Kosova dhe Shqipëria prej kohësh kanë nisur projektet e përbashkëta për botimet historike. Së fundmi Instituti i Historisë i Prishtinës është duke
punuar me atë që e quan “makroprojektin” e tij, shkrimin e “Historisë së Kosovës” në bashkëpunim edhe me institucionet akademike dhe shkencore shqiptare.
Shkrimi i historisë së shqiptarëve nuk duket punë e lehtë për institucionet shkencore si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë. Edhe në shtetin e ri të Kosovës një nga çështjet më të ndjeshme që është duke përcjellë, vazhdon të jetë shkrimi i historisë së saj. Librat historikë të botuar për Kosovën deri më tani janë të shkruar nga studiuesit, ndërsa deri më sot, me përjashtime nuk kemi një histori të shkruar nga institucionet përkatëse. “Kosova, një histori e shkurtër” e autorit Noel Malkolm, libri voluminoz “Kosova”, i Jusuf Buxhovit dhe ai i Oliver Shmidit, “Kosova-histori e shkurtër e një treve qendrore ballkanike”, janë libra të botuar viteve të fundit mbi historinë e Kosovës. Instituti i Historisë së Kosovës ka nisur vite më parë punën për përpilimin e historisë së Kosovës, por mungesa e mjeteve financiare ka bërë që ky projekt të mos finalizohet ende. Projekti është në fazën e finalizimit, por drejtues të këtij institucioni nuk kanë thënë se kur mund të përfundojë projekti. Sipas tyre, në projektin e Institutit “Historia e Kosovës” është në fazën e realizimit dhe këtë vit historianët e këtij institucioni shkencor do ta kenë prioritet angazhimin e tyre shkencor në përfundimin e këtij projekti, për të cilin kanë kërkuar edhe ndihmën e institucioneve shkencore shqiptare si Instituti i Historisë apo Akademia e Shkencave. Sipas Frashër Demajt, sekretar shkencor në Institutin e Historisë në Prishtinë për shkrimin e “Historisë së Kosovës” do të japin kontribut edhe studiues shqiptarë, ashtu edhe të huaj. Pas çlirimit të Kosovës më 1999-ën vazhdoi bashkëpunimi me institucionet kërkimore shkencore të Kosovës dhe Shqipërisë, si në realizimin e projekteve ashtu dhe në organizimin e sesioneve, tryezave, konferencave dhe simpoziumeve shkencore. Gjatë kësaj periudhe janë botuar një sërë botimesh monografike të përbashkëta.
Nga ana tjetër, Instituti i Historisë në Tiranë ka mbledhur bashkë 37 studiues nga Shqipëria, Kosova dhe trevat për të konkluduar në shkrimin e një vepre që rrok anët më të rëndësishme dhe më të përgjithshme të historisë së shqiptarëve në shekullin XX. Këta studiues kanë hulumtuar në arkivat më të rëndësishëm të botës, ku kanë gjetur me mijëra dokumente për Shqipërinë, të cilat janë sjellë në Tiranë dhe po studiohen nga historianët. Projekti i shkrimit të “Historisë së Shekullit XX”, sipas drejtorit të Institutit të Historisë, Beqir Meta, po përmbyll fazën e parë të tij.