliruar ministër për shërbimet publike.
Në zgjedhjet e lira pas pushtimit më 1992-1998 deputet në parlamentin e Kosovës. Tani është sekretar i përgjithshëm i PDK-së, kryetar i grupit parlamentar të PDK-së në parlamentin e Kosovës dhe anëtar i Grupi politik strategjik për negociata. Në seancën e parlamentit të ri të Kosovës më 9 janar 2008, dalë nga votimet e 17 nëntorit 2007, Jakup Krasniqi zgjidhet Kryetar i Parlamentit të Kosovës.
Aktivitete dhe funksione, të tanishme apo paraprake
1972–1977 Arsimtar në Fatos dhe Arllat; 1976–1977, Arsimtar në Shkollën e Mesme në Drenas; 1979–1981 Arsimtar në Arllat dhe pastaj në Shkollën e Mesme në Skenderaj; 1991–1994 Arsimtar në gjimnazin “Skënderbeu“ në Drenas; 1995–1998 Kryetar i Këshillit të Arsimit në Drenas; 1998–1999 Zëdhënës i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK); 1999 Anëtar i Delegacionit të Kosovës dhe i Grupit Politik në Konferencën e Rambujesë; 1999–Janar 2000 ministër i Ministrisë për Rindërtim dhe Zhvillim; 2001-Deputet në Legjislaturën e Parë; Mars 2002 dhjetor 2004 Ministër i Ministrisë së Shërbimeve Publike në Qeverinë e Kosovës; Tetor 2004-2007 Deputet në Kuvendin e Kosovës, mandati II; 2004-2007 Shef i GP të PDK-së në Kuvendin e Kosovës; Nëntor 2007 deputet, mandati III; Janar 2008- vijon Kryetar i Kuvendit të Kosoves; 1973–1981 Veprimtari politike Klandestine (ilegale) në Lëvizjen Kombëtare të Kosovës; 1981–1991 I burgosur politik; 1991–1999 Anëtar i Kryesisë dhe kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), dega në Drenas; 1992–1998 Deputet i Parlamentit të Kosovës; 1998–1999 Zëdhënës i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), anëtar i Shtabit të Përgjithshëm, anëtar i Drejtorisë Politike të UÇK; 1999–2003 Sekretar i Përgjithshëm i Partisë së Prosperitetit Demokratik të Kosovës (PPDK) përkatësisht Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Tetor 2005-vijon Sekretar i Përgjithshëm i PDK-së, Nëntor 2005 anëtar i Grupit Politik Strategjik nga PDK, në bisedimet e Vjenës.
Libra
Kthesa e madhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës, Shtëpia Botuese "Buzuku", 320 faqe, Prishtinë 2006. ISBN 978-9951-08-059-6
"Kosova i a historical context"; Shtëpia Botuese "Eeuroprinty", 128 faqe, Prishtinë 2007; ISBN 978-9951-05-109-X
"Një luftë ndryshe për Kosovën"; Shtëpia Botuese "Buzuku", 224 faqe, Prishtinë 2007; ISBN 978-9951-08-092-2
"Pavarësia si kompromis"; Shtëpia Botuese "Buzuku", 208 faqe, Prishtinë 2010; ISBN 978-9951-08-116-6
"Kosova në kontekst historik"; Botim i dytë i plotësuar. Shtëpia Botuese "Buzuku", 208 faqe, Prishtinë 2010; ISBN 978-9951-08-115-0
"Lëvizja për Republikën e Kosovës 1981-1991 sipas shtypit shqiptar"; Shtëpia Botuese "Buzuku", 320 faqe, Prishtinë 2011; ISBN 978-9951-08-140-5
Guxo ta duash lirinë, Shtëpia botuese: "Buzuku". Viti i botimit 2011.
Pranvera e lirisë ‘81, Shtëpia botuese: "Buzuku". Viti i botimit 2011.
Flijimi për lirinë, Shtëpia botuese: "Buzuku". Viti i botimit 2011.
Pavarësi dhe Personalitete:""Buzuku"",Viti i botimit,2012.