Shkruan Flori Bruqi
Historia e rrallë e një dore të shkëlqyer të Shqipërisë së vjetër
Libri "An Englishman in Albania" ("NJË ANGLEZ NË SHQIPËRI") i Kolonelit Dayrell Oakley -Hill, është i jashtëzakonshëm. I botuar tash së fundi në Angli, ai përmban një dokument të rëndësishëm për jetën politike, ushtarake, si dhe për atë sociale e kulturore të zhvillimeve shqiptare të një periudhe 25 vjeçare (1929-1955), po në mënyrë të veçantë, për periudhën e Mbretërisë, atë të viteve '30. Kjo ngaqë autori i tij, koloneli i mirënjohur anglez, Dayrell Oakley -Hill, i cili punoi për shumë vjet në Shqipëri, është një figurë e shumanshme për historinë tonë.
Ai ka bërë pjesë aktive në jetën shqiptare, në organizimin dhe themelimin e xhandarmërisë sonë të Mbretërisë, duke luajtur rol madje në vetë forcimin e shtetit të ri shqiptar. Këto janë "Kujtimet e një oficeri britanik 1929-1955", siç nëntitullon libri në mbulesën e tij, i cili siç shkruhet, flet për ndikimin që "Shqipëria dhe njerëzit e saj patën tek një anglez, përçka kujtimet e Kolonel Dayrell Oakley-Hill japin një përshkrim të gjallë të natyrës, popullit dhe zakoneve të këtij vendi të bukur dhe të dy udhëheqësve shumë të ndryshëm nga njëri-tjetri të cilët ai arriti t'i njihte mirë: Mbretin Zog dhe Enver Hoxhën". Dhe më tej: "Dayrell Oakley-Hill nuk i ndërpreu kurrë marrëdhëniet e tij me Shqipërinë.
Deri ditën që vdiq, më 1985, ai mbeti i palodhur në përpjekjet e tij për të ndihmuar refugjatët shqiptarë dhe për shumë vite punoi si sekretar i Shoqatës Anglo-Shqiptare". Dayrell Oakley-Hill, siç thekson në parathënien e librit, i mirënjohuri Kolonel David Smiley, "u mor me çështjet shqiptare për më shumë se 50 vjet dhe në kohën e vet ishte autoriteti më i njohur në vend...
Ky libër do të bëjë për vete të gjithë miqtë e Shqipërisë, pasi është historia e një burri trim që Shqipërinë e kishte të skalitur në zemër." Kjo është "Historia e rrallë e një dore të shkëlqyer të Shqipërisë së vjetër", përcakton, Nicholas, Lord Bethel. Eshtë "i vetmi tregim i dorës së parë i botuar, - shkruan Roderick Bailey, - që flet për shërbimin e jashtëzakonshëm dhënë prej Sir Jocelyn Percy dhe grupit të tij të oficerëve britanikë për Shqipërinë e Zogut. Oakley-Hill jep gjithashtu të vetmen dëshmi okulare të fazave të fundit të planeve fatkeqe të SOE-së për qëndresën jokomuniste të viteve 1940-41.
Shpirti i pavarësisë dhe dëshira për aventurë që e shtyu atë në Shqipëri më 1929, krijoi një afeksion të thellë e genuin për vendin që zgjati një jetë të tërë. Pak britanikë kanë qenë kaq afër kësaj toke misterioze dhe të trazuar."
Koloneli Hill është padyshim një ndër organizatorët kryesorë të themelimit të Kampionateve Kombëtare të Shqipërisë, po dhe të krejt sportit tonë kombëtar.
Ushtarak britanik, ai nuk mund të mos ndjente në déj edhe gjakimin sportiv të futbollit, teksa gjen kohë të ishte edhe në krye të këtyre punëve. E nis si gjyqtar i futbollit, madje duhet pranuar se është ndër të parët, për të mos thënë i pari, në ndeshjet e shumta ndërqytetëse qysh më 1929, pra pa nisur Kampionati i Parë Kombëtar (1930). Dhe shpejt është protagonist.
Për gati dhjetë vjet, deri më 1938, nuk do të ketë veprimtari sportive, kryesisht të futbollit, tenisit, turizmit, atletikës, e deri të volejbollit e për çudi edhe të automobilizimit, pa pjesëmarrjen aktive organizuese dhe vetushtruese si shembull, të këtij personazhi unik. Ndërsa gjatë gjithë kësaj periudhe, nuk do të ketë thuajse javë të Kampionatit Kombëtar të Shqipërisë, pa praninë e gjykimeve të tij.
Shtypi e cilëson si një "arbitër model". Dhe midis Salvattore Bernardos, Eqrem Stërmasit, Pelagtti-t, Hajdar Jakupit, Ndoc Gerës, Niko Gurashit dhe Kristaq Stratit, Oakley Hill, është padyshim i pari i kësaj tetësheje, që mban ndër duar me gjykimet, ecurinë rradhazi të shtatë kampionateve të parë të futbollit, ato të periudhës së Mbretërisë.
Oakley Hill është anëtar i Komitetit Teknik Arbitral Shqiptar qysh në themelim, më 1932, vit i pranimit të Shqipërisë në FIFA, njohja e parë e jona prej një organizate sportive mbarëbotërore. Dhe nuk duhet ta ngatërrojmë themelimin e këtij Komiteti me një organizëm formal që ka të bëjë me gjykimet e ndeshjeve të futbollit. Komiteti Teknik Arbitral Shqiptar, në të vërtetë është organizmi i specializuar kombëtar për drejtimin sipas rregullave e ligjeve sportivë evropiane si dhe të zhvillimeve sportive botërore në krejt sportin shqiptar, çka vetë Koloneli Hill e shtjellon në kujtimet e tij.
Më 15 janar 1936 ai zgjidhet tashmë kryetar i Komitetit Teknik Arbitral Shqiptar, detyrë të cilën e mban deri ditën e largimit të tij nga Shqipëria në fund të vitit 1938. Dhe duhet të pranojmë se Komiteti Teknik Arbitral Shqiptar duke patur në krye Oakley Hill-in, i dha një seriozitet të madh zhvillimit të sporteve në Shqipëri, në mënyrë të veçantë atletikës, notit, çiklizmit, tenisit dhe natyrisht e mbi të gjithë, Kampionateve të Shqipërisë në Futboll.
Kjo edhe ngaqë anëtarë të këtij Komiteti ishin të respektuarit Luigj Shala, Dr. Vasfi Samimi, Eqrem Stërmasi, Dr.Pjetër Guraziu dhe Telemak Nushi. Nëse sot Shqipëria është i vetmi vend në Evropë, që nuk ka arritur të përcaktojë historikisht se cili qe presidenti dhe sekretari i Federatës Shqiptare të Futbollit në këtë periudhë themeluese, jemi të detyruar të mbërrijmë në këtë përcaktim: këto role i ka kryer përpara të gjithëve Koloneli britanik, organizatori i shquar i xharndarmërisë shqiptare, Oakley Hill.
Natyrisht, pa harruar se nga ana shtetërore vjen e merr fuqi të plotë, i paharrueshmi dhe i gjithanshmi Luigj Shala, figurë Nr. 1 e sportit shqiptar të periudhës së Mbretërisë, si Sekretar i Përgjithshëm i Federatës "Vllaznija Shqiptare" (një homolog i KOKSH të sotëm) në Ministrinë e Arsimit, kur kryetar është vetë ministri, Dr. Mirash Ivanaj. Punët e tjera të mëdha, detyrimet e përditëshme shtetërore për realizmin e tyre, nuk e lejonin Kolonelin e gjithanshëm, të ishte gjithnjë i pranishëm si gjyqtar i drejtpërdrejt i fushës së blertë.
Po nëse do të vinte një çast kritik, bie fjala një ndeshje tip "dramatike" Vllaznia - Sportklub Tirana (çka ai e përshkruan hijshëm në librin e tij), etikën, ritmin e vërtetë të vetë ndeshjes, mbi të gjitha, arritjen e rezultatit vendimtar të natyrshëm të saj, këto do t'i zotëronin vetëm vërshëllimat e gjyqtarit, tashmë të përvojës, Oakley Hill. Pa sqimë e mëndjemadhësi, ai kurrë nuk hezitonte që për 90 minuta të zëvëndësonte kostumin elegant të oficerit të Mbretërisë së Bashkuar, po dhe atë të Mbretërisë Shqiptare me atë të gjyqtarit të futbollit!
Si Kryetar i Komitetit Teknik Arbitral Shqiptar, ai bëri shumë kolegë dhe miq në Shqipëri, jo thjesht përmes drejtimit të sporteve që ushtronte ky Komitet, por sidomos përmes zhvillimeve të fushave të futbollit. Figura të tilla ende të panderuara nga sporti shqiptar si Alush Lleshanaku, Anastas Shundi, Kristo Mihali, Mihal Kosta, Ndoc Gera, Ali Kuçi, Skender Sadiku, Telemak Anastasiadhi, Aqif Domini, Bahri Toptani, Teni Frashëri, Ahmet Ashikja, Nush Luka, Myfid Halimi, Mir Papajani, Muhamet Halili, Avni Zajmi, Anton Mazreku, Enver Kulla, po dhe të tjerë, të cilët përveç veprimtarive të tyre të shumanshme në atdhetari, në edukimin fizik të rinisë, në arësim, në kulturë, qoftë dhe në politikë, që përbëjnë ndërkaq, edhe grupin e paharrueshëm të gjyqtarëve të parë të futbollit në Shqipëri, janë drejtuar dhe formuar për vite nga Koloneli Oakley Hill.
Dhe nëse më 8 korrik 1937 shtypi shqiptar njoftonte se FIFA njeh për herë të parë tre gjyqtarë ndërkombëtarë nga Shqipëria: Luigj Shala, Eqrem Stërmasi dhe Llazar Miha, edhe kjo ka qenë fryt i përpjekjeve të atij që asokohe tek ne njihej si "Nënkoloneli Oakley Hill", i cili me këtë gradë u largua nga Shqipëria më 1938.
Eshtë me shumë kuptim shkrimi i faqes së parë i 1 tetorit 1938, me rastin e largimit të Kolonelit Hill nga Shqipëria, botuar në gazetën e vetme sportive të Mbretërisë, "Sporti Shqiptar", për të cilin thuhet se "si organizator i Gjindarmëris s'onë asht shque mjenjiherë edhe për aktivitetin e vet në dobi e në përparim të lëvizjes sonë sportive", duke i shfaqë ndërkaq, "falenderimet ma të përzemërta për punën që ka krye me nji enthuzjazëm të math për dobin e të mirën e vendit t'onë".
Njeriu, i cili duke marrë nga Federata Angleze e Futbollit, solli, botoi dhe përhapi i pari rregullat e futbollit në Shqipëri, themeluesi i Komitetit Turistik dhe Automobilistik Mbretnuer (KTAM), i Klubit Mbretëror të Tenisit në Tiranë apo i Komitetit Shqiptar të Shoqërisë për Mbrojtjen e Kafshëve (ai organizoi deri ngritjen e një spitali për kafshët), ia ka arritur të na lëjë një përcaktim të jashtzakonshëm, që i bën nder vlerësimit të traditës sonë sportive, si një konfirmim i "fair play" të kohës madje, kur shkruan se: "Futbollistët shqiptarë kishin ide të qarta për lojën, ashtu siç luhej ajo në atë kohë. Ata luanin një futboll të fuqishëm dhe të pastër".
Dhe, se "problemi i tyre kryesor, fillimisht, ishte se prekeshin shumë nëse mendonin se ishin trajtuar në mënyrë të padrejtë. Kryenin shumë pak faulle të qëllimshme, por kur vinte puna tek dhënia e një penalltie apo tek anulimi i një goli, futbollistët e penalizuar jo vetëm që kundërshtonin energjikisht, por kishin edhe prirjen të braktisnin fushën." Dhe më tej: "Me kalimin e kohës, ndërsa unë qëndroja gjithnjë i patundur në vendimet e mia, zakoni i braktisjes së fushës në shenje proteste u zhduk. Në fakt, gjithnjë e kam shijuar arbitrimin e ekipeve të kampionatit: ata ishin lojtarë aq të kujdesshëm dhe aq të pëlqyeshëm, njerëzorë".
Koloneli Hill është rikthyer zyrtarisht në Shqipëri më 1946 me Misionin Britanik. Dhe është fantastike ndërkaq, ndeshja e tij e tenisit në Tiranë, sport të cilin ai e luante në nivel të lartë, para mijëra shikuesve. "Kundërshtari" tij është vetë Ministri i Shtypit, Propagandës e Kulturës Popullore, Prof.Sejfulla Malëshova, për çka unë kam përshkruar në Librin "Historia e Kampionatave të Shqipërisë" - Vitet '40. Ka qenë një lojë dyshe: Hill - Beshiri kundër dyshes tjetër Malëshova -Nallbani, Sali Nallbani, pionier i tenisit shqiptar, të cilin në vitet '30 e kishte përgatitur pikërisht vetë Koloneli Hill.
Dhe përcaktimi lakonik i shtypit tonë pas kësaj ndeshje të padëgjuar: "Koloneli Hill, mjeshtër pozicioni mjaft i zoti, gjakftohtë dhe inteligjent". Kaq. Më pas për regjimin, jashtë çdo nobiliteti të një Sejfulla Malëshove, Koloneli do të ishte vetëm një armik! Dhe këtu është ikja e fundit e Kolonelit Hill nga Vendi i Shqiponjave, me të cilin ai u mor për gati 30 vjet të jetës së tij. Ndërkaq, vjen ky libër i sapobotuar, në të cilin ai natyrisht, nuk mund të linte pa shkruar edhe për sportin shqiptar të kohës, i të cilit qe një protagonist ndër më të spikatunit, duke lënë përgjithmonë gjurmë të fuqishme të themelimeve të palëkundura sot e kësaj dite, madje deri te përpunimi i një stili që për ne mbeti.
Kapitullin e kujtimeve sportive të kolonelit Hill, i kemi marrë prej librit të tij, ndonëse ato përbëjnë vetëm shtatë faqe, mendoj se ato përfaqësojnë një vlerë të pazakonëshme dhe të befasojnë me gjykimet, përcaktimet, përshkrimin dhe mbresat e rralla, çka ne i ndjejmë për herë të parë.
Ky njeri i shquar, i cili Pasluftës u prit pa entusiazëm nga krerët e regjimit komunist që po merrte fuqinë në Shqipëri, madje me urrejtje, duke mbërritur deri aty sa dhe veprimtaria e tij e çmueshme sportive më pas të përçmohej, duke u quajtur deri armiqësore, na ka lënë kësisoj një dokument historik të rëndësishëm për vetë "etnografinë" e parë të sportit kombëtar, i cili me vitet '30 vuri themelet e tij.
Kapitulli sportiv i librit të kujtimeve "Një anglez në Shqipëri", të Kolonel Dayrell Oakley-Hill, ka kështu, vlerë të mirëfilltë historike. Eshtë hera e parë që ne gjejmë një gjykim krejt tjetër, autentik për zhvillimet sportive në vend të periudhës së viteve '30. Dhe ndonëse gjithçka është e shkurtër dhe e përmbledhur, lexuesi merr vesht, kupton, ndjen se me çfarë pasioni dhe dëshire, madje dhe se me çfarë kulture e serioziteti kanë nisur të vihen bazat moderne të sportit shqiptar.
Tash le të vazhdojmë me ate që shkruan vetë protagonisti i madh i sportit shqiptar të periudhës së Mbretit Zog, Kolonel Dayrell Oakley-Hill, figura e të cilit sundon mbulesën e librit të tij ku Koloneli paraqitet i veshur nën dy simbole kuptimplote: atë të ushtarakut të Xhandarmërsië së Mbretërisë dhe atë të veshjes kombëtare tradicionale të Shqipërisë. ...,thote publicisti i mirenjohur shqiptar z.Besnik DIZDARI.
C'THOTE Dayrell Oakley-Hill, NE librin e tij me titull "Një anglez në Shqipëri":
Viti 1930 dhe 1931 qe një periudhë e mbushur me ngjarje ndërsa gjykoja ndeshjet e Ligës së futbollit. Kishte vetëm pak shqiptarë që gjykonin asokohe, edhe pse askush nuk kishte kryer trainime për këtë. De Marchis më perfshiu në komitetin e tij teknik dhe kështu filluam të përkthenim rregullat e lojës nga anglishtja në shqip. Shoqata Britanike e Futbollit u tregua bujare duke na dërguar versionet më të fundit. Qe një betejë e vërtetë, por gjithsesi puna u krye dhe rregullorja u shtyp e u qarkullua në të gjitha klubet e futbollit të qytetit. Ndeshjet luheshin në verë dhe ditëve të diela. M'u desh të udhëtoja në qytete të ndryshme dhe, për të kursyer kohë, zakonisht udhëtimet për në Shkodër, Korçë e Vlorë i bëja me avion.
Shërbimet ajrore italiane në këto qytete zakonisht vinin në shërbim një avion të vogël gjerman, me nje motor të vetëm dhe me krahë të valëzuar prej alumini. Gjithsej, katër vende për pasagjerë. Më vonë ky avion u zëvendësua me një biplan "de Havilland", me rreth dy vende më shumë. Gjatë udhëtimit shijoje një pamje të mrekullueshme të maleve dhe asnjëherë nuk na ndodhi të kishim probleme në fluturim. I njëjti shërbim kryente fluturime për në Romë me një avion italian me tri motorë, e, megjithëse i dobishëm, dëgjonim histori të frikshme me avionë që çanin rrugën përmes Apenineve të mbuluara me re.
Një avion qe përplasur me një mal këtu, dhe të gjithë pasagjerët humbën jetën, ndër të cilët edhe një ministër shqiptar. Futbollistët shqiptarë kishin ide të qarta për lojën, ashtu siç luhej ajo në atë kohë. Ata luanin një futboll të fuqishëm dhe të pastër. Problemi i tyre kryesor, fillimisht, ishte se prekeshin shumë nëse mendonin se ishin trajtuar në mënyrë të padrejtë. Kryenin shumë pak faulle të qëllimshme, por kur vinte puna tek dhënia e një penalltie apo tek anulimi i një goli, futbollistët e penalizuar jo vetëm që kundërshtonin energjikisht por kishin edhe prirjen të braktisnin fushën e lojës.
Të gjithë arbitrat kanë kaluar të njëjtën përvojë: instinkti për të dyshuar se shqiptari tjetër favorizonte ndonjërën nga palët ishte gjithnjë i pranishëm, por sigurisht që nuk e prisja këtë reagim ndaj meje. Megjithatë, pati një herë të parë edhe për mua në këtë drejtim.
Çuditërisht, incidenti më i rëndë ndodhi në Tiranë, ku ekipi i qytetit luante kundër Shkodrës: fusha ishte e njëjtë me atë të stadiumit modern, me vendet e spektatorëve rreth e qark, edhe pse më vonë lindi nevoja për rindërtim. Gjatë ndeshjes një grup lojtarësh ishte përqendruar në zonën e rreptësisë së Tiranës dhe një futbollist i Tiranës pengoi me krah një top të goditur nga një lojtar i Shkodrës.
Unë nuk kisha asnjë dyshim për këtë dhe dhashë një penallti. E gjithë skuadra e Tiranës u grumbullua rreth meje, duke protestuar dhe kundërshtuar. Unë këmbëngula në vendimin tim dhe e argumentova atë, por ata e lanë fushën e lojës. Pas kësaj, ndërpreva ndeshjen dhe lashë fushën edhe vetë. Në dhomën e veshjes u rrethova nga xhandarët, të cilët u bënë barrikadë për të më mbrojtur dhe më pas më hipën në një makinë e më dërguan në shtëpi. Sigurisht, unë shkrova raportin tim për komitetin drejtues dhe ndeshja i'u dha Vllaznisë. Gjenerali Percy e mori shumë personalisht incidentin. Ai u takua me ministrin e brendshëm dhe u ankua se nuk mund të lejonte që një prej oficerëve të tij të trajtohej në këtë mënyrë dhe se për këtë arësye nuk do të më lejonte më që të gjykoja. Në fakt, mbi të më pas u ushtrua një presion i madh dhe pas një ose dy muajsh gjenerali u dorëzua dhe unë fillova të gjykoj sërish. Në mënyrë krejt të natyrshme reputacioni im në Shkodër ishte rritur dhe radhën kur m'u desh të gjykoja një ndeshje atje, ekipi shkodran e pranoi një vendim penalltie kundër tyre vetëm me një mërmëritje të vogël.
Me kalimin e kohës, ndërsa unë qëndroja gjithnjë i patundur në vendimet e mia, zakoni i braktisjes së fushës në shenje proteste u zhduk. Në fakt, gjithnjë e kam shijuar arbitrimin e ekipeve të kampionatit: ata ishin lojtarë aq të kujdesshëm dhe aq të pëlqyeshëm, njerëzorë. Pas ca kohësh u mor vendimi për krijimin e një Federate Sportive, nën drejtimin e kolonelit gjenial Aqif Përmeti, për të kontrolluar të gjithë sportin publik, që në atë kohë perbëhej nga futbolli, atletika dhe volejbolli. Koloneli nuk ishte ekspert, prandaj ngriti një Komitet Teknik që do ta kryente këtë punë për të.
Emri zyrtar ishte Komiteti Teknik Arbitral Shqiptar, gjithnjë i quajtur KTASH. De Marchis ishte larguar nga Shqipëria dhe zëvendësuesi i tij, një tjetër italian, ishte asistent i kolonelit, por jo anëtar i komitetit. Mua m'u kërkua të merrja kryesinë e komitetit, gjë të cilën e pranova. Me mua punonin edhe tre shqiptarë dhe më vonë edhe pesë të tjerë morën postet e tyre. Të gjithë kishin luajtur futboll ose në shkollë ose në kampionat (gjithçka ishte amatore asokohe) ose kishin qenë gjyqtarë.
Ne kishim për detyrë të fiksonim kalendarin e Kampionatit dhe të pranonim zyrtarisht rezultatet. Sigurisht na duhej të caktonim edhe gjyqtarët. Menjëherë nisëm një kurs trainimi për gjyqtarët ekzistues dhe për kandidatët. Çdo javë kalonim orë të tëra me një tabelë përpara dhe lojtarë-model duke ndërtuar kështu një organizëm të dobishëm gjyqtarësh.
Duke pasur këtë pozicion të ri unë nuk mund të gjykoja më. Të njëjtën vëmendje i kushtuam edhe sporteve të tjera, por këto ishin më sporadike dhe nuk ngjallnin aq shumë entusiazëm publik. Në komitet u bëmë të gjithë miq për kokë dhe mbetëm të tillë për disa vite të këndshme në vijim derisa unë u largova nga vendi. Këto aktivitete vullnetare duheshin bërë kryesisht jashtë orarit të punës, me përjashtim të ndonjë takimi të rrallë të komitetit. M'u kërkua të kryeja edhe një veprimtari tjetër vullnetare.
Disa zyrtarë ishin shumë të zellshëm në nxitjen e turizmit dhe sidomos në organizimin e vizitave të motoristëve të huaj në Shqipëri. Kështu morën miratimin e ministrisë (dhe sigurisht të Mbretit) për krijimin e Komitetit Turistik dhe Automobilistik Mbretnuer, ose KTAM shkurt. Në mënyrë të natyrshme publiku kishte tendencën ta ngatërronte KTAM-in me KTASH-in. M'u kërkua të merrja pjesë në të dhe vitin e parë, si thesarier, m'u desh të komunikoja me departamentin e turizmit të huaj të shoqatës automobilistike në Londër, të cilët u treguan shumë të gatshëm.
Herën e parë që shkova me pushime në atdhe u takova me ta dhe u informova krejtësisht për procedurat. Ne ishim regjistruar në organizmin ndërkombëtar dhe kështu futëm në përdorim regjistrat dhe triptikët e atyre kohëve. Zyrtarët e kufirit duheshin mësuar si t'i përdornin. Në fakt, arritëm të sillnim disa motoristë aventurierë dhe pati vetëm një rast kur unë dëgjova një çift shoferësh të cilëve rruga Shkodër-Tiranë i'u duk aq e keqe saqë u kthyen mbrapsht.
U gëzova kur erdhi koha për të dorëzuar thesarin, dhe vazhdova të qëndroja anëtar i komitetit edhe për disa vjet. Ne donim të ndërtonim një sistem kampingu me shalete nëpër kodra, por qeveria nuk arriti dot të na siguronte mjetet apo kushtet e nevojshme. Një tjetër institucion i mirë ishte Klubi mbretëror i tenisit në Tiranë. Për të u përdor një ndërtesë në të dalë të bulevardit Mussolini, me një bar dhe një sallë të madhe kërcimi si dhe dy fusha toke.
Funksionet e kujdestarit të fushës, barmenit dhe mbikqyrësit të përgjithshëm i kryente një rus i bardhë shumë i këndshëm, i njohur me emrin Nikolai. Ai gjithashtu luante mjaft mirë tenis. Kishim një sasi të mirë lojtarësh anëtarë, përfshi amerikanë, italianë, një gjerman shumë të mirë, Stahl, një lojtar të mirë francez, Marchand, që ishte drejtor shkolle në gjimnazin e Tiranës dhe sigurisht pak shqiptarë. Unë zbulova një nxënës shkolle, Nallbani, që luante tenis në fushën e Librarisë "Carnavon" dhe më bëri përshtypje talenti i tij i dukshëm. E stërvita dhe ai u bë një lojtar i shkëlqyer dhe më pas pati sukses nëpër turne të hapura në Itali.
Kur shkova në Shqipëri në vitin 1945, klubi i tenisit ishte zhdukur, por Nallbani ishte bërë profesionist dhe drejtonte institucionin e vet me dy fusha: në fakt ai ishte traineri zyrtar i tenisit. Ne organizuam edhe turne të hapura vjetore dhe unë pata kënaqësinë që një vit të shpallesha kampion i turneut në lojën në çift me Stahl dhe kampion individual (bashkë me dikë tjetër) në një turne të papërfunduar. Një lojtar i spikatur qe diplomati amerikan Huston, i cili kishte qenë kampion në Kajro.
Luanim shumë bashkë, madje edhe pasditeve të nxehta. Zakonisht kishte njerëz që ndiqnin ndeshjet tona, kështu që mund të kaloje një mbrëmje të gëzueshme ndërkombëtare në Klub. Aktivitetet e tjera sociale në Tiranë konsistonin në mbrëmjet e vallëzimit nëpër ambasada, të cilat organizoheshin goxha shpesh, mbrëmjet e vallëzimit në bashki, ku të gjithë kishin mundësi të mblidheshin dhe, me raste, në klubin e oficerëve, ku pata mundësinë të takohesha dhe vallëzoja me tri motrat më të vogla të Mbretit Zog: Myzejenin, Ruhijen dhe Maxhiden. Pasi kaluan një ekzil të gjatë, e fundit prej tyre vdiq në Francë me 1969. Gjithashtu u takova dhe vallëzova me mbesat e Zogut: Tere dhe Dane (ose Danush). Tere më vonë u martua dhe u vendos në Angli, ku i shoqi merrej me bujqësi, kështu që patëm kënaqësinë e shoqërisë së saj në shumë pritje të përvitshme shqiptare. Kur bëheshe mik me shqiptarët, ata ishin shumë bujarë dhe të ftonin në shtëpi, zakonisht jo vetëm për të pirë diçka por edhe për të ngrënë. Instinkti i tyre i mikpritjes u jep një shtysë të madhe për t'u shërbyer me të ngrëna miqve, madje edhe ne kuadrin e jetës së një qyteti krahasueshmërisht të civilizuar, dhe ky zakon është ruajtur edhe ndër të larguarit që unë kam takuar pas luftës.
Një nga vendet më të këndshme ku shkoja ishte Valiasi, shtëpia në fshat e familjes Toptani. Kjo ishte një familje shumë e vjetër feudale që zotëronte tokë në Krujë dhe Tiranë prej shekujsh. Abdi bej Toptani kishte qenë njëri prej tri regjentëve para kohës së Zogut dhe tani e kalonte pjesën më të madhe të kohës në moshë të thyer në këtë shtëpi. Ai ishte xhentëllmeni i shkëlqyer vendas, një njeri thellësisht i nderuar e i mirë. Siç do të thoshin amerikanët, ai ishte një njeri nga i cili do ta blije me dëshirë një makinë të dorës së dytë.
Në fakt, ata nuk kishin makinë, por një karrocë me kalë me të cilën mund të bëje pesë miljet e rrugës së vështirë për në Tiranë, përfshi edhe një kalim mbi lumin e Tiranës, një përrua që më pas bashkohet me Ishmin. Shtëpia në çifligun e Valiasit ishte e madhe, ngjante shumë me një shtëpi angleze fshati, me lëndina, vreshta dhe tokë të mbjellë rreth e qark. Miqve u shtrohej dreka në shtëpi, e shërbyer nga shërbyesi i tyre i besuar i cili ishte pjesë e familjes.
Por pjesa më e madhe e kohës atje shpenzohej ashtu siç ishte menduar të ishte në fakt: në një gjendje shplodhjeje të plotë, ulur nën një lis gjigant në lëndinën pranë shtëpisë, zakonisht me një grup miqsh të familjes ku servirej kafe ose pije në varësi të orës së ditës. Ihsani, djali, i ngjante të atit dhe kishte dy motra shumë bukuroshe. Abdi beu kishte blerë një traktor të madh, tip i vjetër anglez, dhe Ihsani dhe Alistar Percy, djali i gjeneralit, kalonin orë të tëra duke luajtur me të. Nganjëherë punonte e nganjëherë jo. Ihsani kishte studiuar në Universitetin e Gracit dhe fliste rrjedhshëm gjermanisht, anglisht dhe italisht: unë i jam shumë mirënjohës miqësisë së tij për 50 vjet me radhë.
Zakonisht unë shkoja në Valias me biçikletë, por nëse shkoja me Rosamondën, i jepte ajo biçikletës ndërsa unë ecja në këmbë. Nganjëhere na çonte karroca. Në disa kuptime, vendi ishte si një skenë nga Turgenjevi ose Cehovi. Alistair ishte një djalë i ri, i gjatë si i ati, dhe për një farë kohe ishte ndihmësi i tij i përkohshëm, kështu që e njohëm disi. Ai mbeti i vrarë në një aksident ajror gjatë luftës.
Vajza dhe mbesa e gjeneralit gjithashtu ndenjën herë pas here me të. Percy ndjehej pak i vetmuar, e di, i rrethuar nga të rinj, edhe pse kaloi nje pjesë të madhe ministrash britanikë. Shumë shpesh na merrte ne oficerëve të rinj për darkë, sidomos kur njëri ose tjetri kthehej nga vendlindja dhe luanim letrash ose shigjetash e dëgjonim disqet e tij. Historitë e tij ishin gjithnjë interesante: gjatë Luftës së Parë Botërore, kur kishte qenë shef shtabi i Byng dhe Gough në Francë; në Rusinë jugore pas luftës dhe përpjekjet e tij për të ndihmuar rusët e bardhë të luftonin dhe më në fund suksesi i tij në evakuimin e disa prej tyre; më pas, koha që kaloi ne British Columbia duke pastruar tokën dhe duke filluar kultivimin e saj, për t'u tërhequr më pas sepse zonja Percy nuk e përballonte dot atë lloj jete.
Para se të shkonte në Shqipëri ai merrej me shitjen e një sistemi konvektori të ngrohjes qendrore. Gjatë viteve të tij të para në Shqipëri, Percy-t i pëlqente shumë të ecte nëpër male. Më vonë ai filloi ta përshkonte rrugën me makinë duke na lënë ne ta bënim rrugën në këmbë; por gjithsesi arriti të përshkonte më këmbë disa malësi deri në fund. Atij i lindte dëshira e papritur për të lëvizur dhe thoshte: "Eja, Hill, ec të hipim në makinë dhe shkojmë të shohim plazhin" ose ndoshta thjesht për të parë Hodgsonsonët në shpejtësinë që të lejonte Durrësi. Ai merrte me qera një çadër në plazh, ashtu si shumë njerëz të tjerë, shqiptarë, anëtarë të trupit diplomatik dhe zyrtarë italianë.
Çadrat dhe shtëpitë me tulla u shtuan shumë thellë në plazh dhe njerëzit kalonin aty fundjava, mbrëmje apo pushime të plota. Plazhi i Durrësit kishte rërë të mrekullueshme dhe një kalim shumë të këndshëm në det. Duhej të ecje goxha në det për të arritur thellësinë e për të notuar, por mund të shtriheshe dhe të shijoje mrekullisht në një gjatësi prej rreth 18 inçësh ujin e ngrohtë. Mbreti Zog kishte rezidencën e tij verore, me shtëpi solide në skajin jugor të plazhit, ku kalonte muajt më të nxehtë. Ministrat dhe të tjerët e vizitonin këtu, por gjithsesi aktiviteti qeveritar mbahej në minimumin e nevojshëm gjatë verës.
SHKRIRJA E CSKA-së SË MOSKËS, ndonëse ngjet mbas shkrirjes së Kampionatit 1948-’49 të Shqipërisë, përbën gjithashtu një rast botëror në politikën sportive të vendeve komuniste. E kam përmendur në dy shkrimet e mëparshëm. Ndërkaq, dy lexues nga Tirana, miq të mi, më kanë telefonuar duke m’u lutur për diçka më tepër. Duke menduar se episodi paraqet interes edhe për shumë lexues të tjerë, po e tregoj këtu këtë rast sovjetik, aq fort të ngjashëm me atë shqiptar.
Gjithçka ka lidhje me pjesëmarrjen e skuadrës së Bashkimit Sovjetik në turneun olimpik të futbollit në Olimpiadën e Helsinkit më 1952- in. Më 20 korrik 1952 BRSS barazon 5-5 me Jugosllavinë, ndonëse ndodhej në humbje 1-5, por dy ditë më vonë ndeshja përsëritet: 22 korrik 1952. Jugosllavia fiton 3-1 dhe eliminon Bashkimin Sovjetik. Ishte një Jugosllavi që do të fitonte medaljet e agjenda (të artat i rrëmben Hungaria e Ferenc Pushkashit) në përbërjen e së cilës ishin legjendarët e saj Çajkovski, Horvat, Mitic, Vukas, Bobek, ndaj të cilëve dy herë Shqipëria kishte triumfuar duke u rrëmbyer titullin e Kampionit të Ballkanit ’46, por dhe 0-0 të Beogradit 1948.
Në Jugosllavi eliminimi i sovjetikëve nxit një eufori të papërshkrueshme politike. Deri dhe në garnizonin e Prishtinës fitorja festohet me të shtëna artilerie! Ndërkaq, humbja nuk durohet nga Stalini dhe të tijtë. Shtypi sovjetik si në shêj zie nuk boton asnjë foto nga ndeshjet e skuadrës sovjetike, nuk shfaq as dokumentarin e pjesëmarrjes. Drejtuesit e delegacionit sovjetik thirren rrufeshëm në Moskë, pa u lejuar të marrin pjesë në ceremoninë e mbylljes së Olimpiadës që zhvillohet më 5 gusht 1952. Sekretari i KQ të Byrosë Politike të PK të BRSS, Malenkov, thërret në Kremlin drejtuesit me në krye kryetarin e Komitetit Olimpik të BRSS, Romanov. Mbas bisedimit krye më krye me Stalinin, Malenkovi kthehet me vendimin e pamëshirshëm të udhëheqësit suprem. Fajtorët kryesorë janë lojtarët e klubit të Ushtrisë CDSA (CSKA), të cilët përbënin shumicën e lojtarëve të Kombëtares. Prej këtu lind dhe vendimi Nr.793 i 18 gushtit 1952 në të cilin thuhet: “Duke marrë parasysh që skuadra e CDSA (CSKA) nuk është sjellë në mënyrë të kënaqshme, duke humbur ndeshjen me Jugosllavinë dhe duke i bërë një dëm serioz prestigjit të sportit sovjetik dhe Shtetit sovjetik, urdhëron: 1. Për shkak të dështimit në Lojërat Olimpike, dëmit serioz të shkaktuar ndaj prestigjit të sportit sovjetik, skuadra CDSA (CSKA) përjashtohet nga Kampionati i futbollit të BRSS dhe ajo shkrihet”. Më 18 gusht 1952 ndeshja e radhës CDSA (CSKA) – Dinamo e Kievit nuk luhet dhe skuadrat e Kampionatit nga 15 bëhen 14, pra pa skuadrën e Ushtrisë së Kuqe. Duhej të vdiste Stalini që vetëm mbas një viti, në vjeshtën e vitit 1953, ministri i Mbrojtjes, Nikolaj Bulganin, të vendoste për rithemelimin e klubit të shkrirë CDSA (CSKA) të Moskës!
Kjo është ngjarja e pabesueshme staliniane tejet e ngjashme me shumë ngjarje që nisnin të ndodhnin në Shqipëri qysh më 1948-’49 dhe që jo pak do të përsëriteshin edhe në vite të tillë si bie fjala, ai 1967 me përjashtimin zâmadh të 17 Nëntorit e Partizanit… X X X “NDËRHYRJA TROCKISTE JUGOSLLAVE ka dëmtuar rëndë edhe sektorin e fizkulturës!” Ky është titulli i bujshëm i kryeartikullit të gazetës “Sporti” të Tiranës së 15 janarit 1949. Kështu po kthehemi nga Moska 1952 te Shqipëria 1949. Është ky kryeartikull që i paraprin Plenumit tonë famëkeq. Dhe për të kuptuar kriminalizmin e katër vjetëve të sportit kombëtar, po shkëpusim prej tij këto radhë: “Udhëheqja trockiste jugosllave për qëllimet saj antimarksiste, antishqiptare, si gjithë sektorët e tjerë të vendit tonë, ashtu edhe sektorin e fizkulturës e ka dëmtuar rëndë dhe ka penguar për të arritur rezultate më të mira në këtë sektor”. Partia “harronte” ndërkaq, që mu falë edhe ndihmës jugosllave, Shqipëria kishte organizuar në nivel të lartë ndërkombëtar Lojërat Ballkanike të Tiranës së vitit 1946 dhe ku po falë drejtimit të trajnerit jugosllav Ljubisa Brocic, Kombëtarja e Shqipërisë ishte shpallë Kampione e Ballkanit. Pa shkuar te dërgimi i kuadrove shqiptarë të sportit në Beograd e Zagreb, duke sjellë një përvojë të çmueshme për sportin shqiptar. Por të gjitha hidhen poshtë, duke u flakur tej lavdet e pafund projugosllave që për katër vjet edhe në fushën e sporteve të kulturës fizike kishin mbushur faqet e shtypit shqiptar. Do ta merrte kështu fjalën përvoja sovjetike. Ose më qartë, do ta merrnin fjalën dy emisarët e sportit sovjetik, Boris Apuhtin dhe Grigori Nikoforov.
Më 27 shkurt 1949 ata përfundojnë kursin e shpejtë për trajnerë të atletikës dhe futbollit me rreth 35 trajnerë shqiptarë. Kjo duket se është skena e parë. Ndërsa prapaskena luhet në kulisat e zyrave partiake shqiptare. Kësisoj, kemi të drejtë të bindemi se organizimi i atij që do të njihet si “Plenumi i 6-të i Federatës Sportive Shqiptare” ka qenë jo pak edhe vepër e dyshes sovjetike. Është vërtet e pazakontë mandej aureola me të cilat i mbështjell këta dy specialistë propaganda e kohës. Madje dhe në anën e protokollit. Ata ulen në tribuna e në presidiume mbledhjesh po në atë rang të anëtarëve të Komitetit Qendror apo edhe të Byrosë Politike. Brenda pesë muajve ata marrin dy dekorata të larta të shtetit shqiptar dhe kuptohet qartë që ata në të vërtetë janë të fuqishëm para dhe mbrapa kuintave të sportit shqiptar. Ata janë kudo.
Ata drejtojnë konferenca, seminare, bëjnë politikë sportive, organizojnë sipas GTO-së sovjetike GPM-në shqiptare (Lëvizja Gati për Punë e Mbrojtje për përhapjen e sportit masiv). Ata stërvitin ekipet kombëtare, formojnë trajnerë, marrin në provim. Dhe arrihet deri aty saqë edhe në vendimet e Plenumit të përmenden se këto vendime merren duke pasur parasysh “sugjerimet e të dy trajnerëve sovjetikë, Mjeshtri i Merituar i BS shoku Nikoforov Grigori dhe mjeshtri i BS, shoku Apuhtin Boris”, siç thuhet fjalë për fjalë në vendimet e Plenumit. Pa harruar deklaratën zyrtare që thotë:
“Mjeshtrin e Merituar të BS Nikoforov Grigori dhe mjeshtrin e BS Apuhtin Boris i falenderojmë përzemërsisht në emër të gjithë fiskulturistave të vëndit tonë për punën e madhe dhe të palodhëshme që ata kanë treguar gjatë kësaj periudhe sado të shkurtër në vendin tonë. Nga kjo punë e frytëshme e shokëve sovjetikë kemi mundur të kuptojmë më shpejt format e gabuara organizative, metodat e punës, marrëdhëniet me organizatat e masave, ekzistenca e padrejtë e Federatës Sportive dhe spostimi i rolit drejtues të Komitetit të Fiskulturës.” “Ekzistenca e padrejtë e Federatës Sportive!”
Ky është thelbi. Kjo është kuintesenca e absurditetit të përkufizimit të lëvizjes sportive shqiptare në këtë periudhë të çuditshme. Ishte kuintesenca e mohimit. Dhe brenda këtij mohimi do të hyjë edhe mohimi i Kampionatit Kombëtar të Futbollit 1948-49 për të cilin askund nuk gjeje më as edhe një fjalë. Titujt e gazetave janë krejt të tjerë: “Shembulli sovjetik”; “Bazat shkencore të sportit sovjetik”; “Nder dhe lavdi trajnerëve përparimtarë të BRSS”; “Sportistët e Tiranës përgatiten për të festuar me madhështi ditën e Ushtrisë Sovjetike”; “Rroftë Ushtria e Lavdishme Sovjetike”; “Kalendari sportiv është mbështetur në eksperiencën e BRSS”. E tjerë, e tjerë… Kjo është klima sportive shqiptare deri sa mbërrihet te 30 marsi plenumas, fatal 1949…
PLENUMI I 6-të I FEDERATËS SPORTIVE SHQIPTARË (FSSH) gjithçka mund të kishte, por ajo që ai ka më pak është pikërisht sporti i mirëfilltë. Ose më mirë me thanë, ai i kushtohet vetëm politikës sportive të kohës, e cila mohon gjithçka ishte bërë deri në atë çast dhe synon të ndërtojë diçka krejt “të re”. Historia e sportit në Europë nuk ka njohur deri më sot një mbledhje, një kongres apo qoftë dhe një Plenum si ky i Shqipërisë i 30 dhe 31 marsit 1949, i cili ka pasur guximin të mohojë, të zhdukë, të shuajë, të shkrijë një veprimtari sportive të një kombi. Mjafton të përmendim katër vendimet të tij të pashembullta germë për germë sipas ortografisë së asokohe: ”
1. Neve dënojmë format, metodat dhe mënyrën e punës së gabuar të mbështetura n’ate të troskistave jugosllavë dhe të bazohemi rënjësisht n’eksperiencën të provuar të fiskulturës në B.S.
2. Dënojmë të gjitha vendimet dhe tërë punën e Plenumit të 5-të të F.S.SH. dhe konsiderojmë të paqenë ekzistencën e Këshillit e të Kryesisë së kooptuar në atë Plenum.
3. Plenumi vendos shkrirjen e F.S.SH. si organizatë si në qendër dhe poshtë në bazë së bashku me të gjitha kompetencat e saja. Organi Qendror, Gazeta “Sporti” të pushojë së ekzistuari, kurse llogaritë, materiali, arshiva, etj t’i kalohen Komitetit të Fiskulturës qendrës.
4.Shoqëritë bazë dhe sportklubet të pushojnë së ekzistuari mbas 31 majit të këtij viti”. Historia e Europës nuk njihte një rast të tillë që një shtet, një vend, një komb të merrte një vendim për të shkrirë gjithë klubet sportive, për të zhdukur gjithë veprimtaritë kombëtare sportive të zhvilluara deri atë ditë (“shoqëritë bazë dhe sportklubet të pushojnë së ekzistuari”). Është vërtet emblematike kjo që do të lexosh në komunikatën e Plenumit, e cila ndërmjet të tjera duket se thërret deri në qiell, kur thotë: “Për sa i përket aktivitetit sportiv, janë përqendruar te Lojnat Ballkanike që karakterizohen të padrejta, antimarksiste, të krijuara nga jugosllavët për qëllime politike”.
Deri më sot e kësaj dite nuk kemi askund ndonjë vendim a reabilitim të këtij vendimi. Ai është krejt i qartë dhe përderisa Lojnat Ballkanike “ishin të padrejta” dhe “antimarksiste të krijuara nga jugosllavët për qëllime politike”, kjo vetvetiu do të thoshte se Shqipëria nuk duhej të njihte as organizimin e tyre në Tiranë dhe titullin e Kampiones së Ballkanit të Kombëtares shqiptare. Mos duhet ta gjejmë te ky Plenum faktin që, edhe për këtë titull të madh të 1946-ës dhe mrekullinë e 1948-ës, u mbajt më mbas një heshtjeje aq e gjatë, deri andej nga fundi i viteve ’50…? Duke harruar ndërkohë se themelimi i Lojërave Ballkanike i përkiste vitit 1929! Dhe nëse ishte një vepër jugosllave (çka nuk është aspak e vërtetë), të paktën do të duhej të ishte vepër e Mbretërisë së Jugosllavisë dhe jo e Republikës Federative të Jugosllavisë Komuniste, e cila ishte themeluar në ilegalitet vetëm më 29 Nëntor 1943 në Jajce.
Plenumi i 6-të i FSSH-së vepronte si një kopje e Kongresit të 1-rë të PKSH-së. Ai mohonte deri në urrejtje vendimet e një Plenumi të mëparshëm të Federatës Sportive Shqiptare, atij të 5-të, duke e quajtur deri të paqenë dhe duke e shkurorëzuar pa mëshirë. Pikërisht ashtu siç sapo kishte vepruar Partia duke mohuar me të gjithë vendimet e tij të famshmin Plenum të 8-të PKSH. Dukej ndërkaq se ishte zgjatur pak si tepër që për 4 vjet organizmi më i lartë i sportit kishte mbetur po Federata Sportive Shqiptare themeluar qysh në kohën e Mbretërisë, që vuri themelet e sportit shqiptar. Ishte zgjatur po kaq shumë duke lënë në krye njerëzit e vërtetë të sportit si deri tani. Ndërkohë që duheshin gjetur patjetër “gabimet e mëdha” të bëra gjatë periudhës së idilit shqiptaro – jugosllav edhe në sport. Dhe ja justifikimi përmes deklaratës zyrtare të Plenumit të 6-të të FSSH: “Gjatë kësaj periudhe janë konstatue në sektorin tonë të meta të mëdha parimore, të cilat e kanë burimin tek ndërhyrja e poshtër dhe antimarksiste e trockistëve jugosllavë dhe të veglave të tyre të vendit tonë Koçi Xoxe e Pandi Kristo. Këto u përcaktuan në Plenumin e 5-të të FSSH që karakterizohet i padrejtë dhe kundra interesave të lëvizjes fiskulturale në vendin tonë.” E pra, mos ndoshta ashtu siç disa njerëz sot mohojnë, bie fjala, Kampionatet Kombëtare të Luftës (çka sigurisht nuk ia arrijnë), meqë paskemi një Plenum të Shqipërisë së Mbasluftës tashma do të na duhet të mohojmë, të mos njohim gjithë Kampionatet Kombëtare të zhvilluara në periudhën 1945-1948? Vendimi është krejt i qartë, apo jo? Shiheni edhe një herë: “Shoqëritë bazë dhe sportklubet të pushojnë së ekzistuari”. Asnjëherë në vitet e Regjimit Komunist, ky Plenum nuk u revokua…
KISHIM MBERRITUR TE TEORIA E SHKRIRJES, E MOSNJOHJES, E ZHDUKJES.
Pa shumë koment pra: për të kuptuar atë mohim të pamëshirshëm të pjesëmarrjes së Kampionateve Ballkanike të viteve `40 që bënte Plenumi i 6-të i FSSH-së, duhet thënë se mbas tij për 15 vjet me radhë Shqipëria nuk mori pjesë në asnjë aktivitet kampionatesh zyrtare të futbollit ndërkombëtar. Ky ishte izolimi i madh, vepër e këtij Plenumi datuar më 1949. Kësisoj, përderisa merret vendim për shkrirjen e klubeve sportive, për ndalimin e botimit të gazetës “Sporti”, doemos nuk përbënte problem as zhdukja e një kampionati futbolli, qoftë ky dhe kombëtar, siç ishte ai i vitit 1948-49.
Në mars 1949 Shqipëria në të vërtetë kishte anuluar gjithë lëvizjen e saj sportive, gjithë organizimin, gjithë përvojën, gjithë sportin kompetitiv, gjithë sukseset ndërkombëtare të arritura në aq pak vjet. Në një farë mënyre, ajo kishte anuluar edhe protagonistët më të mëdhenj të saj. Gradualisht bie pesha e një Anton Mazreku, Luigj Shale, Selman Stërmasi, Adem Karrapici, Qazim Dervishi, Ibrahim Dizdari e plot të tjerëve, të cilët e kishin bartur mbi supe sportin e Paraluftës për të rindërtuar diçka të re e vazhduese në gjithë këto vite `40.
Dhe kështu, pa thënë asnjë fjalë për kampionatin e vitit 1948-49, mbasi ai zhduket, shpallet se është krijuar Komisioni i Futbollit pranë Komitetit të Kulturës Fizike e Sporteve në krye të të cilit vendoset një anëtar i Komitetit Qendror të PPSH-së, me një nënkryetar dhe 4 anëtarë, të gjithë pjesë e PPSH-së, ku gjysma e tyre për fat të mirë kishin qenë futbollistë, madje edhe të kampionateve kombëtare të Paraluftës. Eshtë ky komision politiko-futbollistik, i cili drejton kampionatin e ri, atë të vitit 1949, që për çudi do të fillojë prej s’parit më 27 mars 1949 mbasi ishte shuar çdo gjurmë e atij 1948-49!
Për fat, midis atyre që morën sportin në dorëzim në atë vit famëkeq 1949, pati edhe kuadro të aftë e njerëz të mirë, të cilët u përpoqën ta shpëtojnë sportin shqiptar, zhvillimin e tij, njerëzit e tij, përvojën, traditën e tij. Dhe shpesh ia arritën, ndonëse kjo ka qenë tejet e vështirë edhe për ta, aq më tepër kur kujton se lufta e klasave tash nis e bëhet lajtmotiv edhe në sport. Do t’i paraprijë, përveç të tjerave, një shkrim programatik me titullin “Sporti në luftën e klasës”, ku theksohej se “borgjezia e ka përdorun qysh në krijimin e saj sportin si një armë në luftën e saj të klasës” dhe se “sporti i demokracive popullore bëhet një armë në luftën e klasës punëtore me në krye Partinë Komuniste”. Shkruhet kështu në artikullin programatik të shtypit shqiptar duke u sanksionuar ajo që rrufeshëm do të niste: kërkimin e armiqve edhe te sportistët shqiptarë.
Historitë janë të pafundme. Plenumi i 6- të i Federatës Sportive Shqiptare i vitit 1949 ishte starti i asaj çka edhe në këte fushë nuk do të pushonte deri më 1990. E rëndësishme ishte se në të famshmen ditë të 31 marsit 1949, Shqipëria nuk ka më Federatë Sportive Shqiptare dhe nuk ka më as Federatë Shqiptare të Futbollit. Ka një komision, i cili për gati 20 vitet e ardhshme me radhë do të shuajë pikërisht Federatën Shqiptare të Futbollit, çka simbas logjikës të disa të nxituarve të vitit të sotëm 2013, vetvetiu do të kishim të drejtë të mos i njihnim gjithë Kampionatet Kombëtare të Futbollit që janë zhvilluar në 20 vjetët e ardhshëm, deri përtej viteve `60!…
DHE: “PARTIZANI – KAMPION I VJESHTES 1948-49″!
Kështu po e përcaktojmë në këte epilog të Dossier-it tonë. Ashtu siç i njohim tashma si Kampione të Shqipërisë Sportklub Tiranën e vitit 1939 e 1940 dhe Vllazninë e vitit 1940. Madje jo vetëm duhet quajtur, por duhet pranuar si i tillë. Dhe i kthehemi edhe njëherë vitit 1949, duke përsëritur edhe njëherë njërin prej vendimeve të Plenumit të 6-të, atë të pikës 3, që thotë: “Gazeta ‘Sporti’ të pushojë së ekzistuari”. Thuajse me urrejtje. Pra, nuk thuhet “të ndërpritet për disa ditë”, por “të pushojë së ekzistuari”. Më 6 maj 1949 gazeta “Sporti” mbasi nuk ka dalë për një muaj, rifillon nga e para, tash me emrin “Sporti popullor”, Viti 1, Nr.1! Me një të rënë të lapsit fshihet pa asnjë shkak një histori. Shqipëria bëhet edhe në këte rast i pari vend i Europës që mallkon gazetën e saj sportive. Kishte zhdukur “Sportin Shqiptar” të Mbretërisë, ndonëse kishte qenë një nga gazetat e para sportive në Ballkan. Tash zhdukte edhe gazetën e vet të
Mbasluftës me të gjithë 172 numrat e saj deri në atë ditë të 3 prillit 1949! Autori i këtyre radhëve ndihet fatlum që më 28 nëntor 1995, me cilësinë e kryeredaktorit, mbasi risolli “Sportin Shqiptar”, i bashkoi të gjithë numrat dhe vitet e tri periudhave të gazetës sportive shqiptare, duke ia skalitur vitin e themelimit 28 nëntor 1935.
Kurrë historia nuk mund të zhduket. Nuk mund të zhduket as kampionati i parë shqiptar i stilit europianoperëndimor i vjeshtë-pranverës 1948-49. Ai është aty, sepse ai është zhvilluar, sepse ka qenë kombëtar, sepse janë zhvilluar ndeshje të rregullta, zyrtare, simbas rregullores ndërkombëtare të FIFA-s. Ka fituar Partizani periudhën e parë të tij, duke u bërë “Kampioni i parë i Vjeshtës” në kampionatet kombëtare të Shqipërisë.
Por e ka shuar Partia. E ka shuar Plenumi. Kampionati mbasardhës ka filluar më 27 mars 1949 dhe kur rifillon botimin e saj gazeta “e re” sportive më 6 maj 1949, ajo e gjen këte kampionat në javën 6 të tij, duke u regjistruar fakti tjetër gjithashtu si një rast botëror, që thotë se kampionati kombëtar i një shteti 6 javët e para nuk i ka përshkruar, nuk i ka konfirmuar në shtyp, nuk ka dhënë rezultatet! Dhe për një muaj, nga 3 prilli kur del numri i fundit i gazetës “Sporti”, e deri më 6 maj 1949 kur rifillon gazeta, tash e quajtur “Sporti Popullor”, rezultatet e kampionatit i shpëton vetëm një tabelë përmbledhëse. Kampionatin Kombëtar të Futbollit 1948-49 nuk e vëmë dot në vend. Nuk e vëmë në vend sepse ai mbërriti vetëm deri në mes të rrugës së tij për shkak të një vendimi absurd, jokombëtar, të një politike kundërshqiptare.
Kurrë nuk është vonë megjithate. Kurrë nuk është vonë për të ndërmarrë veprime edhe mbas shumë vjetëve për hir të historisë. Klubi Partizani ruan të drejtën, si të thuash, vetjake, për të krijuar një medaljon apo medalje për t’ua dhënë bijve të atyre futbollistëve “Kampionë të Vjeshtës” 1948-49, të atij kampionati që edhe pse mbërriti vetëm deri në gjysmë të rrugës së tij, i tregoi Shqipërisë se duhej t’i përngjante sadopak Europës Perëndimore… Kemi konfirmuar dhe bërë të njohur Kampionatet Kombëtare të periudhës së Luftës. Konfirmuam dhe bëmë të njohur kampionatin e zhdukur 1948-49. Ndoshta do të kemi punë me kampionate të tjerë, qoftë dhe me ndonjë prej atyre që nga jashtë të duken më të rregullt se kurrë, ndonëse në mbrapaskenë kanë shumë për të shpalosur, e pse jo, edhe për të ndrequr. Ndoshta do të kemi punë edhe me vetë “epokën” e jetuar dhe të pajetuar të vetë Federatës Shqiptare të Futbollit, të djeshme e të sotme…
Kaluan afër njëzetepesë (26) vite që kur shqiptart nga Kosova arriten te jenë pjesë e organizimit të manifestimit më të madh sportiv ndërkombëtar. Sportisti i shekullit Aziz Salihu ishte sportisti i parë nga Kosova që ka arritur të marrë pjesë në tri olimpiadan në vitin 1984 ai arriti të mbajë në gjoksin e tij medaljen e bronztë në Los Angeles. Megjithatë pjesmarrëja e shqiptarëve ne lojërat e 50 me radhë në Londër do të jetë një kujtesë e paharruar për të gjithë, për pjesmarrjen në këtë eveniment mirëpo për xhudisten Majlinda Kelmendi.
Me një angazhim të madhë, Majlinda arriti të jetë pjesë e olimpiades pas disa viteve, me çka të lenë të kuptojesh së tashmë janë thyerë barierrat sportive për të dalur në arenën ndërkombtare. Ekeleda Berisha hyri në histori si shqiptarja e parë që mbanë pishtarin e flakes olimpike e cila merret me aktivitete sportive për fëmijët me karriga me rrota në qytetin e Londres. Romela Begaj me flamurin kuqezi nisi marshimin e saj drejt stadiumet të pagëzuar si “ishulli i çudirave”, një emocion i madh kur shihej flamuri kuqezi që valëvitej në pistën e Londrës. Futbollistja me prejardhje nga Kosova, Kosovare Asllani ishte tjetra femerë që na përfaqësojë me reprezentacionin e Suedisë në Futboll në kuadër të lojtarëve Olimpike.
Aspekti psikologjikë në mos suksese
20 vjeçarja nga qyteti më perendimore i Kosovës, Peja ishte shqiptarja e parë që arriti të dale në tartamin (parterin) olimpikë. Paraqitja e xhudistes, Majlinda Kelmendi në lojerat Olimpike të Londres 2012 është një senzacion i vertet për sportin shqiptar në përgjithesi dhe për atë të Kosoves në veçanti. Paraqitja e sajë në tartamin e xhudos në përballje e parë lenë të kuptojësh se ishte një sportiste kulmore, megjithatë arriti të rrembej një fitore të letë në dallimi me kundërshtare e saje, me çka edhe u kualifikua në 1/8 e finales. Në paraqitjen e dytë, ishte menduar se ajo nuk do të ketë veshterësi, mirëpo ndodhi e kundërta ato që as një shqiptar nuk e kishte pritur nga ana e Majlindes. Aspekti psikologjikë është një nga prokupimet kryesor të sportit të Kosovës e po ashtu edhe të Majlinda Kelmendi ishte shfaqurë problemi i njejtë me të cilën arrite te eliminohet, me çka përfundimishtë sportit shqiptar ju shuhen ëndërrat për nje medale në lojrat e Londrës. Megjithatë xhudistja, Majlinda Kelmendi edhe kandidatet të tjera mbeten për Olimpiadën e vitit 2016 në Brazil.
Mos suksesi i të tjerëve
Pasi xhudistja, Majlinda Kelmendi u eliminua që në fazën e 1/8 të njejtin fati e pati edhe Romela Begaj peshëngritësja shqiptar e cila realizojë vetëm 2 prova. Ajo nuk arriti të zhvillojë një garë të mirë, megjithatë ajo e nis mirë garën duke ngritur në provën e parë 101 kg dhe lenë të shpresojë për një garë të mirë në baterinë e ardhëshme. Begaj provon të ngritë 105 kg mirëpo ajo dështoj, madje në proven e tretë nuk arrin që të ngrej ketë peshë duke u mbyllur në vendin e tetë në rangelisten e kësaj kategorie. Atleti i hedhjes së gjyles, Adriatik Hoxha eliminohet në etapën e parë të “Mbretreshes së Sportit”. Ku nga 40 atletë hedhesi i gjyles Hoxha ishte i 37. Po ashtu valles së deshtimeve ju bashkuan edhe Noel Borshi e Sidni Hoxha notare shqiptare të cilat përveq thyen rekordete personale nuk arriten asgje me shumë. Qitësi shqiptar, Arben Kucana arriti të jetë i renditur i 20 në botë në diciplinën e 10 metrave pistolet në ajer duke grumbulluar vetëm 577 pikë në total, por nuk arrit të hyrë në finale e qitjes botërore. Peshëngritësi tjetër, Brigen Calja arriti të jetë më i mirë në 69 kg me ketë arrit të renditet vetëm i 9 me radhë. Po ashtu në peshëngritje është pritur mjaftë shumë edhe nga Endri Karinës, mirëpo ai nuk është futur as në grupin e pretendentëve. Dështimi i pa pritur i Klodiana Shales në garën e 200 metrave, e cila nuk arriti të jetë pjesë e garës në rrugëtet (shtigjet) e shkurtëra e cila është tërhequr për shkak të një lëndimi në stërvitje.
Goditja nga dopingu
Pas disa skandaleve nga sportistët shqiptar gjatë viteve të kaluara edhe dy peshëngritës shqiptar tashmë janë pozitiv në doping. Erkan Qerimaj i prinë valles si kampionë europianë në peshëngritje, që gjatë kontrollit antidoping ka dalur pozitiv. Qerimaj pasi që ka berë testimin e urinës, tregonë së urina e tij përmbahet nga një substancë e familjes “Metyl Hexanamine” e cila në sportin elitarë është e ndaluar. Gjatë nenështrimit të analizës së parë tetë (8) ditë para gares së kampionati Europianë ka dalur negativisht. Ndërkohë të analizen e dytë e ka berë ditën e garimit me çka ka paraqitur me rezultatë pozitiv përkatësishtë sipas udhëzimeve të shtëpisë botërore të peshëngritjes substanca e dopingut është gjetur në nutrientet e ushqimore, e cila ndikonë në rritjen e energjisë dhe në humbjen e peshës. Gjatë kontrollit antidoping të nënshtruar në ditën e arritjes në Fshatin Olimpikë në Londër ka rezoltuar edhe Hysen Pulaku pozitiv në doping. Pulaku pas që ka dalur pozitiv në doping, atij qysh në diten e parë i janë shuarë shpresa që të garoj në diciplinën e 77 kg në peshëngritje.
Makrocikli olimpik
Ndryshe siq njohet në procesin e stërvitjes markrocikel katër (4) vjeçar i përgatitjesë së sportistëve për gara olimpikë. Mungesa e një plan programit makrocikel katër vjeçar vjen deri në dështimin e të gjithë sportistëve e ekipeve kombëtare. Megjithatë nese planifikohet keto ditë për vitin 2016 për lojërat 2016 të Rio de Janeiro atë herë do të presim rezultate kulmore dhe të nivelit cilesorë. Mirëpo tek ne ndodhë e kundërat, pas një deshtimi nuk ngritemi mirëpo përkundërazi rrëzohem (bimë) poshë e më poshtë e në fakt duhet jetë e kundërat. Me gjithatë ketë qe thame më lartë janë të arsyshme për te arritur medale olimpike e fitimin e trofeve ndërkombëtar. Shembull, si model mund të marrim atë të shteti Kinez për përkushtimin e sportistëve për punë profesionale, e pedagogjike-didaktikore e shkencor po ashtu për orijetimin dhe seleksionimin e fëmijeve qysh në moshën e arsimit fillorë. Po ashtu mos të harrojmë edhe modelin Amerikane të cilët zhvillojën të punojen me përkushtim shumë të veçantë në punën me grupmosha të reja. Modele të këtilla janë për zhvillimin, masovizimin, ngritjen dhe përparimin e sportit kombëtar, mirëpo me megjithatë seleksionimi dhe orijentimi me të rinjët, duhet të jetë një nga pikësynimet kryesor të sportiti shqiptarë në përgjithësi dhe atij të Kosoves ne veçanti,thekson Pedagogu i shkencave sportive dhe Mr. Sc. Artan KRYEZIU.
Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ka reaguar ndaj idesë së ripërsëritur për ligë të përbashkët me Shqipërinë, të cilën e shpalosi kryeministri shqiptar, Sali Berisha.
Ideja është trajtuar shumë herë më herët dhe në kohë më të vështira, por pengesat juridike nga UEFA e FIFA janë problemet më të mëdha të realizimit të kësaj ideje, sipas drejtuesve të FFK-së.
“Kjo punë i takon vetëm Federatave të futbollit të dy vendeve. Kosova vazhdon të jetë peng i ndërkombëtarizimit dhe anëtarësimit të saj në UEFA e FIFA, vetëm pas zgjedhjes së këtij problemi ia vlen të ridiskutohet kjo çështje. Po ashtu duhet parë edhe gatishmërinë që mund të ketë në këtë çështje Federata shqiptare e futbollit”, tha zëdhënësi i FFK-së, Fazli Berisha.
“Propozimet si kjo janë dhënë shumë kohë më herët, dëshira ekziston por problemi është në anën juridike nëse kjo mund të realizohet, pra pengesë janë rregullat në fuqi të UEFA-së e FIFA-së. Nuk është koha për deklarata të marketingut politik me mjete të sportit”, tha Berisha.
Liga e përbashkët është diskutuar prej kohësh në forume të ndryshme, ndërsa FC Prishtina para një viti kishte bërë kërkesë zyrtare për inkuadrim të saj në ligën e Shqipërisë, kërkesë e cila ishte mohuar për arsye juridike dhe teknike.
FFK dhe FSHF kanë marrëdhënie të mira bashkëpunimi me zhvillimin e disa ndeshjeve të përfaqësueseve të grupmoshave të ndryshme, ndërsa së fundi FSHF ka ndarë edhe një fond ndihme për FFK-në.
Gjatë një bashkëbisedimi me sportistë dhe studentë të Universitetit të Sporteve në Tiranë, kryeministri shqiptar Prof.dr.Sali Berisha nënvizoi se gjatë katër viteve të ardhshme, do t’i japi një mbështetje të fuqishme zhvillimit të sportit në vendin tonë.
"Përpjekje janë bërë këto vite për zhvillimin e sportit. Pak vite më parë ne përuruam këtë universitet, duke besuar se ai ka një rol thelbësor në formimin e mësuesve e pedagogëve, nxënësve e studentëve. Ne kemi rritur financimet për federatat sportive, për stadiumet dhe terrenet sportive. Disa arritje janë të lakmueshme, por të tjera janë plotësisht të mundshme për tu realizuar në 4 vitet që vijnë", tha kryeministri.
Në lidhje me hartimin e një programi për sportin, Berisha ftoi studentët që të japin sugjerimet e tyre. "Strategjia jonë për mbështetjen e sportistëve do të jetë së pari një subvencionim më i fuqishëm i të gjithë veprimtarive të federatave. Ne besojmë se shtrirja e terreneve sportive në mbarë vendin, pajisja e të gjitha shkollave me palestra moderne, krijimi i terreneve sportive në çdo lagje dhe komuna të vendit, do të bëjë të mundur një pjesëmarrje më masive, nga e cila do të dalin më të mirët", tha më tej Berisha.
Shtrohet pyetja:
Po pse shteti nuk e ka në vëmendje sportin?
Pse politikat sportive janë në dëm të zhvillimit të sportit?
Deri kur sporti do të vazhdojë të qëndrojë në varësi të politikës?
A do të vazhdojnë të largohen më sportistë si Elis Guri për faj të politikave të gabuara?
Politika e ka mbërthyer sportin prej gryke dhe njerëzit e veshur me pushtet flasin me zell të madh, në kohë fushate apo në studio televizive, por kur vjen momenti për të bërë ligje që të përmirësojnë dhe rrisin cilësinë sportive, ata kthehen në demonë
Largimi i Elis Gurit nga Shqipëria me destinacion Bullgarinë, mund të konsiderohet si një nga goditjet më të rënda që ka marrë sporti shqiptar në 20 vitet e fundit, edhe pse “shteti” mburret me faktin se është i vetmi sportist që “braktisi atdheun”,
që nga eksodi masiv i fillim viteve ‘90, me Pirro Dhimën, Luan Shabanin, Viktor Mitru, Mirela Manjani, etj.
Madje më paradoksale është kjo ngjarje kur dëgjon ministrin e Sporteve që me krenari thotë se kjo mund të quhet një arritje, përderisa lëvizja e lirë është një mundësi e mirë për të gjithë shqiptarët. Por kjo është një goditje shumë e rëndë.
Nëse 20 vite më parë mund edhe të pranonim faktin, ashtu siç edhe ndodhi, se ishte e pamundur që legjendat e peshëngritjes apo atletikës të bënin sport në Shqipëri, sot pas 20 vjetësh demokraci kjo është e pafalshme.
Vërtetë jemi një vend i vogël dhe me një situatë ekonomike jo shumë të favorshme për të bërë sport apo për të përgatitur kampionë bote, por shteti është në gjendje që të mbajë 10 sportistë cilësorë për aktivitetet më të rëndësishme sportive botërore dhe europiane,
ku ngrihet flamuri dhe këndohet himni, madje duke i krijuar këtyre sportistëve edhe kushtet më të mira të mundshme.
Si të gjitha aspektet e tjera të jetës edhe sporti është mbërthyer në politika prej gryke dhe njerëzit e veshur me pushtet po ia marrin frymën në mënyrë graduale.
Për sportin të gjithë flasim me zell të madh, në kohë fushate apo në studio televizive, të gjithë duan biletën më të mirë në kur stadium vijnë skuadrat më të mira të botës, por kur vjen momenti për të bërë ligje që të përmirësojnë dhe rrisin cilësinë sportive,
politikanët kthehen në demonë dhe devijojnë pretimet, në kurriz të sportit. Madje ka edhe nga ata që kanë bërë për shumë vite sport dhe të veshur me kostumin politik të njërës apo tjetrës parti, ngrejnë në mënyrë barbare kartonin në dëm të sportit.
Po pse shteti nuk e ka në vëmendje sportin? Pse politikat sportive janë në dëm të zhvillimit të sportit? Deri kur sporti do të vazhdojë të qëndrojë në varësi të politikës? A do të vazhdojnë të largohen më sportistë si Elis Guri për faj të politikave të gabuara?
Largimi i Elis Gurit nga Shqipëria
Pak kohë më parë të gjithë mësuam lajmin e jashtëzakonshëm, që Elis Guri u shpall kampion bote. Për fat të keq për Bullgarinë! Politikanët tanë për të hequr prej vetes përgjegjësinë, deklaruan se Elis Gurin e largoi vetë sporti,
më saktë Komiteti Olimpik Shqiptar, që pezulloi sportistin për gjestet antisportive në Asamblenë e KOKSH. Por një dokument i zbuluar nga federata e mundjes mësohet se sporti më i madh në 20 vitet e fundit, i dalë nga sporti shqiptar është lejuar në mënyrën më banale të largohet nga Shqipëria.
Pas kërkesës së vazhdueshme të Bullgarisë, pak ditë përpara zhvillimit të Asamblesë Klubi Dinamo dhe Federata e Mundjes, i kishin dhënë lejen e largimit sportistit, duke ia bërë gati Bullgarisë një kampion të madh.
Edhe në këtë rast Elis Guri u përdor nga politika, për të prishur Asamblenë Zgjedhore të KOKSH, e më pas si shpërblim i dhanë mundësinë të garonte në një vend tjetër, atëherë kur ishte pothuaj gati të shpallej kampion me Shqipërinë.
Vendi i 8-të në Olimpiadën e Pekinit ishte një sinjal jo për trajnerin e tij apo federatën e mundjes, por për shtetin, që me krahët e këtij kampioni të ngrinte flamurin shqiptar në një olimpiadë.
Infrastruktura, asnjë ndërtim i ri
Shteti trumbeton prej kohësh demagogjinë se e ka vëmendjen të lartë te sporti, madje duke investuar në ambiente sportive, por duket se këtu thyhet edhe maja e lapsit.
Thuhet lapsi pasi edhe në ato pak raste kur flitet për sportin, bëhet gjatë fushatave elektorale, ndërsa premtimet mbeten vetëm në kronikat televizive.
Vetë ministri aktual i sporteve pak kohë më parë me mburrje deklaroi se është bërë një investim shumë i madh në infrastrukturën sportive, por edhe në këtë rast gënjeshtra është aq e madhe dhe e dukshme,
sa nëse do të zhvishej nga kostumi i zyrtarit, do t’i vinte zor edhe vetë atij nëse do të dëgjonte këto deklarime.
Asnjë impiant i ri sportiv, asnjë palestër, fushë, apo pista vrapimi nuk janë ndërtuar gjatë 20 viteve të fundit, por më e keqja është se edhe ato ekzistuese janë duke u rrënuar krejt. Prej kohësh kompleksi Partizani nuk ekziston më,e fatin e tij do të kenë së shpejti dhe ai Dinamo, e shumë të tjerë në të gjithë Shqipërinë. Sporti nuk luhet e zhvillohet nëse nuk ekziston një infrastrukturë e mirë dhe në Shqipëri një gjë e tillë është krejt e pamundur për t’u bërë.
Ka më shumë se dy vjet që flitet për ndërtimin e një stadiumi të ri kombëtar. Madje u përcaktuan edhe limitet kohore të realizimit, por askush nuk e di sot e kësaj dite nëse do të ketë një impiant të tillë,
ndërkohë UEFA dhe organizmat e tjera ndërkombëtare kanë hequr edhe të vetmin stadium kombëtar nga lista e ambienteve të mundshme për të zhvilluar aktivitete ndërkombëtare.
Federatat me dy koka
Një nga “çmenduritë” që është shfaqur shumë shpesh vitet e fundit është ajo e ekzistencës së federatave me dy drejtues ose e thënë ndryshe nga dy presidentë, duke bërë që përfaqësimi në aktivitete kombëtare dhe ato ndërkombëtare të marrë drejtimin e gabuar.
Mundja, noti, gjimnastika, shahu, por edhe shumë federata të tjera kanë humbur pafund talente dhe sportistë, teksa kapriçot e tekat e njërit apo tjetër president kanë marrë peng disiplinat përkatëse. Shumë sportistë nuk kanë mundur të bëjnë përpara,
e më keq akoma duke mos u përfaqësuar asnjëherë, edhe pse kanë patur shumë për të dhënë. Ka edhe nga ata sportistë që për shkak të mosmarrëveshjeve mes palëve kanë kërkuar largimin nga Shqipëria. Shteti i pafuqishëm për t’i dhënë zgjidhje,
e më keq akoma kur në të shumtën e rasteve favorizon njerëzit e gabuar, i bën një dëm të madh sportit dhe sportistëve, që humbasin stërvitjen, vëmendjen dhe në fund edhe garën. Njerëzit e vërtetë të sportit “bredhin” nëpër dyert e gjykatave, në kërkim të një të drejte që asnjëherë nuk lexohet drejt!
Olimpiada pa sportistë
Përfaqësimi i Shqiprisë në Lojërat Olimpike ka patur një rritje progresive në vitet e fundit dhe ndër të tjera përfaqësimi është bërë falë kualifikimit individual dhe ekipor për sporte të ndryshme, ndryshe nga shumë herë të tjera ku ishim në pritje të ftesave inkurajuese nga Komiteti Olimpik Botëror.
Shqipëria është përfaqësuar në Lojërat Olimpike vetëm 6 herë që nga viti 1972 në Mynih të Gjermanisë dhe përfaqësimi ka qenë gjithnjë shumë modest, duke nisur që nga marrja e ftesave e deri në pjesëmarrjen në aktivitet.
Në vitin 2000 në Sidnej të Australisë Shqipëria u përfaqësua me vetëm katër sportistë, dy atletë, një qitës dhe një peshëngritës.
Katër vjet më vonë në Athinë me shtatë sportistë, dy atletë, dy peshëngrits, dy notarë dhe një mundës dhe në vitin 2008 në Pekin, ku si asnjëherë më parë Shqipëria u përfaqësua me 11 sportistë, dy mundës, dy atletë, një qitës, tre peshëngritës, një xhudist dhe dy notarë.
Madje Olimpiada e fundit ishte një arritje shumë e madhe, duke marrë parasysh që nga këta sportistë vetëm tre prej tyre ishin me ftesa, ndërsa pjesa tjetër erdhi me kualifikim të drejtpërdrejtë dhe ekipor, sipas disiplinave.
Por kur duken më pak se 10 muaj nga Olimpiada e radhës, ajo e Londrës 2012, Shqipëria ende nuk ka asnjë sportist të kualifikuar dhe kjo e bën të shëmtuar situatën. Askush nuk ka punuar me seriozitet në institucionet përgjegjëse, qofshin këto politike dhe sportive.
Nëse federatat rrinë me sytë nga ministria, për të përfituar ndonjë copësh shpërblimi, nga institucioni politik ka vetëm një ngërdheshje, shumë të shëmtuar, pikërisht nga njerëzit që përfaqësojnë sportin në shtet.
Shumë prej sportistëve djersisin çdo ditë më shumë punë, por askush nuk është ‘i ngopur’ dhe i qetë për të arritur suksesin.
Politikat sportive
Është e qartë që lidhja e sportit me politikën është e pandashme, por kjo duhet të bëhet në një kontekst të drejtë. Themi të drejtë pasi politika duhet të jetë promovuese, mbështetëse dhe shtytëse e sportit dhe vlerave të tij, duke hartuar dhe zbatuar ligje dhe politika zhvillimi.
Por një gjë e tillë nuk ndodh, madje edhe ato ligje që politika harton më shumë e dëmtojnë sportin. Njerëzit që mendojnë se hartojnë politikat sportive janë veçse disa demagogë, të veshur me kostumin e partisë në pushtet, që nëpërkëmbin dinjitetin dhe vlerat sportive. Të “mbytur” me një grusht para të “vjedhura” po nga xhepat e sportistëve, këta njerëz që e cilësojnë veten si njerëzit e sportit, nuk bëjnë gjë tjetër veçse shtojnë agoninë e tij.
Disa shesin mend me enciklopedira boshe, shumë të tjera me tema shkencore të paprovuara, të tjerë me programe tenderash, e shumë të tjerë me thashetheme zyrash të harruara prej vitesh.
Më të turpshëm këshilltarët e ministrisë, që kur rrota u kishte zënë bishtin të bënin detyrën në pankinat e varfra, luteshin që sporti të binte në duart e sportistëve, e tani që shohin nga tribuna janë kthyer veçse në ca shushunja të pangopura për para e rryshfet.
E shëmtuar është fytyra e tyre, kur luten për një rrugë jashtë shtetit, në duar mbajnë firmën për fondet e aktiviteteve sportive të rëndësishme për disiplina të ndryshme. Rasti më i fundit dhe më banal është ai i peshëngritësit Erkand Qerimaj. Deri në javën e fundit përpara startit të botërorit kualifikues, sportisti që ka sjellë më shumë medalje së asnjë sportist tjetër për Shqipërinë i bën një shantazh të vërtetë.
Mes një vendi krejt absurd dhe arrogant drejtuesit e federatës i hoqën trajnerin personal, duke e lënë në mëshirë të fatit për këtë aktivitet. Çështja mori një jehonë të madhe mediatike dhe shumë shpejt çështja shkoi në veshin e kryeministrit. Vetëm me një telefonatë gjithçka u vendos në vend dhe Qerimaj gjeti drejtësinë. Po për sa kohë sporti do të drejtohet nga këta katilë që politika i vendos jerm për politika klienteliste?
KARIERA E SPORTISTEVE SHQIPTAR
Luiza Gega eshte e lindur në Durrës, datëlindja 05.11.1988
Luiza garon në sportin e Atletikës, në disiplinat e 800m, 1500m dhe 3000m.
Luiza ka mbaruar shkollën e mesme “Mjeshtria Sportive Durrës”në vitet (2003-2006).
Ajo ka vazhduar studimet pranë Universitetit t
ë Sporteve Tiranë dhe aktualisht vazhdon masterin shkencor viti 2-të.
Rezultate sportive viti 2011-2012
- Mars 2011, Paris Kampjonati 31 Europian në 800m ka rezultatin 2:08:34sec
- 28 Gusht – 3 Shtator 2011, Daegu, Korea Kampionati Botëror në 800m, vendi 20të me rezultatin 2:03”11sec,
- 18 Shkurt 2012, Kampjonati Ballkanik (Indoor) Stamboll, në 1500 m, vendi parë, Medalje Ari, me rezultatin 4:10:75 sec.
Besmir Banushi eshte i lindur në Vlorë , datëlindja 04 .07. 1988
Aktualisht trajnohet me skuadrën S.C.Cene-Valle Seriana A.S.D. në provincën e Bergamos , në Itali
Mbaruar shkollën e mesme në gjimnazin” HALIM XHELO” 2002-2006. Çiklizmi ka qenë pasioni që prej moshës 10 vjeçare që e ka praktikuar me çdo lloj biçiklete. Në 2002 është bërë pjesë e klubit të Flamurtari.
Por nuk është vetëm çiklizmi në jetën e Besmirit. Ai thotë se i kushtohet më shumë se gjysmën e kohës këtij sporti , por i pëlqejnë dhe llojet të tjera të sporteve :i pëlqen të notoj shpesh here dhe ka marrë pjesë shumë herë edhe në maratonat e vrapimit …
Rezultatet e tij tregojnë se është renditur si FITUES i Kampionatit Ballkanik në 2008 në Maqedoni Bitola, -në Turin e Rumanisë renditur i 4-ti në klasifikimin e përgjithshëm – si dhe fitues i dy Rretheve Çiklistike 2010- 2011 dhe garave të fundit në Itali ku klasifikohet i 3-ti në Ciriè/Pian della Mussa (Torino)/ G.Premio Inda (Varese) I 6-ti me 09/10/2011 me 24 T. S. Serafino Monte Granaro (Macerata) i 2-ti
Objektiva të afërta për tu arritur për Besmirin janë të shumta por ato që don më shumë është të bëhet një çiklist i nivelit të lartë botëror. Ëndërra e tij është të marrë pjesë në Tour de France, ndërsa më konkretisht për këtë vit objektivi tij është të marrë pjesë në sa më shumë aktivitete kualifikuese për qenë pjesë e Ekipit Shqiptar në Lojërat e XXX Olimpike Verore “Londër 2012”
Erkand Qerimaj eshte i lindur në 10 Gusht 1988 në Shkodër, ku ka mbaruar shkollën e mesme dhe vazhdon të jetojë.
Erkandi ka mbaruar studimet për juridik në Universitetin “Marin Barleti” në vitin 2010 dhe vazhdon studimet në vitin e tretë në Universitetin e Sporteve në Tiranë.Angazhimi i tij me sportet ka filluar që në moshën 10-vjeçare në Klubin e Sporteve “Vllaznia”dhe nuk ju desh shumë që të gjente se cila disiplinë sportive ishte ajo që e apasiononte më shumë.
Aktualisht ai garon në kategorinë e peshës 77 kg, dhe i dedikohet stërvitjes së tij 5 deri 6 orë në ditë.
Por përveç peshëngritjes ai ka pasione të tjerë ku disa prej tyre nuk ndahen nga sporti . I pëlqen ping pongu, noti dhe motorrat e ujit.
Në Kampjonation Botëror të zhvilluar në 2011 në Paris, Erkandi u rendit i 11-ti në klasifikim.
Erkandi ka qenë pjesëmarrës në Olimpiadën e fundit “Pekin 2008” dhe synon pjesëmarrje me rezultate të larta në Olimpiadën e “Londër 2012”
Romela Begaj eshte i lindur në 02.11.1986. në Tiranë.
Romela garon në peshën 58 kg.
Ka mbaruar studimet në Akademinë e Sporteve “Vojo Kushi”, 2005-2010, dhe është një nga sportistet e cila ka shfrytëzuar dhe eksperiencat e saj gjatë viteve 1994-2005 pranë Cirkut të Tiranës të cilat kanë ndikuar në profilin e saj si sportiste.Rezultatet e saj të mira ajo ja dedikon vullnetit dhe këmbënguljes së saj, por dhe kujdesit dhe përkushtimit të familjarëve të saj.
Në Lojërat Olimpike “Pekin 2008” Romela zuri vendin e VI të klasifikimit të përgjithshëm.
Ndër rezultatet e saj më të fundit mund të përmendim Kampjonatin Botëror të zhvilluar në Paris, ku ka zënë vendin e tretë , medalje bronxi ndërsa në renditjen përfundimtare u rendit e 8-ta.
Objektivi më i afërt në të cilin ajo synon është kualifikimi në “Londër 2012” dhe aktualisht po përgatitet në Greqi për Kampionatin Europian të radhës në muajin Prill, Antalja Turqi.
Majlinda Kelmendi [shte e lindur në 09 Maj 1991 , në Pejë , Kosovë.
Majlinda praktikon sportin e Judos dhe konkuron në kategorinë e peshës 52 kg.
Majlinda jeton në Pejë ku ndjek studimet në Fakultetin Ekonomik në vitin e dytë dhe njëkohësisht zhvillon stërvitje e ndjekur nga trajneri i saj Driton Kuka. Majlinda është një nga sportistet e cila ka praktikuar stërvitjen dhe nëpër qendra të tjera stërvitore si në Zvicër dhe Slloveni, çdo herë para aktiviteteve të rëndësishme kualifikuese për Olimpiadë.Aktualisht Majlinda është klasifikuar sipas listës së Federatës Ndërkombëtare të Judos në vendin e V-të.
Majlinda do të vijojë pjesëmarrjen në aktivitetet vijuese deri para Olimpiadës për të ruajtur pozicionin aktual në renditjen botërore, si Kampjonati Europian në Prill 2012 që do zhvillohet në Rusi dhe aktivitete të tjera kualifikuese sipas kalendarit të Federatës Ndërkombëtare.
Fatjon Bare eshte i lindur në Kukës me datë 8.04.1987.
Fatjoni garon në sportin e mundjes, disiplina stil i lire në peshën 96kg.
Vendbanimi ne Tiranë dhe aktualisht i punësuar si Kryeinspektor, në Inspektoriatin Urbanistik të Komunës Vaqarr.
Fatjoni ka mbaruar Shkollën e Mesme të Bashkuar në Vaqar në vitin 2001-2005, dhe mbaruar studimet e larta në A.E.F.S “Vojo Kushi”, Tiranë, 2005-2009.Ai është angazhuar me sportin e mundjes që në moshën 13 vjeçare me Sport Klub Tiranën. Që në këtë moshë ky sport është kthyer në pasionin e tij më të madh dhe i dedikohet atij me shumë përkushtim duke u stërvitur çdo ditë deri në 5 orë. Përveç mundjes atij i pëlqen çdo lloj sporti tjetër por me miqtë e tij i pëlqen më shumë të luaj futboll.
Rezultatet e fundit të Fatjonit për vitin 2011 ishin në shtator Kampjonati Botëror i renditur i 10-ti në Botë dhe në Kampjonatin Kombëtar nëntor 2011, i shpallur Kampjon i vendit.
Për Fatjonin aktiviteti më i afërt është Kampjonati Europian në Mars të 2012 dhe aktivitetet kualifikuese në Prill 2012, për të cilat ai po pregatitet për të siguruar kualifikimin për në “Londër 2012”
Nese i hedh nje sy Rilindjes socialiste te Rames e Fidelit, gjen absurditete nga me te ndryshmet, por nuk ka asnje rresht per Rilindjen Fideliane te sportit. I vetmi togfjalesh qe lexon, eshte ky paragraf: “ne do te kthejme shkollen ne nje mjedis qe do te ofroje jo vetem arsim, por edhe edukim, lende te formimit kulturor, sportiv, edukativ” e me poshte tek prioritetet thuhet: “cdo gjimnazist do te duhet te zgjedhe nje prej ketyre lendeve si muzike, aktrim, pikture apo poezi”, edukimi fizik, sporti, eshte harruar. Po i bejme me dije fidelianeve te rilindjes se sportit, se tashme sporti eshte shkence, zhvillohet jo sipas deshirave fideliane, por mbi baza shkencore. Do te mjaftonte te kishin lexuar studimin madhor me mjaft kompetence, i ndermarre nga Universiteti i Sportit Tirane ne bashkepunim me Institutin e Kerkimit Shkencor, per te qene me te sakte e per te nxjerre perfundime. Ky studim prestigjioz, u shtri ne 51 shkolla 9-vjecare, ku u pyeten 14.603 nxenes dhe ne 18 shkolla te mesme, ku u pyeten 11.631 nxenes me nje pyetje te thjeshte: Cila lende ju pelqen me shume? Ne nje mase prej me shume se 60%, ishte lenda e edukimit fizik. Do te mjaftonte kaq, per te vene ne rilindje, edhe edukimin fizik si lende per perzgjedhje. Barren e rende te Rilindjes se sportit shqiptar, sic duket Partia Socialiste ia paska lene Fidelit te ngrefosur, i cili e paska marre persiper si cdo gje qe marrin ata qe rrahin gjoksin, edhe jashte mundesive te tyre intelektuale. Rilindja Fideliane e PS ne sport, nuk eshte gje tjeter vecse programi i tij, i shpalosur ne Asamblene e deshtuar te 6 dhjetorit 2008, ne endrren e tij per t’u bere president i KOKSH (ne ate kohe nuk ishte bere akoma lavatricja e Rames e nuk i kishte shkuar nder mend se mund te behej ndonjehere deputet). Programi i Rilindjes PS-iste ne sport, tashme eshte i vjetruar. Fidelit te PS, i ka mbetur ora ne 2008-en. Koha ecen, cdo dite ndryshojne gjerat. Ne jemi ndryshimi. Ecim cdo dite perpara. Sporti eshte shkence dhe zhvillohet si cdo fushe e jetes mbi parime shkencore e jo mbi fjale boshe. Te gjitheve besoj se i kujtohet Fideli entuziast, kur kishte shpallur kandidaturen e vetme per president te KOKSH. Ne ekspozene per programin e tij presidencial, mes te tjerave deklaroi se: “do te ndertonte nje qender olimpike ne Korce, se kishte gati projektin, kishte siguruar edhe fondet bile...” Kete e perserit edhe sot mbas 4 vjetesh. Fidelit e partise se tij, i ka mbetur ora ne 2008. Fideli vend e pa vend, shpreh shqetesimin e largimit te sportisteve elitare jashte shtetit (tashme ne ekonomine e tregut, nuk eshte blasfemi largimi i sportisteve elitare) dhe kete e ilustron me rastin e Elis Gurit, padyshim nje sportist i niveleve nderkombetare, kampion bote, perfaqesimi i te cilit do t’i bente nder jo vetem ngjyrave te sportit shqiptar.
Po pse u largua i nderuari Guri nga vendi i tij, qe e do me shpirt dhe krenohet me te? Shkaktari kryesor e ndoshta i vetmi i largimit te Elis Gurit nga Shqiperia, eshte vete Fideli, i cili e denoi nepermjet vegles se tij, KOKSH, e perjashtoi per dy vjet nga te gjitha aktivitetet perfaqesuese kombetare e nderkombetare. Faji i vetem i olimpistit Elis Guri e shokeve te tij, ishte se ata ishin kunder kandidatures se tij per president te KOKSH, menyres manipulative qe perdorte Fideli e fidelianet. Me diktatin e tij, Fideli, u hoqi te drejten e votes ne kundershtim me karten Olimpike neni 19 pika 8, olimpisteve, sportisteve elitare. Rilindja Fideliane te kujton Shqiperine Socialiste - Shkemb graniti ne brigjet e Adriatikut. Partia Socialiste, per zhvillimin e sportit nuk ka asnje strategji zhvillimore konkrete. Flet per rendesine e sportit per te gjithe, por nuk ka konceptin filozofik jetesor te ketij sporti, cfare perfaqeson ai, rendesine e tij, rruget e zhvillimit, objektivat e perspektivat e ketij sporti. Gjate ketyre viteve, sporti me gjithe veshtiresite e transformimit te tij ne kushtet e reja te ekonomise se tregut, te cilat duhen analizuar ne bashkepunim me komunitetin sportiv, e ka gjetur rrugen e zgjidhjes, ka patur suksese e arritje te medha, fale reformave te ndermarra nga qeveria demokratike. Si asnjehere me pare ne keto vite, kane marre votebesimin nga institucionet perkatese nderkombetare dhe jane zhvilluar me sukses te plote, duke rritur reputacionin e vendit tone ne aktivitetet nderkombetare.
Arritjet
Kampionati i 27-te Boteror i Vrapimit ne Mal, eshte nje iniciative e Shoqates Shqiptare te Vrapimit ne Mal dhe nga madhesia, eshte eventi i pare i ketij lloji, qe organizohet ne vendin tone. Po ashtu, Kampionati boteror i Mundjes per veteranet, Finalja e kampionatit Boteror te Shahut per Femra, Kampionati Evropian i te Rinjve ne Peshengritje, Eliminatoret e Kampionatit Evropian ne Futboll te U17, Eliminatoret e kampionatit Evropian ne Futboll te U19. Po ashtu, jane mbeshtetur aktivitete sportive te personave me aftesi te kufizuar. Per here te pare morem pjese me nje sportist ne lojerat paraolimpike “Londer 2012”. Sporti Shqiptar eshte perfaqesuar me mjaft sukses ne Lojerat Olimpike “Pekin 2008” dhe ne “ Londer 2012 me delegacionin me te madh shqiptar, me 11 sportiste. Takimi nderkombetar “Albania Open 2012”, “Moo Really Albania 2012”. Me mjaft sukses eshte perfaqesuar ne lojerat mesdhetare “Peskaro 2009”. “Maratona e Tiranes” eshte maratona e pare nderkombetare qe u zhvillua ne Tirane. Po ashtu, do te zhvillohet ne vendin tone “Kupa e Botes” e te rinjve ne Mundje. Kurse aktualisht po zhvillohet Kampionati Boteror i te Rriturve ne Peshengritje, ku marrin pjese mbi 450 sportiste nga e gjithe bota.
Legjislacioni
Permiresimi i kuadrit ligjor ne fushen e sportit, ka pasur si qellim kryesor mirefunksionimin e Organizatave Sportive, konform standardeve nderkombetare, krijimin e kushteve dhe lehtesirave per organizatat sportive, si dhe rritjen e mbeshtetjes financiare per pergatitjen dhe shperblimin e sportisteve elitare. Me qellim persosjen e marredhenieve financiare ne nivelin e Klubeve Sportive, duke stimuluar perfshirjen e biznesit konform standardeve nderkombetare, eshte permiresuar kuadri ligjor, si per shembull ligji per sportin, ne te cilin eshte parashikuar qe Klubet Sportive te organizohen dhe funksionojne si shoqeri anonime.
Investimet
Nje nder prioritetet e qeverise dhe nje nga objektivat afatgjata te sportit shqiptar, eshte permiresimi i infrastruktures sportive, jo vetem rikonstruksioni i objekteve sportive aktuale qe jane ne pronesi te pushtetit lokal, por edhe ndertimin e objekteve te reja sportive. Qeveria Berisha, ne harkun kohor 2006-2013 ka financuar per sportin ne Shqiperi, mbi 2.37 miliarde leke. Gjate periudhes 1998 – 2004 qeveria socialiste investoi ne infrastrukturen sportive, vetem 381.284.000) leke. Jane ndertuar ose rikonstruktuar rreth 20 stadiume dhe rreth 26 objekte te tjera sportive (Berat, Kucove, Peshkopi, Burrel, Bulqize, Mamurras, Durres, Kruje, Elbasan, Peqin, Fier, Lushnje, Bilisht, Tropoje, Tirane, Shkoder, Vlore, Kavaje etj. Synimet e tjera jane ngritja e shoqatave sportive, organizimi, drejtimi dhe zhvillimi i aktiviteteve sportive, ndermjet klasave brenda shkolles dhe ndermjet shkollave, ne arsimin parauniversitar, ne funksion te sportit per te gjithe. Zbulimi i talenteve te reja ne dobi te sportit shqiptar, nepermjet ores se edukimit fizik, duke perfituar nga projektet dhe programet e organizatave nderkombetare ne fushen e sportit, po ashtu eshte ne fokus.
(Autori eshte magjister i shkencave- fiziolog sportiv)