2013-03-11

E dashura franceze, dëshmitare në atentatin e Esat Pashës


E dashura franceze, dëshmitare në atentatin e Esat Pashës
Fevziu boton historinë e Shqipërisë, nga Pavarësia deri sot.“Ishte tejet i mediatizuar nga shtypi, një shtëpi mode pati krijuar një parfum që e quante ‘Esat Pasha’”
Ekskursioni 100-vjeçar i Blendi Fevziut, në politikën shqiptare ndalet në ngjarjet më kulmore që e kanë shenjuar atë. Duke dalë nga radhët e gazetarisë, Fevziu fokusohet edhe në elementë, të cilët i bëjnë edhe më tërheqëse këto histori, të cilat ndonjëherë duket si të përsëritura. Një ndër to është edhe atentati i famshëm i Avni Rustemit ndaj Esat Pashë Toptanit. Në librin e tij më të fundit “100 vjet (1912 – 2012)- Një ekskursion 100 vjeçar në politikën shqiptare”, botim i UET Press dhe Klan, na e risjell në vëmendje këtë moment. Ku ishte, me kë ishte shoqëruar, mediatizimi i figurës së Esat Pashës, etj. Një tjetër moment ku ai ndalet janë edhe marrëdhëniet mes mbretit Zog dhe kundërshtarit të tij politik, Fan Nolit. Si u përmirësuan ato, takimi i Nolit me princeshat, motrat e Zogut dhe pagesa që ky i fundit bëri për kurimin e tij. Ndër të tjera Fevziu na bën të njohur me faktin se Noli ka qenë i ndjekur nga Sigurimi i Shtetit në vitet ’50.

ESAT PASHE TOPTANI

Problemi më i madh në Paris mbetej prania e Esat Pashë Toptanit, që njihej ende si kryetar i qeverisë shqiptare. Esat Pasha kishte mbërritur në kryeqytetin francez në janar 1919 dhe qe vendosur së bashku me qeverinë dhe ndihmësit e tij në hotel “Kontinental”, një ndër më të njohurit e qytetit në rrugën “Kastilione”. Ai mbante gradën e gjeneralit, kishte qenë aleat me komandantin francez Sarrail në Selanik dhe tani pretendonte se përfaqësonte shtetin shqiptar. Ishte tejet i mediatizuar nga shtypi, madje një shtëpi mode, duke përfituar nga fama e tij ekzotike, pati krijuar edhe një parfum që e quante “Esat Pasha”.
Me këtë famë dhe me kartëvizitën e luftëtarit në anën e aleatëve, ai kishte arritur të siguronte një takim prej 45 minutash me presidentin amerikan Uillson në prill 1920 në Paris. Në takim Esat Pasha kishte folur për problemet e Shqipërisë, por vetë Uillson duhet të ketë pasur dyshime, pasi i ka kërkuar Departamentit të Shtetit të dhëna për të dhe ndikimin që kishte në Shqipëri.
Esat Pasha në vetvete ishte një problem i madh jo vetëm për dërgatën shqiptare në Paris, jo vetëm për qeverinë e Tiranës, por me sa duket edhe për vetë shtetin francez. Raportet që vinin nga Shqipëria, sqaronin se popullata atje nuk e donte dhe se mbështetësit e tij po synonin të minonin sukseset e qeverisë së Tiranës dhe vetë ekzistencën e saj.
Në fakt, të njëjtat të dhëna i dinte edhe kryeministri dhe ministri i Brendshëm në Tiranë. Ata e dinin se esadistët e Shqipërisë së Mesme qenë organizuar nën komandën e Osman Balit dhe në 15 prill kishin kërcënuar kryeqytetin provizor. Për të mos hapur luftë në disa drejtime, qeveria e Tiranës u kish kërkuar atyre një armëpushim disajavor, derisa, një delegacion i saj, i përbërë nga Fuat bej Toptani, Peshkop Kolezi, major Bajram Fevziu dhe Ymer Deliallisi, të takohej me pashain në Paris. Delegacioni mbërriti vërtet në Paris, por veç një lloj qetësimi të përkohshëm psikologjik, nuk arriti ndonjë përfundim tjetër në bisedimet me të. I informuar telegrafikisht për dështimin e bisedimeve, ndërsa delegacioni nuk ish kthyer ende, ministri i Brendshëm Ahmet Zogu ngarkoi Bajram Currin të drejtonte operacionin për shpartallimin e esadistëve. Sulmi i xhandarmërisë shqiptare qe i befasishëm dhe esadistët u tërhoqën. Ata tentuan të organizoheshin për të sulmuar sërish, por tashmë nuk mundën më.
Në 13 qershor 1920, Esat Pasha i shoqëruar nga nipi i tij Xhemil bej Vlora dhe një balerinë me të cilën bashkëjetonte prej disa muajsh, Dyfour Elise, 22-vjeçare, po dilte nga hotel “Kontinental” për të ngrënë drekë në një restorant në Aveny Montenjë. Ai i kërkoi portierit që të njoftonte shoferin e tij dhe i kërkoi të dashurës dhe nipit që të hipnin përpara sa të thyente në sportel disa franga. Xhemil Vlora që kishte ardhur nga Nica për të parë dajën atë mëngjes dhe e dashura e Esat Pashës kishin hipur në makinë, me derën hapur, kur dëgjuan 2 krisma. Sipas gazetës “Excelsior”, krismat kishin ngjallur panik te kalimtarët në një ndër rrugët më të famshme të Parisit. Xhemil Vlora kish dalë të shihte, kur kish dëgjuar njerëzit që thërrisnin: kanë vrarë Pashanë! Ai e gjeti Esat Pashën të shtrirë në tokë, me sytë të hapur tej mase dhe të vdekur në vend. Një i ri shqiptar, i ardhur nga Vlora, Avni Rustemi, e kish qëlluar me dy plumba nga mbrapa. Sipas Policisë franceze, arma kish 6 plumba, por 4 prej tyre kishin ngecur. Avni Rustemi qe ndaluar pa bërë rezistencë dhe qe goditur nga rojet e hotelit.
Avni Rustemi ishte nisur nga Shqipëria me idenë për të vrarë Esat Pashën. Një dëshmitar i kohës, Sejfi Vllamasi, rrëfen:
“Avni Rustemi vazhdonte studimet në Romë. Një ditë shkon në shtëpinë e Tefik Mborjes, inspektori i studentëve shqiptarë në Romë dhe i thotë se kish vendosur të vriste Esatin për të shpëtuar Shqipërinë, por i duheshin të holla për shpenzimet e Parisit. Tefik Mbroja takon Bajram Fevziun, i cili ishte me një delegacion të qeverisë që po shkonte në Paris dhe i kallëzon vendimin e Avniut për Esatin. Bajram Fevziu i jep një letër për Xhavit Leskovikun në Tiranë. Avniu zbret në Durrës më 5 maj 1920 me letrën e Bajram Fevziut për Leskovikun dhe të Mborjes për Qazim Kokoshin. I furnizuar më mjetet e nevojshme dhe i përcjellë nga Tefik Mbroja, Avniu niset për Paris”.
Avni Rustemi qëndroi në Paris disa ditë në hotel “Prince Albert” dhe më pas në hotel “Tuilerries”. U stërvit në një shkollë qitjeje për të qëlluar me pistolete, një model amerikan, dhe ndoqi me vëmendje lëvizjet e Pashait. Përmes sekretarit të tij Gjergj Goga kërkoi madje edhe takim me të. Më 13 qershor 1920, vendosi ta qëllojë. Atë ditë, Avni Rustemi u ngrit nga dreka 45 minuta më parë, që ta ndeshte pashain në shkallët e hotelit kur dilte për drekë me të dashurën e tij.
Në një gjyq që tërhoqi vëmendjen e madhe të mediave, Avni Rustemi e pranoi vrasjen, shtoi se e kish bërë atë për atdheun e tij, por se nuk kishte qenë një vrasje e paramenduar. Në dëshminë para gjyqit ai u shpreh se kish shkuar aty të takonte sekretarin e Esat Pashës, Gjergj Gogon, që e kishte mik:
“Unë shkova e ardha dy herë përpara portës së rrugës ‘Kastilione’, kur pashë që doli Esat Pasha të cilin e njihja mirë në të parë. Esat Pasha ecte ngadalë e me fodullëk. Me të parë atë, e gjithë historia e Shqipërisë përshkoi mendjen time dhe më mbushi me një turbullim të madh. Kapa në xhep të djathtë të rrobave të mia revolverin e mbushur me 6 fishekë që mbaja me vete dhe qëllova disa herë mbi Esat Pashën, që ishte dy hapa larg meje. Esat Pasha u rrëzua gati menjëherë e unë e hodha shpejt në tokë revolverin. Them të drejtën se akti im ka qenë krejt i rastësishëm e se nuk ka qenë i paramenduar”.
Gjyqi ndaj Avni Rustemit zgjati deri më 1 dhjetor 1924, kur ai mori pafajësinë. Deri atë ditë me mijëra telegrame nga Shqipëria, por edhe shqiptarët jashtë atdheut iu dërguan Gjykatës së Parisit për të mos e dënuar atë. Akti i tij quhej një akt patriotik dhe që i shërbente Shqipërisë më shumë se çdo gjë tjetër. Afro 900 dollarë, një shumë marramendëse për kohën, u dhurua nga Shqiptarët e Amerikës për shpenzimet e avokatëve. Më 24 dhjetor 1920, Avni Rustemi mbërriti në Vlorë ku u prit si hero.
Pak minuta pas atentatit, trupi i Esat Pashës u vendos në dhomën numër 179 të Hotelit, aty ku banonte në 18 muajt e fundit. Shtypi francez i kushtoi vrasjes së tij titujt kryesorë me titullin: “Presidenti i qeverisë shqiptare u vra dje në Paris”! Ai u varros në Tie të Parisit. 41 vjet më pas, për një rastësi të pabesueshme, pak metra larg tij, në një tjetër parcelë që mban shenjat e flamurit mbretëror shqiptar, u varros edhe Ahmet Zogu, “nipi” i tij. Thuajse fati i kish bashkuar këta armiq në gjallje, mijëra kilometra larg Shqipërisë. Sepse siç dëshmon Eqrem Bej Vlora, në gjallje e kishin vështirë që të qëndronin të dy bashkë. Ai kujton një takim mes Esat Pashës dhe Ahmet Zogut në prill 1914, në Durrësin e drejtuar nga Princ Vidi. Natën vonë, kujton Eqrem Vlora, kur i riu 19-vjeçar doli nga shtëpia e Pashës, ky më tha:
“A e vure re mirë këtë djalosh? Do të vijë një ditë kur ai do të shkojë shumë larg dhe do të na mënjanojë të gjithëve, po të jetë se ne nuk ia shkurtojmë këmbët në kohën e duhur”.
Më 13 qershor 1920 në mbrëmje, kur telegrami që njoftonte vrasjen e Esat Pashës mbërriti mbi tavolinën e ministrit të Brendshëm, pa dyshim që ai u ndje i lehtësuar. Lëvizja esadiste që kërcënonte qeverinë nuk ekzistonte më dhe djaloshi që s’kish mbushur ende 25 vjeç, ishte pa dyshim njeriu më i fuqishëm politik në vend.
***

Fan Noli

“Organizimi i sulmeve diversive të fuqive të Zogut në Shqipëri i kushtonte qeverisë jugosllave afro 30.000 napolona ari”.
Më 9 dhjetor paradite, Ahmet Zogu dhe shpura e tij doli nga hotel “Moska” dhe u nis drejt Dibrës. Ai kishte me vete edhe 60 rusë të bardhë me dy bateri topash “Skoda”.
Operacioni për rikthimin e qeverisë legale, ose “Triumfi i legalitetit”, siç u njoh për shumë kohë, nisi në datën 20 dhjetor 1914. Trupat e Ahmet Zogut hynë nga 7 drejtime në Shqipëri. Më kërcënuese qenë trupat që hynë të komanduara nga vetë Zogu në Dibër dhe kolona e Myfit Libohovës nga Greqia, në Kakavijë. Nga Kapshtica ndërkohë sulmoi Koço Kota, ndërsa vetë Vrioni hyri nga Italia. E paralajmëruar për lëvizjet, qeveria e Nolit nuk bëri asnjë reagim. Pak forca ushtarake që u dolën para u shpartalluan në fare pak orë nga Zogu, ndërsa ministri i Mbrojtjes, Kasëm Qafëzezi, nuk gjendej gjithë ditën në detyrë. Për shumë vite, në kujtime është hapur një legjendë sipas së cilës, kur shkuan t’i thonë se Zogu po vinte, kryeministrin Noli e gjetën duke i rënë flautit apo violinës. Nuk dihet sa reale është kjo histori. Me gjasë është pjesë e thashethemeve denigruese që hapen sa herë dikush bie nga pushteti. E sigurt është se Noli nuk ia doli dot as ta ndalte dhe as t’i bënte rezistencë Ahmet Zogut. Ai, qeveria e tij dhe rreth 350 veta u larguan për në Itali me anije. Gjesti i fundit i qeverisë ishte një shkresë që urdhëronte të paguheshin rrogat e ministrave dhe deputetëve në avancë.
Të ikurit mbërritën në Brindisi, ku zhvilluan një mbledhje në hotel “International”. Njëri prej ikanakëve, Sejfi Vllamasi, e kujton kështu atë takim:
“Në atë mbledhje historike, Noli, ndër të tjera, duke iu drejtuar Gurakuqit, tha: Gurakuq, ne kemi bërë shumë gabime… Me gjithë të metat e tij, Noli pati guximin e me plot sinqeritet pranoi gabimin e bërë…”
Sërish sipas Vllamasit:
“Noli rrojti mustaqet dhe mjekrën e tij madhështore, duke thënë: “Këtë borxh që ia pata Shqipërisë, po ia laj dhe nuk ia vlen barra qiranë për përpjekjet për një popull njëmilionësh…”
Në një farë mënyrë, kjo mbledhje ishte angazhimi i fundit i Nolit në politikë. Për disa vite ai u bë themelues i një organizate antizogiste, majtiste të quajtur “KONARE”, udhëtoi për në Moskë, u vendos në Amerikë, ku ndërkohë, miku i tij më i afërt, Faik Konica, ishte bërë ambasador i Shqipërisë, i emëruar personalisht nga Ahmet Zogu. Marrëdhëniet mes Zogut dhe peshkop Nolit mbetën problematike, por mëria mes tyre filloi të zbehet. Në mes të viteve ’30 Zogu i dërgoi atij 890 USD sipas një kërkese që i kish bërë për të paguar shpenzimet e mjekimit. Më pas, ata vendosën një raport normal, siç dëshmon edhe ky reportazh i një prej gazetave më prestigjioze amerikane gjatë vizitës së motrave të Zogut në SHBA, në mars 1938:
“New York Post”, 14 mars 1938
Pas qetësimit të konfliktit ndërmjet Mbretit Zog dhe Nolit
Boston, 14 mars. Mesa duket, pas qetësimit të një konflikti të gjatë midis vëllait të tyre, Mbretit Zog të Shqiptarve dhe peshkopit Fan Noli, dikur Kryeministër i vëndit dhe tani kryetar i Kishës Amerikane të Shqiptarve të krishterë, tre motrat princesha të Mbretit dolën sot në publik.
Princeshat Shqiptare Ruhije, Myzejen dhe Maxhide morën pjesë në Meshën e së Dielës në Kishën Ortodokse Shqiptare të Shën Jorgos. Duke qëndruar të heshtura përpara Altarit, princeshat – myslymane si vëllai i tyre – dëgjuan lutjen e Peshkopit Noli për monarkun e mbretërisë ballkanase, ai që e detyroi për t’u larguar nga vëndi.
Më pas Peshkopi vizitoi Princeshat në suitën e tyre në hotel dhe i përshkroi ato si “shumë tërheqëse”.
Faik Konica, Ministri Shqiptar në SHBA dhe shoqëruesi i princeshave tha se Peshkopi ka shprehur dëshirën e tij për t’u rikthyer në atdhe, për të hapur një kolegj për edukimin e popullit.”
Pas shpërthimit të luftës, edhe Zogu u largua në emigracion. Mes tyre pati një komunikim normal. Një ndër figurat më të rëndësishme të kulturës shqiptare në historinë e saj, përkthyes brilant dhe poet fshikullues, Fan Noli vdiq në vitin 1965 në Forida, në shtëpinë e pushimit të dhuruar nga shqiptarët e Amerikës. Ai refuzoi të kthehej në Shqipëri si kryetar i Asamblesë Kushtetuese që rrëzoi Mbretin Zog në vitin 1946. Dukej se zhgënjimi i Fan Nolit me Shqipërinë ishte i madh. Në një takim të fundit me Eqrem bej Vlorën, siç dëshmon ky i fundit, ai i tha:
“Ky vend i çuditshëm nuk ka shok në botë. Këtu shpesh bej mund të jetë një fshatar, fshatari një patric, të gjithëve nën ato gunat e lypësit u duket vetja kalorës, i barabartë dhe madhështor sa edhe tjetri. Këtu ndryshimi midis të pasurit dhe të varfrit; midis të madhit dhe të voglit; midis të fortit dhe të dobëtit, fshihet, nga ndjesia e dinjitetit të barabartë apo edhe e përshtatjes. Këtu është sinori midis mënyrës Evropiane dhe asaj aziatike të jetesës, midis koncepteve sociale gjermane dhe latine, midis etikës së krishterë dhe asaj myslimane. Këtu është paleta ku ngërthehen të gjitha ngjyrat dhe dritëhijet, të gjitha reflekset e së kaluarës dhe së tashmes”.
Zyrtarisht, Noli pati raporte të mira me regjimin e Tiranës, por ai nuk e mësoi kurrë, derisa vdiq, se edhe në SHBA ai kish qenë nën vëzhgimin e Sigurimit të Shtetit, siç dëshmon ky dokument:
“3 nëntor 1957
Unë punëtori operativ i Drejtorisë së Zbulimit Politik kap.II, Kleanthi Gjini, mbasi shqyrtova materialet e Fan S. Nolit nga Korça me banim të përhershëm në SHBA me arsim të lartë, fetar, rrjedh nga një shtresë e mesme qytetare, ish-kryeministër në qeverinë demokratike shqiptare në qershor te vitit 1924, gjeta:
Fan Stilian Noli, mbasi Zogu me anën e forcës dhe të ndihmës së jashtme erdhi në fuqi, u largua në mërgim dhe u vendos në SHBA. Këtu me anën e shoqërisë “Vatra” ka luftuar kundra qeverisë së Zogut. Mbas çlirimit të Shqipërisë, shkruante mirë për pushtetin tonë popullor, ndërsa qëndrimi kohët e fundit ka qenë i lëkundur dhe është mbështetës kryesor i agjentit të zbulimit amerikan, Qerim Panariti, i cili nën udhëzimet e amerikanëve ka shfrytëzuar dhe shfrytëzon gazetën “Dielli” duke shkruar artikuj me përmbajtje reaksionare dhe shpif kundra qeverisë dhe regjimit të demokracisë popullore në vendin tonë. Duke marrë parasysh qëndrimet e tij të kohëve të fundit, vendosa të çel këtë dosje formular për të ndjekur përpunimin e tij të rregullt”.

Mëkatet me Qamil Isamil Bej Vlora


Mëkatet me djalin e Ismail Qemalit
Quhej Qamil Bej Vlora, ishte një nga diplomatët më të vlerësuar të shtetit shqiptar si dhe i vetmi nga djemtë e njeriut që shpalli pavarësinë, që zgjodhi të jetonte në Shqipëri pas marrjes së pushtetit nga Enver Hoxha. Përplasja e panjohur me Mehmet Shehun, burgosja dhe falsifikimi i pabesueshëm i gjenealogjisë familjare…

Britanikët prishën planet e CIA-s për rrëzimin e Hoxhës


Britanikët prishën planet e CIA-s për rrëzimin e Hoxhës

I dalin në mbrojtje Tito-s

Dy dokumentet e zgjedhura nga arkivi i deklasifikuar amerikan për ngjarjet e viteve 1949-1955 që botojmë sot janë pjesë e dosjeve të operacionit të famshëm amerikan “BGFIEND”. I pari, një telegram që Londra e adreson për përfaqësuesin e Shërbimit britanik në Uashington, ndër të tjera nënvizon kërkesën ndaj amerikanëve për të ndaluar operacionet e tyre të propagandës për një periudhë gati 1-vjeçare, me arsyetimin se këto operacione mund të krijonin probleme për Titon.
Ky telegram mjaft i çuditshëm në përmbajtjen e tij, mbërrin pikërisht në fillimin e përpjekjeve intensive amerikane për përmbysjen e regjimit të Hoxhës. Është e çuditshme kërkesa britanike, nëse marrim parasysh që ata vetë kishin filluar operacionet klandestine të koduara VALUABLE kundër regjimit të Tiranës disa vite më parë se amerikanët. Gjithsesi, një analizë e kujdesshme mund të sjellë si përfundim se britanikët ka shumë mundësi të kenë qenë në dijeni të ndonjë operacioni sekret jugosllav, që synonte me çdo kusht eliminimin e Enver Hoxhës dhe si pasojë kanë kërkuar një periudhë qetësie deri në realizmin e këtij Operacioni.
Megjithatë, informacione me interes të veçantë përmban dokumenti i dytë, që botohet për herë të parë. Ai është një memorandum i gjatë që është hartuar në zyrën e OPC, (Zyra përgjegjëse për Operacionet Klandestine kundër Shqipërisë) dhe shpjegon me detaje disa nga çështjet që kanë preokupuar oficerët e Zbulimit amerikan në lidhje me një operacion të ri që kërkonin të fillonin në pranverën e vitit 1950. Bëhet fjalë për operacionin e transmetimeve klandestine. Përpos një sërë përpjekjesh për të shtuar të rekrutuarit nga radhët e inteligjencës brenda Shqipërisë, amerikanët kërkonin të fillonin transmetimin e një mori emisionesh propagandistike në vendin tonë, duke denoncuar një sërë çështjesh që kishin të bënin me regjimin komunist të Tiranës.
Propaganda, arma mjaft e fortë e lidershipit të Shqipërisë, dukej se do të përballej tashmë me këndvështrimin amerikan për qeverinë e Hoxhës. Për këtë qëllim, amerikanët kishin zgjedhur një mënyrë origjinale: Transmetimin nga deti në bordin e një anije të financuar nga Zbulimi amerikan. Dokumenti pasqyron disa çështje jo vetëm teknike që preokuponin Zbulimin amerikan për këtë operacion. E para, tërheqja britanike nga ky operacion.
Kjo tërheqja, me sa duket, kishte lidhje me qëndrimin e britanikëve ndaj Titos dhe mbështetjes së tyre ndaj tij. Amerikanët duket se janë të pashqetësuar nga largimi britanik dhe në kërkim të partnerëve potencialë, marrin në një analizë të shkurtër mundësinë e bashkëpunimit me disa nga shërbimet partnere. Nga analiza e oficerëve amerikanë mësojmë se Shërbimi Sekret Italian për ta vlerësohet i papranueshëm, pasi italianët kishin lidhje me elementë shqiptarë të kompromentuar me regjimin fashist. Ky fakt është edhe mendimi i Departamentit të Shtetit, i cili në një plan mbi Shqipërinë, ka theksuar lidhjen e Shërbimeve italiane të inteligjencës me shqiptarë fashistë. Ndërkaq, një problem për OPC duket se kanë qenë marrëdhëniet e ngushta që OSO amerikane, apo ndryshe e njohur si Drejtoria e Kundërzbulimit kishte me shërbimet italiane.
Në fakt, Kundërzbulimi amerikan drejtohej nga një prej figurave më të famshme dhe më enigmatike të shërbimeve sekrete: James Jesus Angelton, një oficer i kundërzbulimit X-2, që kishte mundur të penetronte gati të gjitha shtresat e shoqërisë italiane gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke përfshirë edhe Vatikanin. Si një prej themeluesve të CIA-s, Angelton vazhdoi të kontrollonte Kundërzbulimin për një kohë shumë të gjatë dhe duket se lidhjet e tij me shërbimet italiane kanë qenë shumë të forta dhe gati ekskluzive për të penguar degët e tjera të shërbimeve amerikane të kishin kontakte me italianët.
Shërbimi Sekret Grek, për amerikanët duket se ka pasur dy pengesa kryesore. E para, dyshimet se ky Shërbim ka qenë i penetruar nga kundërshtari, pra nga shërbimet sovjetike dhe e dyta, pretendimet territoriale greke ndaj Shqipërisë. Edhe pse amerikanët kishin bashkëpunim me grekët në disa nivele, në këtë dokument duket qartë se ata kanë qenë mjaft të rezervuar nga Shërbimi Sekret Grek. Pra, për operacionin e transmetimeve klandestine në Shqipëri amerikanët përzgjedhin francezët, të cilët në këto vite kishin filluar kontaktet me emigracionin politik shqiptar, i cili kërkonte mbështetje kundër Enver Hoxhës. Francezët, të preokupuar për një rol më aktiv në Ballkan, ishin munduar që të krijonin një grup me influencë nga emigracioni shqiptar me rezidencë në Francë, por me rezultate shumë minimale. Për amerikanët Shërbimi francez është më i pranueshëm nga Departamenti i Shtetit, por duket se edhe shefi i fuqishëm i Kundërzbulimit, Angelton, nuk ka pasur rezistencë për një bashkëpunim të mundshëm. Në këtë mënyrë, Shërbimi Sekret Francez i shtohet listës së shërbimeve me objekt Shqipërinë.
Se sa efekt ka pasur ky Shërbim kundër regjimit të Tiranës, është shumë e vështirë për ta gjykuar pa pasur një mundësi hulumtimi në arkivat franceze. Sidoqoftë, duke pasur parasysh faktin që Shërbimi francez ka qenë një prej shërbimeve më të penetruara nga sovjetikët, mund të thuhet se Enver Hoxha nëpërmjet sovjetikëve mund të ketë pasur mundësi të shikojë në brendësinë e sekreteve franceze me objekt Shqipërinë.
DOKUMENTI I TOP SEKRET 7 shkurt 1950 MEMORANDUM Subjekti: BGFIEND – Implementimi i transmisioneve propagandistike klandestine nga deti
1. Duke marrë parasysh pozicionin e ri kundrejt operacioneve BGFIEND nga britanikët në fillim të janarit, si dhe zhvillimet e reja nga DTNOTCH (emri i koduar i Departamentit të Shtetit), na duhet të pranojmë si përfundimtar mosdëshirën e britanikëve për të ndërmarrë operacione të përbashkëta në transmetimet klandestine nga anija, një operacion shtesë në fazën e propagandës.
2. Megjithatë, tërheqja britanike në asnjë mënyrë nuk duhet të krijojë probleme për planin e përpunuar me shumë kujdes nga OPC, për përdorimin e kësaj anijeje. Kjo metodë e transmetimeve në Shqipëri është rishikuar në planin teknik, si dhe në planin politik dhe është miratuar në princip nga Departamenti i Shtetit. Asnjë metodë tjetër transmetimi në Shqipëri nuk është e mundur teknikisht dhe e dëshiruar politikisht deri tani.
3. Për ta aktivizuar këtë anije, OPC ka ndërmarrë hapat e mëposhtëm:
a. Problemet teknike për transmetime nga një anije e vogël janë studiuar nga zyra e teknikës së komunikimit dhe rrezja e transmetimit dhe koha e limiteve janë kalkuluar me kujdes dhe janë përcaktuar.
b. Me këtë informacion, pajisje speciale, të cilat do të përdoren në hapësira dhe kondita të një anije të vogël janë përcaktuar, prokuruar, testuar, vendosur nëpër kuti dhe tani janë në magazina, të gatshme për t’u dërguar në bordin e anijes së përcaktuar.
c. Të gjitha pajisjet speciale kërkojnë një qendër ekzekutive në një vend ku anija do të drejtohet. Kjo është tashmë e përcaktuar, urdhëruar dhe është gati. d. Kërkesat për personel teknik dhe folës për të qenë pjesë e anijes dhe qendrës tashmë janë përcaktuar dhe prokurimet janë në proces. Shërbimet e një specialisti të propagandës radiofonike për qendrën janë siguruar. Ai është indoktrinuar tërësisht mbi objektivat e BGFIEND dhe është i gatshëm për t’u dërguar në operacion brenda tri javësh.
1. Është e qartë se me tërheqjen e britanikëve nga transmetimet e këtij operacioni, OPC-së do t’i duhet ndihmë nga shërbimet e tjera, nga ku anija do të bazohet dhe do të transmetoje dhe ku do të jetë e sigurt. Për të siguruar këto kërkesa, një ndërmarrje unilaterale ndaj njërës prej këtyre shërbimeve të mëposhtme është e domosdoshme: Shërbimi Sekret Italian. Megjithëse italianët në vështrimin e tyre me interes shumë të gjatë ndaj çështjeve shqiptare do të jenë të aftë dhe të etur për bashkëpunim me OPC, në këtë çështje duhen marrë parasysh konsideratat politike, përfshirë marrëdhëniet aktuale të italianëve me të djathtët dhe me kolaboracionistët shqiptarë, çka e bën këtë bashkëpunim me ta jo të pëlqyeshëm (Këto janë pikëpamjet e Departamentit të Shtetit deri më tani. Shiko origjinalin e planit për Shqipërinë). Po kështu, ekziston edhe një komplikim tjetër në marrëdhëniet me Shërbimin italian, pikërisht marrëdhënia e OSO me këtë shërbim. Në bisedimet tona me kolegët tanë të OSO, na i kanë bërë të qartë që:
a) të gjitha marrëdhëniet me italianët të kalojnë nga kanalet e OSO dhe
b) operacionet anglo-amerikane të mos zbulohen si të tilla. Nëse këto pikëpamje të OSO janë vendimtare apo jo, kjo është jashtë temës. Zgjidhja e këtyre çështjeve do të konsumojë shumë energji dhe do të vonojë fazën e propagandës së BGFIEND.
Duke marrë parasysh këto çështje, është e qartë që ndihma e Shërbimit Sekret Italian nuk duhet të merret parasysh. Shërbimi Sekret Grek. Në të njëjtën mënyrë, një kërkesë unilaterale ndaj Shërbimit Sekret Grek do të pranohet me shumë dëshirë e në fakt një bashkëpunim është kërkuar me ngulm nga ana e grekëve. Është e qartë për ne se përfshirja e Shërbimit grek për çështje të qarta politike do të ketë çështje të pretendimeve territoriale, të cilat do ta dëmtojnë të gjithë suksesin e BGFIEND.
Ne kemi qenë vazhdimisht të informuar nga Departamenti i Shtetit për të bërë kujdes me grekët në operacionin BGFIEND, për arsye sigurie dhe politike. Po kështu, OSO ka kërkuar që të kemi të njëjtën metodë si me Shërbimin italian. Për të gjitha këto arsye, duket qartë se nuk mund të përdorim Shërbimin Sekret Grek në këtë operacion. Shërbimi Sekret Francez. Në një mundësi të një operacioni të përbashkët me Shërbimin Sekret Francez, implikimi politik nuk shihet me dyshim nga Departamenti i Shtetit dhe në fakt është komentuar në mënyrë të favorshme nga ambasada jonë në Paris.
Qëndrimi i shqiptarëve nuk do të jetë dyshues ndaj qëllimeve franceze. Në rastin e anijes transmetuese do të kemi organizim mbrojtjeje të mjaftueshëm për të balancuar problemet speciale të sigurimit, të cilat mund të ekzistojnë në Shërbimin sekret, veçanërisht nëse ne do të marrim parasysh se operacionet tona duhet të evitojnë çdo provë dokumentare që implikojnë qeverinë tonë. Për francezët, OSO nuk ka asnjë problem që OPC të ketë kontakte direkt me Shërbimin Sekret Francez. Ndërsa bashkëpunimi anglo-amerikan në këto operacione tashmë ju është bërë e ditur francezëve.
Po kështu, është e qartë se Shërbimi Sekret Francez dëshiron të bashkëpunojë me OPC në operacionet BGFIEND. Dëshira franceze për bashkëpunim duhet të jetë edhe një vlerë e shtuar për ne për ta përdorur edhe në operacione në zona të tjera në Lindjen e Largët. Prandaj, ne nuk duhet ta lejojmë këtë entuziazëm të bjerë dhe të nënvlerësojmë koncesionet që francezët janë përgatitur për të bërë në mënyrë që të marrin pjesë në këto operacione. Një tjetër pikë për t’u konsideruar në marrjen e shërbimeve franceze në operacionet e transmetimeve klandestine është përpjekja e tyre për një bashkëpunim me Bllokun Kombëtar Indipendent dhe elementët kosovarë. Këto përpjekje nga ana e francezëve, nëse nuk devijohen, do të na vendosin ne në një pozicion të vështirë, pasi duket sikur po konkurrojmë me francezët, të cilët jo vetëm do të mbështesin ata të cilët ne i konsiderojmë si një grup emigrantësh shqiptarë të padëshirueshëm, por edhe të elementëve të cilët në program kanë rikthimin e Kosovës në Shqipëri. E fundit, asetet fizike që francezët do të sjellin në operacion do të jenë një ndihmë e madhe në fazën e propagandës së BGFIEND.
1. Më e rëndësishme është gatishmëria e bazës në Tunizinë Veriore, e pranueshme për anijen transmetuese. Në memon në dosj, janar 1950, vlefshmëria e operimit të një anije nga Kai BON i zonës së Tunizisë është konfirmuar nga NSO
2. Një aset tjetër është mundësia e tyre për të na dhënë mbulim të nevojshëm, si dhe personel të huaj, nëse është e nevojshme. Po kështu, ne mund të marrim një anije të regjistruar në Francë me operim në Mesdhe, nëse do të ishte e nevojshme.
3. E fundit, prezenca e Legatës Franceze në Tiranë mund të jetë një burim i mbledhjes së inteligjencës dita-ditës, për të na informuar mbi programet tona. ADPC e ka autorizuar në princip një ndërmarre unilaterale për Shërbimin Sekret Francez, me qëllim të pranojë bashkëpunimin e tyre për operacionet e transmetimit klandestin nga anije për këtë fazë të BGFIEND.
DOKUMENTI II
TOP SEKRET
TELEGRAM
Nga: LONDRA
data e mbërritjes 4 shkurt 1950
Nr: 243
data e dërgimit 3 shkurt 1950
VALUABLE Referencë ( emri i fshirë) letër për ( emri i fshirë) 0219/2/50 G e janarit 12
A.Diskutime të mëtejshme me konkluzionet e letrës dhe konkluzionet e Ministrisë së Jashtme, aprovuar nga (emri i fshirë) e ndjekur nga letra prej (emri i fshirë) dhe (emri i fshirë)
B. Paragrafi i mëtejshëm jep një përshkrim më të gjerë dhe është përmendur nga (emri i fshirë) FOA/CSS
C. Politika afatshkurtër (një periudhë prej 6 muajsh deri në 1 vit prej tani) do të jetë korniza bazë për mosndërmarrjen e aktiviteteve, të cilat do ta turpërojnë Titon.
Objektivat afatshkurtra janë përfshirë shumë mirë në paragrafin 7(b)2 e dokumentit të OPC 35484/1 e 6 Dhjetorit me shtesën e “mbajtjes gjallë të shpirtit të rezistencës”
TOP SEKRET
TELEGR
AM
Nga: LONDRA
data e mbërritjes 4 shkurt 1950 Nr: 243
data e dërgimit 3 shkurt 1950
VALUABLE
Telegrami im i menjëhershëm është
C. Ne jemi të kënaqur të ndërmarrim veprimet tona nëpërmjet kanaleve të inteligjencës (sipas tuajës në 19 dhjetor), por sigurisht që ne do të shtojmë se operacionet janë një përpjekje anglo- amerikane.
D. Ndërkohë, nëse OPC do të preferojë të ndërmarrë veprime së bashku me përfaqësuesin tonë, ne nuk do të kemi asnjë kundërshtim.
E. Të lutem kërko reagimin e OPC për këtë dhe na informo
F. Francezët tashmë janë informuar për operacione (telegramet që mbarojnë me tuajën 539 e 8 Nëntorit) dhe do t’ju jepen kopje të memove të Inteligjencës
G. Memot e Inteligjencës do të jene sipas Tuajës 297, e janarit 25. vijon të dielën tjetër.

Profesorët francezë: Arsyet pse Hoxha iu kundërvu Shehut


Profesorët francezë: Arsyet pse Hoxha iu kundërvu Shehut
Vitet ’80 në Tiranë sipas Elisabeth e Jean Paul Champseix
Hoxha e lidhi Shehun me të gjithë “tradhtarët” që ai vetë kishte zhdukur dhe fanatizmin ekstrem e ktheu në provë”
Vetëvrasja e ish-kryeministrit Mehmet Shehu ishte ende ngjarja e ditës. Ndoshta nuk ishte momenti më i mirë për dy profesorët francezë për t’u dhënë mësim studentëve shqiptarë. Por Elisabeth dhe Jean Paul Champseix u duhej të përshtateshin. Do të kalonin 6 vite në Tiranë dhe duhet të mësoheshin me absurditetet shqiptare, me kultin e Enver Hoxhës, fotografitë dhe bustet e tij që i shoqëronin kudo që shkonin. Në librin e tyre me kujtime “57, Bulevardi Stalin”, profesorët ndër dhjetëra situata, me të cilat u përballën gjatë qëndrimit të tyre, një vend të veçantë u kanë lënë pikërisht dy ngjarjeve të mëdha, eliminimit të Mehmet Shehut dhe vdekjes së Enver Hoxhës. Nga njëra anë akuzat komike të ish-diktatorit ndaj njeriut të tij më të besuar në 40 vjet dhe nga ana tjetër jeta e diktatorit, prejardhja, shkollimi, koha që i kushtoi të shkruarit dhe obsesioni që zbulohet duke analizuar veprën e tij dhe në fund, vdekja, e shoqëruar nga një ceremoni me nota të theksuara patetike. al.mi
Nëpër rrugët e Shqipërisë apo nëpër qytete ndeshnim një yll prej çimentoje, të lyer në të kuqe me një shënim të vetëm:
1908-i pavdekshëmHoxha është kudo. Bustet e tij gjigante na dominonin me gjithë lartësinë e tyre, mbi piedestale teksa ngjisnim rrugën për në Fakultet. Në katin e dytë ai vjen drejt nesh, teksa mban një buqetë lulesh në duar, në një foto me madhësi sa një bojë njeriu. Muret e korridoreve janë mbuluar me slogane të lavdishme. Në çdo klasë, duke përfshirë dhe tonën, portreti i tij është në mur. Nëpër dyqane, kafene, autobusë, madje dhe në karrot me kuaj, është vendosur fotografia e tij. Është e pamundur t’i shpëtosh vështrimit të tij. Ndryshe nga vendet e tjera komuniste, që fiksojnë imazhet e “liderëve të tyre të mëdhenj” në një portret të vetëm zyrtar, imazhi i Hoxhës ofrohet në shumë variante dhe nuk e fsheh plakjen e tij. Flokët e bardhë, portreti i holluar, balli me rrudha, një patriark i nderuar plot urtësi.
Ai është babai i kombit. Në një parullë thuhet: “Emri i shokut Enver dhe ai i Shqipërisë janë shkrirë në një”. Ai është gjithashtu edhe krijuesi: “Shoku Enver është arkitekti i Shqipërisë moderne”. Ai është së fundi edhe profeti i një të vërtete, të cilën nuk e ka shkelur vetëm Shqipëria: marksizëm-leninizmi.

Edukimi francez
Në fotot e tij të fëmijërisë dhe të adoleshencës, ai ngjan si një lord i vogël. Shtëpia e tij e lindjes është një lloj saraji turk, e vendosur në qendrën monumentale të qytetit të Gjirokastrës, dikur e banuar nga pronarët e tokave dhe funksionarë të Perandorisë Osmane. Kështu që nuk kishte pikë dyshimi që Hoxhat ishin një familje shumë e pasur. Është ky fakt i papranueshëm që propaganda kërkon të fshehë.
Babai i Hoxhës, i prezantuar si një “nëpunës i vogël”, i cili kishte jetuar në Shtetet e Bashkuara, ia la xhaxha Hysenit, kryebashkiak i qytetit, kujdesin e rritjes së fëmijëve. Nga viti 1923-1927, Enveri i ri u dërgua në Liceun Francez në Gjirokastër dhe, pas mbylljes së urdhëruar nga italianët, në Liceun e Korçës nga viti 1927 në 1930. Më tej, ai përfiton një bursë studimi shpërndarë nga profesorët francezë. Beqar, ai niset për në Francë. Do të jetojë në Montpellier nga viti 1930-1933, për të studiuar atje Shkenca Natyre, të cilat nuk i interesonin fare. Në vitin 1933, për shkak të rezultateve universitare, bursa e tij ndërpritet. Kjo duket se nuk e preku fare dhe ai u nis për Paris. Shumë elegant në fotografitë e kohës, duket se ai bënte një jetë të gëzueshme. Ai do të frekuentonte komunistët francezë dhe do të admironte në mënyrë të veçantë Marcel Cachin, emri i të cilit iu vendos një bulevardi në Tiranë. Shkroi disa artikuj te “L’Humanite”. Në vitin 1934 u emërua funksionar në konsullatën shqiptare në Bruksel, çka provon se aktiviteti i tij politik nuk ishte edhe aq intensiv. U regjistrua në Fakultetin e Drejtësisë në Belgjikë, por nuk mori asnjë diplomë universitare.
Në vitin 1936, ai nuk do të shkonte të luftonte në Spanjë si Mehmet Shehu, por do të kthehej në Shqipëri. U emërua profesor në Liceun e Tiranës dhe, një vit më vonë, ai do të japë mësim në Liceun Francez në Korçë, ku kishte qenë nxënës. Iu ngarkua lënda e Moralit! Ishte e pakuptueshme se si Mbreti Zog kishte zgjedhur një revolucionar të rrezikshëm për të formuar kuadrot e kombit. Në kujtimet e tij, ai e pranon gjithashtu të ketë frekuentuar shoqërinë e lartë.
Në vitin 1939, Shqipëria do të bëhej zyrtarisht provincë italiane. Komunistët, të dobët dhe të përçarë, nuk mund të ndërmerrnin asgjë. Enver Hoxha nuk do të fillonte karrierën e tij politike veçse në 28 nëntor 1939, kur do të merrte pjesë në Korçë, në festimin e festës së Pavarësisë, që mori pamjen e një manifestimi antifashist. Pikërisht atëherë ai u përjashtua nga kuadri i mësimdhënies publike. Mori një shtëpi në Tiranë dhe u bë “tregtar”, siç pranojnë burime zyrtare, që nuk guxojnë të thonë se ai ishte bërë pronar i pijetores “Flora”. Pas një manifestimi studentësh në Tiranë, më 28 tetor 1941 për të doli një mandat arresti, i cili e detyroi të tërhiqej. Asokohe do të themelohej edhe Partia Komuniste Shqiptare.
Hoxha, nuk i mbetet veçse…Ekonomia, e privuar nga ndihmat kineze, pësoi një goditje të fortë. Parulla “Me forcat tona” mori gjithë përmasën e saj të vërtetë shqetësuese. Shqipëria duhet të rregullonte marrëdhëniet e saj me Greqinë dhe Turqinë dhe tregtonte herë pas here me fqinjët jugosllavë. Ajo u kthye gjithashtu nga Europa Perëndimore, gjithnjë me hapa të vegjël dhe me shumë hezitim.
“Vetëvrasja” e Mehmet ShehutNë vitin 1981 u luajt një dramë e pamenduar, që do të thyente një marrëdhënie prej më shumë se 40 vjetësh. Më 18 dhjetor, Mehmet Shehu “vetëvritet”. Strategu i rezistencës, çlirimtari i Tiranës, xhelati i pamëshirshëm i devijuesve dhe të pabesëve të Hoxhës zhduket nga skena politike. Vetëvrasja është tradicionalisht e urrejtshme dhe blasfemuese. Për komunistët është një dezertim. Partia deklaron se kryeministri i famshëm i dha fund jetës pas një depresioni nervor. Gjithsesi, Shehu nuk e kishte shfaqur kurrë gjendjen e tij shpirtërore.
Emri i tij u fshi nga fjalimet dhe botimet. Në muzetë historikë, portretet dhe objektet që i përkisnin atij, maketet, që shqiptarët u thoshin “relikte”, u hoqën. Gjatë vizitave tona në muzeume, në fund të vitit 1982 zëvendësimi i fotografive të retushuara ishte i dukshëm. Brigada e parë Sulmuese që ai kishte drejtuar, kishte pushuar së ekzistuari. Më vonë, me botimin e librit të Enver Hoxhës, “Titistët”, ku do të shfaqej fushata antijugosllave, shqiptarët mësuan se komandanti i tyre i vjetër ushtarak, ish-ministri i Brendshëm, më pas kryetar Kuvendi, ishte një “mercenar i dërguar nga anglo-amerikanët”, “Një agjent i Intelligence Service”, “një agjent i shërbimeve sekrete amerikane” dhe “ i lidhur me ONZA (shërbimet sekrete jugosllave), që i përkiste KGB-së, që donte të “ndryshonte drejtimin e partisë dhe të shtetit tonë drejt perëndimit”. Përveç kësaj, ai u lirua nga kampi i refugjatëve në Francë, pas Luftës së Spanjës nga “dy oficerë, njëri i Gestapos dhe tjetri i SIM-it italian”. Hoxha shkroi gjithashtu që gjatë luftës, Shehu “përhapi terror në fshatrat ku kalonte Brigada e parë për të diskretituar partinë”.
Kështu, ai vërtetoi deklaratat e oficerëve britanikë, të cilëve u kishte bërë shumë përshtypje frika e fshatarëve në “zonat e çliruara”. Episodi, sipas të cilit Shehu ndjek rrugën e Hoxhës, duke përshkuar mespërmes Shqipërinë nëpër male, duke thyer rrethimin nazist, u bë një episod minor “ngritur në legjendë”. Më interesantja ishte kur Hoxha e lidhi Shehun me të gjithë “tradhtarët” që ai vetë kishte zhdukur dhe fanatizmin ekstrem e bëri provë të krimit të tij. Duke masakruar heretikët, ai fshihte lojën dhe vazhdonte punën e tij minuese!
Versione nga më ekstravagantet mbi “vetëvrasjen” qarkullonin mes trupit diplomatik. Pushteti i ngatërruar në gënjeshtrat e veta zbuloi të vërtetën sipas versionit të saj, në gazetën “Zëri i popullit” të 16 marsit 1985 u shkrua që Shehu u likuidua pasi u ballafaqua me unitetin e pashkatërrueshëm të Partisë me popullin”.
Cila është arsyeja e këtij sherri të rëndë? Ndoshta dy çështje i ka vënë në opozitë Hoxhën dhe Shehun: hapja drejt Perëndimit dhe Kosova. Ai e kishte kritikuar Shehun sikur donte të shiste Shqipërinë në perëndim dhe të mbështeste serbët në Kosovë. Këto akuza janë delikate për t’u interpretuar, pasi në traditën staliniste ishte e zakonshme t’u vishje viktimave qëllime të kundërta. Realiteti ndoshta është më prozaik. Në vitin 1974, Hoxha është sëmurë. Diabeti po e shkatërron dhe në 1982-shin, teksa ne e shihnim në kinema, është një i moshuar i dobët që ka nevojë për t’u mbajtur që të ecë. Herë pas here humb ndjenjat dhe në 1985-n përdor një karrige me rrota. Sipas disa diplomatëve, familja Hoxha dhe klanet e besuara duhet t’ia kenë arritur që të likuidojnë trashëgimtarin e hamendësuar dhe aleatët e tij, për të ruajtur pushtetin.
Në fije të ekzistencës së tij shekspiriane, Hoxha do të largojë thuajse të gjithë drejtuesit historikë dhe do të përfundojë jetën e tij politike me një spastrim me një justifikim komik. Sigurisht ai arriti qëllimet për të cilat kishte sakrifikuar: një pushtet personal absolut dhe pavarësinë e vendit të tij. Hoxha ishte nga raca e diktatorëve studiozë dhe të vetmuar. Pas thyerjes me Bashkimin Sovjetik në 1961-shin, ai nuk doli më nga Shqipëria. Ai jetoi i ngujuar në qytetin e tij të ndaluar, duke i lejuar vetes ndonjëherë ndonjë pushim në Durrës apo pranë liqenit të Pogradecit. Ai kalonte kohën në bibliotekën e tij të mbushur me kryevepra franceze dhe para televizionit. Ai vlerësonte më së shumti kanalet italiane. Shkrimtaria e tij u kthye në një lumë fjalësh. Ai ka nënshkruar 150 vepra, por jo të gjitha janë të dorës së tij.
Funerali i udhëheqësit
Në vitet e fundit të jetës, diktatori stalinian i “varur” në një pallto të madhe të zezë, me flokët e bardhë të zgjatur, mori një pamje romantike. Ai vdiq më 11 prill 1985, në orën 2:00 të mëngjesit. Vdekja e tij u lajmërua menjëherë.
Duke dalë në bulevardin “Stalin” heshtja është mbresëlënëse, shumë fytyra dukeshin të rënda, shikime të pikëlluara. Kalimtarët shihnin më së shumti sjelljen time për të gjykuar reagimin tim ndaj ngjarjes. Unë mora një pamje munguese dhe u sforcova të dukesha sa më transparent të ishte e mundur. Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, ku ndodhej Komiteti Qendror, është i shkretë. Unë nxitoj dhe arrij pranë Fakultetit. Takoj një mësues që ka sytë e kuq nga lotët. Në shesh, një studente shumë e mirë është plandosur atje, pranë portës së hyrjes, që ta shohin mirë dhe shfaq një dhimbje patetike. Unë manifestova një lloj ftohtësie dhe duke e ndier, mendoj, më hodhi një vështrim të egër. Mendova se askush nuk kishte kohë të më përkushtohej. Një përgjegjës më futi në zyrën e tij. Ai më shpjegoi se kjo vdekje ishte “një humbje e pazëvendësueshme për Shqipërinë” dhe se shumë studentë kishin qarë “spontanisht” kur kishin mësuar lajmin. Unë e dëgjova me vëmendje pa thënë asnjë fjalë. Atij iu duk heshtja ime e çuditshme, pasi ai më njihte më së shumti si orator. Sot rolet janë ndërruar dhe ai merr në dorë fjalimin. Ai duhet që gjatë vizitës dyjavore të Sigurimit të raportojë reagimin tim. Duke dalë, unë i thashë: “Duhet ta dini se e respektoj dhimbjen tuaj”. Ai realisht ka pamjen e një të prekuri.
Radioja shpërndan telegramet që vijnë nga e gjithë Shqipëria. Ndjeshmëria spontane nuk ka lidhje fare me këtë rast, të gjitha fjalimet mbaronin me të njëjtën frazë, që u bë rituale: “Ne do ta kthejmë dhimbjen tonë në forcë”.
Në Tiranë, në sheshin kryesor u ndalua qarkullimi. Përgjatë tri ditëve, popullsia, sipas kategorive profesionale, mbanin radhë para trupit të Enver Hoxhës. Radha fillonte në bulevardin tonë dhe zgjaste 2 kilometra. Të huajt josimpatizantë nuk janë të ftuar. “Spiun” në shpirt, unë pretendoj që të zbres bulevardin e Dëshmorëve dhe kundër rrymës së kortezhit. Pas gati 20 metrash, një polic me uniformë më ndalon dhe në mënyrë të sjellshme më informon se bulevardi është mbyllur. Në televizor ne shihnim paradën e kortezhit pa ndalur para kufomës së Enverit, të vendosur në një sallë të Parlamentit.
Të shtunën, ne u çuditëm nga gjallëria që mbizotëronte në rrugët ngjitur. Të rinj që shkriheshin gazit dhe të moshuara që angazhoheshin në tregtinë e tyre klandestine. Ne ritakuam studentë që, sapo na shquanin, merrnin menjëherë një pamje të ngrirë.
Funerali u zhvillua në datën 15. Arkivoli i Hoxhës është vendosur në një shtrat topi, tërhequr nga një makinë e vogël ushtarake, ajo prihej nga 14 ushtarë që mbanin, secili, mbi një jastëk të kuq, një nga dekoratat e tij. Kortezhi ndaloi në sheshin “Skënderbej”. Turma u radhit urtësisht përballë tribunës dhe “pionierët qëndronin në të djathtë. Ramiz Alia, në fjalimin e tij, në emër të Shqipërisë, betohet për besnikëri ndaj udhëheqësit të shquar. Vargani u drejtua nga Varrezat e Dëshmorëve. Prania në këtë rrugëtim është e rezervuar vetëm për grupet e autorizuara, që janë përgjithësisht studentë. U prodhuan skena histerie kolektive, të filmuara me zjarr nga televizioni. Greqia nuk është larg dhe tradita e vajtojcave ekziston gjithashtu edhe në Shqipëri. Duke qenë se transmetimi është direkt, është e pamundur që të fshehësh që shumë vajza të reja, me shami në dorë, prisnin kalimin e kamerës, për t’u shkrehur, me një gjest patetik. Çdonjëri qasej që të dukej më i dëshpëruar se fqinji.
Në Varrezat e Dëshmorëve, mbi Tiranë, familja Hoxha, Ramiz Alia dhe përgjegjësit politikë janë rreshtuar para varrit. Një skenë e shëmtuar do të shfaqej. Fusha e kamerës është pushtuar nga fotografët, të cilët në mënyrë të paturpshme “mitralojnë” familjarë e drejtues. Teknikët e televizionit u kërkuan fotografëve të bënin mënjanë, por duke qenë se ata refuzuan, një karrelë u vendos në plan të parë, mu përpara varrit. Pikëllimi i familjarëve është i sinqertë dhe teksa arkëmorti zbret në tokë, nuk ka më skena. Nexhmija, gruaja e Hoxhës, që përgjatë disa ditëve, në sallën e Parlamentit, për hir të propagandës dhe nën dritat e pahijshme të flesheve, duhet të merrte dorën e të shoqit, t’i puthte ballin, t’i çonte lule… u thye. Arkivoli prehet në fund të varrit. Ajo i hodhi një buqetë me lule të kuqe dhe papritur kryqëzoi duart si një gjest lutjeje. Të bijtë e përqafojnë me një vrull spontan dhe ajo nis të mërmërisë me një zë vajtues. Litania është e çuditshme, pasi me të qarat përzihen keqardhjet dhe parullat. Ramiz Alia, i emocionuar, tenton ta ngushëllojë duke përsëritur “Ai nuk ka vdekur, ai nuk ka vdekur…”. Në pak çaste, Shqipëria e vërtetë u shfaq. Sigurisht në përmbledhjen që u dha menjëherë në televizion, duart e kryqëzuara u zhdukën.

“Tito nuk pranon një ndërhyrje ndaj Shqipërisë nga territori jugosllav”


“Tito nuk pranon një ndërhyrje ndaj Shqipërisë nga territori jugosllav”

Tirana dikur

Dokumenti i Shërbimit të Fshehtë Amerikan që botojmë sot është një memorandum sekret mbi bisedimet e zyrtarëve amerikanë me subjekt veprimet e mundshme diplomatike mbi Shqipërinë, ku marrin pjesë funksionarë të lartë të Departamentit të Shtetit. Në të bëhet fjalë për vlerësimin e ideve dhe planeve të Jugosllavisë ndaj Shqipërisë në fillimin e viteve ’50 dhe alternativat e ish-Mbretit Zog dhe krerëve të emigracionit për rrëzimin e regjimit të Hoxhës. Në numrat e kaluar, zbardhëm një pjesë të raporteve sekrete të CIA-s mbi dyshimet e amerikanëve mbi një plan të fshehtë britaniko-jugosllav për Shqipërinë dhe sjelljet konfuze të lidershipit politik të emigracionit shqiptar në Perëndim. Në aq sa raportojnë zyrtarët e Departamentit të Shtetit të SHBA-ve në memorandumin që botojmë sot, bëhet e ditur se ky bashkëpunim për çështjen shqiptare nuk ka pasur zhvillime konkrete, por mbetet i paqartë qëndrimi i Titos për mënyrën e ndërhyrjes në Shqipëri. Siç raportojnë burimet nga terreni, Tito, në një përgjigje të ofertës së ish-Mbretit Zog, është përgjigjur se jo vetëm kundërshton një agresion të Perëndimit nga territori jugosllav, por për momentin nuk dëshiron rrëzimin e qeverisë së Hoxhës, duke synuar zëvendësimin e katër-pesë figurave kryesore të saj. Pjesa e dytë e dokumentit zbulon çështjet e konsumuara në takimin e një zyrtari të Departamentit të Shtetit me një nga figurat e larta të Beogradit, në maj të vitit 1952. Ky i fundit e ka befasuar me qëndrimin e Beogradit, i cili jo vetëm nuk e ka në axhendën e vet ndërhyrjen në Shqipëri, por i qëndron variantit për ta parë atë të pavarur, duke vlerësuar se aty ka grupe demokratike të pavarura nga HOXHA, ndërkohë që çdo tentative e pamatur ndaj Tiranes do të binte ndesh me qëndrimet e Moskës. Sakaq, në raportin e CIA-s përshkruhet me detaje edhe dinamika e lëvizjeve të krerëve politikë të mëragtes shqiptare në Perndim, e cila e pret me padurim një rrëzim të Hoxhës dhe regjmit të Tiranës…
TOP SEKRET
21 tetor 1952
MEMORANDUMI I BISEDËSSubjekti: Veprime të mundshme diplomatike mbi ShqipërinëTë pranishëm: Robert Joyce, Departamenti i Shtetit Walworth Balbour, Departamenti i Shtetit Henry.P.Leverich, Departamenti i Shtetit (Emri i fshirë) CIA
1. Si rezultat i takimeve të shumta në të kaluarën me zotërinjtë Joyce dhe Balbour nga Departamenti i Shtetit, organizuam një takim në zyrën e z. Balbour më 14 tetor 1952, me qëllim diskutimin jo zyrtarisht të disa ideve me subjekt planet e Jugosllavisë karshi Shqipërisë, të cilat Departamenti i Shtetit mund t’i marrë në konsideratë dhe të parashikojë çdo plan të njëanshëm të Jugosllavisë, me qëllim rrëzimin e regjimit shqiptar të kontrolluar nga Kominterni.
PJESA E DYTË:
Shënime: Mbi zhvillimet Jugosllavi-Perëndim për çështjet shqiptare 1. Në fillim të 1948-s, Tito u konsultua me Perëndimin për ta lënë Shqipërinë staliniste “të hante kokën e vet” . Po në 1949-n, ambasadori amerikan në Beograd, Cavendish Cannon, raportoi se në një bashkëbisedim që kishte pasur me TITON, ky i fundit kishte shprehur shqetësimet e tij se çdo veprim anti-HOXHA mund të merrej si një pretekst nga Bashkimi Sovjetik për një agresion të mundshëm kundrejt Jugosllavisë.
2. Me formimin e komitetit “Shqipëria e Lirë” në 1949-n dhe me aprovimin e operacionit FIEND, si një nga qëllimet kryesore për rrëzimin e regjimit të ENVER HOXHES, Departamenti i Shtetit dhe Ministria e Punëve të Jashtme britanike filluan të shqetësohen seriozisht mbi pozicionin delikat të Jugosllavisë. Si rezultat i këtij shqetësimi, operacioni FIEND u rishqyrtua dhe qëllimet e tij u zvogëluan për të qenë në të njëjtin nivel me politikat e Departamentit të Shtetit dhe Foreign Office.
A.TARE

Arusha Sonja dhe turizmi në Sarandë


Nga Auron Tare



Sigurisht që shumëkush që do lexojë këto radhë do më thotë se po tallem me ju apo po bëj shaka. Fatkeqësisht nuk kisha me vete një aparat fotografik të mirë për të bërë foto me cilësi, por kisha disa miq të mi dëshmitarë të kësaj ndodhie në shëtitoren e Sarandës.

Një arushë e vogël ishte lidhur me zinxhirë për hekurash të bulevardit të Sarandës dhe disa persona, të cilët ftonin fëmijët të bënin foto me të, e qëllonin here pas here që ariu i shkretë të kërcente sipas dajres që i binte një jevgjit me kollare. Si zakonisht shqipot që kalonin aty qeshnin e gajaseshin me arushën. Të huajt që kalonin ne bulevard tmerroheshin me barbarinë shqiptare dhe iu vinte keq për vuajtjet e ariut.

E pyeta të zotin, mirë që e torturonte lidhur me zinxhirë dhe e përdorte për foto (5 mijë lek një foto), po nuk kishte frikë se ariu mund të egërsohej dhe të kafshonte ndonjë fëmijë?

-Jo, më tha, ka plot fëmijë që vijnë për foto dhe prindërit i lënë me dëshirë.

Mirë qe ky fakiri rom nxirrte bukën me arushën e vogël, po prindërit që sillnin fëmijët për foto me të nuk i kuptoj se çfarë mësimi ju jepnin fëmijëve.

Nejse, dhashë e mora që t’i thosha të ikte, po e kuptova qe kjo qenka punë e përditshme. Mora policinë e bashkisë dhe atë të rendit, që për hir të së vërtetës erdhën me vrap, mirëpo e pashë që ata nuk po e bindnin pronarin të largohej. Një grua mesa duket i tregonte disa dokumente policisë.

U afrova dhe i pashë. Gruaja iu thoshte policëve që arusha ishte e regjistruar ne bashki dhe nxori nga çanta një dokument të firmosur nga veterineri i bashkisë.

-Unë kam edhe licencë si biznes i vogël, më thotë kur unë u çudita nga dokumenti i bashkisë.

-Jam e regjistruar dhe paguaj taksa për ariun që të dal përditë këtu. Unë nuk iki, më tha, se jam në rregull. (FOTO)

Dukej që me të vërtetë duhej të ishte ne rregull me bashkinë dhe shtetin. “Unë kam një vit që punoj me ariun,” këmbëngulte gruaja rome dhe nuk ikte.

Mirë që këta rom nxjerrin bukën e përditshme duke torturuar kafshën e gjorë, po Bashkia në Sarandë si ka mundësi që lejon një barbari të tillë ditën për diell? Pretendimi i të qenit qytet turistik është një fjalë e madhe, por duhet edhe të sillesh si një vend që me të vërtetë kërkon të jesh vend turistik. Në çdo vend të qytetëruar nuk mund të lejohen barbari të tilla, aq me tepër të lejuara edhe nga Bashkia e qytetit.

Shqipëria, që ka firmosur me qindra konventa për mbrojtjen e asaj apo kësaj shpeze, kafshe të gjore apo luleje në zhdukje, nuk mund të lejojë këto shfaqje, të cilat janë të denja për shoqëri mesjetare, të cilat nxirrnin kënaqësi nga torturimi i kafshëve.

Nuk di ç’të them më, prandaj po e mbyll për një apel në ndihmë të arushës Sonja, e cila mirë që është rrëmbyer në ndonjë mal dhe do përfundojë jetën e saj në ndonjë kasolle, por që Bashkia e Sarandës të ndalojë urgjent këtë shfaqje primitive nëpër bulevardet e saj.

NGA AURON TARE:“Dëshmitë e të arratisurve nga Hasi që janë burgosur në Jugosllavi”



              NGA AURON TARE


Në dokumentet që botojmë sot, të ardhura nga arkivi i deklasifikuar amerikan mbi operacionet klandestine të CIA-s 1949-1955 kundër Shqipërisë komuniste, mund të shikojmë disa të dhëna me shumë interes. Këto dokument vazhdojnë të ndriçojnë më mirë aspekte të veçanta të operacioneve sekrete kundër regjimit të Enver Hoxhës. Në dokumentin e parë kemi të dhëna me mjaft interes, të marra nga interrogimi i një prej grupeve klandestine të sapodala nga Shqipëria. Grupi “Pisha”, i hyrë në Shqipëri nga kufiri me Jugosllavinë ishte një grup i stërvitur nga oficerët e CIA-s amerikane. Hyrja e këtij grupi në Shqipëri nga kufiri me Jugosllavinë vjen pas një marrëveshjeje të ndërmarrë nga të dyja shërbimet, ato amerikane dhe jugosllave, pas vitit 1951. Por, duhet theksuar se amerikanët mbanin në kontroll të gjitha grupet, edhe pse jugosllavët përpiqeshin për t’i infiltruar ato me shqiptarë të rekrutuar prej tyre. Ashtu si shumë grupe të tjera që hynin në Shqipëri, edhe grupi “Pisha” ka pasur një sërë objektivash të caktuara. Megjithatë, interesant është fakti se përse oficeri përgjegjës i operacionit ka shënuar se informacioni i është marrë një prej anëtarëve të grupit pas një këmbënguljeje të tij. Informacioni i ardhur nga ky person, në dukje shumë normal për një anëtar të një grupi diversionist, i cili ka qëllim nxjerrjen e informacioneve sekrete, sjell një listë emrash, të cilët mendohet se janë burgosur nga autoritetet jugosllave. Kundërshtarë të regjimit komunist, ata janë burgosur nga jugosllavët.
“Dëshmitë e të arratisurve nga Hasi që janë burgosur në Jugosllavi”

Përse kjo listë emrash kundërshtarësh të regjimit të Hoxhes duhej t’u jepej oficerëve të CIA-s pas një insistimi të tyre? A nuk do të ishte e udhës që grupi “Pisha” të kishte si objektiv shpëtimin e këtyre kundërshtarëve të Hoxhës nga kthetrat jugosllave? Çdo zbulues e ka të vështirë të mos ngrejë dyshime për motivet e vërteta të agjentit të tyre në dhënien e këtij informacioni shumë normal për një rrjet agjenturor. Por, hezitimi i tij i theksuar nga oficeri amerikan ngre pyetjen: A mos vallë anëtari i grupit “Pisha” të ketë dashur të infiltrojë midis listës së tij agjentë të Sigurimit shqiptar, të cilët mund të ishin dërguar me një mision sekret nga Shqipëria? Ndoshta ky dyshim mund të marrë përgjigje nga arkivat akoma të padeklasifikuara të Shërbimit shqiptar, megjithatë deri atëherë, dokumenti i botuar sot mund të shikohet me kërshëri si një dritare e vogël, nga ku mund të hidhet një vështrim i zbehtë në errësirën e të panjohurave të atyre viteve. Një tjetër informacion i dalë nga ky dokument është lista e plotë e anëtarëve të Komitetit të Lidhjes së Prizrenit një organizatë e krijuar dhe e financuar nga UDB-ja Jugosllave, si një mundësi për të kontrolluar të gjithë aktivitetin e shqiptarëve anti-Hoxha. Lista, e cila do të botohet numrin që vjen, ka në krye edhe personin e përmendur në dokumentin e CIA-s, Lutfi Spahiun nga Prizreni, një prej anëtarëve më aktivë të kësaj organizate në mbrojtje të synimeve dhe planeve jugosllave kundër Shqipërisë së asaj kohe.
MEMORANDUM: 14 KORRIK 1952
Subjekti: Marrja në pyetje e grupit “Pisha”. Pjesa IV e operacionit BGFIEND Për: (emri i fshirë) Nga: (emri i fshirë) Informacioni i mëposhtëm u dha nga “Pisha e Vogël” në pjesën e fundit të seancave të marrjes në pyetje, pas kërkesave të përsëritura. 1. Personat e mëposhtëm janë larguar nga Shqipëria komuniste dhe kanë kaluar në Jugosllavi. Ata janë burgosur nga jugosllavët si të burgosur politikë. 1. Mehmet Ali Bajraktari Has 2. Rexhë Ali Bajraktari Has 3. Sadri Ali Bajraktari Has 4. Skënder Ymer Bardhoshi Quke 5. Rexhë Hasoni Golaj 6. Halit Osmani Luma 7. Ali Haliti Luma 8. Baftjar Doda 9. Bilal Kola 10. Ndrec Sufi, me një grup prej 15 ndjekësish 11. Mark Biba dhe Gjin Gjeta, me 24 ndjekës Nuk dihet se cilët jetojnë ende, por dihet se të gjithë janë futur në burg si të burgosur politikë nga qeveria jugosllave. Emrat e mëposhtëm janë futur në burg pasi kërkonin të arratiseshin nga Jugosllavia. Pjeter Gjoni Fuat Zamimi Sadik Kolgjini.
1.Informatorë të armatosur në Shtiqën (Kukës) Popullsia në Shtiqën.
Nuk dihet numri i saktë, megjithatë nga informatorët tanë mendojmë se popullsia e armatosur në Shtiqën nuk është më shumë se 200 vetë. Ky numër është i përafërt dhe një rishikim i tij është i nevojshëm. 1.Më poshtë është një përkthim i një letre të hapur dërguar emigrantëve shqiptarë në Jugosllavi, liderë të Lidhjes së Prizrenit. “Populli i Shqipërisë, vëllezër dhe motra, ju duhet të bëni gjithçka për t’u arratisur nga regjimi i Enver Hoxhës dhe të vini në Jugosllavi, pasi këtu në Jugosllavi ne kemi ndihmë politike dhe ekonomike. Ne kemi dërguar një grup në Shqipëri me qëllim hartimin e një liste me emra për t’ju dërguar armë në Shqipëri dhe për t’ua shpërndarë njerëzve kudo në Shqipëri, por ky plan ka ndryshuar paksa”. Shënim: Lutfi Spahiu ka thënë dhe thotë në shumë raste se Shqipëria mund të çlirohet vetëm me ndihmën e jugosllavëve dhe të askujt tjetër. Spahiu ka bërë shumë punë në mesin e emigrantëve shqiptarë në Jugosllavi.
1. Emrat e parashutistëve të vrarë, apo të kapur nga regjimi i Hoxhës.
Rifat Zyberi Ded Hili Azis Rusta Shkodër Hamit Toshi Riza Xhemali Fushë Bardhë, Gjirokastër Fidai Veliu Fushë Bardhë, Gjirokastër Hysen Sallku Peshkopi.

“Rekrutimet: Na duhen agjentë më cilësorë”

TOP SEKRET

PLAN DYVJEÇAR PËR OPERACIONET SHQIPTARE

Pjesa e Parë: Konditat e operacioneve
…….
Vendet dhe ambientet nga ku mund të rekrutojmë
më shumë agjentë:
a. Shpura e ish-Mbretit Zog. Mundet që tre apo katër agjentë të kalibrit të liderëve të grupeve mund të na
jepen nga Zogu, nëse ai vazhdon të bashkëpunojë me ne, si dhe nëse problemet e tij me autoritetet në Egjipt
marrin fund.

b. Kampi i refugjatëve Lavrio, Greqi: Për momentin nuk ka njerëz me kualitet lidershipi në kampin e Lavrios.
Janë 70 deri në 100 vetë, të cilët mund të përdoren si pjesëtarë të grupeve për të mbështetur liderin.

c. Janina dhe Trieste: Qendrat e interrogimit në këto dy qytete japin mundësinë e zbulimit dhe rekrutimit
të talenteve për agjentë potencialë. Të gjithë refugjatët që vijnë këtu vëzhgohen me qëllimin për të zbuluar
rekrutë.

d.Kompania shqiptare në Gjermani: Kompania prej 200 vetash në Gjermani, tashmë e gjitha nën kontrollin
amerikan, konsiderohet si një vend për rekrutimin e agjentëve të nivelit të ulët, të cilët mund të përdoren
për emergjenca, apo si një ekip sulmi në momente të caktuara.
Metodat që do të përdoren për infiltrime të suksesshme, si dhe krijimin e agjentëve rezidentë.

a. Për të kryer infiltrime të suksesshme, si dhe për të krijuar baza të agjentëve rezidentë, metodat e mëposhtme janë të nevojshme

1. Përdorimi i agjentëve të trajnuar në mënyrën më të mirë, si dhe me kontakte shumë të mira brenda vendit.

2. Përdorimi i njerëzve me njohje të mira të zonës së kufirit, si dhe të zonës operacionale.

3. Infiltrimi i agjentëve vetëm në vendlindjen e të paktën liderit të grupit.

4. Kontakt i grupit vetëm me njerëz të besuar.

5. Sigurimi i dokumenteve të rregullta

6. Misione të limituara që kalojnë kufirin me objektiv rekrutimin e një numri të vogël, por të kalibrit të lartë
dhe jo qëndrimin e një grupi në një zonë për një kohë të gjatë.

7. Reduktimi i misioneve në grupe prej dy personash apo edhe vetëm një person.

8. Misionet duhet të jenë të shkurtra, por në mënyrë frekuente dhe jo të gjata dhe të rralla. Në varësi të ngjarjeve për të cilat ne nuk kemi kontroll. Mundësia për të ardhmen ekziston për:

1. Operacione kundërzbulimi me agjentë të Shërbimit Sekret Shqiptar, të cilët pranojnë të bashkëpunojnë me ne.

2. Rekrutime në vend.

TOP SEKRET MEMORANDUM: 21 KORRIK 1952 Subjekti: Raporti mujor BGFIEND, 15 qershor -15 korrik 1952 Për: (emri i fshirë) Nga: (emri i fshirë) 1. PËRMBAJTJA E PROGRAMIT HTGRUBBY (emri i koduar i radios “Europa e Lirë”- shën. i redaksisë) transmeton përditë gjatë kësaj periudhe, me përjashtim të datës 5 korrik. Temat e trajtuara në veçanti gjatë kësaj periudhe ishin Kongresi i Dytë i Rinisë, plani 5-vjeçar, Kodi Penal, si dhe biografia e oficerëve komunistë. Në mënyrë që të adoptojmë një propagandë me pozitive, stafi ka marrë detyrë që të shkruajë një seri bisedash, secila e fokusuar në të katër principet e Htneight (komiteti “Shqipëria e Lirë”).

1. KAPJA E VALËVE TË RADIOS NË SHQIPËRI Grupi “Pisha” na informon se radio “Europa e Lirë” kapej në të shumtën e kohës në zonën e Kukësit përgjatë dy muajve që ata ishin atje. Grupi “Shelgu”, i cili nuk kishin radio me vete, na informon se ata kishin folur me një shqiptar, i cili kishte dëshmuar se ai e kishte dëgjuar radion HTGruukomuby (“Europa e Lirë”) në shtëpinë e një kushëriri në Durrës. Fatkeqësisht, as grupi “Pisha” dhe as grupi “ Shelgu” nuk kanë mundur të na sjellin ndonjë informacion mbi reagimin e shqiptarëve ndaj transmetimeve të HTGruuby (radio “Europa e Lirë”).

 Megjithëse grupi “Pisha” na tha se morali i grupit të tij ishte mjaft i lartë, si rezultat i transmetimeve te HTGruuby (radio “Europa e Lirë”). 1. PERSONEL (Emri i fshirë) i rikthyer nga misioni i tij me britanikët më 18 korrik dhe me sa di unë IDENTITETI 1 është në proces për t’u pajisur me besimin për të zëvendësuar RNDRAWER.

Megjithatë, është një nevojë urgjente për dy shkrimtarë te mirë shqiptarë, të cilët do të zëvendësojnë (emri i fshirë), si dhe (emri i fshirë). Zgjidhja më e mirë, mendoj unë, është që një prej grupeve tona të nxjerrë nga Shqipëria një apo dy njerëz të kalibrit të lartë, pasi është e qartë se nuk ka shqiptarë të kalibrit, të cilët të kenë materiale apo eksperiencë se si janë konditat dhe ngjarjet brenda Shqipërisë.

Një ngritje e moralit me motivacion idealist do të ishte ngjarje shumë e mirë për stafin e HTGruuby. 1.FLETUSHKAT Më 6 korrik 1952, 500 mijë fletushka me simbolin e HTNeight( komiteti “Shqipëria e Lirë”), si dhe 100 mijë gazeta të vogla.

Shkruan : Flori Bruqi : Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme e shqiptarëve

Kërko brenda në imazh                     Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme                                     Haki Taha, u lind n...