Shkrimtari Ismail Kadare konsiderohet sot në Shqipëri si një nga “baballarët e kombit” bashkë me Ibrahim Kodrën, i cili ka jetuar në Milano prej vitit 1938, ndarë nga jeta disa vjet më parë, i konsideruar nga postkomunistët si artist i “djathtë” ndaj dhe i varrosur forcërisht në Ishëm, në Shqipëri, pa dëshirën e tij. Por le të kthehemi te Kadareja, sot 76 vjeç, që prej 1990-s, pasi kërkoi azil politik në Francë, jeton në Paris, në ekzil. Kohët e fundit nga ky shkrimtar ka dalë në Itali nga botimet “Fandango” “L’occhio del tiranno” (“Syri i tiranit”), një roman kundër diktaturës së Enver Hoxhës, diktatorit të pashpirt komunist, që ka mbajtur nën presion Shqipërinë për 40 vjet, deri në vdekjen e tij në vitin 1985.
Një libër prej rreth 80 faqesh, por me një forcë të jashtëzakonshme, me një kurajë ekstreme, që tregon ashpërsinë e kësaj diktature nacional-komuniste, që izoloi vendin nga e gjithë bota, në një mënyrë që nuk ka të ngjarë, mjaft të mendosh për shkatërrimin ambiental që diktatori ndërmori duke ndërtuar përgjatë brigjeve të Shqipërisë mijëra bunkerë prej çimentoje, sikur Shqipëria do të pushtohej nga momenti në moment nga vendet fqinje. Kadare ka treguar për vendin e tij, burgun e madh të ndërtuar nga diktatori, i cili u tregua i aftë të bëjë të vetin atë dekret të verbër të shpikur nga sulltani në një territor të Perandorisë Osmane, për kë “njollosej” nga “syri i keq”; ata të rrëfyerit apo vetëm të dyshuarit, dënoheshin me verbim. “Kjo çështje përfshinte të gjithë shkrimtarët më të njohur të vendeve komuniste. Më ka ndodhur edhe mua. Regjimi nuk më dënoi dhe kaq mjaftoi për të më quajtur mik. Theksoj: dekreti është i verbër”. Romani “Syri i tiranit” është një përkthim i lirë i titullit shqip e frëngjisht “Qorrfermani”, i shkruar nga Kadare 28 vjet më parë. Dorëshkrimi ka qenë i ruajtur në një kasafortë banke, në Bankën e Shtetit, plot katër vjet para publikimit në frëngjisht, i cili ndodhi një vit pas largimit të Kadaresë nga Tirana me vetëm një biletë vajtjeje. Por, si këto dorëshkrime të autorit, të cilat kanë dalë fshehurazi nga atdheu, ka pasur edhe të tjera. Ato lanë vendin përpara tij në valixhen e presidentit të shtëpisë botuese “Fayard”, Claude Durand.
Romani përshkruan botën komuniste shqiptare, i mbushur me spiunë, ftesa për denoncime, dyshime, akuza, hakmarrje të çdo lloji. Në këtë roman të shkurtër apo tregim të gjatë prej 80 faqesh, personazhet janë shqiptarë e jetojnë të gjithë në Perandorinë Osmane, ndoshta në Stamboll, por me problemet tipike të Shqipërisë komuniste.
Në vendin e shqiponjave nuk u zhvillua destalinizimi si në ish-Bashkimin Sovjetik pas vdekjes së Stalinit në vitin 1953 dhe pranimit të krimeve nga ana e Hrushovit. Fatkeqësisht, në Shqipëri stalinizmi vazhdoi të jetonte deri në vitin 1990. Enver Hoxha goditi gjithçka qorrazi, ashtu si thotë edhe titulli i romanit, u eliminuan ministra, drejtues, funksionarë, me dëshirën e “shefit”. Ligji i tiranit u aplikua pikë për pikë. Kadare jetonte nën survejim. Në vitin e Orwell-it, pra në 1984, Kadare mendonte se do të vdiste në një vend komunist dhe nuk do të mund të shihte rënien e komunizmit në vendin e tij. Me thënë të vërtetën, as shërbimet sekrete më të rëndësishme në botë nuk e kishin parashikuar rënien e regjimit komunist në Shqipëri, shenjë kjo, që diktatori kishte ditur të ngrinte në këmbë një prej regjimeve më të pamëshirshme në botë.
Carlo Franza*
(*Marrë nga gazeta italiane “Libero”)