Trilerët që zhvillohen në nëndetëse, sikur që janë filmat "Run Silent", "Run Deep", "The Hunt for Red October", "Crimson Tide", si dhe filmi klasik "Das Boot", për një kohë të gjatë kanë qenë ushqim i preferuar për regjisorët. Filmi "Phantom", më i riu në këtë zhanër të nderuar, në fakt nuk arrin që të ngrihet në nivelin e paraardhësve të tij. I frymëzuar nga një ngjarje e vërtetë, ajo e fundosjes misterioze të një nëndetëseje ruse në vitin 1968, "Phantom" është më klaustrofobik sesa që mund të merret me mend.
Udhëtimi i fundit i veteranit sovjetik
Kjo ngjarje e tendosur nga koha e Luftës së Ftohtë ka të bëjë me udhëtimin e fundit të ndërmarrë nga kapiteni veteran sovjetik Demi (Ed Haris), i cili ende nuk e kishte marrë veten nga një udhëtim tjetër paraprak, i cili nuk kishte shkuar ashtu si duhej. Edhe pse ai më parë kishte komanduar nëndetëse bërthamore, tani i ishte dhënë urdhri që ta drejtonte një nëndetëse thuajse të prishur, e cila duhej t'i shitej marinës kineze. Përpos ekipit të rregullt të Demit, ku përfshihen dora e tij e djathtë, Aleks (Uilliam Fiçtner), në bord janë edhe disa "teknikë", të udhëhequr nga misteriozi Bruni (Dejvid Duhovni). Shumë shpejt merret vesh se ata, në fakt, ishin agjentë të KGB-së, që kishin urdhër ta merrnin nëndetësen nën kontroll dhe, me ndihmën e një pajisjeje të quajtur "The Phantom" (Fantazma), ta gjuanin një anije të SHBA-së, duke ia lënë për këtë fajin Kinës. Kjo planifikohej që ta ndezte Luftën e Tretë Botërore midis rivalëve më të mëdhenj të BRSS-së. Por, një situatë e tillë rezultoi me konflikt midis Demit, i cili vuante nga epilepsia dhe Brunit të pashpirt. Të folurit e aktorëve është tepër i shpejtë.
Më shumë i mërzitshëm se rrëqethës
Edhe pse ngjarja e këtij filmi tregohet nga një perspektivë krejtësisht ruse, regjisorit/skenaristit Tod Robinson kjo nuk i ka penguar që ta angazhojë një ekip artistësh amerikanë, që flasin gjuhë pa asnjë aksent rus. Me gjasë ju kujtohet se, p.sh. në filmin "Hunt for Red October" edhe Shon Koneri ishte munduar që të fliste me theks rus, përkundër asaj se kishte dështuar totalisht. Është qartë se kemi të bëjmë me një film të buxhetit të vogël, prandaj herë-herë "Phantom" ngjanë më shumë me një film TV. Derisa Ed Haris shkëlqen me rolin e tij, kjo nuk mund të thuhet për Dejvid Duhovnin, i cili duket krejtësisht i papërshtatshëm në rolin e agjentit të KGB-së. Na vjen keq të themi, por ky film është më shumë i mërzitshëm, sesa rrëqethës (triler). Bile edhe muzika është e papërshtatshme. Ajo më shumë ngjanë në muzikën e serisë "Twilight Zone", por pa e pasur magjinë e asaj serie.