2013-03-06

Raimona Moisiu: Intervistë me historianin, publicistin dhe studiuesin Prof. Neki Babamusta




“Lufta për lumturinë e jetës presupozon triumfin mbi pengesat dhe vështirësitë”
“Frojd”
Pakëz dritë për të merituar emrin e ndritur të shqiptarit!
E nderuara Znj. Rajmonda!
Nëpërmjet intervistës tuaj ndjehem tepër i privilegjuar!
Modest, si miliona bashkatdhetarë, vendosim grimca rëre në themelet e identitetit tonë kombëtar. Bazuar në argument historike jemi ndër popujt më të vjetër të Evropës, ndër më inteligjentët, liridashës dhe humanë. Për interesa strategjike, Fuqitë e Mëdha, na coptuan padrejtësisht, në interes të shovizimit Ballkanik. Por dashuria për të jetuar të lirë në trojet tona stërgjyshore nuk na ka gjunjëzuar. Barbarizmat jetën sa të ëmbël, na e bënë të trishtë! – 1897 F. Konica: Jashtë çdo mundësie për të na asimiluar.
Emigrimi plagë e rëndë!
Pushtuesit nuk arritën të na ç’kombëtarizojnë. Në zemrat dhe në mendjet e shqiptarëve është skalitur vetëdija hyjnore: Një komb, një ide, një qëndrim!
Disapora në SH.B.A. me afro një milion shqiptarë, ka 100 vite që është bërë flamuri udhërrëfyes i mbrojtjes së interesave tona kombëtare. Federata patriotike “Vatra”, gazetat “Dielli”, “Iliria” dhe “Zëri i Amerikës” janë Triumvirati i artë për shqiptarizmin. Vepra e tyre e bekuar qe leva e Arkimedit që përshpejtuan pavarësinë më 1912-ën me tribunët e kombit tonë: Ismail Qemali, Isa Boletini etj. Edhe me veprimtarinë e “Zërit të Amerikës” v.1943, na çliruan nga metastazat e fantazmës komuniste.
Keni fatin e madh që jetoni dhe punoni në SH.B.A., sinonimi i atdheut të dytë. Për të gjithë popujt, SH.B.A.-ja është bërë simboli i Altarit për Demokraci. Për kombin tonë Shtetet e Bashkuara të Amerikës reflektojnë miqësinë e sinqertë tradicionale, të lidhur me një aleancë të shenjtë.
Në vizitën e saj në Tiranë më 1.11.2012, Znj. Hillari Klinton deklaroi: “SH.B.A.-ja është krenare që ka mike të ngushtë dhe partnere Shqipërinë. Bashkëpunimi ynë do të vazhdojë edhe në 100 vitet e ardhshme …. edhe 100 vite të tjera”. “Vizita juaj, tha Kryeministri i Shqipërisë Z. Sali Berisha është xhevahiri më i çmuar në prag të 100 vjetorit të pavarësisë”.
Në SH.B.A. dishepujt e kombit tonë: Fan Noli, Faik Konica, Mit-hat Frashëri, Abaz Ermeni, Abaz Kupi etj., kanë proklamuar manifested e tyre më të mirë të çështjes shqiptare. Vepra e tyre u pasua që nga biznesmeni patriot Xhoni Athanas, duke vazhduar me falangën pararojë të të nderuarit Z. Shaqir Gashi, Eqerem Bardha, Harry Bajraktari, Zef Balaj. Mjaft frutdhënëse është puna e personaliteteve të larta intelektuale si Martin Camaj, Arshi Pipa, Peter Prifti.
Për çështjen shqiptare vazhdojnë kontributin e tyre prof. Sami Repishti, prof. Nikollaq Pano. Ing. Agim Karagjozi, Dr. Gjon Bucaj, Naum Prifti, Genc Kortsha, Elez Biberaj, Pjetër Jaku, Mërgim Korça, Novruz Nazarko, Gëzim Basha, Dr. Gjekë Gjelaj, Ramiz Gjini, Lulash Palushaj, Merita Bajraktari, Dalip Greca etj.
Nëse Amerika është bërë në sajë të punës, padyshim meritë kanë edhe shqiptarët e diasporës. Atdheu i Xhorxh Uashingtonit nuk është një tragjedi amerikane me Klajd Grificë, siç e ironizonte romancieri Teodor Drajzer. Znj. Hillari Klinton më 1.11.2012 u shpreh: Jam mirënjohëse për kontributin e mijëra shqiptarëve në SH.B.A.
 
1-I nderuar Prof. Babamusta, ju falenderoj për këtë intervistë. Ju jeni një penë publicistike historiane mjaft e njohur në Diasporë dhe trojet shqiptare. A ju kujtohen ditët tuaja të para si historian? Cfarë ka ndikuar te ju më shumë apo dicka e papritur që ju zgjodhët të tregoni historinë ashtu sikundër ka ndodhur..?
 
Historia si poetesha e kohërave të njeh me botën reale. Kur egzistenca (jeta) orientohet nga të menduarit pozitiv, siç theksonte filozofi De Kartes, dëshiron të mbijetosh edhe me det të trazuar si Heminguej. Dashurinë për atdhe na e trashëguan Rilindasit. Ngjarjet kulmore historike ngritën në këmbë tërë mëmëdhetarët shqiptarë.
Nga të parët e mi dhe nga shumë dëshmitarë, në sofrën bujare të fisit Babamusta vinin si miq personalitetet e kohës: Ismail Qemali (ku ndenji një natë) ku të parët e fisit i siguruan udhëtimin dhe Kavaja e përcolli me shumë përzemërsi për misionin historik. Gjithashtu kanë ardhur patriotët e kombit Aqif Pashë Elbasani, Avdi Bej Toptani. Për detyra patriotike kishin lidhje të ngushta me fiset Biçaku në Elbasan, Canët në Peqin, me Mojsitë, me Xhantë, me Must Carën etj. Gjatë luftës çlirimtare vinin vëllezërit Myslim e Shyqyri Peza, Mustafa Gjinishi. 
Realisht ndjeva tronditje nga vrasja macabre (mbytja me tel) e Mehmet Babamustës, vdekja në burg e Hasanit, burgimet politike të Ibrahimit, Halitit dhe tim vëllai Qemalit. Im atë vdiq nga ataku në zemër. Një pushtetar vendor e kërcënonte: “Jam Enver Hoxha”. Në Gjysylkonaj, në vitin 1953 u bëra dëshmitar i luftës së klasave. Nga jeta e mësueseve të mia të para, të shkëlqyera si rreze drite, por të persekutuara, mora mësimet e para për diktaturën komuniste.
2-A mund të na përshkruani shkurtimisht Londrën  si zemra e emigracionit shqiptar në Europë, por edhe ku ndërthuren shumë kultura të tjera?
Anglia, vendi i Shekspirit që tronditi fronet mbretërore. Vendi i Oliver Kromuellit që përmbysi feudalizmin. Vendi i inxhinierit Stefenson, lokomotiva e të cilit përhapi rrugën e civilizimit për dritë e dituri. Londra me 10 milion banorë, kryeqendra e diturisë dhe kulturës botërore. Në Angli jetojnë afro 200 mijë shqiptarë dhe disa milionë emigrantë nga e tërë bota. Shqiptarët me punën e tyre janë inkuadruar në rrjedhën e jetës britanike duke fituar respektin e vendasve.
 
3-Ju keni një karrierë të gjatë si historian, që do të thotë nëpërmjet momenteve  historike keni përjetuar momente mbresëlënëse, të këndshme, por edhe kritike, dëshpëruese e të trishta. A mund të na përshkruani  momente  nga eksperienca juaj?
 
Për arsye kontraditash shumë ngjarje nga “Heroi Popull” nuk dalin në dritë. Ndonëse me vështirësi e vërteta del. Rinohesh kur edhe sot, pas 60 vitesh banorët patriotë, trima dhe bujarë siç janë edhe pasardhësit e tyre gjysylkonaj të kujtojnë me admirim dhe lot …. vëllavrasje! 1954.      
Ndjehem tepër i nderuar, kur një fis i tërë “Ndreu” nga Dibra shpëtoi nga kurthi i sigurimit famëkeq – 1968.
U gëzova pa masë, kur me disa shokë ngritëm “Muzeun historik” Kavajë, “kabinete historike” në 3 shkolla, që u bënë qendra eksperimentale. Duke mos pranuar t’i shërbej Sigurimit të kuq e pashë të udhës, më me vlerë edukimin patriotik, duke hulumtuar për thesaret historike të popullit tonë. Edhe sot ish-nxënësit e mi më kujtojnë për mësimet shembullore në Krujë.
Si të mos ndjehesha i frikësuar kur më kërcënuan për vendosjen në stendë të Shqipërisë etnike, apo për figura kombëtare në museum, si të komandantit akademist (1920) Adem Riza Berati, sepse fëmijët e tij u persekutuan, apo të patriotit Bajram Xhani, sepse të vëllanë Qamilin ia pushkatoi Mehmet Shehu, v. 1943.
Ndonëse shumë dokumenta historike ia dërgoja Institutit të Historisë, me drejtor Stefanaq Pollo, ku merrja përgëzime, por s’arrita të kuptoj pse në vendlindje më kërkuan një dosje me fakte, por që nuk ma kthyen më. Nuk më lejuan të futesha në ‘Arvishen e Shtetit’ se nuk isha i imunizuar me dy karta anëtarësie çudibërëse!
 
4-Çfarë do të dëshironit të thoni në lidhje me karakterin e përgjithshëm historik të Shqipërisë, trojeve shqiptare,  Ballkanike apo Lindore, në krahasim me atë çka është shkruar e ri-shkruar, bazuar në ato çka ju keni lexuar, shkruar apo vënë re?
Në Konferencën e Paqes, Paris, janar 1919, Presidenti Vilson i SH.B.A.-së deklaroi: “Nuk kemi ardhur të bëjmë këmbim popujsh!
Ismail Qemali, tri ditë para se ta helmonin, më 22 janar 1919 deklaroi: Do ngjallemi, ose do të vdesim!
22 mars 1992, fitorja e demokracisë na dhuroi lirinë. Shqipëria ka pësuar transformime të dukshme. Në vend të bunkerëve dhe gomerëve kemi autostrada moderne, ndërtime kapitale, zhvillim të arsimit. Siç merituam futjen në NATO dhe liberalizimin e vizave, së shpejti flamuri ynë do të valëvitet në Bruksel përkrah familjes evropiane, Shqipëri-Kosovë.
Ndonëse jemi popull paqedashës, nuk ua kemi borxh të na përkëmbim identitetin tonë kombëtar. Në drejtim të mirëqenies ende lipset shumë punë.
 
5- Si iu lindi ideja për të shkruar historinë shqiptare, trojeve etnike dhe asaj ballkanike -si  pjesë narrative jetësore e rëndësishme nën ndikimin e kulturës, historisë e fenomeneve sociale, ekonomike dhe politike në komunitet, apo….?
Me fitoren e pavarësisë së Kosovës, shkurt 2008, ëndrrat shovene të Beogradit kanë përfunduar, po ashtu edhe ato të disa klaneve ekstremiste të Athinës. Më 31.10.2012, Znj. Klinton deklaroi: Pavarësia e Kosovës, problem i mbyllur. Kryeministri Thaçi u shpreh: Ora e Historisë nuk do të kthehet mbrapsht.
Konsolidimi i marrëdhënieve në të gjitha fushat me Kosovën duhen forcuar më tej. Mbarë klasa politike shqiptare kombëtare të jetë në unison për funksionimin e Marrëveshjes së Ohrit. Mbrojtja e interesave të shqiptarëve, kudo që jetojnë, është problem madhor mbarë popullor.
 
6-Prof. Babamusta  ju mbani titullin Prof. Sigurisht i fushës së historisë. Çfarë ju pëlqen dhe çfarë nuk ju pëlqen në punën tuaj profesionale? Në ditët e sotme tradita dhe realiteti  “përziehen” me vlerat fetare. Në opinionin tuaj si historian a ka ndonjë konfuzion që ndikon në marrëdhëniet njerëzore dhe në marrëdhëniet mes kulturave të tjera?
Engjëlli nuk bashkëpunon me Djallin! E vërteta historike ndriçohet me guxim, me mençuri aktive, duke mos u pajtuar me errësirën e mendjeve abstrakte.  
Periudha e Mbretërisë ka vlerat e veta që diktatura e mohoi. Për korifejt e kombit Noli, Konica, Gurakuqi, Migjeni, Mit-that Frashëri, Abaz Kupi, Abaz Ermeni e deri tek Nënë Tereza, Fishta e Kadareja etj lipset të përulemi me respekt! Ndryshe do të mohonim vetveten. S’ka përse të jetojmë ende me simptomat e mentaliteteve komuniste. E tërë bota le të marrë shembull nga Shqipëria dhe Kosova, ku vlerat fetare jetojnë në harmoni, duke pasur përparësore interesat e kombit.
 
7-A keni përjetuar fëmijëri të lumtur?A ka pasur në fëmijërinë tuaj se një ditë do të bëheshit historian dhe një nga më të lexuarit e më të pëlqyeshmit të shtypit postkomunist të Diasporës dhe atij në trojet shqiptare?
Njeriu vjen në jetë duke qarë dhe e përcjellin në banesën e fundit po duke qarë. Për miliona njerëz, jeta barasvlerësohet me disa universitete. Kujdesi dhe optimizmi i nënës dhe i të afërmve ma zvogëlonin udhën e mundimshme të fëmijërisë. Vazhdoj të lexoj e të rilexoj Rilindasit, Nolin, Fishtën, Konicën, Ali Podrinjën, Kadarenë etj.
Kam lexuar e konspektuar Shekspirin, Gëten, Shilerin, Tolstoin, Pushkinin, Hugonë, Khajamin etj. Jam i dhënë pas literaturës publiçistike historike që nga më të hershmet, përfshi dhe ato botërore. Kam lexuar klasikët e M.L. teorinë ekonomike. Duke u ballafaquar me realitetin në Angli e SH.B.A. jam ndjerë tepër i zhgënjyer nga teoritë boshe të pa bereqet të komunizmit.
Natyrisht ekonomia socialiste me kolektivitetin e saj nuk mund të konkurronte me ekonominë e tregut të lirë kapitalist. Komunizmi: Sistem i dështuar! 
Lexoj artikujt me vlerë nga Diaspora “Dielli”, “Iliria”, “Tribuna Shqiptare”, “Albania”. Ndjek emisionet e “Zërit të Amerikës”.
 
 8-Ç’mund të na thoni për momentet më të dhimbshme të familjes suaj, burgu, persekutimi dhe internimi. Cili qe kërcënimi që familja juaj i sillte sistemit diktatorial komunist?
 
Persekutimi familjar: Vdekja e babait nga kërcënimet, burgosja e tim vëllai me akuza të sajuara, shpronësimet, burgosja e kushërinjve (duke vdekur edhe nëpër burgje) natyrisht janë ngjarje të hidhura që të krijojnë urrejtje. I pushuar nga puna si bir tregtari, më çonin në zonat më të largëta. Kalvar vuajtjesh pësoi edhe familja e gruas. Bashkëshorten nuk e fusnin në punë, si rezultat i akuzave të regjimit komunist.
Kur ishim në SH.B.A. na dukej vetja se po jetonim në një planet tjetër. Populli amerikan kudo që kemi shkuar, na ka trajtuar si mysafirë tepër të nderuar. Sensibilizimi i luftës heroike të vëllezërve tanë në Kosovë na ringjallte, ashtu sikur na shtonin urrejtjen barbaritë serbe. Në SH.B.A. dhe në Angli morëm leksionet reale për Demokracinë e lirë!
 
9- Në publicistikën tuaj  historike gjithçka vjen nga jeta reale. Çfarë lloj kërkimi keni bërë për të? A keni pasur materiale apo ngjarje që ju kanë ndihmuar në shkrimin e tyre?
 
Kam shkruar mbi ngjarje reale. Kam kontaktuar me dëshmitarë okularë, me të persekutuar. Kam qenë në kontakt me vlerat politike të Demokracisë. Pata krijuar një bibliotekë familjare, duke mbajtur lidhje me disa biblioteka. Më kanë ndodhur shumë ngjarje që për nga përmbajtja, janë të denja për skena hollivudiane.
Jeta si rrjedhje pa mbarim, vazhdon!
 
 
10-Në jetën e përditshme në Londër, Angli, ju jeni në kontakte me personalitete të kulturës, intelektualë e qytetarë të thjeshtë, diplomatë figura të njohura të komunitetit shqiptaro-britanik, por edhe të politikës shqiptare dhe  britanike. Sa është prezent atdheu ynë Shqipëria e çështja shqiptare, veçmas ajo e Kosovës e Çamërisë  në marrëdhëniet me ta?
 
Sa herë që takojmë shqiptarë, sikur rilindim. Vlerat demokratike në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, mbrojtja legjitime e vëllezërve tanë të Çamërisë janë çështje dite.
Zgjuarsia shqiptare në Londër, nëpërmjet organit të saj “Tribuna Shqiptare” trajton vazhdimisht problematikën kombëtare. Afro 200 mijë shqiptarë të sistemuar në Britani, me punën dhe zgjuarsinë e tyre, por tregojnë se ne jemi popull evropian. Shqiptarët kanë fituar admirimin e londinezëve.
 
11-Është e natyrshme që mjedisi shqiptaro-britanik në Diasporë, karakterizohet nga  ndjenja patriotike, atdhedashuri, krenari, vlera e identitet kombëtar. A ka ndikuar në publicistikën tuaj dhe a  i kini numëruar botimet e shumta të shkrimeve tuaja historike në këto vite?
Për çështjen shqiptare, ndjehesh gjithmonë i ri. Çdo mëmëdhetar, pavarësisht pozicioneve ekonomike, politike, apo arsimore, e ka për detyrim të punojë për të mirën e Kombit! Të mos rikthejmë kohën, “Isha unë Çobo Rrapushi”.
 
12-Jetoni në zemër të Anglisë, Londër.  Si ndiheni kur dëgjoni për krimin në familje, apo veset e tjera që kanë përfshirë një pjesë të komunitetit shqiptaro-britanik, sikundër droga e krimi? Si mund të reflektojë komuniteti shqiptaro-britanik për lehtësimin e këtyre plagëve?
Kur dëgjojmë për ndonjë vrasje, natyrisht që sjellin tronditje. Nuk pajtohemi me krimin, të cilin e dënon i tërë komuniteti, ashtu sikurse ndodh që vriten dhe shqiptarë të pafajshëm.
 
13-Mendoj se publicistika juaj aktuale është tërësisht me lëndë  nga jeta historia, veprimtaria, kontributi shqiptaro-britanik. Cilat janë sfidat për t’i përshkruar ato  në shkrimet tuaja?
Vëllazërim, bashkim për Shqiptarizëm!
 
14-A kini botuar  libra historikë dhe natyra e të shkruarit tuaj? Si ndjeheni pas gjithë kësaj periudhe që shkruani si akademik dhe historian?
Si hulumtues historie, kam shkruar mbi 100 kumtesa, referate, publicistikë, pa përmendur një dosje me dokumenta që s’mi kthyen. Kam punime historike akoma të pabotuara. Me versione historike, kam krijime poetike. Shkrime dhe dokumente, shpesh, i dërgoja Institutit të Historisë.
 
15-A është i lirë shtypi sot? Si jeni ndjerë përballë botës së frikshme të mediokritetit, klaneve dhe hipokritëve, përballë vetëmburrjes dhe vetëbujës? Ç’kuptojmë me shprehjet “vetëgjymtim dhe vetëvrasje intelektuale”?

Në çdo demokraci, populli ka Qeverinë që meriton. Me fitoren e demokracisë, bashkë me mjaltin u futën edhe mizat.
Droga, krimi, prostitucioni, si fenomene negative erdhën nga jashtë, por që po përpiqen të gjejnë shtrat në vendin tonë. Korruspionin e bëjnë pushtetarët që nga baza. Kur godet ligji, çmenduria nuk ngre krye. S’vritet njeriu për një vijë uji, ose më ke vrarë para 70 vitesh ….
Shoqëria shqiptare të marrë nga perëndimi të mirën, e keqja vetëm se turbullon. Ka shtyp të pavarur. Një pjesë janë veshur me kostume laramane, ngjyrë ylberi. Hipokritët kalërojnë me mantel donkishotesk. Janë kalbësira e shoqërisë, që gjymtojnë apo vrasin, ndriçimin intelektual. Të bardhën nuk mund ta bësh të zezë!
 
16-Kush ju mbështet shpirtërisht në krijimtarinë tuaj të larmishme historike e publicistike?
H. Klinton në Tiranë, 1.11.2012:
Interesat kombëtare janë përpara interesave partiake politike! Zgjedhje të lira! Luftë korrupsionit! Korrupsioni, kancer që konsumon shoqërinë! Për funksionimin e shtetit ligjor, duhet kultura e bashkëpunimit.
Nëse muzika është e pastër, shpirti buron i lirë. Zemra është tempulli i shpirtit. Lumturia për të qenë i dobishëm për atdhe, zemrën dhe forcën e gjejnë në popull. Duhet të përfitosh nga valltarët e vlerave kombëtare. Edhe një here: Nëna më dha leksionin e madh të jetës! Respekto personalitetin e çdo njeriu! Bëhu pjesë e këtij populli, përfito nga mençuria e tij dhe inteligjencës që e rrethon.
 
17-Z. Babamusta, Kongresi Amerikan në SHBA, – familjen tuaj Babamusta dhe familjen e vjehrrit tuaj, Cani – e kanë nderuar me OFFICIAL CITATION (Dëshmi mirënjohje) për veprimtarinë diplomatike-demokratike, respektivisht të të dyjave familjeve të lartpërmendura. Ç’mund të na tregoni rreth saj..?
Në mendjet e ç’ekuilibruara, kultivohet ideotizmi. Luigji XIV i Francës: Jam Mbreti Diell! Diktatorët: Pushtete të përjetshme me piramida egjiptiane. 
Çdo njeri duhet të ndjehet dhe të punojë si i barabartë në mes të barabartëve. Merita i takon vlerave popullore.
Dekorimet -   21.1.1985 Medalje “Naim Frashëri”
                    3.3.1994: “Mësues i Merituar”
                    2.8.2004 Dëshmi Mirënjohje nga Kongresi Amerikan
                    2.4.2004 Kastriot Cani Dëshmi Mirënjohje nga Kongresi Amerikan
                    21.5.2004 Ermira Babamusta Dëshmi Mirënjohje nga Kongresi Amerikan
 
18-Çfarë nuk do të falnit në jetë??
Dashuria është parajsa e jetës. Diktatorët, “këta luanë të racës njerëzore” e shohin popullin lojë shahu. Çuditërisht, sot në Botë ka sejmenë servilë që u përkulen tiranëve të kuq. Fundi i tyre gjithmonë ka qenë rruga e Ferrit.
E kush popull nuk e do lumturinë?!
 
19-Mesazhi për inteligjencën shqiptare…
Jeta është e shkurtër për ta shijuar, plot ëmbëlsi, por edhe me derte! Të gjitha frutat e pemëve nuk i kap dot dhe fatkeqësisht nuk i shijon. Ndoshta, mollë e ndalueme! Megjithatë, le të mbjellim pemë dhe të kultivojmë lule për trashëgimtarët. Inteligjenca jonë: Me mençuri hyjnore! Rreze Drite! Shkëlqim pranveror si hyjneshat trime të Dardanisë. Vepra e tyre si Butrinti i Arbërit, me aromë të magjishme dhe Valbona të rrjedhë gjithë jetën me pastërtinë e kristaltë!
 
20-Cfarë dëshironi të shtoni…
Ligji i Lustracionit. “Mefistofelë me fytyrë engjëlli”!
Populli shqiptar me ndjenja humane, s’e ka në traditën e tij vëllavrasjen. Nëse me fillimin e demokracisë do të kishim vepruar si në Hungari apo Çeki v.56, ku kundërshtarët politikë u lidhën me litarë pas makinave, apo si në Indonezi, në v.60, ku gjenerali Suharto bëri rebelimin ekstrem kundër P.K.-së të Indonezisë me Aidit, duke i mbushur lumenjtë me mbi 1 milion kufoma, ne do të rikthenim luftën e klasave. Fatkeqësisht një pjesë e avancuar e nomeklaturës së kuqe, me dragojt e tyre u futën në vallen e demokracisë me mentalitete komuniste. Të mençurit bënë kthesë duke flakur teserat e kuqe.
 
Bisedoi :Raimonda MOISIU

Ismail Kadare: Ky është shekulli më dramatiku, por edhe më i rëndësishmi për shqiptarët

Shkrimtari i shquar shqiptar Ismail Kadare, ka folur për gazetën “New York Daily News”.
Zoti Kadare, a mund ta filloj duke ju përgëzuar për nominimin tuaj të radhës për Çmimin Nobel për Letërsi. Duke qenë se ky nuk është nominimi juaj i parë, madje një prej të shumtëve, si e shihni këtë proces?
Mendoj se nominimi për çmimin “Nobel”, qoftë edhe i përsëritur, është një kënaqësi për çdo shkrimtar. Ndërkaq, dihet se të gjithë të nominuarit humbin (nuk fitojnë), me përjashtim të fitimtarit. Megjithatë kjo nuk përbën ndonjë arsye për t’u mërzitur.
A ka ndryshuar ndjesia juaj ndaj kandidimit, nga i pari deri te ai i tanishmi?
Kjo varet nga rasti. Për shembull, unë kam qenë kandidat për herë të parë në kohën kur vendi im, Shqipëria, ka qenë jo vetëm një vend komunist, por një vend stalinist, më i ashpri në Europë. Dihej se në një vend të tillë ky çmim nuk do të pranohej kurrsesi. Kështu që gëzimi im ka qenë i përzier me shqetësimin e refuzimit të detyruar.
Çfarë mund të ndodhte?
Më 1958, kur shkrimtari rus-sovjetik Pastërnak, fitoi çmimin “Nobel”, kundër tij shpërtheu një fushatë armiqësore në Bashkimin Sovjetik. Kam qenë student për letërsi në Moskë në atë kohë. Instituti ynë merrte pjesë në fushatë. Ditën studentët dilnin në miting kundër Pastërnakut, kurse natën ëndërronin “fatin” e tij. (Domethënë ta fitonin atë çmim “borgjez”, pastaj të bëhej ç’të bëhej.) Pastërnaku u kërcënua nga shteti: në qoftë se nuk e refuzonte çmimin, do të dëbohej nga vendi i tij. Kurse po të ndodhte kjo në Shqipëri, nuk do të kishte dëbim, por shumë më keq: burg ose pushkatim. Këtë ngjarje e kam përshkruar në njërin nga romanet e mia të hershme, që titullohet: “Muzgu i perëndive të stepës”.
Duke parë librat tuaj të shumtë duket se Shqipëria ka qenë burimi juaj i frymëzimit për shumë dhjetëvjeçarë por në kontekste të ndryshme…
Kështu thuhet zakonisht, por mendoj se kjo nuk është fort e saktë. Subjektet e veprave të mia kanë të bëjnë me një pjesë të madhe të globit tokësor: nga piramidat e Egjiptit te muri kinez. Kjo nuk është ndonjë veçanti e imja. Një pjesë e shkrimtarëve nuk e njohin kufizimin gjeografik apo historik. Letërsia e ka përmasën globale në natyrën e vet. Pavarësisht nga koha apo vendi ku prodhohet, ajo synon aty për aty gjithë botën dhe gjithë kohërat. Me fjalë të tjera, mund të thuhet se kur një popull arrin të krijojë letërsi ose art të çmuar, ai nuk e shfrytëzon për vete, siç bën me pasuritë e tjera, ta zëmë naftën (më falni për krahasimin), por ia fal si dhuratë gjithë njerëzimit. Mendoj se kjo është një nga veçantitë më të mrekullueshme të artit. Falë kësaj mrekullie, Shekspiri, për shembull, i përket po aq Anglisë e gjuhës angleze, sa gjithë botës. E kështu me radhë, gjithë gjenitë e njerëzimit.
Kush apo çfarë ju ka influencuar më së shumti në formimin tuaj letrar?
Ndikimet e mia më të ndjeshme kanë qenë nga ai që mund të quhet “krahu i zymtë i letërsisë botërore” (Dante, Shekspiri, Kafka). Pastaj nga pjesa antike e saj, kryesisht tragjedisë greke, dhe, pa dyshim, nga tradita shqiptaro-ballkanike.
Çfarë mendoni për festën e 100-vjetorit të pavarësisë të Shqipërisë?
Në 100 Vjetorin e Pavarësisë së shtetit të tyre, shqiptarët mund të thonë se ky ka qenë shekulli më i rëndësishëm e njëherësh më dramatiku në historinë e tyre. Shkëputja nga Perandoria Osmane, dalja nga komunizmi dhe rikthimi në kontinentin mëmë, Europën, mund të përcaktohen si tri ngjarjet themelore të këtij kombi. Të gjitha këto ndodhën brenda këtyre 100 viteve. Dhe mendoj se nuk janë pak.
Si e gjen ky përvjetor sot kombin shqiptar?
Gadishulli i Ballkanit, në të cilin bën pjesë Shqipëria, njihet sot si një nga zonat më të shqetësuara të Europës. Ndonëse pranohet njëzëri si zanafilla antike e qytetërimit europian, kjo biografi e fisme nuk e ka shpëtuar dot nga cilësimi si gadishull problematik, me të cilin Europa e Bashkuar ka vite që detyrohet të merret.
Është një gjë pozitive, që të gjithë popujt e gadishullit kanë një synim të përbashkët: hyrjen në Europë. Mirëpo kjo dëshirë bashkuese, nuk mjafton, për fat të keq që ata ta kapërcejnë përçarjen e tyre proverbiale. Kam pasur rastin të theksoj se janë tre popuj në Ballkan prej të cilëve varen shumë gjëra: grekët, shqiptarët dhe serbët. Janë fqinjë shekullorë, ndonëse identitetet, gjuhët, madje alfabetet i kanë krejt të ndryshme nga njëri-tjetri. Megjithatë, kjo nuk përbën asnjë arsye që të përligjë mungesën e harmonisë midis tyre. E thashë këtë për të ardhur te mendimi se, në qoftë se nga këto tre kombe, njëri prej tyre, kombi shqiptar, ka jo një, por dy shtete në Ballkan, Shqipërinë dhe Kosovën, e shoh këtë faktor si përgjigje të dyfishtë që ka ky komb për vendosjen e harmonisë dhe paqes në gadishull.
Që kur veprat tuaja u përkthyen së pari në frëngjisht dhe pastaj në anglisht, ato kanë mbërthyer vëmendjen e elitës letrare si edhe atë të lexuesve të thjeshtë në mbarë botën. Çfarë konsideroni si më të rëndësishmen në këtë sukses tuajin?
Përkthimi dhe vlerësimi i veprës sime në Perëndim, në fillim të vitit 1970, ka qenë ngjarja më e befasishme dhe unikale në jetën time si shkrimtar. Ndoshta këto fjalë duken të tepruara, por unë do t’jua shpjegoj përse. Ky ishte një paradoks për një shkrimtar të njohur të një vendi stalinist, shteti më antiperëndimor i Europës, nga të gjitha pikëpamjet. Pyetja “përse?” do të bëhej nga të gjithë, e në radhë të parë nga vetë Shqipëria komuniste. Përse na e pëlqejnë këtë shkrimtar armiqtë tanë? Pyetja do të bëhej në një tjetër sens nga njerëzit liberalë në Shqipëri, nga lexuesit perëndimorë, nga unë vetë.
Nuk isha përfaqësues i ndonjë lëvizjeje kundër regjimit (një gjë e tillë as që përfytyrohej në Shqipëri), as disident i shpallur, i burgosur etj. Isha thjesht një shkrimtar. Nga ky botim dhe nga ky vlerësim në Perëndim, kisha bërë një zbulim të madh: mundësitë e mrekullueshme të letërsisë. Duke qenë në një vend që konsiderohej si një burg i madh, kisha shkruar letërsi që pëlqehej, që çmohej në botën e lirë. Shkurt, kisha bërë letërsinë që duhej. Kisha hyrë në klubin e letrave europiane. Me fjalë të tjera, kisha ndërruar kohë: nga koha e rendit stalinist kisha hyrë në kohën universale të artit. Ishte sikur të kapje të ardhmen, ta prekje, të jetoje në të.

Beteja e Re Serbe – Shqiptare





Historianët shqiptarë akuzojnë Serbinë për katër gjenocide në Kosovë. Por, historianët serbë pyesin: A hapi ndonjëherë Shqipëria shkollë serbe?
Pyetja se e kujt ishte Kosova dhe kush pati shtet i pari në këtë vendbanim, shkaktoi shumë polemika mes historianëve shqiptarë e serbë, të cilët për herë të parë, pas disa dekadave debatuan bashkë në një hapësirë, në emisionin “Tema”.
Aq më vështirë del të jetë ta shkruash historinë pa ofenduar tjetrin. Kush u soll më keq me njëri-tjetrin – serbët a shqiptarët?
Por, historianët nga Beogradi dhe Prishtina pajtohen se traumat e luftës ende ekzistojnë sikur edhe botëkuptimet e ndryshme për të, gjë që e bën të vështirë pranimin e realitetit nga palët.
Historianët nga Prishtina akuzojnë Beogradin se nuk kërkoi falje për katër gjenocide, që thonë se shteti serb i kreu në të kaluarën ndaj shqiptarëve.
Kurse ata nga Beogradi akuzojnë Prishtinën se po ia mohon lashtësinë dhe tapitë Serbisë mbi Kosovën.
Historiani shqiptar, Jusuf Buxhovi, thotë se politika në Beograd i ka përcaktuar kornizat e historiografisë serbe “për qëllime nacionale, por edhe ekspansioniste”.
Si pasojë e saj, shtoi ai, shqiptarët i pësuan disa gjenocide nga politika serbe.
Buxhovi përmend dëbimin e shqiptarëve nga Nishi e Prokuplja gjatë viteve 1877-1878, pastaj pushtimin ushtarak 1912-1913 në emër të çlirimit të tokave serbe pas osmanlinjve, ideologjinë e 1944-1945 të Josip Broz Titos dhe Enver Hoxhës, dhe vitin 1999 kur u dëbuan qindra mijëra shqiptarë nga vendi.
Sipas tij, ato kanë qenë pasojë e projekteve të hartuara nga “historianët serbomëdhenj” si Illija Garashanin, Vaso Qubrilloviq, Dobrica Qosiq e të tjerë.
“Historikisht, mund të thuhet sot se populli shqiptar gjatë 140-150 vitet e fundit ka përjetuar katër gjenocide të kryere nga forcat ushtarake serbe”, thotë Buxhovi.
Por, drejtori i Institutit të Historisë Moderne në Beograd, Momçillo Pavloviq, thotë se të paktën dy prej “gjenocideve” që numëron pala kosovare, janë të gabuara.
Sipas tij, relacionet shqiptaro-serbe nuk ishin shkak i vrasjes së shqiptarëve në të gjitha periudhat e përmendura, kurse esenca e problemit qëndron se identiteti i shteteve, së voni po tentohet të zbehet përmes historisë.
“Është rasti me atë se të gjitha ato që tingëllojnë boshnjakisht sot lidhen me Bosnjën e tanishme, ose çka tingëllon maqedonisht në çfarëdo mënyre paraqitet pjesë e Maqedonisë së sotme…”, thotë Pavloviq. “E historia është e pandryshueshme”.
Por, historiani tjetër i Akademisë së Shkencave dhe Arteve në Serbi, nga Instituti i saj Balkanologjik, Çedomir Antiq, thotë se për të mbështetur akuza për gjenocid duhet një verdikt nga Gjykata e Hagës.
Ai nënvizon se historiografia serbe ka bërë rishikimin e historisë dhe fakteve që posedon, në bazë të cilave hegjemonia për të cilën Prishtina akuzon shkencën në Beograd, del krejt ndryshe.
“Ky ‘hegjemonizëm’ ka mundësuar që Prishtina të ketë 50 000 studentë”, thotë ai, ndërsa pyet: “Mos vallë ka pasur ndonjë universitet serb në Shqipëri? Mos ka pasur shkollë serbe në Shqipëri? A e dini ju se serbët në Shqipëri, s’kanë guxuar të ruajnë mbiemrat e tyre! Por është dashur të ruajnë ose emrin, ose mbiemrin serb”, thotë Antiq.
Por, në Prishtinë sërish ankohen se historiografia serbe ka shtrembëruar faktet për të glorifikuar popullin e saj në sytë e botës dhe në dëm të shqiptarëve.
Drejtori i Institutit të Arkeologjisë së Kosovës, Enver Rexhaj, merr si shembull Betejën e Kosovës, për të cilën thotë se historiografia e plotë serbe, me më shumë se 100 punime ose libra, e ilustron këtë betejë si vetëm të tyre, “ndonëse nuk luftuan vetëm ata për të mbrojtur ortodoksizmin”.
Sipas tij, kjo gjë nuk qëndron historikisht dhe nuk mbështetet nga burimet të cilat thuhet se përdoren si dokumentim – 10 burime serbe të kohës, nga viti 1392-1440, nga Ravaniqanin dhe Danillo III.
Rexhaj thotë se këto burime nuk e përshkruajnë fare betejën.
“Ato më tepër kanë karakter fetar. Njëri prej autorëve rus, në shekullin XIX, Gylferdink, i studion ato burime. Merret me çështjen dhe hulumton nëpër Serbi e Kosovë, dhe këto burime serbe për Betejën e Kosovës i quan më mirë të kishin qenë të paqena, sesa që janë dhe po japin konfuzion”, shton ai.
Por, arsyetimi i Rexhajt për Betejën e Kosovës shkaktoi neveri te kolegët e tij në Beograd, të cilët thonë se tjetërsimi i kësaj lufte është i pasuksesshëm meqë serbët nuk do të pranojnë që ajo ngjarje historike të jetë “multi-etnike”.
Profesori nga Instituti Ballkanologjik i ASHAS-it, Çedomir Antiq, thotë se Beteja e Kosovës nuk mundur të përvetësohet.
Përkundrazi, po shpiket, tha ai, se në këtë betejë morën pjesë “frankët, arvanitët, bullgarët dhe çekët”.
Në fakt, shtoi ai, ka autorë që e konfirmojnë të kundërtën, si Konstantin Jiriqek, i cili përshkruan se si Perandoria Osmane “pati aq shumë telashe me një popull të panjohur siç ishin serbët – në fakt shtetin serb”.
Prapë Jusuf Buxhovi e sheh pozicionin e historiografisë serbe të mbështetur në mite dhe thotë se Beteja e Kosovës më shumë ka të bëjë me falsifikime dhe mistifikime, sesa me realitet.
Sipas Buxhovit, edhe Jiriqeku është shtrembëruar nga historia serbe edhe beteja është përdorur për të thënë më vonë se serbët ishin të parët që zotëruan tokën e Kosovës.
“Historiografia, të gjitha burimet – edhe Jiriqeku, nuk flasin për shtet mesjetar serb në Kosovë, por flasin për Zhupani, flasin për despotate, për konstrukte që më shumë kanë qenë të natyrës religjioze, ta themi, sesa shtetërore”, tha ai.
Megjithatë, shkencëtarët thonë hapur se historia e dy popujve është shkruar mbarë e mbrapshtë në vendet e tyre dhe se shumë doktrina të gabuara mësohen nëpër institucione arsimore. Andaj, sipas tyre, lypset një intervenim i shpejt tek e vërteta shkencore, duke rishikuar historiografinë e dy vendeve.
Dy palët thonë për njëra-tjetrën se u mungon objektiviteti shkencor në trajtimin e historisë.

Kosova kërkon ndihmë për shkrimin e historisë


Kosova dhe Shqipëria prej kohësh kanë nisur projektet e përbashkëta për botimet historike. Së fundmi Instituti i Historisë i Prishtinës është duke
punuar me atë që e quan “makroprojektin” e tij, shkrimin e “Historisë së Kosovës” në bashkëpunim edhe me institucionet akademike dhe shkencore shqiptare.
Shkrimi i historisë së shqiptarëve nuk duket punë e lehtë për institucionet shkencore si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë. Edhe në shtetin e ri të Kosovës një nga çështjet më të ndjeshme që është duke përcjellë, vazhdon të jetë shkrimi i historisë së saj. Librat historikë të botuar për Kosovën deri më tani janë të shkruar nga studiuesit, ndërsa deri më sot, me përjashtime nuk kemi një histori të shkruar nga institucionet përkatëse. “Kosova, një histori e shkurtër” e autorit Noel Malkolm, libri voluminoz “Kosova”, i Jusuf Buxhovit dhe ai i Oliver Shmidit, “Kosova-histori e shkurtër e një treve qendrore ballkanike”, janë libra të botuar viteve të fundit mbi historinë e Kosovës. Instituti i Historisë së Kosovës ka nisur vite më parë punën për përpilimin e historisë së Kosovës, por mungesa e mjeteve financiare ka bërë që ky projekt të mos finalizohet ende. Projekti është në fazën e finalizimit, por drejtues të këtij institucioni nuk kanë thënë se kur mund të përfundojë projekti. Sipas tyre, në projektin e Institutit “Historia e Kosovës” është në fazën e realizimit dhe këtë vit historianët e këtij institucioni shkencor do ta kenë prioritet angazhimin e tyre shkencor në përfundimin e këtij projekti, për të cilin kanë kërkuar edhe ndihmën e institucioneve shkencore shqiptare si Instituti i Historisë apo Akademia e Shkencave. Sipas Frashër Demajt, sekretar shkencor në Institutin e Historisë në Prishtinë për shkrimin e “Historisë së Kosovës” do të japin kontribut edhe studiues shqiptarë, ashtu edhe të huaj. Pas çlirimit të Kosovës më 1999-ën vazhdoi bashkëpunimi me institucionet kërkimore shkencore të Kosovës dhe Shqipërisë, si në realizimin e projekteve ashtu dhe në organizimin e sesioneve, tryezave, konferencave dhe simpoziumeve shkencore. Gjatë kësaj periudhe janë botuar një sërë botimesh monografike të përbashkëta.
Nga ana tjetër, Instituti i Historisë në Tiranë ka mbledhur bashkë 37 studiues nga Shqipëria, Kosova dhe trevat për të konkluduar në shkrimin e një vepre që rrok anët më të rëndësishme dhe më të përgjithshme të historisë së shqiptarëve në shekullin XX. Këta studiues kanë hulumtuar në arkivat më të rëndësishëm të botës, ku kanë gjetur me mijëra dokumente për Shqipërinë, të cilat janë sjellë në Tiranë dhe po studiohen nga historianët. Projekti i shkrimit të “Historisë së Shekullit XX”, sipas drejtorit të Institutit të Historisë, Beqir Meta, po përmbyll fazën e parë të tij.

Jusuf Buxhovi, Serbia është “krijuar” nga shqiptarë




Historia duket se do të jetë beteja e re mes Kosovës dhe Beogradit. Shkrimtari dhe publicisti, Jusuf Buxhovi, sjell për herë të parë një libër mbi historinë e Kosovës. Libri ka ngjallur reagime në qarqet akademike serbe
Madje, edhe kur Serbia është pranuar si shtet në kongresin e Berlinit më 1878, sipas burimeve osmane dhe austro-hungareze, rreth gjysma e asaj popullate nuk ishte serbe. Shumicën e përbënin shqiptarët dhe vllahët, siç nuk kishte shumicë greke, por arvanite, edhe Greqia kur u pranua si shtet më 1831.
“Vepra ime edhe pse quhet Kosova, paraqet historinë e Shqipërisë së natyrshme nga antikiteti (mileniumi i pestë) e tutje”, kështu shprehet shkrimtari dhe historiani, Jusuf Buxhovi, në një intervistë për gazetën “Shqip” mbi librin e tij “Historia e Kosovës” i cili ka hapur debate të forta mes historianëve në Serbi e Kosovë. A janë gati Kosova dhe Serbia të kenë një histori të çliruar nga nacionalizmat? Pse serbët mohojnë dy gjenocide që kanë bërë në Kosovë? Libri i Buxhovit është në tri vëllime: Antikiteti, Mesjeta dhe Perandoria Osmane. Ai del në përfundimin se Dardanët janë themelues të Trojës dhe bartës të qytetërimit antik, i cili me pa të drejtë u është atribuuar grekëve, të cilët erdhën shumë vonë dhe përvetësuan gjithë qytetërimin pellazg, madje dhe shkrimin e tyre. Sipas tij, edhe “Iliada” dhe filozofia antike paraqesin trashëgimi shpirtërore të shqiptarëve.

Libri juaj “Historia e Kosovës”, nis nga antikiteti dhe Mesjeta për të vijuar me Perandorinë Osmane. Çfarë sipas jush i identifikon shqiptarët në këto periudha?
Fillimisht duhet sqaruar se “Kosova” është historiografi kritike. Është, pra, një projekt individual, që mbështetet mbi konceptin kohë-hapësirë me gamën e fokusimit që nis nga mileniumi i pestë e vjen deri në ditët tona. Në këtë kontekst etnogjeneza e shqiptarëve, si etni, shihet e ndërlidhur me Pellazgët, një si perandori me shumë mbretëri, ndër të cilat më të rëndësishme janë ajo dardane me Trojën, mbretëria maqedone, ajo epirote, si dhe mbretëritë ilire. Ky kundrim, nuk e dëmton teorinë e deritanishme ilire, pos që e plotëson në kuadrin e perandorisë pellazge, që ishte botërore dhe themel i qytetërimit antik. Nga trashëgimia pellazge lindën dhe u zhvilluan edhe dy perandoritë e mëdha: ajo e Romës (nga Dardanët, Galabrët dhe Etruskët) si dhe Bizanti (kryesisht nga dardano-ilirët).
“Kosova” ka sjellë shumë polemika, por edhe zemërim te historianët serbë, të cilët e kanë quajtur “një fantazi” dhe të pabazuar në fakte?
Zemërimi i historianëve dhe i akademikëve serbë ka qenë i arsyeshëm, ngaqë ata për herë të parë ndeshen me një libër autorial te një autor shqiptar, dhe po ashtu, për herë të parë, ndeshën me një historiografi, e cila rrënon gënjeshtrat e tyre rreth shqiptarëve, me të cilat ata kanë ushqyer edhe programet e njohura hegjemoniste kundër shqiptarëve, me të cilat politika serbomadhe ka ushtruar katër gjenocide kundër shqiptarëve (i pari në vitet 1877/8, i dyti në vitet 1912/’13, i treti në vitin 1944/45 dhe i katërti në vitin 1998/’99). Historianët serbë i ka zemëruar teza pellazge, pastaj pamja e rolit shtetfromues në Bizant, si dhe mohimi i shtetit mesjetar serb në Kosovë, që nuk ka ekzistuar kurrë (pos zhupanive dhe organizimeve të tjera fisnore-fetare, që i kanë pas edhe të tjerët). Po ashtu, akademikët serbë i ka hidhëruar së tepërmi, pohimi im se në Kosovë nuk ka pas kishë ortodokse serbe, por vetëm krishterim të ritit katolik apo ortodoks, dhe se shqiptarët, krishterimin e kanë marrë nga shekulli i tretë, ndërsa sllavët në shekullin dhjetë. Kjo çështje demanton mitin për Kosovën djep “shpirtëror serbë” dhe të ngjashme, me të cilat historiografia serbe është plot e për plot dhe për fat të keq ia ka dalë të mashtrojë edhe qendrat e vendosjes, dje, por edhe sot… Janë, pra faktet, që më mbrojnë nga akuzat serbe, fakte këto që edhe ata i dinë, por nuk dëshirojnë të heqin dorë prej tyre, ngaqë u bie koncepti hegjemonsit serbomadh, me të cilin edhe sot e gjithë ditën përpiqen ta destabilizojnë Ballkanin dhe veçmas shqiptarët.
Librat historike të kësaj natyre zakonisht janë nisma të institucioneve akademike, a e keni ndier që mund të paragjykoheshit kur shkruat këtë libër?
Është detyrë e akademive dhe institucioneve shkencore zyrtare të merren me projekte të tilla, veçmas në rrethanat e ndryshimeve të mëdha shoqërore dhe politike, siç janë këto nëpër të cilat po kalojmë. Disa herë kam shtruar këtë çështje dhe kam kërkuar që në Tiranë dhe Prishtinë të veprohet në këtë drejtim, por thuajse asgjë nuk ka ndodhur. Kjo, nuk më ka penguar që si hulumtues ta bëj punën time, punë kjo që ngrit disa çështje që kanë të bëjë me rishqyrtime, nëpër të cilat domosdoshmërisht do të kalojë historiogarfia jonë, i pëlqej apo nuk i pëlqen kjo dikujt. Megjithatë, puna ime, e cila është pritur shumë mirë nga opinionin (pesë ribotime brenda tetë muajsh me një tirazh prej më shumë se njëzet e pesë mijë ekzemplarësh), krahas kritikave të ashpra që i erdhën nga Beogradi, nuk u ka shpëtuar disa paragjykimeve, nga disa “historianë” dhe akademikë të Kosovës, të cilët, nga xhelozia pse nuk kanë bërë gjë, edhe pse paguhen mirë, u përpoqën që veprën time ta anatemojnë politikisht duke e etikuar “vepër nacionaliste”, “vepër që mohon serbët” dhe madje “vepër që zgjon urrejtje” e të ngjashme!
Sa e vështirë ka qenë të binit në gjurmët e dokumenteve dhe ku i keni gjetur ato?
Ka mbi tridhjetë vjet që merrem me hulumtime nëpër arkivat gjermane dhe austriake. Pjesën më të madhe të këtyre dokumenteve i kam vjelë nga Arkivi Politik i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë në Bon, pastaj Arkivi Historik i Berlinit, Arkivi i Majcit, ai i Institutit të Europës Juglindore në Munih dhe nga Arkivi Shtetëror i Vjenës. Një pjesë tjetër të dokumenteve e kam vjelë nga arkivat jugosllave, por nuk kanë munguar edhe dokumentet nga arkivat osmane, ato ruse, italiane dhe greke. Një rol të rëndësishëm në koncipimin e veprës sime, kanë luajtur edhe veprat e rëndësishme nga historiografia botërore që kanë trajtuar çështjen shqiptare nga antikiteti e deri te koha jonë.
E kujt ka qenë Kosova, dhe cili shtet ka pasur i pari vendbanimin në të?
Kosova, për mua paraqet epiqendrën e Shqipërisë së natyrshme nga antikiteti e deri në ditët tona. Natyrisht se ajo ka të bëjë me Dardaninë dhe Dardanët, por edhe Ilirët, Maqedonët, Epirotët dhe të tjerët, të degëzuar nga Pellazgët. Në këtë vazhdimësi historike prej pesë mijë vjetësh, pra nga parahistoria dhe koha historike, mbretëria dardane ka qenë njëri ndër faktorët më të rëndësishëm të antikitetit. Pas rënies së mbretërisë dardane, kjo hapësirë sërish do të luajë rol tepër të rëndësishëm gjatë perandorisë së Romës dhe asaj të Bizantit. Dardania, si pjesë e Ilirikut, do të kthehet në faktor kryesor të Bizantit, ku edhe kanë rrënjën tri identitetet me të cilat duhet të lidhet qenia shtetërore shqiptare: identiteti administrativ (i shpallur nga Diokleciani), identiteti kishtar (i shpallur nga Konstandini i Madh) dhe identiteti politik dhe juridik (i shpallur nga Justiniani). Termi Kosovë, është i vonshëm. Shfaqet në shekullin XIX, me vilajetin e Kosovës, që edhe si i tillë, paraqet epiqendrën e rilindjes kombëtare (Lidhja Shqiptare e Prizrenit), që do të çojë edhe deri te pavarësia e Shqipërisë. Pra, Kosova (Dardania) përherë ka pas identitet shpirtëror dhe shtetëror dardano-iliro-arbëror-shqiptar.
Kur shfaqen shenjat e para të Serbisë në Kosovë?
Nuk duhet ngatërruar praninë sllave me atë serbe, ngaqë sllavët paraqesin një konglomerat popujsh barbar, që sulmuan Ilirikun dhe Dardaninë nga shekulli VI e tutje, për t’u shfaqur si formacione fisnore nga shekulli IX e tutje, ndërsa serbët, si pakicë shfaqen në shekullin XIX. Pra në Kosovë, sllavët shfaqen në shekullin XIII, si pushtues, por pa atributet e mbretërisë, ose të perandorisë, siç i shohim edhe sot e gjithë ditën në historiografinë zyrtare në Shqipëri dhe Kosovë, por erdhën si fise të prirë nga zhupanë dhe despotë. Madje, edhe vetë Rashka, që serbët e quajnë “mbretëri mesjetare serbe”, sipas shumë indikacionesh, nuk ka qenë serbe, por tribale (një fis pellazg i lidhur me Dardanët). Ato që historiografia serbe i thotë rreth “Car” Dushanit, apo “Kral” Millutinit, janë falsifikime, ngaqë edhe i pari e edhe i dyti kanë qenë feudalë ortodoksë, si shumë feudalë të tjerë ortodoksë arbërorë, që ishin në përbërje të Bizantit dhe asgjë më shumë. Madje, edhe kur Serbia është pranuar si shtet në kongresin e Berlinit më 1878, sipas burimeve osmane dhe austro-hungareze, rreth gjysma e asaj popullate nuk ishte serbe. Shumicën e përbënin shqiptarët dhe vllahët, siç nuk kishte shumicë greke, por arvanite, edhe Greqia kur u pranua si shtet më 1831.
Ç’vend zë sipas jush historia e shqiptarëve në Ballkan?
Shqiptarët dhe Shqipëria, në raport me Ballkanin, por edhe të tjerët, paraqiten në qendër të antikitetit, si djep i saj. Ata janë protagonistët kryesorë të historisë nga lashtësia deri te koha jonë. Kjo është një e vërtetë që historiografia jonë duhet ta thotë pa ngurrim.
Sa e vështirë ka qenë për ju kjo nismë, dhe a është i përgatitur opinioni në Kosovë apo rajon për të pasur një histori të shtetit më të ri të Kosovës?
Secili shtet duhet të ketë historinë, së paku atë politike. Vepra ime pretendon që të paraqesë Kosovën si epiqendër të natyrshme të botës shqiptare nga antikiteti e deri më sot, siç ka qenë në të vërtetë. Pse historia politike e shqiptarëve, me pavarësinë e Shqipërisë, është vendosur në “periferi” në vend të qendrës, kjo nuk do të thotë që historia jonë të ndjekë kornizat e dhunshme politike, që ia kanë përcaktuar të tjerët.

Shkrimtari Ismail Kadare konsiderohet sot në Shqipëri si një nga “baballarët e kombit” bashkë me Ibrahim Kodrën...


Shkrimtari Ismail Kadare konsiderohet sot në Shqipëri si një nga “baballarët e kombit” bashkë me Ibrahim Kodrën, i cili ka jetuar në Milano prej vitit 1938, ndarë nga jeta disa vjet më parë, i konsideruar nga postkomunistët si artist i “djathtë” ndaj dhe i varrosur forcërisht në Ishëm, në Shqipëri, pa dëshirën e tij. Por le të kthehemi te Kadareja, sot 76 vjeç, që prej 1990-s, pasi kërkoi azil politik në Francë, jeton në Paris, në ekzil. Kohët e fundit nga ky shkrimtar ka dalë në Itali nga botimet “Fandango” “L’occhio del tiranno” (“Syri i tiranit”), një roman kundër diktaturës së Enver Hoxhës, diktatorit të pashpirt komunist, që ka mbajtur nën presion Shqipërinë për 40 vjet, deri në vdekjen e tij në vitin 1985.



Një libër prej rreth 80 faqesh, por me një forcë të jashtëzakonshme, me një kurajë ekstreme, që tregon ashpërsinë e kësaj diktature nacional-komuniste, që izoloi vendin nga e gjithë bota, në një mënyrë që nuk ka të ngjarë, mjaft të mendosh për shkatërrimin ambiental që diktatori ndërmori duke ndërtuar përgjatë brigjeve të Shqipërisë mijëra bunkerë prej çimentoje, sikur Shqipëria do të pushtohej nga momenti në moment nga vendet fqinje. Kadare ka treguar për vendin e tij, burgun e madh të ndërtuar nga diktatori, i cili u tregua i aftë të bëjë të vetin atë dekret të verbër të shpikur nga sulltani në një territor të Perandorisë Osmane, për kë “njollosej” nga “syri i keq”; ata të rrëfyerit apo vetëm të dyshuarit, dënoheshin me verbim. “Kjo çështje përfshinte të gjithë shkrimtarët më të njohur të vendeve komuniste. Më ka ndodhur edhe mua. Regjimi nuk më dënoi dhe kaq mjaftoi për të më quajtur mik. Theksoj: dekreti është i verbër”. Romani “Syri i tiranit” është një përkthim i lirë i titullit shqip e frëngjisht “Qorrfermani”, i shkruar nga Kadare 28 vjet më parë. Dorëshkrimi ka qenë i ruajtur në një kasafortë banke, në Bankën e Shtetit, plot katër vjet para publikimit në frëngjisht, i cili ndodhi një vit pas largimit të Kadaresë nga Tirana me vetëm një biletë vajtjeje. Por, si këto dorëshkrime të autorit, të cilat kanë dalë fshehurazi nga atdheu, ka pasur edhe të tjera. Ato lanë vendin përpara tij në valixhen e presidentit të shtëpisë botuese “Fayard”, Claude Durand.
Romani përshkruan botën komuniste shqiptare, i mbushur me spiunë, ftesa për denoncime, dyshime, akuza, hakmarrje të çdo lloji. Në këtë roman të shkurtër apo tregim të gjatë prej 80 faqesh, personazhet janë shqiptarë e jetojnë të gjithë në Perandorinë Osmane, ndoshta në Stamboll, por me problemet tipike të Shqipërisë komuniste.
Në vendin e shqiponjave nuk u zhvillua destalinizimi si në ish-Bashkimin Sovjetik pas vdekjes së Stalinit në vitin 1953 dhe pranimit të krimeve nga ana e Hrushovit. Fatkeqësisht, në Shqipëri stalinizmi vazhdoi të jetonte deri në vitin 1990. Enver Hoxha goditi gjithçka qorrazi, ashtu si thotë edhe titulli i romanit, u eliminuan ministra, drejtues, funksionarë, me dëshirën e “shefit”. Ligji i tiranit u aplikua pikë për pikë. Kadare jetonte nën survejim. Në vitin e Orwell-it, pra në 1984, Kadare mendonte se do të vdiste në një vend komunist dhe nuk do të mund të shihte rënien e komunizmit në vendin e tij. Me thënë të vërtetën, as shërbimet sekrete më të rëndësishme në botë nuk e kishin parashikuar rënien e regjimit komunist në Shqipëri, shenjë kjo, që diktatori kishte ditur të ngrinte në këmbë një prej regjimeve më të pamëshirshme në botë.
Carlo Franza*
(*Marrë nga gazeta italiane “Libero”)

Qeveria e “Vorioepirit” : Vandalizmat greke në Shqipërinë e Jugut


Kryengritja  për “Vorioepirin”, pse Venizellos dërgoi ushtrinë
Më 26 tetor 1914 qeveria greke shpjegoi se qëllimi i dërgimit të ushtrisë në jug të Shqipërisë, ishte “sigurimi i rendit”. Më 27 tetor të këtij viti, në fjalimin e tij para parlamentit grek, Venizellos mbrojti karakterin e pushtimit grek. Pas fjalës së Venizellosit, Zografi po nga Athina shpalli shpërndarjen e qeverisë së tij dhe “forcave të armatosura vorio – epirote”. Ndërkohë që Zografos u emërua ministër i Jashtëm në qeverinë e re greke të drejtuar nga Gunaris


 Versioni shqiptar i gazetës “Koha”, që drejtohej nga atdhetari Mihal Grameno.
Kjo gazetë, në numrin e saj të datës 17 prill 1914, ndër të tjera shkruan, në kryeartikullin “Gjakpirësit, katilët dhe vandalët”:
Vetëm një komb barbar, i cili jeton për turp në shekullin e 20-të në Evropë, mund t`i tregojë botës së qytetëruar barbarizmin e tij të pashembullt dhe të veprojë vandalizmat që ngjanë në Korçë dhe ngjasin në Shqipëri të jugës! Dhe ky komb s`mund të jetë veçse kombi grek. Një komb, i cili është gatuar nga llojish lëngërash, nuk mund të kuptojë ç`domethënë turp dhe njerëzim, se ay është bërë për gjakpirësi, për katillëqe dhe për vandalizma! Kurrë nuk besojmë të gjendet njeri i cili të shkruajë historinë e ngjarjeve të fundit në Korçë e të tregojë hollësisht shkaktarët e kësaj lëvizje, me qenë se shkaktare e vërtetë e kësaj lëvizje është qeveria greke, e cila deshte që t`i përvëlonte e t`i shuante vendet e Toskërisë nga faqe e dheut.
Dhe programin e saj e tregoi fort bukur se ka afër një mot që kur konferenca e Londrës, vendosi kufijt e Shqipërisë, por qeveria greke vendosi të shpërndajë armë….Gjithë lufta që u bë në Korçë ishte organizuar nga Greqia me oficerë dhe ushtarë grekë. Duke shpresuar në ndihmë të shqiptarëve, pandehnin që të mbushnin qëllimin e poshtër dhe barbar e të rrëzojë themelimin e Shqipërisë…. Me të vërtetë ushtria shqiptare dhe vetëdashësit shqiptarë nga të gjitha anët vrapuan në Korçë dhe kështu i dhanë dërmën ushtrisë greke duke e përzënë, pas kaq luftërash të rrepta nga gjith anët e Korçës dhe rreth saj.Le të kuptojnë pra barbarët që kurrë shqiptarët nuk do gënjehen paskëtaj nga lajkat e tyre e të vriten vëlla  me vëlla se gjaku i shqiptarit është shumë më i vyer dhe nuk derdhet për qejf të grekëve. Po ato do të qajnë vetëm ata të pakët shqiptarë që u bënë veglat e tyre dhe u bënë shkak të vriten kaq njerëz të pafajshëm dhe të sjellin kaq prishje se e vërteta doli në dritë që katilët, gjakpirësit dhe vandalët, nuk ishin veçse grekër të dërguar nga qeveria greke….

Artikulli i datës 17 prill 1914 i gazetës “Koha”
 
“Pesë ditë kryengritje, gjakderdhje të barbarta edhe zjarr i shumë shtëpive nga grekët në qytetin tonë Korçë!”

Kur e gjithë bota flinte gjumën e qetë nër shtratet e tyre, kur gjith qytetarët dhe katundarët rronin në qetësi dhe liri të plotë , që prej një muaji qeveria greke me kohë kishte mbjellë farën e grindjes duke formuar një klikë nga pesë a gjashtë tradhëtorë të vendit, për të prishur qetësinë e tërë gjendjes. Andartët grekë nisnë dyfeknë e parë të enjtën më të gdhirë, më 2 prill në orën 3, me xhandarmërinë vetdashëse, që ruante anën e qytetit nga shtëpit e Heqim Polenës dhe çezmat e arave.
Kërcëllimi i pushkave zgjoj edhe ngriti nga gjumi tërë gjendjen me tmerr dhe frikë se s`dinin ç`ngjet dhe ç`bëhet…Mjerisht ushtimi i pushkave shtohej në tërë anët e qytetit dhe më tepër u shtua kur oficerët grekë, me ushtrinë e tyre, hynë në qytet dhe zunë mitropolinë ku urdhëruan të bien këmbanat për shenjë gëzimi, dometënë që prokllamuan autonominë e Korçës….Zjarrn e parë e nisnë duke djegur shtëpinë e z.Koliç Cekani, kundër të ndjerit Papa Llambro me të vëllanë, të cilët u masakruan nga duar oficerash gjiritllinj dhe andartësh. Të enjten mbrëma prapë ushëtim e pushkave vazhdonte po mjerisht..E nesërmja dhe ditët e tjera, gjer të hënën në mëngjez, vazhduan në këtë mënyrë, gjith me vrasje, djegie dhe keqbërje që s`përshkruhen dot….”


Letra që banorët e Korçës i dërguan Pric Vidit më 22 prill 1914:
“Ne të nënshkruarit si përfaqësues të shqiptarëve ortodoksë të Korçës kemi nderin të paraqesim ne madhëria jote se po mësojmë nga gazetat e huaja që Greqia, me shkak të kishave dhe të shkollave, po pretendon që të përzihet në punët e brendshme të Shqipërisë. Në qoftë se kjo e re është e vërtetë, ne si qytetarë të Shqipërisë dhe si nënurdhës të Madhërisë Sate deklarojmë se duam që të mbrojmë gjithë interesat tona dhe të kërkojmë prej qeverisë sonë mbarimin e çdo nevoje që të mund të kemi, po që kurrë nuk do t`i japim leje një të huaji të përzihet në çështjen që prekin indipendencën morale dhe politike të kombit tonë dhe komunitetit ortodoks veçanërisht. Të madhërisë sate shumë të bindur dhe besnikë shërbëtorë.(vazhdojnë firmat).

Si e lajmëronte gazeta “Koha” vrasjen e kapedan Vardës dhe si replikonte kjo gazetë me gazetat greke.
Gazeta “Koha” e lajmëron kështu vdekjen e kriminelit Jorgo Xhota, i njohur si Varda:
“I dëgjuari gjakpirës grek, kapedan Varda, që kishte shtënë tmerrë në Korçë edhe gjetkë me barbarizmat e tij, e gjeti ngordhjen…..Varda nga plagët që mori duke shkuar në Follorinë, vdiq udhës dhe u varros në Mavrovë…-.

Si reagim ndaj shtypit grek, “Koha” shkruante
:
I fëlliquri dhe i ndyri shtypi grek, si gjithnjë nuk pushon me lajmet e rrema që shkruan kundër shqiptarëve. Duhet mashë e gjatë që të zesh një gazetë greke për të mos fëlliqur dorën nga ndyrësirat që mbajnë.Edhe që t`u përgjigjemi sharjeve dhe gënjeshtrave greke besojmë se gjithë bota e qytetëruar i ka kuptuar sharlatanllëqet e grekëve, të cilët rrojnë për turp në Evropë. Nerontë, katilët dhe barbarët që njihen grekë kërkojnë të nxijnë kombin shqiptar për të lehtësuar gjakderdhjet, vrasjet e fëmijëve, djegiet e kaq e kaq fshatrave dhe vandalizmat që vepruan në Shqipëri të jugut, po për fat të mirë u ndodhën evropianë të paanshëm, të cilët u vërtetuan të gjithë kebërsitë e grekëve. Prandaj heshtni, o katilë të poshtër dhe gjakpirës!”

Ku qëndron “krenaria greke” për “kryengritjen zografiste
Në kohën që në Shqipëri ndodhi “kryengritja zografiste” Shqipëria pësoi këto dëme:

- Rreth 300 fshatra të jugut të Shqipërisë të djegur.
- Dhjetëra fshatra e qytete të grabitura e të   plaçkitura.
- Mijëra shqiptarë të vrarë e të masakruar.
- Mbi 100 mijë njerëz të mbetur pa strehë.
- Rreth 300 milion franga ari dëme (ose 1.2 miliard dollarë) etj.
Për këto “mrekulli” në Greqi festohet dhe hidhet valle vit pas viti. Këto dhe  i ashtuquajturi “Protokoll i Korfuzit”, shpeshherë përbëjnë “argument” politike, apo “historike” për grekët dhe nuk përbën, për shembull, argument masakra e Hormovës në Tepelenë, ku “trimat” grekë treguan “heroizëm” të paparë, duke prerë koka fëmijësh. Ndërsa përsa i takon të famshmit “Protokoll të Korfuzit” , duhet thënë se ky Protokoll është i pavlerë për këto arsye:
- Së pari, binte në kundërshtim me aktin suprem të Fuqive të Mëdha të 29 korrikut 1913.
- Së dyti, binte në kundërshtim me Statutin Organik të Shqipërisë, në nenin 2 të të cilit thuhej: “Shqipëria është e pandashme, territori i saj i patjetërsueshëm”.
- Së treti, grekët kanë harruar se ka qenë vetë njeriu i tyre Jorgji Zografi, që e ka denoncuar këtë Protokoll, nën ethet e reja të lindura pas fillimit të Luftës së Parë Botërore. Për këto arsye “Protokolli i Korfuzit” nuk ka veçse “vlera” historike.
- Së katërti, Protokolli nuk u njoh nga Fuqitë e Mëdha.
Nga ana tjetër nuk mungon mendimi edhe tek një pjesë e grekëvë, që e quajnë të tejkaluar këtë Protokoll, duke kujtuar fjalët e Spiro  Milos, i cili ka shprehur besimin më të madh tek lufta.
Më 6 korrik 1914 vetë grekët mbajtën “Kongresin e Vorio – Epirit” dhe vendosën zgjerimin e zonës “vorio – epirote” më përfshirjen e Korçës, Kolonjës dhe Tepelenës.
Në këtë “kongres” ka patur mjaft mosmarrveshje midis “delegatëve”. Më 24 korrik 1914 forcat greke pushtuan Korçën. Në mënyrë ceremoniale tërë librat grekë thonë se i pari në qytet hyri “luftëtari maqedonas Pavllo Guparis”, i cili kishte ardhur nga Greqia nga fundi i prillit më rreth 100 vetë.  Është për t`u kujtuar gjithashtu se fill pas nisjes së Luftës së Parë Botërore, grekët u futën drejtpërdrejt në territoret shqiptare. Më 13 korrik 1914, mitopoliti Germanos ka ngritur flamurin grek në Korçë. Në luftimet e Korçës, Përmetit, Këlcyrës dhe Beratit përmenden emrat e terroristëve grekë Kutalis, Kolivanos, Papadhopulos, Farmakis, Georgolakis, Georgadhis, Stratos, Leontokianaki, Cipuras etj.
Më 26 tetor 1914 qeveria greke shpjegoi se qëllimi i dërgimit të ushtrisë në jug të Shqipërisë, ishte “sigurimi i rendit”. Më 27 tetor të këtij viti, në fjalimin e tij para parlamentit grek, Venizellos mbrojti karakterin e pushtimit grek. Pas fjalës së Venizellosit, Zografi po nga Athina shpalli shpërndarjen e qeverisë së tij dhe “forcave të armatosura vorio – epirote”. Ndërkohë që Zografos u emërua ministër i Jashtëm në qeverinë e re greke të drejtuar nga Gunaris. Në maj 1915, mitropolitët Vasilios, Spiridon dhe Germanos organizuan një “kongres vorio – epirot”, ku “zgjodhën deputetët për në parlamentin grek”. Ku veprim i trashë i Greqisë nuk u njoh nga Fuqitë e Mëdha. Është me mjaft rëndësi që këta “deputetë” të njihen emër për emër.
Në thelb ngjarjet e vitit 1914 tregojnë karakterin terrorist të grekëve ndaj shqiptarëve. Fakti që grekët krenohen sot me krimet e paraardhësve të tyre, do të thotë që të njëjtën gjë ata dëshirojnë ta bëjnë edhe sot.
Cilët janë “ngjarjet e rënda” në Vorio – Epir, sipas versioneve greke?
Si manipulatorë sistematikë të historisë që janë, për grekët ka mjaft rëndësi përsëritja e shpeshtë se gjoja të ashtuquajturit “vorio – epirotë” qenkan përballur me “ngjarje të rënda”. Në periudhën e Luftës së Parë Botërore na paskan ndodhur gjëra me të vërtetë të çuditshme kundër tyre, ndonëse në Shqipëri kishte ardhur ushtria pushtuese greke. Sipas versioneve greke “ngjarjet e rënda” cilësohen këto:

-Largimi i grekëve nga “Vorio – Epiri”.
-Ndërhyrja e shqiptarëve në çështjet e kishës greke.
-Kërcënimi i mitropolitit Vasilios.
-Ndalimi i gjuhës greke në “Vorio – Epir”.
-Mugesa e mësuesve grekë etj.
Të gjitha këto konstatime nuk kanë asnjë bazë të dhënash.
Nuk është vënë re  asnjëherë ndonjë largim masiv i të ashtuquajturve grekë edhe për faktin se ata kurrë nuk kanë qenë faktor i rëndësishëm në Shqipëri. Madje as në ngjarjet e hidhura të vitit 1914, ata nuk kanë pasur atë rol që mund të kishin pasur në një vit si ky. Kjo tregon shkallën e lartë të inferioritetit që ata kanë pasur.
Tek kapitulli i “ngjarjeve të rënda”, grekët nuk harrojnë të përmendin emrin e Sali Butkës, si duket nga tmerri që kanë për figurën e tij.
Të shqetësuar janë veçanërisht ata edhe për ata shqiptarë që emigruan në SHBA dhe që nga andej luftuan për çështjen shqiptare dhe njëkohësisht kundër interesave greke.
Duke vazhduar me falsitetet e radhës, libri thotë se “shumë patriotë ndiqeshin” pa dhënë si zakonisht asnjë emër “patrioti” të ndjekur nga “armiqtë” shqiptarë.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...