2013-03-04

prof. dr. Kadri BICAJ -“Metodologjia dhe shkrimi ligjor”, libër me vlera dhe i dobishëm

description

Struktura tematike e librit

Ditë më parë, nga prof. dr. Kadri BICAJ është botuar teksti universitar “Metodologjia dhe shkrimi ligjor”. Libri konsiston në dy pjesë, të cilat janë të ndara në kapituj. Pjesa e parë e librit në fjalë trajton kuptimin dhe lëndën e shkrimit akademik dhe të metodologjisë, koncepcionin për metodologjinë, shkrimin ligjor, aktet ligjore gjatë historisë, kodifikimin, procedurat legjislative, parimet themelore të procesit legjislativ, hartimin dhe zbatimin e legjislacionit. Kurse pjesa e dytë e librit shtjellon teknikat dhe parimet legjislative, strukturat e akteve ligjore, hartimin e akteve ligjore, gjuhën normative, shenjat e gabimeve shkrimore, shenjat e korrekturës, burimet e së drejtës dhe rolin e tyre, hartimin dhe interpretimin e normës juridike, shqyrtimin e projekt - ligjeve në legjislativ, dispozitat lidhur me procedurat administrative, referencat, procesin e të shkruarit akademik dhe fjalorin juridik të shkurtër të termave kyçe në po këtë libër.

Vështrim i përgjithshëm i librit

Nga strukturimi tematik i librit, prima facie, nga pamja e parë mund të krijohej përshtypja e shtjellimit të tij në një inkoherencë të caktuar; ndërkaq pas vështrimit të tërësishëm të librit rezulton se të dy pjesët e tij me kapitujt respektivë shtrihen në korrelacion organik dhe tok e japin një trajtim serioz e metodologjikisht të konceptuar mirë të problematikës referuar metodologjisë së shkrimit ligjor, shkrimit ligjor, hartimit të akteve juridike të përgjithshme, shqyrtimit legjislativ dhe miratimit të akteve juridike të përgjithshme, interpretimit të akteve juridike të përgjithshme, kodifikimit të akteve juridike të përgjithshme, burimeve akte - formale e burimeve fakte - materiale të së drejtës, teknikave dhe parimeve themelore legjislative, shenjave e simboleve legjislative si dhe, përgjithësisht, kërkesave esenciale të metodologjisë së aktiviteteve legjislative, metodave dhe teknikave legjislative, interpretimit juridik dhe implementimit të akteve juridike të përgjithshme.

Mendimi juridik

Autori dr. Kadri Bicaj, librin në fjalë e fillon me thënien - të shkruash mirë do të thotë të mendosh mirë!
Aforizmi i tillë, pos tjerash, kërkon që paraprakisht cilido autor, shkrimtar juridik apo, në përgjithësi, cilido jurist në judikaturë ose në jurisprudencë do të duhej të mendonte sikundër duhet për rastin, përkatësisht çështjen e caktuar; ndërkaq edhe pse nuk theksohet eksplicite, vetvetiu - implicite stimulohet nevoja immediate se për të menduar mirë, Condicio Sine Qua Non, kërkohet dija solide juridike tok me vlera intelektuale, së paku në nivele të standardeve të përgjithshme. Pikërisht kjo çështje paraprake, si deficiencë dhe insuficiencë elementare dallohet tek jo pak autorë apo shkrimtarë juridikë. Në këtë drejtim është orientuar edhe tehu i mesazhit të këtij tekstit; më pastaj edhe të menduarit (juridik) të mirë nuk nevojitet që i njëjti të shkruhej mire, ngase ndër të tjera kërkohet edhe kultura gjuhësore e mbi të gjitha ajo terminologjike juridike dhe në përgjithësi sfondi i thellë i njohurive nga shkenca dhe praktika juridike.
Mendimi juridik adekuat mund të krijohej vetëm pas studimeve të thella e serioze të shkencave juridike, si dhe të ndërlidhjes koherente të tyre me praktikat juridike të mira.
Pikërisht në atë drejtim, autori Bicaj e ka orientuar vështrimin analitik të metodave dhe teknikave juridike në funksion të mendimit juridik e, rrjedhimisht, të shkrimit juridik të përshtatshëm, të drejtë, të qartë, të kuptueshëm dhe të komentueshëm lehtë e rrjedhshëm krejtësisht, në favor të sendërtimit të plotë të synimit të ligjvënësit.
Autori Bicaj me të drejtë është përcaktuar për analizimin kritik, fillimisht të të menduarit juridik adapt e rrjedhimisht të të shkruarit juridik kompetent, në radhë të parë të akteve juridike të përgjithshme e individuale, përkatësisht të ligjeve, akteve nënligjore, statuteve, rregulloreve, rregullave, vendimeve, aktvendimeve, aktgjykimeve, aktakuzave dhe aktpadive.

Nomoteknika juridike

Në këtë libër i është kushtuar një kaptinë e veçantë nomoteknikës juridike, e cila në vendin tonë pothuajse krejt pak përfillet për ç’shkak një numër i konsiderueshëm i akteve juridike të përgjithshme dhe individuale janë të mangëta, defektoze dhe si të tilla, për kah aspekti juridik - formal, të abroguara apo juridikisht invalidore.
Edhe sipas autorit Bicaj, për një rend juridik, çështje relevante është hartimi i akteve juridike sipas standardeve unike afirmative të legjislacionit bashkëkohor. Lexuesi i kujdesshëm i librit të autorit Bicaj, pashmangshëm do të përfitonte njohuri të çmuara referuar teknikave dhe metodave legjislative të standardizuara dhe të afirmuara në praktikat bashkëkohore.
Me të drejtë autori Bicaj e ka apostrofuar nevojën dhe të njëjtën e ka argumentuar se cilido akt juridik i përgjithshëm do të duhej të konceptohej politikisht referuar idesë së synimit elementar e rrjedhimisht do të duhej të dominohej nga aktiviteti profesional i ekspertëve juridikë të pajisur me njohuri doktrinare tok me eksperiencat më të mira nga praktikat juridike respektive.
Segmenti i librit në fjalë që i përpunon sa dhe si do të duhej çështjet strukturale ligjore nis nga pjesa hyrëse - preambula, titulli apo emërtimi, dispozitat e përgjithshme, dispozitat themelore dhe dispozitat përfundimtare e kalimtare, pa dyshim reflekton vlera teorike dhe për aq edhe praktike në shërbim sa të studentit, aq edhe të hartuesit, përkatësisht të aplikuesit të aktit juridik të përgjithshëm të caktuar.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...