2013-03-04

Varfëria dhe papunësia fatkeqësisht po përhapen në mënyrë masive

Kur reformat janë vetëm retorikë!


Shkruan: Flori Mulaj

Në Kosovën e pasluftës shumë procese u ndikuan nga njëri-tjetri. Pati shumë parti, pak ide dhe dëshpërimisht shumë pak programe partiake, për të mos thënë fare. Ato programe, të cilat ishin lirisht mund të themi se ishin kopje të shëmtuara të disa programeve partiake të shteteve fqinje. Pati profilizime të ndryshme të partive që funksiononin në Kosovë, të majta, të djathta dhe të qendrës, këto të fundit as duke pasur idenë më të vogël se në cilin krah rreshtoheshin. Kjo ishte sa u përket ideologjive ndërsa pati dhe ka parti të ndryshme, të cilat kanë programe nacionaliste (paradoksalisht e quajnë veten të majta) dhe ka parti që në qëllimet e tyre janë integrimet euro-atlantike që shumica e këtyre e quajnë veten parti të qendrës së djathë.
Çfarë të reja propozuan këto parti në Kosovë? Pothuajse asgjë. Në gara të pahijshme zgjedhore, me zgjedhje të përçudnuara dhe me një demokraci jofunksionale, po e dërgojnë shtetin buzë dështimit. Në kohën kur problemet e një populli që ende nuk ishte zgjuar nga makthet e luftës, pushtetarët tanë gjenin kohë që të merreshin me ofendime se kush keqpërdori (lexo: vodhi) më pak dhe kush më shumë. Varfëria dhe papunësia këto dy dukuri, të cilat në vendet në transicion ndërtojnë foletë e tyre, në Kosovë fatkeqësisht po përhapeshin në mënyrë masive.
Zgjidhjet tek asfalti
Qeveritarët tanë zgjidhjen e shihnin tek asfalti. Pothuajse 1 miliard euro i kushtoi autostrada shtetit tonë, dhe sot ende nuk dihet gjë për fatin e kontratës së këtij projekti gjigant për një popull që në indeksin e mjerimit botëror radhitet si njëri nga shtetet më të mjeruara. Autostrada gjithmonë do të bëhej si mjet shërbimi për të pasurin, pasi që i varfëri nuk do të kishte qasje në të, dhe autostrada si projekt në vete nuk siguronte zhvillim nëse nuk kishte se çfarë të qarkullonte në këtë autostradë. Nëse ndalemi te disa çështje me rëndësi, natyrisht në mënyrë sugjestive mendja jonë menjëherë shkon tek arsimi. Arsimi në Kosovë ka shumë ngecje. U tentua që të ndërtohen shkolla, gjë që në këtë aspekt është bërë një punë që vlen të merret në konsideratë, mirëpo politika e pasluftës veç mureve nuk arriti të ndërtonte diçka përtej tyre. Ajo që më së shumti ka nevojë Kosova, dhe që arsimi këtu në Kosovë duhet t’ia vërë mision vetes ta bëjë është që të rritë e të kultivojë një shoqëri, e cila karakterizohet nga mendimi kritik, dhe një shoqëri e cila promovon dhe ç’është më e rëndësishmja e lejon mendimin ndryshe. Viteve të pasluftës arsimi në Kosovë nxori vetëm nxënës që duhet të mendojnë si profesorët e tyre, fatkeqësisht jo mendje të pavarura që do t’ia jepnin Kosovës një dimension të ri pse jo prestigjioz.
Premtimet
Problemi i dytë në Kosovë, por që nga rëndësia është i barasvlershëm me të parin është pikërisht mirëqenia socio-ekonomike e popullit tonë. Në këtë aspekt Kosova do të lëngojë edhe një kohë të gjatë. Me një buxhet që kryesisht tubohet nga doganat, ku prodhimi vendor nuk përmbush as për së afërmi nevojat qytetare, mendoj që para së gjithash politika udhëheqëse në Kosovë duhet t’i kthehet investimeve në bujqësi, të krijojë lehtësira për bizneset, të forcojë Gjyqësorin dhe ta krijojë një ambient më të përshtatshëm për të gjithë ata që mendojnë të vijnë e të investojnë në Kosovë, e të cilët pas shumë aferave të pahijshme në vendin tonë janë të paktë. Kishte edhe të atillë që u larguan pasi menduan të investonin në Kosovë. Në arsyet e largimit të tyre, ata përmendnin pengesat e dala gjatë rrugës, procedurat e ndërlikuara burokratike dhe parregullsitë që vazhdimisht dëmtonin të ardhmen ekonomike të vendit tonë. Reforma u premtuan edhe në shëndetësi dhe në shume sfera të jetës sonë. Disa parti po tentojnë ta rifreskjonë veten, mirëpo po t’ua hedhësh një sy përbërjeve të kryesive të partive në Kosovë, sidomos atyre që na udhëheqin, nuk mund të shohim perspektivë. Janë disa njerëz që janë të përfshirë në afera korruptive, në skandale telefonike dhe të përndjekur gjykatash që nuk japin llogari ndaj askujt. Para se të japin fjalë, së pari duhet të veprojnë, para së gjithash të ndalojnë dukuritë që Kosovën e rikthejnë në retrospektivë dhe të shikojmë përpara drejt një perspektive më të ndritur. Kjo gjë mund të bëhet me një rregullim të sistemit arsimor, me reforma të mirëfillta në sistemin shëndetësor, dhe me veprime konkrete që do t’ia dhuronin Kosovës dimensionin e shtetit. Mjafton të nisë kjo rrugë me një vullnet të mirë, me angazhim të pashoq dhe me qëllime e vizione që na garantojnë një të ardhme më të mirë. Është lehtë e mundshme.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...