Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar seancat për dy gjykimet ndaj ish-ministrit dhe deputetit, Fatmir Limaj.
Seanca fillestare për rastin për korrupsion në Ministrinë e Transportit është caktuar me 8 dhe 9 prill. Ndërsa shqyrtimi kryesor për krime lufte i njohur si rasti “Kleçka” është caktuar për 18 prill.
Këto data i ka konfirmuar avokati i Limajt Tomë Gashi. Sipas tij përballja me dy gjykime në të njëjtën kohë nuk paraqet problem për mbrojtjen,sepse Limaj sipas tij do të mbrohet me të vërtetën dhe këto fakte të vërteta do ta lirojnë atë nga aktakuzat.
Ndaj Fatmir Limajt dhe personave tjerë EULEX-i ka ngritë aktakuzë nën dyshimin për korrupsion në kohën sa ishte ministër i Transportit.
Ndërsa rasti “Kleçka” vitin e kaluar është kthyer në rigjykim nga Gjykata Supreme e Kosovës, pasi paraprakisht Gjykata e Qarkut e Prishtinës të gjithë të akuzuarit i kishte shpallur të pafajshëm. Limaj gjendet në paraburgim që nga dhjetori i vitit të kaluar.