2013-03-04

Serbia dëmshpërblen shqiptarin për torturat e vitit 1999

Gjykata e Apelit në Beograd ka vendosur që Republika e Serbisë t’ia paguajë Sylejman Bajgorës nga Podujeva dëmshpërblimin në shumë prej 200.000 dinarësh, për shkak të torturës që kishin kryer mbi të pjesëtarët e Ministrisë së Brendshme serbe në vitin 1999. Përmes po të njëjtit vendim, sipas ‘E-novine’ të Beogradit, që e transmeton “Koha Ditore”, Gjykata e ka konfirmuar verdiktin e Gjykatës së Shkallës së Parë, që e kishte refuzuar padinë e Ekrem Nebihut nga Drenasi.

Fondi për të Drejtën Humanitare (FHP) në emër të Sylejman Bajgorës dhe Ekrem Nebihut e kishte ngritur padinë në Gjykatën Komunale të Beogradit, në vitin 2007. Përmes padisë nga shteti i Serbisë ishte kërkuar dëmshpërblimi për shkeljen e lirisë dhe së drejtës së personalitetit, për shkak të arrestimit të paligjshëm dhe në bazë të kufizimit të aktivitetit jetësor që ka ardhur si pasojë e torturës së përjetuar. Procedura ishte nisur në Gjykatën Komunale të Beogradit, duke u bartur më pas te Gjykata e Parë Themelore në Beograd.

Gjykata kishte konfirmuar se pjesëtarët e MPB-së serbe pa bazë kishin arrestuar Bajgorën dhe Nebihun, dhe se që të dytë në paraburgim kishin kaluar më shumë se katër muaj, përkatësisht pesë muaj, duke u keqtrajtuar disa herë fizikisht dhe psikikisht. Pas ekspertizës mjekësore, gjykata kishte konfirmuar se si pasojë e torturës, Sylejman Bajgora vuan nga stresi posttraumatik, për ç’arsye i është kufizuar aktiviteti jetësor.

Padinë e Ekrem Nebihut gjykata e kishte hedhur poshtë, për shkak se eksperti mjekësor kishte konstatuar se tortura nuk ka lënë pasoja afatgjata për shëndetin e tij. Gjykata qysh në procedurën e parë (para Gjykatës së Parë Komunale) kishte marrë vendimin se kërkesa e Bajgorës dhe e Nebihut për dëmshpërblim, për shkak të shkeljes së lirisë dhe së drejtës së personalitetit është stërvjetruar.

Fondi për të Drejtën Humanitare (FHP) ka thënë se rasti i Sylejman Bajgorës dhe i Ekrem Nebihut paraqet shembull të raporteve të institucioneve të Serbisë ndaj viktimave të shkeljeve të të drejtave të njeriut gjatë viteve nëntëdhjetë, që ishin kryer nga pjesëtarët e ushtrisë dhe policisë serbe.

Në të vërtetë, gjykatat janë duke vendosur për dëmshpërblime që janë joadekuate dhe shumëfish më të ulëta prej dëmshpërblimeve për shkeljen e të drejtave të njeriut që nuk kanë të bëjnë me konfliktet e armatosura në ish-Jugosllavi. Për shembull, dëmshpërblimet që janë vendosur për personat e mbajtur në mënyrë të paligjshme në aksionin “Sablja” kanë qenë disa miliona dinarë.

Rrjedhimisht, gjykatat janë duke interpretuar në mënyrë strikte ligjin në dëm të viktimave, posaçërisht në aspektin e vjetërsisë së kërkimit të dëmshpërblimit. Një interpretim i tillë strikt i dispozitave për vjetërsinë është duke u zbatuar që nga viti 2004, kur është rritur numri i kërkesave për dëmshpërblim kundër shtetit të Serbisë, për shkak të shkeljes së të drejtave të njeriut gjatë viteve nëntëdhjetë.

Shumë institucione ndërkombëtare që përcjellin respektimin e të drejtave të njeriut në Serbi (Komiteti i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Komiteti Kundër Torturës, komisioneri i Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut) kanë përmendur në raportet e tyre se institucionet e Serbisë nuk janë duke u kushtuar rëndësi obligimeve që kanë në aspektin e dëmshpërblimit të viktimave të të drejtave të njeriut.

Sylejman Bajgora (1957) kishte ikur me familjen nga fshati i tij Herticë, Komuna e Podujevës, më 24 mars të vitit 1999. Ata kishin gjetur strehim në Podujevë. Më 1 qershor të vitit 1999, Sylejmani në Shtabin e Mbrojtjes Civile në Podujevë e kishte marrë lejen për qarkullim dhe kishte shkuar në Prishtinë që të sigurojë ilaçet për nënën e sëmurë.

Ai e kishte kaluar natën te xhaxhai i tij dhe në mëngjes ishte nisur që të blinte barnat. Në “Ulpianë” ai e kishte takuar një mik dhe bashkëshorten e tij. Në atë çast u ishin afruar dy policë për t’i legjitimuar. Bajgora ua kishte dhënë dokumentet personale dhe lejen për qarkullim, por polici kishte filluar që ta shante dhe ia kishte grisur lejen e qarkullimit, duke e mbajtur letërnjoftimin. Policët e kishin dërguar Sylejmanin me veturë policore në stacionin në Lagjen e Spitalit. Aty kishin filluar që ta rrihnin.

Një polic ia kishte vënë thikën në qafë, derisa tjetri armën në vesh. E kishin kërcënuar se do ta vrasin. Keqtrajtimi kishte zgjatur katër orë dhe më pas e kishin lidhur me pranga për radiator. Pas një ore e kishin futur në veturë dhe e kishin dërguar në stacionin policor në Lagjen e Muhaxhirëve. Aty policët e kishin shkruar një deklaratë, të cilën Sylejmani duhej që ta nënshkruante, gjë të cilën ai e kishte refuzuar.

Në mëngjes, rreth orës 8.00, ai ishte dërguar në burg në Prishtinë, ku ia kishin marrë të gjitha gjërat personale. Gjatë shtatë ditëve sa kishte qëndruar në burgun e Prishtinës, policët e kishin rrahur, ndonëse gjendja e tij ishte tejet e rëndë. Më 10 qershor, Sylejmani me 25 shqiptarë tjerë ishte transferuar në burgun në Mitrovicën e Sremit. Gjatë hyrjes në burg, të burgosurit kishin kaluar nëpër dy rreshta të policisë të cilët i rrihnin.

Kushtet në burg ishin tejet të rënda, derisa nuk kishte ushqim të mjaftueshëm. Në fillim të gushtit ai kaloi pesë ditë në izolim. U lirua më 4 tetor të vitit 1999, me ndërmjetësimin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq. Me rastin e lirimit, policia ia kishte marrë vendimin për mbajtje në burg, të vetmin dokument që i ishte dhënë.

Në fillim të vitit 1998, Ekrem Nebihu, atëbotë gjashtëmbëdhjetëvjeçar, kishte ikur nga fshati Damanek i Komunës së Gllogovcit. Ai ishte fshehur te daja në fshatin Shtrbullovë, ku kishte qëndruar deri më 28 maj të vitit 1999, kur u arrestua nga policia serbe dhe u dërgua në qendër të Gllogovcit, ku u mbajt i mbyllur në një lokal.

Aty ishte mbajtur tërë natën. Të nesërmen pasdite, policët me autobusë i kishin dërguar në burgun e Lipjanit. Aty ishte mbajtur në një stallë me rreth 300 të burgosur tjerë shqiptarë. Aty të burgosurit flinin në dysheme. Ushqimi ishte i pamjaftueshëm, derisa shkuarja në tualet lejohej vetëm dy herë në ditë. Mëngjesin e 10 qershorit në sallë kishin hyrë rojat dhe policët, duke i ndarë të burgosurit në grupe me nga 50 persona, për t’i dërguar me autobusë në Nish.

Pasi që në burgun e Nishit nuk kishte vend, ata kanë vazhduar drejt Pozharevcit. Në burgun e Pozharevcit, policët dhe rojat i kishin vendosur nga pesë të burgosur në secilën qeli. Secilit të burgosur ia kishin marrë të dhënat, por nuk i kishin dhënë asnjë dokument. Në burgun e Pozharevcit kushtet ishin të rënda.

Rojat e kishin rrahur një herë Ekremin, pasi që ai nuk e kishte ditur se nuk i lejohet të qëndrojë i ulur në shtrat gjatë ditës. Askush nuk e kishte marrë kurrë në pyetje dhe as që i ishte dhënë ndonjë dokument se është i burgosur.

Ai ishte liruar më 19 nëntor të vitit 1999, kur me një grup të të burgosurve u bart deri në Merdar.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...