2013-08-30

Stalini, Titoja dhe rreziku nga lufta e Tretë Botërore





Stalini ishte i preokupuar me Titon dhe kishte përgatitur një plan për invadimin e Jugosllavisë. ShBA ishte e gatshme të mbrojë Jugosllavinë me armë bërthamore. Kështu shkruan në dokumentet e Agjencisë Kombëtare të Sigurisë (CIA-s) nga të cilat është hequr shenja e skretit.

Sipas tyre lufta private e Stalinit me Titon përpak nuk shkaktoi luftën e tretë botërore. Në dokumentin e quajtur “Shmangia e Armagedonit” CIA thekson se Stalini ishte i vendosur që pavarësisht nga çmimi të shkatërrojë Titon dhe “regjimin e tij revizionist komunist”

Tito kishte ndërmarrë disa veprime që kishin tërbuar Stalinin, por ‘pika që kishte mbushur gotën’ ishte problemi grek dhe ndihma e Titos (rreth 10.000 vullnetarë) komunistëve që po luftonin në këtë vend.

Stalini i kishte dërguar një letër Titos duke e kritikuar për “vijën greke”, meqë konsideronte se komunistët në Greqi nuk kishin kurrfarë gjase meqë Athinën e mbështesnin Shtetet e Bashkuara të Amerikës “vendit më të fuqishëm të botës”.

Meqë Beogradi kishte refuzuar të lëshonte pe, Stalini kishte kërkuar ndëshkim të ashpër. Përveç përjashtimit nga Informbyroja, sovjetët kishin ndërmarrë një propagandë agresive duke e shpallur Titon dhe qeverinë e tij “grup spiunësh” besnikë të imperializmit amerikan e britanik.

Në bllokun sovjetik nisën “spastrimet” e aleatëve të Titos, më rrënjësisht në Hungari, që ishte vija e parë në kufi me Jugosllavinë.

Në këtë mënyrë nisi “lufta e kundërspiunazhit me përmasa epike” ndërmjet Jugosllavisë e Bashkimit Sovjetik.

Edhe Tito e pastroi regjimin e tij nga elementët prosovjetikë, dhe nisi spastrimin e partisë, të ushtrisë dhe të policisë sekrete, të njohur si “gjuetia ndaj tradhtarëve” që i quajti “informbyroistë”, shkruan në dokumentet e CIA.

Sovjetët ndërkohë formuan njësitë speciale luftarake, duke përfshirë tri brigada ndërkombëtare në Hungari, Rumani e Bullgari, që kërcënonin Beogradin.

CIA konstatonte se rezistenca jugosllave varej nga niveli dhe shpejtësia e ndihmës perëndimore. Washingtoni i siguroi Jugosllavisë 77,5 milionë dollarë ndihmë. Deri në gjysmën e viteve të 50-ta ndihma e përgjithshme ushtarake amerikane për Jugosllavinë kapte gjysmë miliardi dollarë.

Specialistët e CIA-s në projektet e tyre vlerësonin se Jugosllavia brenda 24 muajsh do të jetë anëtare e NATO-s.

Në shkurt të vitit 1951 kreu ushtarak britanik shpalli se sulmi sovjetik mbi Jugosllavinë mund të ishte hyrje për luftë globale.

Megjithatë sulmi i pritshëm sovjetik nuk ndodhi asnjëherë. 

Gjithçka mbi fizkulturën







Kryerja e ushtrimeve fizike është më shumë se e nevojshme! Por kur është koha më e përshtatshme për t’i bërë ato dhe cilat janë arsyet që e përcaktojnë këtë gjë? Zbulojini…

1. Ju me siguri mendoni se në kohën e pushimit të drekës ose pas përfundimit të punës, do të gjeni kohën e nevojshme për stërvitjen ditore. Por përvoja tregon se koha e punës përfundon atëherë kur edhe lista e detyrave të ditës është duke përfunduar. Të jeni të sigurt se në këtë kohë, vështirë se do të keni dëshirën minimale, por edhe fuqinë e nevojshme, për të vënë këmbë në palestër. Në këtë situatë, fizkulturën duhet ta bëni në mëngjes!

2. Nuk do të keni nevojë të prisni

Nuk ka gjë më të mërzitshme sesa të presësh dikë të mbarojë ushtrimet në pajisjen tek e cila ti do të ushtrohesh. Nëse ju do të shkoni në mëngjes në palestër, keni mundësinë që ta ndani hapësirën dhe veglat e saj, vetëm me ata pak njerëz të cilët mendojnë si ju. Për pasojë, do të keni mundësi të zhvilloni ushtrime në mënyrë intensive dhe të reduktoni kohën e pritjes!

3. Aktivizojeni më herët metabolizmin tuaj

Ushtrimet në mëngjes bëjnë që proceset metabolike të fillojnë më herët dhe në formën më optimale, e cila vazhdon të ruhet në nivele të kënaqshme për një kohë të gjatë. Atëherë, vëreni më herët në punë makinerinë tuaj, duke mundësuar kështu djegien e më shumë kalorive të tepërta, gjë të cilën nuk do të kishit mundësinë ta bënit duke ndenjur. Sidomos nëse jeni nga ata njerëz të cilët punën e tyre e kanë pas një tavoline për të gjithë ditën, atëherë kjo është një arsye shumë e mirë që fizkulturën ta bëni në mëngjes!

4. Ju jep më shumë energji

E dini pse ushtarët e fillojnë ditën me stërvitje dhe fizkulturë? Kjo, sepse fizkultura u jep forcën e nevojshme për kryerjen e detyrave të ditës. Zhvillimi i fizkulturës në mëngjes, çon në prodhimin e shtuar të endorfinës dhe të disa hormoneve të tjera, të cilat e ruajnë përqendrimin e tyre në organizëm gati për të gjithë ditën!

5. Freskon trurin dhe redukton stresin

Zhvillimi i fizkulturës në mëngjes, ju jep mundësinë të reflektoni me më shumë rendiment ndaj streseve të ditës. Është e provuar që gjimnastika e mëngjesit, redukton stresin!

6. Rregullon oreksin

Po… pasi ta keni bërë zakon këtë rekomandim, do të shihni se oreksi juaj do të bëhet si i kronometruar!

7. Rrit aftësinë reaguese të trurit

Është provuar që zhvillimi i fizkulturës në mëngjes, rrit për 4 deri në 10 orë aftësinë reaguese të trurit. Kjo shpjegohet me rritjen e fluksit të oksigjenit në tru!

8. Rrit disiplinën personale

Të ngrihesh herët nga shtrati, kërkon një disiplinë dhe motivim të konsiderueshëm. Përqafimi dhe bërja zakon e këtij rregulli, do ta ndryshojë në mënyrë thelbësore cilësinë e jetës suaj. Disiplina për ta zhvilluar fizkulturën në mëngjes, do të shndërrohet në një shtysë për ta orientuar atë edhe në aspekte të tjera të jetës tuaj!

9. Flini më mirë

Fizkultura e mëngjesit, e zhvilluar në mënyrë të rregullt, do të rezultojë edhe në një gjumë më të mirë. Vetë organizmi juaj do t’ju tregojë se kur është koha për të vajtur në shtrat. Është shumë e rëndësishme që trupit t’i jepet koha e nevojshme për të pushuar. Një pushim dhe gjumë i mirë, është shumë i rëndësishëm për sistemin muskulor, por edhe për sistemet e tjera!

10. Përmirësoni dietën tuaj

Zhvillimi i fizkulturës së mëngjesit, patjetër që do të shoqërohet me djegien e shpejtë të rezervave tuaja energjike. Prandaj, filloni me një mollë apo një gotë kos me fruta, 30 minuta përpara fizkulturës. Do të kuptoni që kjo ju jep juve energjinë e nevojshme dhe do të digjet shpejt. Gjithashtu, zhvillimi i fizkulturës në mëngjes, do ju ndihmojë në një ngrënie më të mirë gjatë gjithë ditës. Fizkultura do t’ju detyrojë të jeni më përzgjedhës në ushqimet tuaja!

2013-08-28

Pa fjalë...

Akademiku i Ardhshem
Akademiku i Ardhshem duhet të jetë sipas disa pseudoshkencëtarëve si ky në foto!
A do të kemi një sistem të ri vlerash letrare?

Studiuesit, shkrimtarët dhe kritikët e letërsisë i bashkohen, herë edhe bëhen pjesë aktive e diskutimit për një apo disa histori të letërsisë shqipe që do të reflektonin rreth 20 vite zhvillime. Kriteret e qasjes, personat apo institucionet që duhet të përfshihen në ndërmarrje, parimet sipas të cilave do të ndërtohet një sistem i ri vlerash, komentohet në këtë rast në mënyrë individuale
Studiuesit, shkrimtarët dhe kritikët e letërsisë i bashkohen, herë edhe bëhen pjesë aktive e diskutimit për një apo disa histori të letërsisë shqipe që do të reflektonin rreth 20 vite zhvillime. Kriteret e qasjes, personat apo institucionet që duhet të përfshihen në ndërmarrje, parimet sipas të cilave do të ndërtohet një sistem i ri vlerash, komentohet në këtë rast në mënyrë individuale. Promovimi i librit më të fundit të akademikes Floresha Dado (e vetmja femër e pranuar së fundmi në Akademinë e Shkencave) “Sfida teorike të historiografisë letrare” i ka shërbyer kësaj nxitje. Vetë Dado, në promovimin e djeshëm, tha se nxitja më e madhe ishte një lloj “inati” që diskutimet kanë mbetur ende në nivel teorik. Por, pas këtij argumenti, një sërë të tjerë mund të shtrohen për diskutim. Në rrethanat e sotme sa e mundshme është kalimi i këtyre sfidave teorike? Sa reale dhe e afërt është shkrimi i një (disa) histori të letërsisë? Sa të gatshëm janë studiuesit për një sistem të ri vlerash (i hapur ndaj një sërë të mohuarish dhe përjashtues për të tjerë që i diktojnë zhvillimet e reja letrare)? A mund të gjejë një pasqyrim po objektiv ajo që quhet letërsi bashkëkohore? Dhurata Shehri, Jorgo Bulo dhe Agron Tufa bëjnë një argumentim individual të këtyre pikëpyetjeve.

Dhurata Shehri: Sfida e parë, botimi i të gjitha veprave të letërsisë

U fol dhe vazhdon të flitet për sfida teorike të historisë së letërsisë shqiptare. A janë realisht të kalueshme për rrethanat shqiptare?

Natyrisht që ne mund të kemi histori të letërsisë shqiptare. Këto sfida janë të kapërcyeshme; kapërcim do të thotë përzgjedhje e në këtë rast flasim për përzgjedhje të një parimi kryesor, të një metodologjie, të zgjedhjes së njërës nga një shumësi mundësish që ekzistojnë sipas teorive të ndryshme për të ndërtuar një histori të letërsisë, e cila do të shkojë në mënyrë specifike me rrethanat konkrete, me prodhimin konkret shqiptar, me rrethanat në të cilat ky prodhim letrar është prodhuar. Historitë e letërsisë kanë ekzistuar dhe do të vazhdojnë të ekzistojnë, qofshin këto histori grupesh, histori “akademike” apo histori individuale, këtë do ta tregojë koha. Me sa di unë, vetëm kohët e fundit kemi pasur disa tentativa për të botuar histori letërsie individuale. Shpresoj që shumë shpejt të kemi një histori letërsie kolektive, ndonëse unë nuk u besoj shumë historive kolektive dhe zgjedh ato individualet.

Sa e mundshme është të kemi një sistem vlerash sa më objektiv, me përjashtime dhe futje të reja në atë që na është paraqitur për kaq shumë vite?

Çdo histori letërsie është edhe një histori që bën një klasifikim, periodizim dhe një hierarki vlerash. Unë jam me idenë që një histori nuk mund të jetë kurrë e përmbyllur dhe asnjëherë e vetme dhe asnjëherë e fundit. Çdo brez duhet dhe mundet ta shkruajë historinë e vet. Normalisht që i takon këtij brezi, i takon faktit që kanë kaluar 20 vite nga mbyllja e sistemit të diktaturës komuniste kur historianët, teoricienët, kritikët e letërsisë janë të gatshëm që në këtë distancë kohore t’i futen punës. Ajo që mungon ndoshta është materiali monografik. Historianët e letërsisë punojnë me material monografik dhe me autorët paraprakë. Për fat të keq, në letrat shqipe ka pasur përpjekje dhe janë arritur disa rezultate monografish për autorë të patrajtuar apo keqtrajtuar. Ka ardhur koha që ky korpus të bëhet i plotë, të bëhet i plotë botimi i të gjitha teksteve të letërsisë shqipe. Në këtë mënyrë, detyra e historianit të letërsisë bëhet më e lehtë. Të mos harrojmë se gati 60% e teksteve letrare të shkruara që i përkasin letërsisë shqipe janë të pabotuara. Ndoshta sfida e parë që do të çonte në botimin e një historie të mundshme të ardhme të letërsisë shqipe do të ishte botimi kritik i të gjitha veprave të letërsisë shqipe.

Jorgo Bulo: S’jemi të përgatitur për objektivitet shkencor

Sa kohë do të duhet të kalojë akoma që të kemi një rishkrim të historisë së letërsisë shqipe?

Realisht do të duhet mjaft kohë, sepse unë mendoj që sfida për një histori të letërsisë është një sfidë që prek një sistem letrar, prek të gjitha nivelet e shkollës ku jepet në një formë apo në një tjetër historia e letërsisë, prek sistemin e kërkimit shkencor dhe të sistemit të lartë arsimor, i cili duhet të jetë i përgatitur për ta përballuar këtë sfidë dhe natyrisht nënkupton përgatitjen e kuadrove të reja që të zotërojnë mirë lëndën historike letrare, por njëkohësisht që të njohin edhe metodat e reja bashkëkohore. Në këtë mënyrë do të mund t’i përgjigjen sfidës së hartimit të një historie të re të letërsisë, që është një sfidë historiko-letrare, sfidë teorike, pedagogjike dhe didaktike. Në këtë kuptim unë personalisht mendoj se do të duhet kohë. Nuk jam për zgjidhje të shpejtuara, sepse për fat të keq në këto vite ka një lulëzim të diletantizmit, i cili është një nga rreziqet më të mëdha të punës kërkimore shkencore.

Në librin e saj, akademikja Floresha Dado sugjeron një histori letërsie kolektive. Ju çfarë mendimi keni?

Në të gjithë botën sot ka histori letërsie që i shkruajnë individë, ka histori që i shkruajnë kolektive, por këta duhet të kenë konceptet metodologjike të përafërta, sepse nuk mund të bashkëpunojnë autorë. E rëndësishme është të dallojmë historitë e letërsisë që shkruhen për shkolla dhe respektojnë një program të caktuar nga historitë e letërsisë që mund të shkruajnë individë të cilët kanë interpretimin dhe leximin e tyre vetjak për të gjithë procesin e zhvillimit historiko-letrar.

Kujt institucioni do t’i takonte ta merrte përsipër këtë nismë?

Këtë përgjegjësi duhet ta merrte përsipër Akademia e Shkencave, e cila duhet të bashkërendonte punën për hartimin e një teksti akademik me disa vëllime të historisë së letërsisë. Por unë besoj se ende nuk kemi një largësi kohore, sepse siç thashë ende nuk jemi të përgatitur dhe ende ndërhyjnë faktorë ekstrashkencorë dhe ekstraletrarë, të cilët pengojnë paraqitjen objektive të procesit. Do të vazhdojmë të kemi debate teorike dhe do të kemi nëpër këmbë ferrat e politikës, të cilat pengojnë objektivitetin shkencor.

Agron Tufa: Zgjatime të trashëgimisë komuniste më bëjnë pesimist

Sa reale është mundësia e rishkrimit të historisë së letërsisë shqipe?

Thembra e Akilit e historisë së letërsisë shqipe mbetet gozhdimi i saj në kryqin ideologjik të vitit 1990. Pas këtij viti, ndonëse ka rënë komunizmi, në letërsinë shqipe, në institucionet shtetërore e akademike, ai vazhdon të jetë bunker. Liria e mendimit dhe çlirimi i njerëzve ka mbërritur, por jo në letërsinë shqipe si proces shkrimi. Vazhdon të mendohet se pas këtij viti nuk ka ndodhur asgjë. Libra në të gjitha zhanret botohen, por një pasqyrë e saj, për të mbushur misionin e letërsisë, në radhë të parë estetik dhe pastaj edukativ nuk po ngjet. Nuk ngjet, sepse nuk është një person pavetor ai që duhet të shkruajë historinë e letërsisë shqipe. Kjo detyrë u takon institucioneve. Në këtë pikëpamje, libri i profesoreshë Dados hyn i pari me guxim për ta ngritur këtë çështje. Unë jam optimist dhe skeptik. Jam optimist, sepse njerëzit me përgatitje teorike, me përvojë të madhe që u përkasin formimeve brendashqiptare tradicionale dhe që e kanë dëshmuar nivelin shkencor, qofshin të rinj që kanë mbaruar shkollime disanivelesh brenda dhe jashtë Shqipërisë, ekzistojnë. Premisat janë që të bëhet një histori e letërsisë shqipe. Mund të ketë përpjekje institucionale dashamirëse, po aq sa ka pasur edhe qasje individuale, alternative, sepse monopoli i së vërtetës nuk është vetëm një. Por në çdo rast është mirë që të dëshmojmë se ka mbaruar viti 1990, se ka rënë diktatura, se pas këtij viti letërsia shqipe ka përhapur një provokacion të gjerë në të gjithë horizontin e zhvillimit të saj, ka pasur një lloj shkrimi që dallon qartazi nga shkrimi letrar i para ‘90-s, që ka pasur një shumësi dhe pluralitet stilesh, ka pasur vepra që meritonin vëmendje. Nuk mund ta rutinizojmë dhe minimizojmë çështjen, për faktin se letërsia shqipe nuk po i bie daulles si në kohën e regjimit kur nuk pipëtinte gjë tjetër kulturore dhe ku orientimi jepej masivisht nga libri. Tani libri fillon, bën një jetë më të tërhequr, por intensivisht intime. Njerëzit flasin pse s’ka maja. Si kundërpyetje unë do të thosha pse nuk ka alpinist. Nuk është bërë asnjë përpjekje që të evidentohen vlerat dhe të bëhen pjesë e programeve shkollore e universitare. Letërsia shqipe paraqet sot pas 15-16 viteve zhvillim një peizazh tepër të pasur, me plot ngjyra e dinamikë, por shkruajnë të gjithë në mënyrë ishullore, pa asnjë organizim. Nuk ka një gazetë letrare të ruajë dinamikën kulturore javore, nuk ka një revistë mujore, nuk ka struktura që artikullojnë idetë, kahet, prirjet, tendencat që e modernizojnë gjithë sistemin letrar.

Pse jeni pesimist?

Duke qenë se i njoh mirë koniunkturat e këtij vendi, si në kulturë dhe letërsi kemi zgjatime të trashëgimisë komuniste. Janë po ata njerëz dhe po ato institucione që e gënjejnë vazhdimisht veten se janë reformuar. Shpresa e vetme janë të rinjtë që janë përfshirë brenda këtyre institucioneve të shkencës dhe kulturës shqiptare për të mundur ta modernizojnë së brendshmi, sikundër janë vetmitarët ata që japin kontribut jo më pak të çmuar së jashtmi. Ata do të përbëjnë premisat që historitë (jo historia) e letërsisë shqipe të shkruhen. Do të jenë disa alternativa që të na japin një koordinatë orientimi për vlerat që nuk janë njohur deri tani. Gjendja është skandaloze dhe e pafalshme. Kemi shumë probleme që do të paraqesin vështirësi, refuzime, mosdashje të përfshirjes së të përjashtuarve gjatë kohës së komunizmit dhe nuk janë pak. Janë ndër më të rëndësishmit që janë reduktuar vrazhdë në peizazhin letrar. Kemi emra të mëdhenj shkrimtarësh dhe studiuesish që ishin kundërshtarë të regjimit (jo disidentë). Kam parasysh Arshi Pipën, Martin Camajn, kemi autorë që shkruan në mërgim dhe të pandikuar, kemi shumë autorë që qenë nëpër burgje dhe kanë filluar të botohen pas ‘90-s dhe kemi një gjeneratë të tërë po pas këtij viti që quhet letërsia post ‘90-s, e cila paraqet zhvillime tepër interesante, paradoksale e që për mendimin tim është një civilizim krejt tjetër.

Sa ju shqetëson pasqyrimi i këtij sistemi letrar në nivelet pedagogjike?

Unë nuk jam personi që kam monopolin e së vërtetës, por e them me forcë atë që në mënyrë koherente vazhdoj ta mendoj: në shkollat e mesme letërsia shqipe paraqet një krim: ajo është zhdukur. Letërsia shqipe nuk bëhet më në shkolla, është vendosur në funksion të gjuhës. Ajo paraqet një kavie për trafikim organesh në të mirë të gjuhës, por statusi i saj si lëndë autonome është shkatërruar prej 5-6 vjetësh. Në sistemin universitar ka diferencime të thella se si e shohin letërsinë shqipe. Me pikatore janë futur autorë të anatemuar, të përjashtuar, të heshtur, që kanë ndier mbi vete trysninë e shtetit totalitar. Duhet një proporcion tjetër jo vetëm për t’u bërë hyzmet këtyre të fundit, por të vendoset një tabelë Mendelejevi vlerash për çdo shkrimtar. Akoma vazhdohet me njëmijë mënyra t’u bëhet apologji shkrimtarëve të realizmit, por ata me modelet e importuara nuk mund t’i thonë më gjë këtij brezi. Ato kanë vlerat muzeore që mund të studiohen. Nga ana tjetër kemi shumë pak studime të posaçme për autorë që vazhdojnë të komunikojnë, pavarësisht se këtë s’e bënë atëherë kur duhet me lexuesin. Sot kjo përmbushet me krijues të viteve ‘60-‘70. Nuk përfshihet as letërsia e burgjeve, as memuaristika që janë jashtëzakonisht edukative dhe me nivel të lartë artistik. Kam parasysh Uran Karakullën, at Zef Pllumin, Petro Markon apo “Ridënimi” i Fatos Lubonjës. Individualisht unë jam përpjekur t’i botoj në një kolanë “Ad memorandum”.

Kriteret e qasjes ndaj shkrimtarëve dhe prodhimit letrar; sa objektivitet mund të ketë në këtë rast?

Kriteret e qasjes vetëm e turbullojnë sfondin. Ne duhet të jemi të qartë në letërsinë shqipe kur flasim për stilet, për brezat, për estetika të ndryshme. Më shqetësuese për mua në planin ultraprofesional mbetet mosdallimi i produktit të madh letrar që quhet kulturë masive, produkt i tejfryrjes mediatike për të bërë alibinë se shitjet e mëdha bëjnë edhe vlera. Letërsia masive ekziston në të gjithë botën, por nuk arrijnë të përmenden as shkarazi në historitë e letërsisë botërore. Kur këto futen në konceptet e historiografisë, shkaktojnë turbullira të mëdha dhe paqartësi se çfarë është letërsi.(Olivera Lila)

“TERMINOLOGJIA FETARE DHE GJUHA SHQIPE”



Besa VILA
PERLA – Revistë shkencore – Kulturore tremujore
Viti X  2005 Nr. 2 (37)   fq. 165-168
Botuesi: Fondacioni Kulturor “Saadi Shirazi” – Tiranë


Më 6 qershor 2005 u mbajt në Tiranë Konferenca Shkencore "Terminologjia fetare dhe gjuha shqipe”, organizuar nga Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë i Akademisë së Shkencave, nga Instituti Albanologjik i Prishtinës dhe nga Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam.
Merrnin pjesë studiues gjuhëtarë, klerikë të komuniteteve të ndryshme fetare, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë dhe të ftuar të tjerë.
Konferencën e hapi prof. Jorgo Bulo, drejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, i cili midis të tjerave tha: “Shqipja e ka nisur rrugën e saj të shkruar përmes një formule fetare pagëzimi; kjo ka qenë një rrugë e gjatë përmes së cilës shqipja është ndërtuar si gjuhë e kulturës, është lëvruar e pasuruar dhe ka përpunuar mekanizmat e saj të shprehjes dhe terminologjinë përkatëse”. Më tej ai vazhdoi: “Sot veprimtaria fetare dhe predikimi në gjuhën shqipe në institucionet e besimeve të ndryshme është pjesë e veprimtarisë kulturore e shpirtërore e bashkësive fetare në trojet dhe në diasporën shqiptare dhe si e tillë pjesë e zhvillimeve gjuhësore të shqipes. Në këto kushte përpunimi i terminologjisë adekuate në përkthimet dhe veprimtaritë fetare është një kërkesë që buron nga ky realitet i ri. Ky realitet ka qenë një nga motivet e organizimit të kësaj Konference, e cila synon të vërë në dukje përvojën e derisotme në fushën e përkthimeve fetare dhe të përvijojë disa drejtime të punës për të ardhmen në mënyrë që fjala e Zotit në tekstet e botuara dhe në institucionet e kultit të tingëllojë sa më shqip, të shprehë sa më mirë thelbin e dogmës duke respektuar skrupujt doktrinarë e kanonikë të shkrimeve të shenjta dhe normën e standardit gjuhësor.
Konferenca jonë është vetëm një hap i parë për të tërhequr vëmendjen në problematikën e kësaj fushe dhe nuk mëton ta shterojë atë as të rekomandojë zgjidhje të detyrueshme. Ajo synon ta ndërgjegjësojë opinionin e rretheve përkatëse fetare për nevojën e përpunimit të një terminologjie sa më të saktë dhe sa më të pasur në fushën e përkthimeve fetare dhe të hapë rrugën e një pune sistematike e të orientuar mbi kritere shkencore gjuhësore, tekstologjike e teologjike”.
Pastaj Konferencën e përshëndeti prof. Ylli Popa, Kryetar i Akademisë së Shkencave, Bensaid El Mahjub, përfaqësues i Organizatës Islamike për Arsim, Shkencë e Kulturë, Ilir Kulla, Kryetar i Komitetit Shtetëror për Kultet, dhe dr. Ramiz Zeka, drejtor i Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam.
Në hapje të seancës së parë të punës së Konferencës fjala iu dha prof. dr. Shaban Sinanit, i cili mbajti kumtesën me titull “Ligjërimi fetar si pjesë përbërëse e kulturës së shqipes”. Duke trajtuar problemet me të cilat ndeshet sot ligjërimi fetar, ai vuri në dukje midis të tjerash se rikthimi te besimi pas një periudhe të gjatë të ndalimit të fesë dëshmon një prirje gjuhësisht jo të përligjur, sepse në mjaft raste ky kthim nuk shfaqet si rikthim te tradita më e ngulitur gjuhësisht në shqip, por te ripërkthimi kanonik, pa e respektuar këtë të fundit. Sipas mendimit të referuesit mundësitë për gjallërimin e ligjërimit fetar qëndrojnë brenda traditës.
Njazi Kazazi mbajti kumtesën me titull “Gjuha e veprimtarisë fetare dhe kultura e shqipes” në të cilën trajtoi çështje të kulturës së shqipes në përkthimet fetare.
Probleme të terminologjisë në botime të ndryshme fetare” ishte titulli i kumtesës që mbajti imzot Joan Pelushi, i cili, midis të tjerave, theksoi se për të arritur përkthimin e saktë të mendimit filozofik e fetar duhet të përcaktohen qartë termat themelorë, si termat frymë e shpirt, Perëndi e Zot etj. Me rëndësi të veçantë, theksoi referuesi, është përdorimi i emrave dhe trajta e tyre, si dhe përcaktimi i termave në përkthimet e shkrimet asketike.
Prof. Seit Mansaku mbajti kumtesën “Njësi dhe ndryshueshmëri në leksikun fetar në gjuhën shqipe”. Leksiku fetar, theksoi referuesi, është një nga fushat më të rëndëshme leksikore sepse nëpërmjet tij mund të ndiqen shtresëzimet gjuhësore dhe kulturore që nga fillimet e mijëvjeçarit të parë të erës sonë deri në ditët tona. Në shumë raste, nënvizoi ai, dallimet në terminologjinë fetare nuk shprehin dallime konceptesh e praktikash fetare, por pasqyrojnë sfonde të ndryshme historiko-kulturore dhe burime të ndryshme gjuhësore. Më tej kumtuesi iu referua shembujve që provojnë këtë fakt.
Në kumtesën me titull “Përvoja e botimeve fetare në gjuhën shqipe para vitit 1967 dhe pas vitit 1990Gaqo Bushaka bëri një paraqitje të botimeve fetare në këtë periudhë dhe të vështirësive që dalin për saktësimin e disa termave të liturgjisë ortodokse.
Gjuha letrare shqipe dhe shtypi fetar” ishte titulli i kumtesës që mbajti Agim Zeka, i cili ndaloi në disa shmangie nga norma të shkrimeve të botuara në shtypin fetar.
Prof. dr. Xhevat Lloshi në kumtesën e tij me titull “Disa emërtime të përbashkëta në terminologjinë fetare shqipe” vuri në dukje se përpunimi i terminologjisë fetare në gjuhën shqipe është bërë në disa drejtime, me pikënisje nga disa gjuhë të huaja konfesioni; se terminologjia fetare shqipe ka një varg emrash të përveçëm, që shënojnë të njëjtat dukuri, por kanë shfaqje të ndryshme gjuhësore, se ka pasur një shkëputje në përpunimin e terminologjisë fetare në bashkësitë e shqiptarëve, të ndara gjeografikisht për shkak të politikës dhe se terminologjia fetare pas shkëputjeve të detyrueshme është rishfaqur me një larmi të pazakontë dhe paraqet mjaft probleme për t’u zgjidhur.
Për mirëkuptimin në mes të shtetasve të një populli multikonfesional, të dëshmuar nga terminologjia e përbashkët fetare në gjuhën e përditshme, kumtoi prof. Shefik Osmani.
Dr. Ramiz Zekaj në Konferencë mbajti kumtesën me titull “Kontributi i Fjalorit të orientalizmave në terminologjinë fetare të gjuhës shqipe”. Ai u ndal veçanërisht në punën e orientalistit  Tahir Dizdari për hartimin e një fjalori të orientalizmave në gjuhën shqipe si dhe për vlerat e kësaj vepre, e cila sapo ka dalë nga shtypi.
Problemet e etnografisë së të folurit që burojnë nga tradita fetarë ndër shqiptarë u trajtuan në kumtesën e prof. dr. Gjovalin Shkurtajt. Kumtesa ishte e pasur me vëzhgime, shembuj e përfundime për këtë aspekt të ndikimit të traditës popullore në ligjërimin fetar.
Në kumtesën me titull “Trajtimi i disa termave fetare në leksikun e gjuhës shqipe” dr. Qemal Morina vuri në dukje faktin se gjatë 20 vjetëve të fundit u kompletuan përkthimet e librave të shenjtë në gjuhën shqipe dhe puna mbi to ka nxjerrë mjaft probleme që lidhen me përpunimin e saktësimin e terminologjisë përkatëse.
Prof. Feti Mediu në kumtesën e tij vuri në dukje se imitimi jokritik në procesin e përkthimit të teksteve fetare shpie shpeshherë në anarki terminologjike, duke e provuar këtë me shembuj nga përkthime të ndryshme.
Kumtesa e Ibrahim Daut Hoxhës mbante titullin “Veçori të leksikut në krijimtarinë e vjershëtarëve çamë”. Gjatë kumtimit ai u ndal në veçanti në rolin që kanë luajtur tekstet e autorëve çamë në procesin mësimor të medreseve.
Prof. Isa Bajçinca mbajti kumtesën me titull “Probleme të terminologjisë fetare dhe të kulturës së gjuhës”. Ai u ndal veçanërisht në rëndësinë e zbatimit të normës gjuhësore në të gjitha rrafshet e komunikimit dhe në atë të veprimtarisë fetare. Më tej ai nënvizoi mendimin se terminologjia fetare në gjuhën shqipe duhet të jetë përafërsisht e njëjta dhe përafërsisht e përbashkët për të gjitha besimet.

Fjalën e mbylljes në Konferencë e mbajti prof. Jorgo Bulo, i cili theksoi se qëllimi i kësaj Konference ishte të shtronte disa probleme, të hapte rrugën e diskutimit të tyre dhe jo të sillte zgjidhje të detyruara. Kjo, përfundoi ai, është një fushë pune që kërkon angazhim të përbashkët dhe vëmendjen e shkencës gjuhësore dhe të të gjitha komuniteteve.

Aleks Buda, si e mbajnë mend akademikët

Më 7 korrik të 20 viteve më parë, më 1993, do të ndahej nga jeta Aleks Buda. I njohur si arkitekt i projektit madhor që e futi studimin e historisë së Shqipërisë në një kuadër rreptësisht shkencor, ai konsiderohet si një gur i fortë themeli në albanologji. Dy dekada pas ikjes së tij, akademikët Muzafer Korkuti e Jorgo Bulo rrëfejnë për “Gazetën shqiptare” kujtimet e tyre për njeriun e madh dhe shkencëtarin e paharruar

Jorgo Bulo: Historian vizionar Aleks Buda është një korife i shkencës së re albanologjike, historian i Mesjetës Shqiptare, i Skënderbeut dhe i Rilindjes Kombëtare, i kulturës dhe i ideologjisë së saj, mendje dialektike, mjeshtër i analizave historike dhe i sintezave të mëdha, i stilit brilant të ekspresivitetit noljan, erudit dhe poliglot, personalitet poliedrik i kulturës, arsimit dhe shkencës shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit që shkoi, përfaqësues dinjitoz i albanologjisë shqiptare në botën shkencore të jashtme, simbol i identitetit shkencor të kombit të rilindur.

Aleks Buda është arkitekt i projektit madhor që e futi studimin e historisë së Shqipërisë në një kuadër rreptësisht shkencor. Me rikonceptimin materialist të historisë mbi bazën e analizës së formacioneve sociale, e ktheu historinë nga një grumbull ngjarjesh në një rezultante historike të një procesi të determinuar nga faktorë të zhvillimeve politike, ekonomike e kulturore të brendshme e të jashtme. Me vizionin e një historiani që sheh thellë dhe larg, dominanten historike, rezultanten historike dhe perspektivën historike, Aleks Buda, me mendimin dhe veprën e tij, me ekipin e udhëhequr prej tij, e nxorën historiografinë shqiptare nga faza parashkencore në epokën e mendimit historiografik shkencor. I pajisur me të gjitha instrumentet e punës së historianit, me mprehtësinë, kulturën, njohjen e burimeve, të metodave, të gjuhëve klasike e moderne, Aleks Buda udhëhoqi një aksion të madh shkencor të studimeve ndërdisiplinore që mundësonte ndriçimin e proceseve kardinale historike, si atë të vazhdimësisë iliro-shqiptare dhe të formimit të etnosit shqiptar, të gjuhës e të kulturës së tij, të autoktonisë së shqiptarëve në trojet e tyre dhe të njësisë etnike të këtij populli, shprehur në kulturën materiale dhe shpirtërore, të lindjes së shtetit të arbrit në shekullin XIV dhe të zhvillimit të formacioneve të reja shtetërore në rrjedhë të kohës, të rolit të shqiptarëve në historinë ballkanike, e të tjera. Në çdo vepër dhe aksion shkencor për historinë e shqiptarëve, të kulturës dhe qytetërimit të tyre, është mendja dhe kontributi i Aleks Budës. Ai krijoi shkollë në studimet shqiptare. Veç të tjerave, Aleks Buda është mentori i disa brezave studiuesish, të cilëve u dha gjithçka, duke marrë kënaqësinë e njeriut që vetëm fal. I falem kujtimit të tij.

Në distancën e 20 viteve të mungesës së prof. Aleks Budës, personalitetit të shquar e historianit me përmasa evropiane, figura e tij lartësohet edhe më shumë.

Veprimtaria gjysmëshekullore e akademikut Aleks Buda për albanologjinë u realizua e kushtëzuar nga gjendja e nevoja e kërkimeve për historinë, gjuhën, kulturën e shkencën shqiptare në gjysmën e dytë të shekullit XX. Qysh në krye të herës prof. Buda me largpamësinë e vizionin e qartë ndjeu nevojën e studimeve ndërdisiplinore dhe punoi pa u lodhur për krijimin e bërthamave e të sektorëve shkencorë me specialistë për periudha e fusha të caktuara të historisë, të gjuhës, të arkeologjisë, të etnografisë e të traditës letrare e folklorike. Ai është themeluesi i sektorit të Mesjetës, ku u përgatit një plejadë e tërë studiuesish.

Historiani enciklopedist Aleks Buda konceptoi veprën kolektive "Historia e Shqipërisë" (Tiranë 1959, v.I), vepër tërësisht e re nga përmbajtja dhe gjerësia e trajtimit dhe kritereve shkencore të ndërtimit e të vështrimit të proceseve historike. Prof. Aleks Buda ishte dashuruar pas arkeologjisë e historisë antike dhe u bë mbështetës i fuqishëm i kërkimeve arkeologjike ilire dhe mesjetare, të cilat i konsideronte si burim themelor në ndriçimin e historisë e të kulturës ilire e asaj arbërore. Ai i përgjithësoi këto arritje duke i çuar më tej dhe argumentuar në një vështrim shumëplanësh vazhdimësinë iliro-arbërore të banorëve të lashtë të vendit tonë.

Për figurën humane të Aleks Budës ka shumë për të thënë, por unë po preferoj të citoj vlerësimin e kolegut dhe bashkëpunëtorit të ngushtë të tij Prof. Kristo Frashëri, i cili shkruan: "Profesor Aleks Buda edhe kur ishte i thjeshtë dhe ecte më këmbë, edhe kur u bë shef dhe vinte në zyrë me biçikletë, edhe kur u bë kryetar i Akademisë dhe udhëtonte me makinë, mbeti po ai: njeri i thjeshtë, i qeshur, i ngrohtë, i urtë me këdo. Dëgjonte me kujdes çdo njeri që vinte në zyrë dhe përpiqej me aq sa mundej të zgjidhte problemet jo të pakta që kishte ai që fliste me të. Ndoshta këto veti personale një ditë do të harrohen, por ato që do të mbeten të ngurosura në historinë tonë kulturore dhe shkencore janë kriteret metodologjike që ai kërkonte të zbatonin historianët shqiptarë, të zbatonin në çdo rast dhe për çdo temë. Këtë trashëgimi duhet ta ketë parasysh patjetër brezi i ri që angazhohet në studimet e shkencave shoqërore shqiptare".

Mali i shenjtë i Tomorrit - nga kulti pagan te miti romantik -


JORGO BULO

Nga kulti pagan i majave të larta, i përhapur në gjithë Shqipërinë, kulti i malit të Tomorrit ka mbijetuar në rrjedhë të shekujve e të ndërrimeve fetare. Duke gëzuar një prestigj të veçantë në botën shqiptare, ai ka fituar atributin e malit të shenjtë. Fakti që ky mal në gojëdhënën popullore, në periudhën antike e mesjetare dhe në letërsinë romantike përfytyrohet si Olimpi shqiptar, besoj se është dëshmi e njësisë kulturore ballkanike.

Tomorri është mali më impozant në Shqipërinë e Jugut. Me majën më të lartë 2416 metra, ai ngrihet vetmitar në një rrafshinë pa fqinjë që ta rivalizojnë dhe zotëron kështu pamjen nga të gjitha pikat e horizontit. Kjo e bën atë madhështor, si e bëjnë të bukur livadhet malore, e të frikshëm majat e thepisura shkëmbore, humnerat e thella dhe stuhitë e befasishme. Etnologia angleze Margaret Hasluck, që u ngjit në majë të tij më 1930, konstatoi midis të tjerave se pelegrinët besonin në një fuqi të mbinatyrshme me seli në atë majë e se betimi për Baba Tomorrin ishte më i fortë se betimi mbi Ungjill ose Kur’an. Kuptohet se ky adhurim është mbeturinë e kultit pagan të natyrës, brenda të cilit kanë mbetur besimet e shqiptarit.

Në zhvillimet e mëvonshme etno-historike e fetare të shqiptarëve, substrati pagan u tregua shumë i qëndrueshëm; ai mbijetoi si një element i vazhdimësisë së traditës mitologjike ilire dhe si shprehje e njësisë shpirtërore të tyre. Vendet e peligrinazheve të epokës pagane dhe ritet pagane mbetën po ato në epokat e mëvonshme fetare, ndryshuan vetëm përfytyrimet që lidhen me këto rite, duke marrë një veshje kristiane ose islame. Ky evolucion dhe stagnacion njëherësh është karakteristik edhe për kultin e Tomorrit dhe ritet e pelegrinëve në nderim të tij.

Për të ardhur tek ekzaltimi romantik i shekullit XIX, kulti pagan i malit të shenjtë të Tomorrit kaloi dy faza, që iu përgjigjën dy periudhave të historisë fetare të shqiptarëve: periudhën e lulëzimit të kristianizmit dhe atë të islamizmit. Por, sikur të mos ekzistonin këto dy faza, siç do ta provojmë më poshtë, letërsia romantike e Rilindjes shqiptare, u nis nga kulti pagan dhe mbeti te përmbajtja dhe përfytyrimi i tij primitiv mitologjik. Ajo çka i shtoi kjo letërsi këtij kulti ishte fryma e ekzaltuar e romantizmit nacional.

Për të kuptuar çka u tha duhet të hapim këtu një parantezë të shpejtë. Deri në fund të shek. XV, kur ra kështjella e fundit e rezistencës shqiptare, feja e shqiptarëve ishte krishtërimi. Ata i përkisnin ritit katolik dhe ritit ortodoks. Pas vendosjes së sundimit osman në shek. XV, nisi procesi i islamizimit të popullatës vendëse. Në shek. XVII, 70% e shqiptarëve ishin kthyer në besimin islam. Gjatë shek. XVIII njohu një përhapje relativisht të gjerë në Shqipëri bektashizmi. Kështu që shqiptarët erdhën në epokën e lëvizjes së tyre nacionale të ndarë në katër grupe fetare. Ata paraqiteshin tanimë si katolikë e ortodoksë në minorancë dhe si myslimanë e bektashinj e synitë në mazhorancë.

Fati i kulteve pagane dhe i vendeve të këtyre kulteve në Shqipëri është i lidhur me historinë fetare në këto treva. Sot në Tomorr praktikohet kulti bektashi, por midis këtij të fundit dhe atij të parit, kultit pagan, qëndron kulti i fesë që ndan këto dy periudha fetare, pra kulti i krishterë. Këtë nuk e dëshmon vetëm tradita gojore për ekzistencën e Kishës së Shën Mërisë në mal të Tomorrit dhe për peligrinazhin e besimtarëve ortodoksë më 15 gusht, ditën e Shën Mërisë së gushtit. Edhe në maja të tjera, në veri, në qendër dhe në jug të Shqipërisë, si në majën e Gjallicës e të Pashtrikut, në Shën Llesh të Krujës dhe në majën e Këndrevicës së Kurveleshit, pelegrinët e krishterë festojnë po në mes të gushtit festën e Shën Mërisë. Duke mos dashur ta thyejnë këtë vazhdimësi, bektashinjtë që kanë përvetësuar të paktën një shekull e ca më parë kultin e Tomorrit, e organizojnë pelegrinazhin në majë të tij po më 15 gusht të çdo viti. Në këtë pelegrinazh nuk do të merrnin pjesë, si marrin edhe sot, as synitë, as të krishterë, sikur ky kult të mos lidhej me një traditë të lashtë parafetare.

Po sipas M. Hasluck bektashinjtë e pranojnë se kanë zëvendësuar një kult shumë më të vjetër. Ata i besojnë gojëdhënës se Haxhi Babai, duke parë pelegrinë që ngjiteshin në Tomorr çdo mes gushti për t’iu falur një hyjnie pagane, shkoi në Qerbela, mori një dorë dhe nga varri i vërtetë i Abas Aliut, e hodhi në majë të Tomorrit dhe e konsakroi atë si varrin e dytë të shenjtorit. Burime të pavërtetuara bëjnë fjalë për një tyrbe të vitit 1620 kushtuar heroit të Qerbelasë, kurse teqeja bektashiane është ngritur më 1916.

Nga gjithë ky trashëgim pagan dhe postpagan, shkrimtarët e Rilindjes Kombëtare ruajtën bërthamën pagane dhe iu referuan admirimit gati mistik të ndërgjegjes popullore për kultin e malit në fjalë. Me këtë lëndë ata ndërtuan mitin romantik të malit të Tomorrit, në frymën e idealeve patriotike.

Për shkollën e romantizmit shqiptar të shekullit XIX, që u përftua nën ndikimin e fuqishëm të lëvizjes mendore e politike për çlirim nacional nga zgjedha osmane, poetizimi i traditave historike dhe evokimi i së kaluarës heroike legjendare, fitonte përparësi të veçantë. Kjo ishte rruga e afirmimit të identitetit kombëtar të shqiptarëve si banorë të lashtë të gadishullit. Por ky ishte edhe një argument i njësisë së tyre shpirtërore e kulturore. Feja, që për popujt e tjerë të gadishullit ishte një faktor integrimi kombëtar, për shqiptarët e ndarë në disa besime ishte një faktor disintegrimi. Në këtë mes nuk duhet harruar edhe fakti që fetë e ndryshme në Shqipëri ishin edhe përçuese ndikimesh të huaja politike e kulturore. Duke mos qenë të bashkuar rreth një kishe, shqiptarët duhet të ishin të bashkuar rreth një miti kombëtar. Shkrimtarët romantikë këtë mit e krijuan me lëndë historike kur evokuan shekullin e qëndresës shqiptare që lidhet me emrin e Gjergj Kastriotit, Skënderbeut. Por e krijuan dhe me lëndën e legjendës e të besimeve të lashta popullore, kur poetizuan kultin e Tomorrit.

Për t’i dhënë prestigj shkencor e thellësi historike këtij miti ata iu referuan trashëgimit antik. Toponimin Tomaros ose Tamari a Tmari që del te Straboni dhe te Plini Secundi (Talar) si mal pranë Dodonës, pra si mal i Shenjtë, ata e lidhën pa asnjë mëdyshje me Tomorrin e Shqipërisë. Kështu kulti i Tomorrit u shndërrua në kultin e malit ku ka selinë perëndia e lashtë e shqiptarëve. "Shqiptarët e moçëm, - shkruan poeti kombëtar Naim Frashëri, - besoninë Hyjninë, dhe në malt të Tomorrit ish falëtore e ti, që thuhej Dodonë". (Do flas rreth këtij paragrafi më poshtë - Drini)

Ky kult nacional i shqiptarëve në letërsinë romantike u kthye në një kult poetik të cilit iu drejtuan shumica e shkrimtarëve romantikë si K. Kristoforidhi (1830-1895), Naim Frashëri (1846-1900), A. Z. Çajupi (1866-1930), Asdreni (1872-1947), H. Mosi (1885-1933), N. Mjeda (1866-1937), etj.

K. Kristoforidhi, themeluesi i prozës moderne shqiptare, shkrimtari që solli në shqip Dhjatën e Re dhe shumicën e shkrimeve të shenjta, njërit prej rrëfimeve të tij më të bukura, Gjahu i malësorëve (1884) i vë si nëntitull Hieja e Tomorrit, d.m.th. sipas etimologjisë që jep ai, Perëndia e Tomorrit. Kjo prozë evokon perëndinë pagane të shqiptarëve si mbrojtëse të tyre qysh nga kohët kur, si shkruan autori, Krishti e Muhameti nuk kishin ardhur në botë.

A. Z. Çajupi përmbledhjen e tij më të rëndësishme poetike e titulloi "Baba - Tomorri" (1902). Vjersha me të njëjtin titull e kësaj përmbledhjeje është ndërtuar si një dialog poetik midis autorit dhe baba Tomorrit që është personifikuar si dëshmitar i ndodhive historike të shqiptarëve dhe si një orakull që parathotë të ardhmen e kombit.

Në poezinë e Naim Frashërit, poeti më i madh kombëtar i shqiptarëve, tradita pagane e kultit të Tomorrit u rigjallërua në një sfond mitologjik si Olimp i shqiptarëve dhe si seli e zanave të maleve. Ky element i fundit paraqet interes të veçantë si një figurë tradicionale mitologjike e trashëguar nga lashtësia ilirike. Sipas Çabejt, nga një "interpretatio latina", Zana, nuk është veçse Diana iliro-romane, që në shqip dha Zana e në rumanisht Zina. Këtë personifikim të bukurisë dhe të trimërisë, mbrojtëse të maleve, figurë tipike për mitologjinë pagane të trevave veriore, poema e Naimit "Bagëti e bujqësia" (1886) e ka sjellë në mal të Tomorrit dhe e ka thirrur si "perëndi e ligjësisë" (e ligjërimit). Mbetet e diskutueshme nëse kjo neologjizëm e Naimit lidhet me trajtën Zërë (Zana) që haset në Jug të Shqipërisë, dhe që është një dëshmi për njësinë shqiptare. Po këtu është rasti për të vënë në dukje se poetizimi i Tomorrit si seli e muzave të maleve është në funksion jo vetëm të krijimit të mitit romantik për malin e shenjtë të shqiptarëve. Poeti i lutet zanës të mbrojë fusharakët si edhe malësorët, dhe kjo i jep Tomorrit atributin e simbolit të unitetit kombëtar të shqiptarëve.

Besoj se rasti i kultit të Tomorrit në letërsinë romantike shqiptare është një dëshmi e plotë e rolit që kanë lojtur kultet pagane ose fetare të popujve ballkanikë për ndërtimin e miteve dhe të simboleve të tyre kombëtare.

-=-=-=-=-=-=-=-
pelegrinët besonin në një fuqi të mbinatyrshme me seli në atë majë e se betimi për Baba Tomorrin ishte më i fortë se betimi mbi Ungjill ose Kur’an. Kuptohet se ky adhurim është mbeturinë e kultit pagan të natyrës, brenda të cilit kanë mbetur besimet e shqiptarit.
Në fakt bëhet fjalë për fuqinë e Zojsit (Zeusi në dialektin çam = Zoti), dhe shkrepëtimave që krijonin vetëtimat në malin e Tomorrit. Etimologjia e fjalës Tomorr nga Aristidh Kola përket me fjalën Tëmarr = të mirat, pra pelegrinët shkonin në maj të malin ku ishte edhe faltorja që të dëgjonin lajmet e mira të Zojsit, ose Zotit.

Për paragrafin që shënova më sipër desha të prekja Dodonën si vënd. Dodona është kryeqëndra dhe faltorja e parë e Zojsit, më e lashta që njihet gjeri më sot dhe që përmëndet edhe nga Homeri si Dodona pellazge. Kjo faltore sot gjëndet shumë pranë Janinës, në Toskërinë e jugut, pra tej kufirit jugor të Shqipërisë. Ndërsa mali i Tomorrit ishte veçse një zhvendosje e mëtjeme e faltores së Dodonës, dhe në fakt, mali i Tomorrit përmëndet edhe si faltorja e dytë e Zojsit = Zotit = Zeusit.

Më tej përmënden edhe Zanat më sipër në shkrimin e Bulos. Për mendimin tim, ato përkojnë njëlloj sikur Athina që lindi nga koka e Zojsit. Athina në fakt, është thjeshtë e-thëna që dilte nga pema e dushkut në Dodonë. Aty thuhet sipas Homerit, të prehej një pemë dushku në mes të fushës së Dodonës. Kjo zonë, nga ana gjeografike ka shumë rryma ajrore, dhe fërkimi i i Erës(*) me degët e pemës së dushkut që ndodhesh aty, formonte tinguj dhe zëra që banorëve suljot u ngjajtën si fjalët e Zotit = Zojsit. Pra thuhet edhe nga mitologjia që Athina = E-thëna lindi nga koka e Zojsit, dmth nga kurora e pemës së dushkut. Sot thonë se ka akoma një pemë dushku në Dodonën e parë, megjithëse Pirroja ndërtoj edhe një amfiteatër në atë vënd, për të nderuar faltoren e Zojsit. Zana për mendimin tim është fjala zëri, zëra pra zana nga mynyra gegnishte e të thënit, dmth njëlloj si e-thëna.

Era*, përket me zonjën e stuhisë Hera në mitologji, me atë yjnesh që ishte edhe gruaja më e afërt e Zojsit. Pra, si mund të bënte pema e dushkut të krijonte tinguj pa fuqinë e Herës?

Të gjitha këto lidhje me mitologjinë helene në saj të shqipes nënkuptojnë se ky kult i malit të Tomorrit nuk është thjeshtë diçka e rastësishme. Shqiptarët e të gjitha feve gjejnë lidhje mes tyre në saj të kulteve të këtij lloji, dmth nga kultet e baballarëve të tyre. Kulti i malit të Tomorrit na tregon haptaz dhe na vërteton faktin se shqiptarët janë pasardhësit e drejtë-për-drejtë të pellazgve, dhe se janë ata që ruajnë sot e kësaj dite "nënvetëdijshëmi" besimet e helenëve të lashtë. Helenët nuk ishin gjë tjetër veçse një fis pellazgë sikur dardanët, taulantët, etj etj.

Një gjë tjetër që kam lexuar së fundi dhe që më ka çuditur shumë është për shqiponjën dhe simbolizmin e saj. Për ata që i faleshin diellit dodon, shqiponja simbolizonte diellin. Pra, prejnga e marrim edhe ne emrin shqiptarë, duke qënë njërëz që besojmë më shumë në Zot sesa në fe, dmth "feja e shqiptarit është shqiptaria," frazë kjo jo e rastësishme. Më tej, Kostantini i Madh, perandori romak me gjak iliro-dardan nga Nishi, ishte ai që e ligjëroj krishtërimin në perandori. Thonë se ai shikonte dhe i luteshe diellit më parë se edhe vetë të konvertoheshe në të krishterë. Dhe jo më rastësisht, ai si krijues i kryqëndrës së dytë të prerandorisë, pra duke e quajtur me emrin e tij Kostantinopojë, përdori shqiponjën dykrenare në mynyrë që ta mbante të lidhur perandorinë romake, dhe për të thënë se megjithëse perandoria ka dy qëndra (dy koka), ajo ka një trup të vetëm. Pse shqiponja në ktë mes? Sepse shqiponja është simboli i diellit, pra i Zotit, dhe në atë kohë të ishe perandor, do të thoshte të ishe edhe Zot i perandorisë. Në fakt pjatat artizanale na paraqesin edhe Zojsin me shqiponjën si bijën dhe plotësuesen e dëshirave të tij.

Po Skëndërbeu dhe familja Kastrioti ç'ne me shqiponjën si simbol? Po Dukagjinasit pse po kështu? Pse na lajmëroj Skënderbeu kur u kthye duke na thërritur neve shqiptarë, dhe duke e ngritur lartë ktë flamur me shqiponjë? Ai ishte edhe unit, pra ishte për bashkimin e dy qëndrave të krishtërimit. Dmth shqiponja dykrenare përbënte simbolozimin e Zotit, meqënëse krishtërimi ishte i ndarë në dy qëndra. Mendoj se Skënderbeu e dinte të fshehtën e shqiponjës, si vetí që ka si kafsh, dhe se çfarë simbolizonte ajo për baballarët tanë.

Mali i Tomorrit? Shumë të fshehta mban, shumë gjëra për të dëgjuar ka aty. Shpresoj që një ditë të shkoj dhe ta ngjis atë mal, sikurse të shoh edhe Dodonën pranë Janinës. Asdreni në hymnin tonë kombtar ka bërë një varg që thotë "se Zoti e tha vetë me gojë, se kombe shuhen përmbi dhe, por kombi jonë do të rrojë." Mos vallë e ka fajlën për E-thënën, ose të thënat e faltores së Dodonës (pemës së dushkut) apo Tëmarr = të mirat e malit të Tomorrit? Apo ishin Zanat e malit?... Qëkur Zoti e tha vetë me goj

“Dialektet janë si përrenjtë që pasurojnë lumin. Ato e pasurojnë gjuhën”


Të gjithë kemi ndryshuar në këto 20 vjet, komunikimi ynë gjithashtu. Lëvruesit e gjuhës shqipe, që jemi mësuar t`i quajmë “studiues”, me zell e konsiderojnë gjuhën si “një organizëm të gjallë” që ndryshon në varësi të kohës, ndryshimeve politike, sociale dhe kulturore.

Por ajo që na shoqëron në diskutimet e përditshme është se si “ka ndryshuar gjuha shqipe gjatë viteve të tranzicionit”: për mirë apo për keq? Akademiku Jorgo Bulo, merr përsipër të sqarojë këtë dilemë: “Shqipja ka ndryshuar edhe për mirë edhe për keq. Për mirë sepse është pasuruar, për keq sepse janë shtuar fjalë të huaja të panevojshme që siç thotë Naimi ngjajnë si dhia mes dhënve.”

Përveç përdorimit të fjalëve dhe strukurave të huaja në gjuhën e folur dhe atë të shkruar, presioni që ushtrojnë “dialektizmat” duket gjithashtu fenomen në rritje. Ndërsa shikohet si shqetësim, studiuesit fenomenin në fjalë e konsiderojnë si çështje të “pasurimit te gjuhës” që shkon konform me lëvizjet dhe zhvillimin demografik të popullsisë:


“Dialektet janë si përrenjtë që pasurojnë lumin. Ato e pasurojnë gjuhën”, vazhdon Bulo.

Specialistët e fushës thonë se problemi lind kur “dialektet” kthehen në normë e përdorimeve publike të gjuhës”. Ata thonë se “në gjuhën e administratës, shkollës, medias dhe në shfaqjet publike, përdorimi i dialektit është i pajustifkueshëm”. Ata janë për përdorminin e gjuhës standarte, si shprehje e qytetërimit dhe e kulturës së një populli. Dhe në këtë suazë, profesor Bulo, i referohet njerëzve të tribunave “si shkelësit më të mëdhenj të shqipes”:

“Në përdorimet publike ka shkelje të normës në të gjitha rrafshet, të normës leksikore, të normës drejtshkrimore, gramatikore dhe një mungesë kujdesi për kulturën e gjuhës”, vëren akademiku.

Për këtë çështje, në mesin e dhjetorit, një Konferencë për politikat e pasurimit dhe përmirësimit të gjuhës standarte, pritet të mbledhë në Tiranë, në “Ditët e albanologjisë” ata që hulumtojnë dhe ruajnë “brenda kritereve” gjuhën e sotme shqipe, që siç parashikohet mund të bojkotohet nga institucione të ndryshme të gjuhësisë.

“Këtë konferencë ka marrë nismën ta organizojë një institucion i vetëm, Qendra e Studimeve Albanologjike, pa konsultimin e institucioneve të tjera simotra”, thekson Bulo.

Zhurma që po bëhet për rishikimin e drejtshkrimit sipas akademikut Bulo, nuk është në kohën e duhur: “Kryesorja për të dhënë alarmin është se nuk po zbatohen rregullat e gjuhës shqipe.”

Bëhet fjalë për gjuhën që flitet në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni, në Serbinë jugore, nga shqiptarët etnikë në pjesë të tjera të Ballkanit jugor, përgjate bregdetit lindor të Italisë, në Greqi e më gjerë, një gjuhë moderne që përfaqëson një degë më vete në familjen e gjuhëve indo-evropiane

Shkruan : Flori Bruqi : Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme e shqiptarëve

Kërko brenda në imazh                     Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme                                     Haki Taha, u lind n...